VIDEO / Ja si Altin Ndoci zbriti pa pranga nga Ambulanca në oborrin e Spitalit të Durrësit
Të tjera pamje nga kamerat e sigurisë, kanë dalë në media, të cilat tregojnë momentin kur i paraburgosuri Altin Ndoci mbërrin në oborrin e Spitalit të Durrësit, i shoqëruar me ambulancë.
Në këto pamje, Ndoci shfaqet duke dalë nga ambulanca i lirë dhe pa pranga, dhe më pas të shoqërohet në drejtim të godinës së spitalit.
Shoqërimi i tij bëhet në kundërshtim me rregulloren, pasi duhej të ishte i prangosur për shkak të rrezikshmërisë.
Ndërkohë më herët, u publikuan edhe pamje të tjera të kapura nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë momentin e arratisjes, që zgjasin vetëm rreth 6 sekonda. Ndoci duket se ka vepruar tërësisht i qetë pasi nuk shihen roje sigurie apo punonjës policie që të jenë duke e ndjekur nga pas.
Altin Ndoci, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, u arratis nga paraburgimi këtë të martë, 13 janar. 39-vjeçari ishte dërguar në infektivin e spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.
Ndoci dyshohet të jetë arratisur në momentin kur është lënë vetëm brenda një dhome në spital. Mbetet e paqartë si ka arritur të largohet, duke qenë se për ruajtjen e tij ishin caktuar të paktën pesë efektivë policie.
Targat e “Audi A7”-ës ishin të vjedhura, mjeti me të njëjtin model
Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u arratis nëpërmjet një makinë “Audi A7“, me targë AA700RS, që e priste te parkingu i spitalit.
Mësohet se targat e automjetit që u përdor për arratisjen e Ndocit nga Spitali i Durrësit rezultojnë të denoncuara të vjedhura pak ditë më parë.
Autorët që ndihmuan në arratisjen e Ndocit duket se e kishin planifikuar në detaje planin, në mënyrë që askush të mos dyshonte pasi modeli i makinës që u vodhën targat dhe makina që u përdor për arratisje është i njëjtë, “Audi A7”.

Kush ishte polici që qëlloi në ajër për ta trembur
Mësohet se një nga policët që e shoqëronte Ndocin nga paraburgimi i Durrësit për në spital, ka qenë Fatjon Baci. Ai është personi që shfaqet në pamjet që kanë qarkulluar nga momenti i arratisjes së Ndocit dhe shihet me armë në dorë.
Në momentin kur Ndoci arriti t’u largohej punonjësve të Policisë, Baci ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit për ta trembur, por kjo nuk mjaftoi për ta ndaluar të arratisurin, i cili tashmë ishte larguar nga ambientet e spitalit.
Forca të shumta policie janë vënë në lëvizje me qëllim kapjen e tij. Ndërkohë, arratisja e Ndocit, ka sjellë pezullimin e gjithë zinxhirit komandues të burgut të Durrësit. Deri më tani raportohet për 10 zyrtarë të pezulluar.

