Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

I dënuar në Itali me 6 vite e gjysmë burg për lëndë narkotike/ Kapet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari

I dënuar nga autoritetet në Itali, me 6 vjet e gjysmë burgim, si bashkëpunëtor për trafikimin e lëndëve narkotike, kapet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me partnerët italianë, realizuar nëpërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 77”.

Në kuadër të operacionit u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Alesjo Abdija, 38 vjeç.

Në vitin 2024, Gjykata e Perugias, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

Forcat e fundit kurde largohen nga Aleppo pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit

Luftëtarët e fundit kurdë janë tërhequr nga qyteti sirian i Aleppos, pas njoftimit të një marrëveshjeje armëpushimi në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Mazloum Abdi, udhëheqësi i Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, tha se një marrëveshje ishte arritur nëpërmjet ndërmjetësimit ndërkombëtar, duke siguruar evakuimin e sigurt të “martirëve, të plagosurve, civilëve të bllokuar dhe luftëtarëve” nga qyteti.

Autobusë që transportonin anëtarët e fundit të SDF të udhëhequra nga kurdët u panë duke u larguar nga lagjja me shumicë kurde Sheikh Maqsoud, sipas raporteve të mediave lokale, shkruan BBC.

Përleshjet e fundit në Aleppo filluan më herët këtë javë, pasi negociatat për integrimin e kurdëve në qeverinë e re të Sirisë arritën në një bllokim.

Të paktën 12 persona u vranë në shpërthimin e fundit të dhunës, i cili gjithashtu pa dhjetëra mijëra civilë të zhvendosur pasi u detyruan të largoheshin nga Sheikh Maqsoud dhe Ashrafieh.

Ushtria siriane bombardoi zonën të mërkurën pasdite pasi i caktoi lagjet “zona të mbyllura ushtarake”, në përgjigje të asaj që pretendonte se ishin sulme nga grupe të armatosura në zonë.

SDF-ja e udhëhequr nga kurdët – e cila këmbëngul se nuk ka prani ushtarake në Aleppo – e quajti atë një “përpjekje kriminale” për të zhvendosur me forcë banorët.

Një armëpushim u arrit më herët gjatë javës, por forcat kurde refuzuan të largoheshin nga fortesa e fundit e Sheikh Maksoud sipas marrëveshjes.

Në mars të vitit 2025, SDF-ja e udhëhequr nga kurdët, e cila kontrollon pjesën më të madhe të verilindjes së Sirisë dhe ka dhjetëra mijëra luftëtarë, nënshkroi një marrëveshje për të integruar të gjitha institucionet ushtarake dhe civile në shtetin sirian.

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën se po përpiqeshin të prishnin negociatat që pasuan, me marrëveshjen që ende nuk u realizua pothuajse një vit më vonë.

Versioni më i ri i marrëveshjes së armëpushimit u ndërmjetësua nga SHBA-të dhe fuqitë e tjera botërore, pas shqetësimit se bllokimi në Aleppo rrezikonte përfshirjen e Turqisë.

Turqia mbështet qeverinë siriane dhe e konsideron milicinë kurde që dominon SDF-në një organizatë terroriste.

Në një postim të shtunën, ambasadori i SHBA-së në Turqi dhe i dërguari special në Siri, Tom Barrack, tha se ishte takuar me presidentin sirian dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të “ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërpresin menjëherë armiqësitë dhe të kthehen në dialog” në përputhje me marrëveshjen e marsit.

Ai shtoi se SHBA-të kanë mirëpritur “tranzicionin historik” të Sirisë dhe do t’i ofrojnë mbështetjen e tyre Presidentit Ahmed al-Sharaa ndërsa ai “punon për të stabilizuar vendin”

Izraeli në gatishmëri të lartë për mundësinë e një veprimi ushtarak amerikan kundër Iranit

Izraeli është në gatishmëri të lartë për mundësinë e çdo veprimi ushtarak amerikan kundër Iranit, ndërsa autoritetet atje përballen me protesta antiqeveritare.

Kjo është bërë e ditur nga tri burime izraelite me njohuri për çështjen, shkruan TrtWorld.

Siç kujton mediumi në fjalë, presidenti Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë ditët e fundit dhe i ka paralajmëruar sundimtarët e Iranit kundër përdorimit të forcës kundër demonstruesve.

Dhe të shtunën, Trump tha se SHBA-të janë “të gatshme për të ndihmuar”.

Megjithatë, burimet, të cilat ishin të pranishme për konsultimet izraelite për sigurinë gjatë fundjavës, nuk dhanë detaje se çfarë do të thoshte në praktikë gjendja e alarmit të lartë të Izraelit.

Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë 12-ditore në qershor, në të cilën SHBA-të iu bashkuan Izraelit në nisjen e sulmeve ajrore.

Në një telefonatë të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit që ishte i pranishëm në bisedë.

Një zyrtar amerikan konfirmoi një diskutim të tillë, por nuk tha se çfarë temash diskutuan.

Në një intervistë me The Economist të botuar të premten, Netanyahu tha se do të kishte pasoja të tmerrshme për Iranin nëse do të sulmonte Izraelin.

Reshjet e borës mbulojnë veriun e vendit/ Në Pukë e Fushë Arrëz trashësia arrin në 25 centimetra

Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar zonat e Pukës dhe Fushë Arrëzit, duke arritur trashësi deri në 25 centimetra.

Bashkia e Pukës dhe Shërbimi i Emergjencave Civile po punojnë intensivisht për të mbajtur rrugët të hapura dhe për të kriposur akset kryesore. Drejtuesit e automjeteve këshillohen të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, nënvizon Demir Hyseni, Drejtor i Emergjencave Civile në Bashkinë Pukë.

Pasojat e përmbytjeve/ Katër grupe nga bashkia e Fierit nisin verifikimin e dëmeve në fshatin Ferras, 120 banesa të prekura

Prej ditësh Shqipëria është përballur me kushte atmosferike të paqëndrueshme çka kanë sjellë përmbytje masive nga veriu në jug. Ndërkohë nuk kanë munguar as reshjet e dëborës në zona malore.

Ndërkohë që përmbytjet kanë shkaktuar dëme të shumta në banesat e shumë familjeve dhe në qindra hektarë tokë bujqësore. Qeveria ka premtuar dëmshpërblim për të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet, gjë të cilën e ritheksoi edhe vetë kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” këtë mëngjes.

Ndërkohë siç bën raporton gazetarja e ABC News, katër grupe nga bashkia e Fierit kanë nisur verifikimin e dëmeve në fshatin Ferras, një nga fshatrat më të prekur nga përmbytjet, edhe për shkak të prurjeve të lumit Vjosa. Nga verifikimet e deritanishme rezultojnë 120 banesa të prekura.

VIDEO/ Bie niveli i lumit Shkumbin, si paraqitet situata në qarkun e Fierit

Situata në Thanasaj raportohet e qëndrueshme, pasi prurjet e lumit Shkumbin janë në rënie. Bashkia e Lushnjes, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile dhe ndërmarrjet e shërbimeve, po mbështet banorët e shtëpive të rrethuara nga uji, duke ndihmuar në largimin e baltës dhe mbetjeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Bashkia apelon për kujdes dhe bashkëpunim të vazhdueshëm nga banorët për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar rreziqe të mundshme.

Ushtronin prostitucion/ Policia e Elbasanit “mësyn” në dy apartamente, arrestohen 3 kolumbianet

Policia e Elbasanit ka arrestuar 3 shtetase kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në qytet, të cilat kontaktonin klientët nëpërmjet faqeve në internet. Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pronarja e apartamentit.

Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Rrëshqitje dherash dhe gërryerje në Mirditë/ Rrëzohen shtylla elektrike, pa energji elektrike 4 fshatra

Teritori i Qarkut Lezhë ka qenë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët,e dëborë në lartësi mbi 700 m. Aktualisht rreshjet janë ndërprerë.
Nga bashkia Kurbin raportohet:
Ne terren,gjendja paraqitet më e përmirësuar në të gjitha zonat që gjatë ketyre ditëve ka pasur problematika, po kështu dhe në njësinë Fush Kuqe, në fshatrat Adriatik, ka vijuar evadimi i ujrave dhe ka ulje të nivelit të tij. Gjatë ditës së djeshme pasur probleme në fshatin Patog, kryesisht nëpër lokalet dhe bizneset per arsye te baticave detare.
Sot do vijojë verfikimi i dëmëve në gjithë territorin nga grupet e punës, dhe kryesisht të përqëndruara në fshatin Adriatik ku dhe na jepet mundesia për të konstatuar më qartë dëmet pas tërheqjes së ujrave.
Do vijojne punimet per sistemimin dhe pastrimin e rrugicave te lagjes dhe largimin e inerteve apo aluvioneve të sjella nga prurjet.
Po ashtu do vijoje pastrimi dhe forcimi i KUL-se gjatë gjithë gjatësisë së tij në Njësinë Mamurras.
Mjetet e punes do vijojne të jenë ato që kemi pasur disponibel gjatë gjithë këtyre ditëve, me perjashtim të Eskavatorit te FA-se, i cili pas përfundimit të punës në segmentin Skuraj-Vinjolle, është tërhequr ditën e djeshme.
Vijon të mbetet problematike fenomeni i rreshqitjes së tokës, në të gjtha zonat kodrinore e malore.
Nga bashkia Lezhë raportohet:
Situata paraqitet e qetë ne Bashkine Lezhë . Gjatë ditës së sotme do te vijoji monitorimi i gjithe teritorit të bashkisë per problematikat qe mund te shfaqen.
Grupet e punës do të vazhdojnë punën për evidentimin dhe vlersimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, pastrimin e inerteve, mbeturinave etj..
Në bashkinë Mirditë raportohet:
Si pasoje e vazhdimit te gërryerjes së tokës bujqësore në Zall – Donaj nga Lumi Fan i Vogël, rreth ores 00:00 jane rrëzuar përsëri shtyllat elektrike të TM, të spostuara një ditë më parë nga OSHEE, pasi gërryerjë ka avancuar duke kaluar vendin e spostimit, duke lënë pa energji fshatin Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan, Cekaj. Avancimi i gërryerjes po shkon drejt rrugës së fshatit dhe banesave.
Pë sa më sipar këkohet mbështetjë në mënyrë urgjente nga Ministria e Bujqësisë nëpërmjet mjeteve të DRUK Lezhë, sipas kërksës së drejtuar, që me datën 09.01.2026, ku AKMC është vënë në dijeni.
Problematikë tjetër alarmante është tubacioni i zbuluar i linjës së ujësjellësit të qytetit të Rrëshenit dhe jo vetëm, nga gërryerjet e përroit në fshatin Jezull, nga e cila rrezikohet këputja e tij, si dhe me avancimin e mëtejshëm rrezikohet dhe shembja e aksit rrugor që lidh një sërë fshatrash.
Nga verifikimet e fundit të kryetra nga strukturat e EC të bashkisë , si pasojë e reshjeve të shiut të ditëve të fundit, në disa fshatra janë konstatuar rrëshqitje toke, të cilat paraqesin rrezik për banesa dhe prona private.
Nga DRUK raportohet
Dhe sot me 5 mjete kamion privat te tonazhit te larte 20 m3 , 2 mjete eskavator te DRUK; 20 punonje dhe 3 fouristrada pune te DRUK, me prezencën e mbështetjen e Policisë bashkiake, do të vazhdojë puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drin në fshatin Ishull Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.
Furnizimi me ujë të pishëm ka vazhduar rregullisht, kurse me energji sipas problematikave të raportuara më lart.
Niveli i lumit Drin vazhdon të ketë ulje, duke shkuar në parametrat normal për periudhën, po kështu dhe lumi Mat, pas reduktimit të shkarkimeve nga H/C Shkopet e Qafë Mollë.
Probleme me akset rrugore deri tani nuk raportohen.
Mbetemi në kontakt.

VIDEO/ Juglindja nën pushtetin e reshjeve të borës, të gjitha akset nacionale të kalueshme

Në rajonin e juglindjes, prej mëngjesit kanë filluar reshjet e borës, në zonat malore. Megjithatë, autoritetet konfirmojnë se të gjitha akset rrugore nacionale që çojnë drejt qytetit të Korçës dhe drejt pikave kufitare janë të hapura dhe lehtësisht të kalueshme, pa pengesa për qarkullimin.

“Reflektim mbi politikën penale në Shqipëri”/ Rama: Falë popullit dhe PS kemi drejtësi të pavarur, por jo të paanshme

Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij “Flasim”, theksoi nevojën për një reflektim të thellë dhe të përgjegjshëm mbi politikën penale në vend. Ai nënvizoi rëndësinë e adresimit të problematikave të mprehta, ndërkohë që theksoi mbrojtjen e pavarësisë së sistemit drejtësor, promovimin e paanësisë dhe përmirësimin e cilësisë së drejtësisë. Rama shtoi se, megjithëse Shqipëria ka arritur të krijojë një drejtësi të pavarur falë lidershipit të Partisë Socialiste dhe mbështetjes bipartizane të qytetarëve, ende nuk ekziston një drejtësi plotësisht e paanshme dhe cilësore. Ai theksoi se përkushtimi i tij ndaj politikës nuk ka të bëjë me lehtësinë, por me sfidat dhe përgjegjësitë e saj.

“Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, tha Rama.

Pasojat e përmbytjeve në Shqipëri/ Rama: Ekipet në terren për verifikimin e dëmeve. Gati plani i dëmshpërblimeve

Shqipëria po përballet me pasoja të rënda nga moti i keq dhe përmbytjet, ndërsa qeveria është duke ndërmarrë masa për të ndihmuar familjet e prekura. Kryeministri Edi Rama theksoi se mbështetja ndaj të dëmtuarve do të jetë e menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë rikonstruksionin e banesave dhe riparimin e infrastrukturës së dëmtuar.

Raa siguroi se ekipet e verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur planin e detajuar për kompensimet, të cilat do të ekzekutohen pas përfundimit të verifikimeve. Rama kujtoi gjithashtu përvojat e mëparshme me përmbytjet në Shkodër dhe nënvizoi se qeveria nuk do të lërë asnjë qytetar të pambrojtur.

“Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër. 

Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.

Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve. 

E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. 

Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më!”, tha Rama.

“Lëshojmë si lopa bajgën mbeturinat në rrugë e lumenj”/ Përmbytjet, Rama: Përdhosim Shqipërinë. Masa për sensibilizim

Moti i përkeqësuar që ka përfshirë vendin gjatë kësaj jave, me reshje intensive shiu dhe bore sa mesatarja e një muaji të tërë, ka nxjerrë në pah jo vetëm pasojat e ndryshimeve klimatike, por edhe rolin vendimtar të faktorit njerëzor. Në podkastin “Flasim”, Kryeministri Edi Rama theksoi se përveç vorbullave atmosferike dhe sfidave infrastrukturore, ndotja masive e lumenjve dhe hapësirave publike me mbetje plastike përbën një akt kriminal ndaj natyrës dhe vetë Shqipërisë, duke paralajmëruar masa të reja sensibilizuese dhe ndëshkuese kundër kësaj sjelljeje.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull!
Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, krim”, tha kryeministri Rama.

Moti i keq/ Rama: Krenar, që për çdo emergjencë jemi në gatishmëri. Të qartë, që investimet duhen shtuar

Moti i keq që ka përfshirë vendin gjatë kësaj jave ka sjellë reshje të dendura shiu dhe bore, duke krijuar një gjendje atmosferike të rënduar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Në një intervistë për podkastin “Flasim”, Kryeministri Edi Rama njoftoi se një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një masë të ngrohtë, duke shkaktuar reshjet e fundit.

Ai theksoi se fenomenet ekstreme klimatike, si thatësirat, zjarret apo përmbytjet, janë më të shpeshta se më parë, por falë investimeve prej rreth çerek miliard euro, qeveria është e gatshme për çdo emergjencë dhe për të mbrojtur infrastrukturën dhe qytetarët.

“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje dhe dëborë, një gjendje atmosferike tejet e rënduar e cila nuk ka prekur vetëm Shqipërinë. Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një masë të ngrohtë ku ka krijuar këtë masë atmosferike me reshje shiu dhe bore në të gjithë vendin. Më shumë thatësira dhe zjarre, vorbulla përmbytjesh, nuk është më klima që jemi mësuar.

Jam krenar për faktin që për çdo emergjencë jemi në gatishmëri, falë çdo investimi që kemi bërë, rreth çerek miliard euro. Kjo vorbullë 10-12 vite me radhë do të kishte përmbytur shumë më shumë. Ndërkohë që ne si qeveri jemi të qartë për investimet e shtuara për mbrojtjen”, tha Rama.

Aksident në zonën e Novoselës, automjeti humb kontrollin dhe përplaset me bordurën e rrugës

Një aksident rrugor është shënuar në orët e para të mëngjesit në zonën e Novoselës, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për pasoja në jetën e njerëzve, ndërsa drejtuesi i mjetit ka pësuar vetëm lëndime të lehta. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka mbërritur në vendin e aksidentit dhe po kryen veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave.

VIDEO/ Demonstrata të mbajtura në disa nga qytetet kryesore evropiane në solidaritet me protestat në Iran

Protestuesit u mblodhën në disa nga qytetet kryesore evropiane të shtunën në solidaritet me protestat e vazhdueshme në Republikën Islamike të Iranit, kundër kushteve ekonomike që vazhdojnë të përkeqësohen dhe një krize shkatërruese të çmimeve të ushqimit.

Njerëzit u mblodhën në Malieveld, një fushë e madhe në Hagë, për të demonstruar kundër qeverisë së Iranit, pasi dolën raportime vetëm disa ditë pas fillimit të protestave në fund të dhjetorit, se forcat e sigurisë po përdornin forcë vdekjeprurëse kundër demonstruesve.

Pjesëmarrësit në protestë janë të shqetësuar për trazirat në vend dhe për familjet dhe miqtë e tyre me të cilët është e vështirë të kontaktohen pasi vendi u përfshi në një ndërprerje të komunikimit, shkruajnë mediat e huaja.

“Jam këtu për popullin iranian që tani po del në rrugë në Iran. Po, dua të kontribuoj edhe unë. Që njerëzit të shohin se edhe ne po demonstrojmë këtu. Mund të jemi larg, por zemrat tona janë me Iranin”, tha një grua që merrte pjesë në tubim.

“Unë jetoj këtu, por e gjithë familja dhe miqtë e mi jetojnë në Iran. Ata nuk kanë absolutisht asnjë liri; nuk mund të thonë asgjë, nuk kanë liri, nuk kanë liri shprehjeje. Dhe nuk kanë para, inflacioni është tepër i lartë”, ka thënë një tjetër protestues. Protestuesit, shumë prej të cilëve iranianë që jetojnë jashtë vendit ose njerëz me prejardhje iraniane, thonë se kanë detyrë të demonstrojnë dhe të tregojnë mbështetjen e tyre nga larg, ndërsa iranianët në atdhe, të të gjitha moshave dhe prejardhjeve vazhdojnë të dalin në rrugë për të luftuar për lirinë e tyre.

“Pothuajse të gjithë ata që njoh (po protestojnë). Madje edhe babai im. Ai është gjashtëdhjetë vjeç, por edhe ai shkoi në protesta. Por unë nuk kam asnjë kontakt me ta, kështu që nuk e di nëse janë ende gjallë”.

Një tjetër demonstratë u mbajt gjithashtu në kryeqytetin gjerman, Berlin, për të mbështetur protestat dyjavore, të cilat ata thonë se janë bërë një nga sfidat më të mëdha për autoritetet e Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Tausende Iraner demonstrieren derzeit in Berlin für @PahlaviReza , gegen die Islamische Republik und für Demokratie sowie einen säkularen Iran. #b1001 pic.twitter.com/v7H4K9Gc6j

— Iman Sefati (@ISefati) January 10, 2026

Protestuesit në Berlin thonë se shpresojnë që aktivizmi i tyre do ta çojë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë iranianët në luftën e tyre për të rrëzuar regjimin.

“Jemi këtu sot për të treguar solidaritetin tonë me popullin iranian dhe për shkak të kësaj vrasjeje masive nga qeveria iraniane që ka vazhduar prej disa ditësh”, tha Farshad Doustipour.

“Shpresoj që evropianët dhe amerikanët do të kuptojnë se ky regjim do të shkatërrohet nga populli gjithsesi dhe, duke vepruar kështu, na duhet ndihmë nga evropianët dhe amerikanët”, vazhdoi ai.

Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte ndër udhëheqësit e parë botërorë që komentoi mbi protestat, ku ai lëshoi një kërcënim të frikshëm ndaj qeverisë iraniane për të ndaluar përdorimin e forcës vdekjeprurëse kundër protestuesve, ose do të përballej me një përgjigje ushtarake nga Uashingtoni.

Të shtunën, Trump u deklarua në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, ku mbështeti një qëndrim optimist mbi përparimin e protestave, pa shtuar detaje të mëtejshme, dhe ofroi ndihmën e vendit të tij.

“Irani po kërkon lirinë, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë!!!…”, shkroi presidenti i SHBA-së.

Lumi Seman del nga shtrati/ Ministri Vengu: Evakuimi i banorëve ka vijuar gjatë gjithë natës

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut vazhduan gjatë natës operacionet e tyre në të dy anët e lumit Seman. “Është një tjetër natë sprove dhe sakrifice për djemtë tanë në terren,” tha ai.

Evakuimi i banorëve nga fshatrat pranë lumit, në bashkitë Kuçovë dhe Dimal, ka vijuar gjatë gjithë natës si masë parandaluese për të garantuar sigurinë e tyre.

Forcat e Armatosura, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbeten të angazhuara në terren, duke punuar krah për krah me strukturat vendore, për menaxhimin e situatës dhe për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Administrata Trump pezullon ndihmat për Minnesota-n: 129 milionë dollarë të bllokuara

Administrata e Presidentit Donald Trump ka vendosur të pezullojë 129 milionë dollarë fonde federale për Minnesota-n, duke pretenduar se në shtet ka ndodhur një skandal mashtrimi i gjerë.

Vendimi u bë publik nga sekretarja e Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA), Brooke Rollins, e cila shpërndau një letër drejtuar guvernatorit Tim Walz dhe kryebashkiakut të Minneapolis, Jacob Frey.

Rollins akuzoi autoritetet lokale se nuk kanë marrë masa për të ndalur mashtrimet e kryera nga organizata jo-fitimprurëse dhe biznese, duke paralajmëruar se çdo pagesë e ardhshme federale për shtetin do të kërkojë justifikim të plotë.

Administrata Trump refuzon të lejojë që ky mashtrim të vazhdojë,” shkroi ajo, citon Th Guradian.

Reagimet në Minnesota kanë qenë të ashpra. Zëdhënësi i qytetit të Minneapolis, Brian Feintech, tha se ndërprerja e fondeve dëmton banorët më të varfër dhe e cilësoi vendimin si një sulm politik ndaj qytetit.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Keith Ellison, reagoi publikisht duke paralajmëruar se do ta çojë çështjen në gjykatë: “Nuk do të lejoj që t’u hiqni ndihmën banorëve të Minnesota-s në nevojë.”

Vendimi i USDA-së vjen paralelisht me një gjykim federal që ndalon administratën Trump të bllokojë fondet për subvencionet e kujdesit ndaj fëmijëve dhe programe të tjera sociale në pesë shtete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Minnesota-n.

Administrata Trump ka shënjestruar Minnesota-n gjatë vitit të fundit, duke e lidhur me mashtrime të supozuara që përfshijnë komunitetin somalez. Prokurorët federalë vlerësojnë se deri në 9 miliardë dollarë janë vjedhur përmes skemave të lidhura me këtë komunitet. Në nëntor të vitit 2025, Trump hoqi mbrojtjet ligjore për emigrantët somalezë, duke deklaruar se “bandat somaleze po terrorizojnë popullin e atij shteti dhe miliarda dollarë mungojnë.”

Lumi Seman dhe Shkumbin dalin nga shtrati/ Përmbyten shtëpi në Lushnje, qindra ha tokë në Rroskovec, Patos e Fier

Aktualisht, në Qarkun Fier nuk ka reshje shiu, ndërsa situata në terren paraqitet e monitoruar dhe nën kontroll për sa i përket infrastrukturës kritike dhe furnizimeve bazë. Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vazhdon të jetë në normalitet. Hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Megjithatë, prurjet e lumenjve mbeten të larta. Lumi Vjosa ka kuota të larta me një tendencë të lehtë në ulje, ndërkohë që ujërat e përmbytjes nga toka bujqësore po tërhiqen drejt Hidrovorit të Darzezës. Lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë kaluar nivelet kritike: lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz dhe ka krijuar brezence uji në oborret e disa banesave, ndërsa lumi Shkumbin ka prekur rreth 20 banesa në fshatin Thanasaj. Për më tepër, lumi Seman ka përmbytur rreth 100 ha tokë bujqësore brenda argjinaturave në Roskovec, Patos dhe Fier.

Bob Weir, bashkëthemeluesi i Grateful Dead, ndërron jetë në moshën 78-vjeçare

Bob Weir, bashkëthemeluesi i grupit legjendar Grateful Dead, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Lajmi u konfirmua përmes një postimi në Instagram, ku bëhet e ditur se ai u shua paqësisht pas një beteje me kancerin dhe probleme të mushkërive.

Me një karrierë mbi 60-vjeçare, Weir ishte një figurë kyçe e rock-ut psikedelik dhe e kundërkulturës së San Franciskos. Grateful Dead konsiderohet pionier i “jam bands” dhe u përfshi në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1994.

Edhe pas shpërbërjes së grupit në vitin 1995, ai mbeti aktiv në projekte të ndryshme muzikore. Weir vazhdoi të performonte edhe gjatë trajtimit mjekësor. Familja e tij kërkoi privatësi, ndërsa bota e muzikës reagoi me homazhe të shumta në nderim të tij.

❌