Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Barcelona kandidon për ta pritur finalen e Ligës së Kampionëve në Camp Nou



Barcelona ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën e saj për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve 2029, duke propozuar stadiumin Spotify Camp Nou si arenën pritëse të ndeshjes më të rëndësishme të futbollit evropian për klube.

Klubi katalanas u rikthye në Camp Nou vitin e kaluar, edhe pse stadiumi është ende pjesërisht në proces rinovimi. Punimet për modernizimin e plotë të objektit pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027, çka do ta bënte stadiumin plotësisht funksional për organizimin e eventeve madhore ndërkombëtare.

Përveç finales së Ligës së Kampionëve, Camp Nou është përmendur edhe si një nga stadiumet e mundshme për Kupën e Botës 2030, e cila do të organizohet bashkërisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.

telegrafi.com

Në deklaratën zyrtare të klubit thuhet se:

“FC Barcelona shpreh zyrtarisht gatishmërinë e saj për të marrë pjesë, së bashku me Këshillin e Qytetit të Barcelonës dhe Qeverinë e Katalonjës, në procesin fillestar të kandidimit për organizimin e Finales së Ligës së Kampionëve 2029, duke propozuar qytetin e Barcelonës dhe stadiumin Spotify Camp Nou, në varësi të homologimit dhe miratimit nga UEFA, me mbështetjen e Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).”

Klubi thekson se kjo fazë përfaqëson një proces paraprak analize dhe vlerësimi, ku tashmë është dorëzuar dokumentacioni fillestar për t’i mundësuar UEFA-s të shqyrtojë përshtatshmërinë e kandidaturës, në përputhje me protokollet e saj.

Sipas Barcelonës, formalizimi i kandidaturës përfundimtare dhe dorëzimi i dosjes së plotë me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm është planifikuar për fillimin e qershorit 2026. /Telegrafi/

Situatë dramatike te Real Madridi, Jude Bellingham humb disa përballje të rëndësishme



Vetëm disa orë pasi mesfushori anglez ndjeu një dhimbje të fortë në Bernabeu gjatë ndeshjes kundër Rayo Vallecanos dhe u detyrua të largohej nga fusha, Real Madridi ka konfirmuar shkallën e lëndimit të tij.

Jude Bellingham ka pësuar një lëndim në muskulin e këmbës së majtë gjatë ndeshjes së së dielës.

Kjo do të thotë se lojtari do të mungojë rreth një muaj, duke humbur ndeshjet e ardhshme të Real Madridit në kampionat, si dhe përballjen në Ligën e Kampionëve ndaj Benficas.

Ai do ta humbasë me siguri ndeshjen e parë, ndërsa paraqitja në takimin e dytë konsiderohet shumë e pamundur.

Parte médico de Bellingham.
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 1, 2026

Ishte minuta e nëntë e ndeshjes kur lojtari britanik nuk arriti ta përfundonte një sprint. Ai u kap pas kofshës, sinjalizoi për zëvendësim dhe u largua menjëherë nga loja, duke ia lënë vendin Brahim Diazit.

Situata te Reali veçse po bëhet më e ndërlikuar shkaku se madrilenët do të jenë edhe pa yjet si Raul Asencio e Rodrygo, që u ndëshkuan me karton të kuq në ndeshjen e fundit të fazës së ligës./Telegrafi

“Përballemi me mbretërit”, Jose Mourinho reagon për herë të parë pas shortit të Ligës së Kampionëve



Pasi e mposhtën Real Madridin me rezultat 4–2 dhe siguruan kualifikimin për në “playoff”-in e Ligës së Kampionëve, Benfica është shortuar sërish për t’u përballur me gjigantët spanjollë në këtë fazë të kompeticionit.

Duke reaguar ndaj shortit, ish-trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, i cili aktualisht drejton Benfican, u shpreh se zgjedhjet ishin shumë të kufizuara.

“Kishim vetëm dy opsione, Real Madridin ose Interin. Nuk kishim shumë zgjedhje. Ne shortuam mbretin”.

Mourinho tregoi edhe një episod pas ndeshjes së fundit mes dy skuadrave, duke theksuar madhështinë e klubit madrilen.

“Një ditë më parë, kur një lojtar i Real Madridit më ofroi fanellën e tij pas ndeshjes, unë me shaka ua tregova lojtarëve të mi stemën që kishin në fanellë, 15 të tilla. Ata janë mbretërit. Me gjithçka që kjo nënkupton”.

“Nuk është vetëm historia. Do të luajmë kundër, ndoshta, pretendentit më të madh për ta fituar këtë kompeticion”, shtoi Mourinho.

Një eliminim ndaj Benficas në fazën “playoff” do të përbënte një dështim monumental për Real Madridin, duke pasur parasysh statusin dhe ambiciet e klubit në Ligën e Kampionëve./Telegrafi

Nga Superliga e Kosovës te Liga e Kampionëve: Gazetarët e Telegrafit zbërthejnë gjithçka në “Arena e Yjeve”



Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, vjen analiza e gazetarëve të Telegrafit, të cilët diskutuan gjerësisht për zhvillimet aktuale në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.

Gjatë bisedës, gazetarët ndanë opinione të drejtpërdrejta dhe shpesh kritike për futbollin kosovar, duke prekur temat më të nxehta të momentit.

Gazetari Lavdim Pireva u tregua i ashpër ndaj Prishtinës për rezultatet e tyre ndërsa vuri në pah rëndësinë e seriozitetit në ndeshjet vendimtare.

Nga ana tjetër, gazetari Romak Zeqiri adresoi një problem të kahershëm të klubeve vendore, duke bërë thirrje që kontratat e lojtarëve të rinovohen me kohë, në mënyrë që të mos largohen falas dhe të dëmtohen klubet financiarisht dhe sportivisht.

Diskutimi u zhvendos edhe te parashikimet për sezonin aktual. Gazetari Shkumbin Pireva dha mendimin e tij se kush pritet të shpallet kampion dhe cilat skuadra do të sigurojnë pjesëmarrje në garat evropiane, duke analizuar formën, kontigjentin dhe stabilitetin e klubeve.

Në një tjetër parashikim, Romak Zeqiri u shpreh se Drita është favorite për titullin kampion, ndërsa Gjilani pritet të përfundojë sezonin mbi Prishtinën, bazuar në performancat e deritanishme.

Lavdim Pireva vlerësoi Ballkanin si skuadrën me lojën më të mirë në kampionat, duke parashikuar se ekipi nga Suhareka do të shpallet kampion, falë organizimit dhe stabilitetit në lojë.

Një temë tjetër e rëndësishme ishte edhe formati i ri i garave UEFA-s, për cilin Shkumbin Pireva u shpreh se ështëgjëja e mirë i ka ndodhur futbollit”, duke theksuar shumë ndeshje cilësore dhe rivalitet madh.

Në fund, gazetarët dhanë edhe parashikimet e tyre për fituesin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, duke ndarë mendime të ndryshme dhe argumente interesante për ekipet favorite.

Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

Ylli i Barcelonës zbulon momentin interesant kur e mori vesh se Real Madridi u mposht nga Benfica



Mesfushori i Barcelonës, Marc Casado, ka zbuluar se si e kuptoi humbjen e Real Madridit ndaj Benficës në Ligën e Kampionëve, që i detyroi gjigantët e kryeqytetit të luajnë në ‘play-off’, pas fitores së katalanasve 4-1 ndaj Copenhagen.

“Po dilja nga stadiumi kur ndeshja përfundoi, i lumtur që kishim bërë detyrën tonë. Është e vërtetë se ndërsa po bënim ushtrimet e ftohjes, dëgjohej njerëz që po festonin për një gol”, shpjegoi Casado.

“Kur përfundoi ndeshja, pashë nga tribunat, pashë një mik që ishte aty, dhe ai më tha: ‘4-2’, dhe tani ata (Real Madridi) duhet të luajnë play-off”.

“Po, duhet të luajnë edhe disa ndeshje ekstra, dhe mirë, në fund të fundit, kështu është. duhet të luash play-off, dy ndeshje ekstra, dy javë të mbushura me takime, dhe gjithmonë është më mirë ta shmangësh këtë”, ka deklaruar mesfushori spanjoll.

Pas kualifikimit në mesin e tetë më të mirave, Barcelona ka avancuar në fazën e 1/8 së finales në mënyrë automatike.

Në ndërkohë, fati ka bërë që Real Madridi të ndeshet sërish me Benfican në ‘play-off’, me një sistem vajtje-ardhje.

Lajm i mirë për ‘Los Blancos’ është fakti që ndeshjen kthyese ata do ta zhvillojnë në shtëpi, ku tashmë dihet efekti që ka ditur të ketë shpeshherë ‘Santiago Bernabeu’ në rezultatet e tyre./Telegrafi/

UEFA bën një ndryshim të madh të rregullave në Ligën e Kampionëve



Skuadrat e përfshira në këtë edicion të Ligës së Kampionëve mund ta “rrëmbejnë” praktikisht avantazhin e fushës, nëse arrijnë të mposhtin një kundërshtar të renditur më lart, i cili gëzon avantazhin e ndeshjes së kthimit në fazat e mëvonshme të kompeticionit.

Arsenal, Bayern Munich, Liverpool, Tottenham, Barcelona, Chelsea, Sporting Lisbona dhe Manchester City janë kualifikuar drejtpërdrejt në fazën e 1/8-ave të finales, pasi e përfunduan fazën e ligës mes tetë vendeve të para.

Ndërkohë, skuadrat që u renditën nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t në fazën e ligës janë kualifikuar për shortin e “play-off”-it të fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve, i cili u hodh të premten në mëngjes në Zvicër.

Për ata që nuk janë në dijeni, pozicionet në fazën e ligës në këtë edicion kanë marrë shumë më tepër rëndësi, pasi UEFA ka ndryshuar rregullat e avantazhit të fushës, duke përcaktuar se skuadra e renditur më lart në fazën e ligës do të luajë gjithmonë ndeshjen e dytë në shtëpi.

Saktësisht kështu: Skuadrat që u renditën në vendin e parë dhe të dytë në fazën e ligës do t’i zhvillojnë të gjitha raundet me eliminim direkt duke luajtur ndeshjen e kthimit në shtëpi, ndërsa ekipet që u renditën në vendin e tretë dhe të katërt do ta kenë avantazhin e fushës në 1/8-at e finales dhe në çerekfinale.

Megjithatë, ky avantazh i fushës mund të “vidhet” në mënyrë efektive.

Siç theksohet në një raport të gazetës AS, nëse një skuadër e renditur më poshtë eliminon një kundërshtar të renditur më lart, ajo do ta trashëgojë atë pozicion të favorizuar për raundet pasuese, që do të thotë se përparimi në turne mund ta tejkalojë hierarkinë e fazës së ligës.

“Për shembull, nëse skuadra që u rendit e 16-ta eliminon ekipin që përfundoi i dyti në 1/8-at e finales, skuadra e renditur e 16-ta merr vendin e dytë të renditjes për pjesën e mbetur të turneut dhe fiton të drejtën për t’i luajtur ndeshjet e kthimit në shtëpi”, thuhej në raport.

Siç përcaktohet edhe në seksionin 19.04 të Rregullores së Ligës së Kampionëve të UEFA-s, skuadrat mund të trashëgojnë një pozicion të renditjes për raundet pasuese nëse eliminojnë një kundërshtar të renditur më lart./Telegrafi/

Pse shorti i playoff-it të Ligës së Kampionëve për Real Madridin është më i ndërlikuar sesa duket?



Real Madridi do të përballet me Benficën në fazën e playoffit të eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve, një duel që për madrilenët mund të përfundojë ose si shpëtim i sezonit, ose si një poshtërim i plotë evropian.

Kampioni 15-herë i Evropë ishte i pozicionuar komodisht në vendin e tretë të fazës së ligës para xhiros së tetë, ku i mjaftonte një fitore ndaj skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho për të siguruar kualifikimin direkt në fazën e 1/8 së finales. Edhe një barazim do t’i garantonte Los Blancos një vend në tetëshen e parë, falë dallimit të madh të golave.

Megjithatë, ekipi i Alvaro Arbeloas u dominua plotësisht në “Estadio da Luz”, duke pësuar një humbje zhgënjyese 4–2, çka e zbriti Real Madridin në vendin e nëntë dhe e detyroi të nisë fazën eliminatore nga playoffi.

Shorti u tregua i pamëshirshëm, pasi madrilenët mund të përballeshin ose me Bodo/Glimt, ose me Benficën, por fati ua rezervoi alternativën më të vështirë. Benfica vjen në këtë përballje e mbushur me vetëbesim dhe me njohjen e qartë se si ta dëmtojë Real Madridin.

Para përballjes në Lisbonë, Real Madridi shihej si favorit absolut për të marrë tri pikët, sidomos duke pasur parasysh se Benfica kishte pësuar pesë humbje në fazën e ligës dhe kishte shënuar vetëm gjashtë gola.

Benfica v Real Madrid. Reload it. pic.twitter.com/VO9AOIH6K8
— Sports Illustrated FC (@SI_FootballClub) January 30, 2026

Por në fund të ndeshjes, portugezët kishin realizuar katër gola, kishin gjuajtur 22 herë drejt portës me vetëm 33 për qind posedim dhe kishin neutralizuar emra si Vinicius Junior, Jude Bellingham dhe Franco Mastantuono. Edhe pse Kylian Mbappe shënoi dy gola, kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Rruga e mundshme e Real Madridit drejt finales

Kalimi i Benficës do të ishte vetëm fillimi i një rruge jashtëzakonisht të vështirë për Real Madridin.

Kundërshtarë të mundshëm në 1/8 e finales:

Sporting CP

Manchester City

Pa dyshim, Manchester City është emri që madrilenët do të dëshironin ta shmangnin. Dy skuadrat janë përballur tashmë në fazën e ligës, ku ekipi i Pep Guardiolës fitoi 2–1, madje para afrimeve të Antoine Semenyo dhe Marc Guehi. City do të kërkojë edhe hakmarrje për eliminimin e sezonit të kaluar.

Kundërshtarë të mundshëm në çerekfinale:

Arsenal

Bayern Munich

Borussia Dortmund

Atalanta

Në këtë fazë, vështirësitë vetëm sa do të shtoheshin. Arsenali e mbylli fazën e ligës pa humbje, ndërsa Bayern Munich ka pësuar vetëm dy disfata në të gjitha garat këtë sezon. Përballë këtyre emrave, Real Madridi do të hynte si nënfavorit, një status jo i zakonshëm për “mbretërit” e Evropë.

Kundërshtarë të mundshëm në gjysmëfinale:

Paris Saint-Germain

Monaco

Barcelona

Chelsea

Galatasaray

Juventus

Liverpool

Tottenham Hotspur

Në këtë fazë, rreziku maksimal vjen nga PSG-ja kampione në fuqi e Evropë dhe nga rivalët e përjetshëm Barcelona, të cilët janë ende të mbushur me vetëbesim pas triumfit në Superkupën e Spanjës ndaj Real Madridit. Edhe Liverpool dhe Chelsea paraqesin kërcënim serioz, duke pasur parasysh vështirësitë e fundit të madrilenëve ndaj klubeve angleze.

Vetëm një seri ndeshjesh e ngjashme me epokat e tyre të arta evropiane do ta çonte Real Madridin deri në finalen e Ligës së Kampionëve në muajin maj./Telegrafi

Chiellini paralajmëron Juventusin për duelin me Galatasaray



Duke folur për Sky Sport pas shortit të Ligës së Kampionëve, drejtori i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka komentuar përballjen e “playoff”-it ndaj Galatasarayt, e cila do të zhvillohet mes datave 17 dhe 24 shkurt.

Është një skuadër e fortë, me individë të shkëlqyer, lojtarë vërtet shumë të mirë. Ndeshjen e dytë do ta luajmë në shtëpi, kështu që gjithçka nuk përfundon në Stamboll”.

“Por duhet të shkojmë në atë stadium dhe të luajmë lojën tonë, të nxjerrim në pah dobësitë e tyre që i kanë, por njëkohësisht të kufizojmë potencialin e madh dhe cilësinë individuale që ata kanë, jo vetëm në sulm”.

Të gjithë e njohim mirë Victor Osimhenin, por ka edhe lojtarë të tjerë shumë të rëndësishëm”.

Duke folur konkretisht për Osimhenin, Chiellini shtoi me humor se sot nuk do arrinte ta markonte atë as dy minuta.

Në një moment do të më kishte pëlqyer ta markoja, po, por sot nuk do të zgjasja as dy minuta. Kam qenë me fat që kam luajtur kundër tij disa herë gjatë karrierës sime, por ishte shumë vonë për mua, kështu që le të themi se parametrat e mi fizikë ishin të kufizuar ndaj një lojtari si Osimhen”.

“Por Galatasaray nuk është vetëm ai; ka shumë lojtarë të rëndësishëm. Kampionati turk po investon shumë dhe po afron profile të nivelit të lartë. Do të jetë një përballje dyshe shumë interesante”, përfundoi italiani.

Chiellini e mbylli deklaratën duke shprehur respekt për Galatasarayn, por edhe besim te rritja e Juventusit dhe ambicia e klubit për të shkuar përtej fazës së “playoff”-it këtë sezon./Telegrafi/

Tre lojtarëve të Real Madridit u ka mbaruar durimi me Arbeloan



Humbja e Real Madridit në Lisbonë ndaj Benficës me rezultatin 4-2 vazhdon të shkaktojë reagime të forta brenda klubit.

Disfata e së mërkurës së kaluar i privoi madrilenët nga një vend në tetëshen më të mirë të Ligës së Kampionëve, duke i detyruar të kalojnë nëpër fazën “playoff”, një skenar i konsideruar dështim për ambiciet e klubit.

Pas disa paraqitjeve pozitive, ky rezultat u përjetua si një hap i madh pas.

Situata ka sjellë edhe një ndryshim të menjëhershëm në atmosferën rreth ekipit dhe trajnerit Alvaro Arbeloa.

Lavdërimet e fundit për teknikun janë kthyer në kritika, ndërsa vëmendja është përqendruar te problemet mbrojtëse dhe mungesa e përkushtimit të disa lojtarëve në fushë.

Sipas raportimeve të COPE, brenda dhomës së zhveshjes kanë nisur të shfaqen shenja pakënaqësie nga disa futbollistë të rinj.

Franco Mastantuono dhe Arda Guler thuhet se janë të zhgënjyer me vendimet e Arbeloas, pasi janë zëvendësuar herët në ndeshje të rëndësishme dhe ndihen të penalizuar për shkak të mungesës së statusit të tyre në ekip.

Në veçanti, Arda Guler e shfaqi hapur zemërimin e tij gjatë zëvendësimit në ndeshjen ndaj Benficës, duke e konsideruar trajtimin e trajnerit si të padrejtë.

Ndërkohë, gazeta ABC raporton se edhe Aurelien Tchouameni ndodhet në një situatë të ngjashme, duke shtuar se Arbeloa është më i kujdesshëm në vendimet ndaj yjeve si Vinicius Junior dhe Jude Bellingham, sesa ndaj lojtarëve që ende nuk janë të padiskutueshëm në formacion.

Trajneri spanjoll do të duhet të gjejë ekuilibrin mes rezultateve, autoritetit dhe motivimit të lojtarëve të rinj, në mënyrë që tensionet e brendshme të mos ndikojnë negativisht në objektivat e sezonit. /Telegrafi/

Hidhet shorti i Ligës së Kampionëve – gjigantët evropianë mësojnë kundërshtarët



Sot (e premte) në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për fazën ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve, ku gjigantët evropianë kanë mësuar tashmë kundërshtarët e tyre.

Befasia më e madhe e fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, ishte fakti që Paris Saint-Germaini dhe Real Madridi nuk përfunduan në mesin e tetë skuadrave më të mira.

Tashmë siç dihet, ekipet e renditura nga 1 deri në pozitën 8 janë kualifikuar direkt në fazën e 1/8 së finales, ndërsa ekipet e renditura 9-24 do të luajnë në ‘play-off’ me ndeshjet që do zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje.

Shorti vendosi përballë derbin francez mes Monaco dhe PSG-së, teksa duel interesant pritet të jetë edhe ai mes Galatasarayt dhe Juventusit.

Real Madridi do të përballet sërish me Benficën pas atij trileri të zhvilluar në Portugali, teksa Interi do luajë ndaj norvegjezëve të Bodo Glimt.

Shorti i plotë:

Bodo Glimt vs Inter

Benfica vs Real Madrid

Monaco vs Paris Saint-Germain

Galatasaray vs Juventus

Club Brugge vs Atletico Madrid

Borussia Dortmund vs Atalanta

Olympiacos vs Bayer Leverkusen

Qarabag vs Newcastle United

Ndeshjet e para luhen më 17 apo 18 shkurt, kurse ato kthyese më 24 apo 25 shkurt.

Vlen të theksohet se ekipet e renditura nga pozita 9-16 do të luajnë ndeshjen e parë si mysafir ndërsa atë të dytën si vendas./Telegrafi/

Barcelona po planifikon të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube 2029



Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, Barcelona ka nisur tashmë planifikimet për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube 2029.

Aktualisht, klubi katalanas ndodhet në një pozitë shumë të favorshme për kualifikim, falë paraqitjeve të forta në garat evropiane.

Rezultatet në Ligën e Kampionëve nga sezonet 2024/25 deri në 2027/28 do të merren parasysh për renditjen kualifikuese të turneut.

Në ciklin e mëparshëm, Barcelona ishte penalizuar nga eliminimet e hershme në edicionet 2021/22 dhe 2022/23, situatë që përfitoi Atletico Madrid.

Megjithatë, këtë herë panorama është ndryshe.

Barcelona aktualisht renditet e treta në klasifikimin e përgjithshëm me 63 pikë, pas Arsenalit (71 pikë) dhe Interit (66 pikë).

Katalanasit kanë krijuar tashmë një avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalëve vendas, me Real Madridin që numëron 45 pikë dhe Atletico Madridin 43.

Ecuria pozitive e sezonit të kaluar, ku Barça arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, si dhe kualifikimi aktual në fazën e 1/16-ve, kanë forcuar ndjeshëm pozitat e klubit në këtë cikël katërvjeçar.

Ndërkohë, kampionët në fuqi të Kupës së Botës për Klube janë Chelsea, të cilët triumfuan ndaj Paris Saint-Germain verën e kaluar, duke fituar edicionin e parë të këtij formati të ri të turneut. /Telegrafi/

“Pa ujë, pa energji elektrike”, portieri i Benficës flet për luftën në Ukrainë pas golit ndaj Real Madrid



Real Madrid u turpërua të mërkurën nga Benfica, ku portieri Anatoliy Trubin shënoi një gol të rrallë me kokë, duke i dhënë skuadrës së tij fitoren me rezultat 4-2.

Goli i fundit, i shënuar nga portieri ukrainas, erdhi në minutat e fundit dhe ishte një moment që shënoi jo vetëm humbjen e Real Madrid, por edhe një nga skenat më të pazakonta të Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Pas ndeshjes, një gazetar i kërkoi Trubin të fliste për jetën e tij jashtë fushës dhe për situatën personale që po përballet.

“Ke kaluar shumë në jetën tënde në vitet e fundit. Më trego si është të jesh në vendin tënd tani”, e pyeti gazetari portierin.

“Është pak e vështirë. Ne e dimë që ka një luftë në vendin tonë, Ukrainë. Familja ime është atje, unë jam gjithmonë në kontakt me ta”.

“Nuk ka ujë, nuk ka energji elektrike. Unë e kuptoj që duhet të përballoj gjithçka dhe të vazhdoj të punoj fort”, ka deklaruar Trubin.

Fjalët e tij reflektojnë jo vetëm një moment emocioni, por edhe peshën psikologjike që bartin sportistët ukrainas, të cilët vazhdojnë të luajnë në nivele të larta ndërkohë që familjet dhe vendi i tyre përballen me pasojat e konfliktit./Telegrafi/

Anatoliy Trubin – portieri që ka po aq gola në Ligën e Kampionëve sa disa nga sulmuesit më të njohur në botë



Benfica shënoi të mërkurën mbrëma një fitore të madhe ndaj Real Madridit, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Ligës së Kampionëve.

Skuadra portugeze ishte në avantazh 3-2, por i nevojitej edhe një gol për të kaluar më tej, pasi Marseille kishte të njëjtin numër pikësh dhe golavarazh, por kishte shënuar më shumë gola dhe renditej më lart në tabelë.

Në një moment historik, portieri Anatoliy Trubin braktisi portën dhe, me një goditje me kokë në minutën e 98-të, i siguroi Benficës një fitore të paharrueshme 4-2, duke shkaktuar festë të madhe në “Da Luz”.

🤯GOALKEEPER Anatoliy Trubin scores with the last touch of the game to put Benfica into the play-offs on 𝗴𝗼𝗮𝗹 𝗱𝗶𝗳𝗳𝗲𝗿𝗲𝗻𝗰𝗲 🧤⚽️

This is why we love football ❤️👏 pic.twitter.com/sgJTwmyMiw
— LiveScore (@livescore) January 28, 2026


Ky ishte goli i vetëm i portierit ukrainas në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, por mjaftoi për ta futur atë në një statistikë sa interesante, aq edhe të pazakontë.

Trubin ka po aq gola në këtë edicion sa emra të njohur të futbollit botëror si Vinicius Jr., Raphinha, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise.


Sipas një statistike të publikuar nga LiveScore, Vinicius Jr. dhe Trubin kanë zhvilluar nga tetë ndeshje secili në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, me portierin e Benficës që ka qëndruar disa minuta më shumë në fushë, pasi portierët rrallëherë zëvendësohen. Megjithatë, të dy kanë shënuar të njëjtin numër golash.

Kjo situatë, ku një portier ka të njëjtin bilanc golash si disa prej sulmuesve më të paguar dhe më të njohur në botë, është kthyer në temë humori dhe ironie në rrjetet sociale. /Telegrafi/

Një rregull pak i njohur i UEFA-s mund t’i kushtojë Chelseat një ndeshje në shtëpi në Ligën e Kampionëve



Planet e Chelseat për Ligën e Kampionëve mund të komplikohen nga një rregull pak i njohur i UEFA-s, i cili mund t’i detyrojë londinezët ta luajnë ndeshjen e tyre si vendas në raundin e 1/8-ave në një stadium neutral.

Skuadra nga "Stamford Bridge" siguroi kualifikimin në fazat eliminatore pas fitores 3-2 ndaj Napolit të mërkurën mbrëma, por tashmë përballet me një problem të papritur, raporton Daily Mail.

Rregulli problematik

Problemi lidhet me një rregullore të UEFA-s, sipas së cilës nuk lejohet që më shumë se një ndeshje e Ligës së Kampionëve të zhvillohet në të njëjtin qytet, në të njëjtën mbrëmje. Qëllimi i këtij rregulli është garantimi i sigurisë dhe shmangia e mbingarkesës së autoriteteve lokale të rendit.

Me Arsenalin dhe Tottenhamin që e përfunduan fazën e ligës më lart se Chelsea, dy rivalët londinezë kanë përparësi në përzgjedhjen e datave për ndeshjet që luhen më 17 dhe 18 mars. Si pasojë, Chelsea – si skuadër e renditur më poshtë – rrezikon të mbetet pa mundësinë për të pritur kundërshtarin në "Stamford Bridge".

Në një skenar të tillë, “Blutë” do të detyroheshin të gjenin një stadium alternativ për ndeshjen e tyre si vendas, një situatë që do të përbënte një goditje të konsiderueshme për ambiciet e tyre në Ligën e Kampionëve.

Çfarë parashikojnë rregulloret?

Sipas rregullave të UEFA-s secili klub duhet të ketë një stadium alternativ se ku do t'i zhvillojë ndeshjet, në rast se nevojitet.

“Shoqata kombëtare dhe klubet përkatëse duhet të përcaktojnë dhe të njoftojnë paraprakisht një stadium alternativ, ku mund të zhvillohet ndeshja gjatë asaj jave”

“Në këtë rast, skuadra e renditur më poshtë në fazën e ligës duhet të luajë në stadiumin alternativ”. Në raste të veçanta, një skuadër e kualifikuar për ndeshjen e kthimit në këtë fazë mundet, duke njoftuar administratën e UEFA-s para shortit, të vendosë të ndryshojë rolin e organizatorit dhe të luajë ndeshjen e parë në shtëpi, në vend që ndeshjen e kthimit ta zhvillojë në një stadium alternativ”, thotë rregulloja.


Zgjidhjet e mundshme

Chelsea mund të kërkojë një përjashtim të veçantë nga UEFA, si dhe mbështetjen e autoriteteve të Londrës për organizimin e ndeshjes.

Duke qenë se kryeqyteti anglez shpesh pret disa ndeshje futbolli në të njëjtën ditë, sidomos gjatë fundjavave, sigurimi i lejes nga autoritetet lokale nuk shihet si një pengesë e pakalueshme.

Një tjetër mundësi është zhvillimi i ndeshjes të enjten, jashtë orarit standard të Ligës së Kampionëve, por kjo do të kërkonte ndryshime në orarin televiziv – diçka që mund të mos pranohet nga mbajtësit e të drejtave të transmetimit.

UEFA reagoi shkurt për rastin në fjalë: “Po zhvillohen diskutime me autoritetet lokale në lidhje me caktimin dhe mbivendosjen e datave në qytete për ndeshjet e ardhshme, përfshirë ato të muajit mars”.


Skuadra e drejtuar nga Liam Rosenior pritet të përballet me njërën nga këto ekipe në raundin e 16-të: Monaco, Qarabag, Newcastle ose PSG – dhe sigurisht që Chelsea nuk dëshiron të heqë dorë nga avantazhi i fushës së vet në një duel kaq vendimtar. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

"Special One" vazhdon të impresionojë: Nata e Mourinhos mes lavdisë së Benficës dhe kujtimeve me Real Madridin



Trajneri portugez, Jose Mourinho, falë golit të pabesueshëm të portierit Anatoliy Trubin në minutën e 98-të, i dhuroi vetes dhe Benficës një fitore të paharrueshme 4-2 ndaj Real Madridit, që vlen kualifikimin në play-off të Ligës së Kampionëve dhe një përzierje shpërthyese emocionesh e kujtimesh.

“Kur bëra zëvendësimet e fundit, më kishin siguruar se mjaftonte rezultati 3-2. Pak sekonda më vonë mora vesh se na duhej edhe një gol tjetër për t’u kualifikuar, por i kisha shpenzuar të gjitha zëvendësimet. Mendoja se kisha parë gjithçka në futboll, por kurrë nuk kisha fituar falë portierit tim”, deklaroi Mourinho.

Në këto fjalë të Mourinhos, të mbledhura nga Paramount+, pas triumfit elektrizues 4-2 të Benficës ndaj Realit, qëndron ndoshta dashuria e përjetshme e Jose Mourinhos për futbollin.

Harkimi, goli dhe play-offi

Kur topi i goditur nga Aursnes nga një situatë standarde merr trajektoren e duhur dhe përfundon në kokën e “gjigantit” Trubin, në çastet e fundit të një ndeshjeje të dominuar nga portugezët, gëzimi i Special One – i rrethuar menjëherë nga përqafimet e stafit – bëhet i pakontrollueshëm.

Rezultati në “Da Luz”, në fakt, jo vetëm që i siguroi Benficës biletën për play-off, duke e dërguar njëkohësisht Real Madridin në fazën e play-offit, por përforcoi edhe një pakt të vjetër dhe tashmë të qartë: mes Mourinhos dhe historisë, lidhja nuk shuhet kurrë.

Përballja e veçantë me Alvaro Arbeloan, një tjetër prej “fëmijëve” të tij, ashtu si Christian Chivu, të cilin e ka lavdëruar sinqerisht edhe para ndeshjes, e bën edhe më magjike përmasën e kësaj fitoreje. Periudha dyvjeçare e Mourinhos në Madrid nga viti 2010 deri në 2013 mbetet ende shumë e gjallë në zemrën e Mou.

Katërmbëdhjetë vite pas fitimit të La Ligës historike në stolin madrilen, “madridismo” vazhdon t’i sjellë fat "Magjistarit të Setúbalit", i cili duket se nuk dëshiron kurrë të mësohet me emocione të tilla.

Nga duelet me Barçën te ekstaza e Benficës: Efekti Real për Mourinhon

Periudha 2010–2013 e Jose Mourinhos në stolin e Real Madridit shpesh shihet si fillimi i vërtetë i ciklit madrilen që, disa vite më vonë, do të dominonte Evropën. Përballjet në fushë dhe jashtë saj me Barcelonën e Guardiolës dhe La Liga e fituar me 100 pikë në vitin 2012 flasin qartë në këtë drejtim.

Në të njëjtën kohë, eliminimi i rëndë në Ligën e Kampionëve ndaj Bayern Munichut, pas penalltive po atë vit, mbetet simboli i “paplotësisë së ëmbël” të asaj periudhe potencialisht të artë – ashtu si vijat e fanellës së atij sezoni.

Kush ishte mbrojtësi i djathtë i asaj skuadre plot yje, nga CR7 te Marcelo e Kaka, duke kaluar te Benzema dhe Ozil? Pikërisht Alvaro Arbeloa. Trajneri aktual i Real Madridit është përkufizuar nga ish-mentori i tij si “një nga lojtarët më besnikë që kam stërvitur ndonjëherë”. Disa gjëra, siç dihet, nuk harrohen kurrë.

Përjetësisht Mou: Jetë e re në Da Luz

28 ndeshje, 17 fitore, 5 barazime, 6 humbje, 53 gola të shënuar, 22 të pësuar dhe një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje në të gjitha garat: rikthimi i Mourinhos te Benfica, 25 vjet pas herës së parë në “Da Luz”, është në tërësi pozitiv.

Përveç karizmës së zakonshme të trajnerit, entuziazmin e tifozëve të Benficës e ndez edhe një grup luftarak dhe i mbushur me cilësi: nga heroi Trubin te lideri Otamendi, e deri te Sidny Lopes, Barrenechea, Sudakov dhe bomberët Pavlidis e Schjelderup, me norvegjezin e lindur në vitin 2004 që u shndërrua në heroin absolut të përballjes me Realin.

Gara me Porton dhe Sportingun mbetet ende e hapur (pavarësisht ritmeve të jashtëzakonshme të “Dragoes” dhe disa humbjeve të tepërta për të kuqtë e Lisbonës), ëndrra në Ligën e Kampionëve vazhdon, ndërsa José Mourinho është më i motivuar se kurrë, sikur të ishte në fillimet e tij.

Jeta e re dhe sfiduese e Special One, kësaj here, duket të jetë çështje dashurie para se të jetë çështje rezultatesh. /Telegrafi/

Veprim prej kampioni: Gjesti fantastik i Courtois ndaj portierit të Benficës ka pushtuar rrjetet sociale



Thibaut Courtois iu drejtua menjëherë Anatoliy Trubinit pasi portieri i Benficës shënoi me kokë në minutën e 98-të, duke e dërguar skuadrën e drejtuar nga Jose Mourinho në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve.

Me vetëm pak sekonda të mbetura në “Estadio da Luz”, dukej se rrugëtimi i Benficës në Ligën e Kampionëve kishte përfunduar pothuajse, pavarësisht epërsisë së ngushtë 3-2 ndaj Real Madridit.

Marseille ishte në rrugë të mbarë për të siguruar një vend në “play-off” falë golaverazhit më të mirë. Madje, Club Brugge i përgëzoi kundërshtarët e tyre nga Ligue 1 për kualifikimin, duke shfaqur një mesazh urimi në tabelën elektronike të stadiumit.

Por kundër çdo parashikimi, Marseille mbeti jashtë, pasi portieri i Benfikës, Anatoliy Trubin, shënoi një gol me kokë në minutën e 98-të për të siguruar vendin e 24-të dhe të fundit në fazën “play-off”.

Courtois congratulating Turbin after his goal
Things you love to see🥹❤️ pic.twitter.com/Ko2qac5D60
— shveteshh (@shveteshh) January 28, 2026

Aq i jashtëzakonshëm ishte kontributi i tij atë mbrëmje, sa Trubin u përgëzua edhe nga një Thibaut Courtois i buzëqeshur, i cili u pa duke përqafuar kolegun e tij portier sapo u mbyll ndeshja, siç shihet edhe në pamjet më poshtë.

“Edhe Courtois po buzëqesh për atë që sapo bëri Trubin”, tha njëri prej tifozëve.

“Courtois që shkon ta përgëzojë Trubinin pasi pësoi gol në sekondën e fundit. Asnjë frustrim, asnjë justifikim, vetëm respekt”, tha një tifoz tjetër.

“Imagjino të jesh portier, të shënosh një gol fitoreje në minutën e fundit kundër Real Madridit dhe pastaj të marrësh një ‘bravo’ nga vetë Thibaut Courtois”, shtoi një tifoz i tretë./Telegrafi/

“Je me fat që humbe vetëm 4-2”, Mourinho zbulon bisedën që pati me yllin e Real Madridit



Jose Mourinho ka zbuluar se i ka thënë ish-lojtarit të tij te Roma, Dean Huijsen, se Real Madridi kishte qenë “me fat” që humbi vetëm 4-2 ndaj Benficës.

Mourinho dhe Huijsen u ritakuan të mërkurën mbrëma gjatë fitores 4-2 të Benficës ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Skuadra portugeze kishte nevojë për një gol në minutat e fundit për të përmirësuar golavarazhin dhe për t’u kualifikuar në fazën “play-off” të eliminimit direkt.

Në mënyrë dramatike, ishte portieri Anatoliy Trubin ai që shënoi në çastet e fundit, pas një skeme nga goditja e lirë.

Mourinho u pa duke biseduar me Huijsen në tunel gjatë pushimit dhe më pas foli për këtë takim në intervistën pas ndeshjes për TNT Sports.

“Dean ishte lojtari im te Roma, është mik me fëmijët e mi dhe familjet tona njihen mirë, ndaj kam një marrëdhënie të mirë me të”, tha Mourinho për ribashkimin me Huijsen.

“Po flisnim thjesht për ndeshjen dhe, sigurisht, djali ishte i zhgënjyer. Por unë i thashë: ‘Keni qenë me fat! Keni qenë me fat që humbët vetëm 4-2’, sepse rezultati mund të ishte edhe më i thellë’”.

Mourinho e kishte sjellë Huijsen te Roma në formë huazimi nga Juventusi në janar të vitit 2024, por reprezentuesi i Spanjës zhvilloi vetëm tre ndeshje nën drejtimin e trajnerit portugez, i cili u shkarkua vetëm pak javë pas transferimit të Huijsen në “Olimpico”.

Mourinho mund të përballet sërish me emra të njohur në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve, pasi Interi do të luajë kundër njërës prej Benficës ose Bodo/Glimt në raundin e ardhshëm./Telegrafi/

Inteligjenca Artificale parashikon shortin e Ligës së Kampionëve: Makth për Real Madridin, derbi për PSG-në



Faza “play-off” e fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve është parashikuar nga Inteligjenca Artificiale, përpara shortit zyrtar të së premtes dhe ka nxjerrë në pah disa përballje të mëdha për skuadra si Real Madrid dhe Paris Saint-Germain.

Tetë ekipe janë kualifikuar drejtpërdrejt në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve pas ndeshjeve të së mërkurës.

Arsenali kryesoi renditjen pasi fitoi të tetë ndeshjet e tij, duke lënë pas Bayern Munich, Liverpool dhe Tottenham.

Barcelona, Chelsea, Sporting Lisbona dhe Manchester City gjithashtu kanë siguruar vendin e tyre në fazën e 1/8-ave të finales.

Edhe 16 ekipe të tjera janë kualifikuar për fazën “play-off”, por ende nuk dihet se me kë do të përballen.

Përpara ceremonisë zyrtare të shortit që do të zhvillohet të premten në selinë e UEFA-s në Zvicër, 16 ekipet që përfunduan nga vendi i nëntë deri në të 24-in në fazën e ligës janë futur në sistem të AI për të përcaktuar shortin e “play-off”-it.

Champions League heritage 🖼️#UCL pic.twitter.com/QHeq54dSyz
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) January 29, 2026

Dhe simulimi ka prodhuar disa përballje mjaft interesante për 15 herë fituesit Real Madrid dhe kampionët në fuqi PSG.

Reali humbi mundësinë për të qenë mes tetë më të mirëve pas një humbjeje dramatike ndaj Benficës.

Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho siguroi një fitore historike 4-2, me portierin Anatoliy Trubin që shënoi golin e fitores në minutat shtesë.

Inteligjenca Artificiale i ka vënë sërish këto dy skuadra në fazën “play-off” të eliminimit direkt, ndërsa PSG është shortuar në një përballje tërësisht franceze kundër Monacos.

Më poshtë janë përballjet e fazës “play-off” të Ligës së Kampionëve sipas Inteligjencës Artificale:

Inter vs Bodo/Glimt

Paris Saint-Germain vs AS Monaco

Atletico Madrid vs Club Brugge

Juventus vs Galatasaray

Bayer Leverkusen vs Olympiakos

Atalanta vs Borussia Dortmund

Newcastle United vs Qarabag

Real Madrid vs Benfica

/Telegrafi/

Futbolli është i padrejtë: Francezët morën një mesazh urimi në ekran gjigant, por u eliminuan nga një gol në minutën e 98-të



Nata e fundit e fazës së ligës në Ligën e Kampionëve solli një nga momentet më dramatike të viteve të fundit, ndërsa Benfica siguroi kualifikimin në sekondat e fundit falë një goli të pabesueshëm nga portieri i saj.

Benfica po fitonte 3:2 ndaj Real Madridit deri në minutën e 98-të, por kjo nuk mjaftonte për të kaluar në fazën eliminatore. Për të siguruar vendin e fundit në play-off për raundin e 16-tave, portugezëve u duhej edhe një gol për të përmirësuar diferencën e golave.

Në momentin kur dukej se gjithçka kishte marrë fund, u shfaq portieri Anatoliy Trubin, i cili në sekondën e fundit shënoi golin vendimtar për rezultatin 4:2, duke e çuar Benfikën në fazën tjetër të garës.

Ky gol nuk u prit mirë nga të gjithë, pasi la jashtë garës Olympique de Marseille, që deri në atë çast po shpresonte të kualifikohej.

Gjigantët francezë ishin mposhtur 3-0 nga Club Brugge, por ende prisnin përfundimin e ndeshjes Benfica–Real Madrid, me shpresën se rezultati do t’i favorizonte.

Madje festa shkoi aq larg sa Club Brugge e përgëzoi Marsejën për kualifikimin në ekranin e madh të stadiumit, duke shkruar:

"Urime për kualifikimin, Olympique de Marseille", shkruhej në ekranin gjigant nga Club Brugge.

Megjithatë, belgët nuk e dinin se Benfica kishte ende kohë për të shënuar, dhe ky gjest xhentëlmenësh përfundoi duke u kthyer në një moment edhe më të dhimbshëm për tifozët dhe lojtarët francezë. /Telegrafi/

Fotografia që tregon pamjen e apatisë së turpshme të Real Madridit



Real Madridi mbeti jashtë tetëshes së parë të Ligës së Kampionëve, pas humbjes ndaj Benficës me rezultat 4-2 në ndeshjen e fundit të fazës së ligës, të luajtur të martën mbrëma.

Los Blancos ishin deri në minutat e fundit të kualifikuar direkt në fazën e 1/8-tës, por pranuan një gol në minutën e shtatë shtesë për të mbetur në fazën ‘play-off’.

Goli i katërt i Benficës, i cili iu siguroi një vend në play-off u shënua me kokë nga portieri Anatoly Trubin duke e bërë ndeshjen dramatike.

Megjithatë, gazeta Marca e ka kritikuar Real Madridin pikërisht për këtë, duke thënë se pranimi i këtij goli nga goditja standarte tregoi apatinë e turpshme të Djajve të Kuq.

Sipas gazetës spanjolle, Real Madridi luajti një ndeshje që nënkuptonte shumë më tepër sesa pikë, dhe në fund la një përshtypje të përmbledhur në një imazh që përshkruan si ndeshjen ashtu edhe një nga problemet më të mëdha të klubit.

Nuk ishte një veprim që ishte vendimtar për vendosjen e ekipit, por një pasqyrim i vërtetë i situatës në fushë, një skenë që dëshmon për apatinë, çorganizimin dhe konfuzionin e një ekipi që luftonte për një hyrje direkte në fazën e 1/8-tës dhe sillej sikur nuk po luante për asgjë.

Gjatë ekzekutimit të goditjes së dënimit, Benfica kishte tetë lojtarë në zonë, ndërsa Real Madridi mbrohej vetëm me katër lojtarë, duke e bërë një gafe të pafalshme.

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Apati - Gjendje plogështie shpirtërore, kur njeriut nuk i bën përshtypje asgjë dhe prandaj nuk kundërvepron ndaj ngacmimeve, pandjesi; moskokëçarje e plotë dhe mosinteresim për punën e për të tjerët

/Telegrafi/

❌