Policia e Kosovës ka publikuar fotografitë e disa personave të cilët dyshohen për vjedhje të rëndë në Fushë Kosovë.
Sipas njoftimi policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tyre.
“Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Fushë Kosovë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personave që shihen në fotografi. Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në veprën Vjedhje e rëndë. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tyre, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Një person është larguar nga banesa dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 23.01.2026 rreth orës 11:10, në Fushë Kosovë.
Tutje bëhet e ditur se rasti është në procedurë hetimore.
“ Fushë Kosovë / 23.01.2026 – 11:10. Me 25.01.2026 është raportuar se viktima mashkull kosovar është larguar nga banesa dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij , rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një grua ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 18:00, në Fushë Kosovë.
Tutje bëhet e ditur se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Inspektorati i Komunës së Fushë Kosovës ka dalë në terren për të inspektuar një objekt banimi, ku ka ndodhur rënia e fasadës së ndërtesës, duke shkaktuar rrezik për qytetarët.
Për arsye sigurie, autoritetet komunale kanë rrethuar zonën përreth objektit dhe kanë vendosur shirita mbrojtës, me qëllim parandalimin e lëndimeve apo dëmeve të tjera të mundshme.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, një veturë ka pësuar dëme materiale, ndërsa një person ka mbetur i lënduar dhe aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Komuna e Fushë Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në zonat ku ka objekte të vjetra apo të dëmtuara.
Institucionet komunale kanë njoftuar se do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/
Një person është lënduar dhe një veturë është dëmtuar si pasojë e rrëzimit të fasadës së një objekti, për shkak të erërave të forta që po mbizotërojnë në Fushë Kosovë.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku, ka bërë të ditur se rreth orës 21:00 kanë pranuar një telefonatë për një incident të ndodhur në afërsi të shkollës “Mihal Grameno”, ku ka rënë fasada e një objekti banesor.
Si pasojë e këtij rasti, një person i rastit ka pësuar lëndime trupore, një veturë është dëmtuar, ndërsa është shkaktuar rrezik edhe për pjesëmarrësit në komunikacion.
“Sapo kemi pranuar informatën, ekipet e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, së bashku me qytetarët, kanë ndërhyrë për pastrimin e zonës dhe eliminimin e rrezikut”, ka deklaruar Mjeku.
Sipas tij, personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor dhe aktualisht po merr ndihmën e nevojshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të erërave të forta që pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim./Telegrafi.
Instituti GAP ka prezantuar të dhënat mbi premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave të Kosovës për mandatin e ri qeverisës 2025–2029. Sipas raportit, gjatë këtij mandati janë dhënë gjithsej 1,683 premtime në 26 komuna, shifër kjo 132 premtime më pak se mandati i kaluar.
Raporti evidenton komunat me rritjen më të madhe të numrit të premtimeve, ku spikasin Lipjani me 170 premtime (nga 61 në mandatin e kaluar), Deçani 124 (nga 20), Fushë Kosova 110 (nga 35), Drenasi 88 (nga 37), Obiliqi 104 (nga 69) dhe Podujeva 88 (nga 61).
Ndërkohë, komunat që shënuan rënie më të madhe të premtimeve janë Prishtina 115 (nga 206), Kaçaniku 38 (nga 94), Suhareka 24 (nga 78), Shtimja 58 (nga 107), Mitrovica e Jugut 74 (nga 123), Rahoveci 44 (nga 84), Hani i Elezit 39 (nga 78), Malisheva 20 (nga 48), Klina 35 (nga 63) dhe Istogu 55 (nga 78).
Sipas raportit, fushat me më së shumti premtime janë infrastruktura me 382 premtime, arsimi 322, shërbimet publike 184 dhe shëndetësia 146. Fushat me më së paku premtime janë urbanizmi me 51 dhe administrata 50.
Instituti GAP vë në dukje gjithashtu përfaqësimin gjinor, ku nga 185 kandidatë që kanë garuar, 20 kanë qenë gra, ndërsa vetëm një kryetare është zgjedhur. Partitë që udhëheqin komunat janë VV (7), PDK (7), LDK (7), LS (10), AAK (5), Nisma (1) dhe PDTK (1).
“Edhe në këtë mandat, Instituti GAP do të vazhdojë të vlerësojë periodikisht përmbushjen e premtimeve, me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike të kryetarëve të zgjedhur për ato që kanë premtuar”, thuhet në njoftim.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë është vendosur dhe funksionalizuar ekrani informues, përmes të cilit qytetarët mund të informohen në kohë reale për listën e barnave esenciale që gjenden në stok në barnatore.
Ky sistem informues u mundëson qytetarëve qasje të drejtpërdrejtë në të dhëna të sakta dhe të verifikueshme mbi disponueshmërinë e barnave esenciale, duke rritur transparencën, llogaridhënien institucionale dhe besimin në shërbimet shëndetësore publike.
Nga Komuna e Fushë Kosovës është bërë e ditur se vendosja e këtij ekrani është pjesë e angazhimeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe informimin e drejtë të qytetarëve.
Komuna e Fushë Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar të jetë pranë qytetarëve dhe në shërbim të nevojave të tyre në sektorin e shëndetësisë. /Telegrafi/
Pas një shtyrjeje të përkohshme të procesit mësimor për shkak të problemeve të ngrohjes qendrore, nga data 19 janar, mësimi në shkollat e Komunës së Fushë Kosovës ka rifilluar në ambiente të ngrohta dhe të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Gjatë kësaj periudhe, janë instaluar dhe riparuar sisteme të reja ngrohjeje në shkollat “Mihal Grameno”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Lismiri”, “Daut Bogujevci” dhe “Vëllezërit Frashëri”, duke siguruar kushte më të mira për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Komuna ka publikuar një video ku tregohet ambienti i përmirësuar mësimor, ndërsa nxënësit tashmë vijojnë mësimin në kushte më të sigurta dhe komode.
Autoritetet komunale bëjnë me dije se arsimi mbetet prioritet kryesor dhe do të vazhdojnë angazhimet për përmirësimin e kushteve në të gjitha institucionet arsimore. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të kanosjes në Fushë Kosovë.
Rasti ka ndodhur të dielën, në ora 15:30, ku një grua u kanos nga ish i dashuri.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është kanosur nga ish i dashuri i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari i kishte lënë viktimës një fishekë të kalibrit 7.65 mm për të cilin i kishte thënë që e ka për burrin e motrës së juaj”, thuhet në raport.
I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), pas hetimeve intensive dhe veprimeve operative në terren, ka realizuar dy operacione të ndara, në të cilat janë arrestuar gjithsej katër persona dhe janë konfiskuar sasi të ndryshme të substancave narkotike, armë dhe dëshmi të tjera materiale.
Rasti i parë – Operacioni “Pinku”
Sipas Policisë së Kosovës, më 14 janar 2026, rreth orës 15:20, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, hetuesit e DHTN-së kanë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar me inicialet M.K., të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në shitblerje të substancave narkotike.
Gjatë kontrollit, te njëri nga të dyshuarit janë gjetur dy qese të vogla me marihuanë, me peshë rreth 2 gramë. Ndërkaq, te i dyshuari tjetër dhe në veturën e tij janë gjetur nëntë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 4.9 gramë, tetë qese me marihuanë, me peshë 12.7 gramë, para të gatshme në vlerë prej 475 eurosh, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve, si dhe dy telefona mobilë.
Me autorizim të Prokurorit Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është realizuar bastisje edhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e shkurtër, 15.8 gramë kokainë, 79 tableta të dyshuara ekstazi me peshë 37.7 gramë, 2.6 gramë kokainë ngjyrë e kuqe, 322.9 gramë marihuanë, dy peshore digjitale dhe qese najloni për paketimin e narkotikëve.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me urdhër të prokurorit.
Rasti i dytë – Operacioni “Dora e Kapur”
Në një rast tjetër, po më 14 janar 2026, DHTN – Sektori Qendror për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar operacionin e koduar “Dora e Kapur” në Prishtinë.
Gjatë këtij operacioni, në rrugën “Imzot Nikprelaj”, është arrestuar në flagrancë një person i dyshuar me inicialet M.K., te i cili janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë doza heroinë, me peshë totale rreth 4 gramë. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe rreth 9 gramë hashash dhe 18 gramë marihuanë.
Po ashtu, gjatë bastisjes në një banesë tjetër të lidhur me rastin, policia ka konfiskuar 52 paketime me substancë të dyshuar heroinë, me peshë totale 14 gramë, një pushkë gjuetie me nëntë fishekë, para të gatshme në vlerë rreth 25 mijë euro, një veturë, një peshore, dy telefona mobilë dhe prova të tjera materiale.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve do të vazhdojë me përkushtim luftimin e trafikimit me narkotikë dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në këto veprimtari të kundërligjshme. /Telegrafi/
Nxënësit e shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, nuk do të fillojnë nesër procesin e mësimit.
Klasat 6 deri 9, do të fillojnë gjysmëvjetorin e dytë më vonë, për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore dhe temperaturave të ulëta.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë, mësimi do të shtyhet deri më 19 janar 2026.
“Vendimi është marrë për të garantuar kushte më të sigurta dhe më të rehatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit”, është bërë e ditur në njoftimin e shkollës.
Shkolla ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe stafin për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe.
Kujtojmë se fillimi i procesit mësimor ishte planifikuar të niste më 8 janar, por për shkak të vërshimeve pas reshjeve MASHTI mori vendim për shtyrje deri më 12 janar. /Telegrafi/
Dy persona të dyshuar, njëri prej tyre i mitur, janë arrestuar pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike ku kanë sulmuar dy viktima meshkuj kosovarë.
Ngjarja ka ndodhur më 10 janar 2026, rreth orës 17:17, në rrugën “17 Shkurti” në Fushë Kosovë.
Si pasojë e sulmit, viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit kompetent, pas inicimit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet përkatëse. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka siguruar 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë, si pjesë e përpjekjeve për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga situata e krijuar pas reshjeve të shiut.
“Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka arritur të sigurojë 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë”, thuhet në njoftimin e komunës.
Sipas këtij njoftimi, shpërndarja e ndihmave po vazhdon në fshatrat Graboc i Poshtëm, Pomozotin, Henc dhe Miradi e Epërme.
Komuna ka falënderuar të gjithë kontribuuesit për angazhimin humanitar, duke theksuar se “ky është një angazhim i përbashkët humanitar, në shërbim të qytetarëve”.
Po ashtu, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike.
“Institucionet e Komunës së Fushë Kosovës janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës”, theksohet më tej, duke shtuar se komuna mbetet e përkushtuar që përmes veprimeve konkrete dhe reagimit të shpejtë institucional të jetë pranë qytetarëve në këtë situatë emergjente. /Telegrafi/
Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.
Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.
Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij në Fushë Kosovë.
Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes.
Rrethanat e rastit ende nuk janë të qarta, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes janë duke vazhduar. /Telegrafi/
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të shumta në disa komuna të Kosovës, duke rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në Drenas, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa sipas disa ankesave që ka marrë Telegrafi nga qytetarët, ata kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.
Vërshime në Drenas
Telegrafi ka kontaktuar me Nexhmendin Grudën nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit, i cili ka thënë se aktualisht gjendja nuk është alarmante, por që zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit.
“Aktualisht në komunën tonë nuk është gjendja kritike, por që në bashkëpunim me zjarrëfikësit, jemi duke u dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga reshjet e shiut. Zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit, por që situatën e kemi nën kontroll”, tha Gruda.
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.
Situatë problematike vazhdon të jetë edhe në Malishevë, ku parkingu nëntokësor dhe nënkalimi për vetura janë përfshirë sërish nga uji. Ky objekt kishte dalë jashtë funksionit edhe pak ditë pas përurimit të tij, si pasojë e reshjeve dhe grumbullimit të ujit. Edhe pse Komuna e Malishevës më herët kishte deklaruar se problemi lidhej me bllokimin e sistemit të kullimit nga qytetarë të papërgjegjshëm, pamjet e fundit të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata nuk është zgjidhur. Parkingu mbetet i pakalueshëm për automjetet, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e tyre.
Ndërkohë, Komuna e Gjakovës ka njoftuar se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në zonat malore dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme. Më e rrezikuar situata është pranë lumenjve, të cilët po përballen me prurje të mëdha të ujit. Si pasojë, është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes, pasi kalimi është vështirësuar nga rritja e nivelit të lumit Erenik.
Situatë e rënduar është edhe në disa pjesë të Prishtinës, ku lagjet si Prishtina e Re, Dardania, Lakërishtë dhe disa zona të tjera janë duke u përballur me vërshime.
Vërshime të mëdha janë raportuar edhe në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku pothuajse i gjithë fshati është vërshuar nga uji.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të ujit në pjesën perëndimore të vendit, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.
Fshati Fortesë në Rahovec
Vërshime janë raportuar edhe në Gllarevë, më saktësisht në pjesën ku është duke u punuar në rrugën Klinë-Pejë, ku veturat janë duke hasur në vështirësi të kalojnë.
Situatë e rënduar raportohet edhe nga Lipjani, ku lexuesit e Telegrafit kanë dërguar edhe video se si veturat e kanë të vështirë të qarkullojnë lirshëm.
Lumenjtë që burojnë nga Alpet Shqiptare, përfshirë Erenikun, Bistricën e Pejës, Bistricën e Deçanit dhe Lumin e Istogut, kanë shënuar rritje të theksuar të niveleve, duke rritur rrezikun për dalje nga shtrati në disa zona.
Sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik me 231.5 mm, Gllogjan me 151.6 mm, Kuqishtë me 130.4 mm dhe Radoniq me 124.7 mm. Ndërkohë, niveli i lumit Erenik në Gjakovë ka arritur në 3.4 metra, një nga nivelet më të larta të matura gjatë kësaj periudhe.
Autoritetet komunale dhe institucionet përgjegjëse u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë rrjedhave lumore, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi situata mbetet e ndjeshme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme. /Telegrafi/
Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor të Fushë Kosovës, me autorizim të prokurorisë kompetente, ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për të ndihmuar në identifikimin e vendodhjes së një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Sipas njoftimit të Policisë, personi i dyshuar është: Kushtrim Beqiraj, i cili kërkohet për përfshirje në veprën penale të vjedhjes së rëndë.
Policia bën thirrje: “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin dhe gjetjen e tij, ju lutemi kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin 192 ose në adresën info@kosovopolice.com”.
Autoritetet vlerësojnë çdo informacion të dhënë dhe sigurojnë konfidencialitet për personat që ofrojnë ndihmë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit qytetar në parandalimin e krimeve dhe sigurimin e rendit publik. /Telegrafi/
Një rast i rëndë është raportuar më 31 dhjetor 2025 në Fushë Kosovë, ku rreth orës 05:30 një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore pas një ngjarjeje të dyshuar si dhunim seksual.
Sipas deklarimit të viktimës, asaj fillimisht i janë dhënë alkool dhe substanca narkotike, ndërsa më pas është dhunuar në një motel nga dy persona meshkuj të panjohur. Tutje, viktima ka deklaruar se është futur me forcë në një veturë dhe më pas është lënë në rrugë.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë policore, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminime të mëtejme.
Rasti është duke u hetuar dhe autoritetet po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar. /Telegrafi/