TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që kërkon përgatitje, angazhim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të zinxhirit bujqësor.
Në takimin e organizuar sot me fermerë, Salla u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.
“Anëtarësimi në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, bizneset, konsumatorët dhe ekonominë e vendit, por përfitimi nuk vjen automatikisht. Ai vjen vetëm kur të gjithë aktorët janë të përgatitur, me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit”, u shpreh ai.
Në lidhje me Kapitullin 11 dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, ministri theksoi se fermeri vendoset në qendër të politikave mbështetëse, me synimin për një bujqësi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe me më shumë siguri ushqimore. Ai bëri me dije se objektivi është që rreth 150 mijë fermerë të përfitojnë nga fondet europiane, duke nënvizuar se në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermës dhe i blegtorisë, si dhe do të ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës.
Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe tregtimit, duke paralajmëruar një paketë ligjore, proces komunikimi dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut. Sipas tij, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer ekonominë e shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.
Në Kapitullin 12, fokusi është siguria ushqimore dhe zbatimi real i legjislacionit të BE-së në të gjithë zinxhirin, ndërsa Kapitulli 13 kërkon digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll, me forcim të mbledhjes së të dhënave dhe raportimit elektronik me strukturat europiane.
Në këtë kuadër, ministri prezantoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, si një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.
“Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare” u shpreh Salla. /e.xh/ /a.g/
The post EuroAgro Albania 2025-2030, platformë e re për asistencën e fermerëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.