Korridori VIII, ishte në qendër të emisionit ‘Të gjitha rrugët të cojnë në Romë”, të gazetarit Artur Nura në ABC News.
Në debatin shqiptar mbi integrimin në Bashkimin Europian, vëmendja shpesh mbetet e përqendruar te kapitujt e negociatave, reformat dhe raportet vjetore të Brukselit, shprehet Nura, por shton se Europa nuk ndërtohet vetëm me ligje dhe standarde; ajo ndërtohet edhe me rrugë, hekurudha dhe porte. Pikërisht këtu, thotë ai, hyn në lojë Korridori VIII, një projekt që për Shqipërinë është më shumë se infrastrukturë: është provë europianizimi.
Shqipëria prej vitesh flet për Europën si destinacion politik. Korridori VIII e zhvendos këtë diskurs nga retorika në funksion. Duke lidhur Adriatikun me Detin e Zi, ky korridor e fut Shqipërinë në zemër të rrjeteve trans-europiane të transportit, aty ku BE-ja e mat realisht përfshirjen e një vendi.
Integrimi nuk është vetëm çështje anëtarësimi formal; është çështje përdorimi dhe kontributi. Një vend që lidh tregje, stabilizon rajone dhe garanton rrjedhë ekonomike është më afër BE-së sesa një vend që vetëm kërkon anëtarësim.
Iniciativa e përbashkët e qeverive italiane dhe shqiptare për të mbledhur në Shqipëri të gjitha vendet e Korridorit VIII nuk është thjesht takim diplomatik. Është një sinjal politik për Brukselin: Ballkani Perëndimor mund të prodhojë projekte serioze, jo vetëm probleme.
Italia, si një nga shtetet themeluese të BE-së, vepron këtu si sponsor politik i Shqipërisë. Për Tiranën, kjo aleancë është kapital diplomatik: çdo kilometër i Korridorit VIII është edhe një argument më shumë në tryezat europiane.
BE-ja sot nuk pyet vetëm “a i keni miratuar ligjet?”, por “a i zbatoni?”. Korridori VIII është një test brutal i kësaj logjike. Ai kërkon: koordinim rajonal, kapacitet administrativ, transparencë financiare, qëndrueshmëri politike.
Nëse Shqipëria arrin ta menaxhojë këtë projekt, ajo tregon se është gati të jetë pjesë e mekanizmave të ndërlikuar europianë. Nëse dështon, konfirmon stereotipin e një vendi që di të premtojë, por jo të realizojë.
Një nga pengesat kryesore psikologjike në procesin e zgjerimit është perceptimi i vendeve kandidate si barrë. Korridori VIII e përmbys këtë logjikë. Ai e paraqet Shqipërinë si kontribuese në sigurinë, tregtinë dhe kohezionin europian.
Një Shqipëri që lidh Adriatikun me Ballkanin lindor nuk është më periferi; është nyje. Dhe në Europë, nyjet kanë peshë politike. Historia e Ballkanit është e mbushur me projekte të mëdha të lëna përgjysmë. Rreziku më i madh për Korridorin VIII nuk janë kundërshtarët gjeopolitikë, por neglizhenca e brendshme, politizimi dhe mungesa e vizionit afatgjatë.
Nëse Korridori VIII reduktohet në slogan, Shqipëria humbet jo vetëm një projekt, por një moment historik afrimi real me BE-në.
Në fund, integrimi europian nuk kalon vetëm nga sallat e negociatave, por edhe mbi asfalt, hekurudha dhe porte. Korridori VIII është forma më konkrete e pyetjes që BE-ja i bën Shqipërisë sot: A jeni gati të jeni pjesë funksionale e Europës, apo vetëm aspiruese e saj?
Për gazetarin Nura, eksperti i ekonomisë dhe financave Fatos Çoçoli, e konsideroi nismën me shumë rëndësi.
“Gjykoj se është një nismë shumë e mirë e qeverisë italiane, nuk është hera e parë që ajo po përpiqet t’i japë interesin që meriton korridorit VIII. Gjykoj se do jetë një takim konkret ky i shkurtit të vitit 2026 ku do të hidhen bazat për një përpjekje të përbashkët. Shqipëria ka bërë sa ka mundur për të shtruar këtë korridor. Sfida e vërtetë tanimë është te segmentet hekurudhore, sepse ato kushtojnë edhe më shumë. Është mirë që gjithë BE, të angazhohet. Është një korridor që po merr rëndësinë e duhur edhe në nivel të investimeve strategjike të BE”, tha ai.
Për Mateo Spahon, ekspert i Ekonomisë dhe Financave, takimi i parashikuar në shkurt të këtij viti për korridorin VIII, është një gjë shumë pozitive për Shqipërinë.
“Është diçka shumë pozitive sa i përket sigurisë ekonomike dhe ushtarake të NATO-s dhe Ballkanit, me rëndësi është që edhe Itali po e mbështet këtë projekt. Ka rëndësi që Shqipëria po kryen investimet e duhura, ka mëse një vit që ka nisur ndërtimi, ka rëndësi që këto investime të përfundojnë që kjo rrugë të mbarojë përpara 2030, duke shpresuar që edhe Maqedonia të bëjë pjesën e vet. Shqipëria duhet të jetë shumë transparente, duhet të kemi parasysh se me fondet e BE nuk duhet të ketë shaka, duhet seriozitet maksimal”, u shpreh ai.
Enriko Ceko, ekspert i Ekonomisë dhe Financave, shprehet se Korridori VIII nuk është vetëm cështje italo shqiptare.
“ Është një çështje që prek gjithë vendet e Evropës juglindore. Kostot e transportit reduktohen jashtëzakonisht me vënien në funksion të korridorit VIII. Qarkullimi i ideve, bashkë me mallrat shërbimet, kapitalin janë shumë të rëndësishme”, thotë ai.
Ndërkohë, Geron Kamberi, ekspert i çështjeve europiane vlerëson se cështja e riaktivizimit të korridorit VIII, bën të mundur krijimin e një zone ekonomike por edhe gjeopolitike.
“Përmes këtij korridori që është pjesë e rrjeteve të korridoreve europiane, do të krijohet një aktivitetet shumë i madh ekonomik por mbi të gjitha një shkëmbim shumë i madh mallrash që vijnë nga Perëndimi për të zbritur deri në Lindje. Besoj kemi edhe një rikthim të historisë, rruga Egnatia kthehet me një synim tjetër, gjeopolitik por edhe gjeoekonomik”, u shpreh ai.