Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gazheli emërohet zv.ministër i Mjedisit, Besmir Beja drejtor i Përgjithshëm i Doganave

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në drejtimin e institucioneve dhe strukturave shtetërore.

Agjencia për Medie dhe Informim bëri të ditur se Gent Gazheli lirohet nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhe emërohet zëvendësministër i Mjedisit.

Ndërsa Besmir Beja emërohet drejtor i Përgjithshëm i Doganave.

Më herët, Beja ka mbajtur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave.

Ndërkohë, Gentian Kerri emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.

1 nga 3

/m.m/j.p/

The post Gazheli emërohet zv.ministër i Mjedisit, Besmir Beja drejtor i Përgjithshëm i Doganave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Zvarritja për imunitetin e Ballukut, strategji për të bllokuar SPAK-un

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj vendimit të Kuvendit për të shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila dje shtyu pa afat vendimmarrjen për Belinda Ballukun.

“Sot, Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar të njëjtën linjë: është shtyrë, pa asnjë arsye të ligjshme, mbledhja e Këshillit të Mandateve, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse masa e re e sigurisë që kërkon SPAK ndaj Ballukut nuk ka asnjë lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra”, shtoi Bardhi.

Si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi, për Bardhin, “janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, të komanduar politikisht nga Edi Rama”.

“Për shkak se ka marrë një vendim pezullimi të vendimit të GJKKO-së, Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ligjor të shqyrtojë këtë çështje me përparësi dhe të konkludojë me një vendimmarrje që zhbllokon veprimtarinë hetimore të SPAK”, shtoi Bardhi.

Çdo vonesë, sipas tij, “është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për Ballukun, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro”.

/m.m/j.p/

The post Bardhi: Zvarritja për imunitetin e Ballukut, strategji për të bllokuar SPAK-un appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pjesëmarrje e plotë e Shqipërisë në programin e BE-së për përmirësimin e politikave publike

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Marrëveshja e financimit mes Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027” synon transferimin e praktikave më të mira europiane në politikëbërje.

Gjatë prezantimit të kësaj marrëveshje në komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit në SASPAC, Klajdi Demko theksoi se ratifikimi i marrëveshjes mundëson pjesëmarrjen e plotë të Shqipërisë në një nga programet më të rëndësishme të BE-së për përmirësimin e politikave publike.

“Marrëveshja synon bashkëpunimin rajonal, shkëmbimin e përvojave dhe transferimin e praktikave më të mira europiane. Programi ‘Interreg Europe’ është një nga programet me shtrirjen më të gjerë gjeografike që përfshin 27 vende anëtare të BE-së, 7 vende IPA si dhe Danimarkën dhe Zvicrën”, u shpreh Demko.

Synimi kryesor i këtij programi, sipas tij, “nuk është financimi i investimeve publike, por përmirësimi i politikëbërjes publike përmes rritjes së kapaciteteve institucionale, shkëmbimit të njohurive dhe integrimit të praktikave të suksesshme europiane.

Në këtë kuadër, Demko theksoi se përfituesit kryesor janë institucionet publike në nivel kombëtar, vendor dhe qendror, si dhe organizatat fitimprurëse të cilat përmes bashkëpunimit rajonal përmirësojnë mënyrën se si zbatojnë politikat e zhvillimit.

Drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit në SASPAC theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë program deri në këtë fazë ka qenë konkrete dhe e suksesshme.

Aktualisht, sipas tij, janë 35 përfitues të angazhuar në zbatimin e projekteve në kuadër të “Interreg Europe”, me një vlerë totale të kontraktuar 3.7 milionë euro.

“Ky nivel përfitimi ka kaluar parashikimet fillestare të 2 milionë eurove. Duhet pasur parasysh se ‘Interreg Europe’ është program me numër shumë të lartë të vendeve anëtare dhe për rrjedhojë me një konkurrencë shumë të lartë për fondet”, shtoi Demko.

Kjo, sipas tij, dëshmon rritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare për të konkurruar me sukses në programet europiane dhe për të zbatuar projektet komplekse në partneritet me homologët e tyre në BE.

Demko theksoi se ratifikimi i kësaj marrëveshje është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë ligjore dhe institucionale të pjesëmarrjes së Shqipërisë në programe si dhe për t’i krijuar institucioneve shqiptare sigurinë e nevojshme për zbatimin e projekteve aktuale në të ardhmen.

“Në të njëjtën kohë kjo marrëveshje kontribuon drejtpërdrejtë në procesin e integrimit europian duke ndihmuar administratën publike të përafrojë qasjet, standardet dhe praktikat e saj me ato të BE-së. Miratimi i këtij projektligji nuk përfaqëson vetëm një detyrim formal ndërkombëtar, por është një investim strategjik në kapacitetet institucionale të vendit në përmirësimin e politikave publike dhe në forcimin e rolit të Shqipërisë në BE”, shtoi Demko. /j.p/

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, foto: Andrin Hoxha
1 nga 21

The post Pjesëmarrje e plotë e Shqipërisë në programin e BE-së për përmirësimin e politikave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Granti i performancës për bashkitë që ofrojnë shërbime më të mira

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot se gjatë vitit 2025 bashkive u janë alokuar rreth 4 milionë euro në kuadër të grantit të perfomancës.

Gjatë një konference për shtyp, Demo tha se granti i performancës u nda për herë të parë në nivel vendor gjatë vitit të kaluar.

“Granti i performancës ka qenë i financuar 50% nga partnerët tanë, nga donatorët si ambasada zvicerane dhe po ashtu edhe nga buxheti i shtetit. Janë rreth 4 milionë euro që i janë alokuar bashkive në matjen e treguesve të qartë, përgjithësisht rregullativ për sa i përket funksionimit të tyre”, tha Demo.

Demo theksoi se në vitin 2026 do të thellohet koncepti i grantit të performancës.

“Besojmë se bashkitë që performojnë më mirë, bashkitë që kërkojnë shërbime më të mira për qytetarët, patjetër duhet të kenë mundësinë që të financohen. Ndaj granti i performancës do të kthehet në një instrument motivues për vetë bashkitë për të ofruar shërbime më të mira për vetë qytetarët. Ky do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për grantin e performancës pasi do të kalojmë në matje specifike të shërbimeve që ofrohen në territor”, shtoi Demo.

/m.m/j.p/

The post Demo: Granti i performancës për bashkitë që ofrojnë shërbime më të mira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Brenda shkurtit nisin trajnimet në Akademinë e Pushtetit Vendor

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Akademia e Pushtetit Vendor është instrument që do të vihet në dispozicion të bashkive për të siguruar shërbime më të mira në territor.

Gjatë një konference për shtyp, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo u ndal te sfidat që dalin para pushtetit vendor gjatë vitit 2026, ndërsa sqaroi edhe funksionet e Akademisë.

Sipas tij, gjatë vitit 2026 priten shumë nisma transformuese për sa i përket të ardhmes së së bashkive. “Ky është një vit ku procesi i reformës territoriale ka filluar dhe është kapaku që do të përfshijë të gjitha ato nisma për të garantuar një shtrat të shëndetshëm të zhvillimit të bashkive në dekadat që do të kemi përpara”, tha Demo.

Fuqizimi i bashkive, sipas tij, mbetet fjala kyçe që në vetvete përfshin si rritjen e kapaciteteve edhe fuqizimin institucional të bashkive me nisma konkrete si Akademia e Pushtetit Vendor.

“Ky është një moment historik për bashkitë në vend pasi është hera e parë që bashkitë do të kenë një strukturë të fokusuar në nevojat specifike të tyre. Bashkitë do të financojnë 50% të kostove të Akademisë dhe 50% financohen nga qeveria qendrore”, tha Demo.

Sipas tij, Akademia do të jetë një platformë ku bashkitë ndajnë me njëra-tjetrën praktikat më të mira që ato kanë konsoliduar në territor.

“Ndarja e eksperiencës dhe krijimi i një platforme të qëndrueshme për sa i përket modeleve më të mira që bashkitë mund të ndajnë me njëra- tjetrën e bëjnë Akademinë një instrument shumë të fuqishëm për pushtetin vendor”, tha Demo.

Akademia, sipas tij, “do të kthehet në një hallkë ku të gjithë partnerët dhe donatorët do të mbështesin pushtetin vendor”. “Brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shkurt fillojnë trajnimet e para përmes Akademisë. Struktura është duke u ngritur. Jam i bindur se do të jetë instrument që bashkitë do ta kenë në krahë që të kemi shërbime më të mira në territor”, tha Demo.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo në konferencë për shtyp, foto: Florian Abaz...
1 nga 3

/m.m/j.p/

The post Demo: Brenda shkurtit nisin trajnimet në Akademinë e Pushtetit Vendor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Gjurmueshmëri e avancuar për çdo armë zjarri

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu prezantoi në Kuvend projektligjin për import-eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, një nismë që synon të forcojë kuadrin rregullator të industrisë së mbrojtjes.

Vengu u shpreh se kjo nuk është një nismë e izoluar por është pjesë e një pakete të gjerë ligjore, e cila synon po ashtu kontrollin e mallrave me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak.

Ministri Vengu theksoi se projektligji synon të garantojë integritetin e të gjithë zinxhirit nga prodhimi, tregtimi, eksporti, tranziti i armëve të zjarrit, duke rritur sigurinë, transparencën, bashkëveprimin e institucioneve ligjzbatuese.

Sipas tij, ky është një ligj plotësisht i ri, i cili transpozon në mënyrë të plotë rregulloren e Bashkimit Evropian, pa transpozim selektiv dhe pa asnjë kompromis.

“Ai e vendos Shqipërinë në të njëjtin standard ligjor me vendet anëtare të BE-së në një fushë kyçe për sigurinë publike dhe madje sigurinë kombëtare. Projektligji forcon mekanizmin e kontrollit shtetëror, pa krijuar institucione të reja dhe vlen ta theksojë këtë pikë”, tha Vengu.

Një risi thelbësore e këtij projektligji, sipas ministrit Vengu, është krijimi i një mekanizmi licencimi elektronik, të sigurt, të enkriptuar, i cili rrit sigurinë e të dhënave dhe efikasitetin e procesit të autorizimeve.

Paralelisht, Vengu tha se projektligji rrit bashkëveprimin mes agjencive ligjzbatuese, dhe mundëson krijimin e një baze të dhënash unike ndërinstitucionale.

Për sa i përket risive kryesore, Vengu theksoi se “elementi i parë është gjurmueshmëria e avancuar për çdo armë zjarrit”. Po ashtu sipas tij, forcohet kontrolli gjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, administrimi elektronik i autorizimeve si dhe masat parandaluese edhe sanksionet për të mbyllur çdo hapësirë abuzimi.

Para deputetëve, Vengu sqaroi se projektligji nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe detyrimet nga zbatimi i tij do të përmbushen brenda kapaciteteve ekzistuese institucionale.

“Projektligji është pjesë e piketave ndërmjetme në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian ndaj edhe përfaqëson një hap të matshëm drejt përmbushjes së tyre”, shtoi ministri.

/m.m/j.p/

The post Vengu: Gjurmueshmëri e avancuar për çdo armë zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: “Grup zjarri” mes protestuesve të PD-së, përdorimi i molotovëve të rregullohet me ligj

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se në protestën e fundit të opozitës kishte edhe “një grup zjarri” me fytyra të mbuluara, të cilët kishin ardhur me një axhendë të qartë.

Duke replikuar në Kuvend me deputetin e Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkajn, Balla u ndal sërish te protesta e dhunshme e opozitës.

Balla theksoi se aktet e dhunës nuk erdhën nga protestuesit, anëtarë apo militantë të Partisë Demokratike që kishin dalë në protestë, por nga një “grup zjarri”.

“Ata kishin ardhur me një agjendë të qartë dhe ishin pozicionuar në mënyrë të koordinuar”, tha Balla.

Sipas tij, mediet kishin evidentuar pozicionimin e këtij grupi që përpara nisjes së protestës.

Balla tha se ata fillimisht mbanin tabela, por më pas hapën palltot dhe nxorën një arsenal mjetesh që ai i cilësoi si armë.

Sipas tij, “këto mjete duhet të konsiderohen armë dhe se përdorimi i tyre duhet të sanksionohet dhe rregullohet me ligj, duke e bërë të papranueshëm përdorimin e tyre në mjedise publike ku ndodhen shumë qytetarë”.

/m.m/j.p/

The post Balla: “Grup zjarri” mes protestuesve të PD-së, përdorimi i molotovëve të rregullohet me ligj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: PD të distancohet nga aktet e dhunës ndaj institucioneve

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga aktet e dhunës në protesta.

Gjatë fjalës në Kuvend, Balla theksoi se Policia e Shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet.

“Thirrja ime për deputetët e PD-së është të mbështesin punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, të distancohet nga çdo lloj forme dhune kundër institucioneve. Protestuesit e dhunshëm kishin marrë urdhra për të goditur institucionet”, tha Balla.

Balla theksoi se kushdo që ushtroi dhunë duhet të përballet me drejtësinë.

“Nuk ka parti politike që i merr në mbrojtje. Ti dhe kushdo tjetër që i ushqen ata me para për të goditur institucionet duhet të mbani përgjegjësi”, iu drejtua Balla kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. /j.p/

The post Balla: PD të distancohet nga aktet e dhunës ndaj institucioneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Durrës, shemben ndërtimet pa leje përgjatë segmentit Ura e Dajlanit – Plazh

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në Durrës po vijon puna për lirimin e hapësirave të bankinave të kanaleve kulluese të zëna nga ndërtimet pa leje përgjatë segmentit Ura e Dajlanit – Plazh.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo ndërhyrje, ku po punohet për prishjen e lavazheve dhe të objekteve të tjera që pengojnë zgjerimin e kanalit të ujërave të larta.

Në kuadër të masave për normalizimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet, në zonën e Urës së Dajlanit po kryhen ndërhyrje për zgjerimin e kanalit të ujërave të larta, i cili shërben për grumbullimin dhe shkarkimin e ujërave që vijnë nga zona e Shkozetit dhe Plazhit me qëllim rritjen e kapaciteteve kulluese.

Paralelisht, po punohet edhe për pastrimin e kanalit nga mbetjet dhe materialet inerte, të grumbulluara si pasojë e prurjeve të mëdha të ujërave të shkaktuara nga reshjet.

/m.m/j.p/

The post Durrës, shemben ndërtimet pa leje përgjatë segmentit Ura e Dajlanit – Plazh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Braçe kërkon fond për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet, Balla: Po bëhet vlerësimi i dëmeve në terren

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe kërkoi sot në Kuvend që 15 miliardë lekë të mbetura pa shpenzuar nga buxhetit 2025 të shkojnë për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet.

Gjatë diskutimit në Kuvend të Aktit Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, Braçe u shpreh se dëmet nga përmbytjet për bujqit janë të mëdha.

“Paratë që shkojnë për pensionistët bëjnë mirë që shkojnë atje. Nëse nga 30 miliardë lekë që është deficiti i parealizuar, 15 miliardë lekë do të shkojnë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë për pensionet, unë propozoj që 15 të tjera të shkojnë për të shlyer bujqit. Është një ekonomi e tërë e dëmtuar që nuk mund të vazhdojë më tutje pa para. Për 1 dynym janë 12.5 milionë lekë dëm, mendojeni vetë se sa toka dhe serra janë përmbytur”, tha Braçe.

Në këtë drejtim, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi se qeveria qendrore dhe ajo vendore po bëjnë vlerësimin në territor të këtyre dëmeve.

“Jam plotësisht dakord me shqetësimet që ngrihen për t’iu gjetur pranë banorëve, bujqve të prekur nga përmbytjet apo ngricat. Për sa i përket aktit normativ, nuk mund të ndryshohet dot. Sot ose miratohet ose rrëzohet. Amendamente mbi aktin nuk bëjmë dot”, tha Balla. /j.p/

The post Braçe kërkon fond për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet, Balla: Po bëhet vlerësimi i dëmeve në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Izrael: Shqipëria, angazhim të palëkundur në luftën kundër antisemitizmit


TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili po vijon vizitën në Jerusalem, iu adresua sot Konferencës Ndërkombëtare për Luftën Kundër Antisemitizmit, e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Konferencën e përshëndetën edhe presidenti i Izraelit Isaac Herzog, si dhe ministri i Çështjeve të Diasporës, Amichai Çikli.

Më herët, kryeministri Rama theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim buron nga vlerat më të thella humane dhe historike të popullit shqiptar.

Gjatë periudhës më të errët të historisë evropiane, Shqipëria u shndërrua në një strehë të sigurt për hebrenjtë e përndjekur, duke i mbrojtur ata pa dallim, në frymën e besës dhe solidaritetit njerëzor.

Kryeministri ishte po ashtu i pranishëm në themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite në Jerusalem.

/m.m/j.p/r.e/

The post Rama në Izrael: Shqipëria, angazhim të palëkundur në luftën kundër antisemitizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përfundimit Pallati i Sportit në Dibër, ambiente dinjitoze për sportistët

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Pallati i sportit “Bashkim Lala” në qytetin e Peshkopisë po rikthehet në funksion të plotë, pas investimit të bashkisë Dibër për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se punimet për rilindjen e Pallatit të Sportit në Dibër janë drejt përfundimit.

Investimi, sipas kryeministrit, krijon një ambient dinjitoz për zhvillimin e aktiviteteve sportive, ku ndër të tjera, do të zhvillohen edhe ndeshjet e ekipit të volejbollit për femra “Korabi”.

Investimi kap vlerën e 7 milionë lekëve dhe punimet pritet të përfundojnë shumë shpejt duke vendosur ambientet e pallatit të sportit, në dispozicion të ekipeve të lojërave me dorë.


/m.m/j.p/

The post Drejt përfundimit Pallati i Sportit në Dibër, ambiente dinjitoze për sportistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi në seancë plenare, tërhiqen katër projektligje për dakordësim me KE

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi tërhoqi sot nga rendi i ditës 4 projektligje me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Ndërsa nisi seancën plenare, Peleshi lexoi rendin e ditës me një sërë projektligjesh të rëndësishme, ndër të cilat edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe projektligjin “Për lobimin”.

Në fillim të seancës plenare, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi tërhoqi vëmendjen për rendin e ditës, ku sipas tij, listohen për shqyrtim dhe miratim 19 projektligje të rëndësishme, duke mos i lënë mundësi opozitës për debat.

Boçi kërkoi shtyrjen e disa prej këtyre projektligjeve në mënyrë që deputetët të kenë hapësirën e nevojshme për debat.

Nga ana tjetër edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi shtyrjen e 4 projektligjeve të cilat, sipas tij, duhet të dakordësohen me Komisionin Europian.

Balla kërkoi shtyrjen e 4 projektligjeve në rendin e ditës, konkretisht të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

“Në këtë mënyrë lehtësojmë edhe kalendarin e ditës së sotme dhe kjo shkon në linjë edhe me kërkesën e kolegëve të opozitës për të reduktuar numrin e çështjeve në shqyrtim”, tha Balla.

Në vijim, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se nuk është e mjaftueshme vetëm heqja e 4 projektligjeve nga rendi i ditës.

Sipas saj, për projektligjin “Për lobimin”, nuk është kryer plotësisht konsultimi publik.

“Ligji për armatimet është shumë problematik, një pjesë e ndryshimeve në Kodin Penal nuk janë konsultuar, bashkë me ndryshimet për mediet. Këto duhet t’i diskutojmë me grupet e interesit. Procesi i integrimit nuk është proces letrash që miratohen në parlament, por është ndryshim në realitet”, tha Tabaku.

Në këtë drejtim, Tabaku kërkoi që të tërhiqen nga rendi i ditës të gjitha projektligjet që nuk kanë kryer një proces të rregullt parlamentar dhe që nuk janë konsultuar plotësisht.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi heqjen nga rendi i ditës të projektligjit “Për lobimet”, si dhe ndryshimet në Kodin Penal”.

Në përfundim, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi sqaroi se “ka vetëm një arsye që seancat janë të ngjeshura, axhenda e integrimit në BE”.

“Kam vetëm një kërkesë me shkrim nga kreu i grupit të PS-së që do trajtohet. Ju e dini rregulloren, propozimet që vijnë në seancë, duhet të respektojnë rregulloren. Projektligjet vijnë nga komisionet, së pari duhet shfrytëzuar hapësira aty”, iu drejtua Peleshi deputetëve të opozitës.

/j.p/

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Florian Abazaj
1 nga 6

 

The post Kuvendi në seancë plenare, tërhiqen katër projektligje për dakordësim me KE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Jeruzalem: Shqipëria e palëkundur kundër antisemitizmit, mbështesim planin e paqes Trump për Gazën

TIRANË, 26 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot Shqipëria vazhdon të mbështesë të gjitha përpjekjet, përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajë rolin e saj brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të vizitës së punës që po zhvillon në Jeruzalem, kryeministri Rama solli në vëmendje se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis dy popujve.

“Kjo miqësi e farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

“Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese”, tha Rama.

Rama siguroi se vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë.

“Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera”, shtoi ai.

Kryeministri u ndal edhe te vizita e djeshme në Nova Site, të cilën e cilësoi “thellësisht trazuese”.

“Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e barbarive”, tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se “Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga presidenti Trump dhe e shoh këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe përgjegjësi morale”. /j.p/

The post Rama në Jeruzalem: Shqipëria e palëkundur kundër antisemitizmit, mbështesim planin e paqes Trump për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi takon Presidenten e PE-së: Integrimi në BE, proces transformues i institucioneve shqiptare

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi sot një takim në Bruksel me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të intensifikimit të diplomacisë parlamentare dhe angazhimeve të Kuvendit për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë dhe theksoi se perspektiva europiane e vendit mbetet e qartë, afatgjatë dhe e pakthyeshme.

Ai nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një slogan politik, por një proces transformues i institucioneve, i qeverisjes dhe i jetës së përditshme të qytetarëve, duke theksuar konsensusin politik dhe parlamentar, si edhe mbështetjen e gjerë popullore për procesin e anëtarësimit.

Në fokus të bisedës ishte progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të negociatave, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Peleshi vuri në dukje se Shqipëria është vendi kandidat me vendosmërinë më të madhe dhe që ecën me shpejtësinë më të lartë drejt familjes europiane, ndërsa reformat po avancojnë mbi bazën e rezultateve konkrete dhe treguesve të matshëm.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua kontributit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit, si edhe përmirësimeve ligjore dhe strukturore për t’iu përshtatur më mirë rolit të Kuvendit në qendër të këtij procesi.

Presidentja Metsola vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit, bashkëpunimin shumë të mirë të Parlamentit Europian me Kuvendin, si edhe angazhimin parlamentar dhe institucional të Shqipërisë për përshpejtimin e bashkimit me familjen europiane.

Hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë u cilësua si një sinjal i qartë i angazhimit të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe perspektivës së saj europiane.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për reforma demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të pakthyeshme, duke e konsideruar Parlamentin Europian një partner kyç dhe një busull morale të projektit europian.

Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit u shoqërua nga një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga Igli Hasani, Kryetar i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Evis Kushi, Zv/Kryetare e Komisionit për Arsimin, Shkencën dhe Sportin, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha.

1 nga 5

/m.m/j.p/

The post Peleshi takon Presidenten e PE-së: Integrimi në BE, proces transformues i institucioneve shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama pritet nga kryeministri Netanyahu

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë pune në Jeruzalem në Izrael, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në kuadër të kësaj vizite, kryeministri Rama do t’i drejtohet sot me një fjalë seancës plenare në Knesset.

Në këtë vizitë, kryeministri shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe delegacioni zyrtar.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama u ndalën në memorialin e viktimave të Festivalit Nova, një monument që përkujton viktimat e masakrës së festivalit muzikor Nova gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.

 

1 nga 5

/m.m/j.p/

The post Rama pritet nga kryeministri Netanyahu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: U reduktua në 7 % numri i kompanive të ndërtimit me paga të deklaruara 40-50 mijë lekë

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se rreth 25% e punonjësve të ndërtimit deklarohen me paga 40–50 mijë lekë dhe pas ndërgjegjësimit të administratës tatimore kjo shifër u reduktua vetëm me 7%.

Në një konferencë për shtyp, Malaj u ndal te formalizimi i sektorit të ndërtimit, ku sipas tij, kërkohet një angazhim i shtuar për të siguruar zbatimin e ligjit dhe operimin e këtij sektori sipas kërkesave të tregut.

Duke iu referuar aksionit të ndërmarrë nga administrata tatimore në disa prej agjencive më të mëdha imobilare në vend, Malaj theksoi se janë evidentuar shkelje të rënda që i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, por edhe qytetarëve.

Ndaj, sipas ministrit Malaj, objektivat e administratës tatimore do të orientohen kryesisht në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por natyrisht edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.

Malaj informoi se në sektorin e ndërtimit janë evidentuar 8784 subjekte aktive, pjesa më e madhe e të cilave ushtron aktivitetin në Tiranë dhe Durrës.

“Është konstatuar se nga ky numër total i këtyre subjekteve, rreth 25% e tyre u paguajnë punonjësve paga të cilat variojnë nga 40-50 mijë lekë. Për fat të keq shifra 25%  është një shifër tepër e lartë, në një kohë kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se tregu ofron paga krejtësisht të tjera, të cilat janë më larta”, shtoi Malaj.

Nisur nga këto të dhëna të grumbulluara, ministri Malaj theksoi se administrata tatimore në muajin nëntor 2025 ndërmori një nismë të ndërgjegjësimit të këtyre subjekteve.

Sipas ministrit, në themel të punës sonë nuk është ndëshkimi i bizneseve, por është ndërgjegjësimi i tyre që të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore.

“Janë dërguar 13 814 mesazhe të personalizuara drejt subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit, apo atyre bizneseve që janë të angazhuar në zinxhirin furnizues të këtij sektori. Pas mesazheve ndërgjegjësuese, një pjesë e mirë e subjekteve kanë reflektuar, dhe më konkretisht për rreth 118 mijë të punësuar në sektorin e ndërtimit në muajin dhjetor 2025 kemi pasur një rritje të fondit të pagave me 9% krahasuar me muajin shtator 2025, duke arritur në rreth 78 milionë euro”, informoi Malaj.

Po kështu, Malaj theksoi se “edhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në muajin dhjetor 2025 u rritën me rreth 4% krahasuar me muajin shtator 2025”.

Ministri bëri të ditur se ka pasur edhe një reflektim pozitiv për sa i përket uljes së numrit të punonjësve që paguhen mes fashës 40-50 mijë lekë.

“Ulja e këtij numri ka qenë modeste, rreth 7%, që është një sinjal pozitiv por jo i mjaftueshëm. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin që përballet sektori i ndërtimit”, tha Malaj.

Po ashtu, ministri informoi se pas mesazheve ndërgjegjësuese të dërguara nga administrata tatimore kemi një rrije me 18%, të numrit të punonjësve që paguhen mes fashave 70-100 mijë lekë.

Ndërkohë, Malaj theksoi se ka edhe një rritje domethënëse prej 10%, të pagave të punonjësve që paguhen mbi 120 mijë lekë.

“Disa biznese i kanë reflektuar ndërkohë që kemi subjekte të cilat ende nuk kanë reflektuar ndaj mesazheve të ndërgjegjësimit që ka dërguar administrata tatimore. Këto subjekte tashmë janë identifikuar dhe do të jenë objekt kontrolli i thelluar nga administrata tatimore. I bëj thirrje këtyre subjekteve që të bëjnë reflektimet e duhura dhe të përmbushin vullnetarisht të gjitha detyrimet që u ngarkon ligji”, u shpreh Malaj. /j.p/

The post Malaj: U reduktua në 7 % numri i kompanive të ndërtimit me paga të deklaruara 40-50 mijë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Ulje e informalitetit në turizëm, u rrit me 5% numri i punonjësve 18% fondi i pagave

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj informoi sot mbi rezultatet e deritanishme në kuadër të formalizimit të sektorit të turizmit dhe ndërtimit, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të biznesit për deklarimin real të pagave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Gjatë një konference për shtyp, ministri i Financave siguroi se angazhimi në luftën kundër informalitetit synon jo vetëm garantimin e një konkurrence të ndershme, por edhe mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë.

“Ne jemi tashmë në vitin e dytë të zbatimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave, e cila do të shtrihet deri në vitin 2027. Zbatimi i kësaj strategjie e cila tashmë është dakordësuar me FMN-në, por edhe me BE-në, synon jo vetëm rritjen e të ardhurave por edhe një administrim më të mirë fiskal, natyrisht pa ndryshuar norma tatimore përgjatë periudhës që do të shtrihet kjo strategji”, u shpreh Malaj.

Pjesë e objektivave të kësaj strategjie, sipas ministrit Malaj është pa dyshim edhe rritja e formalizimit në sektorët kyç të ekonomisë por që rezultojnë me risk të lartë, siç është sektori i turizmit apo edhe sektori i ndërtimit.

Duke folur mbi strategjinë afatmesme të të ardhurave, Malaj u shpreh se vitin e kaluar rezultatet ishin tejet pozitive në luftën kundër informalitetit në sektorin e turizmit.

Kjo sipas tij, konfirmon edhe njëherë potencialin që ka ky sektor si një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Më konkretisht, numri mesatar i punonjësve për periudhën janar-shtator 2025 u rrit me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu, edhe fondi i pagave në këtë sektor u rrit me 18% duke arritur në rreth 162 milionë euro”, u shpreh Malaj.

Ndërkohë, Malaj theksoi se të njëjtin trend rritës kanë pasur edhe kontributet nga sigurimet shoqërore në masën 18%, duke arritur në rreth 46 milionë euro.

“Në sektorin e turizmit kemi edhe një rritje të arkëtimit të TVSH-së në masën 22%, duke arritur në rreth 40 milionë euro për periudhën e vitit 2025 në krahasim me vitin 2024”, shtoi Malaj.

Ministri i Financave Petrit Malaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj konferencë ...
1 nga 16

/m.m/j.p/

The post Malaj: Ulje e informalitetit në turizëm, u rrit me 5% numri i punonjësve 18% fondi i pagave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama darkon me Ivanka Trump në Vlorë

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbërriti mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku darkoi me Ivanka Trump, vajzën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Sipas medieve, në fokus të bisedimeve besohet se janë projekte dhe ide të reja zhvillimi, të lidhura me investime strategjike dhe vizionin urbanistik në zonën e Vlorës.

Ivanka Trump dhe Jared Kushner kanë shfaqur interes më herët për projekte zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.

Pas darkës, Rama dhe Ivanka Trump kanë qëndruar për disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka është shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.

Më pas, mediet bëjnë të ditur se Ivanka Trump është larguar me automjet, së bashku me Kryeministrin Rama, në drejtim të Orikumit.

Sipas Euronews, dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner nuk ka qenë pjesë e darkës. Ai ka qenë në Vlorë disa orë gjatë paradites dhe më pas është larguar për në Davos.

Ivanka Trump mbërriti sot paradite në qytetin bregdetar të Vlorës, e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia, teksa mësohet se qëndroi në një nga hotelet në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Siç raportojnë korrespodentët e medieve, Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.

Kjo nuk është hera e parë që vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump  viziton Vlorën. Së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, Ivanka Trump kaloi disa ditë nga pushimet verore qershorin e kaluar në qytetin bregdetar.

1 nga 4

/m.m/j.p/

The post Rama darkon me Ivanka Trump në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mungoi në homazhet e “21 Janarit” nga mosha e thyer, Balla vizitë tek nëna e Hekuran Dedës

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla vizitoi sot nënën e një prej viktimave të ngjarjeve të 21 Janarit në bulevard, Hekuran Dedës.

Për arsye shëndetësore, ajo sot për herë të parë në këto 15 vjet mungoi në ceremoninë përkujtimore me karafilë të kuq në vendin ku iu vra i biri.

“Sot, ndryshe nga çdo 21 Janar i këtyre 15 viteve, mungoi nëna e dëshmorit Hekuran Deda”, u shpreh Balla, duke theksuar se arsyeja e mungesës lidhet me moshën e saj të thyer.

Sipas tij, ajo mban mbi supe 87 vite jetë dhe një brengë të madhe që nuk është shuar as me kalimin e kohës.

Megjithatë, Balla tregon se e ka takuar në mbrëmje nënën e Hekuran Dedës dhe se ajo i është shfaqur e fortë me shpresën se drejtësia do të bëjë më në fund detyrën e saj.

“Son­te e gjeta të fortë në zemër dhe me shpresën se drejtësia do të arrijë t’i tregojë se me urdhër të kujt u vra djali i saj”, shprehet ai.

Balla riktheu në vëmendje plagën e hapur të 21 Janarit dhe pritjen e gjatë të familjarëve të viktimave për zbardhjen e plotë të përgjegjësive dhe vendosjen e drejtësisë.

/m.m/j.p/

The post Mungoi në homazhet e “21 Janarit” nga mosha e thyer, Balla vizitë tek nëna e Hekuran Dedës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌