Zbulohet lojtari ‘sekret’ i cili iu ofrua Man Unitedit në janar, por klubi refuzoi transferimin e tij

Manchester United thuhet se iu ofrua mundësia për të transferuar një ish-mesfushor të Ligës Premier gjatë afatit kalimtar të janarit, por marrëveshja nuk u realizua.
“Djajtë e Kuq” nuk afruan asnjë lojtar gjatë merkatos së dimrit, pasi verën e kaluar kishin transferuar Benjamin Sesko, Bryan Mbeumo, Matheus Cunha dhe Senne Lammens.
Megjithatë, Manchester United pritet të kërkojë përforcime në mesfushë në të ardhmen e afërt, veçanërisht për të zëvendësuar Casemiron, i cili do të largohet nga klubi pas skadimit të kontratës së tij në fund të sezonit 2025/26.
Disa emra janë lidhur vazhdimisht me një transferim të mundshëm në “Old Trafford”, përfshirë Elliot Anderson të Nottingham Forest, Carlos Baleba të Brighton dhe Adam Wharton të Crystal Palace.
Megjithatë, United mund të kishte pritur që një tjetër lojtar me përvojë në Ligën Premier të bashkohej me skuadrën që në janar, pasi një mundësi konkrete iu ishte ofruar klubit anglez.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, ish-mesfushori i Leicester City dhe aktualisht pjesë e Besiktas, Wilfred Ndidi, iu ofrua Manchester Unitedit si një “opsion me kosto të ulët” gjatë afatit të dimrit, ndërsa lojtari ishte i interesuar për këtë lëvizje.
“Në aspektin e transferimeve, mund t’ju them se Wilfred Ndidi, ish-mesfushori i Leicester dhe tani te Besiktas, iu ofrua Manchester Unitedit”, deklaroi Romano në podcastin Here We Go këtë javë.
“Ishte një opsion me kosto të ulët dhe lojtari ishte shumë i interesuar për transferimin, por United vendosi menjëherë të mos vazhdojë tutje”.
“Ata patën mundësinë të realizonin një marrëveshje të tillë, por zgjodhën të mos e bëjnë”, përfundoi ai.
Ndidi ka një përvojë të madhe në Ligën Premier, ku ka luajtur për Leicester City mes viteve 2017 dhe 2025, duke regjistruar gjithsej 303 paraqitje me fanellën e “Dhelprave”./Telegrafi/






































