Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Fenerbahce triumfon ndaj Galatasarayt dhe e fiton Superkupën e Turqisë



Fenerbahce e ka fituar derbin e rivalëve të urryer ndaj Galatasaray për ta fituar Superkupën e Turqisë.

Fenerbahce zhvilloi një paraqitje solide për të triumfuar me rezultat 0-2.

Galata rrezioi fillimisht falë Mauro Icardit, që tentoi të shënonte me kokë megjithatë Sanchez me një super pritje ia mohoi golin.

Megjithatë, ishte Fenerbahce që e zhbllokoi rezultatin falë transferimit më të fundit, Matteo Guendouzi, i cili realizoi në debutim pas asistimit të Marcan (28’).

Ndërsa, ishte Jayden Oosterwolde që e vulosi fitoren pas harkimit fantastik të Marco Asensios (48’).

Turkcell Süper Kupa bizim!

Galatasaray’ı 2-0 mağlup ederek Süper Kupa’nın sahibi oluyoruz. pic.twitter.com/YS3dylKj5L
— Fenerbahçe SK (@Fenerbahce) January 10, 2026

Fenerbahce lehtësisht mund të shënonte edhe një gol por si Talisca ashtu edhe Yuksek dështuan t’i konkretizojnë.

Kësisoj, Fenerbahce ia bën sefte me trofe për vitin 2026 ndërsa Galatasarayt i mbetet të luftojë për titullin kampion në elitën e futbollit turk./Telegrafi/

Dani Caravajal e paralajmëron Barcelonën: Jemi shumë të motivuar, Mbappe do të jetë sërish vendimtar



Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, ka folur para finales së Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës, duke theksuar fokusin e skuadrës, rëndësinë e Kylian Mbappe dhe gjendjen morale brenda ekipit.

Kapiteni i madrilenëve u ndal fillimisht te roli i Mbappe, duke e cilësuar atë si një lojtar kyç për skuadrën e Carlo Ancelottit.

“Kylian është një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe shpresojmë që nesër të jetë në fushë, sepse ai mund të jetë vendimtar”.

Carvajal kishte edhe një mesazh të veçantë për tifozët e Real Madridit, duke kujtuar momentet e vështira që klubi ka kaluar ndër vite, por edhe sukseset e mëdha që kanë ardhur më pas.

“Do t’u thosha tifozëve të kthejnë kokën pas. Kam pasur një karrierë shumë të suksesshme, por edhe vite kur askush nuk na jepte shanse… dhe ne kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme. Jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme. Kemi shumë motivim dhe duam vërtet ta fitojmë trofeun”.

“Është gjithmonë e rëndësishme të fitosh një finale, veçanërisht kundër Barcelonës. Është një shtysë pozitive morale për të dyja palët. Kushdo që fiton nesër do të dalë më i fortë”.

Në fund, mbrojtësi i djathtë komentoi edhe mbi deklaratat e Xabi Alonsos dhe dinamikat brenda skuadrës, duke u ndalur te roli i Federico Valverdes në pozicione të ndryshme.

“Trajneri ka të drejtë për mendimin e tij. Fede mund të japë mendimin e vet, e kuptoj që nuk i pëlqen të luajë si mbrojtës i djathtë, por kur e bën këtë, ai jep gjithçka në pozicionin ku i kërkohet të luajë. Dhe kjo është ajo te e cila unë fokusohem”.

Përndryshe, përballja mes Realit dhe Barcelonës zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:00./Telegrafi

10 gola për kualifikim, Man City i pamëshirshëm ndaj klubit të divizionit të tretë



Manchester City është treguar tepër i pamëshirshëm ndaj Exeter, në kuadër të 1/32 së finales të FA Cup.

“Qytetarët” fituan me rezultat të thellë 10-1 pavarësisht që Pep Guardiola vendosi tërë formacionin e dytë.

Allenye kaloi vendasit në epërsi pas vetëm 12 minutave lojë, ndërsa ishte Rodri që me një gol fantastik e dyfishoi epërsinë (12’).

Situata veçse u përkeqësua për mysafirët kur shënuan dy autogola për pak minuta. Fillimisht Doyle-Hayes (42’), e pastaj Fitzwater (45+2’).

Transferimi më i i ri Semenyo pastaj debutoi me gol e asistim. Së pari dhuroi një top fantastik te Lewis, i cili çoi rezultatin në 5-0 (49’), ndërsa gjashtë minuta më vonë e dërgoi vetë topin brenda rrjetës (54’).

Reijnders realizoi golin e shtatë (72’), O’Reilly të tetin (79’) kurse McAidoo e vulosi fitoren e thellë (86’).

E tëra që bëri skuadra mysafire ishte goli i nderit, i shënuar nga Birch në minutën e fundit të ndeshjes (90’).

Krejt në fund, City realizoi sërish përmes Lewis, duke e konfirmuar epilogun përfundimtar prej 10-1 (90+1')./Telegrafi/

Deklaroi se ëndërron Real Madridin, Kompany: Lojtarët e Bayernit e ngacmuan Karl



Vetëm 17 vjeç, Lennart Karl po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen me paraqitjet e tij mbresëlënëse në fushë, por jo vetëm për shkak të talentit. Së fundmi, ylli i akademisë së Bayern Munich ka bërë bujë edhe me deklaratat rreth klubit të ëndrrave të tij.

Gjatë një vizite te një fan-klub, Karl u shpreh hapur për ambiciet e tij në të ardhmen.

“FC Bayern është një klub shumë i madh. Është një ëndërr të luash aty. Por në fund, patjetër që dua të shkoj te Real Madrid.”

Këto fjalë nuk kaluan pa u komentuar dhe u bënë temë diskutimi në media dhe rrjete sociale. Megjithatë, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, doli në mbrojtje të talentit të ri dhe foli me superlativa për të në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Wolfsburgut.

“Djali punon jashtëzakonisht shumë. Jo shumë 17-vjeçarë e bëjnë këtë. Ai ka shënuar disa gola shumë të bukur për ne në stërvitje, por mënyra se si punon në fazën mbrojtëse dhe si e ndihmon ekipin ka bërë që të marrë minuta loje me ne”.

Trajneri belg u ndal edhe te deklarata e Karl për Real Madridin, duke zbuluar se ajo ka qenë objekt shakash edhe brenda ekipit.

“Të gjithë kishin diçka për të thënë. Në Instagram, në TikTok, ju nga shtypi. Edhe djemtë në stërvitje e ngacmuan pak. Ishte qesharake”.

Megjithatë, Kompany vlerësoi mënyrën se si lojtari reagoi ndaj gjithë zhurmës mediatike, duke theksuar pjekurinë e tij për moshën që ka.

“Por më pëlqeu reagimi i tij. Ai u stërvit dhe luajti shumë, shumë mirë. Do të kisha folur me të nëse do të ishte stërvitur keq, por ndodhi e kundërta. Ai fokusohet te gjërat e duhura”, deklaroi ai./Telegrafi

“Nuk u largova shkaku i pagave të papaguara”, Florent Hasani thyen heshtjen, flet për kalimin te Amedspori



Sulmuesi kosovar Florent Hasani gjatë janarit bëri një lëvizje të bujshme për t’iu bashkuar liderit aktual të Ligës së Parë Turke, Amedspor nga Boluspori.

28-vjeçari ka qenë padyshim lojtari më i mirë te Boluspori, ku realizoi 14 gola brenda vetëm 19 paraqitjeve, ndërsa kishte raportime se largimi erdhi si pakënaqësi për disa paga të papaguara.

Megjithatë, Hasani në një intervistë për Telegrafi ka bërë me dije se këto nuk janë të vërteta, por thjesht e ka bindur oferta e Amedsporit.

Ai fillimisht falënderoi Bolusporin për mbështetjen, sidomos trajnerin që edhe ia dha shiritin e kapitenit, gjë që ndikoi t’i rritet besimi.

“Gjashtë muajt e parë kanë qenë fantastik, me ndeshje të mira e gola. Shpresoj që edhe në pjesën e dytë të sezonit të vazhdoj me këtë ritëm”.

“Sekreti ishte tek vetëbesimi që kisha. Isha i sigurt që do të kaloja një sezon të mirë, po ashtu edhe trajneri që më gradoj me shiritin e kapitenit ishte një shtysë e madhe që të jem lider dhe të jap më shumë se 100 për qind”.

I pyetur për arsyet e largimit, Hasani ishte i qartë: Erdhën ofertat pas formës së mirë, ndërsa Amedspori rezultoi të jetë skuadra e duhur.

“Jo, për pagat e papaguara gjithmonë ka zgjidhje, por pas gjysmë sezone shumë të mirë ofertat erdhën dhe kuptohet, bisedova me klubin dhe zgjodha ofertën më të mirë që erdhi”.

“Klubi mori shumën e transferit ngase kisha ende kontratë, kurse unë tash vazhdoj tek Amedspori, klub i madh me shumë tifozë pas vetës dhe favoriti kryesor për t’u inkuadruar në Superligë”.

Hasani ka mbetur i mahnitur gjithashtu edhe me pritjen fantastike që i është bërë që kur iu bashkua skuadrës turke.

“Pritja ishte jashtëzakonisht e mirë nga të gjithë, sidomos prej tifozëve. Filluam gjysmën e sezonit të dytë me një ndeshje derbi dhe kundërshtar direkt për inkuadrimin në Superligë. Atmosfera ishte perfekte, si dhe festa me tifozët pas ndeshjes”.

Në fund, sulmuesi kosovar nënvizoi se synimi kryesor mbetet inkuadrimi në elitën e futbollit turk.

“Objektivat e mia janë që të vazhdoj me të njëjtin ritëm dhe me gola deri në fund, si dhe që të inkuadrohemi në Superligë me ekipin”, përfundoi ai.

Në ndeshjen e parë, Hasani u inkuadrua në pjesën e dytë gjatë fitoes 1-0 të Amedsporit kudër Corum. Ai zhvilloi 24 minuta./Telegrafi/

Granit Xhaka protagonist, Sunderland pas penalltive eliminon Evertonin nga FA Cup



Sunderland ka shënuar fitore në penallti për ta eliminuar Evertonin nga FA Cup.

Edhe pse koha e rregullt përfundoi me rezultat 1-1, Sunderland shënoi fitore me rezultat 3-0 përmes penalltive, duke e siguruar “biletën” për në fazën tjetër.

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka dhuroi një tjetër paraqitje të shkëlqyer, ku nga “SofaScore” u vlerësua me notën 8.4, e dyta më e larta pas portierit Roefs.

Përndryshe, Xhaka edhe shënoi golin e dytë të Sunerlandit nga pika e bardhë, ku vendasit dështuan të shënojnë qoftë një, përmes Beto, Barry dhe Garner.

Kësisoj, Sunderland kualifikohet në 1/16 e finales ndërsa së shpejti do ta mësojë edhe kundërshtarin. Kujtojmë, fituesi i FA Cup njëkohësisht e siguron një vend që të dërgon në Ligën e Evropës për edicionin tjetër./Telegrafi/

Befasia e FA Cup, ekipi i Championshipit e eliminon Nottingham Forestin



Wrexham ka shkaktuar befasi të madhe në Championship për ta eliminuar Nottingham Forestin nga 1/32 e finales.

Wrexham arriti fitore në penallti me rezultat 4-3, pasi pas plot 120 minutave lojë rezultati doli të jetë 3-3.

Cacace kaloi vendasit në epërsi pas një aksioni të bukur, ku u asistua nga Dobson (37’). Ndërsa, tre minuta më vonë Rathbone dyfishoi epërsinë (40’).

Nottingham u këndell për të barazuar me Igor Jesus (64’), por 10 minuta më vonë vendasit shënuan edhe golin e tretë – falë Hyam (74’).

Sidoqoftë, mysafirët s’u dorëzuan. Fillimisht Hudson-Odoi shënoi golin e dytë (76’), ndërsa në minutën e fundit e dërgoi ndeshjen në vazhdime (89’).

Në kohën shtesë nuk kishte ndonjë gol, kësisoj fituesi u vendos në penallti. Wrexham arriti fitoren e madhe pasi Hutchinson dështoi në goditjen finale./Telegrafi/

A do të luajë Lionel Messi në Kupën e Botës? Scaloni jep detaje



Përzgjedhësi i Argjentinës Lionel Scaloni thotë se tetë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, do të vendosë vetë nëse dëshiron të merr pjesë në Kupën e Botës 2026.

Messi së fundmi rinovoi kontratën me Inter Miamin ndërsa ende është e paqartë nëse do të tentojë ta fitojë edhe një tjetër trofe me Argjentinën.

I pyetur për mundësinë që Messi të luajë sërish në Kupën e Botës, Scaloni tha se do të jetë vetë në duart e lojtarit.

“Jam takuar me Messin, jam shumë afër shtëpisë së tij. Për Kupën e Botës do të shohim më vonë, kemi biseduar për shumë gjëra por jo për këtë pjesë sepse ende ka kohë. Nuk duhet ta lodhim, le të jetë i qetë dhe do të vendosë”.

“Pastaj do të shohim çfarë është më e mira në bazë të këtij vendimi. Kemi biseduar për gjëra tjera, jo nëse ai do të jetë në Kupën e Botës ose jo”.

“Na që e njohim e kuptojmë se kurrë nuk do të jetë i qetë. Ka lindur garues, dëshiron të fitojë, dëshiron të luajë, gjithmonë të jetë aty. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për bashkëlojtarët, të cilët e shohin kapitenin të sillet ashtu dhe dëshiron të luajë për kombëtaren gjithmonë”.

Ndërkohë, Argjentina është një ndër favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës, pranë Francës, Brazilit, Spanjës e Anglisë./Telegrafi/

Pep Guardiola i entuziazmuar për transferimin e Semenyos: Faleminderit që na zgjodhe



Pep Guardiola ka shprehur kënaqësinë e tij pas konfirmimit të transferimit të Antoine Semenyo te Manchester City, marrëveshje që u zyrtarizua të premten.

Semenyo i dha fund aventurës së tij me Bournemouth duke shënuar golin e fitores në minutat shtesë ndaj Tottenhamit të mërkurën, përpara se të firmoste një kontratë pesëvjeçare e gjysmë me Cityn në “Etihad Stadium”.

Në sezonin aktual të Ligës Premier, Semenyo ka realizuar 10 gola dhe tre asistime, ndërsa vetëm dy lojtarë kanë kontribuar drejtpërdrejt në më shumë gola se ai: bashkëlojtari i tij i ri Erling Haaland (20 gola dhe katër asistime) dhe Igor Thiago (16 gola dhe një asistim).

Manchester City ka konfirmuar se Semenyo mund të debutojë që këtë fundjavë, në ndeshjen e raundit të tretë të FA Cup ndaj Exeter Cityt të shtunën, si dhe në gjysmëfinalen e parë të EFL Cup kundër Newcastle United të martën.

Guardiola theksoi se ishte shumë i kënaqur që lojtari zgjodhi Cityn, duke e parë atë si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv.

“Të gjithë i dinë cilësitë që ka – ka luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme me Bournemouthin në vitet e fundit dhe mund të luajë në të dy krahët”.

“Ai përdor të dyja këmbët në mënyrë të jashtëzakonshme. Mund të luajë edhe si sulmues qendre, falë shpejtësisë së tij. E njeh shumë mirë Ligën Premier, shumë klube e donin, por ai vendosi të vijë te ne. Gjithçka që mund të them është faleminderit dhe jemi shumë të kënaqur për vitet që vijnë”.

“Prej një kohe të gjatë e kemi ndjekur. Duke parë situatën që kemi me anësorët, me tre lojtarë specifikë si Oscar Bobb, Savinho dhe Jeremy Doku, na duhej të përforcoheshim për vitet e ardhshme, prandaj klubi vendosi ta marrë”.

“Ai është në moshën perfekte, vitet më të mira janë përpara. Të gjitha klubet përpiqen të sjellin lojtarë të rinj, por ai do ta ndërtojë karrierën dhe vitet më të mira pikërisht këtu”./Telegrafi

FC Prishtina huazon Diar Halilin te skuadra shqiptare



Klubi bardhëkaltër Prishtina e ka huazuar qendërmbrojtësin Diar Halili te skuadra shqiptare, KF Tirana.

Halili është huazuar për gjashtë muajt e mbetur mirëpo nuk dihet nëse do të ketë ndonjë opsion blerje.

“Futbollisti ynë, Diar Halili, do ta vazhdojë pjesën pranverore të sezonit 2025/26 te KF Tirana, pas arritjes së marrëveshjes për huazimin e tij.

Qendërmbrojtësi ynë kalon te ekipi bardh e blu, ku pritet të jetë një forcë shtesë për skuadrën kryeqytetase në misionin e këndelljes në pjesën e dytë të sezonit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e skuadrës kosovare.

Halili nuk ka pasur shumë minutazhë te Prishtina, ku këtë edicion ka zhvilluar vetëm edhe një ndeshje. Përndryshe, ai ka kontratë deri në vitin 2027./Telegrafi/

“makazze” me Navi-n dhe “krabeni” me Fut mësojnë kundërshtarët e parë për Blast



Si Natus Vincere ashtu edhe Fut Esports kanë mësuar kundërshtarët për eventin e parë të vitit 2026 për Counter Strike 2.

Në të dy ekipet e CS2-së ka nga një lojtar shqiptar të Kosovës, pra te NaVi siç dihet është Drin “makazze” Shaqiri, ndërsa te Fut – ish bashkëlojtari i tij, Aulon “krabeni” Fazlija.

Blasti do të jetë turneu i parë i madh i vitit 2026, ku ka një “pricepool” në vlerën e 500 mijë eurove, por që do të rritet kur skuadrat të mposhtin njëra-tjetrën.

Falë renditjes si NaVi ashtu edhe Fut nuk kanë pasur të drejtën të zgjedhin kundërshtarë, mirëpo janë zgjedhur nga ekipet “më të dobëta”.

OG ka vendosur të provojë vetën kundër Fut Esports, derisa NaVi do të ketë punë me ekipin e Monte.

BLAST Bounty Malta Draft Picks ‼️

> BB picked paiN
> FNATIC picked Astralis
> M80 picked GentleMates
> Passion UA picked GamerLegion
> HOTU picked Aurora
> NiP picked Liquid
> NRG picked HEROIC
> EYEBALLERS picked FaZe
> InnerCircle picked 3DMAX
> OG picked FUT
> 9INE picked… pic.twitter.com/7uhTV90oFq
— Ozzny (@Ozzny_CS2) January 9, 2026

Ndeshjet do të jenë të formatit “BO3”, kurse ekipet që humbasin do të eliminohen direkt. Kujtojmë, faza e parë e këtij formati do të jetë “online”, ndërsa e dyta do të zhvillohet në Malta.

Për të siguruar udhëtimin për në Maltë, ekipet duhet të hynë në top tetë më të mirat, pra thënë më thjeshtë – të fitojnë dy lojë./Telegrafi/

Alarmohen gjigantët evropianë, Ousmane Dembele refuzon rinovimin me PSG-në



Përpjekjet e Paris Saint-Germain për ta rinovuar kontratën e Ousmane Dembeles kanë hasur menjëherë në vështirësi, pasi fituesi i fundit i Topit të Artë pritet ta refuzojë ofertën fillestare të klubit.

Sipas raportimit të RMC Sport, PSG i ka ofruar reprezentuesit francez një kontratë me vlerë rreth 30 milionë euro në vit, ndonëse marrëveshja aktuale e tij është e vlefshme deri në vitin 2028.

Megjithatë, përfaqësuesit e Dembeles po kërkojnë pothuajse dyfishin e kësaj shume, çka bën që bisedimet të jenë ende larg një marrëveshjeje konkrete.

28-vjeçari vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm 2024/25, i cili u kurorëzua me fitimin e Topit të Artë, çmimit “The Best” nga FIFA dhe trofeut të Lojtarit më të Mirë të Ligës së Kampionëve, ndërsa PSG arriti të fitojë për herë të parë në histori titullin evropian.

Roli vendimtar i Dembeles në këtë sukses historik ka forcuar ndjeshëm pozitat e tij në negociata, me anësorin që kërkon një pagë që pasqyron statusin e tij aktual si lojtarit më i mirë në botë.

Ndërkohë, PSG është duke shtyrë përpara një projekt të madh përforcimesh, por njëkohësisht po tregohet e kujdesshme për ruajtjen e ekuilibrit në strukturën e pagave. Klubi po favorizon kontrata me bonuse të larta, një strategji që dështoi verën e kaluar në rastin e Gianluigi Donnarumma, i cili përfundimisht u largua drejt Manchester Cityt.

E njëjta qasje po ndiqet edhe në rastin e Dembeles, teksa drejtuesit parizienë synojnë të blindojnë lojtarë kyç si Willian Pacho, pa e rritur ndjeshëm nivelin e pagave fikse në skuadër./Telegrafi

Senegali me mund eliminon Malin, avancon në gjysmëfinale



Kombëtarja e Senegalit ka shënuar fitore minimale ndaj Malit, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës.

Senegali triumfoi me rezultat 0-1, sfidë që ishin dukshëm më të mirë por dështuan t’i finalizojnë rastet.

Mali fillimisht rrezikoi përmes Gassama që tentoi të shënonte nga afërsia por nuk arriti ta finalizonte.

Pas një gabimi të portierit, përfitoi Ilmiman Ndiaye që shënoi nga afërsia për ta zhbllokuar rezultatin (27’).

Situata për Malin veçse u përkeqësua kur kapiteni Yves Bissouma mori kartonin e dytë të verdhë dhe si pasojë u përjashtua nga fusha (45+3’).

Senegali në pjesën e dytë ishte larg më e mirë. Krijuan disa raste të rrezikshme përmes Gueye e Diallo mirëpo s’i finalizuan.

Kësisoj, Senegali bëhet gjysmëfinalisti i parë i Kupës së Afrikës, aty ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Kamerun – Maroku./Telegrafi

Humbi mbi 50 kilogramë, Granit Shala tani po synon tituj në boks



Boksieri shqiptar Granit Shala po synon të shndërrohet në shpresën e radhës të Gjermanisë në kategorinë e peshave të rënda.

Kur Kabayel rikthehet në ring në Gjermani më 10 janar në “Oberhausen” pas gati tre vitesh mungesë, edhe Shala do të boksojë para rreth 13 mijë shikuesve, në eventin më të madh të boksit në Gjermani që nga fundi i epokës Klitschko.

Ndërsa talente të tjera të peshave të rënda e kanë lënë pa shpjegim këtë mundësi për t’u prezantuar para një audience kaq të madhe, boksieri nga Mynihu, me bilanc 18 fitore dhe një humbje, është i vendosur ta shfrytëzojë maksimalisht shansin e tij. Në “Oberhausen”, ai do të përballet me kroatin e fortë Peter Milas, i cili ka 19 fitore dhe një humbje në karrierë.

“Pa Agitin, një event i tillë nuk do të ishte fare i mundur në Gjermani. Kjo është mundësia perfekte për të treguar aftësitë e mia. Jam shumë mirënjohës për këtë shans dhe do të përpiqem të ndjek të njëjtën rrugë”.

Shala, i renditur aktualisht i 86-ti në botë, është tashmë pjesë e 100 boksierëve më të mirë të peshave të rënda. Një arritje që pak kush do ta kishte parashikuar gjatë fëmijërisë së tij. Ai ka treguar se rruga drejt ringut ka qenë gjithçka tjetër veçse e lehtë.

“Si fëmijë isha shumë mbipeshë, mbi 100 kilogramë që në moshën 9-vjeçare. Për këtë arsye më bullizonin në shkollë. Ishte një periudhë shumë e vështirë nga ana psikologjike”.

Granit Shala

Boksi i dha vetëbesim dhe motivim, por mbipesha i krijoi vështirësi edhe aty. Përvojat e para në gara nuk ishin aspak të lehta për të.

“Kur hyra për herë të parë në Kampionatin Gjerman, njerëzit qeshnin. As brezi nuk më dukej, sepse barku më varej mbi të”.

Megjithatë, pavarësisht paragjykimeve, Shala pati një karrierë të suksesshme amatore me rreth 80 ndeshje, duke u shpallur kampion i Gjermanisë gjashtë herë te të rinjtë dhe nënkampion në kategorinë e të rriturve.

Në vitin 2017, ai kaloi në boksin profesionist. Në atë kohë peshonte mbi 160 kilogramë dhe konsumonte litra çaji të ftohtë dhe kola. Me ndihmën e trajnerit të tij, Agron Kurtishi, Shala ndryshoi rrënjësisht stilin e jetesës, humbi mbi 50 kilogramë dhe nisi ngjitjen e vazhdueshme në renditje.

Në prill të vitit 2024, ai pësoi humbjen e parë në karrierën profesionale, në një duel për titullin prestigjioz evropian EBU ndaj Oleksandr Zakhozhyi. Një moment i vështirë, por vendimtar për pjekurinë e tij si sportist.

“Ishte një periudhë shumë e rëndë. Por më bëri më të fortë. Janë pikërisht këto momente që e formojnë një kampion”.

Pas kësaj humbjeje, Shala u rikthye fuqishëm, duke fituar tre ndeshjet e radhës, mes tyre edhe ndaj të pamposhturit Daniel Dietz. Tashmë, ai synon të vazhdojë ngjitjen në renditje me një fitore ndaj ndoshta kundërshtarit më të fortë të karrierës së tij, duke shpresuar se Oberhauseni do të jetë skena e hapit të radhës drejt majës./Telegrafi

“Në kontakt”, Arsenali hyn fuqishëm në garë për objektivin e Manchester Cityt dhe Liverpoolit



Arsenali është shfaqur si një pretendent serioz për kapitenin e Crystal Palace, Marc Guehi, duke e komplikuar edhe më shumë përpjekjen e Manchester Cityt për ta transferuar qendërmbrojtësin e shumëkërkuar gjatë afatit kalimtar të janarit.

Man City pritet të jetë sërish aktiv këtë muaj. Skuadra e Pep Guardiolës vazhdon të jetë në garë në të katër kompeticionet, por synon përforcime shkaku se ka humbur disa yje si pasojë e lëndimeve.

Josko Gvardiol është detyruar të qëndrojë jashtë për një periudhë të pacaktuar pasi pësoi një lëndim në kockën e këmbës, e cila kërkoi ndërhyrje kirurgjikale.

Edhe Ruben Dias u lëndua në të njëjtën ndeshje ndaj Chelseat dhe pritet të mungojë nga katër deri në gjashtë javë për shkak të një problemi muskulor.

Këto zhvillime të pafavorshme e kanë shtyrë Cityn të rrisë interesimin për një transferim të Guehit në janar, sidomos duke pasur parasysh se kontrata e tij me Crystal Palace skadon pas vetëm gjashtë muajsh. Kjo situatë ka bërë që edhe klubet e tjera të interesuara të rishfaqen fuqishëm në garë.

A depleted defence has Man City looking at signing Marc Guehi this window. pic.twitter.com/6ys6S5yjro
— Sports Illustrated FC (@SI_FootballClub) January 7, 2026

Interesimi afatgjatë i Arsenalit për ndërkombëtarin anglez raportohet se mbetet shumë aktiv. Liderët aktualë të Liga Premier e shohin Guehin si një opsion për repartin defensiv për verën e ardhshme, ndonëse ende nuk ka qartësi për afatin kohor të një lëvizjeje të mundshme.

Trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, ka pranuar se klubi do të detyrohet të pranojë një ofertë të përshtatshme për kapitenin e tij këtë muaj.

Në garë mbetet edhe Liverpooli, i cili ishte shumë pranë transferimit të Guehit verën e kaluar. Megjithatë, “The Reds” duket se do të presin deri në korrik për t’iu afruar lojtarit si lojtar i lirë.

Ndërkohë, edhe Atletico Madridi, Bayern Munich dhe Barcelona po monitorojnë situatën për një lëvizje në fund të sezonit./Telegrafi

Deco konfirmon ardhjen e Joao Cancelos te Barcelona: Na rrit cilësinë e skuadrës



Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco ka konfirmuar se Joao Cancelo pritet të bashkohet shumë shpejt me klubin katalunas.

Pas raportimeve se mbrojtësi portugez kishte rënë dakord për një huazim nga Al-Hilal të hënën, trajneri Hansi Flick kishte theksuar se marrëveshja ende nuk ishte mbyllur plotësisht. Megjithatë, deklaratat e fundit të Decos dhe presidentit Joan Laporta tregojnë se transferimi tashmë është në rrugën e duhur për t’u finalizuar.

Duke folur për mediat, Deco shpjegoi arsyet pse klubi vendosi të veprojë për Cancelon.

“Ne e nënshkruam Cancelon sepse është një lojtar që e rrit cilësinë e skuadrës. Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi në afatin kalimtar të dimrit është përmirësimi. Të mbetesh i njëjti ose të përkeqësohesh nuk ka kuptim. Nuk është çështje vetëm e qendërmbrojtësve, Ronald do të rikthehet dhe trajneri e ka thënë tashmë se me të kemi një tjetër qendërmbrojtës”.

“Cancelo gjithashtu i jep mundësi Ericut të mos luajë si mbrojtës krahu, një pozicion që e ka mbuluar shpesh. Po ashtu, ai i jep mundësi Kounde të luajë në qendër në raste emergjente, duke na ofruar më shumë opsione se më parë”.

Deco shtoi gjithashtu se marrëveshja u lehtësua ndjeshëm nga disa rrethana specifike që lidhen me vetë lojtarin.

“Ai është një lojtar cilësor, i nivelit të lartë, dhe normalisht do të ishte një transferim shumë i vështirë për t’u realizuar, por pati disa rastësi të favorshme: ai nuk ishte i regjistruar, kishte një marrëveshje për t’u larguar dhe gjithmonë ka qenë i dashuruar me Barcelonën”.

“Kur të vijë, ai pranon një ulje page për shkak të tërheqjes që ka ky klub dhe sepse përshtatet me atë që ne mund të bëjmë. Siç thashë, në janar donim të rrisnim cilësinë”.

Një natë më parë, edhe presidenti Joan Laporta kishte folur për këtë marrëveshje, duke ia atribuar suksesin Decos.

“Ky është një tjetër sukses i Decos. Nënshkrimet në afatin kalimtar të dimrit nuk janë të lehta. Si lojtari ashtu edhe agjenti i tij, Jorge Mendes, bënë pjesën e tyre duke pranuar një ulje të konsiderueshme page. Hansi e ka dhënë miratimin e tij për këtë marrëveshje”./Telegrafi

Historia në anën e Barcelonës: Rekordi perfekt i Hansi Flick para finales së Superkupës ndaj Real Madridit



Barcelona hyn në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Real Madridit me një avantazh të fortë psikologjik, falë rekordit mbresëlënës të trajnerit Hansi Flick në ndeshjet finale.

Tekniku gjerman mbetet i pathyeshëm në duelet vendimtare, me shtatë fitore në shtatë finale si trajner i Barcelonës.

Flick vjen në këtë përballje pas një fitoreje bindëse 5-0 ndaj Athletic Bilbaos në gjysmëfinale, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të skuadrës së tij. Ajo që e bën edhe më të frikshëm këtë rekord është fakti se trajneri gjerman nuk ka humbur asnjë finale gjatë gjithë karrierës së tij, përfshirë edhe dy fitore të mëparshme pikërisht ndaj Real Madridit.

Seria e sukseseve të Flick në finale nisi në vitin 2020 me Bayern Munichun, ku ai fitoi Kupën e Gjermanisë (4-2 ndaj Bayer Leverkusenit), Ligën e Kampionëve (1-0 ndaj PSG-së), Superkupën e Evropës (ndaj Sevillës), Superkupën e Gjermanisë (ndaj Dortmundit) dhe Kupën e Botës për Klube (ndaj Tigres), në një periudhë historike për klubin bavarez.

Që nga marrja e drejtimit të Barcelonës, Flick e ka vazhduar këtë ecuri perfekte. Ai udhëhoqi katalanasit drejt një fitoreje spektakolare 5-2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës sezonin e kaluar, ndërsa më 26 prill 2025 triumfoi sërish ndaj rivalit të përjetshëm, këtë herë me rezultatin 3-2 pas vazhdimeve në finalen e Kupës së Mbretit.

Finalja e së dielës do të shënojë një moment të veçantë për Flick, pasi për herë të parë në karrierë do të luajë finalen e të njëjtit kompeticion për herë të dytë radhazi.

Nga ana tjetër, Real Madridi vjen në këtë përballje pas një fitoreje të vështirë 2-1 ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinale.

Kujtojmë, “El Clasico” do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:00./Telegrafi

I padiskutueshëm për Mikel Artetan, Arsenali e "blindon" yllin e skuadrës



Sipas gazetarit të “The Athletic”, David Ornstein, Bukayo Saka ka arritur marrëveshje për një kontratë të re dhe të përmirësuar pesëvjeçare me Arsenalin, e cila do ta mbajë atë në “Emirates Stadium” deri në vitin 2031.

Kontrata aktuale e anësorit anglez do të skadonte pas 18 muajsh dhe drejtuesit e klubit londinez ishin të vendosur të mos rrezikonin humbjen e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Marrëveshja e re reflekton qartë statusin e Sakës si një nga lojtarët kryesorë të Arsenalit dhe të kombëtares angleze, si në arenën vendase ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Ai është kthyer në një figurë kyçe të projektit të klubit dhe një nga emrat më të spikatur në Liga Premier.

Në sezonin aktual, 24-vjeçari ka qenë vendimtar për “Topçinjtë”, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar katër asistime në 27 paraqitje në të gjitha garat, statistika që dëshmojnë rëndësinë e tij në skuadrën e Mikel Artetës.

Kësisoj, pas Salibas – Arsenali kompleton edhe një marrëveshje ndërsa është i fokusuar edhe në rinovimin e kontratave të disa lojtarëve të tjerë që janë pjesë e padiskutueshme e formacionit bazë të Mikel Artetas.

Arsenali përndryshe shihet si favoriti kryesor për ta fituar Ligën Premier, me 49 pikë, gjashtë mbi Man Cityn./Telegrafi

Klubi i njohur francez rivalizon Gironën për Kristjan Asllanin



Përpos Gironas, edhe klubi francez Paris FC është bashkuar në garë për shërbimet e mesfushorit të Interit, Kristjan Asllani.

Ylli shqiptar do të rikthehet te Interi këto ditë meqenëse Torino ka vendosur t’ia ndërprejë huazimin sepse nuk do ta aktivizojnë klauzolën e blerjes.

Sipas “Sportmediaset”, Paris FC ka kontaktuar Interin për 24-vjeçarin dhe e kanë bërë top prioritet për ta sjellë këtë afat dimëror, pasi besojnë se është i duhuri që ta përforcojë skuadrën.

Opsioni më konkret megjithatë mbetet Girona, të cilët kanë mësuar të gjitha detajet e transferimit të mundshëm të yllit që luan në Serie A.

Asllani që verës u huazua te Torino e ka humbur vendin e titullarit, ndërsa ka zhvilluar 15 paraqitje në këta gjashtë muaj si lojtar i klubit italian.

Vlera e këtij të fundit shkon në kuotën e 13 milionë eurove, kurse Interi thuhet se dëshiron ta shesë për një çmim edhe më të ulët pasi nuk e ka në planet afatgjatë./Telegrafi/

Barcelona largohet nga gara për yllin anglez, shkak gjendja financiare



Barcelona ka vendosur të mos ndjekë më transferimin e qendërmbrojtësit të Crystal Palace, Marc Guehi, gjatë afatit kalimtar të verës, pavarësisht interesimit të mëparshëm.

Sipas gazetarit Ben Jacobs, drejtuesit e klubit katalanas kanë zhvilluar një takim me agjentin e Guehit, por kanë zgjedhur të mos avancojnë më tej bisedimet, duke përjashtuar praktikisht mundësinë e afrimit të tij si lojtar i lirë.

Ky vendim vjen në një moment kur konkurrenca për shërbimet e qendërmbrojtësit është shumë e fortë, me disa nga klubet më të mëdha të Evropës, si Manchester City, Liverpool dhe Real Madridi, që po e monitorojnë nga afër situatën e tij.

Nga ana tjetër, Crystal Palace raportohet se është e hapur për një shitje që në afatin e janarit, por kërkon një shumë të konsiderueshme financiare. Kjo e bën një lëvizje të menjëhershme pothuajse të pamundur për Barcelonën, duke marrë parasysh kufizimet e vazhdueshme financiare të klubit.

Marc Guehi ishte parë si një alternativë relativisht ekonomike për të mbushur boshllëqet e mundshme në repartin defensiv, në rast të largimeve të Andreas Christensen dhe Inigo Martinez. Profili i tij përputhej me strategjinë e klubit për afrime të kujdesshme dhe me kosto të ulët.

Megjithatë, realiteti financiar i Barcelonës ka detyruar një rishikim të planeve, me drejtuesit që tashmë po i japin përparësi opsioneve të tjera, më të përshtatshme me buxhetin aktual dhe vizionin sportiv të skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick./Telegrafi

❌