Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zyrtare: Pas disa problemeve, Joao Cancelo prezantohet te Barcelona



Pas një episodi të gjatë dhe të tensionuar, FC Barcelona më në fund konfirmoi nënshkrimin e huazimit të Joao Cancelos nga Al-Hilal.

Lajmi u bë i ditur fillimisht nga rrjetet sociale dhe faqja zyrtare e klubit katalanas, por disa minuta më vonë postimet u fshinë për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm nga ana e klubit saudit.

Mbrojtësi portugez, 31-vjeçar, ka mbërritur në Barcelonë me një fluturim privat për t’u nënshtruar testit mjekësor dhe për të finalizuar kontratën.

Once a culer, always a culer 💙❤️ pic.twitter.com/5xMYxnCMqP
— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 13, 2026

Prezantimi i tij zyrtar ishte planifikuar për në orën 13:30, por përfundimisht u shty deri në orën 16:45 për shkak të nevojës për të shkëmbyer dokumentet për transferimin ndërkombëtar.

Cancelo do të mbajë fanellën me numrin ‘2’, të njëjtin që kishte gjatë huazimit të tij në sezonin 2023-24.

Në zyrat e Barçës, Cancelo nënshkroi kontratën e tij në prani të presidentit Joan Laporta, zëvendëspresidentit Rafa Yuste, drejtorit të futbollit Deco, anëtarit të bordit Joan Soler dhe familjes së tij.

Our No. 2️⃣ pic.twitter.com/jtgExyvhga
— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 13, 2026

Finalizimi i marrëveshjes ishte vetëm çështje kohe sapo dokumentet të mbërrinin nga Al-Hilal. /Telegrafi/

Galatasaray bën ofertë për Arbër Hoxhën, por refuzohet nga Dinamo që preferon ofertë nga tjetri gjigant turk



Galatasaray ka dërguar një ofertë zyrtare për Arbër Hoxhën, por Dinamo Zagrebi nuk është i gatshëm ta shqyrtojë largimin e sulmuesit shqiptar në këtë fazë të sezonit.

Sipas raportimeve te mediave turke dhe kroate, gjiganti kroat e konsideron Hoxhën një pjesë shumë të rëndësishme të skuadrës dhe planifikon ta mbajë atë edhe për pjesën pranverore të kampionatit.

Brenda klubit vlerësohet kontributi i tij në fazën vjeshtore dhe pritshmëritë janë që ai të vazhdojë të ketë rol kyç edhe në muajt në vijim.

Edhe pse Galatasaray ka shfaqur interes konkret, një transferim aktualisht nuk është në tryezë. Raportohet se një ofertë më bindëse nga Fenerbahçe – në një marrëveshje të mundshme që lidhet edhe me portierin Dominik Livaković (Fenerbahce) – do të ishte më e pranueshme për Dinamon, por situata mund të ndryshojë vetëm nëse paraqitet një propozim financiar i konsiderueshëm para mbylljes së afatit kalimtar.

Arbër Hoxha po kalon një sezon pozitiv me Dinamon, ku në 17 paraqitje në ligën vendase ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 3 asistime. Me Kombëtaren e Shqipërisë, ai numëron 21 paraqitje dhe 1 gol.

🚨 #TRANSFER
Galatasaray, rotasyonu güçlendirmek adına Dinamo Zagreb’in Arnavut milli yıldızı Arbër Hoxha için resmi teklif yaptı.

Yönetim, bu transferle kulübe zenginliği yaratmayı hedefliyor. 🟡🔴 pic.twitter.com/6Sh7uILD2G
— Spor Bülteni (@sporbultenicom) January 13, 2026


Kontrata e 27-vjeçarit me Dinamo Zagrebin është e vlefshme deri në qershor 2029, ndërsa vlera e tij aktuale në treg, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 2.5 milionë euro. Përveç Galatasarayt, interes për shërbimet e tij ka shfaqur edhe Hull City.

Dinamo Zagrebi e kishte transferuar Hoxhën në janar të vitit 2024 për një shumë të raportuar rreth 1 milion euro./Telegrafi/

Khabib i del në krah Alonsos: Real Madridi iu lut, tani e shkarkoi për shkak të fëmijëve të llastuar



Ish-kampioni i pamposhtur i UFC-së dhe tashmë trajner, Khabib Nurmagomedov, ka reaguar publikisht ndaj shkarkimit të Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të Real Madridit, duke dalë hapur në mbështetje të teknikut spanjoll.

“Nuk ka rëndësi nëse je në palestër apo në fushë, nëse punon me luftëtarë apo futbollistë – si trajner je shefi dhe udhëheqësi. Por nëse në ekipin tënd ekziston një ambient ku kërkesat e tua nuk respektohen, atëherë nuk jeni në të njëjtën rrugë,” ka shkruar Nurmagomedov.

Khabib vlerësoi lart figurën e Alonsos, duke e renditur atë mes trajnerëve më të mirë të epokës moderne.

“Unë besoj se Alonso është ndër tre trajnerët më të mirë sot. Nëse ekipi nuk ka funksionuar me të, atëherë duhet të ndryshohen lojtarët, jo trajneri,” theksoi ai.

Në një reagim edhe më të ashpër në rrjetet sociale, ish-luftëtari i MMA-së kritikoi kulturën e dhomës së zhveshjes në Madrid.

“Jam absolutisht i sigurt se asnjë trajner nuk do të merrej lehtë me një skuadër si kjo e Real Madridit. Duhet të heqësh qafe lojtarët problematikë. Një vit më parë e luteshin, tani e shkarkojnë për shkak të fëmijëve të llastuar. Xabi, TI JE MË I MIRI,” shkroi Khabib.

Nurmagomedov, i cili ka pranuar më herët se është tifoz i Real Madridit që nga viti 1998, e lidh pasionin e tij me finalen e Ligës së Kampionëve të atij viti.

Ndërkohë, sipas raportimeve të “The Athletic”, arsyeja kryesore e largimit të Alonsos lidhet me mosmarrëveshje të brendshme me disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, përfshirë Vinícius Júnior, Federico Valverde dhe Jude Bellingham, të cilët nuk ishin të kënaqur me qasjen taktike dhe stilin e menaxhimit të trajnerit.

Një tjetër version vjen nga radiostacioni spanjoll “La SER”, i cili citon një deklaratë të Alonsos në momentin e largimit.

“Nuk mund t’u japësh lojtarëve kaq shumë pushtet. Është e pamundur që një trajner të ketë autoritet në dhomën e zhveshjes nëse klubi është gjithmonë në anën e lojtarëve”, kishte thënë spanjolli. /Telegrafi/

Zyrtare: Besfort Zeneli bën hapin më të madh në karrierë, nënshkruan me Union Saint-Gilloise



Mesfushori shqiptar nga Kosova, Besfort Zeneli, ka bërë hapin më të madh të karrierës së tij duke nënshkruar kontratë afatgjatë me kampionin e Belgjikës, Union Saint-Gilloise.

Zeneli (23) i bashkohet Unionit me efekt të menjëhershëm nga klubi suedez Elfsborg dhe ka firmosur kontratë deri në qershor të vitit 2030.

I rritur dhe formuar në akademinë e Elfsborgut, Zeneli u dallua që në moshë të re si një lider natyral. Në vitin 2021, ai pati një sezon të jashtëzakonshëm me ekipin U19, ku si kapiten shënoi 19 gola në vetëm 16 ndeshje.


Debutimin në Allsvenskan e bëri në shtator të vitit 2022, ndërsa në vitin 2024 u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të ekipit të parë.

Sezonin e fundit, Zeneli mbante rregullisht shiritin e kapitenit te Elfsborg, klub me të cilin regjistroi gjithsej 93 paraqitje, duke realizuar 5 gola dhe dhënë 15 asistime. Elfsborg e mbylli sezonin në vendin e tetë në kampionatin suedez.

Besfort Zeneli është vëllai i Arbër Zenelit, ish-yllit të Kombëtares së Kosovës, i cili ka shkëlqyer dikur me fanellën e “Dardanëve”.

Ndryshe nga Arbëri, Besforti ka zgjedhur të përfaqësojë Suedinë në nivelin A, pas paraqitjeve me Kosovën U21. Ai ka regjistruar deri më tani 5 paraqitje me kombëtaren suedeze, debutimin e së cilës e bëri më 22 mars 2025 ndaj Luksemburgut.


“Pas bisedës së parë me drejtuesit e Unionit, i thashë menjëherë agjentit tim se doja të vija këtu. Është një klub familjar, por në nivelin më të lartë”, ka deklaruar Zeneli për faqen zyrtare të klubit belg.

Te Union Saint-Gilloise, mesfushori kosovar do të mbajë fanellën me numrin 23. /Telegrafi/

Antonio Conte merr dënim të lartë për kartonin e kuq ndaj Interit



Trajneri i Napolit, Antonio Conte, është dënuar me dy ndeshje pezullim në Serie A dhe me një gjobë prej 15 mijë eurosh, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e së dielës kundër Interit në “Giuseppe Meazza”.

Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga Lega Serie A, e cila sqaroi se Conte nuk do ta udhëheqë Napolin nga stoli në dy ndeshjet e ardhshme kampionale, ndaj Parmës dhe Sassuolos.

Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të sfidës kundër Interit, pasi vendasit fituan një penallti pas rishikimit me VAR. Conte reagoi ashpër ndaj vendimit, duke humbur kontrollin emocional.

Tekniku italian goditi topin nga zona teknike, veprim që solli kartonin e kuq. Para se të largohej nga fusha, ai gjithashtu hodhi një shishe në tokë dhe bërtiti me tone të ashpra në drejtim të gjyqtarit të katërt.

Napoli rikthehet në aksion që nesër, në ndeshjen e riplanifikuar të javës së 16-të kundër Parmës në shtëpi, ndërsa të shtunën do të përballet me Sassuolon, po ashtu në stadiumin “Diego Armando Maradona”, pa praninë e Contes në stol.

- YouTube www.youtube.com

Në të njëjtën xhiro të Serie A, kartonë të kuq morën edhe trajnerët Paolo Vanoli (Fiorentina) dhe Davide Nicola (Cremonese), por ndryshe nga Conte, ata u ndëshkuan vetëm me nga një ndeshje pezullim. /Telegrafi/

LeBron bleu 2% të aksioneve të Liverpoolit për 5.6 milionë euro në vitin 2011 - sot vlera e tyre është marramendëse



Investimi i superyllit të NBA-së, LeBron James, në Liverpool Football Club në vitin 2011 ka rezultuar jashtëzakonisht fitimprurës.

James bleu atë vit 2% të aksioneve të klubit për 5.6 milionë euro, një lëvizje që tani vlen dhjetëra herë më shumë.

Në atë kohë, Forbes vlerësoi Liverpoolin rreth 473 milionë euro, dhe aksionet e James reflektonin një pjesëmarrje të vogël në një klub me perspektiva të mëdha.

Sot, vlera e klubit është rreth 4.1 miliardë euro, që do të thotë se 2% e aksioneve është rreth 82.3 milionë euro – një rritje prej rreth 1,400% nga investimi fillestar i yllit të basketbollit.

In 2011, LeBron James acquired 2% of Liverpool for $6.5 million. At that time, the total value of the club was approximately $325 million.

Today, with Liverpool’s current estimated valuation of $4.8 billion, 2% of that value would be approximately $96 million.

This means his… pic.twitter.com/m8ZpsL0TTB
— The Footy Section (@FTBLsection) January 12, 2026


Në vitin 2021, James shndërroi aksionet e tij direkte në Liverpool në një pjesëmarrje 1% në Fenway Sports Group (FSG), kompania ombrellë që menaxhon klubin. FSG ka një portofol të pasur me asete, përfshirë Boston Red Sox dhe Pittsburgh Penguins, duke e bërë investimin e James pjesë të një strategjie më të gjerë biznesi.

Sipas Forbes, FSG vlerësohet në 11.1 miliardë euro në vitin 2024, që do të thotë se aksionet e LeBronit prej 1% vlejnë rreth 111 milionë euro – një rritje gati njëzetfish nga investimi fillestar.

Rritja e vlerës së aksioneve lidhet me disa faktorë, përfshirë sukseset sportive të Liverpoolit, përfshirë fitimin e titullit të 20-të anglez në vitin e kaluar, performancën e fortë tregtare dhe zgjerimin e markës në tregjet globale, veçanërisht në Azinë dhe Amerikën e Veriut. /Telegrafi/

Spalletti tregon se cilat janë dy ekipet që janë mbi nivelin e Juventusit



Pas fitores spektakolare 5-0 ndaj Cremonese në javën e 20-të të Serie A, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, theksoi se ekipi i tij ende nuk është në nivelin e Inter dhe Napolit, duke vënë në dukje se ka shumë për t’u përmirësuar për të konkurruar në krye të kampionatit.

Juventusi shfrytëzoi mundësinë për të ngushtuar diferencën me rivalët, duke shënuar me Bremer, Jonathan David, Kenan Yildiz, Weston McKennie dhe Filippo Terracciano (autogol), për të shënuar një fitore të thellë ndaj skuadrës së Davide Nicolas.

“Kam parë Inter-Napoli dhe ata treguan futboll në nivel të lartë, me lojë të hapur dhe karakter, duke reflektuar idetë e trajnerëve të tyre. Ne duhet të përmirësohemi shumë për t’iu afruar këtij niveli,” deklaroi Spalletti pas ndeshjes.

Spalletti gjithashtu komentoi vendimet e diskutueshme të gjyqtarit dhe VAR-it, duke thënë se sipas tij asnjë nga penalltitë e dhëna gjatë ndeshjes nuk duhej të ishte ekzekutuar, por pranoi se skuadra e tij kishte kontrolluar lojën.

Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në 39 pikë, duke u barazuar me Napolin dhe Romën, por ende ka më pak ndeshje të luajtura, ndërsa takimi i radhës do të jetë kundër Napolit të Antonio Contes.

Që nga marrja e detyrës në nëntor, Spalletti ka grumbulluar 24 pikë në Serie A me shtatë fitore, një më pak se lideri Inter, duke treguar përmirësime të dukshme, por ai thekson se për të arritur nivelin e Inter dhe Napolit, Juventusi ka ende rrugë për të bërë.

Spalletti është i fokusuar tek performanca e lojtarëve dhe përmirësimi i ekipit, duke hedhur poshtë mundësinë e rinovimit të kontratës së tij, e cila skadon më 30 qershor 2026.

“Këta lojtarë janë të fortë dhe të shpejtë, dhe ata do të na ndihmojnë të bëjmë përmirësimet e nevojshme për të konkurruar me ekipet më të mira në Serie A, si Napoli dhe Inter”, nënvizoi ai. /Telegrafi/

Pintus, çelësi i kthesës së Real Madridit pas largimit të Xabi Alonsos



Real Madridi ka ndërmarrë masa të rëndësishme pas humbjes së thellë në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, një disfatë që jo vetëm nxori në pah problemet e skuadrës, por edhe përshpejtoi vendimin për ndarjen me trajnerin Xabi Alonso.

Brenda drejtuesve të klubit ekzistonte bindja se projekti i trajnerit Alonso nuk arriti kurrë të konsolidohej plotësisht. Përtej vështirësive në zbatimin e filozofisë së tij të lojës, shqetësimi kryesor lidhej me gjendjen fizike të ekipit.

Lëndimet e shpeshta dhe rënia e dukshme e intensitetit në momentet vendimtare të ndeshjeve u konsideruan faktorë kyç që çuan në ndërprerjen e bashkëpunimit.

Në këtë situatë, rikthimi i Antonio Pintus shihet si një lëvizje strategjike. Trajneri i njohur i përgatitjes fizike, një emër i respektuar prej vitesh në Valdebebas, rikthehet me misionin për të rikthyer ekipin në nivelin optimal fizik.

Brenda klubit besohet se përvoja dhe metodologjia e tij mund të jenë vendimtare për të ndryshuar ecurinë negative.

Ndryshimi në bankinë kompletohet me promovimin e Alvaro Arbeloas, ish-trajnerit të Castillas, i cili merr drejtimin e ekipit të parë.

Drejtoria sportive, me mbështetjen e presidentit Florentino Pérez, është e bindur se bashkëpunimi mes Arbeloas në aspektin taktik dhe Pintusit në përgatitjen fizike mund t’i japë Real Madridit stabilitet dhe konkurrueshmërri në fazën vendimtare të sezonit.

Vendimi u miratua këtë të hënë nga Bordi i Drejtorëve të klubit, i cili mbështeti unanimisht ndryshimin e kursit, me bindjen se kjo fazë e re do ta rikthejë Real Madridin në nivelin që pritet nga një klub i përmasave të tij./Telegrafi/

Paris FC shkakton termet, eliminon PSG-në nga Kupa e Francës



Në një nga ndeshjet më të pritura të fazës së 1/8-ave të finales së Kupës së Francës, Paris FC ka shkaktuar një tërmet në futbollin francez duke eliminuar Paris Saint-Germain-in, favorit absolut të takimit.

Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Paris FC, në një performancë të jashtëzakonshme të skuadrës më të vogël, që tregoi karakter dhe vendosmëri të madhe ndaj gjigantit të Ligue 1.

Fillimi i ndeshjes ishte i tensionuar dhe PSG shfaqi dominimin e zakonshëm në posedim. Gonçalo Ramos kishte një rast të mirë në minutën e 23-të, por goditja e tij u prit nga portieri Obed Nkambadio, i cili do të bëhej heroi i Paris FC-së gjatë gjithë ndeshjes.

Paris FC nuk u dorëzua dhe gjeti golin vendimtar në minutën e 74-të, kur Ilan Kebbal shfaqi vizion të shkëlqyer dhe asistoi për Jonathan Ikone. Ky i fundit tregoi qetësi të jashtëzakonshme brenda zonës dhe mposhti portierin Costil me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të majtë, duke i dhënë avantazhin që do të mjaftonte për eliminim.

😲 Jonathan Ikoné surprises PSG!

👀 Paris FC takes the lead at the Parc thanks to the player trained at Paris Saint-Germain! pic.twitter.com/blCuPdeibT
— 𝗦𝗣𝗫 ✞ (@spxtrends) January 12, 2026


PSG tentoi me të gjitha mjetet të reagojë. Ousmane Dembélé, Vitinha dhe Bradley Barcola krijuan disa raste të pastra, por portieri Nkambadio dhe mbrojtja e Paris FC-së ishin të paarritshëm.

Ky eliminim shënon një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni të Kupës së Francës. /Telegrafi/

Juventusi “tregon dhëmbët” dhe frikëson rivalët – fitore bindëse ndaj Cremoneses



Juventusi ka dhënë një sinjal të fortë në garën për kreun e Serie A, duke shkatërruar Cremonesen me rezultat të thellë 5-0 në ndeshjen e javës së 20-të.

“Zonja e Vjetër” dominoi nga minuta e parë deri në fund, duke treguar se është gati të sfidojë seriozisht favoritët për titull.

Ndeshja nisi furishëm për bardhezinjtë dhe që në minutën e 12-të erdhi goli i parë. Bremer befasoi të gjithë me një goditje me kokë nga distanca, duke devijuar një goditje të Fabio Mirettit dhe mposhtur portierin për epërsi 1-0. Vetëm tre minuta më vonë, Jonathan David ishte pranë golit, por goditja e tij u ndal në shtyllë.

Presioni i vazhdueshëm u shpërblye në minutën e 15-të, kur Khéphren Thuram asistoi bukur për Jonathan David, i cili me një goditje të saktë brenda zonës dyfishoi rezultatin në 2-0.

Nothing beats a goal at home 🤳🏟️#JuveCremonese [2-0] pic.twitter.com/vYdOtxyVZt
— JuventusFC 🇬🇧🇺🇸 (@juventusfcen) January 12, 2026


Juventusi pati mundësinë të shënojë nga pika e bardhë në minutën e 35-të, por Kenan Yıldız dështoi fillimisht nga penalltia, por nga topi i kthyer talenti turk nuk gaboi, duke realizuar golin e tretë për 3-0.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër goditje për Cremonesen. Në minutën e 48-të, Filippo Terracciano devijoi topin në portën e tij pas goditjes së Weston McKennie, duke shënuar autogol dhe duke e çuar rezultatin në 4-0.

Juventusi vazhdoi të kontrollojë lojën, duke kryer edhe disa zëvendësime taktike, ndërsa Cremonese u përpoq të reagonte pa sukses.

Goli i pestë erdhi në minutën e 64-t, kur Weston McKennie u hodh në një krosim të Pierre Kalulu dhe me kokë realizoi për 5-0, duke vulosur përfundimisht fatin e ndeshjes.

Edon Zhegrova u fut në fillimin e pjesës së dytë dhe ishte pjesë e gëzimit të fitores më të thellë të Juventusit këtë sezon.

Me këtë fitore të thellë, Juventusi jo vetëm që merr tri pikë të rëndësishme, por tani ka 39 pikë dhe mban vendin e katërt, me katër pikë pas Interit lider. /Telegrafi/

Liverpooli fiton me katër gola ndaj Barnsley, shënon edhe Wirtz



Liverpooli ka shënuar fitore ndaj Barnsley me rezultat 4-1 në kuadër të 1/32 e FA Cup, duke kaluar tutje.

Reds ishin serioz nga minuta e parë, duke krijuar raste nga minuta e parë.

Dominik Szoboszlai e hapi ndeshjen në minutën e 9-të, me një gol të bukur për 1-0.

Pa u mbyllur pjesa e parë, Jermie Frimpong shtoi shifrat në 2-0 pas asistimit të Mac Allister.

Adam Phillips I Barsleyt arriti të shënojë në minutën e 40-të për 2-1, duke e lënë të hapur pjesën e dytë.

Dilemat u mbyllën në minutën e 84-të, me Florian Wirtz që shënoi për 3-1, me një goditje të bukur.

Ekitike with a lovely flick to set up Wirtz's goal! What a link-up 🤝 pic.twitter.com/1aBXjDw6b8
— ESPN FC (@ESPNFC) January 12, 2026

Pa u mbyllur ndeshja, në kohën shtesë shënoi edhe Hugo Ekitike për 4-1.

Liverpooli do të takohet me Brighton në 1/16 e FA Cup. /Telegrafi/

Edhe 41 gola drejt numrit magjik - Ronaldo shënon, por Al Nassr humb derbin



Sulmuesi i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, ka shënuar gol ndaj Al Hilalit në ndeshjen e javës së 14-të të Ligës Profesionale Saudite, duke arritur një tjetër moment historik në karrierën e tij legjendare.

Ylli portugez hapi rezultatin në minutën e 42-të, pasi finalizoi një aksion të ndërtuar bukur nga ekipi i tij, me Kingsley Coman që asistoi për golin parë.

Ky realizim i dha Al Nassr epërsinë në një nga përballjet më të shumëpritura të sezonit në Arabinë Saudite.

Cristiano Ronaldo 40 yaşına geldiğinde kariyerinin 959. golüne ulaştı. pic.twitter.com/aTF4ZbTAeP
— SPARK HABER (@SparkHaberTr) January 12, 2026

Por loja në pjesën e dytë ndryshojë, me Al Hilal që shënoi tri herë, me Al Daësarin, Kannon dhe Ruben Neves, për fitoren e kampionit në fuqi, që përforcojnë vendin e parë me 38 pikë, ndërsa Al Nassr mbetet në vendin e dytë me 31 pikë.

Ky gol ishte i 959-ti në karrierën profesionale të Ronaldos, duke dëshmuar edhe një herë jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e tij të jashtëzakonshme në nivelet më të larta të futbollit.

Nga ky total, 817 gola i ka shënuar në nivel klubesh, ndërsa 142 gola me fanellën e Kombëtares së Portugalisë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime" - Arbër Hoxha hap letrat



Sulmuesi shqiptar Arbër Hoxha ka dhënë një intervistë të gjatë të hënën për kanalin zyrtar të Dinamo Zagrebit, ku foli për fillimet e tij në Kroaci, emocionet e golave dhe eksperiencën me kombëtaren.

Hoxha, 27 vjeç, e konsideron nënshkrimin me Dinamon si një moment historik në karrierën e tij.

“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime. Dinamo është një klub i madh, me tifozë të shkëlqyer dhe një përgjegjësi të madhe”, ka deklaruar Hoxha.

Në pjesën e parë të këtij sezoni, Hoxha ka shënuar gola vendimtarë për ekipin kroat. Ai veçon veçanërisht një gol kundër Rijekës.

“Goli kundër Rijekës ishte i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe siguroi tri pikë për ekipin. Momente të tilla mbeten përgjithmonë në kujtesë”, tha Hoxha.

Sulmuesi i krahut ka regjistruar deri tani gjashtë gola dhe tre asistime në 17 ndeshje në elitën e futbollit kroat. Ai foli edhe për emocionet që përjeton para tribunave të mbushura me tifozë.

“Kur sheh tifozët duke kërcyer dhe duke kënduar, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, shtoi Hoxha.

Megjithëse i kënaqur me paraqitjet e ekipit deri më tani, Hoxha e di se objektivi kryesor i Dinamos mbetet i njëjtë: të fitojnë titullin kampion.

“Gjëja më e rëndësishme është të jemi të parët në kampionat dhe të rikthejmë titullin në Zagreb. Ky është prioriteti i klubit”, nënvizoi ai.

Reprezentuesi i Shqipërisë u transferua në Dinamo Zagrebin në vitin 2024 nga Slaven Belupo. Në Kroaci ka luajtur gjithashtu për Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa në Kosovë ka mbajtur fanellën e Ballkanit, Besës, Istogut dhe Prishtinës.

Hoxha tregoi gjithashtu për rutinën e tij ditore në Zagreb dhe për eksperiencën e paharrueshme me kombëtaren shqiptare në Evropianin 2024, në ndeshjen kundër Kroacisë në Hamburg. Ai u inkuadrua në minutën e 85-të, në një ndeshje që përfundoi baras 2-2.

“Ka qenë një ndeshje e çmendur. Gjysma e tribunave ishte e mbushur me tifozë kroatë dhe gjysma me përkrahës shqiptarë. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme,” rrëfeu Hoxha.


Për kombëtaren e Shqipërisë, Hoxha ka zhvilluar 21 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Para se të bashkohej me Shqipërinë, ai kishte luajtur tre ndeshje për Kosovën. /Telegrafi/

Mbappe reagon pas shkarkimit të Alonsos  - ja çfarë shkroi ai



Xabi Alonso (44) nuk është më trajner i Real Madridit, konfirmoi klubi në faqen e tij zyrtare. Largimi i trajnerit spanjoll erdhi vetëm një ditë pas humbjes 3-2 ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës.

Trajneri i ri i ekipit të parë do të jetë Alvaro Arbeloa, që drejtonte deri tani ekipin e dytë të Real Madridit.

Pak orë pas njoftimit, ylli i Real Madridit, Kylian Mbappé, i dedikoi një mesazh lamtumire Alonson në Instagram.

"Ishte e shkurtër, por ishte kënaqësi të luaja për ty dhe të mësoja prej teje. Faleminderit që më besove që nga dita e parë. Do të të kujtoj si një trajner që kishte ide të qarta dhe dinte shumë për futbollin. Paç fat në kapitullin tënd të ardhshëm", shkroi francezi.

Alonso mori drejtimin e Real Madridit në maj të vitit 2025 si pasardhës i Carlo Ancelottit, i cili u largua për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Brazilit.

Ai kishte nënshkruar një kontratë deri në qershor 2028 dhe u prit si zgjedhja logjike pas një periudhe të suksesshme te Bayer Leverkusen, ku u shqua si një nga trajnerët më të kërkuar në Evropë.

Gjatë mandatit të tij te Reali, Alonso drejtoi ekipin në 34 ndeshje, duke regjistruar 24 fitore, katër barazime dhe gjashtë humbje.

Në La Liga, skuadra renditet e dyta me 45 pikë pas 19 javësh, katër pikë pas lideres Barcelona. Në Ligën e Kampionëve, Reali është i shtati me 12 pikë pas gjashtë raundeve./Telegrafi/

Sa do t’i paguajë Real Madridi dëmshpërblim Xabi Alonsos për ndërprerjen e kontratës



Xabi Alonso nuk është më trajner i Real Madridit. Klubi mbretëror konfirmoi zyrtarisht ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të ndërsjellë, vetëm një ditë pas humbjes 3-2 ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës.

Trajneri i ri i ekipit të parë do të jetë Álvaro Arbeloa, i cili u zyrtarizua disa minuta pasi u njoftua largimi i Alonsos.

Sipas mediave spanjolle, largimi i Alonson do të kushtojë 15 milionë euro klubi. Ish-mesfushori i Realit paguhej 8 deri 9 milionë euro në sezon, ndërsa kjo shifër përfshin kompensimin për ndërprerjen e kontratës.

telegrafi.com

Vlen të kujtohet se verën e kaluar Real Madridi kishte paguar gjithashtu 15 milionë euro Bayer Leverkusenit për transferimin e Alonson në Madrid.

Superkupa e Spanjës shërbeu si një lloj provë përfundimtare për trajnerin spanjoll. Pasi Real Madridi eliminoi Atletico Madrid në gjysmëfinale, humbja nga Barcelona në finale duket se tronditi më tej besimin e drejtuesve të klubit.

Në 34 ndeshje nën drejtimin e Alonson, Real Madridi arriti 24 fitore, katër barazime dhe gjashtë humbje.

telegrafi.com

Pavarësisht rezultateve të ndryshme, klubi konsideroi se ishte momenti për një ndryshim kursi, dhe vendimi për të ndërprerë bashkëpunimin u mor shpejt.

Në La Liga, Real Madridi renditet i dyti me 45 pikë pas 19 javësh, katër pas lideres Barcelonës. Në Ligën e Kampionëve, skuadra është e shtata me 12 pikë pas gjashtë ndeshjeve. /Telegrafi/

"Kosova ekziston, ka identitet dhe histori" - Leard Sadriu mesazh huliganëve rumunë



Mbrojtësi kosovar, Leard Sadriu, po shkëlqen te Arges Pitești në Superligën rumune. Qendërmbrojtësi 24-vjeçar ka bërë një sezon të spikatur, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës me 20 paraqitje dhe 3 gola gjatë vjeshtës.

Sadriu ka nisur karrierën e tij si i ri te Ferizaj, më pas luajti për Shkëndijën e Tetovës dhe Skënderbeun e Korçës, ndërsa tre vitet e fundit i kaloi te Mura në Slloveni, përpara se të transferohej në Rumani.

Në një intervistë për gazetën rumune Gazeta Sporturilor, Sadriu foli për përvojën e tij në kampionatin rumun, adaptimin në qytetin e Piteștit dhe marrëdhënien me tifozët. Ai tregoi se është pritur shumë mirë në klub.

“Tek Argesi jam pritur shumë mirë, me duar të hapura nga të gjithë. Kam punuar mirë gjatë kësaj periudhe dhe shpresoj të vazhdoj njëjtë në pjesën e dytë të kampionatit”, tha ai.

Sadriu vlerëson kampionatin rumun si një mundësi të madhe për zhvillim dhe hapjen e dyerve drejt ligave më të mëdha. Ai theksoi se aktualisht është i fokusuar të përfundojë sezonin me sukses te Argesi, ndërsa çdo vendim për të ardhmen do të varet nga rrethanat.

“Ka pasur interesim nga skuadra të tjera, por tani e kam mendjen vetëm te Argesi dhe dua të jap maksimumin për klubin”, shtoi ai.

Mbrojtësi kosovar tregoi gjithashtu se ndihet shumë mirë në Rumani. “Ky vend më pëlqen shumë. Njerëzit janë shumë të respektueshëm. Respektojnë punën tënde dhe atë se kush je, jo prej nga vjen. Kjo është shumë e rëndësishme për mua,” tha ai.

Një nga temat më të ndjeshme që Sadriu trajtoi ishte sjellja e disa grupeve huliganësh rumunë, të njohur si “Uniti Sub Tricolor”, të cilët kanë shpalosur mesazhe si “Kosova është Serbi” gjatë ndeshjeve të ekipit kombëtar.

“Kjo është më shumë për politikë dhe nuk dua të futem në atë pjesë. Ne jemi shtet. Për këtë luajmë dhe prezantojmë vendin tonë. Nuk kemi emër tjetër. Ne jemi Kosova. Kemi flamurin tonë, historinë, identitetin tonë. Jemi vend i pranuar nga FIFA dhe UEFA. Nëse nuk jeni shtet, nuk mund të jeni pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s. Nëse vini në vendin tonë e shihni që kemi identitetin tonë. Që ekzistojmë. Unë e di se kush jemi, e di se kemi identitet. Ky është realiteti”, tha Sadriu.

Ai foli gjithashtu për sfidat që ka hasur në fillim të karrierës, duke kujtuar se si familja e tij punonte fort për të mbështetur ëndrrën e tij në futboll dhe si e kaloi fëmijërinë në një Kosovë që sapo po rikthehej pas luftës.

Sadriu nuk e përjashton mundësinë që Kosova dhe Rumania të takohen në finale të play-offit për kualifikim në Kampionatin Botërorin e këtij viti.

Kosova do të luajë me Sllovakinë, ndërsa Rumania me Turqinë, duke lënë të hapur një sfidë të mundshme historike për të dy vendet. /Telegrafi/

Mësohet arysyja se si ndodhi largimi i Xabi Alonsos: Nuk pati dorëheqje, një telefonatë nga klubi përshpejtoi gjithçka



Real Madrid ka konfirmuar largimin e Xabi Alonsos nga stoli i ekipit të parë, me Álvaro Arbeloa që e zëvendëson atë. Edhe pse deklarata zyrtare flet për një marrëveshje të ndërsjellë, realiteti është se iniciativa e largimit erdhi nga vetë klubi.

Xabi Alonso nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen, por u kontaktua nga drejtuesit për të diskutuar situatën dhe mundësinë e ndarjes.

Takimi përfshiu analizën e sezonit, situatën aktuale të ekipit dhe planet e ardhshme për "Santiago Bernabeu", shkruan Marca.

Sezoni i fundit ishte i paqëndrueshëm për ekipin, me mungesë qëndrueshmërie dhe një trend negativ në rezultatet. Xabi Alonso kishte nisur sezonin me energji dhe me një ide të qartë futbollistike, duke aplikuar një sistem të ri loje.

Megjithatë, mungesa e harmonisë në dhomën e zhveshjes e bëri të vështirë për trajnerin të impononte filozofinë e tij, duke e detyruar të adaptohej gradualisht ndaj sfidave.

Kjo situatë pati pasoja të drejtpërdrejta në performancën e ekipit. Nuk arriti të përkthejë plotësisht vizionin e tij në fushë, ndërkohë që lëndimet dhe mungesa e lojtarëve kyç penguan planifikimin dhe ekzekutimin e ndeshjeve.

E gjithë kjo çoi në rezultate të dobëta dhe një identitet të paqartë të ekipit në fushë.

telegrafi.com

Në këtë kontekst, klubi i sugjeroi trajnerit që ndarja do të ishte zgjidhja më e mirë. Xabi Alonso e kuptoi situatën, dhe pavarësisht se nuk kishte ndërmend të largohej, pranoi propozimin e klubit, duke i dhënë fund një kapitulli që filloi me entuziazëm, por përfundoi i shënuar nga vështirësi të brendshme dhe rezultate të pasigurta. /Telegrafi/

Si e morën vesh lojtarët e Real Madridit për largimin e Xabi Alonsos



Skuadra e Real Madrid u habit plotësisht nga shkarkimi i papritur i trajnerit Xabi Alonso, duke mësuar lajmin vetëm përmes deklaratës zyrtare të klubit.

Askush në dhomën e zhveshjes nuk e priste një vendim të tillë në këtë pikë të sezonit, veçanërisht pas atmosferës së qetë dhe ndjesisë pozitive që mbizotëroi pas finales së Superkupës së Spanjës, edhe pse Real Madridi humbi ngushtë ndaj Barcelonës.

Lojtarët nuk kishin asnjë paralajmërim për këtë vendim dhe e morën lajmin me habi, kur klubi postoi në rrjetet sociale.

Pas finales, grupi e kishte marrë si të mirëqenë vazhdimin e punës së trajnerit. Nuk kishte asnjë tregues se bordi i klubit po shqyrtonte një ndryshim në stol, shkruan Marca.

Përkundrazi, atmosfera në skuadër ishte pozitive, dhe lojtarët besonin se projekti i Xabit po ecte sipas planit, siç u duk edhe nga përqafimi i tij me presidentin Florentino Pérez gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve.

Prandaj, njoftimi i largimit të tij ka qenë një tronditje e madhe për ekipin. Disa lojtarë pranojnë privatisht se e morën vesh vetëm nga deklarata zyrtare, pa asnjë paralajmërim paraprak, gjë që i la të hutuar.

Marrëdhënia mes trajnerit dhe dhomës së zhveshjes kishte qenë mjaft e qetë në javët e fundit, ndaj vendimi erdhi papritur.

Tani, skuadra do të duhet të riorganizohet shpejt për të përballuar angazhimet e ardhshme, duke u përshtatur me një ndryshim të papritur në stol dhe mbërritjen e Álvaro Arbeloa, i cili vjen nga një shkollë e ngjashme me atë të Xabit dhe do të përpiqet të ruajë vazhdimësinë e projektit. /Telegrafi/

Nga agrobiznesi te rival i Shakhtarit për titull: Historia e LNZ Cherkasy dhe ndikimi i Muharrem Jasharit



Një nga surprizat më të mëdha të futbollit ukrainas këtë sezon është FC LNZ Cherkasy, klub që deri para pak vitesh nuk bënte pjesë as në futbollin profesional, ndërsa sot ndan kreun e renditjes me gjigantin Shakhtar Donetsk.

Në qendër të këtij suksesi është edhe mesfushori kosovar Muharrem Jashari, një nga figurat kyçe të skuadrës.

Jashari po zhvillon sezonin më të mirë të karrierës së tij: në 14 paraqitje kampionale ka realizuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke qenë lider në mesfushë dhe një nga lojtarët më të qëndrueshëm të ekipit. Përvoja e tij, qetësia me topin dhe aftësia për të lidhur repartet e kanë shndërruar në një pikë referimi për LNZ Cherkasy në garën historike për titull.

Një klub që sfidon realitetin e futbollit ukrainas

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, futbolli vendas ka pësuar goditje të rënda ekonomike dhe strukturore. Klubet historike si Shakhtar Donetsk dhe Dinamo Kiev kanë parë rënie drastike të të ardhurave. Shakhtari, që para vitit 2022 operonte me buxhet 120–150 milionë euro, sot mezi kalon shifrën 70 milionë, ndërsa Dinamo ka zbritur në një minimum historik prej 18 milionë eurosh në sezonin 2023/24.

Në këtë ambient të paqëndrueshëm, LNZ Cherkasy po shfaqet si një model stabiliteti financiar, transparence dhe rritjeje sportive.

Nga fushat amatore te profesionalizmi

Klubi u themelua më 23 prill 2006 nga Dmytro Kravchenko, president i grupit agro-industrial LNZ Group, fillimisht si një ekip amator për banorët e qytetit Shpola. Nën emrin FC Shpola-LNZ-Lebedyn, skuadra garoi në ligat amatore dhe më pas u zhvendos në Lebedyn, ku u bë forcë dominuese në kampionatet rajonale gjatë viteve 2010.

Hapi vendimtar erdhi mes viteve 2020–2021, kur klubi u zhvendos në Cherkasy, mori emrin aktual dhe nisi të luajë në Cherkasy Arena (10,000 vende). Në sezonin 2021/22 siguroi ngjitjen në Persha Liha, ndërsa vetëm një vit më vonë avancoi në elitën e futbollit ukrainas pas playoff-it kundër Inhulets, falë golave vendimtarë të Ivan Tyschenko.

Konsolidimi dhe ëndrra për titull

Sezoni i parë në Premier League nën drejtimin e trajnerit bjellorus Oleg Dulub u mbyll në vendin e shtatë, një sukses i madh për një debutues. Megjithatë, sezoni 2024/25 ishte më i vështirë, me përfundim në vendin e 12-të dhe pikëpyetje për të ardhmen e klubit në elitë.

Gjithçka ndryshoi verën e kaluar. Trajneri Vitaliy Ponomaryov mori drejtimin e ekipit dhe u realizua një rindërtim i thellë i skuadrës.

Një nga zbulimet ishte nigeriani Prosper Obah, i cili shënoi 7 gola dhe dha 3 asistime në 15 ndeshje, përpara se të transferohej te Shakhtar Donetsk për 4.5 milionë euro gjatë afatit dimëror.

Sot ekipi është lider me 35 pikë, aq sa Shahtari, duke arritur 11 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.

LNZ në krye – dhe Jashari si bosht i mesfushës

Pavarësisht largimit të golashënuesit më të mirë, LNZ Cherkasy vazhdon të jetë në krye të renditjes pas 16 xhirove, me 35 pikë, po aq sa Shakhtar Donetsk. Një arritje historike për një klub që deri dje nuk ishte as profesionist.

Në këtë rrugëtim, përvoja e Muharrem Jasharit, shpejtësia e mbrojtësit të majtë kosta-rikan Jewison Bennette, si dhe qëndrueshmëria e kapitenit Nazariy Muravskyi, janë faktorë kyç që mbajnë ekipin konkurrues.


Nga një projekt agrobiznesi në një pretendent serioz për titull, LNZ Cherkasy po shkruan një nga historitë më të bukura të futbollit ukrainas – dhe Muharrem Jashari është tashmë pjesë e pandashme e saj. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Real Madrid dhe Xabi: Pesë arsyet që quan në ndarje



Real Madrid dhe Xabi Alonso janë ndarë vetëm shtatë muaj pas fillimit të projektit, që nisi në qershorin e kaluar para Kupës së Botës për Klube dhe kulmoi me Superkupën e Spanjës, të cilën mbretërit e humbën ndaj Barcelonës.

Në këtë periudhë të shkurtër, projekti i trajnerit bask pati një fillim emocionues, por gradualisht besimi në dhomën e zhveshjes ra, duke arritur pikën kulmore në Arabinë Saudite.

Shumë shpresonin se shmangia e një humbjeje ndaj Barcelonës do të forconte pozicionin e tij, por te Real Madridi nuk ka humbje të toleruara.

Analistët identifikojnë disa arsye kryesore pas largimit të tij, duke renditur pesë prej tyre.

1. Presioni i madh sportiv dhe josportiv

Rezultatet kanë rëndësi, dhe pavarësisht performancave pozitive, Reali nuk fitoi Kupën e Botës për Klube dhe humbi në mënyrë të turpshme gjysmëfinalen kundër PSG-së.

Projekti i Alonsos ishte premtues dhe ndikimi i tij ishte i dukshëm në presionin e lartë të lojës, por pas humbjes 5-2 ndaj Atleticos në Metropolitano, besimi i skuadrës u luhat dhe kjo rezultoi fatale.

2. Mungesa e “rok-en-rollit”

Energjia dhe dinamika e premtuar nga trajneri nuk u reflektuan shpesh në fushë. Ekipi vazhdoi të luftonte kundër mbrojtjeve të ulëta dhe presioni i lartë, që ishte një tipar i pritur i stilit të lojës, u shfaq vetëm sporadikisht.

Në shumë ndeshje, Real Madridi dukej më shumë si sezoni i kaluar i Ancelottit sesa si një ekip i Alonsos.

3. Pa futboll në mesfushë

Xabi kërkoi një organizator të mesfushës, por klubi nuk ia siguroi. Investimi 60 milionë euro për Mastantuonon nuk plotësoi boshllëkun që la largimi i Modric, duke lënë mesfushën pa finesë dhe me lojtarë që nuk mund të diktonin ritmin e lojës, përveç Bellingham.

4. Problemet me ndërtimin nga prapa

Në Superkupë, mungesa e aftësisë për të luajtur topin nga prapa u bë problem. Courtois lëshoi pothuajse 40 topa të gjatë kundër Atleticos për të shmangur presionin, ndërsa në finale, kjo strategji vazhdoi, duke i dhënë imazhin e një skuadre të vogël, pa burime dhe pa guxim – një sfidë e madhe për Xabi Alonson.

5. Kriza me Vinicius Junior

Qëndrimi i Vinicius në stol dhe mosdakordësitë taktike u reflektuan që nga fillimi. Marrëdhënia e tij me trajnerin ishte e tensionuar dhe shpërtheu gjatë El Clásico, kur braziliani u zëvendësua, duke treguar pakënaqësinë e tij para 80,000 tifozëve në "Santiago Bernabeu" dhe miliona shikuesve në TV.

Ky ishte vetëm një shembull i tensioneve të brendshme që u akumuluan në dhomën e zhveshjes.

Edhe pse projekti i Xabi Alonsos pati elemente premtuese dhe ndikim pozitiv në disa aspekte, këto faktorë të kombinuar çuan në ndarjen e tij nga stoli i Real Madridit pas vetëm shtatë muajsh. /Telegrafi/

❌