Posta e Kosovës ka njoftuar qytetarët se persona të panjohur po dërgojnë mesazhe në telefon, duke u paraqitur në mënyrë të rreme në emër të Postës së Kosovës.
Posta me këtë rast u bën apel qytetarëve që të mos bien pre e këtij mashtrimi.
“Persona të panjohur po dërgojnë mesazhe SMS qytetarëve, duke u paraqitur në mënyrë të rreme në emër të Postës së Kosovës. Menjëherë pas identifikimit të këtij rasti, Posta e Kosovës ka njoftuar organet kompetente dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me to për adresimin e kësaj çështjeje”, thuhet në njoftim.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë asnjë lidhje (link) të dërguar përmes këtyre mesazheve mashtruese dhe të mos bashkëpunojnë me numra apo kontakte që nuk janë zyrtare. Në asnjë rrethanë, Posta e Kosovës nuk kërkon të dhëna personale apo informacione bankare përmes SMS-ve apo kanaleve jozyrtare.
Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në administrata postare të vendeve të tjera të rajonit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka mbajtur një takim me qytetarët e Kodrës së Trimave, Arbërisë dhe Tophanës, ku ka prezantuar pikat kryesore të programit të PDK-së për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.
Në fjalën e tij, Ismaili theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke i cilësuar ato si një moment vendimtar për drejtimin e ardhshëm të Kosovës. “28 dhjetori është një datë ku e kemi mundësinë të kemi një kahje të re dhe një shtytje përpara për Kosovën”, tha Ismaili.
Ai foli edhe për klimën e përçarjes politike, duke theksuar se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në raportet shoqërore dhe familjare. “Përçarja ka hyrë edhe në familjet tona, mes vëllezërve, motrave dhe fqinjëve, si rezultat i një politike që ka investuar në ndarje”, u shpreh ai.
Sipas Ismailit, pikërisht për këtë arsye PDK ka zgjedhur sloganin “Bashkë”, si reflektim i nevojës për unitet dhe bashkëpunim. “Nuk është rastësi që kemi dalë me sloganin ‘Bashkë’. Kosova ka nevojë për bashkim dhe për angazhim të përbashkët për të ecur përpara”, theksoi ai.
Duke folur për programin qeverisës të kandidatit për kryeministër Bedri Hamza, Ismaili u shpreh i bindur se ky program do të sjellë përmirësim konkret në jetën e çdo familjeje.
“Nuk ka familje që nuk do të jetojë më mirë me qeverinë e Bedri Hamzës”, tha Ismaili.
Ai shtoi se programi i PDK-së parasheh masa konkrete për uljen e kostos së jetesës, përfshirë fatura më të përballueshme të energjisë elektrike, ulje të tatimit në paga për sektorin publik dhe privat, si dhe politika që synojnë rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët.
Një 27-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht në Shkodër pasi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Policia tha se ngjarja ndodhi rreth mesditës në qytetin e Koplikut, ku shtetasi E. K., 27 vjeç, dyshohet se duke punuar në një magazinë për të vendosur disa panele diellore, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si pasojë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, raporton euronews.al
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Slagjan Trajkoviq, duke e dënuar me 10 vjet burim.
Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Arben Hoti dhe Donikë Shala-Abdyli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Arrni tha se Trajkoviq është fajtor për pikën C të aktakuzës dhe të njëjtin Gjykata e gjykon me dënim me 10 vjet burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, atij i vazhdohet me aktvendim të veçantë.
Trajkoviq obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.
Sa i përket pikës A, B dhe D të aktakuzës, gjykatësi Arrni tha se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer ato veprime inkriminuese për të cilat e ngarkon aktakuza.
Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën e Apelit.
Qeveria në detyrë ka prezantuar të premten Bursën e Mobilitetit për studentët përfitues.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para studentëve tha se përmes kësaj burse mbulohet kosto e udhëtimit për studentët, derisa shtoi se e njëjta paraqet një vizion më të gjerë, ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë.
Ai nënvizoi se investimi në arsim është investim në të ardhmen e Kosovës.
“Nuk jemi duke folur vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por edhe për një vizion më të gjerë, atë për një Republikë ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Me Bursën e Mobilitetit për studentët, qeveria jonë po adreson një sfidë reale me të cilën janë përballur shumë studentë ndër vite, e kjo është kostoja e udhëtimit drejt universitetit. Kjo skemë është e bazuar në nevojën dhe e dizajnuar mbi parimin e drejtësisë sociale. Ne besojmë që distanca gjeografike dhe gjendja ekonomike nuk duhet të jenë pengesë për arsimin cilësor. Investimi në arsim është investim në të ardhmen e Kosovës”, tha ai, raporton kp.
Kurti shtoi se gjatë mandatit qeverisës janë ndarë afër 18 mijë bursa me një buxhet përreth 20 milionë euro për studentët, derisa u zotua se të njëjtat do të dyfishohen.
“Gjatë këtij mandati qeverisës i kemi ndarë afër 18 mijë bursa me një buxhet të gjithmbarshëm prej 20 milionë eurove. Në vijim do të dyfishojmë buxhetin për bursa. Nuk ka kategori shoqërore e cila mund të tregojë se kah po shkon zhvillimi socioekonomik dhe kulturor mbi vendin, sikurse ajo e studentëve të universitetit”, theksoi Kurti.
Qeveria në detyrë gjatë këtij viti ka ndarë nga 100 euro për secilin student, derisa ditë më parë ndau mbi 1 milion euro për Bursën e Mobilitetit për studentë.
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të sulmit ndaj personit zyrtar.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Nëna Terezë” në Gjilan, të enjten në ora 10:15.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në shenjë revolte për shqiptimin e një tikete për kundërvajtje në trafik, ka ofenduar edhe sulmuar zyrtarët policorë”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17 min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar i Doganës së Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur procedurat standarde të operimit të Doganës së Kosovës.
“I njëjti, duke mos zbatuar detyrimet ligjore për kontroll të automjeteve, personave dhe mallrave, ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial të tipit ‘Mercedes Sprinter’, të cilin e drejtonte A.K., të cilin e ka regjistruar në sistem si të zbrazët”, thuhet në njoftim.
I njëjti dyshohet se pas kalimit të pikës kufitare, automjeti është ndaluar nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit është konstatuar se ishte i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë prej 11,457.60 euro.
Pas kryerjes së ekspertizës financiare, ka rezultuar se i njëjti, buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 3,414.36 €.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, po ashtu përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një grua, e cila është prezantuar rrejshëm si prokurore.
Rasti ka ndodhur në rrugën “B”, në Prishtinë.
“Rruga ‘B’, Prishtinë, dhjetor 2025. Më 23.12.2025 ankuesja femër kosovare ka raportuar se e dyshuar femër kosovare, duke u prezantuar si zyrtare shtetërore (prokurore) ka marrë para nga viktima si shpërblim për t’i kryer një rast”, thuhet në raport.
Policia njofton tutje se të enjten, më 25 dhjetor e dyshuara është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të personave të zhdukur.
Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se njëri rast ka ndodhur në Shtime, ndërkaq tjetri rast në Prizren.
Rr. Tahir Sinani, Shtime 25.12.2025 – 10:30. Ankuesi mashkull kosovar infermier në Entin Special, ka raportuar se pacienti-viktima mashkull kosovar është larguar nga enti dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti është duke u hetuar.
Rr. Besim Shala, Prizren 23.12.2025 – NN. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij viktima mashkull kosovar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime. /Telegrafi/
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se në Shqipëri të premten moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura të cilat pas orëve të mesditës gradualisht pritet të vijnë në pakësim, dhe përqendrohen përgjatë maleve në zonën lindore, ndërsa pjesa tjetër e vendit me mot kryesisht të kthjellët.
SHMU njofton se do të ketë reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët hera-herës në formën e shtrëngatave që në orët e para të 24-orëshit në jug e në qendër deri në mëngjes.
“Më pas reshjet mbeten prezentë në mënyrë të izoluar përgjatë vijës bregdetare deri në ndërprerjen e tyre nga orët e mesditës në të gjithë territorin. Prezencë e ngricave përgjatë akseve rrugore kryesisht në relievet malore. Mjegull e dendur / mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Prezencë e ngricave përgjatë akseve rrugore kryesisht në relievet malore”, thuhet në njoftim.
Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje - veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.
Glauk Konjufca, e filloi ditën sot në Siqevë, ku u mirëprit në odën e familjes Berisha.
Nga LVV theksojnë se si familja, po ashtu edhe banorët e fshatit, deklaruan mbështetjen e tyre për numrin 116.
Ai më pas vazhdoi në Xërxë, ku shoqëruar nga kandidatët për deputetë nga kjo zonë, takuan banorët e fshatit, të cilët poashtu shprehën përkushtimi i vazhdueshëm për siguri dhe begati, duke riafirmuar mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje.
Në Prizren, Konjufca takoi banorët e lagjes “11 Marsi”, për të vazhduar më pas në çajtoren “Tuki”.
“Se Prizreni nuk lëshon pe, u konfirmua mes bisedash me banorët e përkrahësit, të cilët me bindje të plotë e të mobilizuar duan të vazhdojnë qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe për 4 vite të tjera”, thuhet tutje.
Lidhja Demokratike e Kosovës të premten përmbyll fushatën zgjedhore në Prishtinë.
Kështu bëhet e ditur në një postim në Facebook nga kjo parti.
Lexoni të plotë postimin e LDK-së:
Le ta mbyllim bashkë këtë kapitull, ashtu siç vetëm ne dimë!
Ejani, të premten në fushatën përmbyllëse, në orën 18:00, në Sallën e Sportit - Pallati i Rinisë, në Prishtinë.
Në mbyllje të kësaj fushate, ju thërrasim bashkë. Ejani masivisht, ejani me familje, me miq me më të dashurit tuaj. Ejani ta tregojmë forcën e besimit, unitetit dhe shpresës që na ka mbajtur gjithmonë në këmbë.
Kjo nuk është thjesht një mbyllje fushate, është dëshmi e vullnetit të njerëzve që kanë shpresë, është zëri i atyre që nuk dorëzohen, është momenti kur bashkohemi dhe e shkruajmë historinë krah për krah njëri-tjetrit.
Le ta mbushim sallën e sportit në Pallatin e Rinisë me energji, me duartrokitje, me besim e plotë shpresë në të ardhmen!
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) sot ka mbajtur një protestë në sheshin “Nënë Terezë”, saktësisht para zyrave qendrore të ndërmarrjes.
Protesta u mbajt me kërkesën për rritje pagash, ku punëtorët kërkojnë trajtim më të drejtë dhe përmirësim të kushteve ekonomike në përputhje me përgjegjësitë dhe rrezikun e punës së tyre.
Më poshtë mund t’i shihni fotografitë nga protesta.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar besimtarët e krishterë për Krishtlindje.
Osmani në mesazhin drejtuar besimtarëve të krishterë uron paqe, dashuri e shëndet në familje.
“Në këtë festë drite e shprese, uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë që Krishtlindja t’u sjellë paqe në shpirt, dashuri në familje dhe shëndet në çdo shtëpi. Le të na bashkojë tradita jonë e respektit, solidaritetit dhe e mikpritjes, duke na dhënë forcë të ecim përpara së bashku, me besim, shpresë dhe mirëkuptim.
Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!”, shkruan Osmani. /Telegrafi/
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë.
Në raport thuhet se vendi ynë vazhdon të shënojë rritje të fortë ekonomike, e nxitur kryesisht nga turizmi dhe konsumi privat, me PBB-në reale që pritet të rritet 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në 2026.
Inflacioni mbetet i ulët, borxhi publik po ulet dhe rezervat valutore qëndrojnë të forta, duke krijuar një bazë solide për reformat e qeverisë dhe synimin për anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, raporton Tch.
Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se marrëveshja e quajtur “Paqja Fiskale” mund të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore, duke rrezikuar qëndrueshmërinë fiskale në mes të sfidave demografike dhe shpenzimeve publike në rritje.
FMN nënvizon gjithashtu rëndësinë e reformave strukturore në kapitalin njerëzor, tregun e punës dhe qeverisje për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të nxitur konvergjencën me standardet e BE-së.
Dogana e Kosovës gjatë vitit 2025 ka mbledhur 1 miliard e 968 milionë euro, tha drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu.
Llugaliu në një konferencë për media tha se kjo shumë është 135 milionë euro më shumë sesa në vitin 2024 dhe 75 milionë euro më shumë sesa në projeksionin e bërë në fillim të vitit 2025.
“Deri në ditën e fundit të këtij viti ne do të arrijmë të mbledhim 1 miliard e 968 milionë euro. Kjo shumë përmban 135 milionë euro më shumë sesa viti paraprak dhe tejkalon projeksionin prej 75 milionë eurosh. Ne vlerësojmë se janë disa faktorë kryesorë që kanë ndikuar në suksesin në të hyra, duke përfshirë rritjen ekonomike të gjithëmbarshme, mirëpo edhe gatishmërinë e bizneseve që të jenë të gatshme që t’iu përmbahen ligjeve sa i përket pagesës së tatimeve. Kjo është edhe më e theksuar kur kemi parasysh faktin se afër 98 për qind të hyrave deklarohen përmes deklarimit vullnetar”, tha ai, raporton kp.
Llugaliu tregoi edhe bilancet tregtare gjatë vitit 2025, ku Kosova gjatë këtij viti ka eksportuar mallra në vlerë 929 milionë euro.
Kosova ka eksportuar më së shumti në Shqipëri me 157 milionë euro, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 136 milionë euro.
Ndërkaq, Kosova ka importuar më së shumti nga Gjermania në vitin 2025, plot 965 milionë euro.
“Eksporti deri më 21 dhjetor është 929 milionë euro, krahas 942 sa ka qenë tërë viti i kaluar. Eksportet kryesore që kemi pasur janë Shqipëria me 157 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 136 milionë, Gjermania 106 milionë, Zvicra 100 milionë, Serbia 60 milionë. Ndërkaq, sa i përket importeve e kemi Gjermaninë me 965 milionë, Turqinë me 903 milionë, Kinën 892 milionë, Italinë 359 milionë, ndërkaq Maqedonia e Veriut 344 milionë euro”, tha ai.
Ai shtoi se Dogana e Kosovës gjatë vitit 2025 ka pasur përmirësim të vazhdueshëm në luftimin e ekonomisë joformale.
“Dogana ka pasur një përmirësim të vazhdueshëm në luftimin e ekonomisë joformale, duke qenë se kemi 18.6 milionë euro vlerë të mallrave që kanë qenë subjekt i zbulimit, ndalimit, sekuestrimit apo konfiskimit. Po ashtu, edhe me veprimet administrative kemi pasur një rritje të theksuar te impakti i drejtpërdrejtë i luftimit të ekonomisë joformale. Këtë vit arritëm në vlerën 42 milionë, krahas 32 sa ka qenë në vitin paraprak. Padyshim pjesa e veriut ka qenë problem i pazgjidhur një kohë të gjatë dhe është përdorur si strehë jo vetëm nga pjesa e kontrabandës, por edhe e formave të tjera të krimit. Ne kemi pasur rastin e hetimit për kontrabandë dhe kemi gjetur se ajo pjesë është përdorur edhe për trafikim të qenieve njerëzore”, shtoi ai.
Pjesë e konferencës ishte edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili përgëzoi Doganën e Kosovës për performancë pozitive, derisa tha se vendi po i afrohet shifrës rreth 1 miliard euro eksporte.
“Në pesë vitet e fundit, kishte vazhdimisht tejkalim të projeksioneve, në raport me atë se çka ishte projektuar në fillim të vitit sa i përket të hyrave të mbledhura deri në fund të vitit. Kjo tregon për një sukses të vazhdueshëm në rritje dhe kjo i bie se edhe ne projeksionet tona duhet të fillojmë t’i përshtatim me tempin e ri të doganës. U pa suksesi edhe sa i përket rritjes së eksporteve. Paraqitet një trend i theksuar këto pesë vitet e fundit në raport me pesë vitet paraprake, ku tashmë jemi afruar shifrës prej 1 miliard euro”, theksoi ai.
Produktet që më së shumti po eksporton Kosova janë mobiliet, produktet e ndryshme të plastikës, mineralet, xehet, pijet dhe ushqimet e ndryshme. /
Policia e Kosovës në prag të festave të fundvitit ka bërë apel që festat të kalohen qetë dhe pa përdorim të mjeteve pirotenike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në një mesazh drejtuar qytetarëve bën të ditur se kanë hartuar planet policore të cilat parashohin masat dhe shtimin e prezencës policore.
“Tani jemi në prag të festave të fundvitit. Në emër të Policisë së Kosovës ju urojmë festat e fundvitit, me urimin që ju dhe familjet tuaja të gëzoni shëndet dhe mbarësi në jetë.
Si çdo vit edhe këtë vit, pritet të organizohen manifestime të ndryshme, si në ambiente familjare, në ambiente të hapura, po ashtu edhe në sheshe e lokacione të mbyllura.
Për të kaluar festat sa më qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës ka hartuar me kohë planet policore të cilat parashohin masat dhe shtimin e prezencës policore.
Mirëpo, një kontribut të madh dhe të pamohueshëm në siguri dhe parandalim të incidenteve mund të jepni edhe ju qytetarë të dashur dhe këtë më së miri mund ta bëni duke festuar në mënyrë të qetë e të drejtë, pa përdorim të mjeteve të rrezikshme, e sidomos pa përdorimin e tyre nga fëmijët.
Andaj, të festojmë dhe të kontribuojmë së bashku, që këto festa të kalojnë të qeta dhe pa incidente”.