A mund ta rikthejë Vinicius Junior situatën pro tij në sezonin aktual te Real Madridi?

Dy vite më parë, Vinicius Junior ishte në majën e botës. Braziliani ishte afirmuar si një nga, në mos lojtari më i mirë në futbollin evropian, duke regjistruar 24 gola dhe 11 asistime në 39 paraqitje gjatë sezonit 2023/24, teksa udhëhoqi Real Madridin drejt titujve të LaLigas dhe Ligës së Kampionëve.
Dukej e natyrshme që ai të shpërblehej me Topin e Artë 2024, por në një befasi të madhe, çmimi përfundoi te Rodri i Manchester Cityt.
Një goditje e rëndë për Viniciusin, e cila rezultoi të kishte pasoja më të thella sesa pritej.
Nga protagonist absolut në rol dytësor
Ndërsa Rodri që nga ajo kohë është përballur me lëndime dhe rënie forme, edhe Vinicius nuk arriti të rikthehej në nivelin e tij optimal. Humbja e Topit të Artë, e kombinuar me ardhjen e Kylian Mbappes në Madrid, e shtyu brazilianin në një rol më dytësor.
Ai nuk ishte më figura qendrore e projektit. Teksa Mbappe pushtonte futbollin spanjoll gjatë vitit 2025, Vinicius regjistroi 22 gola dhe 19 asistime në 58 paraqitje në sezonin 2024/25, shifra të mira, por larg dominimit të mëparshëm. Nuk vonoi shumë dhe analistë e komentatorë, përfshirë Martin Tyler, nisën të pyesnin: çfarë po ndodhte me Viniciusin?
Sezoni aktual ka qenë edhe më zhgënjyes. Vetëm 6 gola dhe 8 asistime në 27 ndeshje. Madje, momenti më i përfolur i fushatës nuk ishte një gol apo një aksion spektakolar, por largimi i tij i pakënaqur nga fusha gjatë fitores ndaj Barcelonës, kur u zëvendësua. Edhe pse Vinicius më vonë kërkoi falje për reagimin e tij, në atë deklaratë mungoi emri i trajnerit Xabi Alonso.
Kritikat dhe dilema kontraktuale
Ish-lojtari i Brazilit, Carlos Alberto Pintinho, ishte i drejtpërdrejtë në një intervistë për Football España.
“Vinicius ka shumë për të mësuar. E kam kritikuar më parë dhe kjo më krijoi probleme, por gjithmonë kam menduar se ai duhet të përqendrohet vetëm te futbolli dhe të lërë gjërat e panevojshme. Ai është lojtar i madh, por nuk mund të vazhdojë me sjellje që nuk i sjellin asgjë. Kam parë përmirësim, por ende ka shumë për të korrigjuar”, u shpreh Pintinho.
Një tjetër faktor kyç në rënien e formës së Viniciusit është situata kontraktuale. Braziliani kërkon një pagë të ngjashme me atë të Mbappes, ndërsa drejtuesit e Real Madridit nuk janë të gatshëm ta përmbushin këtë kërkesë. Me kontratë deri në vitin 2027, Vinicius e kupton se e ardhmja e tij në “Santiago Bernabeu” nuk është më aq e sigurt sa dikur.
Shkëndija e rikthimit në finalen ndaj Barcelonës
Megjithatë, në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, Vinicius dha një performancë që rikujtoi pse dikur ishte kandidat serioz për Topin e Artë.
Nga mesi i fushës, ai u përball me Jules Kounde, e kaloi me shpejtësi, duroi dyfishimin e mbulimit nga Kounde dhe Pedri, dhe më pas, pa mëshirë, e kaloi sërish francezin mes këmbëve për të realizuar një gol spektakolar me finese.
Me Mbappen jashtë loje, Vinicius mori përgjegjësinë mbi supe: pesë goditje drejt portës (katër në kuadrat), katër driblime të suksesshme, pesë duele të fituara në tokë dhe një tjetër rekord personal. Ai u bë bashkëmbajtësi i rekordit të Real Madridit për kontribut në finale, me 16 gola dhe asistime në vetëm 15 ndeshje finale, më shpejt se Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo.
Pyetjet që Real Madridi duhet t’i përgjigjet
Vinicius mund të mos jetë aq klinik sa Mbappe, por është e qartë se ai mbetet një superyll, të paktën kur dëshiron. Ai është disa nivele mbi lojtarë si Rodrygo, Arda Güler, Franco Mastantuono apo Brahim Diaz, një futbollist që mund ta marrë ndeshjen mbi shpatulla dhe të bëjë diferencën kundër ekipeve më të mëdha në botë.
Tani dilema për Real Madridin është trefishe:
– A do të jenë më të shpeshta paraqitjet 10/10 sesa ato mesatare?
– A do të heqë dorë Vinicius nga dramat dhe të ndërtojë harmoni brenda skuadrës?
– A mund të gjendet një marrëveshje financiare që i kënaq të dyja palët?
Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë Vinicius Junior mund ta gjejë veten larg Madridit, ndoshta në Arabinë Saudite, jo më për disa muaj, por për një sezon të tërë. /Telegrafi/
















Kosova tani zë vendin e 79-të
Vendet e para në renditjen e FIFA-s

Drejtori sportiv i CSKA Sofjes, Boyko Velichkov




Mateu Alemany,, drejtori sportiv i Atletico Madrid
Sulmuesi i PSG, Goncalo Ramos





Drama vazhdon: Brahim Diaz humb penalltinë e gjuajtur 'panenka', ndeshja shkon në vazhdime 









