Liverpooli vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë, teksa në minutën e 73-të, pas një asistimi nga Frimpong, portieri vendas Rulli shënoi autogol për ta dyfishuar epërsinë e Liverpoolit.
E krejt në fund të ndeshjes, Cody Gakpo realizoi golin e tretë për Liverpoolin dhe për rezultatin përfundimtar 0-3.
Me këtë fitore Liverpooli ngjitet në pozitën e katërt në tabelë me 15 pikë, derisa ndeshjen e ardhshme e luan në Anfield ndaj Qarabag.
Në anën tjetër Marseille është e 19-ta në tabelë me nëntë pikë, ndërsa në duelin e fundit përballet në udhëtim me Club Brugge. /Telegrafi/
Disa nga klubet më të mëdha evropiane po ndjekin nga afër situatën e sulmuesit të Atlético Madridit, Julian Alvarez, raporton gazetari Ben Jacobs.
Sipas asaj që ka raportuar Ben Jacobs, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka zhvilluar këtë muaj një takim fillestar me përfaqësuesit e futbollistit, ku është diskutuar mundësia e një transferimi gjatë verës.
Alvarez është pjesë e Atletico Madridit që nga vera e vitit 2024, kur klubi madrilen e transferoi atë nga Manchester City për një shumë që arrinte rreth 95 milionë euro, përfshirë bonuset e mundshme.
Raportime të mëhershme kanë theksuar se Atletico nuk është i gatshëm të heqë dorë nga sulmuesi argjentinas 25-vjeçar për një shifër më të ulët se 200 milionë euro.
Gjatë këtij sezoni, Alvarez ka regjistruar 28 paraqitje me fanellën e Atleticos, ku ka realizuar 11 gola dhe ka kontribuar me pesë asistime, duke qenë një nga pikat kyçe të repartit ofensivë. /Telegrafi/
Janë zhvilluar ndeshjet e kthimit çerekfinale në Kupën e Kosovës.
Tanimë janë mësuar dy skuadrat e para gjysmëfinale dhe ato janë Trepça dhe Bora.
Trepça me përmbysje kalon në gjysmëfinale
Fituesja e Kupës së Kosovës, Trepça me fitoren ndaj Golden Eagle Yllit 76:88 ka kaluar në gjysmëfinale, duke përmbysur humbjen e pësuar në ndeshjen e parë 99:102.
Sfida në Therandë ka qenë e jashtëzakonshme, e luftuar dhe me shumë kthesa, e me shumë emocione, derisa në fund festuan kampionët e Kosovës.
Bora depërton në Top 4 të Kupës së Kosovës
Bora ashtu si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në ndeshjen e dytë shënoi fitore ndaj Rahoveci 029 me nëntë pikë dallim për të kaluar në Final 4 të Kupës së Kosovës.
Prishtinasit fituan në Rahovec me rezultat 62:71. /Telegrafi/
Manchester United ka zhvendosur fokusin drejt mesfushorit 22-vjeçar të Barcelonës, Marc Casado, duke e parë atë si një alternativë të mundshme për përforcimin e skuadrës.
Sipas raportimeve nga mediat e ndryshme angleze, “Djajtë e Kuq” kanë bërë tashmë një qasje zyrtare pranë klubit katalanas për të marrë informacione rreth një transferimi të mundshëm të mesfushorit të ri.
Deri tani, strategjia e United ishte e orientuar kryesisht te futbollistët që tashmë janë ambientuar me futbollin anglez.
Lista e ngushtë e kandidatëve përfshinte emra si Carlos Baleba, Adam Wharton dhe Elliot Anderson, por Marc Casado raportohet se tashmë është futur seriozisht në planet e klubit.
Gjatë këtij sezoni, Casado ka regjistruar 19 paraqitje me fanellën e Barcelonës, duke kontribuar me një asist, ndërsa vlerësohet si një mesfushor me cilësi të larta teknike, i cili mund të shtojë konkurrencë dhe thellësi në mesfushën e Manchester United. /Telegrafi/
Wolverhampton Wanderers i është bashkuar garës për shërbimet e Anis Mehmetit dhe po konsiderohet si një nga favoritët kryesorë për ta transferuar sulmuesin brenda këtij afati kalimtar.
Sipas raportimeve në mediat angleze, Wolves tashmë ka vendosur kontakte zyrtare me Bristol Cityn, klub me të cilin Mehmeti ka kontratë të vlefshme deri në përfundim të këtij sezoni.
Klubi nga Liga Premier po shtyn fort për të finalizuar marrëveshjen, duke pasur parasysh se për 25-vjeçarin ka interesim edhe nga Ipswich Town, skuadër që garon në Championship.
Mehmeti është ndër lojtarët më të spikatur të këtij sezoni në kategorinë e dytë të futbollit anglez dhe ende nuk ka arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës me Bristol Cityn, pjesë e të cilit është që nga viti 2023.
Në 28 paraqitje të deritanishme në Championship, sulmuesi ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime.
Futbollisti ende nuk e ka marrë një vendim për të ardhmen e tij dhe mbetet të shihet deri në mbyllje të afatit kalimtar nëse do të qëndrojë te Bristol City apo do të zgjedhë një nga ofertat e klubeve të tjera për të vazhduar karrierën. /Telegrafi/
Liverpooli thuhet se po shfaq interes serioz për nënshkrimin e mbrojtësit holandez Micky van de Ven nga Tottenham Hotspur.
Qendërmbrojtësi është identifikuar si një nga objektivat kryesorë të “Reds” për të përforcuar repartin defensiv në afatgjatë në Liga Premier.
Sipas raportimeve, Liverpooli mund të përgatisë një ofertë të madhe financiare, që arrin shifrën rreth 78 milionë funte, me synimin për ta transferuar lojtarin gjatë verës së ardhshme.
Një element kyç në këtë histori është situata kontraktuale e van de Ven. Mbrojtësi ka kontratë me Tottenhamin deri në qershor të vitit 2029, megjithatë burime pranë klubit bëjnë të ditur se ai ka refuzuar deri tani të nënshkruajë një rinovim të ri.
Kjo situatë e vendos Tottenhamin në një pozicion delikat dhe mund të vërë në provë vendosmërinë e klubit londinez për ta mbajtur lojtarin, nëse interesimi nga klubet e mëdha intensifikohet. Gazetari i Daily Mail, Matt Barlow, shkruan për interesimin e The Reds për Micky van de Ven.
“Liverpooli po zhvillon një interes të madh për Micky van de Ven, gjë që do të jetë një provë e vendosmërisë së Spurs gjatë verës".
Transferimi i mundshëm lidhet gjithashtu me trajnerin e Liverpoolit, Arne Slot, i cili më herët kishte tentuar ta transferonte van de Ven gjatë kohës kur punonte si trajner në Holandë. /Telegrafi/
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë sot ndarjen e stemave të FIFA-s për gjyqtarët dhe asistentët për vitin 2026.
Ndarjen e stemave e bënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani.
Me këtë rast, presidenti Agim Ademi çmoi angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve, duke nënvizuar rolin e tyre thelbësor në zhvillimin dhe suksesin e futbollit në Kosovë, si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
I pari i FFK-së i inkurajoi gjyqtarët që të vazhdojnë punën me përkushtim maksimal dhe vigjilencë të shtuar, me synimin për të arritur standardet më të larta të profesionalizmit.
Kjo është lista e gjyqtarëve që kanë marrë stemën e FIFA-s për vitin 2026:
Valon Berisha pritet të largohet nga futbolli austriak dhe për herë të parë në karrierën e tij do të luaj në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Klubi i futbollit boshnjak Zeljeznicar po shënon përparim të ndjeshëm në negociatat për nënshkrimin e mesfushorit kosovar Valon Berishës, raporton burimi i brendshëm Lorenzo Lepore.
Pas diskutimeve pozitive në nivel verbal, klubi nga Sarajeva thuhet se ka dorëzuar tashmë një propozim zyrtar për mesfushorin kosovar.
Berisha aktualisht është pjesë e LASK-ut dhe gjatë këtij sezoni ka zhvilluar 12 paraqitje në të gjitha garat me skuadrën e elitës austriake.
Mesfushori me përvojë, i cili aktivizohet kryesisht në krahun e majtë, ka kontratë me LASK që skadon pas pesë muajsh, çka e bën transferimin të realizueshëm në një afat të afërt.
Berisha ka lindur në Malmö dhe hapat e parë në karrierë i ka bërë te Egersund, për t’u transferuar më pas te Viking. Performancat e tij e çuan te Salzburgu, ndërsa në vitin 2018 u ble nga Lazio për shumën 7.6 milionë euro.
Më pas, karriera e tij ka vazhduar te Fortuna Düsseldorf, Reims, Melbourne City, ndërsa në janar të vitit 2024 iu bashkua LASK-ut si lojtar i lirë.
Sa i përket karrierës ndërkombëtare, Berisha ka regjistruar 20 paraqitje me përfaqësuesen e Norvegjisë, ndërsa që nga viti 2016 përfaqëson Kosovën. Me “Dardanët” ai ka zhvilluar 52 ndeshje dhe ka shënuar katër gola./Telegrafi/
Gabriel Jesus ishte heroi i Arsenalit, duke realizuar dy gola në fitoren 3:1 në udhëtim ndaj Interit, në një mbrëmje të paharrueshme në “Giuseppe Meazza”.
Ylli brazilian, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve, nuk i fshehu emocionet pas paraqitjes së shkëlqyer dhe golave të shënuar në një nga stadiumet më ikonike të futbollit evropian.
“Është një natë ëndrrash. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem futbollist. Kur isha fëmijë, e shikoja shumë Serie A. Të jem këtu në këtë stadium dhe të shënoj është diçka që më mbush sytë me lot, sepse gjithmonë kam ëndërruar të jem këtu”, u shpreh Gabriel Jesus.
Braziliani foli edhe për periudhën e gjatë jashtë fushës.
“Gjithmonë ka një arsye pse ndodhin gjërat, qofshin të mira apo të vështira. Këtë e kam mësuar gjatë 11 muajve që kam qenë jashtë fushës”.
Duke analizuar ndeshjen, ai tha se është gjithmonë vështirë të përballesh me Interin dhe se morën tre pikë të merituara.
“Është gjithmonë e vështirë të luash kundër Interit. Sezonin e kaluar humbëm këtu. Sonte luajtëm më mirë se ata, e kontrolluam lojën, edhe pse Interi është një ekip i shkëlqyer dhe shumë i rrezikshëm në sulm. Shënuam në fund dhe morëm tre pikët. Duhet të vazhdojmë, sepse kemi një tjetër ndeshje në fundjavë”.
Jesus komentoi edhe konkurrencën në repartin ofensivë te Arsenali.
“Të gjithë duan të jenë titullarë. Unë jam një djalë shumë i respektueshëm dhe e kuptoj futbollin, nuk jam më fëmijë, jam 28 vjeç. Jam shumë i lumtur që Gyokeres hyri dhe shënoi gol, po aq sa jam i lumtur për golat e mi. Jam i bindur se edhe Kai do të shënojë kur t’i vijë momenti”.
Ky dygolësh mund të shënojë fillimin e rikthimit të vërtetë të Gabriel Jesus pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit, duke e bërë atë një faktor të rëndësishëm në garën e Arsenalit për titull.
Në të njëjtën kohë, edhe Viktor Gyokeres realizoi gol të martën mbrëma, ndërsa Kai Havertz po rikthen gradualisht formën, duke krijuar një konkurrencë të fortë dhe të shëndetshme në repartin ofensiv të “Topçinjve”./Telegrafi/
Girona FC ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen e huazimit me FC Barcelona për portierin Marc-Andre ter Stegen, i cili do të mbrojë portën bardhekuqe deri në fund të sezonit aktual.
Portieri gjerman transferohet te Girona pas humbjes së rolit të tij kryesor te Barcelona, në një përpjekje të qartë për të siguruar minuta të rregullta loje dhe për të qenë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në Kupën e Botës.
33-vjeçari e ka nisur karrierën në akademinë e Borussia Monchengladbach, ku debutoi në Bundesliga në moshën 18-vjeçare. Falë pjekurisë dhe qëndrueshmërisë së tij, ai u konsolidua shpejt si një nga portierët më premtues në Gjermani, përpara se t’i bashkohej Barcelonës në vitin 2014.
Gjatë periudhës së tij te klubi katalanas, Ter Stegen ka zhvilluar 423 paraqitje zyrtare, duke fituar një Ligë të Kampionëve, gjashtë tituj të La Ligës, gjashtë Kupa të Mbretit, një Superkupë Evropiane dhe një Kupë Bote për Klube.
I vlerësuar gjerësisht si një nga portierët më të mirë në botë, Ter Stegen shquhet për stilin e tij modern të lojës: shpërndarje të shkëlqyer me këmbë, reflekse të shpejta, pozicionim të sigurt, dominim në lojën ajrore dhe inteligjencë të lartë taktike./Telegrafi/
Paris Saint Germain ka pësuar humbje befasuese në udhëtim te Sporting Lisbona me rezultat 2-1.
Asgjë nuk ka shkuar në të mirë të parisienëvë në këtë përballje, pasi tre gola iu anuluan nga VAR, dy në pjesën e parë dhe një në fillim të pjesës së dytë.
Gjithsesi të gjithë golat u shënuan në 15 minutat e fundit të ndeshjes, kur Luis Suarez në kaloi vendasit në epërsi 1-0.
Vetëm pesë minuta zgjati epërsia e portugezëve, pasi Kvicha Kvaatskhelia barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 79-të pas asistimit nga Ousmane Dembele.
Por kur ndeshja po shkonte drejt barazimit, në skenë doli sërish sulmuesi vendas Luis Suarez që realizoi golin e fitores 2-1.
Me këtë fitore, Sporting barazohet me PSG-në me nga 13 pikë dhe ndajnë pozitat pesë dhe gjashtë. PSG ndeshjen e radhës e luan ndaj Newcastle United, derisa Sporting përballet në Spanjë me Athletic Bilbaon. /Telegrafi/
Real Madridi është rikthyer te fitorja në Ligën e Kampionëve, teksa ka mposhtur Monacon me rezultat të thellë 6-1.
Ka qenë një ndeshje ku kanë shkëlqyer dy yjet më të mëdha të Realit, Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior.
Vetëm pas pesë minutash lojë, Kylian Mbappe realizoi për 1-0 pas asistimit nga Fede Valverde. 21 minuta më vonë, francezi shënoi golin e dytë personal, ku kësaj radhe u asistua nga Vini Jr.
45 minutat e para të kësaj ndeshje u mbyllën me epërsinë e dyfishtë të Realit 2-0.
Reali e nisi furishëm pjesën e dytë, ku Vini Jr asistoi fillimisht te Franco Mastantuono që shënoi për 3-0, derisa braziliani ishte asistues edhe te autogoli i Kehrer për 4-0.
Në minutën e 63-të, Vini Jr shënoi golin e parë personal në këtë takim për 5-0, derisa Monaco realizoi golin e nderit me Tezen në minutën e 72-të.
Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Jude Bellingham që shënoi për 6-1 pas asistimit nga Valverde.
Me këtë fitore Reali ngjitet në pozitën e dytë në tabelë me 15 pikë, derisa ndeshjen e radhës e luan në udhëtim te Benfica. /Telegrafi/
Kombëtarja e Sllovenisë mbeti pa përzgjedhës pas humbjes nga Kosova, pasi Matjaz Kek u shkarkua.
Ish-lojtari i kombëtares sllovene, Bostjan Cesar (43), është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Sllovenisë në futboll.
Cesar është rekordmen i paraqitjeve me fanellën kombëtare, me gjithsej 102 ndeshje të zhvilluara, ndërsa për shumë vite mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Ai ishte pjesë e përfaqësueses sllovene në Kupën e Botës 2010, duke kontribuar në kualifikimin e Sllovenisë në skenën më të madhe të futbollit botëror për herë të dytë në histori.
Pjesën më të madhe të karrierës së tij si futbollist e kaloi në Itali, kryesisht te Chievo Verona, ku gjatë një periudhe dhjetëvjeçare zhvilloi 247 ndeshje zyrtare dhe realizoi nëntë gola.
Përvoja e tij ndërkombëtare përfshin gjithashtu angazhime në Francë, me Marseille dhe Grenoble, si dhe në Angli me West Bromwich Albion, çka i dha një njohje të gjerë të shkollave të ndryshme të futbollit evropian.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Cesar u orientua drejt trajningut. Ai fillimisht drejtoi kombëtaren U-19 të Sllovenisë, ndërsa në janar të vitit 2022 iu bashkua stafit të ekipit kombëtar A si asistenti i parë i Matjaz Kek.
Cesar ishte pjesë e stafit teknik edhe gjatë suksesit më të madh të futbollit slloven në vitet e fundit, kur përfaqësuesja u kualifikua dhe arriti deri në fazën e 1/8 së finales në Kampionatin Evropian 2024.
Në mungesë të Matjaz Kekut, ai ka drejtuar me sukses edhe ekipin kombëtar A. Gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e tij, Sllovenia mbeti e pamposhtur në pesë ndeshje, përfshirë edhe fitoren bindëse 2:0 në një miqësore ndaj Portugalisë. /Telegrafi/
Barcelona ka nisur tashmë planifikimin për sezonin e ardhshëm, me drejtuesit e klubit që synojnë të përforcojnë të paktën tre pozicione kyçe në skuadër.
Strategjia e katalanasve është e qartë: afrimi i lojtarëve të afirmuar, të gatshëm për të dhënë kontribut të menjëhershëm në nivelin më të lartë.
Edhe pse ecuria e sezonit aktual do të ketë ndikim në vendimet përfundimtare, menaxhmenti sportiv ka filluar punën me objektivin për të përforcuar skuadrën në tri zona specifike të fushës.
Sipas Mundo Deportivo, pas disa takimeve me stafin teknik, klubi ka rënë dakord për nevojën e transferimit të një qendërmbrojtësi me këmbë të majtë, një anësori ofensivë dhe një sulmuesi që në të ardhmen mund të zëvendësojë Robert Lewandowskin. Në të gjitha rastet, Barcelona synon lojtarë të provuar, me eksperiencë në elitën e futbollit evropian.
Sa i përket mbrojtjes, ëndrra e madhe e “Blaugranëve” mbetet kroati Josko Gvardiol (Manchester City, 23 vjeç). Megjithatë, duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha financiare për realizimin e këtij transferimi, në listën e alternativave ndodhen edhe italiani Alessandro Bastoni (Inter, 26 vjeç) dhe gjermani Nico Schlotterbeck (Borussia Dortmund, 26 vjeç).
Ndërkohë, objektivat për dy pozicionet e tjera janë më të qarta. Për krahun e sulmit, Barcelona po shqyrton seriozisht aktivizimin e opsionit të blerjes prej 30 milionë eurosh për Marcus Rashford (Manchester United, 28 vjeç), i cili aktualisht është i huazuar.
Sa i përket pozicionit të sulmuesit qendror, katalanasit janë të vendosur të bëjnë maksimumin për të siguruar shërbimet e argjentinasit Julián Alvarez (Atlético Madrid, 25 vjeç). /Telegrafi/
Virgil Van Dijk pritet të largohet nga Liverpooli, në fund të sezonit ose më së largu në vitin 2027.
Sipas The Guardian, Liverpool e sheh Dominik Szoboszlain si një figurë kyçe për të ardhmen e klubit dhe një kandidat serioz për shiritin e kapitenit pas largimit të Virgil van Dijk, qoftë në një të ardhme të afërt apo më vonë.
Mesfushori 25-vjeçar ka qenë pa dyshim një nga lojtarët më të spikatur të “Reds” në një sezon të vështirë pas fitimit të titullit, duke marrë rol lideri në fushë dhe jashtë saj.
Szoboszlai ka konfirmuar se bisedimet për rinovimin e kontratës me klubin kanë nisur, megjithatë ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Kontrata aktuale e tij me Liverpoolin skadon në qershor të vitit 2028, çka nënkupton se gjatë verës ai do të hyjë në dy vitet e fundit të marrëveshjes, duke e bërë çështjen e së ardhmes së tij edhe më të rëndësishme për klubin. /Telegrafi/
Futbollisti i konsideruar si një nga talentet më të mëdhenj të Barcelonës, Dro Fernandez (18), është detyruar të stërvitet i vetëm, pasi është larguar nga aktiviteti me skuadrat e klubit pas kërkesës së tij për t’u transferuar.
Të premten e kaluar, Dro i bëri të qartë trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv të Barcelonës se dëshironte të largohej menjëherë nga klubi gjatë afatit kalimtar të janarit. Pas këtij vendimi, ai u përjashtua nga ekipi i parë dhe aktualisht nuk stërvitet me asnjë skuadër të klubit, as nën mbikëqyrjen e stafit të akademisë.
Edhe pse në klub ka pakënaqësi për mënyrën se si lojtari i ri e ka trajtuar situatën, Flick dhe drejtuesit e Barcelonës nuk ia kanë ndaluar përdorimin e ambienteve stërvitore. Megjithatë, Dro po zhvillon stërvitje vetëm individuale, pa qenë pjesë e ndonjë grupi.
Situata e tij kontraston ndjeshëm me rastin e Marc-Andre ter Stegen, i cili vazhdoi të stërvitej normalisht me ekipin gjatë negociatave me Gironën dhe madje u lejua të mos udhëtonte në Pragë për të finalizuar huazimin. Ndryshe nga ai rast, situata e Dro Fernandez po menaxhohet shumë më ashpër.
Vendimi i mesfushorit të ri ka prekur veçanërisht Hansi Flick. Trajneri gjerman e konsideronte 18-vjeçarin si një nga lojtarët më të talentuar të La Masias dhe kishte plane konkrete për ta aktivizuar rregullisht këtë sezon.
Për shkak të këmbënguljes së tij për t’u larguar, Flick e largoi menjëherë nga seancat e përbashkëta stërvitore dhe që prej së premtes Dro nuk është më pjesë e asnjë skuadre.
Sipas burimeve të Mundo Deportivo brenda klubit, trajneri është thellësisht i zhgënjyer dhe i pakënaqur me veprimet e lojtarit.
Megjithatë, duke qenë se Dro nuk ka nënshkruar ende me ndonjë klub tjetër dhe ka kontratë të vlefshme me Barcelonën deri në qershor të vitit 2027, atij nuk i ndalohet hyrja në qendrën stërvitore apo përdorimi i infrastrukturës së klubit. Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të stërvitet ekskluzivisht në mënyrë individuale.
Dro ka marrë oferta nga disa klube të mëdha evropiane, kryesisht nga Gjermania, Anglia dhe Franca. Aktualisht, Paris Saint-Germain shihet si klubi më afër një marrëveshjeje, me PSG-në e drejtuar nga Luis Enrique që i ka ofruar një kontratë deri në vitin 2030.
Negociatat janë në një fazë të avancuar, por transferimi ende nuk është finalizuar.
Për këtë arsye, Dro vazhdon të paraqitet në Qendrën Stërvitore të Barcelonës, por largimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë.
Klubi nuk ka ndërmend ta lehtësojë ndarjen, as në aspektin sportiv dhe as në atë financiar, ndërsa dera e stërvitjes kolektive mbetet e mbyllur për të për momentin.
Për sa i përket profilit të tij, Dro Fernandez ka baba spanjoll dhe nënë filipinase. Ai ka përfaqësuar Spanjën në të gjitha kategoritë e moshave të “Furisë së Kuqe” dhe aktivizohet si mesfushor ofensiv ose në krahun e majtë të sulmit. /Telegrafi/
Për një periudhë të gjatë, Vinicius Jr. kishte një marrëdhënie të tensionuar me ish-trajnerin e Real Madridit, Xabi Alonso, e cila karakterizohej nga mungesa e mbështetjes publike dhe një tension i vazhdueshëm në fushë.
Sulmuesi brazilian shpesh përfundonte në stol, zëvendësohej herët në ndeshje të mëdha ose dukej i kufizuar në lojën e tij, çka krijoi një distancë të dukshme mes tij dhe trajnerit.
Situata arriti kulmin gjatë El Clasicos së sezonit të kaluar, kur Vinicius u zëvendësua dhe shfaqi hapur frustrimin e tij në vijën anësore ndaj Alonsos, duke e bërë përçarjen mes palëve të dukej e pakthyeshme.
Megjithatë, pas largimit të Alonsos, gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Álvaro Arbeloa.
Sipas një raporti nga AS, nëpërmjet Madrid Xtra, Arbeloa i beson plotësisht Viniciusit dhe e sheh atë si një nga shtyllat kryesore të projektit të tij.
Vinicius ka qenë titullar në të dyja ndeshjet nën drejtimin e Arbeloas deri më tani, përfshirë edhe humbjen në Kupën e Mbretit ndaj Albacetes. Edhe pse ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, trajneri po e inkurajon vazhdimisht skuadrën që ta përfshijë më shumë në fazën sulmuese, me synimin për t’i rikthyer vetëbesimin dhe për t’i dhënë më shumë përgjegjësi në lojë.
I pyetur së fundmi në një konferencë për shtyp për mundësinë e zëvendësimit të hershëm të Viniciusit, për ta mbrojtur nga presioni dhe kritikat e tifozëve në “Santiago Bernabeu”, Arbeloa nuk e përjashtoi këtë skenar, por theksoi qartë angazhimin e tij për ta mbështetur lojtarin në çdo moment. /Telegrafi/
Marc-Andre ter Stegen i ka thënë lamtumirë Ciutat Esportiva, pasi ka arritur marrëveshje për një transferim në formë huazimi te Girona deri në fund të sezonit.
Sipas gazetës katalunase Sport, Barcelona ka përfshirë në kontratë një të ashtuquajtur “klauzolë frike”, e cila do ta penalizonte financiarisht Gironën në rast se portieri gjerman aktivizohet kundër katalanasve.
Dy skuadrat janë të planifikuara të përballen në Montilivi në mesin e shkurtit, me Barcelonën që synon të mbrojë interesat e saj sportive përmes kësaj klauzole.
Ndërkohë, Ter Stegen ka mbërritur herët në qendrën stërvitore për t’u përshëndetur me shokët e skuadrës dhe stafin teknik, përpara udhëtimit të Barcelonës drejt ndeshjes së Ligës së Kampionëve.
Portieri gjerman ka zgjedhur Gironën për të siguruar minuta të rregullta loje në prag të Kupës së Botës, duke mbetur njëkohësisht pranë familjes së tij në Barcelonë.
Marrëveshja pritet të finalizohet pas kryerjes së ekzaminimeve mjekësore, me këtë huazim që vlerësohet si një nga transferimet më të bujshme në historinë e Gironas. /Telegrafi/
Trajneri i ri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, është i bindur se skuadra e tij ka potencialin e nevojshëm për të luftuar dhe fituar tituj, edhe pa kryer afrime të reja në merkato.
Arbeloa i bëri këto deklarata gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Monacos, që do të luhet të martën në mbrëmje.
“Ekipi po luan mirë, është shumë i motivuar dhe pozitiv pas fitores së së shtunës”, u shpreh Arbeloa.
Trajneri spanjoll theksoi rëndësinë e përballjes së radhës në Ligën e Kampionëve.
“Jemi të përqendruar te ndeshja e nesërme, duke e ditur se është një garë shumë e rëndësishme për ne. Fitorja e nesërme do të na sillte shumë më afër qëllimit tonë. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe duam të luajmë një ndeshje të shkëlqyer dhe t’u japim tifozëve tanë një fitore”, shtoi ai.
I pyetur nëse Real Madridi ka nevojë për përforcime të reja, Arbeloa i hodhi poshtë këto ide.
“E kam thënë që nga dita e parë se kam një skuadër të jashtëzakonshme dhe jam jashtëzakonisht me fat, nuk kemi nevojë të përforcohemi”, deklaroi trajneri madrilen.
Ai shtoi se ditët e para në krye të ekipit vetëm sa e kanë përforcuar bindjen e tij.
“Gjatë këtyre gjashtë ditëve të fundit kam kuptuar se, në një nivel më praktik, lojtarët janë edhe më të mirë nga sa mendoja. Kam ardhur këtu për të luftuar për të gjithë titujt, La Ligën dhe Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi ynë dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të luftuar për to".
Në fund, Arbeloa iu drejtua edhe tifozëve, duke nënvizuar rolin vendimtar të tyre, veçanërisht në “Santiago Bernabeu”.
“Do të na pëlqente shumë t’i kishim tifozët në anën tonë, sepse pa ta nuk kemi shumë shanse. Kur Real Madridi ka fituar tituj, kjo ka ndodhur kryesisht sepse Bernabeu ka qenë shumë mbështetës. Nëse pyet ndonjë kundërshtar për rikthimet magjike të Real Madridit, të gjithë flasin për atmosferën që Bernabeu është i aftë të krijojë. Është detyra jonë t’u sjellim atyre atë gëzim”, përfundoi Arbeloa, duke iu referuar edhe fishkëllimave që skuadra ka marrë në disa ndeshje./Telegrafi/