Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Inspektorati obligon RTK-në ta kthejë Blerta Foniqin në pozitën e redaktores



Redaktorja e Radiotelevizionit të Kosovës, Blerta Foniqi Kabashi, ka fituar rastin lidhur me degradimin e saj në pozitë, pas një ankese të bërë në Inspektoratin e Punës.

Sipas njoftimit që Foniqi-Kabashi bëri publik, ndryshimi i pozitës së saj është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

Inspektorati ka konstatuar se Blerim Haxhiaj nuk ka pasur mandat për të ushtruar detyrën e U.D. Kryeredaktorit në kohën kur nisi procedurën disiplinore ndaj saj.

Vendimi i Inspektoratit thotë se: “… punëdhënësi, RTK, përkatësisht z. Blerim Haxhiaj me rastin e inicimit të procedurës disiplinore ndaj znj. Blerta Foniqi Kabashi, në pozitën e Redaktores së lajmeve qendrore, nuk ka pasur mandat të bëjë një veprim të tillë pasi mandati i tij ka përfunduar më datën 15.09.2025. Marrja e këtij veprimi është në kundërshtim me Nenin 3 dhe 4 të Rregullores për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK.”

Si rrjedhojë, Foniqi-Kabashi duhet të kthehet në detyrën e saj si redaktore e lajmeve qendrore në RTK. /Telegrafi/

AUV asgjëson 2,064 kilogramë mish pule të importuara nga Polonia për shkak të Salmonellës



Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se gjatë kontrollit të një ngarkese të produktit MDM pule, të importuar nga Polonia nga prodhuesi CEDROB S.A., Ubojnia Drobiu Ujazdówek, dhe i importuar nga kompania KAJMAK SHPK, Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.

Sipas njoftimit të AUV-së, pas pranimit të njoftimit nga RASFF dhe me kërkesë të kompanisë KAJMAK SHPK, përmes inspektimeve të realizuara nga AUV, është vërtetuar prania e salmonelës në sasinë 2064 kilogramë mish pule.

“Pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importuar është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se AUV vazhdon të monitorojë situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.

Ky veprim vjen si pjesë e masave të AUV-së për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe për të garantuar sigurinë ushqimore në vend. /Telegrafi/

Bakteria Bacillus cereus zbulohet në qumështin APTAMIL, AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të produktit



Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar opinionin publik lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, pasi është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus.

Sipas njoftimit, thuhet e AUV përmes Komisionit Evropian – Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, si dhe është kërkuar tërheqja e këtij produkti nga tregu.

Agjencia ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës.

AUV gjithashtu thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt, i shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.

Konsumatorët që posedojnë produktin APTAMIL me lot nr. 111444865 rekomandohen ta kthejnë në pikën e blerjes ose të mos e përdorin deri në një njoftim të mëtejshëm. /Telegrafi/

Kërkohet paraburgim për policin dhe një shtetas serb për marrje dhe dhënie të ryshfetit në Vërmicë



Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit.

Sipas njoftimit zyrtar, paraburgimi është kërkuar ndaj A.K., zyrtar policor, për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj B.C., shtetas serb, për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragrafi 1 i KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

Dyshohet se A.K., duke shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C.-së hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte ndaluar hyrja për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.

Pas marrjes së parave, sipas hetimeve, A.K. e ka kaluar në mënyrë ilegale kufirin me veturën e tij bashkë me B.C., duke e dërguar më pas në qytetin e Prizrenit.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që shkelin ligjin. /Telegrafi/

Numërimi i votave ndalet natën e Vitit të Ri, rifillon më 1 janar



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar në mbledhjen e radhës orarin e numërimit të votave gjatë natës së ndërrimit të moteve, duke vendosur që më 31 dhjetor procesi të zhvillohet deri në ora 12:00 dhe më pas të ndërpritet, ndërsa të rifillojë më 1 janar nga ora 16:00,.

Çështja ka nxitur diskutime mes anëtarëve të KQZ-së lidhur me angazhimin e ekipeve gjatë festave të fundvitit dhe nevojën për vazhdimësi të procesit zgjedhor, në mënyrë që rezultatet të publikohen sa më shpejt dhe të ruhet integriteti i procesit.

Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, tha se vendimi është marrë në Këshillin për Operacione Zgjedhore, por hapi dilemë lidhur me punën më 1 janar.

“Ne në mbledhjen e Këshillit të Operacioneve kemi vendosur që dita e punës në raport me procesin zgjedhor të vazhdojë edhe me datën 1 janar pas orës 16:00, ndërkaq me datën 31 dhjetor të vazhdojë deri në orën 12:00, nuk e di nëse është vendimi më i mirë i mundshëm, nëse ja vlen të angazhojmë ekipet e ndryshme me datën 1 janar në kohën kur 31 dhjetori është festë edhe eventualisht njerëzit mund të kenë telashe që të jenë plotësisht të angazhuar në ditën e nesërme. Po e hapi si dilemë nëse është mirë që me datën 1 janar të mos punohet, ndërkaq të vazhdojë numërimi me datën 2 janar prej orës 10:00”, ka thënë Nitaj.

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se procesi zgjedhor nuk duhet të ndalet për shkak të festave.

“Duhet ta kuptojmë që jemi në proces zgjedhor dhe pjesë e përgjegjësive tona është që puna jonë të mos ndalet në mënyrë që ne një kohë sa më të shkurtër t’i bëjmë publike rezultatet e procesit zgjedhor edhe për kandidatët gjithashtu por pastaj edhe faza tjera të ankimimimit e deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon nga gjitha subjektet, nga gjithë akterët të përfshirë në proces zgjedhor që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim. Ne nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë që të ju nënshtrohemi festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pas ndërprerje për shkak edhe të aspektit sensitiv por edhe integritetit të vet procesit”, shtoi ai.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se për këtë orar tashmë janë njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore.

“Çështja e orarit është diskutuar edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore dhe është në pajtim që orari me 31 dhjetor të jetë deri në orën 12 edhe me 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim, këtë pajtim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Sekretariati i KQZ-së i ka njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore, i kemi njoftuar përmes email-it, i kemi njoftuar edhe përmes platformës ëhatssup me datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Njoftimin vetëm e kanë pranuar”, ka njoftuar ai. /EkonomiaOnline/

ASK: Deficiti tregtar i Kosovës 469,9 milionë euro në nëntor të këtij viti



Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, të cilat tregojnë se deficiti tregtar i Kosovës ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, deficiti tregtar në nëntor 2025 arriti në 469,9 milionë euro, që paraqet një ndryshim minimal prej 0,0% krahasuar me nëntorin e vitit 2024, kur deficiti ishte 470,0 milionë euro.

Në këtë periudhë, eksporti mbuloi importin me 15,7%. Vlera e eksporteve të mallrave në nëntor 2025 ishte 87,7 milionë euro, ndërsa importet arritën në 557,6 milionë euro.


Krahasuar me një vit më parë, eksportet shënuan rënie prej 9,5%, ndërsa importet ranë për 1,6%.

Në strukturën e eksporteve, peshën më të madhe e kishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 20,3%, të pasuara nga produktet minerale (15,4%), plastika dhe goma (11,2%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,1%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (10,2%).

Ndërkohë, importet dominoheshin nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13,1%, produktet minerale me 13,0% dhe mjetet e transportit me 12,4%.

Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën në 26,6 milionë euro, ose 30,3% të eksporteve totale, duke shënuar rënie prej 20,9%.

Partnerët kryesorë të eksportit në BE ishin Gjermania, Italia dhe Holanda.

Importet nga BE-ja kapën vlerën 240,3 milionë euro, apo 43,1% të importeve të përgjithshme, me rënie prej 0,9%.

Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 42,8 milionë euro, ose 48,8% të eksporteve totale, me rënie prej 6,1%.

Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.

Ndërkaq, importet nga CEFTA shënuan rritje prej 6,2%, duke arritur në 76,5 milionë euro.

Eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 18,3 milionë euro, ose 20,9%, ku Zvicra dhe Turqia ishin partnerët kryesorë. Importet nga këto vende kapën vlerën 240,8 milionë euro, me Turqinë dhe Kinën si burimet kryesore të importit.

Për më shumë informacione rreth Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, ASK njofton se të dhënat e detajuara janë të publikuara në faqen zyrtare të institucionit. /Telegrafi/

Lehtësim për qytetarët dhe mërgatën, Agjencia e Regjistrimit Civil zgjat orarin e punës



Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka njoftuar se ka marrë vendim për zgjatjen e orarit të shërbimeve në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente, për periudhën nga 23 dhjetori 2025 deri më 15 janar 2026.

Sipas njoftimit, shërbimet do të ofrohen deri në ora 18:00, ndërsa edhe dita e shtunë, më 27 dhjetor 2025, do të jetë ditë pune me orar të zgjatur.

Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbime për qytetarët dhe bashkatdhetarët, duke pasur parasysh fluksin e shtuar gjatë festave të fundvitit dhe kthimit të bashkatdhetarëve në vendet e tyre.

Agjencia ka bërë të ditur se, në koordinim me njësitë përkatëse në nivel lokal, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore, me korrektësi dhe brenda afateve ligjore.

ARC ka ritheksuar përkushtimin e saj për ofrimin e shërbimeve sa më të qasshme dhe efikase për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/

Tentim vrasje në Pejë, plagoset një person - i dyshuari në arrati



Një rast i vrasjes në tentativë ka ndodhur para pak çastesh në Pejë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.

Sipas tij, me autorizimin e prokurorit të shtetit, janë duke u grumbulluar të gjitha provat relevante dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Ndryshe, Spitali i Pejës ka njoftuar se i plagosuri është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Prishtinë. /Telegrafi/


Vendimi për kryetarin e KPM-së i paligjshëm, IKD: Ligjshmëria nuk u respektua



Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, lidhur me padinë e iniciuar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin është shpallur i paligjshëm vendimi i datës 17 janar 2025 për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e Kryetarit të KPM-së.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore theksohet se nuk janë pranuar pretendimet e KPM-së për pavarësinë e saj kushtetuese dhe organizative. Sipas Gjykatës, pavarësia e institucioneve të pavarura nuk nënkupton përjashtim nga zbatimi i ligjit.

“Pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të zbatuar ligjin,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

IKD kishte kërkuar përmes padisë shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Punës së KPM-së, si dhe deklarimin e paligjshëm të vendimit për zgjedhjen e Kryetarit. Kjo çështje ishte fituar më herët edhe në Gjykatën Supreme, e cila kishte shpallur të paligjshëm ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.

Sipas IKD-së, vendimi i sotëm i Gjykatës së shkallës së parë përbën një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe funksionimit të rregullt të KPM-së, duke forcuar besimin e publikut ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues.

IKD ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se do të vazhdojë të avokojë si për mbrojtjen e pavarësisë së KPM-së nga ndërhyrjet e jashtme, ashtu edhe për respektimin e ligjshmërisë së brendshme, e cila, sipas tyre, nuk është respektuar në këtë rast. /Telegrafi/

Besim Kelmendi paraqet kërkesë për lirim nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit



Besim Kelmendi ka paraqitur kërkesë përmes së cilës ka kërkuar që të lirohet nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo kërkesë e Kelmendit të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin është anuluar vendimi i Këshillit Prokurorial, me të cilin ishe shkarkuar nga kjo pozitë. Ndërsa, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit është konfirmuar vendimi i Themelores, e cila ka theksuar se çështja është e gjykuar.

“Siç jeni në dijeni më Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës A.A.nr.124/2025 të datës 16.12.2025 është anuluar Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK.nr.1056/20 i datës 20.11.2025, ndërsa më Aktvendimin e Gjykatës së Apelit A.nr.1210/25 i datës 19.12.2025, është konfirmuar së cështja e ngritur sipas padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës është cështje e gjykuar sipas Aktgjykimit të më sipërm të Gjykatës Supreme. Bazuar në vendimet e sipërcekura gjyqësore dhe në situatën e krijuar në Këshillin Prokurorial pas nxjerrjes së vendimit të anuluar nga Gjykata Supreme, përmes këtij emailit zyrtar ua përcjellë Kërkesën time për të më liruar nga Pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokuroit të Shtetit, të cilën detyrë e kam ushtruar nga data 22 prill 2022”, thuhet në kërkesë.

Kelmendi ka theksuar se nuk ka aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe se ishte kërkesë e anëtarëve të Këshillit ta pranonte pozitën e U.D.

“Përmes kësaj kërkese ua rikujtoj edhe një here, juve dhe të gjithë qytetarëve, së unë nuk kam aplikuar fare për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe së në asnjë rast nuk kam shpreh interesim për të marr as pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, përkundrazi ishte kërkesë e anëtarëve të Këshillit që unë ta pranoja ketë detyrë deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe si rezultat i këtyre kërkesave, më datë 22 prill 2022, në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e pranishëm të Këshillit, jam caktuar si Ushtrues i Detyrës ë Kryeprokuroit të Shtetit”, thuhet më tej.

Ndërsa, ai theksoi se pas gjithë situatës së krijuar në KPK dhe pasi konsideron që me vendimin e Supremes është arritur vendosja e ligjshmërisë dhe respektimit të standardeve ligjore, kërkon të lirohet nga detyra.

“Andaj pas analizimit të te gjitha rrethanave dhe situatës së krijuar në Këshillin Prokurorial, dhe në vecanti pas nxjerrjes dhe shpalljës së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës A.A.nr.124/2025 të datës 16.12.2025, konsideroj së është arritur vendosja e ligjshmërisë dhe respektimi i standardeve ligjore të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Kjo arritje nuk është vetëm e imja por e të gjithë individëve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar, të cilët kanë kërkuar respektimin e ligjshmërisë. Kërkesa ime për të më liruar nga pozita e Ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është një reflektim i vullnetit tim për të mbështetur reformën në Sistemin Prokurorial dhe për të kontribuar në përmirësimin e gjendjës së krijuar në Këshill, andaj shpresoj dhe besoj së të gjithë ju anëtarët e Këshillit do të gjeni forcën dhe vullnetin, jo vetëm për të aprovuar kërkesën time por edhe për të krijuar kushte normale për funksionimin e Sistemit Prokurorial”, thuhet më tutje..

Kelmendi zotohet se do të punojë me përkushtim për të mirën e sistemit prokurorial.

“Dhe krejtë në fund, unë, si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, do të punoj më përkushtimin tim më të madh për të mirën e Sistemit Prokurorial, i pavarur, i pa anshëm dhe me profesionalizëm, ashtu siç më ka vlerësuar Këshilli Prokurorial kur më ka propozuar për të marr çmimin më të rëndësishëm të karrierës time – çmimin më emrin e heroit tonë kombëtar “Sali Çekaj”, si dhe në ditën kur ky Këshill Prokurorial më ka caktuar si Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në kërkesën e Kelmendit.

Gjykata Themelore e shpall të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së



Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar padinë e OJQ-së Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke e shpallur të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të datës 17 janar 2025.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, i cili ka theksuar se vendimi i gjykatës konfirmon shkeljet ligjore gjatë procesit të vendimmarrjes.

“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar padia e IKD-së dhe është deklaruar i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së,” ka deklaruar Bajraktari.

Sipas tij, aktgjykimi rikonfirmon rëndësinë e respektimit të ligjit në proceset institucionale.

“Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës dhe rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë gjatë marrjes së vendimeve të tilla,” ka shtuar ai.

Vendimi i gjykatës pritet të ketë ndikim në funksionimin dhe vendimmarrjen e ardhshme të Komisionit të Pavarur të Mediave. /Telegrafi/


Gjendja në kufirin e Kroacisë, ambasada: Procedurat mund të vonohen për shkak të sistemit EES



Ambasada e Kosovës në Zagreb ka njoftuar se po e ndjek me kujdes situatën në pikat kufitare të Kroacisë me Serbinë dhe Malin e Zi. Situata aktualisht konsiderohet stabile.

"Pas bisedës telefonike mes ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe ministrit kroat, Davor Božinović, u vendos që të gjitha sportelet në kalimet kufitare të Kroacisë të jenë të hapura, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve", thuhet në njoftim.

Megjithatë, Ambasada paralajmëron se procedurat mund të jenë më të ngadalta për shkak të hyrjes në fuqi të Sistemit Evropian të Hyrjes/Daljes (EES) më 12 tetor 2025, një sistem digjital që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve të treta në zonën Shengen.

Ambasada u uron të gjithë qytetarëve që udhëtojnë drejt Kosovës për festat e fundvitit rrugë të mbarë, shëndet dhe festa të gëzuara. /Telegrafi/


'Mesazhi sekret' - publikohen pamjet kur Naim Murseli i bënte me shenjë Granit Plavës



Gjatë administrimit të provave materiale në seancën ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shfaqur video nga restauranti "Etnokuqa", ku pasi Liridona, Naimi dhe fëmijët hyjnë, pas pak minutave në të kundërtën e tyre ulet edhe Granit Plava.

"Në orën 18:32 dhe 44 sekonda, kamera e Etnokuqes e kanë inicizuar ardhjen nga kamerat e brendshme në restorant, shihet se si familja Murseli vjen, ja vetura e markës Seat… Në orën 18:35, hyrja e Granit Plavës në restaurantin Etno Kuqa i cili do të ulet në të kundërtën e familjes Murseli", tha ajo.

Në pamje shihet edhe Naim Murseli, lëviz brenda restaurantit dhe i drejtohet tavolinës së Granit Plavës.

Po ashtu, janë shfaqur video edhe nga shtëpia kur së bashku me fëmijët dalin nga aty dhe hypin në makinë./kp/

Në vitin e dytë të liberalizimit të vizave, bien kërkesat për azil në BE



Pa viza drejt 29 vendeve anëtare të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtare të BE-së.

Ky lajm kishte ardhur me paralajmërimin se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e migrimit nga Kosova.

Dhe, gjatë vitit të parë, më 2024, kishte ndodhur pikërisht kjo, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat.

Trendi, megjithatë, ndryshoi në vitin e dytë të mundësisë së udhëtimit pa viza.

Edhe pse janari i këtij viti shënoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për një fillimvit, trendi ra dukshëm në muajt pasues.

Në disa muaj, ky numër ishte madje më i ulët se në vitet para liberalizimit të vizave.

Në parim, liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.

Në Kosovë kishte shqetësime se shumë të rinj mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tentuar të gjejnë punë apo për të kërkuar azil.

Edhe pse në të kaluarën kishte një numër dukshëm më të madh të burrave që kërkuan azil në BE, ky dallim pothuajse u zhduk në dy vjetët e fundit.


Këtë vit, përpos rënies së përgjithshme të numrit të azilkërkuesve, vërehet një rënie drastike edhe e numrit të azilkërkuesve nën 14 vjeç.

Ky është një lajm i mirë për kosovarët, pasi që trendi i aplikimeve më të mëdha për azil rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.

Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave.

Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, apo ka rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt.

Për më tepër, këtë muaj, Këshilli i Bashkimit Evropian e përfshiu Kosovën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE./REL/

Tentim vrasje në Gjakovë, viktima dërgohet në spital



Një vrasje në tentativë ka ndodhur të dielën në Gjakovë rreth orës 19:23.

Si pasojë e të shtënave me armë nga persona të panjohur, një person ka mbetur i plagosur.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori.

Të dyshuarit pasi kanë kryer veprën janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti në procedure hetimore. /Telegrafi/

Plagoset një person në Ferizaj, policia në kërkim të autorit



Një person ka mbetur i plagosur në Ferizaj, pasi dyshohet se është qëlluar me armë nga një tjetër burrë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 3 gëzhoja.

Policia ka njoftuar se viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari (i njohur për policinë) është në kërkim policor.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve. /Telegrafi/

Moti i qëndrueshëm dhe i kthjellët në Shqipëri



Të hënën, Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti pritet të jetë kryesisht i kthjellët, me kalime të shkurtra të vranësirave.

Mjegulla do të paraqitet gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes, kryesisht në zonat luginore.

Era do të fryjë nga drejtimi i veriut me shpejtësi mesatare rreth 5 m/sek.

Valëzimi në det parashikohet i qetë, me forcë rreth 1 ballë. /Telegrafi/

Vrasja e Liridona Ademajt, vazhdon sot gjykimi ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve



Sot në orën 09:30 po mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Seanca do zhvillohet në Gjykatën Themelore ku pritet shqyrtimi i provave dhe procedurave lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria.

Të akuzuarit po përballen me drejtësinë nën dyshimet për përfshirje në këtë rast të rëndë penal, i cili ka ngjallur interes të madh publik.

Seanca e kaluar e planifikuar të mbahej më 12 dhjetor u anulua dhe e njëjta u vendos që të zhvillohet sot.

Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.

Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. /Telegrafi/

Mot i ndryshueshëm gjatë javës, nga e mërkura reshje bore



Gjatë kësaj jave mbi vendin tonë do të mbretërojë mot i ndryshueshëm, ku parashihet të ketë vranësira me interval të shkurta diellore.

Nga dita e mërkurë do të ketë riga shiu në viset e ulëta dhe në viset mbi 1600 metra lartësi mbidetare parashihen fjolla bore.

Ndërkaq sipas IHMK sot moti do të jetë i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të luhaten nga -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale ndërmjet 5-7 gradë Celsius.

Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-4 metër për sekondë. /Telegrafi/

SHBA paralajmëron qytetarët shqiptarë për martesat e rreme, pasojnë dënime serioze



Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët shqiptarë, duke theksuar se mashtrimi përmes martesës për qëllime emigrimi përbën krim federal në SHBA.

Në njoftimin e saj, ambasada u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin vetëm rrugë të ligjshme për të hyrë dhe qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze. Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ambasada rikujton se shkeljet e ligjeve të emigracionit mund të kenë pasoja të rënda ligjore dhe të ndikojnë negativisht në mundësitë e ardhshme për udhëtim apo qëndrim në SHBA. /Telegrafi/

❌