Opozita, në protestë para Kryeministrisë
TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike zhvillon sot protestë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Tashmë ka nisur grumbullimi i protestuesve që vijnë nga selia e PD-së drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të PD-së, iu bashkua protestës duke marshuar nga selia blu drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta vjen pas disa foltoreve të zhvilluara para Kryeministrisë nga Partia Demokratike, pasi sipas opozitës në Kuvend iu mor çdo hapësire kushtetuese.
Përballë godinës së qeverisë është ngritur podiumi ku do të të flasin eksponentët e Partisë Demokratike dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë, ndërsa pritet të zgjasë për rreth 3 orë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta do të ndalet vetëm me rrëzimin e qeverisë.
“Ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë deri në përmbysjen e regjimit”, tha Berisha.
Në lidhje me mbarëvajtjen e saj, policia ka ndërmarrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ndërsa qindra efektivë policie janë në terren.
Në varësi të tubimit, sipas policisë, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
(Vijon…)
The post Opozita, në protestë para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.







