Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Aksident në aksin Lezhë–Milot/ Përplasen tre automjete, dy persona në spital

Një aksident rrugor është regjistruar në kilometrin e dytë të superstradës Lezhë–Milot, ku janë përfshirë tre mjete, një autoveturë, një fuoristrade dhe një mjet tip furgon, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullim.

Sipas informacioneve paraprake, dy nga drejtuesit e mjeteve janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej drejtuesve është testuar në vendngjarje dhe rezulton se nuk ka qenë nën efektin e alkoolit.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar nga një prej mjeteve të përfshira. Policia rrugore ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit të mjeteve.

Sherr në Vlorë/ Arrestohet 47-vjeçari, qëlloi me kaçavidë një 25-vjeçar

Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. L., 47 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet të mprehtë (kaçavidë), shtetasin D. Z., 25 vjeç, banues në Vlorë. I dëmtuari po merr mjekim në spitalin e Vlorës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Kredia e re për ekonominë/ Ekspertja: Rritja e huasë tregon zhvillimin ekonomik. Rritje e kërkesës së tregut

Sistemi bankar në vend vijon të shfaqë qëndrueshmëri dhe nivel të lartë menaxhimi të riskut, ndërsa bizneset dhe konsumatorët po tregojnë një qasje më të kujdesshme ndaj financave. Kështu u shpreh ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, në “Money Report” në ABC News, duke theksuar se financat e biznesit dhe ato të familjeve shqiptare paraqiten të stabilizuara, në një klimë zhvillimi ekonomik.

Sipas saj, bankat kanë arritur të menaxhojnë në nivele shumë të larta riskun, ndërsa bizneset kanë nisur të administrojnë më mirë të ardhurat dhe investimet e tyre, të cilat janë përqendruar kryesisht në sektorin bankar. Radonshiqi nënvizoi se edhe konsumatori shqiptar ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e të ardhurave, i ndikuar nga përvojat e së kaluarës që kanë treguar koston e lartë të keqmenaxhimit financiar.

Ekspertja theksoi se bizneset janë të parat që reflektojnë zhvillimet e tregut, ndërsa problematikat gjeopolitike mbeten një faktor që sjell pasiguri në ekonomi. Megjithatë, ajo vuri në dukje se turizmi ka marrë një hov të ndjeshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kredive për pasuri të paluajtshme.

Sipas Radonshiqit, rritja e kërkesës në treg është reflektuar edhe në shtimin e kredive hipotekore, të cilat nuk merren më vetëm për qëllime strehimi, por në shumë raste shërbejnë edhe si mbështetje për zhvillimin e bizneseve.

“Sistemi bankar ka menaxhuar në nivele shumë të larta riskun, nga ana tjetër janë edhe bizneset të cilat kanë filluar të mirëmenaxhojnë të ardhurat e tyre. Shikojmë që rëndësia që u kushtohet sot investimeve, janë përqendruar tek biznesi bankar. Nga ana tjetër konsumatori shqiptar e menaxhon shumë mirë riskun, pasi e shkuara ka bërë që nëse nuk menaxhojnë mirë të ardhurat e tyre, do u kushtojë shumë në pronësinë dhe të ardhurat. Kemi një qëndrueshmëri të financave të biznesit dhe të financave shqiptare.

Kemi një zhvillim ekonomik. Bizneset janë të parat që shikojnë zhvillimet e tregut. Nga ana tjetër shikojmë që problemet gjeopolitike sjellin pasiguri. Shikojmë gjithashtu që turizmi ka marrë një hov të madh, prandaj dhe janë rritur kreditë për pasuri të patundshme. Efektet janë reflektuar. Kemi rritje të kërkesës së tregut. Marrja e kredisë hipotikore nuk është e bazuar vetëm tek marrja e shtëpisë për strehim, por shumë kredi të tyre janë të mbështetura edhe te të bëri biznes”, tha ekspertja.

Kërkoi pasuritë e konfiskuara/ Gjykata e Lartë rrëzon ish-gjyqtarin Guxim Zenelaj

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posacem, duke rrëzuar rekursin e ish-gjyqtarit Guxim Zenelaj për konfiskimin e pasurive të tij.

Bëhet fjalë për pasuri sipërfaqe toke prej 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë-Vlorë si dhe 6 pasuri të paluajtshme në Ishull Shëngjin-Lezhë.

Dy bodrume njësi me sipërfaqe 218 m2 dhe tre apartamente me sipërfaqe rreth 60 m2, 67 m2 dhe 51 m2.

Kishte fshehur pistoletën, në papafingon e banesës/ Tiranë, arrestohet 28-vjeçari

Policia e Tiranës ka arrestuar një 28-vjeçar, pasi kishte fshehur pistoletën, në papafingon e banesës së tij, arrestohet 28-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit dhe celulari i të arrestuarit.

“Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28  vjeç, banues në fshatin Pezë e Vogël.

Nga kontrolli në banesën e tij, u gjet e fshehur në papafingo, 1 armë zjarri pistoletë që mbahej pa leje, nga i arrestuari”, njofton policia.

Fermerët interes për garancinë sovrane/ Kreditimi i bujqësisë, BSH takim me bankat, ministrinë e Bujqësisë dhe të Financave

Fermerët apo bizneset agro-përpunuese kanë shfaqur interes për të përfituar financim nga garancia Sovrane me vlerë 250 mln euro. Nisur nga kjo por edhe për të analizuar ecurinë e garancisë Sovrane Banka e Shqipërisë ka realizuar një takim me aktorët kryesorë.

Sipas ministrit të bujqësisë tashmë ka pasur një  rritje të  interesit dhe  aplikimeve që tregon  nevojën e sektorit për financim nga ky sektor .

Po ashtu në takim  u bë thirrje bankave që të intensifikojnë përpjekjet për orientimin e fermerëve drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit dhe investimit në sektorin bujqësor.

Ndër të tjera, takimi synoi gjithashtu edhe përcaktimin e masave konkrete për përmirësimin e aksesit në financim për fermerët, ndërmarrjet bujqësore dhe bizneset mikro, në përputhje me parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetit financiar.

Ndërkohë, Qeveria do vazhdojë të mbështesë sektorin edhe nëpërmjet kanaleve të tjera, si skema kombëtare e bujqësisë, paketa fiskale si dhe rifillimi i IPARD III.

 

Vendimet e legalizimeve në e-Albania/ ASHK: Dokumenti dërgohet online, duke eliminuar paraqitje në sportele

Vendimet për legalizimin e ndërtimeve informale do t’u dërgohen qytetarëve drejtpërdrejt në profilin e tyre në platformën e-Albania. Agjencia Shtetërore e Kadastrës informon se dokumenti do të mbërrijë menjëherë në telefon apo kompjuter, duke eliminuar nevojën për paraqitje fizike në sportele apo pritjen në radhë.

Në këtë mënyrë qytetarët mund të marrin vendimin për legalizimin në kohë reale, me gjurmueshmëri elektronike dhe siguri më të lartë.

Po ashtu në mënyrë elektronike tashmë do të ofrohet edhe një tjetër shërbim siç është aplikimi online për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim.

Aplikimi kryhet elektronikisht, pa nevojë paraqitjeje fizike, duke ngarkuar dokumentacionin përkatës në sistem. Ky shërbim pritet të përshpejtojë proceset e kalimit në pronësi, të rrisë formalizimin dhe të ulë hapësirat për vonesa apo keqkuptime procedurale.

BE 100 milionë euro për punësimin/ Rama: Shtojmë edhe 12 shërbime të dedikuara për familjet dhe nënat në nevojë

Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion të Shqipërisë një fond prej 100 milionë eurosh për nxitjen e punësimit për kategoritë në nevojë, ndërsa përshtatja e politikës sociale me atë të unionit do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenës së qytetarëve.

“Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social. Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor. Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar”, tha Gonzato.

Aktualisht janë 65 mijë qytetarë që marrin mbështetje të vazhdueshme ndërsa me fondin e ri social shtohen 12 shërbime të dedikuara për fëmijët dhe nënat në nevojë, personat me aftësi ndryshe, gratë viktima të dhunës apo fëmijët pa kujdes prindëror.

“Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është diçka shumë domethënëse dhe nuk janë 65 mijë individë të cilët i prek një sistem financimi, por janë 65 mijë individë, të cilët i prek një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh dhe kështu me radhë. Është 17 % më i lartë këtë vit sesa vitin e shkuar, por buxheti nuk është e gjitha dhe nuk i thotë dhe as i zgjidh dot të gjitha. Kështu që për këtë arsye na duhet që këtë proces decentralizimi ta thellojmë, ta bëjmë më të konsoliduar dhe në ndërkohë të rrisim patjetër edhe cilësinë e jetës nën strehët e kujdesit shoqëror”, u shpreh kryeministri Rama.

Jo pak rol do të kenë dhe bashkitë, ndaj një mesazh Gonzato, e kishte për politikën ka nisur punën për hartën e re territoriale.

“Në nivel qendror duhet të fuqizohen bashkitë. Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë mes qeverisjes vendore dhe asaj lokale, për këtë mendojmë se mund të ndihmojë Reforma Territoriale. Transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë në qendër të politikave, kjo pasi ndërsa Shqipëria ecën më pranë BE duhet të ketë sisteme të drejta dhe transparentë”, shtoi më tej Gonzato.

Për Ramën negociatat nuk janë vetëm një fazë burokratike, por një proces I tërë transformimi, ndërsa nuk i kurseu as batutat.

“Nëse BE i ka të dyja, ka edhe lekët, ka edhe mendjen, UNICEF nuk ka lekë, por ka mendjen, ka edhe zemrën, kështu që kinezët thonë “një mendje, hiç mendje; dy mendje, një mendje; tre mendje, dy mendje’’ kështu që bashkimi i mendjeve tuaja bën një mendje për ne. Edhe mendja jonë, edhe pastaj zemrën e kemi vetë ne, se ti je dhe turk, ndërkohë që këta kanë edhe lekët që i kanë ato, s’kemi ça bëjmë”, përfundoi Rama.

Haga, 45 vjet burg për ish-krerët e UÇK/ Krisafi: Dënimi i lartë për qëllime politike. Mund të ketë dhe pafajësi

Kërkesa për 45 vite burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime të forta, ndërsa analisti Ledion Krisafi e cilëson atë si një masë tepër të lartë dhe me sfond politik.

Sipas Krisafit, dënimi i kërkuar është “shumë i lartë nga sa pritej” dhe, duke marrë parasysh moshën e të akuzuarve, përkthehet praktikisht në burgim të përjetshëm. Ai thekson se situata në Kosovë nuk mund të barazohet me atë të Serbisë, duke argumentuar se Serbia ishte agresori në luftë, ndërsa shqiptarët ishin viktima.

Krisafi nuk përjashton mundësinë që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm ose të marrin një dënim më të ulët se 45 vite, por shprehet kritik ndaj qasjes së gjykatës, të cilën e konsideron politike dhe tendencioze. Sipas tij, ka pasur një përpjekje për të shpërndarë përgjegjësinë mes palëve, në mënyrë që faji të mos mbetet vetëm mbi Serbinë, e cila, sipas tij, ka kryer pjesën më të madhe të krimeve gjatë luftës.

Ai shton se paralelizmi mes UÇK-së dhe ushtrisë serbe është bërë më shumë për të prodhuar dënime sesa për të zbardhur të vërtetën, duke nënvizuar se UÇK-ja nuk ishte një ushtri e rregullt në kuptimin klasik të fjalës, por një organizim paramilitar në rrethana lufte.

“Në fakt është shumë e lartë nga sa pritej. Duke marrë parasysh edhe moshën e ish-krerëve të UÇK i bie që të jetë gati burgim të përjetshëm. Nuk jemi në këtë situatë në Kosovë, për më tepër që Serbia ishte agresori dhe shqiptarët ishin viktimat. Nuk përjashtohet mundësia që të akuzuarit të dalin të pafajshëm.

Ka një përpjekje që të dënoheshin të gjithë, për të mos ua lënë gjithë fajin serbëve. Lufta u fillua nga serbët dhe ata bënë pjesën më të madhe të krimeve. Një pjesë e elitave ndërkombëtare mund të jenë penduar për atë që ka ndodhur në Kosovë, dhe mendojnë që fajin ta mbajnë të gjithë. Kërkesa është e rëndë, nuk mund të dënohen shqiptarët që ishin viktima.

E gjithë kjo gjykatë është e gjitha politike, nuk ka qenë qëllimi për të hyrë në detaje. Qëllimi ka qenë që të dënojmë të gjithë, të gjithë ata që kanë bërë krime në ish-Jugosllavi. UÇK nuk ishte një ushtri në kuptimin e plotë të fjalës, ishte më shumë një organizimin paramilitar.

Nuk ishte e ngjashme me ushtrinë serbe. Paralelizmi me UÇK-në dhe me ushtrinë e Serbisë, ka qenë më shumë për të dënuar, se sa për të zbuluar të vërtetën. Në disa kancelari ndërkombëtare, është thënë që Shqipëria nuk mund t’i marrë të gjitha, pavarësinë. Qëllimi ka qenë që të dënohen të gjithë. Ka qenë shumë tendencioze. Nuk mendoj se mund të ketë një dënim maksimal 45 vjet, mendoj që mund të ketë një dënim më të vogël, por edhe pse jo pafajësi”, tha Krisafi.

Dokumentet e publikuara nga SHBA/ Çfarë zbulojnë e-mail-et e Epstein për motrat Hadid?

Në një nga e-mail-et e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmendet një bisedë ku Jeffrey Epstein diskuton për karrierën e motrave Bella dhe Gigi Hadid në industrinë e modelingut.

Biseda mban datën 3 dhjetor 2015 dhe zhvillohet mes Epstein dhe një personi të paidentifikuar, që dyshohet të ketë pasur lidhje me botën e modelingut. Në fillim të dialogut, bashkëbiseduesi e pyet Epsteinin: “Si u bënë modele motrat Hadid dhe fituan kaq shumë para? Nuk e kuptoj.”

Ti e di”, përgjigjet Epstein, duke kundërshtuar më pas pretendimin se “babai i tyre pagoi agjencinë e modelingut”.

Biseda vijon me tone edhe më të forta. Në një tjetër mesazh, personi i paidentifikuar shkruan: “Ka shumë vajza që bëjnë kompromis”, ndërsa Epstein përgjigjet: “Jam dakord”.

“Pra, çfarë bënë ato?” këmbëngul bashkëbiseduesi. Në përgjigje, Epstein përdor një shprehje vulgare me nënkuptime të qarta. Kur ai pyetet për motrat Hadid me frazën “nëse mund ta bëjnë ato, pse jo unë?”, Epstein përfundon: “Sepse ato ndjekin udhëzimet, është kaq e thjeshtë”.

Ferstapen fluturon në Bahrein/ Formula 1, ish-kampioni i botës më i miri në prova në Bahrein

Jo më kot është katër herë fitues i titullit.

Maks Ferstapen, edhe pse nuk u shpall dot vjet kampion, mbetet piloti më i mirë i brezit të tij dhe njëri nga më të mirët në histori, e duket se sezoni i ri do të jetë si dikur.

I mbiquajturi “holandezi fluturues” po shkëlqen fort në provat përpara nisjes së kampionatit botëror në mars, dhe ja ku e dha një dëshmi të qartë.

Në xhirot testuese që po bëhen në pistën e Bahreinit, Verstapen la prapa rivalët, dhe madje arriti një shpejtësi maksimale në vijë të drejtë prej 336 kilometrash në orë.

Natyrisht, kjo është larg rekordit të Formula 1, me 372.5 km në orë të mbajtur nga Valteri Botas që nga viti 2016, por sërish jemi në prova, në fazë përgatitore, dhe jo në kushtet kur makina nuk ka karburant apo kur ndodhet në lartësi të mëdha si në Meksikë.

Nga makinat e tjera, rivale e Red Bullit mendohet më shumë Aston Martin, por gjithsesi nuk mund të përjashtohen të tillë si Meklaren, kampion i botës me pilotët Norris e Piastri, apo Mercedes, ndërsa pritet të shihet se çfarë do të bëjë Ferrari. Kampionati Botëror i Formula 1 nis në 8 mars në Australi.

Festë familjare në Olimpiadë/ Vëlla e motër nga Sllovenia e Suedia fituan medalje të arta

Ka ndodhur edhe më parë, por mbetet e veçantë.

Ndjenjë vërtet shumë e bukur kur vëlla e motër fitojnë medalje të artë olimpike, aq më tepër në të njëjtën kohë, e madje së bashku në ekip.

Këtë e bënë dy fëmijë të një familjeje nga Sllovenia e Suedia në Olimpiadën që po vazhdon në Itali.

Nika e Domen Prevc nga Sllovenia konfirmuan parashikimet duke ndihmuar ekipin e tyre që të fitonte në kërcimin me ski nga trampoline, për skuadrat e përziera me 4 sportistë.

Kampionët e tjerë të rinj olimpikë janë  Nika Vodan dhe Anze Lanishek, dhe Sllovenia mbrojti titullin e fituar katër vjet më parë në Pekin, ndonëse vetëm Vodan ishte në ekip që nga ajo kohë.

Medalistët e artë morën 1069.2 pikë, me diferencë nga Norvegjia dhe Japonia, duke I dhënë vendit të tyre triumfin e parë në këto Lojra. Vëlla e motër kampionë olimpikë edhe Izabela e Rasmus Vrana nga Suedia.

Ata u bënë të parët fëmijë të së njëjtës familje që merrnin pjesë në Olimpiadë për ekipin suedez.

Suksesi I tyre u arrit në garën kërling në Kortina d’Ampeco në finalen ndaj skuadrës së përzier amerikane.

Goditjen e fundit e dha pikërisht motra, Izabela, duke siguruar vendin e parë për skandinavët, ndërsa kjo ishte e arta e tretë për Suedinë.

Mundet fenomeni Shiffrin/ Skiatorja më e mirë alpine në histori, pa medalje në Olimpiadë

Ishin favorite absolute, por sporti është çështje momenti.

Ndodh që edhe një kampione e madhe si Mikaela Shifrin të dështojë, dhe amerikania shkaktoi një të papritur të madhe në Lojërat Olimpike.

Skiatorja alpine më e mirë në histori realizoi një slalom të dobët, ndoshta më të dobëtin që ka bërë ndonjëherë, duke e lënë skuadrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës jo vetëm pa titullin olimpik, por edhe jashtë podiumit.

Amerikanet ishin favorite edhe pasi Brizi Xhonson doli e para në garën e zbritjes së lirë, por Shifrin sërish nuk e pati ditën e saj, duke dalë vetëm në vendin e 15-të.

E pamendueshme. Veterania 30-vjeçare ka rekordin e fitoreve në kupat e botës me 108 të tilla, dhe e kryeson Kupën e Botës të këtij viti, veçse raportin me Olimpiadat nuk e ka aspak të mirë.

Ajo nuk fitoi asnjë medalje katër vjet më parë në Pekin. Kampione olimpike të dimrit në Itali dolën dy austriaket, Arianë Redler dhe Katarina Huber, ndërsa Shifrin do të ketë rast për autokritikë javën që vjen në sllallomin individual për femra.

 

Malini, sërish me “Salto mortale”/ Kampioni i madh amerikan bën sërish rrotullimin spektakolar

Gjithçka ishte e panjollë. Ilia Malinjin nderoi sërish veten me skuadrën olimpike amerikane duke e nisur në mënyrë të shkëlqyer konkurrimin e kombinuar për meshkuj në baletin artistik në akull.

Ai dominoi ditën e parë të konkurrimit për djem, me diferencë të madhe me kundërshtarët, e pritet të fitojë një tjetër të artë olimpike, pas asaj që fitoi në programin e lirë.

Publiku në Arenën e Milanos u mrekullua kur Malinjin përsëriti kërcimin mbrapsht në akull, e dyta herë që e bën në këtë Olimpiadë.

E gjithë paraqitja e tij ishte e përsosur teknikisht, me disa kërcime me rrotullime të shumëfishta.

I stërvitur nga prindërit me origjinë ruse dhe dikur me nënshtetësi uzbeke, Tatjana Malinjina dhe Roman Skorniakov, si dhe nga trajneri tjetër Armeno-amerikani Arutjunian, ai ka krijuar një epërsi të frikshme në baletin artistik në akull.

Edhe pse vetëm 21 vjeç, ai ka dalë kampion olimpik, dy herë kampion I botës si dhe kampion I botës për të rinj dhe është I pathyer që nga viti 2023.

Malinjin kryeson pas ditës së parë me 108.16 pikë, më shumë se 5 pikë mbi rivalin kryesor, japonezin Juma Kagijama, dhe është favorit për të fituar medaljen e dytë të artë në këto Lojëra Olimpike.

Napoli, kapitullimi i dytë/ Kampionët e Italisë i thonë “lamtumirë” edhe trofeut të Kupës

Duket nuk e ka fuqinë për t’ia dalë.

Napoli vërtet është kampion në fuqi i Italisë, dhe deri në gjysmën e sezonit u duk se ishte një nga kandidatët kryesore për ta mbrojtur titullin, por tashmë situata ka ndryshuar plotësisht.

Të Kaltrit pësuan një dështim të dytë vetëm pak ditë pas eliminimit të hidhur nga Liga e Kampionëve.

Është Komo në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, edhe pse nuk ishte favorite, edhe pse është një emër tepër modest, e ndonëse ndeshja po luhej në stadiumin “Maradona”.

Lombardët kaluan të parët në epërsi kur shënoi kroati Baturina me penallti në 39’, edhe pse Antonio Vergara barazoi me të nisur pjesa e dytë.

Gjithsesi, paraqitja shumë e mirë e këtij futbollisti nuk mjaftoi. Me Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes, me Romelu Lukakun që hyri në 15 minutat e fundit në vend të Hojlundit dhe me disa yje të tjerë në fushë, Napoli I trajnerit Konte nuk pati energjinë e duhur.

Miqtë bënë më shumë, mbajtën më tepër topin, dhe patën numër më të madh gjuajtjesh. U arrit tek penalltitë, dhe lotaria e futbollit këtë herë ishte me Komon.

“Napoli sërish jashtë, -titullon “La Gazeta delo Sport”, që pjesën kryesore të kopertinës ia kushton suksesit të Italisë në Olimpiadën e dimrit, pas Championsit vjen një zhgënjim tjetër!”

E përditshmja nga Kampanja, “Il Matino” shkruan se Kupa ishte sërish e hidhur për Napolin, dhe se trajneri Konte u ankua për arbitrat, duke mos dashur të fliste për titullin kampion!

Skuadra e dikurshme e Maradonës është jashtë Championsit, jashtë Kupës së Italisë dhe në vendin e tretë në Serinë A, 9 pikë prapa Interit.

Nuk vlen spektakli i Asanit/ Ylli i kombëtares shënon një gol të bukur, por VAR ia anulon

Nuk i kemi punët mirë me teknologjinë këto kohë.

Fillimisht, Berat Gjimshitit iu anulua një gol në Serinë A, ndërsa realizoi në sfidën Atalanta-Kremoneze, dhe këtë mesjavë kjo gjë u përsërit.

Jasir Asani ishte në fushë në Ligën e dytë të Kampionëve të Azisë, ndërsa skuadra e tij Esteglal priste në Teheran rivalin nga Jordania, Al Husein.

Futbollisti i kombëtares shqiptare ishte protagonist në një duel që iranianët e dominuan ndaj kryesuesit të ligës saudite, por edhe ai ishte pafat, si Gjimshiti.

Realizoi një gol të shkëlqyer, si ata që di t’i realizojë vetëm ai, por flamuri i anësorit u ngrit lart.

Kontrolli me VAR bëri që të shihej që pozicioni I shqiptarit nga Shkupi ishte paksa më I avancuar, pra ai ishte jashtë loje.

Një mëkat. Paaftësia vazhdoi për Esteglalin, pasi u anulua edhe një gol I dytë, sërish për pozicion jashtë loje, ndërsa mallkimi u bë I plotë në fund.

Al Husein shënoi një rrjetë të shkëlqyer dhe fitoi ndeshjen e parë të të tetave të finaleve, pra Asani me shokë duhet të realizojnë një mrekulli në sfidën e dytë në Jordani.

Në Championsin e Azisë titullar ishte edhe Mario Mitaj. Mbrojtësi i kombëtares tashmë ka nisur të luajë rregullisht dhe shpresohet të vazhdojë kështu.

Skuadra e tij, Al Itihad, triumfoi 7-0 në shtëpi kundër Al Garafës nga Katari, një reagim pozitiv pas përkrahjes së tifozëve në stërvitje. Husem Auar shënoi 3 gola, ndërsa Mitaj ishte në fushë për 63 minuta.

Për një “fije floku”/ Historia e veçantë e tifozit të Manchester United, Frank Ilet

Thuhet se “nuk përmendet litari në shtëpinë e të varurit”, në këtë rast nuk mund të flasësh për flokët kur dikush ka më 493 ditë pa u qethur për shkak të një premtimi.

Frank Ilet, tifozi i Manchester United, vendosi më shumë se një viti që të mos priste flokët derisa skuadra e zemrës të fitonte pese ndeshje radhazi.

Por ai duhet të presë ende gjatë për të shkuar te beriberi, pasi duke qëndruar te tema e flokëve, “për një fije” nuk e arriti objektivin e tij.

Frank ishte mbledhur me miqtë e tij për të parë sfidën e Manchester United, që zbriti në transfertën e Ëest Ham pasi kishte regjistruar katër fitore radhazi.

Shpresat e tij morën një goditje të rëndë në nisje të pjesës së dytë, kur vendasit kaluan në epërsi.

Shanset e Frank u kthyen sërish, kur Casemiro barazoi shpejt shifrat, por goli i brazilianit u anulua nga sistemi VAR.

Tifozi kuptoi se fati nuk ishte me të, por për ta bërë më të dhimbshme këtë situatë, Manchester United barazoi vetëm në shtesë, duke mos patur kohë të bënte të lumtur Frank, që tani duhet presë ende shumë gjatë, vetëm në rast se vendosë të heq dorë nga premtimi i tij.

Medalje ari për… sinqeritetin/ Atleti fiton medalje bronzi, por rrëfen direkt tradhtinë ndaj të fejuarës

Fitimi i një medalje zakonisht shoqërohet me një shpërthim gëzimi dhe krenarie. Duhet të jetë celebrimi i sakrificave të çdo atleti, por jo për Sturla Holm Lägreid. Norvegjezi, kampion absolut i vitit 2025 në garën e 20 kilometrave në biathlon mori medaljen e bronzit në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, por ky sukses është kthyer në një “serum të së vërtetës”.

Ai u shfaq i përlotur në intervistën pas garës në televizionin norvegjez “NRK”. Ata që menduan se ishin lot gëzimi u zhgënjyen shpejt, pasi në vend të fliste për emocionet e suksesit, Holm Lägreid nisi të rrëfejë tradhtinë ndaj të fejuarës së tij.

“Gjashtë muaj më parë takova dashurinë e jetës time, personin më të bukur dhe më të mrekullueshëm në botë. Por tre muaj më parë bëra gabimin e jetës time duke e tradhtuar”, tha Holm Lägreid.

Përpara këtij rrëfimi përpara gjithë botës, vetëm një javë nga nisja e Lojërave Dimërore, atleti norvegjez ia kishte zbuluar tradhtinë të fejuarës, e cila e kishte lënë menjëherë.

“Do të doja ta ndaja këtë medalje me të. Dua të jem një shembull i mirë dhe dhemb shumë kur i shkakton kaq shumë dhimbje personit që dashuron. Por kjo është jeta”, shtoi më tej Holm Lägreid.

Kjo intervistë ka bërë xhiron e botës, ndërsa ka ndarë në gjysmë opinion e përgjithshëm, me ata që dënojnë tradhtinë dhe të tjerë që mendojnë që Sturla meriton një shans të dytë. Gjithsesi, e sigurt është që pas medaljes së bronzit të biathlon, ai meriton një “medlaje ari” për sinqeritetin.

Telefonata e Trump për Epstein në polici: Të gjithë e dinë për sjelljen e tij, hetoni dhe Maxwell

Në vitin 2006, kur nisën hetimet e para ndaj Jeffrey Epstein, një ish shef policie në Florida, mori një telefonatë nga Donald Trump, gjatë se cilës presidenti I tanishëm I tha se të gjithë e dinin për sjelljen e pedofilit dhe trafikantit seksual.

Këto të dhëna dolën në dritë nga një dokument i FBI amerikane i publikuar nga departamenti i drejtësisë.

Dokumenti është një regjistrim me shkrim i një interviste të FBI-në vitin 2019 me ish-shefin e policisë së Palm Beach, i cili pretendon se Trump e telefonoi pasi departamenti nisi një hetim ndaj Epstein.

Emri i oficerit është redaktuar, por dokumenti identifikon subjektin e intervistës si shefin e policisë së Palm Beach në kohën e hetimit të Epstein, I cili ishte Michael Reiter.

Presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me Epstein dhe ka thënë se nuk dinte për krimet e tij. Megjithatë, telefonata e supozuar ka të ngjarë të ngrejë pyetje të mëtejshme rreth asaj që dinte Trump dhe kohën kur ai e kishte këtë informacion.

Sipas përmbledhjes së intervistës së FBI-së, e cila u publikua në pjesën e fundit të dosjeve të Epstein, Reiter tha se Trump i tha atij në një telefonatë në korrik 2006 se e kishte nxjerrë Epstein nga klubi i tij në Mar-a-Lago dhe se njerëzit në Neë York e dinin se ai ishte i neveritshëm.

Reiter gjithashtu pretendon se Trump i tha atij se Ghislaine Maxwell ishte ne funksion te Epstein dhe është e keqe, prandaj hetimi duhet të përqendrohet tek ajo.

Ish shefi i policisë tha gjithashtu se Trump ishte një nga njerëzit e parë që telefonoi policinë e Floridës kur dëgjoi se po hetonin Epstein.

Reiter gjithashtu i tha FBI se republikani tha se ishte pranë Epstein kur ai ishte me adoleshentë dhe se u largua nga atje.

Në vitin 2006, policia e Palm Beach po hetonte financierin për shfrytëzimin e dyshuar seksual të vajzave të mitura. Çështja iu dorëzua më vonë prokurorëve federalë, të cilët në vitin 2008 bënë një marrëveshje kontroverse pranimi fajësie me Epstein që përfshinte një marrëveshje mosndjekjeje penale që e mbronte atë nga akuza më të rënda.

Administrata e Donald Trump është kritikuar për mënyrën si e ka trajtuar çështjen dhe disa zyrtarëve të lartë u ka dalë emri në dosje. Mes tyre edhe sekretari I tregtisë Hoëard Lutnick, i cili pranoi para Kongresit se ai e kishte vizituar ishullin e Epstein, ku drekoi bashkë me gruan dhe fëmijët e tij. Vizita ndodhi ne vitin 2012 dhe ka ngritur dyshime për marrëdhënien  e Lutnick me pedofilin dhe se sa ai ishte në dijeni të krimeve të tij./abcnews.al

❌