Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Danimarka do të rihapë ambasadën në Siri

Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës ka bërë të ditur se vendi po planifikon të rihapë ambasadën e saj në Siri.

Ministria daneze tha se ambasada e saj në Siri do të rihapet më vonë në vitin 2026, pasi ka qenë e mbyllur për publikun që nga viti 2012 si pasojë e luftës civile.

Duke folur para Komitetit të Politikës së Jashtme, ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, gjithashtu njoftoi se do të emërohet një ambasador danez në Siri.

“Me rihapjen e ambasadës sonë në Siri, do të jemi më të aftë të nxisim një zhvillim pozitiv në Siri. Ne gjithashtu dëshirojmë të rrisim bashkëpunimin me qeverinë tranzitore siriane për kthimin dhe ri-atdhesimin. Këtë e diskutova me ministrin e jashtëm sirian kur vizitova Damaskun në muajin nëntor dhe prania e një ambasade daneze në vend do të na japë mundësi më të mira për ta ndjekur këtë çështje”, tha Rasmussen.

Po ashtu u theksua se rihapja e ambasadës do të përmirësojë mundësitë për të mbajtur një dialog të ngushtë me OKB-në dhe partnerët e tjerë në Siri lidhur me ndihmën humanitare daneze dhe mbështetjen për rimëkëmbje të hershme.

Ukraina shkatërron sistemin raketor kinez të përdorur nga rusët

Anëtarët e Shërbimit Shtetëror Kufitar të Ukrainës dhe Forcave të Mbrojtjes kanë shkatërruar një sistem lëshimi raketash të shumëfishta Tipi 63 të prodhuar në Kinë, i cili përdorej nga forcat ruse, në frontin jugor.

Shërbimi Shtetëror Kufitar njoftoi se ekipet e dronëve gjetën dhe goditën një sistem të Tipit 63 që forcat ruse ishin përpjekur ta fshihnin.

Goditja u pasua nga një shpërthim. Sipas të dhënave, ky është një sistem i prodhuar në Kinë.

Ndryshe, së bashku me skepticizmin nëse Vladimir Putin ka rënë dakord të ndalojë së synuari infrastrukturën energjetike të Ukrainës për një javë, Volodymyr Zelensky ka reaguar ndaj raportimeve se është ftuar në Moskë nga presidenti rus.

Ai thotë se është gati për “çdo format” të samitit të liderëve, por jo për një që zhvillohet në Moskë, duke e quajtur një veprim të tillë “të pamundur”. Zelensky tha se nuk do të takohej me Putin as në Bjellorusi, një vend me lidhje të forta me Kremlinin.

Rama ndan pamje nga kantieri “Dua të luaj” në Elbasan: Një hapësirë moderne për të gjithë grupmoshat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamje nga kantieri i këndit “Dua të luaj” në qytetin e Elbasanit, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Sipas kryeministrit, ky projekt synon të krijojë një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin, duke ofruar ambiente çlodhjeje dhe argëtimi për të gjitha grupmoshat.

“Mirëmëngjes 😊 dhe me kantierin e këndit ‘Dua të luaj’, në Elbasan, një hapësirë moderne prej 22 mijë m², me fusha sportive, kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë, familje dhe të moshuar, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

“Travel and Tour Word”: Turistët francezë, gjermanë dhe amerikanë rrisin interesin për të eksploruar Shqipërinë

Turizmi në Shqipëri po ndryshon profil: Rritet ndjeshëm interesi nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan faqja e njohur “Travel and Tour Word”.

Turizmi në Shqipëri po hyn në një fazë të re zhvillimi, me një ndryshim të dukshëm të strukturës së vizitorëve të huaj dhe një rritje të fortë të interesit nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo prirje evidentohet në një analizë të publikuar nga portali ndërkombëtar Travel and Tour World, i cili thekson se ‘’vendi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregjet turistike perëndimore’’.

Sipas raportimit, ndonëse Kosova dhe Italia vijojnë të jenë burimet kryesore të turistëve për Shqipërinë, ritmet më të shpejta të rritjes po regjistrohen nga tregje më të largëta dhe me fuqi më të madhe blerëse.

Turistët nga Gjermania dhe Franca po shfaqin interes në rritje për destinacione kulturore, natyrore dhe bregdetare, ndërsa vizitorët amerikanë po e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri, ende të paeksploruar plotësisht në Mesdhe.

Tirana, Durrësi dhe bregdeti mbeten në qendër të vëmendjes.

Tirana vazhdon të jetë porta kryesore e hyrjes për turistët e huaj, falë lidhjeve ajrore në rritje dhe zhvillimit të shërbimeve urbane.

Ndërkohë, Durrësi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara për turizmin familjar dhe atë detar, për shkak të afërsisë me kryeqytetin dhe infrastrukturës hoteliere ekzistuese.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe bregdetit shqiptar, veçanërisht Rivierës së Jugut, ku zonat si Vlora, Himara, Dhërmiu dhe Saranda po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj gjatë sezonit veror. Artikulli vëren se rritja e fluksit po shoqërohet edhe me shtim të kërkesës për struktura akomoduese cilësore dhe shërbime turistike më të standardizuara.

Fluturimet dhe çmimet, një faktor ndikues

Një nga faktorët kryesorë që po nxit rritjen e turizmit është zgjerimi i rrjetit të fluturimeve ndërkombëtare, veçanërisht nga kompanitë ajrore low-cost, të cilat kanë shtuar ndjeshëm destinacionet drejt Tiranës. Kjo ka lehtësuar aksesin për turistët europianë dhe ka ulur kostot e udhëtimit.

Gjithashtu, çmimet relativisht më të ulëta krahasuar me destinacione të tjera të Mesdheut, së bashku me natyrën e paprekur dhe trashëgiminë kulturore, e bëjnë Shqipërinë një alternativë gjithnjë e më tërheqëse për pushime.

Sfida për zhvillimin e qëndrueshëm

Pavarësisht rritjes së fortë sektori përballet me sfida serioze. Ndër to përmenden presioni mbi infrastrukturën, menaxhimi i mbetjeve, mbipopullimi sezonal dhe rritja e çmimeve në disa zona turistike, çka mund të ndikojë negativisht në përvojën e vizitorëve.

Ekspertët vlerësojnë se për të ruajtur ritmet e rritjes dhe për të përmirësuar cilësinë e ofertës turistike, Shqipëria duhet të investojë më shumë në turizëm të qëndrueshëm, planifikim urban dhe mbrojtje të mjedisit.

Turizmi, një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë

Sipas të dhënave zyrtare, numri i turistëve të huaj në Shqipëri ka arritur nivele rekord, duke e shndërruar turizmin në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë kombëtare.

Rritja e interesit nga tregje të reja shihet si një mundësi për të rritur të ardhurat, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar ofertën përtej turizmit masiv veror.

Në këtë kontekst, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion emergjent europian, me potencial të madh, por edhe me nevojën për politika afatgjata që të garantojnë zhvillim të balancuar dhe cilësor.

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

Për ditën e shtunë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal përgjatë relieveve malore.
Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga juglindje-jugperëndim, në mbrëmje drejtimi i erës kthehet nga Verilindja me shpejtësi mesatare 6 m/s.
Valëzimi në det pritet të jetë i forcës 1-2 ballë./abcnews.al

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

Dashi

Do iu konkretizohen shume nga ëndrrat tuaja sot dhe do ndiheni me se miri ne krahët e partnerit. Shfrytëzojeni çdo sekonde deri ne maksimum. Beqaret duhet t’i kushtojnë vëmendje çdo personi qe do iu vije rrotull sepse asnjëherë nuk i dihet çfarë mund te ndodhe. Ne planin financiar do përballeni me surpriza te këqija dhe kjo për shkak te një menaxhimi te keq qe keni bere.

Demi

Asnjë planet nuk do merret me jetën tuaj sentimentale kështu qe gjithçka do ju ece për mrekulli. Do kuptoheni mire dhe do e ruani te forte bashkepunimin ne çift. Beqaret do e bëjnë shume shpejt për vete personin qe pëlqejnë. Ne planin financiar gjerat nuk do ecin mire. Marsi do ju nxite te shpenzoni pa fund dhe gjendja do përkeqësohet.

Binjaket

Tregohuni me tolerante dhe me te përkushtuar ndaj partnerit tuaj gjate kësaj dite nëse nuk doni qe ai ta kërkoje ngrohtësinë diku tjetër. Beqaret nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria sepse do jete te mbushur me pune dhe impenjime. Ne planin financiar do jeni te kujdesshëm dhe nuk do hidhni hapa te nxituara. Gjendja do jete mjaft e kënaqshme.

Gaforrja

Partneri do ua plotësojë te gjitha dëshirat gjate kësaj dite dhe do ju beje te ndiheni me se miri. Edhe ju do e dashuroni me pasion dhe do ndiheni me fat qe e keni ne krah. Beqaret do kenë një dite te ndërlikuar dhe nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria. Financiarisht do jeni te bekuar. Do hiqni edhe para mënjanë, por edhe do kryeni shpenzimet e nevojshme.

Luani

Jeta sentimentale e çifteve do jete gjithë kohës e privilegjuar. Do merrni vesh për gjithçka me partnerin tuaj dhe gjerat do ecin për mrekulli. Ju beqaret nuk duhet te joshni cilindo qe do ju dale përpara sepse do i vuani se tepërmi pasojat. Ne planin financiar tregohuni te kujdesshëm me shpenzimet dhe mos jepni as para hua.

Virgjeresha

Me qetësi dhe durim do i zgjidhni te gjitha problemet qe keni pasur ne jetën tuaj ne çift gjate kësaj dite dhe do ndiheni te qete. Beqaret do e kërkojnë pa fund dhe ne çdo cep princin e tyre te kaltër. ka shume gjasa qe ta gjejnë ne momentin me pak te pritur. Ne planin financiar mos u tregoni te pakujdesshëm sepse gjendja mund te përkeqësohet tej mase.

Peshorja

Do jeni shume te shqetësuar gjate kësaj dite për shkak te atmosferës se tensionuar qe do mbizotërojë gjate gjithë kohës. Do keni goxha mosmarrëveshje. Beqaret duhet te reflektojnë me kujdes para se te fillojnë ndonjë lloj aventure. Ne planin financiar sido qe te jete gjendja nuk duhet te merrni vendime te pamenduara, te paktën edhe për disa kohe.

Akrepi

Shprehini si t’i ndieni ndjenjat tuaja gjate kësaj dite dhe do e shihni qe atmosfera do filloje te përmirësohet. Nuk do i rezistoni dot as tundimit për te bere ndonjë çmenduri. Beqaret do jene ne humorin duhur dhe do e kërkojnë ne çdo cep dashurinë. Fati do jete ne anën e tyre. Ne planin financiar do keni shume probleme dhe do ndiheni shume te shpërqendruar.

Shigjetari

Do jeni me shume fat gjate kësaj dite ne jetën tuaj sentimentale dhe gjerat do ju ecin me se miri. Edhe ata qe kane pasur mosmarrëveshje do ndihen shume me te qete. Beqaret nuk do mendojnë aspak për te krijuar një lidhje pasi do mendojnë për çështje me te rëndësishme. Financat jo për te gjithë do jene te mira dhe kjo do varet nga mënyra sesi do i organizoni ato.

Bricjapi

Dite aspak e favorshme për te dashuruarit. Do jeni gjithë kohës me humor te keq dhe do lindin mosmarrëveshje pa mbarim. Beqaret do kenë te tjera pikësynime për jetën dhe do e lënë pas dore jetën sentimentale. Nëse doni qe t’i stabilizoni te ardhurat, mos iu besoni ne asnjë mënyrë lojërave te fatit. Keni për te humbur me tepër nga sa mendonit.

Ujori

Duhet te luftoni fort gjate kësaj dite me te gjitha “armiqtë” e jetës suaj ne çift. Mos lejoni askënd dhe asgjë t’ua prishe harmoninë qe ka mbizotëruar deri me sot. Beqaret do kenë takime, por nuk do e ndryshojnë dot statusin e tyre. Ne planin financiar do ju duhet te merreni masa shume strikte ne mënyrë qe gjendja t’iu përmirësohet.

Peshqit

Gjithçka do varet nga sjellja juaj sot ne jetën tuaj ne çift. Nëse silleni mire dhe nuk bëni çmenduri gjerat do shkojnë si duhet. Beqaret do kalojnë një dite te trazuar dhe pa ndonjë takim mbresëlënës. Asgjë nuk ka për te ndryshuar për ta. Sektori i financave do jete i privilegjuar dhe do arrini te kryeni te gjitha investimet e domosdoshme.

“Sjelljet ndaj gjyqtares Gjoka, skandaloze”/ Gazetari: Berisha ka treguar se kushdo që i është ngatërruar ‘nëpër këmbë’, ka vdekur në aksidente!

Gazetari Fatos Mahmutaj theksoi se ndaj gjyqtarja Irena Gjoka nuk rezulton e dënuar në Greqi.

Gjatë një interviste në “Ora e Fundit” në ABC News, ai theksoi se kreu i PD Sali Berisha ka rënë në lojën e shërbimeve sekrete greke.

“Jemi në momentin kur Fredi Beleri përkrahet nga shërbime sekrete greke. Kemi dhe Berishën që bie në lojë e shërbimeve sekrete greke dhe hap luftë ndaj një gjyqtareje shqiptare. Gjykatësja po zbaton legjislacioni shqiptar ashtu siç është…Kemi të bëjmë me një njeri që po zbaton legjislacionin siç duhet. Greqia është një vend që bën pjesë në Komisionin Europian. Një nga kriteret që i është vënë nga Europa është rregullimi i legjislacionit dhe arkivave. Por duhet thënë. Berisha ka treguar se cilido që i është ngatërruar në këmbë në aksidente ka vdekur”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

“Kanë tentuar t’i vrasin djalin”/ Avokati: Së shpejti do dalë dokumenti që sqaron se nuk ka dosje për Irena Gjokën

Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shumicë votash nuk pranoi nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares, Irena Gjoka. Shumica e anëtarëve thanë se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Avokati Edmond Petraj në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, theksoi se nuk ka dënim për Irena Gjokën. Gjithashtu paralajmëroi se shumë shpejt do ta dalë edhe dokumenti që sqaron se dosja nuk ekziston.

Pasi janë vënë të gjitha në lëvizje, thuhet se nuk ekziston dosje, por vetëm një shënim të një regjistri që shënoheshin emrat. Pra është marrë vetëm një vendim i marrë nga arkiva…Pra nuk ka ekzistuar dhe nga gjithë kjo që ndodh, kam parë komplet procedurën dhe mediat greke që u hodhën në sulm për të mbrojtur Belerin dhe për të dënuar Shqipërinë për t’i prerë rrugën në BE dhe për të goditur Ramën, përdorën si kokë turku Irena Gjokën…Por opozitës shqiptare i gënjen mendja se nëse ajo largohet nga sistemi do të riciklohen, dhe është lojë politike e pastër, gënjejnë dhe mashtrojnë. Unë se di se kush e bën këtë çorbë, por në vazhdimësi do shikoni çudira të mëdha. Çdo gjyqtar që shikon këtë dosje kujton se beson tek ky fashikull?”, tha ai, duke shtuar: “Ka ndodhur një aksident, kanë dëmtuar djalin dhe desh ka vdekur. Tani ka lidhje apo jo është detyrë e tyre që ta hetojnë. Nuk janë të rastësishme këto që kanë ndodhur. Por si ka mundësi që ndodhin këto dhe pikërisht me këtë person? Por familja e saj e ka pritur në Fier se familja e tyre janë e djathtë, por tani po konsiderohet levë e Ramës. Nuk e ke dëgjuar, kur del dhe e shan. A ka lënë njeri Berisha pa sharë.”.

/abcnews.al/

Kosovë/ Komunat në veri votojnë sërish për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të premten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Kjo është hera e dytë që ato votojnë për këtë, pas votimit të 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

Por, votimi i dhjetorit ishte shpallur i paligjshëm nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për shkak të parregullsive procedurale, pasi, ndër të tjera, propozimi ishte bërë nga kryetarët e komunave.

“Kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (neni 47.2), i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave në rendin e ditës gjatë seancës, dhe atë vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook pas votimit të dhjetorit.

Ai e kishte kritikuar Listën Serbe se me këtë votim po synonte “nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”.

Vendimi i ri i së premtes duhet t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për aprovim, pasi ajo është organi kryesor mbikëqyrës i komunave.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023. Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare./REL/

Forcat kurde dhe qeveria siriane arrijnë marrëveshje të re për stabilizimin e armëpushimit

Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, njoftuan të premten se kanë arritur një marrëveshje të re me qeverinë qendrore të Sirisë, me synimin për të stabilizuar armëpushimin që u dha fund përleshjeve disajavore dhe për t’i përcaktuar hapat drejt integrimit mes dy palëve.

Sipas marrëveshjes, forcat e sigurisë të lidhura me Ministrinë e Brendshme siriane do të hyjnë në qytetet al-Hasakeh dhe Qamishli, në qendër të zonave kurde, ku më parë u ishte ndaluar hyrja. Po ashtu, do të nisë procesi i integrimit të forcave të SDF-së me forcat qeveritare, raporton AP.

Marrëveshja parashikon krijimin e një brigade të re ushtarake që do të përfshijë tri brigada nga SDF-ja, si dhe formimin e një brigade të përbërë nga luftëtarë të SDF-së brenda një brigade të ushtrisë qeveritare në provincën e Alepos.

Institucionet lokale në administratën kurde të Sirisë verilindore, e cila prej vitesh ka funksionuar si një zonë de facto autonome –  si dhe punonjësit e tyre, do të integrohen në institucionet shtetërore siriane.

Marrëveshja përfshin gjithashtu garantimin e të drejtave civile dhe arsimore për popullin kurd, si dhe kthimin e personave të zhvendosur në zonat e tyre, thuhet në deklaratë.

“Qëllimi i marrëveshjes është unifikimi i territoreve siriane dhe realizimi i plotë i procesit të integrimit në rajon, përmes forcimit të bashkëpunimit mes palëve të përfshira dhe bashkimit të përpjekjeve për rindërtimin e vendit”, theksohet më tej.

Guterres paralajmëron shtetet anëtare për kolaps financiar të OKB-së

Për shkak të mungesës së pagesave nga ish-donatori më i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar për kolaps të menjëhershëm financiar të OKB-së.

Sipas një letre të Guterres, drejtuar 193 shteteve anëtare, thuhet se situata financiare e organizatës po përkeqësohet shpejt, dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje, atëherë fondet për buxhetin e rregullt mund të mbarojnë në korrik.

Guterres i kërkoi të gjitha shteteve anëtare që ose të paguajnë në kohë ose të reformojnë rregullat e financimit të OKB-së.

Vetëm SHBA-ja aktualisht i detyrohet Kombeve të Bashkuara disa miliarda dollarë.

Zjarret në pyjet e Argjentinës, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Patagoni

Qeveria argjentinase ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve që po shpërthejnë në katër provinca të Patagonisë, pasi frontet e zjarrit kanë djegur qindra mijëra hektarë në vend që nga fillimi i verës në hemisferën jugore në dhjetor.

Urdhri ekzekutiv i presidentit, i cili mbulon provincat e Chubut, Rio Negro, Neuquén dhe La Pampa, synon të lehtësojë punën e përbashkët të agjencive provinciale dhe kombëtare në përpjekjet për të luftuar zjarret.

Që nga dhjetori, rreth 450,000 hektarë pyll janë djegur në provincën e Chubut. Fronti më i madh është në Parkun Kombëtar Los Alerces (2,600,000 hektarë), 1,800 kilometra në jug të Buenos Aires, ku janë djegur 200,000 hektarë bimësi, kryesisht pyll.

Qindra zjarrfikës po punojnë për të parandaluar që flakët të arrijnë në zonat e banuara. Disa reshje shiu janë regjistruar ditët e fundit, të cilat i kanë ndihmuar zjarrfikësit, por vatra aktive mbeten.

Rreth 450 zjarrfikës po punojnë në zonë, të mbështetur nga 19 mjete ajrore. U kryen djegie të kontrolluara për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe drejtimin e tyre drejt vendeve si Cholilla (pothuajse 3,000 banorë) dhe Esquel (37,000 banorë).

Një zjarr tjetër, në departamentin e Epouzin, ka shndërruar 220,000 hektarë në hi, por është vënë nën kontroll 85%, sipas shërbimit krahinor të zjarrfikësve.

Disa zjarre kanë qenë aktive që nga fillimi i dhjetorit, siç është zjarri në Los Alerces, i cili iu atribua rrufeve , dhe po shtohen herë pas here, varësisht nga kushtet e motit, temperaturat dhe erërat.

Zjarret sezonale kanë prekur edhe provinca të tjera në shkallë të ndryshme.

Deri më tani, nuk janë regjistruar vdekje në Patagoni të Argjentinës nga zjarret e verës në hemisferën jugore. Megjithatë, Kili fqinj mbajti zi për rreth 20 persona që vdiqën në zjarret e janarit.

Qeveria argjentinase njoftoi shpërndarjen emergjente të një shume ekuivalente prej 86 milionë dollarësh amerikanë për organizata të ndryshme vullnetare zjarrfikëse.  / abcnews.al /

Franca shpëtoi mbi 6 mijë emigrantë drejt Britanisë në vitin 2025

Autoritetet franceze kanë shpëtuar më shumë se 6 mijë emigrantë që tentonin të mbërrinin në Britaninë e Madhe me varka të vogla gjatë vitit 2025, ndërsa 25 persona humbën jetën dhe dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas raportit vjetor të publikuar të premten nga prefektura detare franceze.

Franca ka qenë prej vitesh një pikënisje kryesore për emigrantët që synojnë të kalojnë Kanalin e La Manshit për të nisur një jetë më të mirë në Britani, ku qeveria laburiste e qendrës së majtë po përballet me presion të fortë nga e djathta ekstreme anti-emigracion për të frenuar mbërritjet.

Pavarësisht rreziqeve të mëdha, përpjekjet për të bërë këtë udhëtim të rrezikshëm me mjete të pasigurta “nuk janë ngadalësuar”, thuhet në raportin e prefekturës detare për Kanalin dhe Detin e Veriut (PREMAR).

Sipas të dhënave, rreth 50 mijë persona në 795 varka kanë tentuar të kalojnë nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2025. Autoritetet franceze kanë shpëtuar 6 mijë e 177 persona, ndërsa 25 të tjerë kanë humbur jetën. Një përllogaritje e AFP-së, bazuar në burime zyrtare franceze dhe britanike, e çon numrin total të viktimave në të paktën 29.

Në raport paralajmërohet se trafikantët e qenieve njerëzore po i ekspozojnë emigrantët ndaj rreziqeve gjithnjë e më të mëdha. Numri i personave për çdo varkë ka vijuar të rritet, nga një mesatare prej 26 personash në vitin 2021 në 63 persona në vitin 2025, ndërsa dhjetë varka gjatë këtij viti kanë transportuar mbi 100 persona secila.

Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu përdorimin e vazhdueshëm të të ashtuquajturave “varka-taksi”, të cilat nisen fshehurazi nga bregu pothuajse bosh dhe më pas marrin dhjetëra emigrantë që futen në ujëra të cekëta për t’u ngjitur në bord.

Nga ana tjetër, autoritetet britanike kanë regjistruar 41 mijë e 472 mbërritje me varka të vogla gjatë vitit 2025, shifra e dytë më e lartë ndonjëherë pas rekordit prej 45 mijë e 774 mbërritjesh në vitin 2022.

Moti shtyn Artemiss II/ Udhëtimi drejt Hënës më vonë nga ç’ishte planifikuar, shkak temperaturat

NASA po përgatitet për një nga misionet më historike që do të çonte sërish njerëzit në Hënë pas shumë dekadash.

Por teksa momenti i shumëpritur afrohet, disa problematika kanë dalë në pah, që vënë në dyshim sigurinë e misionit

Një investigim i medias amerikane ABC News ka zbuluar se ekzistojnë rreziqe në lidhje me sigurinë. Dy shkencëtarë të veteranë të NASA thanë se shqetësimi kryesor përqendrohet në mburojën e nxehtësisë së anijes kozmike Orion, një sistem i projektuar për të mbrojtur astronautët nga nxehtësia ekstreme kur ata rihyjnë në atmosferë.

Charlie Camarda është një ish-drejtor i inxhinierisë në NASA dhe një astronaut në pension që fluturoi në anijen kozmike dhe Daniel Raske, i cili punoi si inxhinier i specializuar në sistemet e nxehtësisë termike për më shumë se 30 vjet thanë se mburoja e nxehtësisë përdor një material nga vitet 1960 që u ça gjatë fluturimit provë pa pilot të Artemis i në vitin 2022, një zbulim i theksuar në një raport të publikuar publikisht të vitit 2024.

Gjatë një konference për shtyp para nisjes, NASA pranoi se mburoja e nxehtësisë Artemis II ka atë që ata e quajtën kufizime.

Megjithatë njeriu përgjegjës për anijen kozmike në NASA, Howard Hugh, tha se shqetësimet për sigurinë janë parësore dhe theksoi se agjencia ndryshoi rrugën e kthimit të Orion në mënyrë që astronautët të kalonin më pak kohë në zonat me nxehtësi të lartë

Ndërkohë problemet e tjera me të cilat po përballet misioni kanë të bëjnë me datat e nisjes.

Nisja e parë e Artemis në hënë me një ekuipazh tani është shtyrë jo më herët se 8 shkurti, dy ditë më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht.

Arsyeja për këtë vendim janë temperaturat në vendin e nisjes që pritet të krijojnë kushte të papërshtatshme.

Trump: Irani kërkon marrëveshje për të shmangur veprimet ushtarake amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se Irani do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje përmes bisedimeve, në mënyrë që të mos përballet me veprime ushtarake amerikane.

“Mund të them këtë: ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

I pyetur nëse i kishte vendosur Iranit afat për të hyrë në bisedime mbi programet e tij bërthamore dhe raketore, Trump tha “po, e kam bërë”, por nuk deshi të tregonte se çfarë afati.

“Kemi një armatë të madhe, flotë quajeni si të doni, që po shkon drejt Iranit pikërisht tani”, tha Trump, duke iu referuar një grupi aeroplanmbajtësish amerikanë në ujërat pranë Iranit.

“Shpresojmë të arrijmë marrëveshje. Është mirë nëse e arrijmë marrëveshjen. Nëse nuk e arrijmë marrëveshjen, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.

Trump përmendi atë që ai e quajti vendim të Iranit për t’i ndaluar ekzekutimet e protestuesve, pas një shtypje të ashpër në të cilën grupet e të drejtave të njeriut thonë se u vranë më shumë se 6 mijë njerëz, si provë se Teherani është i gatshëm për bisedime.

Ndërkohë, diplomati më i lartë i Iranit tha të premten se sistemet raketore dhe mbrojtëse të vendit të tij “kurrë” nuk do të jenë pjesë e tryezës së bisedimeve.

Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se Teherani është “i gatshëm t’i fillojë bisedimet, nëse ato zhvillohen në kushte të barabarta, të bazuara në interesa të ndërsjella dhe respekt të ndërsjellë”.

Araghchi i bëri këto komente gjatë një vizite në Turqi, e cila po udhëheq përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar bisedime mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Por, ai theksoi: “Dua të deklaroj qartë se sistemet mbrojtëse dhe raketore të Iranit nuk do të jenë kurrë subjekt negociatash”, duke shtuar se nuk kishte plane për t’u takuar me zyrtarë amerikanë për rifillimin e bisedimeve.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se rifillimi i bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit është “jetik për uljen e tensioneve rajonale”.

Aktorë të tjerë rajonalë u janë bashkuar thirrjeve për diplomaci, përfshirë shtetet e Gjirit, disa prej të cilave strehojnë baza ushtarake amerikane.  / abcnews.al /

“Ylli i Home Alone”/ Vdes aktorja kanadezo-amerikane Catherine O’Hara

Aktorja kanadezo-amerikane, Catherine O’Hara, e famshme për rolet e saj në filmat klasikë “Home Alone” dhe serialin komik të suksesshëm “Schitt’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, sipas tmz.com.

Lajmi u konfirmua sot nga menaxheri i saj. Sipas raporteve, O’Hara ka vdekur në shtëpinë e saj në Los Anxheles pas një sëmundjeje të shkurtër.

Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë zyrtarisht publik. 5Ajo u bë e famshme në filmat e viteve ’80 e ’90, përfshirë edhe komedinë e njohur “Beetlejuice”.

U bë shumë e dashur për interpretimin e saj si Moira Rose në serialin komik “Schitt’s Creek”, ku u shqua me humorin dhe stilin unik të personazhit.

O’Hara u vlerësua me çmime të rëndësishme, duke përfshirë edhe ”Emmy Awards”.

Catherine O’Hara do të mbahet mend si një nga figurat më të mëdha të komedisë dhe kinemasë moderne, e dashur nga miliona njerëz në mbarë botën.

Polonia forcon mbrojtjen ajrore me sistem të ri antidronë

Polonia ka vënë në funksion një sistem të rëndësishëm mbrojtjeje kundër dronëve, të porositur nga një konsorcium norvegjezo-polak, për të mbrojtur më mirë hapësirën e saj ajrore nga dronët luftarakë, njoftoi sot qeveria.

”Sistemi ‘San’,  i zhvilluar nga kompania norvegjeze e mbrojtjes ‘Kongsberg’ dhe grupi polak i armatimeve ‘PGZ2’, përbëhet nga 18 bateri dhe gjithsej 700 mjete”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz gjatë nënshkrimit të kontratës.

Sipas medias polake, marrëveshja kap vlerën e rreth 3,6 miliardë eurove.

Kryeministri Donald Tusk e cilësoi porosinë si një hap vendimtar në përpjekjen e Polonisë për të ndërtuar mbrojtje ajrore efektive.

Ai rikujtoi një incident në shtator, kur një numër i madh dronësh hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës fqinje, duke detyruar Forcat Ajrore të Polonisë dhe aleatë të tjerë të NATO-s të rrëzonin disa raketa për herë të parë.

”Sistemi do të përfshijë një gamë të gjerë armësh, si mitralozë, raketa, dronë interceptues dhe mjete të tjera për mbrojtjen ndaj kërcënimeve ajrore”, bëri të ditur ”Kongsberg”.

Sistemi do të ketë gjithashtu pajisje për bllokimin elektronik të dronëve dhe sisteme radarësh.

❌