Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Itali, rriten tarifat e autostradave nga 1 janari

Shoferët në Itali do të paguajnë më shumë për të përdorur autostradat me pagesë që nga fillimi i vitit 2026.

Tarifat, për pothuajse të gjitha rrugët, që do të rriten mesatarisht me 1, 5%, sipas një urdhri të Gjykates Kushtetuese – që u kundërshtua nga Ministria e Transportit.

Sipas ministrisë, rritja më e madhe prej 1, 9% do të ndikojë në rrugën Salerno-Pompei-Napoli. Në autostradën Brener, e përdorur gjithashtu nga qytetarët e veriut në Itali, është planifikuar një rritje prej 1,46%.

Ministria e Transportit, e kryesuar nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini – i partisë populiste të krahut të djathtë “Lega” – kritikoi ashpër rritjet e çmimeve.

Vendimet për çmimet e tarifave të autostradave në Itali bazohen në një sistem të ndërlikuar llogaritjeje.

Rritjet e çmimeve përcaktohen në kontrata midis shtetit dhe kompanive përkatëse operative.

Një arsye e rritjes së tarifave është inflacioni. Megjithatë, disa rritje të planifikuara të tarifave janë shtyrë vitet e fundit. Salvini gjithashtu mbështeti fuqimisht, parandalimin e rregullimeve.

Kosovë, gjenden dy persona të vdekur në një vilë në Pejë

PEJË- Dy persona janë gjetur të vdekur në një vilë në Pejë.

Ngjarja u konfirmua nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, raporton Klan Kosova.

“Rreth orës 15:00 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar.

Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore. Këto janë detajet që për momentin i kemi nga terreni”, deklaroi Gashi/abcnews.al

Kina lëshon satelit për kërkime gjeografike

Kina lëshoi sot ​​një satelit të ri për qëllime kërkimore gjeografike nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve Jiuquan në veriperëndim të vendit, transmeton Anadolu.

Sateliti Tianhui-7, i lëshuar në bordin e një rakete Long March-4B në orën 12:12 sipas kohës lokale ka hyrë në orbitën e tij të planifikuar, njoftoi agjencia shtetërore “Xinhua News”.

Ai do të përdoret kryesisht për detyra të tilla si hartëzimi gjeografik, studimet e burimeve tokësore dhe kërkimet shkencore.

Ky lëshim shënoi gjithashtu misionin e 622-të në serinë e raketave Long March.

Kosovë/ Kush janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit?

Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush do të jenë 120 anëtarët e rinj të Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i numëruar votat për kandidatët për deputetë qysh nga e hëna dhe deri më tani janë numëruar mbi 40 për qind të tyre.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote. Zgjedhjet i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Më mposhtë mund të shihni se kush janë pesë kandidatët më të votuar në secilën parti kur janë numëruar pak më shumë se një e treta e votave.

Lëvizja Vetëvendosje:
Albin Kurti 137.299 vota
Glauk Konjufca 106.954 vota
Albulena Haxhiu 55.845 vota
Hekuran Murati 55.292 vota
Donika Gërvalla 49.228 vota

Partia Demokratike e Kosovës
Bedri Hamza 61.924 vota
Arian Tahiri 29.430 vota
Përparim Gruda 27.363 vota
Uran Ismaili 21.504 vota
Sala Jashari 19.502 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës
Lumir Abdixhiku 30.235 vota
Hykmete Bajrami 19.160 vota
Ukë Rugova 16.781 vota
Avdullah Hoti 14.781 vota
Doarsa Kica Xhelili 14.772 vota

Lista Serbe
Sllavko Simiç 16.616 vota
Igor Simiq 16.164 vota
Liljana Stefanoviç 15.718 vota
Nemanja Bishevac 13.143 vota
Zllatan Ellek 12.889 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Ramush Haradinaj 15.247 vota
Daut Haradinaj 9.315 vota
Besnik Tahiri 9.161 vota
Bekë Berisha 6.874 vota
Agim Çeku 6.183 vota

Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.

Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).

Mbetet të shihet nëse Kurti do ta forcojë këtë rekord apo jo./rel

Rrezikohet peshkaqeni i Mesdheut/ Peshkimi i paligjshëm, alarm për peshkaqenin e bardhë të madh

Peshkaqenët e Bardhë të mëdhenj në Detin Mesdhe janë në rrezik zhdukjeje dhe peshkimi i paligjshëm po kontribuon drejt kësaj rruge. Sipas një studimi nga shkencëtarët amerikane, në partneritet me organizatën britanike të bamirësisë “Blue Marine Foundation”, peshkaqenët e bardhë të mëdhenj janë ndër speciet më të kërcënuara dhe shumë po shiten në tregjet e peshkut të Afrikës së Veriut.

Peshkaqenët e bardhë të mëdhenj janë një nga më shumë se 20 speciet e peshkaqenëve mesdhetarë të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar, që do të thotë se është e paligjshme t’i peshkosh ose t’i shesësh. Megjithatë, duke monitoruar portet e peshkimit në bregdetin mesdhetar të Afrikës së Veriut, studiuesit zbuluan se të paktën 40 peshkaqenë të bardhë të mëdhenj janë vrarë atje vetëm në vitin 2025.

Shumë popullata peshkaqenësh, veçanërisht peshkaqenët e bardhë, kanë rënë ndjeshëm në Mesdhe në dekadat e fundit. Ndikimi i peshkimit industrial është intensifikuar dhe është e besueshme sipas shkencëtareve, që ata të zhduken në të ardhmen e afërt. Popullata e peshkaqenëve të bardhë të Mesdheut tani klasifikohet si në Rrezik Kritik nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.

Bashkimi Europian dhe 23 vende rreth Mesdheut kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila thotë se këto specie nuk mund të mbahen në anije, të lëvizen nga anija në breg, të transferohen, të ruhen, të shiten ose të ofrohen për shitje.

Marrëveshja ndërkombëtare thotë se peshkaqenët e bardhë të mëdhenj duhet të lirohen të padëmtuar dhe të gjallë kur është e mundur, edhe pse këto rregulla nuk merren me kapjet aksidentale dhe zbatimi ndryshon nga një vend në tjetrin.

Foshnja humb jetën nga zjarri/ Prizren, flakët përpinë banesën, tre të tjere në spital

Në prag të mbylljes së vitit, në Kosovë është shenuar një tjetër ngjarje e rëndë.

Nje foshnje 12 muajshe ka ndërruar jetë pas një zjarri që përfshiu një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit, ndërsa tre të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor.

Lajmin është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se fëmija ka vdekur si pasojë e helmimit nga thithja e monoksidit te karbonit.

“Sot, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.” -sqarojnë autoritetet.

Bytyqi shtoi se zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht nga forcat zjarrëfikëse, ndërsa shkaqet do të hetohen nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.

Histori rozë (dhe blu)/ Arrestohet Drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, dogji shtëpinë e ish-bashkëjetuesit

Policia e Komisariatit nr.4, ka vënë në pranga, Drejtoreshën për Politikat e Migracionit, Azilit dhe Antitrafikimit, në Ministrinë e Brendshme, Alma Bime.

Sipas policisë, Bime është vënë në pranga për shkak se ka djegur disa orendi shtëpiake, në banesën e ish bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori, po ashtu me detyrën e drejtorit të një organizate. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në fundjave, ndërsa në një tjetër episode, Bime, sipas policisë ka kërcënuar me mesazhe edhe një shtetas të huaj, i cili këto mesazhe i ka dorëzuar në polici.

Por kjo histori nuk nis këtu. Në muajin shtator, Alma Bime, pas një sherri me ish bashkëjetuesin, bëri denoncim në polici për dhunë.

Më 21 shtator, arrestoi, Mareglen Tomorin, drejtor i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (IPO), një organizatë, me status këshillimor, pasi u dyshua se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij. Por pas daljes në gjykatë, Mareglen Tomori dhe Alma Bime, sipas të dhënave nga policia u pajisën të dy më urdhër mbrojtje./abcnews.al

Rama punët, Berisha fjalët/ Kryeministri analizon punën e 2025, kreu i PD bën analizën e Ramës

Sali Berisha mbajti konferencën e fundit këtë vit, për një përballje kokë më kokë në kohë reale dhe dixhitale me Edi Ramën.

Rama doli për të bërë bilancin e qeverisë, Berisha doli për ti bërë bilancin Ramës.

“Mbyllim këtu sot komunikimin me mediat, dhe nëpërmjet tyre me qytetarët, dhe është traditë të bëjmë një bilanc të shkurtër të këtij viti kulmor të narkoregjimit të Edi Ramës. Viti 2025 ishte një vit, në të cilin qytetarët shqiptarë u vodhën më shumë se kurrë në 35 vite, më shumë se kurrë në ekzistencën e tyre.Këtë vit shpërthyen në të katër anët ujërat e zeza të regjimit mafioz të Edi Ramës.”

Por për të dy ky vit nuk solli ndonjë ndryshim, Rama mbeti kryeministër, Berisha lider opozite, atëherë çfarë të reje pati në 2025?

“Pra zhvillimet e muajve të fundit, 11 maji dhe zhvillimet në vazhdim, provuan para çdo shqiptari se se Edi Rama ka zero legjitimitet në postin e tij. Dorëheqja ishte një opsion, ai nuk pranon, kështu që do e heqin shqiptarët”

Vit i ri, do të thotë premtim i ri. Një bilanc për opozitën mungoi. Berisha u premton demokratëve se vitin tjetër do rrëzoje Edi Ramën, por sështë e thënë që ti sjellë në qeveri.

“Rrëzimin e këtij regjimi, qeverinë teknike, zgjedhje të reja”

Sali Berisha e mbështet luften e tij te qytetari dixhitial. Aty i vinë thashethemet që më pas i shpërndan edhe në mediat që e duan fort se u jep çdo ditë spektakël falas. por këtë fundvit, me Edi Ramën humbi edhe betejën dixhitale. Shfaqja e tij në internet u ndoq 50 herë më pak se ajo e Edi Ramës. 50, sa shifra e mandateve që i vulosën humbjen në 11 maj. 50 është shifra e Sali Berishës që i shënoi këtë vit zgjedhor. Një ogur jo i mirë edhe për 2026.

Nata e ndërrimit të viteve/ OSHEE me plan masash: Furnizim të pandërprerë me energji

Kreu i OSHEE, Enea Karakaci, prezantoi sot planin e masave të masave të marra nga OSHEE Group për të garantuar furnizimin të pandërprerë me energji elektrike përgjatë festave të fundvitit.

Ndër të tjera, kreu i OSSH, Bledian Dalipi theksoi investimet e kryera në sektorin e energjisë

OSSH, funksionon në terren përmes 4 njësive kryesore. Ka edhe 11 rajone për tensionin e mesëm dhe të ulët. Kemi arritur dje pikun e ngarkesës sa i përket 2025. 29.2 mln kilovat orë konsum, piku kapet në 31 dhjetor, rritja e kërkesës dhe konsumi energjisë në rrjet, është trend prej mëse dy vitesht. Konstatojmë rritje të energjisë jo më pak se 7 %, është ngarkesë e madhe për rrjetin duhet të kemi kapacitete më shumë. Përmes investimeve të OSSH, kemi bërë të mundur që në gjithë Shqipërinë të kemi rrjet më të qëndrueshëm e të sigurtë. Konsumatorët vënë re se në shumë zona nuk ka më ndërprerje. Kemi ndërhyrë në 12 nënstacione. Investime janë kryer gjithashtu edhe në linjat e tensionit të mesëm. Përvec investimeve kemi edhe një punë të madhe që bëjmë me ekipet e terrenit. Vetëm për 2025, vetëm në rrjetin e tensionit të lartë kemi bërë ndërhyrje të thella në nënstacione. Kemi shkuar deri në konsumatorin e fundit. Do të garantojmë furnizim të pandërprerë jo vetëm për festat, jemi në sezonin e dimrit, gjë që na vend në alert më të lartë. Ka një ekip që ndjek cdo orë ngarkesat në të gjithë rrjetin e shpërndarjes. Krahas ekipeve që janë në qendrat dispecer kemi personel të shtuar. Nata e vitit të ri dhe gjithë periudha e festave do të mbyllet si duhet.” u shpreh ai.

Brahim Diaz ‘pushton’ Afrikën/ Talenti madrilen realizon golin e tretë në Kupën e Kombeve

Po e konfirmojnë veten si më të mirët.

Maroku natyrisht që nuk ka fituar ende asgjë, sepse thjesht është kualifikuar për në raundin e dytë të Kupës së Kombeve të Afrikës, veçse forma e vendasve është mjaft e mirë.

Pas habit të gabuar ndaj Malit, në barazimin 1-1, “luanët e Atlasit” I treguan vendin Zambias, duke e mundur 3-0.

Ajub El Kaabi ishte njëri nga më të mirët në fushë duke shënuar dy gola, njërin prej tyre me roveshatë.

Megjithatë, ylli kryesor mbetet Brahim Diaz I Realit.

Talenti 26-vjeçar madrilen e realizoi rrjetën e tij, në minutën e 27-të për 2-0, dhe ishte frymëzuesi I të vetëve.

Natyrisht, Maroku ka mjaft lojtarë të njohur si Bono në portë, Mazraui e Aguerd në mbrojtje, El Ajnaui në mesfushë dhe Diaz e El Kabi në sulm.

Lajmi I madh ishte që Ashraf Hakimi I Paris SG u aktivizua si zëvendësues ndaj Zambias, pasi mungoi dy muaj I dëmtuar.

Marokenët mundën 2-0 Komorosin në ndeshjen e parë në grup, arritën 7 pikë në tri sfidë, dhe në 4 janar do të luajnë ndeshjen e raundit të dytë me synim kualifikimin në çerekfinale.

/ abcnews.al /

Viti i kthimit të Brojës/ Sulmuesi kuqezi më në fund mund të quhet me fat në 2025

Pas një periudhe të zezë, tuneli I mallkimit duket se po përfundon.

Armando Broja po jep sinjale këtë fund viti 2025 se rikthimi në formatin e dikurshëm mund të jetë një realitet.

Ai që cilësohet si sulmuesi kryesor I kombëtares së Shqipërisë, provoi pak ditë më parë, golin në Premier Ligën angleze, shënoi në emër të Bërnlit në portën e Bornmuthit, duke u kthyer te goli në elitë pas rreth 3 viteve.

Shpërthimi pas çlirimit ishte I kuptueshëm, për atë që ka hequr gjatë gjithë kësaj kohe me disa dëmtime radhazi, prej të cilëve sidomos dy ishin tepër serioze.

Trajneri I tij, Skot Parker, jo vetëm që e përgëzoi, por vendosi ta hidhte titullar në ndeshjen pasardhëse në kampionat, atë në shtëpi kundër Evertonit.

Një kthim në të kaluarën, pasi Armando ka qenë sezonin e shkuar pjesë e skuadrës së bluve liverpulas, e madje pati momente të shkëlqyera që spikatën fort dhe u vlerësuan, siç ngjau ndaj ish-kampiones Mançester Siti.

Edhe pse këtë herë nuk realizoi dot në portën e Evertonit, sërish sulmuesi shqiptar mori vlerësime mjaft pozitive për formën që ka dhe për dëshirën për të dhënë gjithçka në fushë.

Tashmë, duket se kemi të bëjmë me një tjetër Brojë.

Edhe pse 2025 pati edhe momentin tepër të vështirë në fund të ndeshjes në Andorrë, kur kombëtarja shqiptare u kualifikua për në plej ofin e Botërorit, e ai nuk deshi të festonte me shokët, sërish ky vit do të shënohet me shkronja të mëdha në kalendarin e tij personal.

Edhe me fanelën kuqezi e tregoi sërish sesa vlen, dhe për më tepër, trajneri Silvinjo pati besim të plotë tek ai, duke e aktivizuar vazhdimisht edhe si titullar, pavarësisht nëse luante apo jo për ekipin e klubit në Angli.  / abcnews.al /

Pa rekord, por me Botëror/ Shqipëria realizoi atë që nuk mundi ta arrinte dot në Katar 2022

Ishte një vit padyshim për të mos u harruar.

Dy mijë e njëzet e pesa do të mbahet mend si stinori kur kombëtarja shqiptare e futbollit arriti për herë të parë kualifikimin për në plej ofin e Kupës së Botës, dhe ka shpresë për të shkuar në fazën finale.

Me Silvinjo në stol, me Gjimshitin kapiten dhe me Rej Manajn si sulmuesin më të dalluar, kuqezinjtë ia dolën në një grup të vështirë me rivalë si Anglinë apo Serbinë, ndonëse paradoksalisht nuk e arritën dot rekordin e pikëve.

Në total u morën 14, ndërsa në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Reja grumbulloi 18 pikë.

Edhe atëherë rivali I madh ishte Anglia që gjithshtu na mundi dy herë, ndërsa rivali direkt për vendin e dytë ishte Polonia, që gjithshtu na shkaktoi dy humbje.

Megjithatë, në fund mbetëm vetëm dy pikë prapa polakëve, dhe u humb sfida që ishte si një finale në “Arenën Air Albania” në 12 tetor 2021, kur kuqezinjtë kishin mungesa të panumërta, dhe kur pati ndërprerje të ndeshjes.

Ishte edicioni kur u zbulua talenti I Armando Brojës me dy golat e shkëlqyer që siguruan dy fitoret historike ndaj Hungarisë, të parat kundër këtij rivali.

Veçohet sidomos rrjeta e realizuar në Budapest në 9 tetor të të njëjtit vit.

Atëherë u mblodhën 18 pikë në krahasim me 14 tani, por duhet theksuar se grupi ishte me gjashtë skuadra, ndërsa këtë herë me pesë, pra luajtëm dy ndeshje më shumë.  / abcnews.al /

Sulmi terrorist në Stamboll, 357 të arrestuar

357 persona janë vënë në pranga në një operacion kundër Shtetit Islamik, një ditë pasi tre oficerë policie dhe gjashtë terroristë u vranë në një shkëmbim zjarri në Turqinë veriperëndimore. Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha se operacionet u zhvilluan në 21 provinca, duke theksuar se Turqia nuk do të tregojë tolerancë ndaj terrorizmit.

41 prej të arrestuarve kishin lidhje me militantët e përfshirë në sulmin e së hënës dhe po planifikonin sulme të ngjashme në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri. Më parë, Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit njoftoi se policia bastisi 114 vende në Stamboll dhe dy provinca të tjera, duke sekuestruar materiale dhe dokumente të ndryshme.

Zyra e Kryeprokurorit të Ankarasë tha se Byroja e Hetimit të Krimeve Terroriste identifikoi të dyshuarit përmes analizimit të materialeve digjitale të sekuestruara gjatë hetimeve të mëparshme në lidhje me ISIS-in. Nga shkëmbimi i zjarrit mes militantëve të ISIS dhe policisë në Turqi mbetën të plagosur edhe 8 policë.  / abcnews.al /

Trump i bën thirrje Hamasit të çarmatoset

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja mund ta mbështesë një tjetër sulm të madh kundër Iranit, nëse ai e rifillon rindërtimin e programeve bërthamore, si dhe e paralajmëroi Hamasin për pasoja të rënda nëse nuk çarmatoset.

Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe fuqi të tjera.

Duke folur më 29 dhjetor krah kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, pas një takimi në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump la të kuptohej se Teherani mund të jetë duke punuar për t’i rikthyer programet e tij të armatimit bërthamor, pas bombardimeve të qershorit.

“Kam lexuar se ata po zhvillojnë armë dhe gjëra të tjera, dhe nëse po e bëjnë këtë, nuk janë duke i përdorur vendet që ne i shkatërruam plotësisht, por ndoshta vende të tjera”, u tha Trump gazetarëve gjatë një konference për shtyp.

“Ne e dimë saktësisht se ku po shkojnë, çfarë po bëjnë, dhe shpresoj që të mos e bëjnë këtë, sepse ne nuk duam të harxhojmë karburant për B-2-shat”, shtoi ai, duke iu referuar bombarduesit të përdorur në sulmet e mëparshme.

“Është një udhëtim 37-orësh vajtje-ardhje. Nuk dua të harxhoj shumë karburant”, tha ai.

Bilanci ekonomik 2025/ Xhihani: E rëndësishme të rriten standardet për punonjësit, rritja e pagave do ndikojë edhe në privat

Eksperti për punësimin, Arbër Xhihani thotë se sipërmarrjet shqiptare duhet të ruajnë standardet për punonjësit.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Xhihani u shpreh se rritja e pagave në sektorin publik dhe do të ndikojë edhe në privat.

“Mendoj se 2026 do jetë vit për thithjen e investimeve të huaja, që janë joshëse për të rinjtë. Du duhet tashmë që marrëdhëniet e punësimit të kenë një kalim, me trajtim sipas kushteve apo praktivave për të mira europiane dhe globale. Ky është cilësuar si buxhet social. Do ketë benefit të drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Rritja e pagave dhe pensioneve, shihet si hap pozitiv edhe për fuqinë blerëse. Është momenti kur tashmë sipërmarrjet shqiptare duhet të tregojnë përgjegjshmëri sociale më të lartë. Nuk është zgjidhja e vetme largimi tej kufijve të Shqipërisë.”, theksoi ai./abcnews.al

Probleme me energjinë elektrike/ Britani, pezullohet shërbimi hekurudhor në Londër

Një ndërprerje në sistemi e energjisë elektrike solli kolaps në sistemin hekurudhor në Britani.

Zëdhënësi i Eurostar ka njoftuar se të gjitha shërbimet nga dhe për në Londër janë pezulluar deri në një njoftim të mëtejshëm.

Ky vendim erdhi pasi Eurostar i kërkoi pasagjerëve të shtynin udhëtimet për shkak të një problemi me furnizimin me energji elektrike mbi Tunelin e Kanalit dhe një incidenti më pas me trenin Le Shuttle.

“Ne këshillojmë fuqimisht të gjithë pasagjerët tanë të shtyjnë udhëtimin për në një datë tjetër,” thuhet në deklaratën e Eurostar.   / abcnews.al /

Aktakuzë ndaj një të dyshuari për përfshije në vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të martën aktakuzë në mungesë kundër një burri të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

I dyshuari, i identifikuar vetëm me inicialet S.A., akuzohet se kishte marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër të tjerëve më 30 prill të vitit 1999 në fshatin Llashticë të Gjilanit.

Sipas aktakuzës, ai dyshohet ta ketë kryer krimin në bashkëpunim me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një”, thuhet në aktakuzë.

Kurti në krye të qeverisë, “Bashkëpunimi do vijojë”, Rama: Mbledhja mes dy qeverive? Do të ishte mirë, por…

Në përmbyllje të konferencës në Kryeministri mbi bilancet e vitit 2025, Kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi fusha të ndryshme të politikbërjes, drejtësisë dhe jo vetëm.

Gazetarja e ABC News, Greta Bullari, e pyeti kreun e qeverisë mbi raportet me Kosovën pas konfirmimit në krye të shtetit të Kurtit dhe raporteve ‘të ngrira’ mes dy shteteve.

Rama tha se mbledhja mes dy qeverive do të ishte mirë të ndodhte, por shtoi më tej se puna mes dy vendeve dhe bashkëpunimi do të vijojë, sidomos për një prej projekteve më të rëndësishme, atë të Hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Nuk e di, do flasim dhe do vendosim! Patjetër do ishte mirë të kishim një mbledhje mes dy qeverive, ndërkohë që kemi bërë një mbledhje mes dy parlamenteve, ku këtë vit për shkak të zgjedhjeve nuk e zhvilluam. Patjetër do të vijojmë punën.

Kemi gjëra që mund të bëjmë, sidomos hekurudhën Durrës-Prishtinë, që është xhevahiri i kurorës; do bëjmë çmos që ta çojmë deri në financim.”  / abcnews.al /

“Tuneli i Llogarasë, sukses”/ Rama: Shqipëria, progres në infrastrukturën rrugore

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një sukses realizimin e tunelit të Llogarasë.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama u shpreh se sipas edhe disa mesazheve të BE për grupkapitujt që lidhen me infrastrukturën rrugore, Shqipëria ka shënuar progres.

“Elbasan, po punohet dhe është në proces edhe bypass i Elbasanit, që është zgjidhja. Nga njëra anë po ecet me autostradën, tjera me hekurudhat. Nuk jam në dijeni të një kombinati të ri Metalurgjik me thënë të drejtën. Të lidhet me Luciano Pavarotin e Elbasanit. Kam disa mesazhe të reja që dua t’i ndaj me ju. Mesazhi i kapitullit të 14 të negociatave, thotë Shqipëria ka progres dhe arritjet kryesore lidhen me përmirësimin e sigurisë rrugore, planifikimin strategjik të infrastrukturës. Kapituli 15 ka këtë mesazh, Shqipëria ka bërë progres në diversifikimin e burimeve të rinovueshme. Mesazhi i kapitullit 21, hapja e negociatave ka arritje konkrete, për projektet strategjike që lidhen me rrjetin infrastrukturor europian. Ka vazhduar ulja e humbjeve në rrjet. Kemi hyrë në kuotat e normaliteteve europiane. Këtë vit, ulëm çmimin e energjisë me 10.5 përqind. Do kemi matësiot inteligjentë, do shkojmë drejt digjitalizimit të plotë të sistemit të shpërndarjes. Ka vazhduar projekti me panelet diellore për familjet. Tuneli i Llogarasë ka qenë super sukses, gërmimet do vazhdojnë, do dalë misteri i hekurit i zëvendësuar me kashtë.”, theksoi ai./abcnews.al

❌