Itaka po përgatitet për një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, teksa ishulli grek i detit Jon pritet të përfitojë nga vëmendja e shtuar që po i kushtohet poemës homerike të “Odisesë”, pas rikthimit të saj në ekranin e madh nga regjisori Christopher Nolan. Me pak më shumë se 3 mijë banorë, Itaka është një nga ishujt më të njohur të Jonit dhe konsiderohet tradicionalisht si atdheu i Odisesë, heroit qendror të poemës së Homerit. Filmi i ri i Nolanit, i bazuar në “Odisenë”, ka tërhequr interes të madh dhe po shënon rezultate të forta në arkat filmike, duke rikthyer në vëmendje edhe vendet e lidhura me historinë e tij. Itaka, kryeqendra e së cilës është Vathy, prej vitesh është një destinacion i preferuar turistik, falë peizazheve të saj natyrore, ujërave të kristalta dhe atmosferës së qetë që e karakterizon. Ishulli, së bashku me destinacionet e tjera të arkipelagut të Jonit, tërheq turistë që kërkojnë një kombinim mes natyrës, detit dhe historisë. Interesi për Itakën lidhet veçanërisht me figurën e Odisesë, një prej personazheve më të famshme të mitologjisë dhe letërsisë botërore. Megjithatë, pavarësisht kërkimeve arkeologjike të zhvilluara ndër vite, vende që lidhen drejtpërdrejt me poemën homerike nuk janë zbuluar ende. Gërmimet arkeologjike kanë dëshmuar, megjithatë, se në ishull kanë ekzistuar vendbanime që i përkasin periudhës mikene, duke forcuar lidhjen e Itakës me botën e përshkruar në epikat e Homerit.
Një anije romake që daton më shumë se 2 mijë vjet më parë është zbuluar në brigjet e Siçilisë, duke sjellë në dritë një tjetër dëshmi të rëndësishme të historisë së lashtë. Rrënojat e anijes janë gjetur rreth 3 milje larg Mazara del Vallo, në një thellësi prej 46 metrash. Në shtratin e detit janë zbuluar qindra amfora të lashta, të cilat besohet se kanë qenë pjesë e ngarkesës së anijes. Sipas Ministrisë italiane të Kulturës, anija i përket periudhës mes shekujve II dhe I para Krishtit. Pamjet e publikuara nga ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, tregojnë rrënojat e anijes dhe amforat e shpërndara në fundin e detit. Giuli e cilësoi zbulimin si “një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike nënujore” të viteve të fundit.
Një ngjarje e rëndë është shënuar në liqenin e Pogradecit, ku një 32-vjeçar ka humbur jetën, pasi është mbytur në ujë. Sipas të dhënave paraprake, 32-vjeçari ndodhej në një varkë rreth 150 metra larg bregut të liqenit, teksa po kalonte kohë në ujë, shkruan A2 CNN. Në rrethana ende të paqarta, ai është hedhur nga varka në liqen për t'u larë, por pak çaste më pas ka pasur probleme dhe është mbytur. Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar shërbimet e emergjencës, ndërsa vijojnë kërkimet për nxjerrjen e trupit nga ujërat e liqenit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
UASHINGTON, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi sot që Irani të paguajë dëmshpërblime për viktimat dhe dëmet e shkaktuara gjatë konflikteve të ndryshme, duke e vendosur këtë si kusht për negociatat e ardhshme për zgjidhjen e konfliktit mes dy vendeve. Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani duhet […]
Eklipset tregojnë se si ka ndryshuar marrëdhënia e njerëzimit me dijen.
Në lashtësi, errësimi i papritur i Diellit shihej si një ogur i keq dhe shkaktonte frikë. Sot, eklipset janë kthyer në një mundësi të rëndësishme për shkencëtarët për të studiuar Diellin, Tokën, kafshët dhe edhe reagimet e njerëzve.
Një nga dëshmitë më të hershme të vëzhgimit të një eklipsi është një pllakë balte e zbuluar në qytetin e Ugarit, në Sirinë e sotme, që daton rreth vitit 1223 para Krishtit.
Në qytetërimet e lashta, zhdukja e Diellit në mes të ditës shkaktonte habi dhe frikë. Në Kinën e lashtë besohej se një dragua po hante Diellin për shkak të sjelljes së keqe të njerëzve. Banorët u binin daulleve për të trembur dragoin dhe për të rikthyer dritën.
Edhe inkasit në Amerikën e Jugut e shihnin eklipsin si shenjë të zemërimit të perëndisë së Diellit. Udhëheqësit përpiqeshin të kuptonin shkakun dhe ta qetësonin atë përmes ritualeve dhe sakrificave.
Një eklips diellor i vitit 648 para Krishtit, i parë mbi ishullin grek Paros, frymëzoi edhe poetin Archilochus, i cili e përshkroi errësimin e mesditës si një ngjarje që tregonte se çdo gjë ishte e mundur.
Por përtej miteve dhe besimeve, eklipset ndihmuan që njerëzit të kuptonin më mirë lëvizjen e trupave qiellorë.
Me kalimin e shekujve, roli shkencor i eklipseve u bë gjithnjë e më i rëndësishëm. Në vitin 1868, gjatë një eklipsi, shkencëtarët zbuluan heliumin në spektrin e Diellit, përpara se ky element të identifikohej në Tokë.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte eklipsi i 29 majit 1919. Vëzhgimet e bëra nga Brazili deri në Afrikën Lindore ndihmuan në konfirmimin e teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Albert Einstein, duke matur devijimin e dritës së yjeve nga graviteti i Diellit.
Sot, edhe pse satelitët e vëzhgojnë Diellin vazhdimisht, eklipset vazhdojnë të jenë të vlefshme për shkencëtarët. Ato krijojnë kushte të rralla që nuk mund të përsëriten lehtësisht me pajisje artificiale.
Çfarë studiojnë shkencëtarët gjatë eklipsit?
Një nga objektivat kryesore është studimi i koronës diellore, shtresa e jashtme e atmosferës së Diellit.
Shkencëtarët përdorin pajisje të quajtura koronografë, të cilat krijojnë një lloj eklipsi artificial duke mbuluar pjesën qendrore të Diellit. Megjithatë, sipas astrofizikanëve, Hëna mbetet shumë më efektive në mbulimin e diskut diellor.
Kjo është e rëndësishme sepse aktiviteti i Diellit ndikon në magnetosferën dhe jonosferën e Tokës, si dhe në kushtet që ndikojnë te satelitët, astronautët dhe fluturimet ajrore.
Një nga misteret që shkencëtarët po përpiqen të zgjidhin është temperatura shumë e lartë e koronës diellore. Ajo arrin rreth 1.5 milionë Kelvin, ndërsa sipërfaqja e Diellit ka një temperaturë prej rreth 5 800 Kelvin.
Studimi i këtyre dukurive mund të ndihmojë gjithashtu në kuptimin më të mirë të yjeve të tjerë dhe të sistemeve ku ndodhen planetet jashtë Sistemit Diellor.
Shkencëtarët do të studiojnë edhe kafshët
Eklipset nuk interesojnë vetëm astronomët. Edhe biologët i shfrytëzojnë këto ngjarje të rralla për të studiuar reagimin e kafshëve ndaj ndryshimit të papritur të dritës.
Një grup studiuesish spanjollë ka kërkuar 300 vullnetarë për të marrë pjesë në një eksperiment që do të analizojë reagimin e kafshëve para, gjatë dhe pas eklipsit.
Projekti do të përdorë regjistrues zanorë për të krahasuar tingujt dhe sjelljen e kafshëve në këto tri faza. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet zogjve dhe lakuriqëve të natës.
Studiuesit dyshojnë se lakuriqët mund ta ngatërrojnë errësirën e eklipsit me ardhjen e natës dhe të fillojnë aktivitetin më herët se zakonisht.
Vëzhgime të mëparshme kanë treguar se gjatë eklipseve bletët kthehen shpejt në kosheret e tyre, primatët mblidhen dhe reagojnë ndaj qiellit, ndërsa zogjtë e ditës heshtin dhe disa kafshë të natës bëhen aktive.
Edhe elefantët, luanët dhe arinjtë do të vëzhgohen gjatë eklipsit në disa kopshte zoologjike në Spanjë.
Si ndikon eklipsi te njerëzit?
Shkencëtarët kanë nisur të studiojnë edhe ndikimin e eklipseve te trupi dhe mendja e njeriut.
Gjatë eklipsit të vitit 2017 në Shtetet e Bashkuara, studiuesit analizuan rreth 3 milionë postime në rrjetet sociale. Ata zbuluan se njerëzit që e përjetuan eklipsin e plotë shfaqën ndjenja më të forta mahnitjeje dhe përdorën më shumë gjuhë që lidhej me mbështetjen, modestinë dhe ndjenjën e komunitetit.
Në vitin 2023, një tjetër studim në New Mexico analizoi reagimet e trurit dhe zemrës gjatë një eklipsi unazor. Rezultatet e para treguan ndryshime në aktivitetin e trurit që lidhen me ndjenjën e mahnitjes, megjithëse kërkimi mbetet ende në fazat fillestare.
Një eksperiment tjetër do të zhvillohet gjatë eklipsit të plotë të 12 gushtit. Shkencëtarët katalanas kanë nisur projektin “Solaris”, ku rreth 5 mijë vullnetarë do të përdorin orët inteligjente për të regjistruar të dhëna biologjike para, gjatë dhe pas eklipsit.
Studiuesit në Barcelonë do të analizojnë këto të dhëna për të parë se si ndryshon ritmi i zemrës dhe frymëmarrja kur mijëra njerëz përjetojnë njëkohësisht errësimin e papritur të qiellit.
Pavarësisht shekujve të vëzhgimeve, disa minuta eklips vazhdojnë t’u ofrojnë shkencëtarëve mundësi të reja për të studiuar Diellin, Tokën, kafshët dhe vetë njeriun.
Një person është plagosur me armë zjarri të hënën pasdite në rrugën “Dëshmorët e Hereqit” në Gjakovë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
“Bazuar në informacionet fillestare, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar. Të dy personat, viktima dhe i dyshuari, janë meshkuj, shtetas të Republikës së Kosovës dhe të moshës madhore”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka thënë se njësitë relevante policore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Ndërkohë, Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar se i plagosuri është sjellë në Shërbimin Emergjent rreth orës 16:25.
“Sot, rreth orës 16:25, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ në Gjakovë është sjellë një pacient i plagosur me armë zjarri. Menjëherë pas pranimit, pacientit i janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe shërbimet e nevojshme mjekësore dhe i është ofruar trajtimi përkatës”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Sipas spitalit, pacienti është shtrirë për trajtim të mëtejmë dhe aktualisht është në gjendje stabile.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanave që çuan deri te plagosja.
Policia Kufitare ka ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj drejtuesin e një mjeti lundrues Jet Ski, i cili shkeli perimetrin e sigurisë në plazhin e Ksamilit, duke rrezikuar pushuesit.
Shkelja u konstatua gjatë patrullimeve në zonën e quajtur “Bar Bistro”, ku mjeti kishte hyrë brenda hapësirës së rezervuar për larësit.
Në përfundim të veprimeve administrative, Jet Ski u bllokua, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi P. S., u gjobit.
Policia e Shtetit apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, duke paralajmëruar se kontrollet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë me intensitet.
UASHINGTON, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi sot që Irani të paguajë dëmshpërblime për viktimat dhe dëmet e shkaktuara gjatë konflikteve të ndryshme, duke e vendosur këtë si kusht për negociatat e ardhshme për zgjidhjen e konfliktit mes dy vendeve.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani duhet të kompensojë familjet e personave të vrarë apo plagosur rëndë, si dhe familjet e demonstruesve të vrarë nga udhëheqja iraniane gjatë 50 viteve të fundit.
Ai e bëri gjithashtu Iranin përgjegjës për sulmin ndaj anijes amerikane ”USS Cole” në vitin 2000, megjithëse hetimet e FBI-së kanë përcaktuar se sulmi u planifikua dhe krye nga anëtarë të Al-Kaedës.
Presidenti Trump kërkoi gjithashtu që Teherani të mbajë përgjegjësi për dëmet dhe viktimat në Liban, Siri, Jemen dhe Gaza.
Ai tha se përfaqësuesit amerikanë do t’i përfshijnë këto kërkesa në çdo negociatë të ardhshme me Iranin.
Ndërkohë, Teherani ka kërkuar vetë dëmshpërblime të plota për dëmet e luftës, si kusht për negociatat me SHBA-në.
Sipas medieve iraniane, Irani ka kërkuar gjithashtu heqjen e kërcënimeve amerikane, përfundimin e bllokadës detare ndaj porteve iraniane dhe tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni. /Ad.Ab./ a.jor.
Marc Cucurella ka folur për transferimin e tij te Real Madridi dhe emocionet që e kanë shoqëruar mundësinë për të veshur fanellën e një prej klubeve më të mëdha në historinë e futbollit evropian.
Mbrojtësi spanjoll ka rrëfyer se është rritur duke ndjekur netët më të paharrueshme të Real Madridit në Ligën e Kampionëve, përfshirë rikthimet spektakolare në Santiago Bernabeu.
“Kam parë të gjitha ato net magjike, rikthimet në Santiago Bernabeu dhe të gjithë titujt e Ligës së Kampionëve që ata kanë fituar”, ka deklaruar Cucurella.
Tashmë, futbollisti spanjoll ndodhet në anën tjetër të historisë, me mundësinë për të kontribuar vetë në sukseset e klubit dhe për ta ndihmuar Real Madridin të shtojë trofe të tjerë evropianë në historinë e tij të pasur.
“Të jem tani vetë pjesë e kësaj… është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe një sfidë e bukur dhe shumë e rëndësishme”, shtoi ai.
Cucurella i bashkohet Real Madridit me një eksperiencë të konsiderueshme dhe pritet të forcojë krahun e majtë të skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho.
Transferimi i tij i jep trajnerit gjithashtu një tjetër alternativë të gjithanshme, e aftë të kontribuojë si në fazën defensive, ashtu edhe në atë ofensive. /et