Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Main stream

Seanca konstituive, Kryesia e Kuvendit mblidhet sot pasdite

10 February 2026 at 12:42


Sot, më 10 shkurt 2026, kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, do të mbajë mbledhje me kryetarët e subjekteve politike.

Mbledhja është planifikuar të fillojë në orën 17:00.

Rendi i ditës do të fokusohet në përgatitjet për Seancën konstituive të Legjislaturës së dhjetë (X) të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani ka thirr seancën konstituive tw Kuvendit pwr nesër nw prwn 12:00.

Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. /Telegrafi/

Sindikata e Punëtorëve Privat: Shumë kompani nuk po e respektojnë rritjen e pagës minimale prej 425 euro

10 February 2026 at 12:26


Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), ka njoftuar se edhe pse paga minimale prej 425 euro bruto, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026 sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, në shumë raste nuk po respektohet.

Sipas FSPTSPK-së, shumica e punëtorëve teknikë në institucione publike përmes kompanive private kanë marrë rritje pagash, por në disa raste ka kompani që ende nuk kanë kryer pagesën për muajin Janar dhe për këto raste ende nuk kemi informata të plota se sa po zbatohet ky vendim.

“Ekzistojnë raste konkrete, si në Shkollën e Mesme Teknike dhe Gjimnazi në Drenas, ku punëtorët teknik vazhdojnë të marrin pagë prej 237 euro neto, pa asnjë ndryshim apo zbatim të vendimit për rritjen e pagës minimale", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, sipas FSPTSPK-së në disa shkolla të Prishtinës, punëtorët teknik ende nuk kanë marrë pagat dhe nuk do të ketë rritje të pagës.

Ndërkaq, punëtorët teknik në Qendrën e mjekësisë familjare në Prishtinë marrin pagë 370 euro, që është nën pagën minimale të parashikuar.

Federata bën thirrje të fortë për kompanitë që nuk po e respektojnë vendimin.

“Kërkojmë nga të gjitha kompanitë që nuk po e respektojnë vendimin për pagën minimale, të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe ta zbatojnë atë sa më shpejt, në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Dyshohen për falsifikim parash, Prokuroria e Ferizajt kërkon paraburgim për dy shtetas palestinezë

10 February 2026 at 10:27


Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit M.O. dhe Z.N., shtetas palestinezë, për shkak të dyshimit për veprën penale “Falsifikim i parasë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, më 6 shkurt 2026, rreth orës 19:30, në pikën e derivateve “Ballkan Petrol” në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, i pandehuri M.O. dyshohet se ka futur në qarkullim para të falsifikuara.

Po ashtu, më 7 shkurt 2026, në rrugën “Skënderbeu” në Kaçanik, dy të pandehurit dyshohet se kanë poseduar 39 bankënota nga 50 dollarë, me vlerë totale 19.500 dollarë amerikanë, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Bankënotat janë sekuestruar nga policia.

Dy të pandehurit aktualisht gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh nga Prokurori i Shtetit, ndërsa për ta pritet vendimi i gjykatës për paraburgim. /Telegrafi/

220 gjoba në Prishtinë, 35 shoferëve u sekuestruan patentë-shoferët

10 February 2026 at 10:22


Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, gjatë ditës së djeshme, ka shqiptuar gjithsej 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

Nga ky numër, 50 gjoba janë evidentuar përmes veturave me pajisje inteligjente, të cilat kanë regjistruar shkelje si drejtimi i automjeteve me regjistrim të skaduar dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.

Si pasojë e këtyre veprimeve, 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi. Gjobat e shqiptuara do t’u dorëzohen kundërvajtësve përmes postës.

Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit u bën apel të gjithë shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugët e kryeqytetit. /Telegrafi/


Dhuna në shkollën "Pavarësia", drejtori i Arsimit: Pasojë e dështimit institucional

10 February 2026 at 10:09


Drejtori për Arsim në Kryeqytet, Samir Shahini ka reaguar pas rastit të dhunës së ndodhur dje në shkollën fillore “Pavarësia”, duke e dënuar ashpër ngjarjen dhe duke kërkuar veprim të shpejtë nga institucionet e drejtësisë.

“Nga pozicioni si drejtor për arsim në kryeqytet, e dënoj fuqishëm rastin e ndodhur dje në Shkollën Fillore ‘Pavarësia’. Dhuna në shkolla është e papranueshme dhe nuk do të relativizohet në asnjë rrethanë. Institucionet e sigurisë tashmë e kanë rastin në trajtim dhe presim veprim të shpejtë dhe të plotë nga organet e drejtësisë”, ka deklaruar Shahini.

Ai ka theksuar se rasti në fjalë nuk është i izoluar, por sipas tij përfaqëson pasojë të një dështimi më të gjerë institucional.

“Ky rast, megjithatë, nuk është i izoluar. Ai është pasojë e drejtpërdrejtë e një dështimi të gjerë institucional. Prej vitesh, shkollat po lihen të vetme përballë problemeve të rënda sociale, pa mbështetje reale dhe pa kapacitete minimale për ndërhyrje”, ka shtuar ai.

Shahini ka kritikuar mungesën e mbështetjes profesionale në shkolla, duke përmendur mungesën e psikologëve, punëtorëve socialë dhe mekanizmave mbrojtës.

“Sot, mësimdhënësi dhe nxënësi janë të pambrojtur, ndërsa shkolla po trajtohet padrejtësisht si institucioni që duhet të përthithë çdo dështim tjetër të shtetit”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, drejtori për Arsim ka adresuar kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj Ministrisë së Arsimit, duke e cilësuar atë përgjegjëse për gjendjen aktuale.

“Ministria e Arsimit mban përgjegjësi direkte për këtë gjendje. Në vend të veprimeve serioze, ajo vazhdon të prodhojë udhëzime administrative të shkëputura nga realiteti në terren”, ka theksuar Shahini, duke shtuar se “kjo nuk është reformë - është shmangie e përgjegjësisë”.

Ai ka bërë thirrje edhe për raportim të përgjegjshëm nga mediet, duke kritikuar sensacionalizmin dhe etiketimin pa fakte.

“Në këtë zinxhir dështimesh, edhe mediet kanë përgjegjësi. Sensacionalizimi, gjykimi i menjëhershëm dhe etiketimi i shkollave e i mësimdhënësve, pa fakte dhe pa kontekst, nuk ndihmon askënd”, ka deklaruar ai.

Shahini ka theksuar se shkollat dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk duhet të trajtohen si bartëse të dështimeve strukturore të institucioneve qendrore.

“Si Drejtor i Arsimit, refuzoj që shkollat dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit të trajtohen si shkarkues i dështimeve strukturore të nivelit qendror”, ka thënë ai.

Në fund, Shahini ka kërkuar veprim urgjent dhe të koordinuar nga të gjitha institucionet përkatëse.

“Kërkoj veprim urgjent, të koordinuar dhe të matshëm nga të gjitha hallkat – përfshirë Ministrinë e Arsimit, shërbimet sociale, organet e sigurisë, prindërit dhe mediet. Jo deklarata formale, jo burokraci, jo heshtje, por veprim”, ka përfunduar Shahini. /Telegrafi/


Policia gjen armatim e pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq

10 February 2026 at 09:59


Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar armë, municion dhe pajisje ushtarake gjatë kontrollit të një shtëpie të pabanuar në Leposaviq.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 9 shkurt 2026, rreth orës 14:29, kur gjatë kontrollit në një objekt të pabanuar, pronë e një mashkulli shtetas i Serbisë, policia ka hasur në një sasi të konsiderueshme municioni dhe pajisjesh ushtarake.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar 59 fishekë të kalibrit të panjohur, një kuti metalike, një helmetë ushtarake, një xhaketë me emblemë të Serbisë, një futrollë për thikë, një pjesë antiplumbi, një çantë ushtarake, dy karikatorë të armës automatike AK-47, si dhe një karikator tjetër me një fishek.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme hetimore.

Hetimet janë duke vazhduar nga organet kompetente. /Telegrafi/

Tri raste të ndara të narkotikëve, arrestime në Pejë, Rahovec dhe Mitrovicë

10 February 2026 at 09:51


Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të ndara që lidhen me blerje, posedim të paautorizuar dhe shpërndarje të narkotikëve, të ndodhura në Pejë, Rahovec dhe Mitrovicë të Jugut gjatë ditëve të fundit.

Në Pejë, më 26 janar 2026 rreth orës 19:40, pas vendimit të prokurorit është kryer kontroll në shtëpinë e një të dyshuari mashkull kosovar.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar tetë qese të vogla me substancë të dyshuar të llojit heroinë me peshë totale rreth 2.0 gramë, dy peshore digjitale, një mulli për bluarje, një shufër me talke, një sprej si dhe tri pajisje USB.

Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore.

Ndërkohë, në Rahovec, më 8 shkurt 2026 rreth orës 22:30, është arrestuar një tjetër i dyshuar mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur në posedim një sasi e substancës së dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i tretë është regjistruar në Mitrovicë të Jugut, më 9 shkurt 2026 rreth orës 12:26.

Gjatë kontrollit trupor, policia ka gjetur dhe konfiskuar 15 qese me substancë të dyshuar të llojit marihuanë, me peshë totale 15.31 gramë. I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për të gjitha rastet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. /Telegrafi/

Aksion policor në Podujevë, një i arrestuar për skema piramidale

10 February 2026 at 09:43


Një person është arrestuar mbrëmë rreth orës 21:00 në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar në kuadër të një aksioni policor, gjatë të cilit është kryer edhe kontrolli i lokacionit.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur për veprimtari të kundërligjshme, përfshirë tri shtëpiza kompjuteri, dy monitorë, një skaner si dhe pajisje të tjera përcjellëse.

I dyshuari, F.M., mashkull, me autorizim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, ndërsa hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, po vazhdojnë veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/

Yesterday — 9 February 2026Main stream

Haxhiu reagon pas kërkesës për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së: Ky është shtrembërim i historisë

9 February 2026 at 14:56


Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherit nënkryetarja në detyrë e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për 45 vjet burg për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu e ka konsideruar këtë si një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës, duke theksuar se nuk ka të bëjë me drejtësi, por me një ndëshkim politik dhe selektiv.

“Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo kujton krimet e Serbisë gjatë luftës, duke theksuar se masakrat, përdhunimet dhe dëbimet masive janë të dokumentuara dhe dëshmuara ndërkombëtarisht, ndërsa agresori nuk është përballur kurrë me drejtësinë.

“Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë”, tha ish-ministrja.

Haxhiu përfundon me një mesazh të fortë për rolin e drejtuesve të UÇK-së.

“Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, tha Haxhiu,

Reagimi i ish-ministres vjen ndërkohë që gjykimi në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së është në fazën përmbyllëse. /Telegrafi/

Reagon djali i Jakup Krasniqit: Rezistenca nuk mund të kriminalizohet

9 February 2026 at 14:48


Altin Krasniqi, djali i ish-komandantit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka reaguar fuqishëm pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së, duke e konsideruar këtë si një përpjekje për kriminalizimin e rezistencës shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Prokuroria do ta kishte më të lehtë dhe më të sinqertë të deklaronte hapur se shqiptarët duhet të rrinin duarkryq, të pranonin vrasjen, përdhunimin dhe trajtimin çnjerëzor, sesa të guxonin të luftonin për mbijetesë dhe dinjitet”, ka shkruar Krasniqi.

Ai shton se historia nuk shkruhet nga ata që u përkulën, por nga ata që refuzuan nënshtrimin.

“Një pjesë e vogël e popullit shqiptar zgjodhi rezistencën si akt të fundit mbijetese, jo si zgjedhje politike, por si domosdoshmëri njerëzore. Sot, vetë ekzistenca jonë është dëshmia më e fuqishme se ajo luftë ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime”, u shpreh ai.

Altin Krasniqi thekson se çdo përpjekje për të kriminalizuar rezistencën është akt politik dhe jo drejtësi, duke synuar rishkrimin e historisë dhe barazimin e agresorit me viktimën.

Reagimi i tij vjen ndërkohë që gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së vazhdon në Hagë dhe seanca për deklaratat përmbyllëse është planifikuar të zgjasë deri më 18 shkurt. /Telegrafi/

"ROADPOL 2026", Policia e Kosovës nis kontrolle intensive për kamionë dhe autobusë

9 February 2026 at 14:42


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur një seri kontrollesh të shtuara për mjete të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, si pjesë e planit ROADPOL 2026.

Kontrollet do të zgjasin deri më 15 shkurt 2026 dhe do të realizohen në të gjitha rrugët e vendit.

Qëllimi i këtyre kontrolleve është rritja e sigurisë në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, duke u fokusuar tek shoferët e kamionëve dhe autobusëve, të cilët konsiderohen shoferë profesionistë.

Policia thekson se nga ata pritet që të jenë shembull në respektimin e rregullave dhe sjelljes së sigurt në rrugë.

Ky aktivitet përfshin verifikimin e gjendjes teknike të mjeteve, respektimin e kufijve të shpejtësisë, dokumentacionin e vozitjes dhe kushtet e sigurimit për udhëtarët dhe mallrat.

Policia e Kosovës fton të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë ligjin, duke kontribuar kështu në uljen e rreziqeve dhe sigurimin e rrugëve për të gjithë. /Telegrafi/

Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Memollën, shkon në burg kryebashkiaku i Rrogozhinës

9 February 2026 at 14:14


Gjykata e Apelit të GJKKO ka lënë fuqi dënimin e Shkallës së Parë me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla.

Vendimi është i formës së prerë për kryebashkiakun e Rrogozhinës, i cili akuzohet korrupsion aktiv në zgjedhje. Memolla nuk u paraqit në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës.

Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimet ndaj tre personave të tjerë: Ndriçim Tafxhafa 1 vit burg; Blerim Xhamani, 1 vit burg dhe Isuf Tosku, 8 muaj, pezullohet në shërbim prove.

Ata akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas publikimit të një regjistrimi audio që ngriti dyshime për ndikim të paligjshëm.

Në regjistrimin e bërë publik, Memolla, asokohe kandidat për kryebashkiak, kërkonte nga elektricisti i FSHU-së në Durrës, Ndriçim Tafxhata, që të mos ndërpriste energjinë elektrike të një abonenti debitor, në këmbim të votës së tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Dënimi me vendim të formës së prerë i Edison Memollës e çon bashkinë e Rrogozhinës në zgjedhje të reja të cilat do të duhet të mbahen jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga krijimi i vakancës.

Memolla ka të drejtë për rekurs në Gjykatën e lartë lidhur me këtë vendim brenda afateve që parashikon ligji./euronews/

Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

9 February 2026 at 13:59


Në vazhdim të gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ka prezantuar një hartë që pasqyron 437 incidente të lidhura me krime lufte dhe kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të Kosovës në vitet 1998–1999.

Prokurori James Pace tregoi edhe për vendin e ndalimit në Jabllanicë për të cilin tha se gjendje afër Shtabit të UÇK-së, afër shtëpisë së Lahi Brahimajt.


Ai shtoi se prova shkresore tregojnë dhe konfirmojnë dëshmitë e dëshmitarëve për krimet për të cilët janë ngritur akuzat.

Ndërkaq, prokurorja e Dhomave të Specializuara, Clare Lawson, theksoi se këto krime nuk janë kryer thjesht nga individë të izoluar, por nga vartësit e të akuzuarve, të cilët kanë kontribuar në mënyrë aktive dhe kanë vepruar me një synim të qartë për të realizuar veprime të paligjshme.

Ajo shtoi se përgjegjësia nuk përqendrohet vetëm te udhëheqësit, por edhe te struktura e komandës që ata kanë drejtuar.

Lawson tha se incidentet përfshijnë përndjekje, vrasje, tortura dhe keqtrajtime në kampet e kontrolluara nga UÇK-ja, duke përfshirë dhjetëra viktima që ishin të lidhura me komunitete të ndryshme etnike, përfshirë serbët, romët dhe ish-anëtarët e partive politike lokale.

“Shumë nga veprimet janë kryer nën udhëheqjen dhe autorizimin e të akuzuarve, duke pasur një plan të qartë dhe një strategji të strukturuar për të arritur qëllimet e tyre”, u shpreh prokurorja.

Pas një seance intensive gjatë mëngjesit, Dhomat e Specializuara aktualisht ndodhen në pushim të drekës, ndërsa pritet që pasditja të vazhdojë me dëshmi të reja dhe argumente përmbyllëse nga prokuroria.

Ky gjyq ka hyrë në fazën përmbyllëse, ku po shqyrtohen provat dhe dëshmitë kryesore, ndërsa pas prokurorisë, fjalën do ta kenë ekipet mbrojtëse dhe më pas të akuzuarit.

Seanca është pjesë e një procesi që ka filluar më 3 prill 2023 dhe ka tërhequr vëmendje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare për rëndësinë e trajtimit të krimeve të dyshuara të luftës në Kosovë./Telegrafi/

Policia sekuestron 7 kg marihuanë në Merdare, arrestohet një person

9 February 2026 at 13:42


Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka sekuestruar rreth 7 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar.

Në një aksion të zhvilluar në pikën kufitare në Merdare, Policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, e drejtuar nga një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur dhe konfiskuar 7 kg marihuanë, me vlerë tregu rreth 35,000 euro.

Pas këtij aksioni, në koordinim me Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, është kryer edhe kontroll i shtëpisë së të dyshuarit në Prizren. Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova shtesë që lidhen me rastin, përfshirë: 7 kg marihuanë të ndarë në 24 paketime, 4 vetura, 1 telefon, 9 paketime me qese plastike, 2 aparate për vakum, 2 peshore digjitale dhe prova tjera materiale.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë. Hetimet në lidhje me këtë rast vazhdojnë. /Telegrafi/

Publikohet programi shtetëror për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

9 February 2026 at 13:30


Qeveria e Kosovës ka publikuar programin zyrtar të manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë, të cilat do të mbahen më 17 shkurt 2026.

Aktivitetet do të nisin në orët e hershme të mëngjesit me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë ditës janë paraparë homazhe dhe nderime në disa nga vendet më të rëndësishme historike të vendit.

Sipas programit, do të bëhen homazhe te Monumenti i të Pagjeturve, pllakat përkujtimore të fëmijëve të vrarë, si dhe te varrezat e ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. Po ashtu, homazhe do të mbahen edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, është paraparë edhe seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nderime te Monumenti i Heroinave, si dhe parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Manifestimet do të përmbyllen në mbrëmje me pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, si dhe me koncert solemn në Filarmoninë e Kosovës.

Qeveria ka ftuar qytetarët që ta shënojnë këtë ditë me dinjitet, në nderim të sakrificës për liri dhe pavarësi. /Telegrafi/


Gjykata Supreme shqyrton ankesat ndaj PZAP-së për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

9 February 2026 at 13:18


Gjykata Supreme ka shqyrtuar të gjitha ankesat e parashtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, e cila ka bërë të ditur se brenda ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre te palët.

Sipas saj, Gjykata Supreme ka shqyrtuar gjithsej gjashtë ankesa të paraqitura kundër vendimeve të PZAP-së.

Dy nga këto ankesa janë parashtruar nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilia Rexhepi, si dhe një nga Partia e Re Demokratike – Nova Demokratski Stranka nga Prizreni.

Në rast se Gjykata Supreme i refuzon këto ankesa, do t’i hapet rruga certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Pas certifikimit, sipas procedurave ligjore, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

“Drejtësi, jo politikë”, djali i Hashim Thaçit bën thirrje për marshin e 17 shkurtit

9 February 2026 at 12:38


Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje publike për marsh, përmes një postimi në rrjetet sociale, në kohën kur në Hagë ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në postimin e tij, Thaçi ka shpërndarë një poster me mbishkrimin “Drejtësi, jo politikë”, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 17 shkurt, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në poster po ashtu theksohet slogani “Liria ka emër”, si dhe simboli i UÇK-së.

Thirrja për protestë vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Protesta pritet të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe sipas organizatorëve synon të kërkojë drejtësi dhe të kundërshtojë, siç thuhet, politizimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së./Telegrafi/


Tieger: Sulmet ndaj kundërshtarëve dhe ndalimet u autorizuan nga Shtabi i Përgjithshëm

9 February 2026 at 12:29


Prokurori i Specializuar, Alan Tieger është duke vazhduar me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse rreth gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Tieger po pretendon se të akuzuarit kanë kryer sulme kundër serbëve, anëtarëve të Partisë Socialiste Serbe – që kishin bërë fjalime në varrimin e dikujt që ishte vrarë nga anëtarë të UÇK-së – persona që pretendohej se bashkëpunonin me organet e pushtuesit apo merrnin pjesë në veprimtari tjera të paspecifikuar antikombëtare.

Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovën, derisa pranoi se sulmi ndaj familjes Jashari nxiti zgjerimin e luftës.

“Fillimi i marsit njihet fatkeqësisht edhe nga sulmi që i ndodhi familjes së Jasharëve dhe vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij, një ngjarje që nxiti atë për të cilat pajtohen të gjitha palët, fillimin e zgjerimit eksploziv të UÇK-së nga origjina e vet guerile”, tha ai.

Tutje, siç tha prokurori i specializuar, katër të akuzuarit ishin “pionerë të UÇK-së”.

“Të akuzuarit nuk u albanizuan papritmas nga vrasja e familjes së Jasharëve për të dalë vullnetar, por ata ishin pionerë të UÇK-së që e kishin quar në atë pikë UÇK-në. Siç ka thënë një anëtar i rëndësishëm Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, dhe Rexhep Selimi kanë qenë ndër paktët protagonistët që kanë qenë pjesë, citoj ‘e një strukture të përbashkët’, dhe citoj sërish ‘filluan dhe përfunduan luftën’”, deklaroi ai.

Tieger, po vazhdon deklaratën përmbyllëse dhe po flet për, siç pretendon ai, vrasjeve dhe torturimeve të personave të ndaluar në qendrën në Bajgorë.

Siç pretendon ai, vrasjet dhe keqtrajtimet janë bërë “përmes autorizimit të Shtabit të Përgjithshëm” të UÇK-së.

Ai tha qendra në Bajgorë u bë mbi bazën e komunikatave të UÇK-së dhe se “Shtabi i Përgjithshëm dënonte bashkëpunëtorët”. /Telegrafi/

Vendimi i Kushtetuese për Ballukun, reagon Rama: Liria e hetimeve e garantuar

9 February 2026 at 11:59


Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar mbi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjen e pezullimit të për zv/kryeministres.

Sipas Ramës, funksionet kushtetuese të anëtarëve të qeverisë, Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera janë të padelegueshme dhe nuk mund të pezullohen nga askush përveç mekanizmave ligjorë, pasi çdo pezullim paralizon institucionin që ata drejtojnë.

Kryeministri thekson se, duke u nisur edhe nga deklarata publike e Gjykatës Kushtetuese, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhje ligjore përmes ndryshimeve në legjislacion.

Rama shton se SPAK-u nuk preket nga ky proces, por vetëm mbështetet. Hetimet mund të vazhdojnë normalisht, duke garantuar lirinë dhe të drejtën e çdo prokurori për të hetuar çfarëdo dhe këdo. Pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv gjithashtu nuk preket, vetëm garantohen. /euronews/

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të…
— Edi Rama (@ediramaal) February 9, 2026

“Historia jonë nuk rishkruhet"- bashkëshortja e Selimit reagon pas kërkesës për 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së

9 February 2026 at 11:47


Pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara që katër ish-udhëheqës të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dënohen me 45 vjet burg secili, ka reaguar deputetja Shqipe Mehmeti Selimi, njëherit bashkëshortja e Rexhep Selimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan: “E shenjtë UÇK! E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët!”


Deklarata e saj vjen ndërsa sot ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ku ZPS-ja kërkoi shpalljen e tyre fajtorë për krime lufte dhe kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vdekje dhe abuzime të shumta në kampe të kontrolluara nga UÇK-ja gjatë dhe pas luftës.

Seancat për deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt, ku pas Prokurorisë fjalën do ta kenë mbrojtësit, ndërsa në fund do të flasin edhe të akuzuarit. /Telegrafi/

❌
❌