Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 March 2026Main stream

Spanja nuk ka penalizuar me 5 vjet burg fyerjen ndaj Islamit

25 March 2026 at 16:58

Pretendimi: Fyerja e Islamit do të çojë në 5 vjet burg në Spanjë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se Spanja do të dënojë me 5 vite burg fyerjen e fesë myslimane, shoqeruar me një citim të pretenduar të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.

Nuk ka prova për ndonjë fjalim apo deklaratë publike nga Sanchez që njofton një vendim të tillë. Njësoj, nuk ka raportime për ndonjë ligj të ri spanjoll që dënon me pesë vjet burg këdo që fyen Islamin ose profetin e tij Muhamed. As “Muhamed”, “Mahoma” (një version spanjoll i emrit të Profetit Muhamed) dhe as “Islam” nuk përmenden në versionin e fundit të Kodit Penal spanjoll, i cili do të kishte përfshirë një ligj të tillë, nëse ai do të ekzistonte.

Në Kodin Penal të tanishëm spanjoll, Neni 510, i përditësuar në vitin 2022, përcakton se “ata që inkurajojnë, promovojnë ose nxisin publikisht urrejtje, armiqësi, diskriminim ose dhunë kundër një grupi, një segmenti të tij ose një personi specifik për shkak të përkatësisë së tyre” për arsye të ndryshme, duke përfshirë ato “të lidhura me fenë”, do të dënohen me 1-4 vjet burgim.

Njerëzit që “prodhojnë, krijojnë, posedojnë me qëllim shpërndarjen” e materialit që “është i përshtatshëm për të nxitur, promovuar ose nxitur, drejtpërdrejt ose tërthorazi, urrejtje, armiqësi, diskriminim ose dhunë kundër një grupi”, gjithashtu mund të përballen me të njëjtin dënim, sipas Seksionit 1.

Seksioni 2 i Nenit 510 parashikon deri në 2 vjet burgim dhe gjobë për njerëzit që “dëmtojnë dinjitetin e personave përmes veprimeve që përfshijnë poshtërim, përbuzje ose diskreditim” të grupeve të ndryshme të përcaktuara në Seksionin 1, që përfshinin grupet fetare.

Dënimi për krimet e përcaktuara në Seksionin 2 mund të rritet për t’u përputhur me dënimin me nga një deri në katër vjet burgim dhe gjobën që gjykatat dhanë për veprat penale të Seksionit 1 nëse vepra penale e Seksionit 2 promovonte ose favorizonte “një klimë dhune, armiqësie, urrejtjeje ose diskriminimi kundër grupeve të lartpërmendura”.

Neni 510 nuk përmend specifikisht Islamin ose Profetin Muhamed.

The post Spanja nuk ka penalizuar me 5 vjet burg fyerjen ndaj Islamit appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar foto nga reanimacioni e ministrit izraelit të financave

25 March 2026 at 16:19

Pretendimi: Ky imazh tregon politikanin izraelit Bezalel Smotrich duke qëndruar në reanimacion për djalin e tij që është në gjendje kritike për jetën pasi u plagos shumë rëndë nga predha e një rakete të Hezbollah pasi kishte hyrë të pushtonte Libanin.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————

Një imazh që ka marrë mbi 700 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon politikanin izraelit Bezalel Smotrich duke qëndruar në reanimacion për djalin e tij që është në gjendje kritike për jetën pasi u plagos shumë rëndë nga predha e një rakete të Hezbollah pasi kishte hyrë të pushtonte Libanin.

Është e vërtetë se më 9 mars 2026, politikani i të djathtës ekstreme izraelite dhe ministri i financave Bezalel Smotrich deklaroi se djali i tij ishte plagosur si pjesë e brigadës Givati në kufirin libanez. Gjithashtu, Smotrich ndau vërtet një foto nga dhoma e spitalit të djalit të tij në Twitter më 18 mars, por ajo nuk përngjan me imazhin e mësipërm.

Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti gjithashtu se pamja në sfond të imazhit që po verifikojmë qarkullon në rrjet të paktën që në vitin 2019, përpara plagosjes së djalit të Smotrich. 

Më tej, pamja në sfond nuk tregon një njeri të shtruar në reanimacion, por një skenë seksuale fetishiste, me gjasa e përzgjedhur për këtë rast si tallje për të poshtëruar Smotrich.

Imazhi që po qarkullon në rrjet me gjasa është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale. Tregues i origjinës artificiale është shenja e Gemini, programi AI i Google, poshtë në cepin e djathtë të imazhit.

Një kërkim me motorin e kërkimit pamor Google Lens konfirmon se imazhi që qarkullon në rrjet është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

The post E gjeneruar foto nga reanimacioni e ministrit izraelit të financave appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayMain stream

Pavarësisht ngjashmërisë, krerët e Argjentinës dhe Izraelit nuk kanë lidhje gjaku

24 March 2026 at 16:39

Pretendimi: Presidenti argjentinas Javier Milei dhe Benjamin Netanyahu janë kushërinj

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se presidenti argjentinas Javier Milei dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu janë kushërinj.

Postimi pretendon se dy krerët e shtetit kanë të njejtin gjysh, mw konkretisht “Nathan Mileikowsky, i lindur më 15 gusht 1825, në Bjellorusi”, dhe baballarët e tyre ishin vëllezër.

Që nga 2021, ka patur pretendime se Milei, në atë kohë deputet dhe kandidat presidencial, fillimisht quhej “Mileikowsky”, një mbiemër që ai supozohet se e ndryshoi për të fshehur një trashëgimi të supozuar hebraike. Megjithatë, kjo është e rreme.

Ngjashmëria midis “Milei” dhe “Mileikowsky” nuk është aq e fortë sa të sugjerojë se dy udhëheqësit politikë në fjalë kanë lidhje gjaku. 

Siç kanë verifikuar kolegët e Chequeado, të dhënat e Mileit në Dhomën e Deputetëve të Argjentinës tregojnë se emri i tij i plotë është Javier Gerardo Milei. E njëjta gjë konfirmohet duke kërkuar në faqen Dateas, ku është e mundur të aksesohet Kodi i tij i Identifikimit Tatimor (CUIT).

Një kërkim i Dokumentit të Identitetit Kombëtar (DNI) të përfshirë në atë CUIT tregon se i njëjti emër, Javier Gerardo Milei, shfaqet në regjistrin zgjedhor.

AFP dhe Chequeado kërkuan certifikatën e lindjes së Javier Milei nga Regjistri Civil i qytetit të Buenos Aires. Dokumenti, i dërguar më 9 tetor 2023, zbulon se presidenti ka lindur më 22 tetor 1970 dhe është regjistruar me emrin Javier Gerardo Milei.

Fragment nga certifikata e lindjes së Javier Milei, marrë më 10 tetor 2023

Emrat e prindërve të tij janë gjithashtu të listuar në certifikatë: Norberto Horacio Milei dhe Alicia Luján Lucich.

Për më tepër, në një procesverbal të mbledhjes së tetorit 2006 të Kompanisë së Transportit Tte Gral Roca SA, shfaqet edhe emri i babait të presidentit: Norberto Horacio Milei.

Nuk ka të dhëna publike ose zyrtare për ndonjë ndryshim të supozuar të emrit nga presidenti, dhe certifikata e tij e lindjes konfirmon se emri i tij i plotë është Javier Gerardo Milei.

Ndërkaq, familja e Netanyahut e ndryshoi mbiemrin nga “Mileikowsky”. Gjyshi i tij ishte Nathan Mileikowsky, një rabin dhe një pjesëmarrës aktiv në lëvizjen sioniste. Sipas Bibliotekës Virtuale Hebraike, Mileikowsky përdori mbiemrin “Netanyahu” në shkrimet e tij, duke i bërë fëmijët e tij të përvetësonin këtë mbiemër.

Një njoftim për shtyp i një takimi midis Milei dhe Netanyahu më 7 shkurt 2024, nuk përmendi asnjë marrëdhënie familjare midis të dyve. Çdo lidhje e mëtejshme ndoshta do të ishte përmendur, pasi Milei është një mbështetës i zëshëm i qeverisë izraelite dhe ka treguar interes për judaizmin pavarësisht se është rritur katolik.

Juan Luis González, një gazetar dhe autori i “El Loco“, një biografi e paautorizuar e Milei, tha për Lead Stories: “… dikush më tregoi për atë ngjashmëri në mbiemrat, por për aq sa di unë, ato nuk janë të lidhura.”

The post Pavarësisht ngjashmërisë, krerët e Argjentinës dhe Izraelit nuk kanë lidhje gjaku appeared first on Faktoje.al.

Shpikësi i kurës ndaj kancerit në vitet ‘30 nuk u shkatërrua qëllimisht

24 March 2026 at 15:19

Pretendimi: Kanceri u shërua në 1934 nga Royal Raymond Rife, por ky i fundit u shkatërrua për ta mbajtur këtë sekret

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Një postim që ka marrrë mbi 700 pëlqime në Facebook pretendon se kanceri u shërua që në vitin 1934 nga një pajisje me frekuencë të shpikur nga amerikani Royal Raymond Rife, të cilit më pas iu shkatërrua karriera për të mbajtur sekret këtë zbulim.

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk jep asnjë provë, burim apo referencë që mbështet këtë pretendim të jashtëzakonshëm. 

Makineritë RIFE u krijuan në vitet 1920-30 nga shkencëtari Raymond Rife dhe ato funksionojnë duke prodhuar valë energjie të ulët elektromagnetike. Mbështetësit e makinës thonë se të gjitha sëmundjet kanë një frekuencë elektromagnetike dhe, duke përputhur frekuencën, makineria RIFE mund të vrasë ose çaktivizojë qelizat e prekura.

Nuk ka prova të besueshme që tregojnë se këto pajisje funksionojnë dhe ato nuk kanë kaluar testimet rigoroze të kërkuara që një trajtim kundër kancerit të përdoret tek njerëzit.

Sipas Cancer Research UK, organizata bamirëse më e madhe e pavarur në botë për hulumtimin për kancerin, “shumë faqe interneti promovojnë makinën Rife si një kurë për kancerin. Por asnjë organizatë shkencore me reputacion për kancerin nuk mbështet ndonjë nga këto pretendime.”

Gjithashtu, nuk ka prova që këto makina nuk shkaktojnë dëm për njerëzit që i përdorin ato. Cancer Research UK paralajmëron se “mund të dëmtoni shëndetin tuaj nëse ndaloni trajtimin e kancerit për një trajtim të paprovuar.”

Dr. Skyler Johnson, një mjek dhe profesor asistent i specializuar në onkologjinë e rrezatimit në Institutin Huntsman të Kancerit të Universitetit të Utah, i tha Lead Stories se “makinat Rife nuk janë demonstruar se trajtojnë ose shërojnë ndonjë kancer. Energjia e krijuar nuk është mjaftueshëm e fortë për të dëmtuar qelizat kancerogjene. Pretendimet se ajo shëron kancerin janë hedhur poshtë disa herë. Pacientët që zgjedhin ta përdorin këtë për të trajtuar kancerin e tyre e vënë jetën e tyre në rrezik serioz.”

Echo Warner, një profesore asistente në Kolegjin e Infermierisë në Institutin Huntsman të Kancerit dhe një anëtare e asociuar e Institutit Huntsman të Kancerit, shtoi se “nuk ka prova shkencore për të mbështetur pretendimin se makinat Rife trajtojnë kancerin. Hulumtimi ynë në lidhje me dezinformimin shëndetësor në internet ka treguar se këto pretendime shpesh kanë stimuj financiarë. Megjithëse nuk ka prova shkencore për të mbështetur pretendimin se makinat Rife trajtojnë ose shërojnë kancerin, këto makina shpesh u shiten pacientëve me kancer për mijëra dollarë. Pacientët me kancer që ndjekin blerjen e këtyre makinave mund të rrisin rrezikun e vështirësive financiare gjatë një përvoje me kancerin, ndërsa rrezikojnë edhe shëndetin e tyre duke vonuar trajtimin e kancerit.”

Ka disa studime kanë eksploruar përdorimin e valëve të energjisë së ulët si një trajtim për kancerin, por kërkohen kërkime të mëtejshme në këtë fushë.

Ka trajtime për kancerin që përdorin valë zanore me frekuencë të lartë për të vrarë qelizat kancerogjene, dhe ato kanë një bazë të mirë provash për përdorimin e tyre.

Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, makinat Rife reklamohen në internet me çmime që variojnë nga disa qindra deri në disa mijëra dollarë.

Pavarësisht se nuk pati sukses me shpikjen e tij, Rife jetoi deri në moshën 83 vjeçare dhe vdiq në vitin 1971, kur shkenca kishte hedhur hapa shumë të rëndësishëm nga kufizimet e viteve ‘30 kur pretendohet se u bllokua zbulimi i tij.

The post Shpikësi i kurës ndaj kancerit në vitet ‘30 nuk u shkatërrua qëllimisht appeared first on Faktoje.al.

E pabazë kjo telefonatë lutëse e Macron ndaj liderit të ri iranian

24 March 2026 at 10:24

Pretendimi: Presidenti francez Emmanuel Macron telefonoi udhëheqësin iranian Khamenei për t’iu lutur të ndalonte luftën

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një bisedë e pretenduar mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe udhëheqësit të ri iranian Khamenei, në të cilën Macron lutet për ndalimin e luftës dhe lejimin e kalimit të anijeve franceze në ngushticën e Hormuzit. Pretendohet në këtë bisedë se Khamenei kushtëzoi kalimin e anijeve me përjashtimin nga Franca të ambasadorëve izraelitë dhe amerikanë dhe Irani nuk do të negocionte me “ata që përpiqen të mbështesin të dyja palët.”

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk ofron ndonjë provë, burim apo referencë nga ku është marrë kjo bisedë.

Në të vërtetë, megjithëse biseda e pretenduar është shpërndarë në rrjete sociale në gjuhë të ndryshme, në asnjë version ajo nuk shoqërohet me ndonjë burim. Nuk ka raportime nga media se një bisedë e tillë ka ndodhur apo se Macron ka patur ndonjë komunikim telefonik me Khamenei.

Ka gjasa që pretendimi i paprovuar për një bisedë mes Macron dhe Khamenei e ka origjinën në një keqinterpretim të bisedës reale telefonike që Macron pati me presidentin iranian Masoud Pezeshkian më 15 mars, siç raportoi agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Iraniane, dhe postoi vetë Macron në rrjetin X.

“I bëra thirrje që t’i japë fund menjëherë sulmeve të papranueshme që Irani po kryen kundër vendeve në rajon, qoftë drejtpërdrejt apo nëpërmjet ndërmjetësve, duke përfshirë Libanin dhe Irakun. I kujtova se Franca po vepron brenda një kuadri rreptësisht mbrojtës që synon mbrojtjen e interesave të saj, partnerëve të saj rajonalë dhe lirisë së lundrimit, dhe se është e papranueshme që vendi ynë të jetë në shënjestër. Përshkallëzimi i pakontrolluar që po shohim po e zhyt të gjithë rajonin në kaos, me pasoja të mëdha sot dhe për vitet që vijnë. Populli i Iranit, si ata në të gjithë rajonin, po e paguajnë çmimin. Vetëm një kuadër i ri politik dhe sigurie mund të sigurojë paqe dhe siguri për të gjithë. Një kuadër i tillë duhet të garantojë që Irani të mos fitojë kurrë armë bërthamore, duke adresuar gjithashtu kërcënimet e paraqitura nga programi i tij i raketave balistike dhe aktivitetet e tij destabilizuese në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit duhet të rivendoset sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu i kërkova Presidentit iranian që të lejojë Cécile Kohler dhe Jacques Paris të kthehen të sigurt në Francë sa më shpejt të jetë e mundur. Vuajtja e tyre ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë, dhe ata i përkasin me të dashurit e tyre,” shkroi Macron më 15 mars 2026.

Lideri i ri shpirtëror i Iranit, djali i Ali Khameneit ende nuk është shfaqur publikisht duke shtuar dyshimet se është plagosur apo gjymtuar rëndë gjatë sulmeve me raketa izraelito-amerikane. 

The post E pabazë kjo telefonatë lutëse e Macron ndaj liderit të ri iranian appeared first on Faktoje.al.

Përleshjet në Iran ndahen si protesta kundër luftës në Izrael

19 March 2026 at 16:04

Pretendimi: Kjo video tregon protesta të vazhdueshme në Tel Aviv për ndalimin e luftës me Iranin

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Një video që ka marrë mbi 800 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon “protesta të vazhdueshme në Tel Aviv për ndalimin e luftës me Iranin.”

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një version më i gjatë i videos së mësipërme është postuar fillimisht në Instagram më 27 janar 2026, gati një muaj përpara nisjes së luftës mes Izraelit dhe Iranit, më 28 shkurt.

Postimi shoqërohet me përshkrimin: “18 dhjetor, IRIB, Mashhad”, duke iu referuar degës së transmetuesit shtetëror të Iranit (IRIB) në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i vendit.

“Të shtëna kundër civilëve përpara ndërtesës së transmetimit shtetëror në Mashhad, Iran. Forcat e sigurisë së Republikës Islamike hapën zjarr me municion të vërtetë ndaj njerëzve të paarmatosur, duke vrarë dhe plagosur disa civilë”, thuhet në përshkrimin e videos.

Megjithëse nuk mundëm të gjejmë vendin e saktë ku është regjistruar video, pasi funksioni i Google Street View nuk funksionon në afërsi të Qendrës së Transmetimit Khorasan Razav, selisë së IRIB në Mashhad, mund të konfirmojmë se regjistrimi është bërë në Iran, pasi një tabelë e madhe me shkrim persisht është e dukshme në fillim të videos. Dhe në fund, mund të shihen detajet e një targe iraniane, me formatin dhe karakteret specifike për targat e vendit, te ndryshme nga ato në Izrael.

Ka patur vërtet protesta kundër luftës në Izrael. Ditët e fundit, mediat ndërkombëtare kanë raportuardemonstrata të pakicave në Tel Aviv kundër luftës në Iran. Megjithatë, agresioni kundër vendit persian në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara është mbështetur nga të gjitha partitë hebraike në Parlamentin izraelit, përfshirë kundërshtarët politikë të Netanyahut, dhe sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e qytetarëve e mbështesin atë.

The post Përleshjet në Iran ndahen si protesta kundër luftës në Izrael appeared first on Faktoje.al.

Autori i zjarrit në një autobus në Zvicër, jo me origjinë shqiptare

19 March 2026 at 12:48

Pretendimi: Shqiptari spërkat me benzinë një autobus në Zvicër dhe i vë flakën, duke lënë 6 të vdekur.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Një tragjedi e ndodhur në Zvicër më 10 mars 2026, po keqinterpretohet në rrjete sociale shqipfolëse ku pretendohet se një shqiptar ka spërkatur me benzinë një autobus dhe i ka vënë flakën, duke vrarë 6 persona.

Sipas raportimeve të mediave vendase, gjashtë persona vdiqën dhe pesë u plagosën në zjarrin që ra në një autobus në Kerzers, Freiburg. Autori i dyshuar i krimit ishte gjithashtu midis të vdekurve.

Megjithatë, në asnjë raportim nuk pretendohet se autori i dyshuar i zjarrit ishte shqiptar. 

Pasagjeri, i identifikuar si një burrë rreth të 60-ave nga Berna, hodhi benzinë mbi vete dhe i vuri flakën vetes. Ai ishte raportuar më parë i zhdukur nga familja e tij dhe nuk dukej se kishte ndonjë motiv të lidhur me terrorizmin, thanë autoritetet zvicerane.

“Një deklaratë dëshmitari tregoi se një burrë … me origjinë zvicerane hipi në autobus duke mbajtur çanta. Në një moment, ai u lye me një substancë të ndezshme dhe i vuri flakën vetes”, tha prokurori publik i kantonit Fribourg, Raphael Bourquin, në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Philippe Allain, një komandant rajonal i policisë, u tha gazetarëve se hetuesit kanë marrë informacion se burri kishte probleme psikologjike.

Një shqiptar ishte në fakt mes të plagosurve të tragjedisë. Sipas medias zvicerane Blick, 32-vjeçari Faton Morina ishte në autobus kur ndodhi zjarrvënia dhe i tregoi menjëherë kushëririt të tij Arbi Berisha.

Një video që qarkulloi në rrjete sociale tregonte sekondat e para të zjarrit në autobus. Në video duket gjithashtu Morina duke thënë, në shqip, “O vëlla, një burrë ia vuri flakën vetes brenda. Ai derdhi benzinë ​​dhe ia vuri flakën vetes.”

Video nga momenti kur Faton Morina ka dalë nga autobusi

Morina pësoi lëndime në disa vende, “kryesisht në duar, hundë dhe këmbë”, tha Arbi Berisha. Fizikisht, kushëriri i tij është mirë. Megjithatë, “ai është aktualisht shumë i traumatizuar”.

The post Autori i zjarrit në një autobus në Zvicër, jo me origjinë shqiptare appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky imazh i Netanyahut nën rrënojat e bombardimeve

19 March 2026 at 12:44

Pretendimi: Vdekja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është konfirmuar dhe kjo foto tregon trupin e tij

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————–

Në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që duket se tregon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me një plagë në fytyrë duke u nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese, shoqëruar me pretendimin se vdekja e tij ishte konfirmuar.

Mospërputhjet pamore tregojnë se imazhi i mësipërm është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Për shembull, lëndimet dhe mavijosjet në fytyrën e Netanyahut duken të panatyrshme. Imazhi është shumë i ‘lëmuar’ dhe pluhuri pranë fytyrës së Netanyahut duket artificial. 

Për më tepër, në një version të plotë të imazhit të Netanyahut të veshur me xhaketë, pjesa e xhaketës që po mbajnë shpëtimtarët ndryshon nga pjesa e xhaketës ku janë të ngjitura kopsat.

Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk ka asnjë raportim zyrtar apo mediatik të besueshëm se Netanyahu ka vdekur apo është plagosur.

Pas pretendimeve që qarkulluan në rrjet se Benjamin Netanyahu mund të jetë i vdekur ose i plagosur, kryeministri izraelit publikoi një video më 15 mars, ku shihet duke pirë kafe në një kafene dhe duke folur me një ndihmës.

The post I gjeneruar ky imazh i Netanyahut nën rrënojat e bombardimeve appeared first on Faktoje.al.

Asnjë bazë për lajmin e zëvendësimit në detyrë të Netanyuahut

19 March 2026 at 12:41

Pretendimi: Zëvendëskryeministri izraelit Yariv Levin është emëruar kryeministër i përkohshëm i Izraelit. Kjo vërteton se kryeministri izraelit benjamin Netanyahu është plagosur ose është vrarë.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————

Në 16 mars 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, nisi të qarkullonte lajmi se zv. kryeministri izraelit Yariv Levin ishte emëruar kryeministër i përkohshëm i Izraelit duke zëvendësuar Benjamin Netanyahun. Postimet gjithashtu pretendojnë se kjo do të thotë se Netanyahu ka vdekur apo është plagosur sa është i paaftë të kryejë detyrat e tij si kryeministër.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë. Megjithëse postimi i mësipërm i referohet “raporteve të medias,” këto raporte nuk disponohen dhe nuk tregohet se cilat media e kanë raportuar.

Kjo sepse, siç tregon një kërkim i thjeshtë në rrjet, asnjë media nuk ka raportuar se Yariv Levin, Zëvendëskryeministër, Ministër i Drejtësisë, Ministër i Brendshëm dhe Ministër i Shërbimeve Fetare të Izraelit është emëruar si Kryeministër i përkohshëm. Pretendimi duket se e ka origjinën në një postim në platformën X, jo në ndonjë media. 

Asnjë njoftim për emërimin e Levin nuk shfaqet në kanalet zyrtare qeveritare izraelite.

Levin e mori per një kohë të shkurtër rolin e Kryeministrit të përkohshëm në maj 2025, siç raporton media izraelite Ynetnews, kur Benjamin Netanyahu do t’i nënshtrohej një ekzaminimi mjekësor në mëngjesin e 30 majit. Levin e zëvendësoi atë në rolin e tij nga ora 6:00 e mëngjesit deri në përfundimin e procedurës mjekësore.

The post Asnjë bazë për lajmin e zëvendësimit në detyrë të Netanyuahut appeared first on Faktoje.al.

Kjo përleshje nuk ka lidhje me panikun në Izrael ndaj raketave iraniane

19 March 2026 at 12:38

Pretendimi: Kjo video tregon përleshjet që po shpërthejnë në aeroportin izraelit Ben Gurion teksa qytetarët izraelitë kërkojnë të largohen nga vendi për t’u ikur raketave iraniane

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale në mars 2026, pretendohet se tregon përleshje në aeroportin izraelit Ben Gurion teksa qytetarët izraelitë kërkojnë të largohen nga vendi për t’u ikur raketave iraniane.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamje nga video ishin botuar nga media izraelite Ynetnews në Facebook më 20 korrik 2025, muaj përpara se raketat iraniane të nisnin sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit.

Sipas përshkrimit të postimit, pamjet tregonin një përleshje masive që kishte shpërthyer mbrëmjen e 20 korrikut 2025 “në Cinema City në Jerusalem midis dhjetëra adoleshentëve hebrenj dhe punonjësve arabë të bufeteve të rrjetit të kinemave. Në dokumentacionin nga vendi i ngjarjes, djemtë mund të shihen duke bërë rrëmujë, duke hedhur sende drejt punonjësve të banakut të ushqimit jashtë kinemave, dhe duke bërtitur “vdekje arabëve.” Punëtorët gjithashtu u kthyen duke hedhur objekte, tre prej tyre u plagosën lehtë dhe nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.”

Shumë aktivistë e dënuan incidentin e dhunshëm në rrjete sociale, duke e konsideruar atë një akt racizmi dhe dhune ndaj një grupi të caktuar njerëzish. 
Incidenti u raportua në atë kohë edhe nga media të tjera, në arabisht dhe në anglisht.

The post Kjo përleshje nuk ka lidhje me panikun në Izrael ndaj raketave iraniane appeared first on Faktoje.al.

Gishti i gjashtë i Netanyahut një keqkuptim i hijes së dorës

19 March 2026 at 12:34

Pretendimi: Video e fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI) sepse Netanyahu shfaqet me gjashtë gishta. Kjo tregon se në të vërtetë ai ka vdekur.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në mars 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi gjerësisht pretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte vrarë. Si dëshmi e këtij pretendimi ofrohet video e një fjalimi të ditëve të fundit, ku ai shfaqet me gjashtë gishta, gjë që tregon se video ishte gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Pamjet e mësipërme janë marrë nga video e konferencës për shtyp të 12 marsit, e botuar nga qeveria izraelite dhe vetë Netanyahu në media sociale. Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Netanyahu diskutoi luftën në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj Iranit dhe Libanit. Kjo ishte konferenca e tij e parë publike që nga sulmi i përbashkët ndaj Teheranit i nisur me Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt 2026.

Nuk ka prova që sugjerojnë se video në fjalë është gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Shqyrtimi i të gjithë konferencës nuk zbulon asnjë gjurmë të gjashtë gishtërinjve të pretenduar ose mospërputhje të tjera logjike që tregojnë origjinë të gjeneruar.

Në pamjen e mësipërme (minuta 1:49), të përdorur si provë e supozuar, Netanyahu ka pesë gishta. ‘Gishti i gjashtë’ që mund të duket është në të vërtetë pëllëmba e dorës së Netanyahut, siç mund të shihet duke analizuar imazhin statik në detaje. Ajo që duket se është një gisht shtesë është në fakt një pjesë mishtore e dorës së tij që del në pah pranë hijes së gishtit të tij të vogël.

Duke vëzhguar klipin e plotë dhe pamje të tjera nga e njëjta video, është e qartë se Netanyhau ka pesë gishta, siç dallohet nga thonjtë, dhe se anomalia vizuale zhduket kur këndi i dorës dhe ndriçimi ndryshojnë.

Postimet në rrjete sociale e ngatërrojnë vizualisht eminencën hipotenare, emri për fryrjen në bazën e gishtit të vogël të njeriut, të dorës së tij me një gisht të gjashtë.
Pas këtyre akuzave, Netanyhau publikoi në rrjetet sociale në 14 mars një video ky shfaqej duke blerë kafe në një lokal të thjeshtë në Jeruzalem të quajtur The Sataf.  “Po vdes për kafe”, ishte përgjigja e tij ironike, duke treguar gishtat e dorës para kamerës.

The post Gishti i gjashtë i Netanyahut një keqkuptim i hijes së dorës appeared first on Faktoje.al.

Nga titujt alarmues tek pamjet e fabrikuara, lufta e rreme që po zhvillohet online

13 March 2026 at 18:00

Përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, i shkaktuar nga vrasja e udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, u shoqërua me një vërshim dezinformimi në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.

Faktoje ka verifikuar dhe përgënjeshtruar disa prej tyre në dy javët e fundit. 

Gjeni më poshtë një përmbledhje.

Panik për mbledhje klikimesh

Një numër postimesh u mbështetën në tituj dhe tone sensacionaliste për të bërë shumë zhurmë për asgjë. Për shembull, në një metodë tipike të peshkimit për klikime, faqe në Facebook pretendonin se “Irani nis sulme drejt Evropës. Shumë afër Maqedonisë dhe Shqipërisë,” duke i ftuar përdoruesit e alarmuar të zbulojnë detajet e fundit në një artikull të lidhur në komente. 

Megjithatë, në brendinë e artikullit, zbulohet se bëhej fjalë për dy raketa që Irani lëshoi drejt Qipros, rreth 1340 km larg Shqipërisë, në vijë ajrore, ku ka dy baza ushtarake Mbretëria e Bashkuar. 

Vendosmëria për të mbledhur klikime me anë të ngjalljes së panikut qëndron edhe pas një postimi të shpërndarë në mënyrë identike nga dhjetëra faqe në Facebook, që lajmëronte tensionim të situatës pasi “Rusia futet në lojë,” shoqëruar me ftesën e zakonshme për klikime për të mësuar më shumë. Ndërkaq, pasi lexuesi/ja e klikon, ai/ajo zbulon se artikulli citon një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse që dënon sulmin amerikano-izraelit kundër Teheranit, por nuk përmban asnjë kërcënim, zotim apo insinuatë se Rusia ka ndërmend të përfshihet në konflikt, apo të “futet në lojë”  Përkundrazi, në mënyrë gati ironike, duke marrë parasysh luftën 4-vjeçare në Ukrainë, deklarata përfundon me një thirrje për diplomaci dhe zgjidhje paqësore.

Një tjetër ‘lajm’ që u shpërnda gjerësisht në peizazhin mediatik shqipfolës ishte pretendimi se Irani do të sulmonte bazën e Muxhahedinëve, një grupi opozitar iranian që strehohet në Manëz që në 2018.

Siç Faktoje ka sqaruar në një artikull të mëparshëm, ky pretendim bazohet vetëm në artikullin e një medie azere, i cili citonte një deklarate të fshirë nga një kanal jo-zyrtar. 

Lufta e gjeneruar

Pamjet e gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI) kanë lulëzuar në kontekstin e konfliktit. 

Një sërë mediash dhe faqesh në rrjete sociale qarkulluan pa verifikuar një imazh të gjeneruar me AI si të ishte vërtet një pamje e kufomës së Ali Khamenei nën rrënoja. Kjo paçka faktit se që në sy të parë në imazh spikasin disa gabime logjike. Asnjë nga shpëtuesit nuk duket se ka interes për trupin, por përkundrazi po shikon me vëmendje pllakën e betonit mbi të. Ndërkaq, burri në të djathtë ka hipur mbi pllakën masive të betonit që po shtyp viktimën, duke i shtuar peshën e plotë trupit të tij.

Një video e gjeneruar me AI u shpërnda nga mediat si video reale e sulmit iranian në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e 28 shkurtit, megjithëse ajo, gjithashtu, përmbante mospërputhje logjike të dukshme: sjellja e pakuptimtë e njerëzve që rreshtohen përpara sporteleve bosh apo vrapojnë drejt shpërthimit, në vend që të ikin prej tij; njerëzit që sfidojnë ligjet e materies duke kaluar tejpërtej ndarjeve të hekurta, duke u bashkuar me njëri tjetrin, apo zhduken ndërsa ecin; dhe një shkrim i pakuptimtë, megjithëse në stilin e alfabetit arab, që shfaqet në ekranet e mëdhenj.

Një imazh i gjeneruar që dukej se tregonte tre vizatime avionësh luftarakë, njëri prej të cilëve ishte bombarduar, qarkulloi me pretendimin se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar siluetat e avionëve luftarakë F-4 Phantom II në një bazë ajrore në Iran, duke pretenduar se kjo ishte një taktikë iraniane për t’i bërë amerikanët dhe izraelitët të shpërdorojnë armë të shtrenjta.

Një video e gjeneruar me pamje shpërthimesh kinematografike në horizontin e një qyteti, qarkulloi gjithashtu në rrjete sociale si pamje të raketave iraniane balistike që godasin Tel Avivin në mars 2026. 

Shmangia e shpërndarjes së pamjeve të gjeneruara me AI si të vërteta nuk është gjithmonë e vështirë apo e komplikuar. Një kërkim pamor me Google Lens, në skedën “About this image” (“Rreth këtij imazhi”) tregon nëse imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI” duke zbuluar një gjurmë SynthID. Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Përdorimi i pamjeve reale që nuk kanë lidhje me konfliktin

Përveç pamjeve të gjeneruara, edhe ato reale, po përdoren për të dezinformuar online, duke u përshkruar si të lidhura me konfliktin kur nuk janë.

Një video që pretendohet se tregon një godinë të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) në Dubai të goditur nga raketat iraniane, në të vërtetë tregon një zjarr që shpërtheu në Sharjah, 30 km larg Dubait, në 2015, mbi 10 vite para sulmit iranian në Dubai.

Një video që pretendohet se tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane, në fakt ishte postuar që në 2025 nga policia e Galilesë Perëndimore si pamje nga një aksion për të hequr kamera të jashtëligjshme të vendosura nga kriminelët.

Ndërsa një video që pretendohej se tregonte qytetarë izraelitë që po arratisen nga mali në Mars 2026 nga frika e luftës, gjithashtu qarkullonte në rrjet që në 2025, dhe tregonte një grup njerëzish një mal në Nepal teksa shkonin për të mbledhur një kërpudhë të rrallë dhe të çmuar.

Vdekje të parakohshme dhe deklarata patriotike të rreme

Në rrjete sociale qarkulluan gjithashtu një numër lajmesh të rreme sa i përket vdekjeve të figurave të rëndësishme ushtarake dhe politike izraelite. Komandanti i Forcave Ajrore izraelite Tomer Bar dhe Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, u bënë vikima të parakohshme të raketave iraniane, megjithëse imazhe dhe artikuj të botuara në mediat vendase dhe ndërkombëtare i tregojnë të dy të gjallë.

Lajmërimet e vdekjes në 28 shkurt dhe 1 mars

Tomer Bar, i pari majtas, dhe Israel Katz, i dyti majtas, në një takim të mbajtur nga Katz, më 2 Mars për të vlerësuar situatën në një bunker të Forcave Ajrore.

Ndërkaq, futbollisti iranian Mehdi Taremi u çua parakohe në luftë nga mediat sportive, paçka faktit se ai ka folur vazhdimisht publikisht për të denoncuar represionin e regjimit të Ajatollahëve dhe agjenti i tij i ka mohuar publikisht pretendimet se Taremi do të linte ekipin grek Olympiacos për të shkuar në luftë për Iranin.

Përfundim

Megjithëse informimi në kohëra konfliktesh përballet me një numër sfidash si pasojë e vetë natyrës së konflikteve, dezinformimi i hasur nga Faktoje në rrjetet sociale dhe peizazhin mediatik shqipfolës kryesisht duket se buron nga mungesa e verifikimit të burimeve apo mendimi bazë kritik. 

The post Nga titujt alarmues tek pamjet e fabrikuara, lufta e rreme që po zhvillohet online appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky sulm shkatërrimtar në qendrën ekonomike të Tel Aviv

13 March 2026 at 16:45

Pretendimi: Kjo video tregon raketa iraniane duke goditur qytetin izraelit Tel Aviv

Verdikti: E pavërtetë, Video e gjeneruar

———————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon goditjen e qytetit izraelit Tel Aviv nga raketat iraniane.

Megjithëse Teherani kreu sulme ndaj Izraelit, përfshirë Tel Avivin, pasi sulmet ajrore të përbashkëta SHBA-Izrael më 28 shkurt vranë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, kjo video nuk tregon ndonjë nga këto sulme.

Siç dëshmohet nga mbishkrimi “ARKIVAT E FORCAVE TË ARMATOSURA //PAMJET E RENDERIZUARA”, ajo është një simulim i gjeneruar nga kompjuteri.

“Pamjet e renderizuara” është një term që i referohet procesit të konvertimit të pamjeve video të papërpunuara ose imazheve të gjeneruara nga kompjuteri në një format video përfundimtar.

Pamje të vërteta nga sulmet, të botuara nga mediat vendase dhe ndërkombëtare, nuk përputhen me renderizimin dramatik që shihet në videon që po qarkullon në rrjete sociale.

Një shpërthim i shkaktuar nga një goditje me predhë pasi Irani lëshoi ​​raketa në Izrael në Tel Aviv, Izrael, më 28 shkurt. REUTERS/Gideon Markowicz

The post I gjeneruar ky sulm shkatërrimtar në qendrën ekonomike të Tel Aviv appeared first on Faktoje.al.

E rreme kjo video e izraelitëve që po arratisen nga mali nga frika e luftës

13 March 2026 at 16:36

Pretendimi: Kjo video tregon qytetarë izraelitë që po arratisen nga mali nga frika e luftës

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Një video që ka marrë mbi 700 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon qytetarë izraelitë që po arratisen nga mali në mars 2026 nga frika e luftës me Iranin.

Me anë të motorrit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është publikuar, ndër të tjera, në 17 qershor 2025 në X/Twitter me mbishkrimin “Refugjatë iranianë po arratisen në Afganistan.”

Megjithatë, video qarkullon në rrjet që nga 1 qershori 2025. Ajo është postuar nga llogari Instagrami të bazuara apo që flasin për Nepalin. 

Sipas përshkrimeve të videove, njerëz nga Dolpa dhe rrethet fqinje në Nepal janë duke udhëtuar nëpër livadhet alpine për sezonin e korrjes së Yarsagumba.

Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti edhe një artikull mbi Yarsagumba, një kërpudhë shumë e vlerësuar, në Nepal, që përfshinte një foto nga e njëjta vendndodhje.

Si përfundim, video që po qarkullon online nuk tregon izraelitë duke iu arratisur luftës në mars 2026, por një grup njerëzish që po nisen në një mal në Nepal për të mbledhur një kërpudhë të rrallë dhe të çmuar.

The post E rreme kjo video e izraelitëve që po arratisen nga mali nga frika e luftës appeared first on Faktoje.al.

Heqja e kamerave në Izrael jo për të fshehur dëmet nga dronët iranianë

12 March 2026 at 17:04

Pretendimi: Kjo video tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane në mars 2026

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Në mars 2026, ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketash, në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video që pretendohet se tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane.

Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në tetor 2025 në Instagram nga policia e Galilesë Perëndimore, rajoni verior i Izraelit i njohur si Galilmaravi.

Sipas përshkrimit që shoqëron postimin, ky ishte një operacion që shënjestronte instalimin e kamerave nga organizatat kriminale. “Policia nga stacioni i Galilesë Perëndimore vazhdon të çmontojë kamerat e instaluara nga organizatat kriminale”, thuhet në postim.

Operacione të ngjashme janë raportuar nga një media vendase izraelite. Në vitin 2024 dhe në vitin 2025, ajo raportoi operacione kundër trafikimit të drogës ose aktiviteteve të tjera kriminale në të cilat u çmontuan pajisjet e mbikëqyrjes të vendosura nga kriminelët.

Policia e Galilesë Perëndimore ka ndarë edhe video të tjera të këtyre operacioneve, më e fundit në shkurt 2026, të cilat tregojnë se policia hoqi gjashtëmbëdhjetë kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme nga kriminelët që “shkelin hapësirën publike dhe ndikojnë në sigurinë dhe privatësinë e banorëve”.

Kështu, video e mësipërme është postuar në rrjet që në 2025, dhe nuk ka se si të tregojë përpjekjet e ushtrisë izraelite për të fshehur dëmet që mund të kenë shkaktuar raketat iraniane të nisura si hakmarrje ndaj sulmeve amerikano-izraelite në mars 2026.

The post Heqja e kamerave në Izrael jo për të fshehur dëmet nga dronët iranianë appeared first on Faktoje.al.

Diabeti nuk mund të shërohet me shtretërit çudibërës MedBed

12 March 2026 at 14:37

Pretendimi: Teknologjia MedBed eleminon diabetin

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————-

Shtretërit mjekësorë çudibërës, të quajtur ‘medbeds’, vijojnë të ngërthejnë imagjinatën në rrjetet sociale. Së fundmi, në rrjetet shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se “teknologjia medbed” eleminon diabetin duke “rikalibruar pankreasin.”

“Shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds”, janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve, medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Sipas besimtarëve, shtretërit mjekësorë janë teknologji që mund të shërojnë ADN-në, të rigjenerojnë organet dhe të kthejnë rininë. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhet president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.

Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston. Nuk ka asnjë mënyrë të njohur për të kthyer pas plakjen.

Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insuline, karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.

Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll.

Terapitë dhe stili i jetesës mund të ndikojë në reduktimin e efekteve të diabetit te njeriu. Aktualisht nuk ekziston një kurë për diabetin, por sëmundja mund të shkojë në remision. Kur diabeti kalon në remision, kjo do të thotë se trupi nuk shfaq asnjë shenjë diabeti, megjithëse sëmundja teknikisht është ende e pranishme.

Teoria konspirative e medbeds “shërben për dy qëllime profetike”, tha për The Daily Beast Sara Aniano, nga Universiteti Monmouth, që studion retorikën e së djathtës ekstreme dhe ka dokumentuar përhapjen e mitit të medbeds.

Nga njëra anë ajo premton një të ardhme të afërt në të cilën kompanitë e mëdha farmaceutike janë të panevojshme. “Pastaj sigurisht që është tërheqja më e dukshme e të paturit një makineri magjike, versionet e së cilës mund të të diagnostikojnë menjëherë ose të të shërojnë menjëherë”, tha Aniano. “Disa mund të rrisin përsëri pjesë të humbura të trupit. Pra, padyshim, ka shumë shpresë që i shërben një narrative shumë tërheqëse për ata që e besojnë këtë.”

Kjo teori konspirative është shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për të mashtruar besimtarët që shpresojnë në aftësitë çudibërëse të këtyre pajisjeve për të shëruar probleme të rënda shëndetësore. 

Tesla BioHealing, është një nga kompanitë e shumta që shet atë që ata e përshkruajnë si “medbed”, ndonjëherë për dhjetëra mijëra dollarë. Kjo kompani ofron medbed për shtëpinë në vlerën e 19,999 dollarëve, megjithëse një orë në një nga dhomat e tyre të motelit me medbed do t’ju kushtojë vetëm 160 dollarë.

Edhe pse kompani të tilla listojnë një sërë sëmundjesh që pretendojnë se mund të ndihmohen nga teknologjitë e tyre dhe ofrojnë dëshmi nga klientët e kënaqur, ato sigurohen gjithashtu të thonë se produktet e tyre nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë trajtimet nga një mjek i kualifikuar, një mënyrë për t’u ruajtur nga paditë e mundshme që përdoruesit mund të sjellin kundër tyre kur shtrati çudibërës të rezultojë jo aq i plotfuqishëm sa shitet.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime lidhur me medbeds dhe një sërë këshillash dhe kurash të rreme që kanë qarkulluar online për të kuruar diabetin.

The post Diabeti nuk mund të shërohet me shtretërit çudibërës MedBed appeared first on Faktoje.al.

Maldivet ndërprenë lidhjet me Izraelin, por disa dekada me parë

11 March 2026 at 16:46

Pretendimi: Maldivet ndërpresin të gjitha lidhjet me Izraelin dhe ndalojnë të gjitha produktet izraelite.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Në mars 2026, ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketash, në rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullonte pretendimi se Maldivet ndërprenë të gjitha lidhjet me Izraelin dhe ndaluan të gjitha produktet izraelite.

Ky lajm teknikisht është i vërtetë, por është mbi 50 vite i vjetër.

Ndërsa marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë pezulluar që nga viti 1974, Maldivet ndaluan importin e mallrave izraelite pothuajse 12 vjet më parë, në 2014. 

Në vitin 2024, vendi me shumicë myslimane iu bashkua një çështjeje gjyqësore ndërkombëtare që akuzonte Izraelin për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve gjatë luftës në Gaza.

Një zëdhënës i Zyrës së Presidentit të Maldiveve tha për Reuters: “Maldivet vendosën marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 1965. Këto marrëdhënie u ndërprenë në vitin 1974 dhe marrëdhëniet diplomatike kanë mbetur të pezulluara që atëherë.”

Ndërkohë, arkipelagu në Oqeanin Indian i njohur zyrtarisht si Republika e Maldiveve, vendosi një ndalim për importin dhe shitjen e të gjitha mallrave të prodhuara në Izrael më 26 korrik 2014, sipas një njoftimi për shtyp të Zyrës së Presidentit. Vendi ndaloi hyrjen për mbajtësit e pasaportave izraelite në vitin 2025.

The post Maldivet ndërprenë lidhjet me Izraelin, por disa dekada me parë appeared first on Faktoje.al.

Një trillim ky maskim si dele i emigrantëve algjerianë në kufirin spanjoll

11 March 2026 at 15:18

Pretendimi: Këto imazhe tregojnë tre burra algjerianë që u arrestuan pasi u maskuan si dele për të kaluar kufirin në Spanjë

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————–

Në mes të shkurtit 2026, në rrjetet sociale shqipfolëse nisën të qarkullonin imazhe të tre burrave të veshur si dele, që pretendohet se ishin 3 algjerianë, të cilët u arrestuan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin në Spanjë të maskuar si dele.

Një kontroll i lajmeve ndërkombëtare dhe njoftimeve zyrtare nga autoritetet algjeriane, policia spanjolle dhe Europol tregon se nuk ekziston asnjë rast i raportuar për persona të maskuar si dele që tentuan të hynin në Spanjë. Një episod i tillë nuk figuron as në bazat e të dhënave të mediave ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë deklaratë të institucioneve ligjzbatuese që e mbështet historinë.

Më 27 janar 2026, Spanja miratoi një plan për të legalizuar qëndrimin e rreth 500 mijë migrantëve pa dokumente.

Në vitin 2025, Rruga Perëndimore Mesdhetare u bë pika kryesore e hyrjes së Spanjës, me më shumë se 19,400 mbërritje, sipas Qendrës së Migracionit të Përzier. Nisjet nga Algjeria dominuan rrugën, pavarësisht se ky vend nuk ndan një kufi tokësor me Spanjën. Qindra njerëz vdesin ose zhduken çdo vit në këtë rrugë për shkak të kushteve të vështira dhe anijeve të papërshtatshme për lundrim.

Në gusht 2025, Europol raportoi përpjekjet e autoriteteve spanjolle për të shkatërruar një rrjet kontrabande që sillte migrantë nga Algjeria në Spanjë me anije.

Megjithatë, imazhet që pretendojnë të tregojnë tre algjerianë me kostume delesh janë të gjeneruara nga programe kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).

Në imazhin e gjunjëzuar, maskat e deleve duken jashtëzakonisht të gjalla.

Në imazhin tjetër, vetëm burri i parë ka një bri, i cili është më i gjatë dhe me formë të ndryshme. Dora e burrit të mesëm është gjithashtu e paplotë, duke u bashkuar në mënyrë të panatyrshme me krahun e burrit të tretë.

Vlen të përmendet se dy koka kostumesh që ngjajnë me lodra prej pelushi ndodhen në tokë, megjithatë vetëm një nga treshja e arrestuar është i pamaskuar në imazhin që i tregon ata në këmbë.

Uniformat e policisë gjithashtu ndryshojnë ngjyrë midis imazheve, blu në njërën dhe jeshile të errët në tjetrën. Përveç kësaj, gishtat e oficerëve duken të deformuar në të dyja imazhet, një defekt i zakonshëm në pamjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

Fakotje ka përgënjeshtruar dhe më parë një imazh që pretendonte se tregonte tre burra të maskuar si dele që të kalonin kufirin në Spanjë.

The post Një trillim ky maskim si dele i emigrantëve algjerianë në kufirin spanjoll appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo pamje e bombardimit apokaliptik të Tel Avivit

11 March 2026 at 11:05

Pretendimi: Kjo video tregon pamje të raketave iraniane balistike që godasin Tel Avivin në mars 2026

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon goditjen e qytetit izraelit Tel Aviv nga raketat iraniane. Pamjet shfaqin rënien në formë breshëri të dhjetra raketave në të njëjën zonë të mbushur me kulla të larta të një qyteti.

Ne videon e mësipërme vihen re disa mospërputhje. Elemente të videos, si format e pazakonta të ndërtesave dhe makinave, ngrenë dyshime se videoja është krijuar duke përdorur programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Përveç kësaj, videoja përmban gabime vizuale që janë tipare të zakonshme të videove të inteligjencës artificiale, duke përfshirë përfaqësime të ekzagjeruara dhe joreale të lëvizjes së raketave, dendësisë së tymit dhe natyrës së shpërthimit. Ndër më të dukshmet janë edhe shtrembërimet në panelet diellore të instaluara nëpër tarraca, automjetet me përmasa dhe detaje të paqëndrueshme, si dhe përsëritja pothuajse identike e ballkoneve dhe dritareve në apartamente të ndryshme.

Disa nga makinat në video duken të paplota, ndërsa të tjerat duken të ngjitura së bashku ose të shtrembëruara.

Për më tepër, dy vinça ndërtimi shfaqen mbi njërën nga ndërtesat vetëm kur videoja fokusohet në zonën e goditjes.

Nga ana tjetër, në plan të parë të videos, një flamur izraelit është i dukshëm në një ballkon, i kthyer nga brenda në vend që të jetë jashtë, siç do të ishte tipike. Flamujt shpesh shfaqen në përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale kur kërkesa fillestare përmban emrin e një vendi, pasi kjo është një mënyrë e thjeshtë që inteligjenca artificiale ta përfaqësojë atë.

Në fakt, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Fakotje gjeti se video ishte postuar fillimisht në Instagram nga një llogari e cila e ka etiketuar videon si të krijuar me AI.

The post E gjeneruar kjo pamje e bombardimit apokaliptik të Tel Avivit appeared first on Faktoje.al.

Izraelitët nuk u gënjyen nga maketet prej letre të avionëve iranianë në 2026

11 March 2026 at 10:48

Pretendimi: Kjo është një video e botuar në 2026 nga ushtria izraelite, e cila pretendonte se këta ishin avionë luftarakë iranianë të shkatërruar, por rezultoi të ishte një model letre i një avioni luftarak iranian.

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————–

Kohët e fundit, përdoruesit e rrjeteve sociale qarkulluan një video që pretendohet se ishte botuar në 2026 nga ushtria izraelite, e cila pretendonte se këta ishin avionë luftarakë iranianë të shkatërruar, por rezultoi të ishte një model letre i një avioni luftarak iranian.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi u publikua më 16 qershor 2025, nga ushtria izraelite, e cila tha se tregonte shënjestrimin e dy avionëve F-14 në Aeroportin e Teheranit gjatë konfrontimit ushtarak midis Izraelit dhe Iranit në atë kohë.

F-14, një lloj avioni i nxjerrë nga qarkullimi prej kohësh në Marinën Amerikane, është në shërbim të kufizuar me Forcat Ajrore të Republikës Islamike të Iranit (IRIAF). IDF njoftoi “një sulm ndaj dy avionëve luftarakë F-14 që ndodheshin në një aeroport në Teheran”, duke shtuar se “këta avionë kishin për qëllim të kapnin avionë izraelitë”. Në atë kohë, Irani e hodhi poshtë pretendimin, duke thënë se avionët e shkatërruar ishin vetëm makete.

Sipas kompanivearmëve nga të cilat furnizohen Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, avionët luftarakë modernë kanë një rrjet të sofistikuar sensorësh radarësh elektronikë, termikë dhe të lidhur me rrjetin për të zbuluar objektivat e tyre, në vend të vëzhgimit të drejtpërdrejtë pamor, gjë që u lejon atyre të identifikojnë dhe të godasin me saktësi objektivat nga distanca shumë të gjata.

Megjithatë, çfarë është e sigurt është se video e mësipërme nuk është nga bombardimet e vitit 2026 ndaj Iranit, por të gjysmë viti më parë, në qershor 2025.

The post Izraelitët nuk u gënjyen nga maketet prej letre të avionëve iranianë në 2026 appeared first on Faktoje.al.

❌
❌