Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 February 2026Main stream

UASHINGTON – SHBA-ja rrëzon dronin iranian që po fluturonte drejt aeroplanmbajtëses

3 February 2026 at 20:38

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH/- Forcat amerikane kanë rrëzuar një dron iranian “Shahed-139” që iu afrua “agresivisht” aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” në Detin Arabik, njoftoi sot Komanda Qendrore e SHBA-së, sipas BBC.

Sipas zëdhënësit të komandës, kapitenit Tim Hawkins, droni vazhdoi të afrohej drejt anijes pavarësisht masave të ndërmarra nga forcat amerikane për të de-eskaluar situatën.

Aaeroplanmbajtësja “USS Abraham Lincoln” ndodhej rreth 500 milje detare (rreth 800 km) larg bregut jugor të Iranit në momentin e incidentit.

“Nuk pati humbje jete ose dëme materiale në anije”, sipas njoftimit.

Droni u rrëzua nga një avion luftarak F-35C i dislokuar në Lincoln. Ky incident ndodhi vetëm disa orë pasi forcat iraniane kërcënuan një anije tregtare me flamur dhe ekuipazh amerikan, “Stena Imperative”, e cila po kalonte në ngushticën e Hormuzit.

Sipas njoftimit të SHBA-se, dy anije iraniane dhe një dron “Mohajer” iu afruan me shpejtësi aeroplanmbajtëses dhe kërcënuan të pushtonin dhe të sekuestronin tanker-in.

“USS McFaul”, shkatërruesja e raketave, dhe mbështetja ajrore nga Forcat Ajrore amerikane siguruan largimin e “Stena Imperative”, e cila tani po lundron e sigurt.

Ngjarjet ndodhin në një periudhë të tensionuar midis SHBA-së dhe Iranit, që u rrit pas protestave të mëdha në Iran që nisën në fund të dhjetorit, kundër krizës ekonomike dhe qeverisjes së regjimit.
Presidenti Donald Trump kishte premtuar në janar se do të shpëtonte iranianët nga shtypja e dhunshme e protestave, duke transformuar më pas këtë qasje në një fushatë presioni për të detyruar Iranin të negociojë mbi programin bërthamor.

Incidenti u regjistrua vetëm disa orë pasi presidenti iranian urdhëroi ministrin e Jashtëm të ndiqte negociata të drejta dhe të barabarta me SHBA-të, një nga sinjalet e para të Teheranit që tregon gatishmëri për negociata, pas dështimit të bisedimeve gjatë verës së kaluar.

Turqia ka luajtur një rol në ndërmjetësimin e bisedimeve, ndërkohë që i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, është në një vizitë rajonale.

Megjithatë, një zyrtar turk tha se vendi dhe data e takimeve mbeten të pasigurta, duke theksuar gatishmërinë e Ankarasë për të mbështetur procesin e negociatave.

Analistët paralajmërojnë se përplasjet e tilla në ujërat ndërkombëtare mund të rrisin tensionet dhe të komplikojnë më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Iranit, veçanërisht në një periudhë kur presioni diplomatik për marrëveshje bërthamore është në rritje. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA-ja rrëzon dronin iranian që po fluturonte drejt aeroplanmbajtëses appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Edhe Spanja shqyrton ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç

3 February 2026 at 20:05

MADRID, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Spanja po planifikon ndalimin e medieve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë.

“Spanja tani po i vë fjalët e saj në veprim”, tha sot kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez në Samitin Botëror të Qeverive, në Dubai.

Masat do të ndalojnë aksesin në media sociale për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeç, do t’i japin fund pandëshkueshmërisë për drejtuesit e platformave sociale që nuk i përmbahen urdhrave të fshirjes dhe do të krijojnë një sistem për gjurmimin e komenteve të urrejtjes.

Sánchez nuk e saktësoi se si do të arrihej kjo. Kryeministri i krahasoi mediet sociale me një shtet të dështuar në të cilin ligjet shpërfilleshin dhe krimet toleroheshin.

Masat janë prezantuar tashmë në parlamentin spanjoll nga qeveria e pakicës së Sánchez mbi kufizimet e moshës, të cilat mbështeten gjithashtu në parim nga partia më e madhe e opozitës, Partia Popullore konservatore (PP). Megjithatë, shumë detaje janë ende të paqarta.

Nëse masat e planifikuara rrezikojnë gjithashtu fitimet e kompanive të mëdha të teknologjisë amerikane, Spanja mund të nxisë zemërimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump

Sánchez theksoi se do të ndiqet politika “zero tolerance” ndaj çdo forme të shtrëngimit të jashtëm.

Në Australi, personave nën moshën 16 vjeç u është ndaluar së fundmi të kenë llogaritë e tyre në mediat sociale në shumë platforma kryesore.

Në Britaninë e Madhe, Dhoma e Lordëve votoi gjithashtu në favor të ndalimit të mediave sociale për personat nën 16 vjeç javën e kaluar, i cili tani duhet të miratohet nga Dhoma e Komuneve.

Në Danimarkë, qeveria ra dakord së bashku me opozitën, për të ndaluar medieve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Vendimi, gjithashtu po diskutohet në Gjermani. //a.i/

The post Edhe Spanja shqyrton ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pamela Anderson dhe Channing Tatum do të jenë pjesë e Festivalit të Filmit “Berlinale”

3 February 2026 at 19:33

BERLIN, 3 shkurt /ATSH-DPA/- Pamela Anderson, Channing Tatum dhe Sandra Hüller pritet të marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin të këtij viti, njoftuan sot organizatorët, vetëm disa ditë para fillimit të evenimentit.

Sean Baker, i cili fitoi çmimin “Oscar” për Filmin më të Mirë në vitin 2025, “Anora”, do të mbajë një fjalim lavdërues për fituesen e “Ariut të Artë”, Michelle Yeoh si protagonoste në “Everything Everywhere All at Once”.

Juliette Binoche, Isabelle Huppert dhe Callum Turner, të cilët mund të shihen së bashku me Anderson në filmin “Rosebush Pruning”, gjithashtu do të marrin pjesë.

Muzikantja britanike Charli xcx, e cila po prezanton filmin “The Moment”, një satirë për biznesin e muzikës, është konfirmuar tashmë në listën e të ftuarve të “Berlinales”.

Aktorja Amanda Seyfried, shkrimtarja Siri Hustvedt – për të cilën është bërë një film dokumentar – dhe aktori Ethan Hawke gjithashtu pritet të marrin pjesë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit fillon më 12 shkurt. Regjisori Wim Wenders – i njohur për klasikët si “Paris, Texas” dhe “Wings of Desire” – është kryetari i Jurisë Ndërkombëtare të këtij viti. //a.i/

The post Pamela Anderson dhe Channing Tatum do të jenë pjesë e Festivalit të Filmit “Berlinale” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Bloomberg”: BE dhe SHBA drejt nënshkrimit të memorandumit për partneritet strategjik mbi mineralet

3 February 2026 at 19:11

BRUKSEL, 3 shkurt /ATSH/- Bashkimi Evropian do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hartuar një “Udhërrëfyes të Partneritetit Strategjik” brenda tre muajsh, duke u përqendruar në bashkëpunimin mbi mineralet e rëndësishme, sipas “Bloomberg”.

Partneriteti synon të gjejë mënyra për të siguruar mineralet e rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për shumicën e teknologjive moderne, pa u mbështetur te Kina.

Iniciativa evropiane vjen në një kohë kur administrata Trump pritet të njoftojë nisma të reja për marrëveshje ndërkombëtare në këtë fushë brenda javës.

Memorandumi sugjeron që BE-ja dhe SHBA-ja të eksplorojnë projekte të përbashkëta mbi mineralet e rëndësishme dhe mekanizmat e mbështetjes së çmimeve.

Ai gjithashtu rekomandon mënyra për të mbrojtur të dy tregjet nga një furnizim i tepërt me minerale të huaja dhe forma të tjera të manipulimit të tregut.

Ndërkohë, propozimi thotë se të dy palët duhet të ndërtojnë zinxhirë të sigurt furnizimi midis njëra-tjetrës.

Marrëdhëniet SHBA-BE kanë qenë të tensionuara në javët e fundit, pas deklaratave të presidentit Donald Trump se ai po shqyrton blerjen e Groenlandës, një territor i Danimarkës, një shtet anëtar i BE-së.

Iniciativa e BE-së përkon me përgatitjet e SHBA-së për të mbledhur ministrat e Jashtëm dhe zyrtarët e lartë nga vendet aleate – në një përpjekje për të arritur marrëveshje të ngjashme që synojnë uljen e varësisë nga mineralet e rëndësishme kineze.

Komisioni Evropian e ka përshkruar procesin si jetik për të diversifikuar furnizimet larg çdo vendi të vetëm, ​​pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedimeve.

Çështja është bërë një përparësi kryesore për Uashingtonin që kur Pekini vendosi kufizime në eksportin e të ashtuquajturave metale të rralla vitin e kaluar.

Edhe pse këto masa u pezulluan në tetor, pas një marrëveshjeje midis Trump dhe presidentit Kinez Xi Jinping, autoritetet amerikane thonë se janë të vendosura të përshpejtojnë ndërtimin e alternativave.

Në këtë kontekst, SHBA-ja po nxit një mekanizëm çmimesh që do të mbronte kompanitë perëndimore që nxjerrin dhe përpunojnë metale të rralla nga konkurrenca e eksporteve të lira kineze, të cilat mund të dëmtojnë prodhimin dhe përpunimin e mineraleve në Perëndim. //a.i/

 

The post “Bloomberg”: BE dhe SHBA drejt nënshkrimit të memorandumit për partneritet strategjik mbi mineralet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Presidenti kolumbian, Petro takon Trump mes tensioneve në rritje

3 February 2026 at 18:24

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH/- Presidenti kolumbian, Gustavo Petro ka udhëtuar sot në Uashington për t’u takuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, takimi i parë ballë për ballë midis dy liderëve pas disa muajsh tensionesh në rritje dhe retorikës së zemëruar, sipas BBC.

Venezuela, trafiku i drogës, nafta, siguria dhe sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë do të jenë në krye të axhendës gjatë takimit sot në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa të dy udhëheqësit ishin të përzemërt gjatë një bisede telefonike pas operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit për të arrestuar presidentin e Venezuelës Nicolás Maduro, Petro ka thënë që atëherë se beson se ekziston një “kërcënim real” i veprimeve ushtarake kundër Kolumbisë.

Trump, nga ana e tij, tha më herët se një operacion ushtarak në Kolumbi ishte i mundur.

Takimi Trump-Petro vjen pas disa muajsh shkëmbimi të ashpër të fjalëve të dy udhëheqësve – ndërsa presidenti kolumbian ka kritikuar vazhdimisht sulmet e përsëritura të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara të drogës në Karaibe dhe Paqësor, si dhe politikat e imigracionit të Shtëpisë së Bardhë.

Në një intervistë për BBC muajin e kaluar, Petro shkoi deri aty sa krahasoi agjentët e Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) me “brigadat naziste” dhe akuzoi SHBA-në se po i trajtonte vendet e tjera si pjesë të “perandorisë” së saj.

Ndërsa Trump ka akuzuar qeverinë e Petros se nuk po bënte mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e kokainës që shkon në veri dhe është zotuar të zgjerojë sulmet për të goditur objektiva në të gjithë rajonin.

Por ashpërsia duket se u zhduk pas një telefonate “të përzemërt” midis dy udhëheqësve, të cilën një zyrtar kolumbian më vonë e përshkroi si një kthesë 180 gradë “nga të dyja palët”. //a.i/

 

The post UASHINGTON – Presidenti kolumbian, Petro takon Trump mes tensioneve në rritje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Portugalia dhe Spanja goditen nga stuhia “Leonardo”

3 February 2026 at 16:29

LISBONË, 3 shkurt /ATSH/- Një stuhi e re ka goditur sot Portugalinë dhe Spanjën me përmbytje dhe dëme të mëtejshme, vetëm një javë pasi stuhia vdekjeprurëse “Kristin” shkatërroi shtëpi, fabrika dhe infrastrukturën e rendesishme, sipas “Euronews”.

Instituti Portugez i Detit dhe Atmosferës (IPMA) parashikon që stuhia e re, e quajtur “Leonardo”, të godasë Portugalinë kontinentale nga e marta deri të shtunën dhe Spanjën nga e mërkura.

Gadishulli Iberik ka përjetuar një sërë stuhish që kanë sjellë shira të rrëmbyeshëm, bubullima, borë dhe erëra të forta në muajt e fundit, ndërsa Spanja jugore përballet me atë që disa banorë e quajtën dimrin më të lagësht në 40 vjet.

Portugalia përgatitet për stuhinë “Leonardo” me shira të rrëmbyeshëm, erëra me shpejtësi 95 km/orë dhe valë bregdetare deri në 11 metra të larta, disa ditë pasi u godit nga stuhia vdekjeprurëse “Kristin”.

Portugalia po përgatitet për një stuhi të dytë të fuqishme më pak se një javë pasi “Kristin” vrau gjashtë persona dhe la pas shkatërrime të gjera, me autoritetet që u bëjnë thirrje banorëve të grumbullojnë furnizime për të paktën 72 orë.

“Stuhia “Leonardo” pritet të përfshijë vendin sot pasdite, duke sjellë shira të rrëmbyeshëm të zgjatur dhe erëra që arrijnë 95 kilometra në orë në zonat malore”, tha Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën.

Garda Kombëtare Republikane lëshoi ​​rekomandime të hollësishme për përgatitjen për emergjenca, duke përfshirë, ujë të pijshëm, ushqim të papërshkueshëm nga uji për tre ditë, pishtarë, radio me bateri, furnizime të ndihmës së shpejtë dhe ruajtje dokumentesh të papërshkueshme nga uji.

Autoritetet këshilluan banorët të shmangin pemët e paqëndrueshme, strukturat e dëmtuara dhe linjat e rrëzuara të energjisë, të tregojnë kujdes të madh kur përdorin sisteme ngrohjeje dhe të përdorin gjeneratorë ekskluzivisht jashtë banesave për të parandaluar akumulimin e gazrave toksikë. //a.i/

The post METEO – Portugalia dhe Spanja goditen nga stuhia “Leonardo” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BE vendos një limit për toksinat pas tërheqjes së qumështit formulë nga tregu

3 February 2026 at 07:34

PARMA, 3 shkurt /ATSH/- Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) ka përcaktuar një dozë maksimale të rekomanduar ditore të sigurt për toksinën cereulidë për foshnjat, pas dyshimeve për kontaminim të qumështit formulë për foshnjet, që shkaktoi tërheqje nga tregu në më shumë se 60 vende, sipas “Euractiv”.

Cereulida, e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, mund të shkaktojë të përziera, të vjella dhe diarre – dhe tek foshnjat e vogla mund të çojë në dehidratim.

Që nga dhjetori, prodhuesit kryesorë të qumështit formulë, përfshirë “Nestlé”, “Lactalis” dhe “Danone”, kanë kryer tërheqje paraprake të serive të formulës për foshnje në të gjithë botën pasi u zbulua cereulida.

Në përgjigje, Komisioni Evropian kërkoi që EFSA-ja të ofrojë këshilla urgjente shkencore dhe të propozojë një prag sigurie në të gjithë BE-në – si një standard të harmonizuar për të shkaktuar tërheqje nga tregu.

EFSA njoftoi sot se shkencëtarët e saj kishin vendosur një “dozë referimi akute” për cereulidën tek foshnjat – sasia maksimale që mund të gëlltitet në mënyrë të sigurt në një ditë të vetme – në 0,014 mikrogramë për kilogram të peshës trupore.

Kjo vlen për foshnjat e vogla, të cilat EFSA-ja i përcakton si nën 16 javëshe.

Kjo përputhet me njoftimin e Francës se pragu i sigurisë kombëtare do të ulet nga 0,3 mikrogramë për kilogram në 0,014 mikrogramë për kilogram.

Edhe pse nuk janë konfirmuar raste kontaminimi, hetimet janë duke vazhduar në Francë, për vdekjen e dy foshnjave në janar,  që kishin konsumuar formulën “Guigoz” të prodhuar nga “Nestlé”.

Qendra e BE-së për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha gjithashtu se kishte marrë raporte për diarre tek fëmijët pas konsumimit të produkteve të tërhequra.

Pasi “Nestlé” konfirmoi se kontaminimi kishte origjinën nga përbërësi vaj i acidit arakidonik (ARA), vëmendja e autoriteteve franceze tani po kthehet te një prodhues me qendër në Kinë, si burim i serisë së kontaminuar.

Reagimi ndaj krizës

Disa kritikë thonë se si kompanitë ashtu edhe autoritetet publike ishin shumë të ngadalta në lëshimin e paralajmërimeve.

Sipas “Financial Times”, “Nestlé” u tha autoriteteve holandeze më 10 dhjetor se testimi i brendshëm kishte zbuluar kontaminim në një fabrikë dhe kishte nisur tërheqjet më 5 janar, pas disa javësh testimi të përbërësve.

Më 29 janar, OJQ-ja për mbrojtjen e konsumatorit “Foodwatch” njoftoi se do të paraqiste një ankesë së bashku me tetë familje, fëmijët e të cilave u sëmurën pasi konsumuan formulën për foshnje të prodhuar nga “Nestlé”, “Lactalis” dhe “Vitagermine”.

“Kompanitë kanë qenë tmerrësisht neglizhente në vonimin e paralajmërimit”, tha Ingrid Kragl, drejtoreshë e informacionit në “Foodwatch France”.

“Nestlé” argumentoi se kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm në vendet e prekura, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet, për të tërhequr të gjitha produktet potencialisht të prekura dhe se, deri më sot, asnjë raport mjekësor nuk kishte konfirmuar një lidhje midis produkteve të saj dhe sëmundjes. //a.i/

The post FOKUS – BE vendos një limit për toksinat pas tërheqjes së qumështit formulë nga tregu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 2 February 2026Main stream

ATHINË – Trump planifikon të vizitojë Greqinë mes interesit në rritje për rajonin

2 February 2026 at 22:25

ATHINË, 2 shkurt /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka planifikuar të zhvillojë një vizitë zyrtare në Greqi, njoftoi dje ambasadorja e SHBA-së në Athinë, Kimberly Ann Guilfoyle, duke sinjalizuar interesin në rritje të Uashingtonit për rajonin e Mesdheut Juglindor, sipas “Euractiv”.

Duke folur në prezantimin e filmit të ri dokumentar të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, dje në Athinë, Guilfoyle tha se pritej një vizitë nga presidenti i SHBA-së dhe bashkëshortja e tij.

Guilfoyle nuk specifikoi se kur do të zhvillohej një vizitë e tillë apo nëse Trump do të ndalonte edhe në vendet e afërta me rëndësi strategjike për interesat e SHBA-së, si Izraeli, Qiproja dhe Turqia.

Megjithatë, vetë njoftimi ka vlerë politike për Evropën Juglindore, një rajon ku vendet janë përfshirë në tensione që lidhen me mosmarrëveshjet detare – veçanërisht midis Greqisë dhe Turqisë – dhe mosmarrëveshjet mbi burimet e energjisë.

Që kur Trump u rizgjodh si president, kompanitë amerikane kanë rritur investimet për të eksploruar gazin dhe naftën në Mesdheun Lindor.

Vetë Guilfoyle e ka përshkruar Greqinë si një lojtare kryesore në të ardhmen energjetike të Evropës.

Për më tepër, ndryshe nga shumë partnerë të Uashingtonit në BE, Greqia pajtohet me Trumpin në lidhje me nevojën që Evropa të importojë më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.

Ndërkohë, Athina ka rivendosur marrëdhëniet me Izraelin dhe Qipron – në një përpjekje për të rritur koordinimin në mbrojtje dhe energji. //a.i/

 

The post ATHINË – Trump planifikon të vizitojë Greqinë mes interesit në rritje për rajonin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz: Evropa duhet të bëhet urgjentisht më e pavarur

2 February 2026 at 22:13

FRANKFURT, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz u bëri thirrje evropianëve të bëhen më të pavarur në kuadër të trazirave globale.

“Aktualisht po përjetojmë ndoshta fazën më të madhe të pasigurive politike, sigurisht një cezurë të thellë. Është një ndërprerje epokash”, tha sot Merz në Frankfurt.

“Aktualisht, njerëzit po dëshmojnë një botë në të cilën po rishfaqen fuqitë e mëdha, të cilat nuk duan kryesisht t’u përmbahen rregullave, por përkundrazi ushtrojnë politikë pushteti, pjesërisht politikë pushteti që përçmon rregullat”, tha Merz.

“Nëse ne si evropianë veprojmë të bashkuar dhe të vendosur, atëherë mund të bëjmë një ndryshim në botë. Mund të arrijmë më shumë sesa besojmë”, theksoi ai.

Merz bëri thirrje për një Evropë sovrane, të lirë, paqësore dhe ekonomikisht të begatë.

“Gjermania luan një rol qendror në këtë”, tha ai.

“Evropa duhet të bëhet e aftë të mbrojë veten përmes përpjekjeve të veta, t’i bëjë kushtet për ekonominë evropiane sërish më konkurruese dhe të bëhet teknologjikisht më e pavarur”, tha Merz.

“Marrëdhëniet transatlantike kanë ndryshuar, por nostalgjia apo kujtimet e kohërave të vjetra nuk na ndihmojnë”, tha kancelari gjerman.

“Duhet t’i kontrollojmë gjërat tani nëse duam të luajmë një rol në këtë fazë të transformimit global”, paralajmëroi ai. //a.i/

The post GJERMANI – Merz: Evropa duhet të bëhet urgjentisht më e pavarur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Franca miraton buxhetin, ndërsa qeveria i mbijeton votave të mosbesimit

2 February 2026 at 20:38

PARIS, 2 shkurt /ATSH/- Qeveria e pakicës e kryeministrit francez Sébastien Lecornu i mbijetoi sot dy votave të mosbesimit, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes disamujore mbi buxhetin e këtij viti, sipas “Euronews”.

Pas disa muajsh bllokimi politik, buxheti shtetëror i Francës për vitin 2026 u miratua përfundimisht sot në mbrëmje, pas refuzimit të dy mocioneve të mosbesimit në parlament.

Mocionet u paraqitën në përgjigje të vendimit të kryeministrit Sébastien Lecornu të premten për të thirrur nenin 49.3 të kushtetutës, i cili i lejon qeverisë të miratojë legjislacion pa votën e deputetëve.

Një mocion u paraqit nga Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë, tjetri nga partitë e krahut të majtë duke përjashtuar socialistët. Meqenëse të dyja dështuan, buxheti është miratuar automatikisht.

Vota shënon kapitullin e fundit të një procesi të gjatë dhe të trazuar që ka nxjerrë në pah përçarjet e thella brenda parlamentit të fragmentuar të Francës.

Që nga zgjedhjet e parakohshme të vitit 2024 që sollën një kuvend të bllokuar, ligjvënësit kanë dështuar vazhdimisht në arritjen e një kompromisi – se si të trajtojnë financat publike në përkeqësim të vendit. Pa një shumicë të qëndrueshme, Lecornu në fund zgjodhi ta detyronte miratimin e projektligjit.

Gjatë debatit parlamentar, tensionet u rritën. Kryeministri Lecornu akuzoi opozitën për krijimin e “çrregullimit të përhershëm”, duke argumentuar se bllokimi i bisedimeve për buxhetin në një moment të tillë ishte i papërgjegjshëm.

Ndërkohë, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë dënoi atë që e quajti një “buxhet ndëshkimi dhe privimi”, duke i nxitur ligjvënësit të votonin për të rrëzuar qeverinë.

Ndarjet brenda kampit qeveritar

Buxheti nuk i ka bindur të gjithë aleatët e qeverisë. Disa ligjvënës të qendrës dhe të krahut të djathtë kanë ngritur pikëpyetje nëse objektivi i uljes së deficitit publik në 5% të PBB-së në vitin 2026 – nga 5,4% në vitin 2025 – është realist.

Sipas planit të qeverisë, bizneset do të përballen me disa rritje taksash, duke përfshirë një taksë shtesë mbi fitimet e mëdha të korporatave që pritet të mbledhin më shumë se 7 miliardë euro.

Deficiti shtetëror parashikohet të jetë rreth 132 miliardë euro, kryesisht i pandryshuar nga viti i kaluar. //a.i/

 

The post PARIS – Franca miraton buxhetin, ndërsa qeveria i mbijeton votave të mosbesimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Bashkautori i filmit të nominuar për çmim “Oscar” arrestohet në Iran

2 February 2026 at 20:22

TEHERAN, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Mehdi Mahmoudian, bashkautori i filmit (triller) politik të nominuar për çmim “Oscar”, “It Was Just an Accident” është arrestuar në Iran, raportoi sot portali i lajmeve “Emtedad”.

Sipas raportit, Mahmoudian ka mundur të kontaktojë familjen e tij pasi është marrë në paraburgim. Duke cituar avokatin e tij, raporti tha se akuzat kundër tij nuk dihen ende.

Një arsye e mundshme për arrestimin e tij mund të jetë një letër që ai nënshkroi së bashku me figura të tjera publike, duke dënuar shtypjen e përgjakshme të protestave nga Irani në fillim të janarit.

Qeveria gjermane e dënoi arrestimin e Mahmoudian – duke e quajtur atë një sulm ndaj lirisë artistike.

“Arrestimi i Mehdi Mahmoudian nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sistemi që synon të heshtë zërat kritikë”, tha ministri i shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer në një deklaratë.

“Ata që burgosin autorët nuk luftojnë artin, por lirinë”, shtoi ai.

“Regjimet autoritare kanë frikë nga një publik kulturor sepse ai e bën realitetin të dukshëm. Pikërisht për këtë arsye ata i përgjigjen vëmendjes ndërkombëtare me shtypje. Ne nuk duhet ta pranojmë këtë logjikë”, tha Weimer.

Weimer theksoi rolin e medias së pavarur, veçanërisht të “Deutsche Welle”, e cila vazhdon të raportojë në mënyrë gjithëpërfshirëse mbi situatën në Iran pavarësisht përpjekjeve të rëndësishme për censurë dhe frikësim. //a.i/

 

The post KINEMA – Bashkautori i filmit të nominuar për çmim “Oscar” arrestohet në Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Dron i paidentifikuar rrëzohet në bazën ushtarake në Varshavë

2 February 2026 at 19:56

VARSHAVË, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Policia ushtarake polake po heton rrëzimin e një droni të paidentifikuar pranë ndërtesave të një njësie zbulimi radio-elektronik.

“Droni u rrëzua të enjten 70 metra nga një depo armësh në veri të Varshavës”, raportoi “Radio ZET” pasi forcat e armatosura konfirmuan incidentin.

Njësia e ushtrisë në Przasnysz, 80 kilometra nga kryeqyteti, është përgjegjëse për monitorimin e komunikimeve me radio në kufijtë veriorë dhe lindorë të Polonisë.

Kjo përfshin Hapësirën Suwałki – zona kufitare strategjikisht e rëndësishme midis anëtarëve të NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë, me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit – të dyja fqinjë potencialisht armiqësorë.

Hapësira prej afërsisht 65 kilometrash konsiderohet pika strategjike më e ndjeshme e NATO-s.

Ushtria polake aktualisht po teston sistemet e mbrojtjes nga dronët mes raportimeve se pavarësisht ndërtimit të ushtrisë më të madhe konvencionale të BE-së, ajo po mbetet prapa në teknologjinë jetësore të dronëve dhe anti-dronëve.

Një tjetër një balonë spiunazhi nga Bjellorusia

Ashtu si në ditët e mëparshme, ushtria raportoi sot se një objekt fluturues i ngjashëm me një balonë spiunazhi nga Bjellorusia kishte hyrë në hapësirën ajrore polake.

Sipas Rojës Kufitare Polake, balona të tilla përdoren për kontrabandën e cigareve dhe mallrave të tjera të kontrabanduara.

Megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia që ato mund të synojnë edhe testimin e reagimit te sistemit polak të mbrojtjes ajrore. //a.i/

The post POLONI – Dron i paidentifikuar rrëzohet në bazën ushtarake në Varshavë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRAZIL – Parlamenti njofton ratifikimin e marrëveshjes BE-Mercosur

2 February 2026 at 19:44

BRAZILIA, 2 shkurt /ATSH-ANSA/- Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Brazilit, Hugo Motta njoftoi sot se ratifikimi i marrëveshjes tregtare Mercosur-Bashkimi Evropian – e nënshkruar muajin e kaluar pas 26 vitesh negociatash – do të ishte një përparësi në axhendën parlamentare.

“Ne po presim dorëzimin e dokumentit nga qeveria, dhe premtojmë t’i japim përparësi votimit për traktatin”, u tha Motta gazetarëve pas mbërritjes së tij në Parlament në ditën e hapjes së vitit legjislativ.

Më herët, kryetari i Dhomës njoftoi qëllimin e votimit për traktatin para Karnavaleve.

Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva pritet ta dorëzojë dokumentin në Parlament këtë javë.

Marrëveshja tregtare e Brazilit – e njoftuar tashmë nga vendet e tjera të bllokut Argjentina, Paraguai dhe Uruguai – u konfirmua nga zëvendëspresidenti Geraldo Alckmin.

Ai deklaroi se qeveria po planifikonte të përshpejtonte procesin e ratifikimit për të dërguar një sinjal politik në BE, pasi Parlamenti Evropian e paraqiti traktatin në Gjykatën e Drejtësisë për shqyrtim, një hap që mund të vonojë hyrjen e tij në fuqi. //a.i/

 

 

The post BRAZIL – Parlamenti njofton ratifikimin e marrëveshjes BE-Mercosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Hungaria ndërmerr veprime ligjore kundër BE-së për ndalimin e importeve të gazit rus

2 February 2026 at 18:59

BUDAPEST, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Hungaria ka ngritur një padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED) kundër vendimit të Bashkimit Evropian për të ndaluar importet e gazit natyror nga Rusia, tha sot ministri i Jashtëm, Péter Szijjártó.

Njoftimi i Szijjártó në X, erdhi pas publikimit të rregullores për heqjen graduale të gazit rus në bazën e të dhënave ligjore të BE-së.

Sllovakia ka njoftuar gjithashtu se do të ngrejë një padi në gjykatën me seli në Luksemburg.

Szijjártó argumentoi në postimin e tij se traktatet e BE-së përcaktonin qartë se çdo shtet anëtar vendoste për zgjedhjen e burimeve dhe furnizuesve të energjisë.

“Për më tepër, parimi i solidaritetit energjetik kërkon sigurinë e furnizimit me energji për të gjitha shtetet anëtare”, shkroi ai.

“Vendimi e shkel qartë këtë parim në rastin e Hungarisë, meqenëse vetëm alternativa më të shtrenjta dhe më pak të besueshme të energjisë janë të disponueshme pa importet ruse”, tha Szijjártó.

Rregullorja, e cila u miratua nga shumica e anëtarëve të BE-së, përcakton që importet e gazit natyror nga Rusia duhet të ndërpriten deri në fund të vitit 2027.

Duke pasur parasysh pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Kremlini, BE dëshiron të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë nga eksportet e energjisë dhe lëndëve të para.

Hungaria është shumë e varur nga gazi rus. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, vendi nuk ka bërë përpjekje serioze për t’u çliruar nga kjo varësi.

Kryeministri i saj populist i krahut të djathtë, Viktor Orbán, konsiderohet gjerësisht si aleati më i ngushtë i Kremlinit në BE. /a.i/

The post FOKUS – Hungaria ndërmerr veprime ligjore kundër BE-së për ndalimin e importeve të gazit rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Manovra të përbashkëta SHBA-Izrael në Detin e Kuq mes tensioneve rajonale

2 February 2026 at 18:49

TEL AVIV, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli thanë sot se kishin kryer manovra të përbashkëta detare në Detin e Kuq, duke e përshkruar stërvitjen si një rutinë.

Manovrat, të cilat u zhvilluan dje, vijnë në sfondin e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Iranit.

Stërvitja përfshinte shkatërruesin e raketave të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës “USS Delbert D. Black”, i cili më vonë udhëtoi drejt qytetit portual izraelit, Eilat.

Ushtria izraelite tha se dislokimi theksonte bashkëpunimin e ngushtë midis dy marinave dhe ushtrive përkatëse.

Gjithashtu, në manovra mori pjesë korveta e Marinës Izraelite, e ndërtuar në vitin 1993, “INS Eilat”.

Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë rritur në javët e fundit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen iraniane me sulme ushtarake, pjesërisht për shkak të shtypjes brutale shtetërore ndaj demonstruesve gjatë protestave të fundit masive, në të cilat thuhet se janë vrarë mijëra njërëz.

Irani ka kërcënuar të kryejë kundërsulme ndaj Izraelit dhe SHBA-së në rast të një sulmi.

Megjithatë, raportet e medias thanë sot se Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, po planifikonte të takohej me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, për negociata që synonin zbutjen e tensioneve.

Ushtria amerikane e ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj rajonale që nga fillimi i janarit, duke përfshirë edhe dislokimin e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe anijeve të saj shoqëruese. //a.i/

The post FOKUS – Manovra të përbashkëta SHBA-Izrael në Detin e Kuq mes tensioneve rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Qeveria përgatit paketën e re të sigurisë, pas përleshjeve të dhunshme në Torino

2 February 2026 at 18:37

ROMË, 2 shkurt /ATSH/- Qeveria italiane po përshpejton një dekret sigurie pas përleshjeve të dhunshme në Torino, ku më shumë se 100 oficerë u plagosën dhe një polic u rrah me çekiç nga protestuesit e maskuar, një sulm që kryeministrja Giorgia Meloni e quajti një “tentativë vrasjeje”, sipas “Skytg24”.

Sipas mediave të huaja, polici, 29-vjeçari Alessandro Calista, i Njësisë Mobile të Policisë së Padovës, u rrethua nga demonstrues të maskuar dhe u godit vazhdimisht, përfshirë edhe me çekiç, përpara se një oficer tjetër të ndërhynte me një mburojë për ta nxjerrë nga turma.

Ai pësoi plagë të shumta dhe një dëmtim nga çekiçi, por doli nga spitali dje në mbrëmje, së bashku me një oficer tjetër, të shtruar në “Spitalin Molinette” të Torinos.

Autoritetet arrestuan tre burra të moshës 22, 31 dhe 35 vjeç pas dhunës të së shtunës gjatë një demonstrate kundër mbylljes së qendrës kulturore Askatasuna, e cila ka qenë një vend takimi për krahun e majtë të Torinos për disa dekada. Objekti u mbyll pak para Krishtlindjeve.

Po ashtu, më shumë se 20 individë po hetohen nga policia për akuza të ndryshme, duke përfshirë mbajtjen e armëve të papërshtatshme, rezistencën ndaj autoriteteve dhe maskimin e vetes, si dhe mbajtjen e objekteve të tilla si gurë, çelësa dhe thika, të cilat u janë sekuestruar disave prej tyre.

Qeveria propozon masa gjithëpërfshirëse

Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi dhunën, duke e quajtur sulmin ndaj oficerit një “tentativë vrasjeje” – pasi vizitoi dje oficerët e plagosur në spitalin Molinette.

Ajo njoftoi se qeveria do të përshpejtonte një paketë sigurie që është tashmë në zhvillim e sipër, dhe zhvilloi sot një takim për të finalizuar masat që pritet t’i kalohen për miratim Këshillit te Ministrave, gjatë javës.

Masat që po shqyrtohen përfshijnë ndalimin parandalues ​​policor prej të paktën 12 orësh për shkelësit e përsëritur të dhunës, kufizime në shitjen e thikave për të miturit dhe mbrojtje të zgjeruar që shtrihet përtej policisë, edhe tek qytetarët e tjerë.

“Kur e godet dikë me çekiç, e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë serioze. Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje”, tha dje Meloni.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi do të informojë nesër parlamentin mbi dhunën, të cilën zyrtarët qeveritarë e quajtën “terrorizëm urban” dhe “tentativë vrasjeje”.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini bëri thirrje për miratim të menjëhershëm të paketës së sigurisë, duke e përshkruar atë si antidotin më të mirë për të bllokuar menjëherë përpjekjen e së majtës ekstreme për të sjellë dhunë sërish në rrugët e qyteteve italiane. //a.i/

 

The post ITALI – Qeveria përgatit paketën e re të sigurisë, pas përleshjeve të dhunshme në Torino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PAKISTAN – Të paktën 177 të vrarë në përleshjet në Baluçistan

2 February 2026 at 18:15

ISLAMABAD, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Forcat e sigurisë pakistaneze vranë 22 militantë në një operacion të vazhdueshëm, duke e çuar numrin e të vdekurve në 177 në përleshjet me një grup rebelësh që luftojnë për pavarësi në provincën më të paqëndrueshme të vendit në kufi me Afganistanin.

Burime të sigurisë thanë se ushtria, agjencitë e inteligjencës dhe policia kishin shtrënguar kordonin rreth militantëve dhe mund të kishte më shumë viktima.

“Gjatë 48 orëve të fundit, të paktën 33 civilë dhe 17 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë gjithashtu”, tha ministri i Mbrojtjes Khawaja Asif në parlament sot në mbrëmje.

Shumica e civilëve u vranë në Gawadar ku Kina po ndërton një port, si pjesë e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC) me vlerë miliarda dollarë, i cili synon të lidhë rajonin kinez Xinjiang me Portin Gwadar përmes një rrjeti autostradash dhe shinash hekurudhore.

CPEC është pjesë e Iniciativës “Një Brez, një Rrugë” të Pekinit për të përmirësuar logjistikën globale.

Asif tha se si India ashtu edhe Afganistani fshiheshin pas rritjes së militantizmit në provincën më të madhe të vendit, Baluçistani.

“Udhëheqja e terroristëve është e vendosur në Afganistan dhe ata marrin mbështetje nga atje”, tha ministri.

Ushtria Çlirimtare e Baluçistanit (BLA), një grup rebel që lufton për pavarësinë e rajonit nga Pakistani, mori përgjegjësinë për sulmet e shumëfishta dhe të koordinuara në të gjithë provincën.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e caktuan grupin separatist dhe krahun e tij të armatosur, Brigadën Majeed, si Organizata Terroriste të Huaja (FTO).

Baluçistani është provinca më e madhe e Pakistanit, që kufizohet me Afganistanin dhe Iranin.

Rajoni ka mbajtur barrën e një rritjeje të dhunës nga militantët islamikë dhe rebelët etnikë Baloç që luftojnë për pavarësi. //a.i/

The post PAKISTAN – Të paktën 177 të vrarë në përleshjet në Baluçistan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Izraeli rihap pjesërisht pikën kufitare te Rafahut për palestinezët

2 February 2026 at 17:00

TEL AVIV/GAZA, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Izraeli ka rihapur pjesërisht pikën kufitare të Rafahut midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës për lëvizjen e njerëzve, raportuan sot televizioni egjiptian dhe burimet izraelite të sigurisë.

“Kalimi është zyrtarisht funksional për herë të parë në rreth një vit”, tha stacioni televiziv egjiptian i lidhur me shtetin al-Qahera News, ndërsa burime izraelite të sigurisë konfirmuan gjithashtu hapjen.

“Al-Qahera News” raportoi se palestinezët që hynin nga Egjipti kishin arritur në anën palestineze të pikës kufitare të Gazës deri të hënën pasdite.

Ky veprim pritet t’u lejojë palestinezëve të plagosur dhe të sëmurë të largohen nga territori bregdetar, i cili u shkatërrua në më shumë se dy vjet luftë pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Palestinezët që ikën nga lufta gjithashtu do të jenë në gjendje të kthehen në Gaza.

Megjithatë, dërgesat e ndihmave nuk do të kalojnë ende nga Egjipti direkt në Rripin e Gazës.

Hapja e kufirit është hapi i fundit në një plan paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, sipas të cilit një armëpushim ka qenë në fuqi midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas që nga tetori.

Kalimi fillimisht ishte hapur “në një bazë prove” të dielën. //a.i/

The post GAZA – Izraeli rihap pjesërisht pikën kufitare te Rafahut për palestinezët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Kremlini konfirmon raundin e ardhshëm të bisedimeve me Ukrainën në Abu Dabi

2 February 2026 at 16:34

MOSKË, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Kremlini ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi një përfundim të mundshëm të luftës do të zhvillohet më vonë këtë javë në Abu Dhabi, raportoi sot agjencia ruse e lajmeve “Interfax”.

“Takimi fillimisht ishte planifikuar për të dielën”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në Moskë, sipas agjencisë.

Megjithatë, Peskov tha se planifikimi i mëtejshëm nga të tre delegacionet kishte qenë i nevojshëm.

“Raundi i dytë do të zhvillohet tani të mërkurën dhe të enjten në Abu Dabi”, tha ai.

Kjo përputhet me datat e dhëna të dielën nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit rifilluan në Abu Dhabi një javë më parë pas një ndërprerjeje të gjatë.

Bisedimet, që synonin të eksploronin një rrugë drejt paqes pas pothuajse katër vitesh konflikti, u mbajtën pas dyerve të mbyllura dhe të ndërmjetësuara nga SHBA-ja përmes kryenegociatorit, Steve Witkoff.

Ndërsa ekipet negociuese i kanë përshkruar vazhdimisht bisedimet si konstruktive, një marrëveshjeje paqeje nuk është ende në horizont, me çështjet territoriale që mbeten një pikë kyçe ngërçi.

Rusia po kërkon që Kievi të tërhiqet nga disa pjesë të rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës – një zonë e përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut – që mbeten nën kontrollin ukrainas. Zelensky ka refuzuar vazhdimisht lëshime të tilla territoriale.

Me kërkesë të presidentit të SHBA-së Donald Trump, Rusia pranoi të ndërpresë përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike deri më 1 shkurt, për shkak të të ftohtit ekstrem dhe dëmeve të shumta në Kiev dhe qytete të tjera. Sulmet ndaj objektivave të tjerë kanë vazhduar.

Peskov tha se nuk kishte asgjë për të shtuar në faktin se armëpushimi i pjesshëm zbatohej vetëm deri të dielën. //a.i/

The post MOSKË – Kremlini konfirmon raundin e ardhshëm të bisedimeve me Ukrainën në Abu Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

UKRAINË – Rusia sulmon maternitetin në Zaporizhia, të paktën nëntë të plagosur

1 February 2026 at 19:22

KIEV, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Të paktën nëntë persona u plagosën pasi dronët rusë goditën një maternitet në qytetin jugor të Zaporizhias, thanë sot zyrtarët.

Guvernatori ushtarak Ivan Federov tha se në sulmin fillestar ishin plagosur gjashtë persona, përfshirë dy gra që kishin qenë në spital për një ekzaminim.

“Në sulmin e dytë, u plagosën dy gra dhe një fëmijë 4-vjeçar”, tha ai.

Federov publikoi foto të ndërtesës së rrënuar në Telegram, të cilat tregonin dritare të thyera dhe dhoma spitalore të rrënuara.

Më herët, zyrtarët thanë se një burrë dhe një grua ishin vrarë në sulmet me dron rusë gjatë natës në Dnipro.

Forcat Ajrore Ukrainase raportuan një total prej 90 sulmesh me dron rusë gjatë natës në të gjithë vendin.

Sulmet vijnë mes negociatave të vazhdueshme për t’i dhënë fund luftimeve gati katër-vjeçare.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se bisedimet tripalëshe të paqes midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së do të zhvilloheshin të mërkurën dhe të enjten në Abu Dabi.

Negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit rifilluan në Abu Dhabi një javë më parë pas një ndërprerjeje të gjatë. Ato u mbajtën pas dyerve të mbyllura dhe u ndërmjetësuan nga SHBA-ja përmes kryenegociatorit të tyre Steve Witkoff.

Përpara bisedimeve të planifikuara dypalëshe të dielën, Rusia kishte rënë dakord me një kërkesë të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndaluar përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pasi sulmet në centrale shkaktuan ndërprerje masive të energjisë elektrike.

“Armëpushimi i kufizuar duhej të zgjaste deri sot”, sipas Kremlinit. //a.i/

 

The post UKRAINË – Rusia sulmon maternitetin në Zaporizhia, të paktën nëntë të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌