TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vijoi sot me akuzat për korrupsion në ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se pa u marrë ende në dorëzim rruga ka pësuar shembje pas shembjeje.
Sipas Berishës, “vetëm për një lot të kësaj rruge u dhanë 87 milionë euro, ndërkohë që fondet për skarpatet u zhvatën”.
Berisha theksoi se “9 kilometra të kësaj rruge me gjerësi 10 metra, edhe pse pa asnjë tunel dhe urë, kanë kushtuar sa mesatarja e Rrugës së Kombit me tunele e ura”.
“Kompania ‘Sako’ mori edhe mirëmbajtjen e aksit. Loti 3 i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, sipas hetimit që ka bërë emisioni investigativ ‘Plug’, rezulton se ka një gjatësi 9,3 kilometra.
Loti 3 nuk ka asnjë urë në ato 9 kilometra. Nuk ka asnjë tunel, pra ka një terren më të zakonshmin, dhe ka kushtuar me ‘çmimet Sako’ 87 milionë euro. Ka kushtuar ky lot sa ç’ka kushtuar kilometri në Rrugën e Kombit me dhjetëra ura, tunele, siç e dini vetë, dhe me gjerësi 27 metra”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se nga 2,5 milionë euro të dedikuara për forcimin e skarpateve, janë përdorur rreth 900 mijë për këtë qëllim.
“Paratë e parashikuara për forcimin e skarpateve, që është një kusht i pakapërcyeshëm në ndërtimin e rrugëve, parashikuar me 2,5 milionë euro, janë pjesëtuar me katër nga firma dhe janë përdorur për vëllime të tjera, të cilat nuk maten. Për mashtrim. Prandaj skarpatet shemben si me qenë shpate kartoni, sepse ato nuk janë përforcuar. Ndërtuesi Sako fitoi edhe tenderin e mirëmbajtjes së kësaj rruge, dhe rruga u inaugurua pa u marrë në dorëzim”, shtoi Berisha.
Berisha akuzoi se firma ndërtuese e rrugës Qukës-Qafë Plloçë rriti në mbi 310 milionë euro koston e ndërtimit të rrugës.
“E filluar në vitin 2009, 43 kilometra, e parashikuar me një shumë prej 73 milionë dollarë të Bankës Islamike, kjo rrugë pas vitit 2013 iu besua ndërtuesit Sako. Në rrugën Qukës- Qafë Plloçë ai arriti të fryjë çmimet. Fjala është në 310 milionë, e vërteta rreth 400 milionë euro në mënyrën më të pabesueshme”, theksoi Berisha.
/m.m/r.e/a.f/
The post Berisha: Janë devijuar fondet për ndërtimin e skarpateve në rrugën Qukës-Qafë Plloçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.