Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

Nga Tetova në Zvicër garon për asambleist në Zurich, Dafi Muharemi: Gjithmonë jam angazhuar për tema sociale

9 February 2026 at 15:40


Dafi Muharemi nga Pallçishti i Tetovës, i cili garon për mandat të dytë në Asamblenë e Zurichut në zgjedhjet e 8 marsit, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për angazhimin e tij në jetën publike në Zvicër, shqiptarët atje, si dhe tema tjera.

Muharemi tregoi fillimet e tij se si është bërë pjesë e politikës në Zvicër dhe arsyet pse ka vendosur të garojë për anëtarë të Asamblesë së Qytetit të Zurichut.

- YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: ...

"Gjithmonë kam qenë aktiv dhe para se të anëtarësohem në parti politike, kam punuar me organizata joqeveritare. Puna me OJQ-të në mënyrë jo të drejtpërdrejt më vendosi në kontakt me persona që janë pjesë e politikës. Pas kontaktit me ta vendosa të bëhem anëtar i Partisë Social-Demokrate dhe fillova aktivitetin tim brenda partisë dhe u avancova. Dhe para pesë viteve kryetari i nëndegës më tha për të garuar për asamblenë e qytetit. U mendova për 10 ditë dhe pranova të bëhem pjesë e listës dhe çuditërisht mora votat e nevojshme dhe u bëra pjesë e asamblesë", tha Muharemi.

I pyetur se me çfarë është marrë në mandatin e parë në Asamblenë e Zurichut, ai theksoi se çdo herë është angazhuar për tema sociale.

"Ata që e kanë ndjekur aktivitetin tim, i kanë parë temat me të cilat unë jam marrë brenda asamblesë. Jam munduar që të mos prek tema bombastike në publik, por në brendësi nuk kanë asgjë. Fatkeqësisht në politik mundohet secili të jetë në qendër të vëmendjes dhe përdorin tema bombastike. Ndërsa unë angazhohem për tema sociale, të cilat prekin njerëz që nuk janë në fokus të politikës", tha Muharemi i cili tregoi edhe propozim-ligjet e tij që janë miratuar në Asamble.

"Edhe në Zvicër nuk janë gjërat perfektë dhe ka zero fokus për fëmijët me autizëm. Autizmi nuk njihet si sëmundje dhe sigurimi shëndetësor nuk i mbulon terapitë për atë. Si rrjedhojë e kësaj prindërit që preken nga kjo situatë, gjithë kostot duhet t'i mbulojnë vetë. Janë kosto të mëdha. Këtu filloi gjithçka dhe u interesova në institucione të shoh se çfarë mbulojnë e çfarë jo, dhe dhashë propozim-ligje. Njëri ka qenë që familjet që kanë fëmijë me autizëm, mbulesat për trajtimin e fëmijëve t'i merr qyteti përsipër", tha Muharemi.

I pyetur për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, ai tha se ata janë integruar shumë mirë dhe se kanë pozita të rëndësishme nëpër institucionet në shtetin zviceran.

"Shqiptarët janë të integruar në Zvicër, janë të profesioneve të ndryshme, bëjnë jetë brenda rregullave dhe kulturave zvicerane. Ne jemi italianët e dytë në Zvicër. Italianët janë grupi i parë që i kanë ecur para nesh, ndërsa ne jemi komuniteti i dytë që shkojmë në këtë drejtim", tha ai.

Përveç politikës, Muharemi punon edhe si instruktor i transportit publik, gjegjësisht instruktor tramvaji. Kur e pyetëm se pse vendosi ta bëjë këtë punë, ai tha: "Desha të jem pjesë e sistemit që funksionon, që ta shoh për brenda se si është. Dhe gjatë kësaj kohe mu dha mundësia më shumë".

Transportonte katër emigrantë, ndalohet një person nga Kumanova

9 February 2026 at 15:02


Mëngjesin e sotëm në orën 04:15 në autostradën "Miqësia", në drejtim nga Shkupi për në Kumanovë, zyrtarët e policisë arrestuan N.S. (40) nga Kumanova.

"Gjatë kryerjes së një patrullimi, oficerët e policisë ndaluan një automjet pasagjerësh "Fiat Bravo" me targa të Kumanovës, të cilin e drejtonte N.S, dhe pas kontrollit të automjetit, u përcaktua se ai po transportonte 4 migrantë, dy nga Nepali dhe nga një nga India dhe Pakistani".

"N.S. u ndalua në një stacion policor, ndërsa migrantët u transferuan në Qendrën e Tranzitit Tabanovcë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të përpilohet një raport përkatës", thonë nga MPB.

Ndalohet 44-vjeçari nga Gostivari, tentoi t’i sulmojë fizikisht bashkëshorten dhe vajzat

9 February 2026 at 14:35


Më 9 shkurt 2026, në orët e hershme të mëngjesit, policia Gostivarit ka arrestuar një 44-vjeçar nga Gostivari. Bashkëshortja e tij, 43 vjeçe, kishte raportuar se ai kishte tentuar të ushtronte dhunë ndaj saj dhe vajzës së tyre. Personi në fjalë është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa pas sqarimit dhe dokumentimit të ngjarjes do të ngritet parashtresë përkatëse.

“Më 09.02.2026 në ora 02:15, punonjës policie nga SP Gostivar kanë privuar nga liria një burrë 44-vjeçar nga Gostivari. paraprakisht, në ora 01:25, bashkëshortja e tij 43-vjeçare ka denoncuar se ai ka tentuar t’i sulmojë atë dhe vajzën e tyre".

"Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do t’i përgatitet parashtresë përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gashi për provimin e jurisprudencës: Duhet të respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve

9 February 2026 at 14:01


Në Kuvend nuk ka arritur asnjë interpelancë ndaj ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, pas thirrjeve të shumta për dorëheqjen e tij, të nxitura nga deklaratat rreth kërkesës së studentëve për provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Pyetja në adresë të Kuvendit erdhi pasi gjatë dy ditëve të shkuara parti të ndryshme kanë kërkuar dorëheqjen ose largimin e Fillkovit. Ne takim joformal me gazetarët, kreu i Kuvendit Afrim Gashi deklaroi se qëndrimi i tij është që në këtë rast, duhet të respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve. Gashi tha se ka mbështetur kërkesën e studentëve.

Në po të njëjtin takim gazetarët u informuan se nuk ka asgjë konkrete rreth formimit të grupit të punës për Kodin e ri zgjedhor, procedurë që duhet ta nisë Ministria e Drejtësisë.

Asnjë marrëveshje nuk ka dalë nga koordinimi i zakonshëm as për projekt-ligjin për qeverinë teknike, që deputetëve u ishte dhënë në shqyrtim para pak kohe.

Deputetët nesër duhet të mblidhen në Kuvend për seancën e radhës plenare por pritet të përballen me protestat e sindikalistëve të cilët kërkojnë rritje të pagës minimale.

Policia ka informuar ligjvënësin për planin e veprimit por asgjë nuk pritet të ndryshojë në funksionimin e zakonshëm të seancës. Deputetët janë informuar që hyrjet do të jenë të bllokuara për veturat kurse ata duhet të shkojnë në punë pa e penguar të drejtën e kësaj kategorie të qytetarëve për protestë.

Vrau nënën e tij 84-vjeçare, burg të përjetshëm për banorin nga Shtipi

9 February 2026 at 13:29


Stojançe Zarkov nga Shtipi, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e nënës së tij 84-vjeçare në gusht të vitit të kaluar, derisa ishte në gjendje të dehur.

Zarkov deklaroi në gjyq se nuk e mbante mend vrasjen e nënës së tij.

Ai tha se atë ditë ka bërë punët e përditshme.

Më pas tha se ishte në dhomën tjetër kur nëna e tij filloi të bërtiste. Hyri brenda dhe pa se gjaku po i rridhte nga qafa.

Më pas tha se thirri një ambulancë, dhe më pas mbërritën policia dhe prokurori publik.

Megjithatë, sipas provave, Zarkovi telefonoi në urgjencë dhe tha: E godita nënën time pa pëlqimin e saj, ose do të mbijetojë ose jo.

Analiza e ADN-së vërtetoi se Stojançe Zarkov ishte vrasësi.

"Safe City" për një javë ka regjistruar gati 5 mijë shkelje në trafik

9 February 2026 at 12:35


MPB Maqedoni njofton se në periudhën nga 02.02.2026 deri në 08.02.2026, nga sistemi "Safe City" në zonat e qyteteve dhe korridoreve ku janë vendosur kamerat, u regjistruan gjithsej 4991 kundërvajtje, nga të cilat 641 masa për kundërvajtje të kryera nga shoferë të cilët drejtonin automjetin me targa të huaja.

"Nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve të regjistruara, numri më i madh është për drejtimin e automjetit me shpejtësi më të madhe se e lejuara 4674, më tej për kalim në sinjalin e mbyllur (dritë të kuqe) 163, ndërsa për drejtim të automjetit me skadim vlefshmërie të lejes së qarkullimit janë 154 kundërvajtje".

"Gjithashtu, u shqiptuan gjithsej 288 masa "ndalim për drejtimin e automjetit", nga të cilat 163 janë për "kalim në dritë të kuqe" dhe 125 janë për "vozitje të shpejtë".Në kuadër të parashikimit të devijimit të lejuar në shpejtësinë e lëvizjes, u toleruan 22,434 automjete".

"U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të kontribuojmë të gjithë së bashku për rrugë më të sigurta dhe më të mbrojtura", thonë nga MPB.

Prokuroria e RMV-së: Janë konfiskuar mbi 40 tonë marihuanë, pas sqarimit të plotë të rrethanave do ta informojmë opinionin

9 February 2026 at 11:47


Prokuroria Themelore Publike ka dalë me njoftim në lidhje me aksionet e fundit të policisë, në të cilat janë sekuestruar një sasi e madhe e marihuanës, gjegjësisht rreth 40 tonë.

Nga Prokuroria thonë se janë në komunikim me Prokurorinë Themelore Publike të Republikës së Serbisë, me qëllim shkëmbimin e informacioneve me rëndësi për procedurën që do të ndihmojnë në përcaktimin e një lidhjeje të mundshme midis dy rasteve dhe origjinës së marihuanës.

"Si pjesë e operacionit të gjerë që është kryer në periudhën e kaluar, në të cilin janë sekuestruar mbi 40 ton marihuanë nga disa persona juridikë në territorin e vendit, prokuroria informon publikun se po ndërmerr vazhdimisht aktivitete në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komisionin për Miratimin e Kultivimit të Kanabisit për Qëllime Mjekësore, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë".

"Procedurat po zhvillohen në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe me prokurorë të tjerë publikë me juridiksion territorial dhe lëndor, të cilët po veprojnë në rastet e veprave penale të përcaktuara në Ligjin për Kontrollin e Drogave Narkotike".

"Me qëllim përcaktimin e plotë të fakteve dhe rrethanave, prokurori në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është në komunikim me Prokurorinë Themelore Publike të Republikës së Serbisë, me qëllim shkëmbimin e informacioneve me rëndësi për procedurën që do të ndihmojnë në përcaktimin e një lidhjeje të mundshme midis dy rasteve dhe origjinës së marihuanës. Njëkohësisht, prokurori publik nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë po ndërmerr veprime të tjera në përputhje me kompetencat e tij ligjore, përfshirë edhe marrjen në pyetje të personave si dëshmitarë, me qëllim mbledhjen e provave dhe fakteve relevante për procedurën", thonë nga Prokuroria.

Në fund shtojnë se ata i ndërmarrin të gjitha masat për të sqaruar rastin, si dhe do ta informojnë opinionin në kohë./Telegrafi/

Ndalohen dy persona nga Shkupi në Mavrovë, policia u gjen marihuanë në makinë

9 February 2026 at 11:23


SPB Tetovë njofton se dje ka arrestuar dy persona në Mavrovë, tek të cilët është gjetur marihuanë.

"Më 08.02.2026 në ora 20:00, në vendbanimin Hanet e Mavrovës, punonjës policie nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria personat G.D. (28) dhe D.A. (28) nga Shkupi, të cilët po transportoheshin me automjetin pasagjerë „Golf“ me targa të Shkupit, i drejtuar nga G.D".

"Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur marihuanë. Ata janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do t'u përgatitet parashtresë përkatëse", thonë nga SPB Tetovë.

LSM nesër vazhdon protestat, do të bllokojë rrugët për te Kuvendi

9 February 2026 at 10:54


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka paralajmëruar protestë me bllokadë që do të mbahet më 10 shkurt 2026 (e martë) para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga ora 9:00. Bllokimi do të zhvillohet në rrugët "11 Tetori" dhe "Dame Gruev".

Nga LSM thonë se protesta po organizohet për shkak të, siç deklarojnë ata, heshtjes njëvjeçare të deputetëve për propozimin e tyre për rritjen e pagës minimale dhe pagave të tjera. Sindikata kërkon që paga minimale të rritet menjëherë në 600 euro, dhe pagat e tjera të rriten me të paktën 6,000 denarë ose diferencën që do të rezultojë nga rritja e pagës minimale.

LSM akuzon se deputetët nuk po i dëgjojnë kërkesat e punëtorëve, ndërsa pagat e tyre tashmë janë rritur me 79 përqind, me mundësinë e rritjeje shtesë prej 21.8 përqind. Sipas sindikatës, kjo situatë krijon një hendek të madh midis të ardhurave të zyrtarëve dhe punëtorëve.

LSM njofton se përmes bllokadës do të përpiqet të parandalojë deputetët nga përdorimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe u bën thirrje atyre që të votojnë urgjentisht për rritjen e pagave të punëtorëve, si dhe për uljen e të ardhurave të zyrtarëve, në përputhje me iniciativën e tyre. Përndryshe, ata njoftojnë mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve për ndryshime ligjore.

"Deputetët do të jenë të parët që do të përballen me zemërimin e punëtorëve, dhe përmes bllokadës do t'ua bëjmë të pamundur atë ditë mbledhjen e shpenzimeve të udhëtimit që tejkalojnë 100 euro në një ditë, për të ardhur në këmbë ose me transport publik ashtu siç shkojnë punëtorët në punë. U kujtojmë atyre se jo vetëm që duhet të votojnë urgjentisht për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera, por duhet të votojnë edhe për uljen e pagave të zyrtarëve sipas iniciativës së LSM-së. Nëse heshtin, ne do të kalojmë në mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve me të cilat do të ulim pagat e tyre dhe do të rrisim pagat e punëtorëve", thotë kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov në thirrjen e publikuar në rrjetet sociale.

Sindikata informon se gjatë protestës do të mundësohet lëvizja e papenguar e ambulancave, zjarrfikësve dhe automjeteve të policisë. LSM u kërkon ndjesë qytetarëve për çdo vonesë dhe njofton se çdo rast emergjent do të anashkalohet.

Blerant Ramadani tërhiqet nga ASH-ja: Energjinë time do ta kanalizoj aty ku vendi ka nevojë, te shkenca dhe zhvillimi strategjik

9 February 2026 at 10:02


Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, njofton se ka dhënë dorëheqje nga pozitat partiake dhe se do të largohet nga angazhimi politik, për t'u përkushtuar në sfera tjera.

Ramadani në një postim në Facebook shkruan se "kjo nuk është një lamtumirë nga idealet, por një bindje e thellë se një vend nuk lartësohet nga retorika e ditës, por nga forca e pakontestueshme e dijes dhe kompetencës".

Më poshtë e keni njoftimin nga Blerant Ramadani:

Të nderuar anëtarë të Aleancës për Shqiptarët, bashkëudhëtarë të idealit dhe qytetarë të lirë! Sot, ndodhem në një pikëtakim vendimtar, ku ndërgjegjja profesionale më kërkon të rikalibroj mënyrën se si i shërbej shoqërisë. Prandaj, njoftoj tërheqjen time nga pozita e Sekretarit Gjeneral dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake. Ky vendim vjen si rrjedhojë e një reflektimi të thellë mbi parimet që më udhëheqin si njeri dhe si profesionist. Dua të jem transparent me ju deri në fund: në mbledhjen e fundit të kryesisë, vota ime ishte dhe mbetet KUNDËR dorëheqjes kolektive. Kjo votë nuk ishte mospajtim, por botëkuptim. Si inxhinier, unë besoj te strukturat që ngrihen mbi themele të forta, jo te logjika e rrëzimit për të rifilluar nga e para. Unë besoj te stabiliteti. Megjithatë, demokracia është arti i respektimit të shumicës. Unë e pranoj këtë realitet dhe zgjedh të liroj rrugën me dinjitet, duke mbetur konsekuent në qëndrimet e mia. Nga sot e tutje, energjinë time do ta kanalizoj aty ku vendi ka nevojë jetike: te Shkenca dhe Zhvillimi Strategjik. Kjo nuk është një lamtumirë nga idealet tona, por një bindje e thellë se një vend nuk lartësohet nga retorika e ditës, por nga forca e pakontestueshme e dijes dhe kompetencës. Dhe për fund, por më e rëndësishmja, për SARAJIN: ajo që ndërtuam bashkë nuk matet me poste. Mbështetja juaj, ajo votë e pastër dhe e sinqertë që më dhuruat, është fitorja ime morale më e madhe. Atë besim e ruaj si kapitalin më të çmuar, si dëshmi se kur politika bëhet me zemër, njerëzit dinë të rreshtohen drejt. Ky vendim nuk është një lamtumirë, por një ripozicionim. Unë nuk heq dorë nga vizioni për një shoqëri të drejtë. Shihemi në betejat e radhës për parime!


LSDM: Nuk ka përgjigje se si 5 tonë drogë kaluan kufirin dhe kush është i përfshirë

9 February 2026 at 09:42


Partia opozitare maqedonase LSDM, në një kumtesë për media thotë se "pas një jave të tërë nga njoftimi i sekuestrimit të 5 tonëve drogë nga Maqedonia në Serbi, nuk ka përgjigje për pyetjen kryesore: si kaluan 5 tonët drogë kufirin e Maqedonisë?".

Nga LSDM thonë se "si është e mundur që 5 tonë drogë të largohen nga qendra e Shkupit dhe "lehtësisht të padukshme" të kalojnë kufirin dhe të nisen për në Serbi".

"Ku janë kamerat e "Qytetit të Sigurt"? Ku ishte policia? Ku ishte Dogana Mobile? Pse nuk kishte kontrolle? Çfarë po bënin DSK dhe AR? Është e qartë për të gjithë se pa mbështetje dhe logjistikë nga maja e qeverisë, është e pamundur të kontrabandohen 5 tonë drogë. Kemi parë nga mediat se rasti në Serbi është i lidhur me partinë simotër të VMRO-SNS, si dhe me zyrtarë shtetërorë".

"Pyetja është se kush është i përfshirë në strukturat në Maqedoni dhe kush lejoi që 5 ton drogë të kalonin kufirin? Mickoski, Toshkovski, Tarçulovski, Nikolovski, shefa, menaxherë, inspektorë, zyrtarë. Kush? Sekuestrimi i bërë nga qeveria nuk është përgjigje për pyetjet kryesore, por një defokus nga skandali me 5 ton drogë. Por as kjo nuk mund ta shpëtojë qeverinë. Nëse kanabisi i prodhuar dhe i ruajtur ilegalisht sekuestrohet në Maqedoni, atëherë përsëri përgjegjësia është e qeverisë dhe e askujt tjetër", thonë nga LSDM.

Regjistrohet tërmet në Tetovë dhe rrethinë

9 February 2026 at 08:50


Rrjeti telemetrik sizmologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i mirëmbajtur nga Observatori Sizmologjik në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup, mbrëmë në orën 23:09 regjistroi tërmet, epiqendra e të cilit kishte origjinën në territorin e Republikës së Kosovës, afërsisht 46 km në veriperëndim të Shkupit, me magnitudë lokale Rihter, M L 3.0.

Sipas të dhënave që ka në dispozicion observatori deri më tani, tërmeti është ndjerë në Tetovë dhe zonën përreth me intensitet prej III gradësh sipas Shkallës Evropiane të Makroseizmikës.

Për momentin nuk janë raportuar dëme nga ky tërmet.

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

9 February 2026 at 08:12


Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe me reshje shiu të herëpashershme që do të jenë më intensive në pjesët juglindore (mbi 15 l/m²). Për shkak të depërtimit të ajrit më të ftohtë, reshjet e shiut do të shndërrohen në borë në viset më të larta. Do të fryjë dhe erë e lehtë deri mesatare kryesisht nga juglindja.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 0 deri në 6, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 5 deri në 11 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje shiu të herëpashershme. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga juglindja. Temperatura minimale do të ulet në 3, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 8 gradë Celsiusë.

Before yesterdayMain stream

Klekovski: FSSH-ja ka zbuluar një sërë parregullsish në disa institucione shëndetësore

6 February 2026 at 16:21


Parregullsi të shumta janë detektuar në disa Institucione shëndetësore publike dhe private. Janë dhënë pushime mjekësore pa pasur nevojë, disa drejtor të klinikave kanë marrë paga më shumë se duhet, ndërsa klinikat gjinekologjike kanë punuar pa kupon fiskalë.

“Në lidhje me pushimet mjekësore, ne jemi duke shqiptuar dënime në 28 institucione private shëndetësore, ku dënimet do të jenë në shumë prej 1.2 milionë denarë dhe për dikë do të jetë për herë të parë, për dikë kemi përsëritje të dënimeve. Tek gjinekologët, për fat të keq kemi një valë të re të ankesave për mos dhënien e kuponit fiskal, kemi 12 ankesa të reja”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Klekovski për Alsat tha se janë duke shqyrtuar ndryshimin e politikës penale, pasi dënimet e deritanishme nuk kanë ndikuar në ndalimin e shkeljeve të rregullave.
“Politika penale në disa zona nuk demotivon shkeljen e rregullave, dënimet janë të vogla dhe në thelb është e përballueshme ti shkelin rregullat. P.sh për institucionet publike shëndetësore dënimi maksimal është 75 mijë denarë, kështu që kjo nuk ka kuptim”, tha Sasho Klkeovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.

Klekovski tha se Fondi është duke punuar bashkë me Ministrinë e Brendshme për të gjitha këto raste të detektuara.

Kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve, merrnin para për nxjerrje më të shpejtë të dokumenteve personale

6 February 2026 at 15:44


Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime penale dhe standardet profesionale në Ministrinë e Brendshme ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë kompetente kundër dy zyrtarëve të policisë, një mësueseje dhe një zjarrfikësi, të cilët, në periudhën shkurt-prill 2024, së bashku, me marrëveshje paraprake, krijuan një skemë në të cilën organizuan dhe zbatuan procedurat për lëshimin e dokumenteve personale (kartë identiteti, pasaportë dhe patentë shoferi), me qëllim përfitimin e paligjshëm pasurore.

Prokuroria Themelore Publike kompetente për NKOK, siç informohet nga Ministria e Brendshme, ka ngritur kallëzim penal kundër dy zyrtarëve të policisë për marrjen e një shpërblimi për ndikim të paligjshëm dhe pranim ryshfeti, si dhe kundër një mësueseje dhe një zjarrfikësi për kryerjen e veprës penale të marrjes së një shpërblimi për ndikim të paligjshëm.

“Të pandehurit, në periudhën shkurt-prill 2024, së bashku, me marrëveshje paraprake, krijuan një skemë në të cilën organizuan dhe zbatuan procedurat për lëshimin e dokumenteve personale (letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferi), me qëllim përfitimin e dobisë pasurore të paligjshme, në mënyrë që të pandehurit e tretë dhe të katërt gjetën qytetarë të interesuar që kishin nevojë të përgatitnin dokumente personale, të cilët u dhanë të dhënat e tyre personale në formën e fotografive, dhe këto fotografi iu dërguan të pandehurit të dytë P.P.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

I pandehuri i dytë ndërmjetësoi dhe ndërhyri tek qytetarët e interesuar për të filluar procedurën për lëshimin e dokumenteve personale, në një mënyrë që e inkurajoi të pandehurin e parë M.S., i cili si person zyrtar kryente veprimet e fotografimit dhe pranimit të kërkesave, si detyra të tij të rregullta pune.

“Veprimet e lartpërmendura u kryen në bazë të një marrëveshjeje paraprake për një kompensim të caktuar monetar me një çmim, kohë dhe metodë ekzekutimi të përcaktuar saktësisht me role të përcaktuara qartë, duke krijuar një mënyrë paralele joformale veprimi me të cilën, në këmbim të kompensimit monetar, ata mundësuan realizimin më të shpejtë të së drejtës për shërbim publik, me qëllim përfitimin material të paligjshëm, duke shkelur parimin e qasjes së barabartë të qytetarëve në shërbimet publike”, njofton Ministria e Brendshme.

Padia penale, siç njoftoi Ministria e Brendshme, është ngritur kundër M.S., zyrtar policie në SPB Shkup, në kohën e kryerjes së krimit, i caktuar me urdhër në Sektorin për Çështje Administrative në Shkup, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar dhe veprën penale të pranimit të ryshfetit, P.P., zyrtar policie në Njësinë e Policisë Ndërhyrëse në SPB Shkup, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe veprën penale të pranimit të ryshfetit, V.R., e punësuar si mësuese në një shkollë të mesme në Shkup, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe A.S., i punësuar si zjarrfikëse në Qytetin e Shkupit, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm.

VLEN: BDI është autori i padrejtësisë më të madhe ndaj gjuhës shqipe

6 February 2026 at 15:14


VLEN ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së në lidhje me gjuhën shqipe, gjegjësisht kërkesën e studentëve të juridikut që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Nga VLEN thonë se "BDI është autori i padrejtësisë më të madhe ndaj gjuhës shqipe".

"Në vitin 2019, kur kishte pushtetin absolut, kur kontrollonte Qeverinë, ministritë dhe shumicën parlamentare, BDI miratoi provimin e jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase. Ju e nënshkruat këtë padrejtësi me dorën tuaj, dhe sot guxoni të luani teatër para shqiptarëve".

"Të flisni për Kushtetutë e barazi është fyerje për inteligjencën e shqiptarëve. Sepse kur kishit mundësinë, gjuhën shqipe e latë jashtë drejtësisë. Jo nga pamundësia, por nga pazari politik. Sot kërkoni llogari për një gjendje që mban vulën tuaj. Ky nuk është qëndrim parimor, por manipulim i ulët për të mbuluar dështimet tuaja".

"BDI nuk është zgjidhja e problemit, BDI është vet problemi. Sa herë hapni gojën për këtë çështje, vetëm sa e vërtetoni edhe një herë se për ju gjuha shqipe ka qenë dekor, jo e drejtë. VLEN garanton se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, si një e drejtë e patjetërsueshme e studentëve shqiptarë dhe si obligim kushtetues e ligjor i shtetit", thonë nga VLEN.

Rritet eksporti dhe importi në Maqedoni, këmbimi i përgjithshëm tregtar me jashtë në vitin 2025 arrin 19,5 miliardë euro

6 February 2026 at 14:41


Këmbimi i përgjithshëm tregtar në periudhën janar – dhjetor të vitit 2025 është 19 553.6 milionë euro, kumtoi Enti Shtetëror i Statistikës. Eksporti i mallrave arriti në 8 008.2 milionë euro, një rritje prej 2,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa importi arriti në 11 545.4 milionë euro, ose 4,4 për qind më shumë.

Në periudhën janar – dhjetor të vitit 2025, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, pjesa më e madhe e tregtisë është bërë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, që marrin pjesë me 47,8 për qind të vëllimit të përgjithshëm të këmbimit. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian përfaqësohen me 58,9 për qind në totalin e këmbimit.

Këmbimi tregtar sipas produkteve sipas Klasifikimi Standard i Tregtisë Ndërkombëtare tregon se pjesëmarrja më e madhe e eksportit është: katalizatorët e mbajtësve me metale të çmuara ose përbërjet e tyre, grupe telash ndezës dhe të ngjashme, për automjete, aeroplanë ose anije, pjesët e sediljeve nga nëngrupi 821.1 i katalizatorë të tjerë të mbajtësve.

Në import më shumë janë të përfaqësuara: vajrat e naftës dhe vajrat e përftuara nga mineralet bituminoze (përveç lëndëve të para), metale të tjera të grupit të platinit dhe legurat e tyre, të papërpunuara ose në formë pluhuri, platini dhe lidhjet e platinit, të papërpunuara ose pluhur.

Dy të tretat e njerëzve në BE jetojnë në shtëpitë e tyre, në Maqedoni 87%

6 February 2026 at 14:07


Më shumë se dy të tretat e njerëzve që jetojnë në familje në BE posedojnë shtëpinë e tyre, përkundrejt 32% që jetojnë në banesa me qira. Në Maqedoni rreth 87% jetojnë në shtëpinë e tyre, ndërsa 12,9% me qira, tregojnë të dhënat e Eurostatit.

Sipas të dhënave të fundit, në vitin 2024, më shumë se dy të tretat e popullsisë që jeton në familje në BE kishin në pronësi shtëpinë e tyre, që është pak më pak krahasuar me 69% në vitin 2023. Pjesa tjetër prej 32% jetonte në banesa me qira, që paraqet rritje nga 31% në vitin paraprak.

Për Maqedoninë dhe vendet e rajonit, të dhënat e fundit të disponueshme të Eurostatit janë për vitin 2023, prandaj pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë në shtëpi në pronësi në Shqipëri – 95,5%, më pas vjen Kroacia – 91,2%, Serbia – 89,9%, Maqedonia – 87,1%, Bullgaria – 86,1% dhe Greqia – 69,6%.

Janevska prezanton Ligjin e ri për arsim të lartë: Kritere më të rrepta me reformat në arsimin e lartë, studentët e dalluar do të kenë përparësi punësimi

6 February 2026 at 13:38


Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, sot e pa prezantuar propozim-ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili siç tha Janevska, do të ofrojë arsim akademik me cilësi më të lartë dhe të inkurajojë aktivitetin shkencor dhe kërkimor në vend.

Ajo tha se studentët që studiojnë në 100 universitetet më të mira në botë me bursë shtetërore ose studiojnë në Maqedoni si dhe ata që janë shpallur studentët më të mirë, do të kenë përparësi kur të punësohen në universitetet shtetërore, si staf mësimor dhe shkencor.

Ajo po ashtu bëri të ditur se është vendosur një mënyrë e re e financimit të institucioneve të arsimit të lartë.

“Po forcojmë kriteret për avancim në titujt e fakultetit. Kushdo që aplikon për zgjedhje në titullin – profesor asistent, profesor i asociuar ose profesor i rregullt, që tani e tutje, varësisht nga titulli, do të jetë i detyruar të prodhojë dhe publikojë 6 deri në 7 punime shkencore deri në kohën e zgjedhjes, nga të cilat 3 deri në 4 duhet të publikohen në një revistë me faktor ndikimi nga bazat e të dhënave Web of Science ose Scopus”, theksoi Vesna Janevska, minstre e Arsimit dhe Shkencës.

"Profesorët e rregullt të zgjedhur pasi të jenë zgjedhur, në të ardhmen pas miratimit të ligjit, do të kenë të drejtë rizgjedhjeje pas 7 vitesh. Ata që tashmë janë zgjedhur si profesorë të rregullt nuk do të mbulohen nga ky ligj, dhe komuniteti akademik do të unifikohet në të gjithë territorin. Mandati i rektorëve do të jetë 4 vjet, në vend të 3 viteve që është aktualisht, dhe modeli për zgjedhjen e një rektori do të ndryshohet gjithashtu".

“Pagat nuk janë më temë diskutimi. Ato u rritën me 14% vitin e kaluar, dhe buxheti për mbështetjen e aktiviteteve shkencore dhe kërkimore është rritur gjithashtu nga 380 milionë denarë në vitin 2024 në 773 milionë denarë këtë vit. Më shumë se dyfishi”, u shpreh theksoi Vesna Janevska, minstre e Arsimit dhe Shkencës./Telegrafi/

Promovohet hapësira e re e Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë, Aliu: Janë investuar rreth 8.3 milionë denarë

6 February 2026 at 13:10


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot vizituan ambientet e reja të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë.

Sali tha se me promovimin e sotëm është përmbyllur procesi i rikonstruksionit të kapaciteteve të reja hapësinore të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë.

"Për këtë qëllim, nga Instituti janë investuar rreth 8.3 milionë denarë. Qendra Rajonale e Transfuzionit në Tetovë, si pjesë përbërëse e Institutit, përfshin edhe tre qendra më të vogla: në Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Kjo qendër rajonale përpunon gjakun e mbledhur nga qendrat e tjera, ofron shërbime ambulatore shëndetësore për pacientët, organizon aksione për dhurimin e gjakut dhe furnizon klinikat dhe spitalet e këtij rajoni me gjak dhe produkte të gjakut,"- theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.

Ai theksoi se Ministria në vazhdimësi punon edhe për forcimin e kapaciteteve kadrovike, veçanërisht në institucionet ku janë evidentuar persona të angazhuar për një kohë të gjatë me kontrata në vepër.

"Në Institutin e Mjekësisë Transfuzive, i cili ka shërbime rajonale në mbarë vendin, në fund të vitit të kaluar përfundoi konkursi për punësim dhe tashmë janë punësuar gjithsej 48 persona, një pjesë e të cilëve edhe këtu, në Institutin e Mjekësisë Transfuzive në Tetovë. Vazhdon angazhimi ynë për forcimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore në institucionet publike shëndetësore, me qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore më të qasshme dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e vendit", shtoi Aliu.

❌
❌