Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën
TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbian Mazniku deklaroi sot se muaji korrik është afati i fundit për miratimin e reformës territoriale, ndaj nëse opozita nuk do të vijë në komision deri në 2 shkurt, do të ndryshohet formula e komisionit.
Gjatë një interviste në për “Abcnews”, Mazniku u shpreh se mazhoranca ka qenë në mënyrë sistemike jo vetëm e gatshme, por edhe me një plan shumë të ngjeshur pune drejt krijimit të reformës.
Për shkak të mungesës së opozitës në komision, Mazniku u shpreh se janë humbur dy muaj shumë të rëndësishëm.
Sipas tij në vitin 2027 janë zgjedhjet e ardhshme vendore dhe reforma territoriale, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duhet të mbyllet një vit para zgjedhjeve.
Mazniku sqaroi se kjo bëhet për t’i lënë kohë forcave politike dhe publikut për t’u mësuar me ndarjen e re territoriale.
Manziku theksoi se korriku i këtij viti është afati i fundit për të mbyllur reformën territoriale, në mënyrë që t’i jepet kohë njerëzve dhe bashkive të bëhen gati për sistemin e ri.
“Aktualisht kemi dy muaj vonesë. Ndërkohë duhet kuptuar se reforma territoriale lidhet me bashkitë dhe është jetike për të përfituar fonde nga BE për t’u fuqizuar dhe arritur nivelet e BE-së”, u shpreh Mazniku.
Edhe pse PS ka numrin e nevojshëm të votave në Kuvend për ta miratuar reformën, Mazniku theksoi se do të ishte ideale që kjo të bëhej me konsensus tërësor politik, pra me dakordësi totale prej 40 votash.
“Duhet të kemi mekanizmin e mirë për t’i ofruar shërbime njerëzve. Ne ramë dakord për barazi në komision dhe për bashkëkryesim me opozitën. Por opozita nuk ka ardhur në mbledhje dhe ne kemi humbur 2 muaj shumë të rëndësishëm me agjendë të ngjeshur pune”, tha Mazniku.
Në rast se opozita nuk do të paraqitet në komision ditën e hënë (2 shkurt), Mazniku theksoi se PS ka firmosur kërkesën për Kuvendin që të bëhet ndryshimi i formulës së përfaqësimit (9 me 8).
“Njëlloj si në komisionet e tjera parlamentare bashkëkryesia do të kalojë në pozicionin e nënkryetarit dhe do të futemi në proces pune. Opozita do të ketë vendin e saj në komision. Numri i tyre nuk preket, vendet e tyre nuk preken. Janë të mirëpritur të jenë pjesë e dëgjesave që do të zhvillohen në terren por procesi nuk ndalet, sepse ne jemi bllokuar pa filluar akoma”, tha Mazniku.
/a.f/r.e/
The post Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.