Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

U aksidentua me veturën që e vodhi, e dyshuara merr trajtim mjekësor në QKUK

24 January 2026 at 09:44


Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka raportuar në Polici se i është vjedhur vetura, ndërkaq pas një kohe është informuar se e dyshuara është aksidentuar me veturën e tij që i është vjedhur.

Rasti ka ndodhur në Ferizaj, të premten në ora 19:40.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga persona të panjohur i është vjedhur vetura me targa lokale. Pas një kohe është marr informatë se vetura është e përfshirë në një aksident, ku e dyshuara femër kosovare me probleme mendore, e cila e kishte marrë veturën ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin policor.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. /Telegrafi/

Yesterday — 23 January 2026Main stream

Gjendet i gjallë personi i zhdukur në Jezercë të Ferizajt

23 January 2026 at 16:48


Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se është gjetur personi i raportuar i zhdukur në fshatin Jezercë të Ferizajt.

Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, më 21 janar 2026, rreth orës 05:00, ishte pranuar informacion për zhdukjen e shtetasit S.P., 30 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte larguar nga një vilë në fshatin Jezercë dhe për të cilin nuk dihej vendndodhja.

Bazuar në informacionet fillestare, i njëjti dyshohej se ishte nisur me një veturë BMW me targa shqiptare në drejtim të Ferizajt dhe se mund të kishte shkaktuar një aksident trafiku në fshatin Jezercë.

Menjëherë pas pranimit të rastit, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe kanë mbledhur informacione relevante. Në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale janë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonë, si dhe janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK në Prishtinë dhe në disa ordinanca private, pa u raportuar ndonjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren.

Në kërkim janë angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës dhe Brigada e Zjarrfikësve.

Ndërkohë, më 23 janar 2026, rreth orës 15:30, një qytetar ka njoftuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur Gurra e Kadisë. Pas verifikimeve është konstatuar se bëhej fjalë për personin e kërkuar S.P., i cili më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë së rajonit të Ferizajt dhe qytetarët e angazhuar në këtë rast, duke veçuar qytetarin B. Osmani, 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.

Policia ka bërë të ditur se për informata të tjera do të njoftohet me raporte vijuese. /Telegrafi/

Zhduket një person në Ferizaj, rasti po hetohet

23 January 2026 at 09:02


Një person (shtetas i Shqipërisë) është larguar nga fshati Jezercë të komunës së Ferizajt dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se kjo ka ndodhur më 21.01.2026 dhe rasti po hetohet.

“Është raportuar se viktima mashkull shtetas i Shqipërisë është larguar nga lokacioni i lartcekur dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Ngrihet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025

22 January 2026 at 10:33

PRISHTINË, 22 janar /ATSh/ Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e parashikuar me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatë.

/KosovaPress//r.e/

The post Ngrihet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Bujqësisë vazhdon realizimi i pagesave direkte për fermerët, rritje e subvencioneve në disa sektorë bujqësorë

21 January 2026 at 15:55


Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka njoftuar se po vazhdon realizimi i pagesave për fermerët në kuadër të Programit të Pagesave Direkte.

Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë këtij viti është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të aplikuesve, me mbi 3,000 fermerë më shumë krahasuar me vitin paraprak, çka ka ndikuar që një numër i vogël i pagesave të realizohen me vonesë.

Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë rritur pagesat për njësi përkrahjeje për disa kultura dhe sektorë bujqësorë. Në sektorin e blegtorisë, është shënuar rritje e numrit të lopëve qumështore për rreth 10,000 krerë krahasuar me vitin paraprak. Në pemëtari, subvencionet janë rritur nga 450 euro në 600 euro për hektar, ndërsa pagesat direkte për dele janë rritur nga 25 euro në 30 euro për krerë. Rritje është shënuar edhe në bletari, nga 20 euro në 25 euro për koshere, si dhe në akuakulturë, nga 0.20 euro për kilogram në 0.25 euro për kilogram.

Nga MBPZHR bëhet e ditur se këto rritje kanë ndikuar që buxheti i planifikuar për subvencione të mos jetë i mjaftueshëm për realizimin e të gjitha pagesave brenda vitit 2025.

Ministria thekson se procesi i realizimit të pagesave është në zhvillim dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në përfundimin e plotë të të gjitha pagesave të parapara sipas Programit të Pagesave Direkte.

MBPZHR ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbështetjen e vazhdueshme të sektorit të bujqësisë dhe fermerëve në vend, duke falënderuar fermerët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/


Përleshje masive në Gaçkë të Ferizajt, pesë prej tyre të mitur

21 January 2026 at 10:43


Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur.

Rasti ka ndodhur në fshatin Gaçkë të Ferizajt, të martën në ora 22:55.

“Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur. Dy nga të dyshuarit kanë marr lëndime trupore nga mjeti i mprehtë (thikë) dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.

Pesë të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuarit tjerë të mitur janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Komuna e Hanit të Elezit njofton për thirrjen e aplikimeve për pagesa direkte në sektorin e blegtorisë dhe akuakulturës

19 January 2026 at 15:40


Komuna e Hanit të Elezit bën të ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur thirrjen për aplikim për Programin e Pagesave Direkte për vitin 2025, duke mbështetur sektorin e blegtorisë dhe akuakulturës.

Fermerët dhe subjektet e regjistruara mund të aplikojnë për pagesa direkte për: qumësht sipas kategorive të cilësisë, therjet e raportuara të gjedhit, akuakulturë, viçat për majmëri dhe zogjtë për majmëri (brojlerë). Afati i aplikimit fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.

Kriteret për secilën kategori përfshijnë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve në sistemin AUV, dorëzimin e sasisë minimale të produkteve bujqësore sipas kategorive përkatëse, si dhe dokumentacion të plotë për cilësinë, kontratat dhe pagesat e kryera.

Subvencionimi bëhet në bazë të sasive dhe klasave të produkteve:

  • Qumësht: 0.07 €/litër (Klasa Ekstra), 0.04 €/litër (Klasa e Parë), 0.02 €/litër (Klasa e Dytë)
  • Gjedh i therur: 50 €/krerë
  • Viça për majmëri: 25 €/krerë
  • Zogj për majmëri (brojlerë): 0.20 €/zog
  • Akuakulturë: 0.30 €/kg peshk të shitur

Dokumentacioni i detajuar për çdo kategori dhe mënyra e subvencionimit janë të qarta në thirrjen e hapur nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila garanton mbështetje të plotë dhe transparencë për fermerët dhe subjektet aplikues.

Për informacione shtesë, aplikuesit mund të konsultohen me uebfaqen e zyrës së komunës së Hanit të Elezit dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/


KOSTT merr pronësinë e ngastrës në Sojevë për vendosjen e baterive 90 MWh për ruajtjen e energjisë

19 January 2026 at 14:55


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT, ka marrë pronësinë e ngastrës në fshatin Sojevë të Ferizajt, ku do të vendosen bateritë me kapacitet 90 MWh për ruajtjen e energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Ferizajt dhe KOSTT-it, duke i hapur rrugë avancimit të punimeve në kuadër të programit kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC.

Bateritë e planifikuara do të shërbejnë për ruajtjen e energjisë në periudhat kur ka tepricë prodhimi dhe për rikthimin e saj në rrjet në momentet e rritjes së kërkesës, me synim sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm dhe me kosto më të përballueshme për konsumatorët.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se ky projekt përfaqëson një tjetër rezultat konkret të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kontribuar në ndërtimin e infrastrukturës që forcon sigurinë energjetike të vendit dhe përmirëson shërbimin për qytetarët. /Telegrafi/


Komuna e Shtimes njofton hapjen e thirrjes për Pagesa Direkte në sektorin e blegtorisë

19 January 2026 at 14:12


Komuna e Shtimes ka njoftuar qytetarët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur thirrjen për aplikim në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, duke vazhduar mbështetjen për sektorin e blegtorisë.

Sipas njoftimit, përkrahja financiare përfshin pagesa direkte për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat për majmëri, për zogjtë për majmëri (brojlerët), si dhe për akuakulturë, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga programi përkatës.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00, ndërsa fermerët e interesuar ftohen të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara për të përfituar nga këto skema mbështetëse.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje bujqve dhe blegtorëve që për informacione shtesë dhe procedurat e aplikimit të ndjekin njoftimet zyrtare të Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/


Qytetari nga Ferizaj gjen portofol me para dhe dokumente, i dorëzon në Polici

18 January 2026 at 18:12


Një gjest shembullor qytetar është shënuar në Ferizaj, ku një qytetar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici.

Sipas njoftimit, më 18 janar 2026, rreth orës 16:00, qytetari A. Rexhepi, 32 vjeç nga Ferizaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në parkingun e “Viva Fresh Store”, ka gjetur një portofol që përmbante para dhe dokumente personale.

Në portofol ndodheshin 1,133.50 euro, 10 franga zvicerane, 5 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale në emër të B. Ç., 29 vjeçe. Pas identifikimit, pronarja e portofolit është kontaktuar nga Policia dhe është paraqitur në Stacionin Policor në Ferizaj, ku i janë kthyer të gjitha paratë dhe dokumentet.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin A. Rexhepi për veprimin e tij human dhe shembullor, duke vlerësuar lart ndershmërinë dhe përgjegjësinë e tij qytetare.

Detyroi viktimën të shikojë materiale pornografike, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

18 January 2026 at 09:52


Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar, mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ndaj një viktime, femër kosovare.

Sipas hetimeve fillestare, i dyshuari dyshohet se në mënyrë sistematike, në lokacione dhe kohë të ndryshme, e ka detyruar viktimën të shikojë materiale audio-vizuale me përmbajtje pornografike në telefonin e tij.

Po ashtu, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar edhe bashkëshorten e tij, femër kosovare. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka mohuar pretendimet e viktimës.

Me vendim të prokurorit kompetent, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e hetuesisë. /Telegrafi/

ZKA fillon auditimin mbi sigurinë e nxënësve në shkollat publike

16 January 2026 at 12:08


Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar fillimin e auditimit të performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”, i cili do të përqendrohet në klasat VI-XII për periudhën 2022-2025, në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.

Sipas ZKA-së, ky auditim synon vlerësimin e sigurisë dhe përshtatshmërisë së ambientit shkollor, si dhe të mekanizmave që institucionet përgjegjëse kanë vendosur për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë që nxënësit të kenë një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre akademik dhe personal”, ka bërë të ditur ZKA.

Fushëveprim i auditimit përfshin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit, si dhe Drejtoritë e Arsimit në komunat e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës.

Po ashtu, në auditim mund të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe drejtoritë e saj rajonale, si dhe Qendrat për Punë Sociale të tri komunave të përfshira.

ZKA ka theksuar se auditimi do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe dobësive në menaxhimin e sigurisë në shkolla dhe do të ofrojë rekomandime për përmirësim të mekanizmave ekzistues, në funksion të mbrojtjes së nxënësve dhe zhvillimit të një ambienti arsimor më të sigurt. /Telegrafi/


Vishi: Reçaku mbetet plagë e hapur dhe thirrje e përhershme për drejtësi

15 January 2026 at 13:49


Me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka kujtuar civilët e pafajshëm të vrarë në këtë masakër, duke e cilësuar Reçakun si një plagë të hapur në kujtesën kolektive dhe një thirrje të vazhdueshme për drejtësi.

Në një njoftim publik, Vishi ka theksuar se, ndonëse në Reçak u shuan jetë të pafajshme, e vërteta nuk u shua kurrë.

“Reçaku mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë. Aty u shua jeta e civilëve të pafajshëm, por kurrë nuk u shua e vërteta dhe kërkesa për drejtësi”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Kaçanikut ka shtuar se dhimbja e Reçakut përbën obligim moral për brezat e sotëm dhe të ardhshëm që të mos harrojnë dhe të nderojnë sakrificën për liri.

“Dhimbja e Reçakut na obligon të mos harrojmë dhe të nderojmë përjetësisht ata që u flijuan për liri”, ka theksuar Vishi.

Në përfundim të mesazhit të tij, Vishi ka nderuar të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, duke shprehur respekt të veçantë për viktimat e Masakrës së Reçakut.

“Lavdi të rënëve të Reçakut! Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


Aliu: Masakra e Reçakut ishte gjenocid – drejtësia mbetet kërkesë gjithëpopullore

15 January 2026 at 13:45


Me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka kujtuar martirët e këtij fshati, duke nderuar sakrificën për liri dhe duke ritheksuar kërkesën gjithëpopullore për drejtësi.

Në një postim në Facebook, Aliu ka vlerësuar Masakrën e Reçakut si një nga krimet më të rënda të kryera nga shteti serb ndaj popullatës civile shqiptare. “Në Reçak, shteti serb me ushtrinë e policinë gjakatare, kreu gjenocid, një nga masakrat më të llahtarshme mbi popullatën e pafajshme civile, pa kursyer të moshuarit e fëmijët, gratë e burrat e këtij fshati”, ka shkruar ai.

Kryetari i Ferizajt ka theksuar se liria e Kosovës është arritur përmes sakrificës sublime të dëshmorëve dhe martirëve, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë. “Liria e Kosovës erdhi me gjak dëshmorësh e martirësh, me luftën e luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me aleatët tanë ndërkombëtarë në Paktin NATO, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Aliu.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker, për rolin e tyre në ndërkombëtarizimin e krimeve të kryera në Reçak.

“Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadorit të OSBE-së, William Walker, që ia shpalosën botës së civilizuar këtë gjenocid, këtë krim makabër që kreu Serbia, për t’i dhënë më pas kthesë vendimtare luftës për lirinë e Kosovës”, ka shkruar ai.

Në përfundim, Aliu ka nderuar të rënët për liri, duke theksuar se kujtesa dhe respekti për ta do të mbeten të përhershme. “Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Lavdi martirëve të Reçakut! Lavdi të rënëve për liri!”, ka përfunduar kryetari i Ferizajt. /Telegrafi/


Kryetari i Hanit të Elezit përkujton viktimat e Masakrës së Reçakut

15 January 2026 at 11:46


Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka përkujtuar sot viktimat e Masakrës së Reçakut, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtesës historike.

“Masakra e Reçakut mbetet një nga dëshmitë më të rënda të krimeve kundër civilëve shqiptarë në Kosovë. Më 15 janar 1999, 45 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht, vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin të jetonin të lirë në vendin e tyre”, ka shkruar Ballazhi në Facebook.

Ai shtoi se kujtimi i viktimave është një obligim moral dhe historik: “Kujtimi i viktimave të Reçakut është obligim moral dhe historik, për të mos harruar kurrë, për të kërkuar drejtësi dhe për të mos lejuar që e vërteta të mohohet. Lavdi të rënëve dhe nderim i përjetshëm për martirët e Reçakut”.

Ballazhi bëri thirrje që vlera e sakrificës së viktimave të mbetet një mësim për brezat e rinj dhe një kujtesë për të ruajtur lirinë dhe drejtësinë. /Telegrafi/


Zyrtare: Benato Bekima Claude, përforcimi i ri i Ferzajt

13 January 2026 at 21:15


FC Ferizaj ka njoftuar nënshkrimin e Benato Bekima Claude, sulmuesi 19-vjeçar nga FC Riga, i cili do të jetë pjesë e skuadrës bardhë e kaltër.

Lojtari është gjithashtu pjesë e Kombëtares U21 të Kamerunit, dhe pritet të kontribuojë në repartin ofensiv të klubit.

Klubi thekson se Bekima është një shtesë për të përforcuar skuadrën dhe për të dhënë mundësi zhvillimi për talentet e reja.

“Besojmë se do të përshtatet mirë në ekip dhe do të ndihmojë skuadrën gjatë pjesës së mbetur të sezonit”, thuhet në njoftimin zyrtar.


FC Ferizaj në i uroj mirëseardhjen dhe i uron një start të suksesshëm me fanellën bardhë e kaltër. /Telegrafi/

Hapet për qarkullim rruga Prishtinë–Ferizaj pas përmbytjeve

13 January 2026 at 18:36


Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga nacionale Prishtinë–Ferizaj, në të dy drejtimet, përfshirë aksin rrugor në afërsi të “Prishtina Mall”, është hapur për qarkullim normal të automjeteve.

Sipas njoftimit, rruga kishte mbetur e bllokuar për disa ditë si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut.

Pas përfundimit të punimeve dhe largimit të pengesave të përkohshme, lëvizja e automjeteve tashmë zhvillohet pa kufizime dhe në kushte të rregullta trafiku.

Policia ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse mbeten të angazhuara në monitorimin e vazhdueshëm të situatës në terren, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së komunikacionit.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë vozitësit që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe rregullat e trafikut, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Komuna e Shtimes vendos regjim të veçantë të qarkullimit më 15 janar, në përvjetorin e Masakrës së Reçakut

13 January 2026 at 15:23


Komuna e Shtimes ka njoftuar se më 15 janar do të zbatohet një regjim i veçantë i qarkullimit rrugor, me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut dhe aktiviteteve përkujtimore që do të zhvillohen gjatë kësaj dite.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë në kuadër të takimeve koordinuese për organizimin e “Ditëve të Reçakut”, të zhvilluara me Policinë e Kosovës, dhe bazuar në masat e sigurisë të prezantuara nga autoritetet policore.

Rrugëtimi i organizuar do të zhvillohet në një drejtim. Ai do të nisë nga qyteti i Shtimes përmes rrugës “Tahir Sinani”, duke vazhduar drejt rrugës së Prizrenit. Hyrja në fshatin Reçak do të bëhet përmes rrugës “Lidhja e Prizrenit” (nga enti special), e cila do të shërbejë vetëm për hyrje, ndërsa qarkullimi do të jetë njëkahor deri te Memoriali në Reçak.

Pas përfundimit të homazheve, kthimi do të realizohet po ashtu në një drejtim, përmes rrugës “15 Janari”, duke vazhduar në rrugën “William Walker” deri në dalje. Qytetarët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe rrugën unazore (rrugën e re) për t’u kthyer drejt Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Shtimes.

Nga Komuna e Shtimes sqarojnë se rrugët “William Walker” dhe “15 Janari” nuk do të shfrytëzohen për hyrje, por vetëm për dalje. Gjithashtu, do të ketë mbyllje në hyrje të rrugës “William Walker”, si dhe në afërsi të rrugës “Qorr Ilazi” nga drejtimi i fshatit Petrovë, e cila do të shërbejë vetëm për dalje.

Sa i përket parkimit, parkingu pranë Memorialit në Reçak do të jetë i dedikuar vetëm për krerët e shtetit, ambasadorë, delegacione të larta dhe familjarë të martirëve, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta për shkak të moshës. Parkim shtesë do të sigurohet në oborret e familjarëve në fshatin Reçak, në oborrin e shkollës në Çestë të Reçakut, si dhe pranë Shtëpisë së Kulturës në Shtime, ku parkimi do të jetë i rregulluar gjatë mbajtjes së Akademisë Përkujtimore. Hapësirat përreth Bibliotekës do të jenë gjithashtu në dispozicion për pjesëmarrësit.

Komuna e Shtimes u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe shenjëzimin rrugor, në mënyrë që aktivitetet përkujtimore të zhvillohen me dinjitet dhe pa pengesa. /Telegrafi/


Në kujtim të Reçakut, Shtimja mbyll bizneset më 15 janar

13 January 2026 at 09:46


Komuna e Shtimes ka njoftuar se e enjtja, 15 janar 2026, do të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset që operojnë në territorin e komunës, në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të rënë në Masakrën e Reçakut.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Shërbime Publike, vendimi është marrë në bazë të rregullores komunale në fuqi dhe ka për qëllim shënimin e Ditës Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila ka rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare.

Në këtë ditë, të gjitha subjektet afariste obligohen të jenë të mbyllura, përveç disa veprimtarive esenciale. Lejohet të punojnë vetëm furrat e bukës, barnatoret farmaceutike, pikat e shitjes së karburanteve dhe sektori i gastronomisë.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se për kujdestari janë caktuar disa biznese të veçanta, të cilat do të ofrojnë shërbime për qytetarët gjatë kësaj dite pushimi.

Autoritetet komunale kanë bërë thirrje për respektimin e këtij vendimi, duke theksuar se mbyllja e bizneseve më 15 janar është një shprehje respekti dhe përkujtimi për viktimat e Masakrës së Reçakut. /Telegrafi/


Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

12 January 2026 at 19:52


Një qytetar nga Ferizaj, A. Cakolli, 61 vjeç, ka treguar shembull të veçantë përgjegjshmërie dhe ndershmërie qytetare, duke dorëzuar një shumë të parave që i kishte gjetur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në stacionin policor të qytetit.

Ngjarja ka ndodhur më 12 janar 2026, rreth orës 16:00. Paratë janë numëruar në prezencë të qytetarit, dhe për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa është iniciuar “Shënim zyrtar”.

Mjetet e gjetura ruhen aktualisht në stacionin policor të Ferizajt.

Policia bën apel tek pronari i ligjshëm i shumës që të paraqitet në stacion për verifikim dhe tërheqje të parave.

Policia Rajonale e Ferizajt falënderon qytetarin për gjestin shembullor dhe human, i cili tregon përgjegjshmëri dhe ndershmëri qytetare.

Me këtë veprim, qytetari A. Cakolli jep një shembull të mirë për komunitetin dhe për respektimin e ligjit.

❌
❌