FOKUS – Erdogan diskuton bashkëpunimin rajonal gjatë turneut në Arabinë Saudite dhe Egjipt
STAMBOLL, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po viziton sot Arabinë Saudite dhe nesër Egjiptin për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve dypalëshe si edhe zhvillimet rajonale dhe globale, njoftoi zyra e tij e komunikimit.
”Erdogan pritet të takohet në Riad me princin e kurorës Mohammed bin Salman për të shqyrtuar hapat drejt forcimit të lidhjeve diplomatike dhe ekonomike”, bëri të ditur zyra e tij në platformën X.
Erdogan do të udhëtojë nesër drejt Kajros për të bashkëkryesuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik Turqi–Egjipt me presidentin Abdel Fattah al-Sisi, ku bisedimet do të kenë fokus të veçantë mbi Palestinën.
Presidenti turk pritet gjithashtu të marrë pjesë në një forum biznesi në kryeqytetin egjiptian.
”Vizitat e njëpasnjëshme vijnë në një kohë kur Ankaraja po përpiqet të rindërtojë lidhjet e sigurisë dhe diplomacisë me partnerë kyç në Lindjen e Mesme pas luftës në Gaza, duke synuar njëkohësisht rritjen e tregtisë dhe investimeve”, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve AA.
Vizitat pasqyrojnë edhe dëshirën e Arabisë Saudite dhe Egjiptit për një koordinim më të ngushtë me Turqinë.
Ky ndryshim vjen në mes të shqetësimeve në rritje për rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal dhe dyshimeve gjithnjë e më të mëdha mbi besueshmërinë e garancive të sigurisë nga SHBA-ja./ / Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Erdogan diskuton bashkëpunimin rajonal gjatë turneut në Arabinë Saudite dhe Egjipt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.