Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Arratisja e Ndocit, Gjykata lë në burg tre të arrestuar, pesë të tjerë në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje

17 January 2026 at 15:08


Gjykata e Durrësit këtë të shtunë ka marrë vendimin lidhur me masat e sigurisë ndaj 8 të arrestuarve lidhur me arratisjen e të dënuarit, Altin Ndoci. Gjykata la nën masën “arrest me burg” Dezdemon Pazajan, Sali Ferrollarin dhe Fatjon Baçin.

Në arrest shtëpie u lanë Aulon Çuku dhe Violeta Uka. Ndaj Aranit Çelës, Preng Marvatajt dhe Dorjan Saracit u vendos masa “detyrim paraqitje”, raporton euronews.al

Mes tyre janë edhe 6 efektivë të Policisë së Burgjeve, shefi i komanduar i policisë së burgut, si dhe kryeinfemieri i IEVP Durrës.

Një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.

I paraburgosuri, Altin Ndocit u arratis këtë të martë më 13 janar nga ambientet nga spitali Infektiv i Durrësit. Ndoci i shoqëruar nga dy efektivë të policisë së burgut u paraqitën në spital për të kryer kontrolle dhe ekzaminime ndaj të paraburgosurit.

Ndoci gjatë kryerjes së analizave ka përfituar nga momenti dhe ka goditur efektivët që prisnin jashtë derës së laboratorit. Mësohet se gjithashtu është qëlluar me arme gjate momentit të arratisjes së tij.

Pas arratisjes, Ndoci ka shkuar pranë një parkimi ku e priste një makinë Audi e bardhë A7 me targa AA700RS, e cila e ka larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për vrasje, grup kriminal etj. Ndoci është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë vëllai i Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk.

Ai u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës.

Pritje madhështore për gjeneralin Jashari në Gardën Kombëtare të Ajovës, FSK publikon pamje

17 January 2026 at 14:51


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari ka marr pjesë në fjalimin vjetor të Agjutantit të Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës.

Me rastin e fjalimit vjetor të gjeneralit Stephen Osborn, gjenerallejtënant Jashari u prit me nderime të larta nga senatorët dhe kongresmenët në legjislativin e Ajovës.



Ne këtë rast, Gjeneral Jashari pati rastin të takoi Guvernatoren e shtetit të Ajovës si dhe kongresmenët dhe senatorët e shtetit të Ajovës, të cilët i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të SHBA-së për Republikën e Kosovës.

Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se ky aktivitet shënon përfundimin e suksesshëm të vizitës zyrtare të Komandantit të FSK-së në Ajova, ku edhe një herë dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës. /Telegrafi/

Filmi për Kosovën i transmetuar në televizion publik gjerman ARD, Robelli: Deformim, paragjykim, propagandë, madje edhe racizëm

17 January 2026 at 14:34


Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka reaguar lidhur me filmin “Kill Me Today, Tomorrow I'm Sick!” (“Më vrit sot, nesër jam i sëmurë!”) që është transmetuar në televizionin publik gjerman ARD, duke thënë se është deformim, paragjykim, propagandë, madje edhe racizëm.

Robelli po ashtu thekson se filmi deformon historinë e luftës në Kosovë.

Lexoni të plotë, pa ndërhyrje postimin e Robellit në Facebook:

Deformim, paragjykim, propagandë, madje edhe racizëm: mbi një film për Kosovën të shfaqur në televizionin publik gjerman ARD

Magazina për kritikë të filmit në Gjermani “Kino-Zeit” (“Koha për kinema”) në një kritikë për filmin “Kill Me Today, Tomorrow I'm Sick!” (“Më vrit sot, nesër jam i sëmurë!”) që në hyrje shkruan: “Joachim Schroeder, i njohur për filmat e tij dokumentarë, tenton të realizojë bashkë me Tobias Streck një film artistik mbi Kosovën dhe misionet paqeruajtëse që erdhën në vend pas luftës - a ia dalin mbanë ata?”

E shikova mbrëmë këtë film në mediatekën e televizionit gjerman ARD dhe përgjigjja është: autorët e filmit jo vetëm që nuk ia dalin, por kanë arritur - në vitin 2018! - të prodhojnë një film thellësisht paragjykues e propagandistik, i cili deformon historinë e luftës në Kosovë. Me bollëk përdoren edhe klishetë raciste. Shqiptarët e Kosovës i trajtojnë gratë si shtazët. Edhe më keq: janë myslimanë dhe pothuaj të gjitha gratë e tyre janë të mbuluara. Kryengritësit e dikurshëm, të lavdëruar si çlirimtarë, mbajnë një kasaphanë ku u heqin organet civilëve serbë dhe i çojnë në Budapest për shitje. Kështu pretendon filmi.

Krimet e luftës të kryera me plan nga shteti serb ndaj popullsisë civile shqiptare nuk përmenden fare. Me të drejtë magazina gjermane “Kino-Zeit” shkruan: “Është mëkat, mbi të gjitha, që kësisoj lihet anash rrëfimi fillimisht i rëndësishëm mbi sulmet ndaj pakicave në Kosovën e pasluftës, por edhe mizoritë e mëparshme të luftës dhe politika kolonialiste e Serbisë ndaj banorëve të Kosovës - të cilat në film pothuajse janë injoruar plotësisht.”

Aktorët janë nga hapësira gjermane, serbë apo me origjinë sllave nga ish-Jugosllavia. Filmi është xhiruar në Novi Pazar dhe në Tirolin Jugor. Aktorët nuk dinë shqip. Andaj kur flasin shqip, ata tingëllojnë sikur mbajnë gurë në gojë.

Ngjarja vendoset në Kosovën e vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur organizatat ndërkombëtare zbarkojnë në Prishtinë. Në qendër të filmit është Anna Neubert, një punonjëse e OSBE-së, e cila mbërrin me idealizmin e “shpëtimtares perëndimore”, e bindur se urrejtja ndëretnike mund të zhduket shpejt.

Megjithatë, entuziazmi i saj zbehet sapo ballafaqohet me realitetin në terren. Ajo vëren se misioni nuk po funksionon sipas planeve: dhuna ndaj civilëve serbë vazhdon, ndërsa OSBE-ja duket e painteresuar për të hetuar këto raste apo për të mbajtur përgjegjës figurat e fuqishme lokale (si personazhi Rhaci, i cili i ngjan Hashim Thaçit; rolin e tij e luan aktori serb Boris Millivojeviq). Anna fillon të dyshojë thellësisht te misioni dhe te njerëzit që e rrethojnë, të cilët rezultojnë të jenë të korruptueshëm dhe larg idealeve që proklamojnë. Ata ose përfundojnë te ndonjë prostitutë, ose kalojnë kohën duke treguar barcoleta seksiste.

Gjermania Anna Neubert i ndihmon shoferit të saj Plaka (Carlo Ljubek, aktor gjerman me prindër kroatë) të hap një radio multietnike, gazetarët e së cilës i sulmon me armë një bashkëpunëtor i afërt i “komandant Rhacit”. Kur nuk vret, bashkëpunëtori bën seks në tualetin e një bari në Prishtinë me një ndërkombëtar të OSBE-së, të cilin pastaj e vret me gjakftohtësi - po në tualet.

Në këtë film aludohet se shqiptarët i kanë inskenuar viktimat e luftës dhe bartin fajin për shkatërrimin e Jugosllavisë. Një fotografi e Josip Broz Titos bartet nga skena në skenë si dëshmi e rrejshme e parajsës jugosllave.

Po e citoj në fund sërish magazinën gjermane “Kino-Zeit”, e cila kritikën e përmbyll me këtë konstatim të drejtë: “Kill me today, Tomorrow I’m sick! përfaqëson mjerisht pikërisht atë sjellje hegjemoniste të Perëndimit ndaj Ballkanit, të cilën përpiqet gjoja ta kritikojë. Kështu, për shembull, personazhet gjermanë shfaqen me emër dhe mbiemër - ndërsa kjo gjë u mohohet natyrshëm figurave serbe dhe shqiptare, sikur të mos ishte asgjë e veçantë. Kjo vërehet njëlloj te produksioni, te politika e imazhit dhe te shakatë e personazhet shpesh të cekët, të cilët shërbejnë më shumë si shembuj për etni apo fe të tëra, sesa si personazhe të vërteta filmi, veprimet e të cilëve motivohen nga karakteri i tyre”.

Filmi ka qëndruar me ditë të tëra në mediatekën e ARD-së. Mbrëmë ka përfunduar afati i shfaqjes online. Ky film që pretendon të jetë artistik, duket si zgjatim i filmit gjoja dokumentar të ARD-së nga viti 2001 “Filloi me një rrenë” (“Es begann mit einer Lüge”), në të cilin deformohej historia e luftës së Kosovës dhe politikanët gjermanë akuzoheshin si gënjeshtarë që mashtruan opinionin për të siguruar përkrahjen e parlamentit për sulmet e NATO-s kundër Serbisë. Nuk është befasi që Sllobodan Millosheviqi me kënaqësi e citoi këtë dokumentar në procesin gjyqësor kundër tij në Hagë. /Telegrafi/


Rinumërohen 316 nga 914 vendvotime, në QNR shtohet numri i ekipeve numëruese

17 January 2026 at 13:59


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 17 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 316 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (43/235).

“Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë gjatë pjesës tjetër të ditës, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është shtuar numri i tavolinave për rinumërim, nga 20 në 26 sosh”, thuhet në njoftim.

Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/

​Krimet e Serbisë në Kosovë, 11 aktakuza të ngritura vitin e kaluar

17 January 2026 at 13:56


11 aktakuza për krime lufte janë ngritur deri në dhjetorin e vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhë janë akuzuar 36 persona, në mesin e tyre 33 për gjykim në mungesë.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, derisa ka thënë se numri total i aktakuzave në mungesë është 20, ku akuzohen 102 persona, shkruan KosovaPress.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ju njofton se gjatë vitit 2025, konkretisht deri më 01 dhjetor të këtij viti janë ngritur 11 aktakuza për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile. Gjatë kësaj periudhe janë akuzuar 36 persona, prej tyre 33 persona të akuzuar për gjykim në mungesë, ndërsa janë parashtruar 8 kërkesa për caktim te paraburgimit ndaj 10 personave. Ndërsa, numri total i rasteve me aktakuza është: 74 raste me 80 aktakuza ndaj 216 personave. Numri i aktakuzave të dorëzuara me gjykim në mungesë është: 20 aktakuza për gjykim në mungesë ndaj 102 personave”, thuhet në këtë përgjigje.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani flet për vështirësitë që kanë autoritetet vendore për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës. Ai thekson se ka kaluar kohë e gjatë dhe se “provat janë lehtësisht të zhdukshme”.

“Mirë është bërë që është lejuar gjykimi në mungesë për krimet e luftës, domethënë krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimit e luftës. Edhe pse në aspektin e efekteve nuk besoj që ka me pasur shumë efekte, për faktin se ligji atje thotë se në momentin që personat e tillë bëhen të qasshëm për organet e ndjekjes të Kosovës, procedura, nëse ata kërkojnë, duhet menjëherë të rigjykohen, të kthehet edhe njëherë çështja nga e para.

Kështu që problem është e para për t'i pasur të qasshëm për ta mbajtur dënimin dhe nëse vendimet marrin formën e prerë. E dyta ne e dimë që nuk kemi kurrfarë bashkëpunimi me Serbinë që pak është e besueshme se ajo mund t'i dorëzojë personat e tillë. Besoj që pavarësisht çfarë do presioni që i zhvillohet, ajo nuk është e gatshme që t'i dorëzojë. Kështu që e para është vështirë për të besuar se ato do të dorëzohen në Kosovë për ta mbajtur dënimin dhe e dyta është problem që Serbia të ekzekutojë vendimet tona edhe nëse ndërkohë arrin ndonjë marrëveshje”, thotë Hasani.

Ai thotë ndër tjera se është me rëndësi që Kosova të ketë aktgjykime të formës së prerë për krime lufte.

“Domethënë ato mund të ngelin vetëm aktgjykime në letër, po që mos të ekzekutohen kurrë. Po sido që të jetë, për neve është me rëndësi që Kosova me pas procese të përfunduara, me pasur aktgjykime të formës së prerë, pastaj e kemi më lehtë edhe në raport të negociatave që patjetër do të zhvillohen në të ardhmen me Serbinë, që ato vendime të ekzekutohen ose eventualisht që të personat e dënuar që të dorëzohen në Kosovë për ta mbajtur dënimin”, shton ai.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se vitet e fundit kanë dominuar aktakuzat në mungesë për krime lufte.

“Këto dy-tre vitet e fundit gjykimet në mungesë apo aktakuzat të cilat ngriten ndaj të akuzuarve të cilët nuk gjenden në territorin e Kosovës janë duke dominuar karshi aktakuzave ndaj personave të cilët janë të arrestuar apo të cilët janë prezent në gjykatë. Siç e kemi parë edhe këtë vit ka pasur edhe aktgjykim të shkallës së parë edhe për dhunim seksual si krime lufte ndaj dy personave të akuzuar në mungesë. Ky është aktgjykimi i parë në mungesë për këtë lloj të veprës penale, pra të dhunimit seksual. Më herët ka pasur edhe dy apo tre aktgjykime të tjera të shkallës së parë në mungesë”, shprehet Alija.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e konsideron vitin 2025 si vit të drejtësisë.

Fatmire Haliti nga kjo organizatë thotë se ka pasur progres në aspektin e qasjes në drejtësi të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Gjatë vitit 2025 janë zhvilluar dhe kanë përfunduar tre gjykime për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, ndërsa dy gjykime janë duke u zhvilluar aktualisht, ku presim që të kemi gjykime sa më shpejt që është e mundur. Në mesin e tre gjykimeve që janë mbajtur, kemi një aktgjykim dënues me 15 vjet burgim, ku i akuzuari është dënuar dhe është në vuajtje të dënimit, si dhe kemi aktgjykimin e parë në mungesë për dhunë seksuale, ku janë dënuar dy kryes të dhunës seksuale me nga 15 vjet burgim.... Pra, në vitin 2025 e kemi pasur aktgjykimin e parë në mungesë, ku janë dënuar dy të akuzuar, Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, me nga 15 vjet burgim. Dhe ky rast domethënë ka hapur rrugë edhe për raste të tjera, ka krijuar domethënë një farë standardi se si të trajtohen, duke pasur parasysh që janë raste më të ndjeshme për sistemin e drejtësisë, sepse duhet të ndjekin një varg procedurash paraprakisht para se të fillojnë procesi gjyqësor”, përfundon Haliti.

Aktgjykimi i parë në mungesë është shpallur gjatë vitit 2024, ku i dënuari është Çedomir Aksiq i cili kreu krime lufte në Reçak, Mulapolc dhe Petrovë - fshatra në komunën e Shtimes.

Kurti bën homazhe në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

17 January 2026 at 13:32


Në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, nga agjentët e UDB-së famëkeqe, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, në fshatin Dubovik.

Kryeministri Kurti tha se sot bëjnë nderime, duke kujtuar se si, edhe para suprimimit të autonomisë, vendi ka pasur patriotë të jashtëzakonshëm, veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan duke sakrifikuar gjithçka për shtetin dhe lirinë, të cilën e kemi dhe e gëzojmë sot.

“Edhe para luftës, shqiptarët nën Jugosllavi e Serbi nuk kishin paqe dhe për këtë janë dëshmi edhe demonstratat e shumta të organizuara, por gjithashtu edhe ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë”, u shpreh kryeministri.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë më pak se një vit, pas demonstratave të vitit 1981, në kohën kur organizata të shumta të fshehta të kohës po bëheshin bashkë dhe Jugosllavia e Serbia, i goditën pikërisht Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, atëherë kur po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha organizimi për Republikën e Kosovës dhe për çlirimin e popullit tonë, u shpreh ndër të tjerash.

Jusuf Gërvalla, gjithashtu, tha Kryeministri, përveçse patriot, ishte edhe publicist, poet e shkrimtar, krijues, gazetar e intelektual, të cilit edhe kjo veprimtari artistike, e pasur, ju ndërpre përgjysmë.

“Prandaj, me vrasjen e Jusufit, nuk kemi humbur vetëm një veprimtar dhe nuk është shtyrë vetëm bashkimi i organizatave shqiptare të asaj kohe, por njëkohësisht kemi humbur edhe një veprimtari artistike e kulturore, e cila nuk u shtrua asnjëherë për shkak se jeta e tij u këput përgjysmë”, tha ai.

Kryeministri Kurti theksoi se progresi e siguria që ka shteti sot, faktorizimi i kombit shqiptar në përgjithësi, jo vetëm në Ballkan, është dëshmi që populli në përgjithësi ka ecur rrugës së tij dhe se ato flijime e sakrifica, padyshim që ia kanë vlejtur fort. /Telegrafi/

45 vjet nga vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, presidentja: Ishte sakrifica e tyre që e trasoi rrugën përpara të popullit tonë

17 January 2026 at 13:20


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë bënë homazhe në përvjetorin të 45-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se 17 janari është një prej ditëve më të kobshme për popullin e Kosovës, është dita kur u vranë mizorisht Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Ajo po ashtu tha se në këtë ditë është vrarë edhe Smajl Hajdaraj.

“Një ditë e humbjeve të shumëfishta, por njëkohësisht një ditë e një krenarie të madhe për kombin tonë... Ata u shndërruan në zërin e një populli të robëruar dhe në kohë shumë të rënda rrezikuan gjithçka dhe u shndërruan në flakadanë të lirisë. Ishte sakrifica e tyre që e trasoi rrugën përpara të popullit tonë në mënyrë që ne sot ta gëzojmë këtë shtet për të cilin ata dhanë gjithçka”, tha presidentja. /Telegrafi/

Nuk i deklaroi 38 mijë dollarë në kufi, 67-vjeçarit në shtëpinë e tij në Korçë i gjenden edhe 35 mijë euro

17 January 2026 at 13:03


Policia e Shtetit ka njoftuar për një rast të mosdeklarimit të të hollave në pikën kufitare Kapshticë.

Në njoftim, Policia e Shtetit bën të ditur se i dyshuari kishte tentuar t’i fshehte në trup 38 mijë dollarë amerikanë.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Gj. F.

Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë të padeklaruara’, thuhet në njoftim.

Më tej, gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën edhe 35 000 euro. Shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

Rama në mbledhjen me kryebashkiakët: Realizoni 1 mijë investime, në të kundërtën nuk rikandidoni

17 January 2026 at 12:53


Kryeministri Edi Rama ka vendosur një objektiv të qartë për kryetarët e bashkive, realizimi i 1 mijë investimeve në të gjithë vendin përmes Paketës së Maleve, ndryshe nuk do të kenë mundësi të ri-kandidojnë.

Deklarata erdhi gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët, një ditë pas takimit me Grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama paralajmëroi edhe ndryshime kushtetuese brenda këtij mandati.

“Nuk mundet dot të rrini e të prisni vetëm nga buxheti i shtetit, duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë”, tha Rama, duke theksuar se faza e parë e Paketës së Maleve nuk ka përfunduar ende në disa bashki, pavarësisht interesit të lartë nga shqiptarët jashtë vendit, shkruan A2 CNN.

Ai shtoi “ambicia është 1 mijë investime nga kjo paketë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim nëse nuk do jetë arritur targeti i këtij projekti”.

Rama theksoi se edhe investimet më modeste, prej 50 mijë eurosh, kanë ndikim të madh në ekonominë vendore dhe duhet të trajtohen me seriozitet maksimal.

Kryeministri kërkoi gjithashtu nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të jetë në dispozicion të bashkive për hartat dhe nga ministri Demo të vendosë targetin për secilën bashki. Ai njoftoi edhe krijimin e një agjencie të re për të rritur cilësinë e planifikimit dhe projektimit, si dhe për të siguruar një kanal më të shpejtë ndërveprimi midis qeverisë dhe bashkive.

Mitsotakis reagon për deklaratën e Ramës: E papërshtatshme, por e kuptoi dhe e korrigjoi

17 January 2026 at 12:44


Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për debatin e krijuar pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në lidhje me origjinën e grekëve.

Në një intervistë për një televizion grek mëngjesin e së shtunës, Mitsotakis u pyet edhe lidhur me batutat e shkëmbyera nga Rama në Abu Dhabi me gazetarin amerikano-grek John Defterios, raporton euronews.al.

“E njoh atë prej shumë vitesh dhe është një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje, shpesh thotë gjëra që nuk duhet t’i thotë. Këtë herë bëri një gabim, të cilin megjithatë e kuptoi dhe e korrigjoi”, tha Mitsotakis.

Kryeministri Edi Rama shkaktoi reagime të shumta pas deklaratave të tij në konferencën e dy ditëve më parë në Abu Dhabi ku shkëmbeu batuta me moderatorin amerikano-grek, John Defterios dhe la të kuptohet se grekët nuk janë pasardhës të Aristotelit dhe Platonit.

Shumë media greke raportuan lidhur me këtë deklaratë të Ramës.

Ndër mediat që shkruan lidhur me deklaratën e kryeministrit është edhe “Skai.gr” e cila e cilësuan Ramën provokues.

“Rama provokues: Grekët nuk janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit”, është titulluar artikulli i shkruar nga Skai.

Të hënën nis gjysmëvjetori i dytë në Komunën e Fushë Kosovës

17 January 2026 at 12:32


Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se të hënën nis gjysmëvjetori i dytë në këtë komunë.

Në njoftim thuhet se pas stabilizimit të gjendjes së krijuar nga vërshimet, si dhe sanimit të problemeve me sistemin e ngrohjes në shkollat ku kishte prishje, tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për fillimin normal të procesit mësimor.

“Siç ju kemi njoftuar më herët, të hënën, më 19 janar, pritet të fillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e Komunës së Fushë Kosovës.

Pas stabilizimit të gjendjes së krijuar nga vërshimet, si dhe sanimit të problemeve me sistemin e ngrohjes në shkollat ku kishte prishje, tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për fillimin normal të procesit mësimor.

Drejtoria për Arsim ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Osmani: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ishte strategu i betejave dhe ndërtuesi i aleancave

17 January 2026 at 11:56


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në 558 vjetorin e vdekjes së heroit Gjergj Kastriot Skënderbej, më 17 janarin e vitit 1468 tha se Skënderbeu ishte shpata e lirisë, strategu i betejave dhe ndërtuesi i aleancave.

Ajo në një postim në Facebook shkruan se nga Kruja në zemrën e Evropës, emri i tij u bë simbol i qëndresës, i nderit dhe i identitetit tonë të përjetshëm.

“Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ishte shpata e lirisë, strategu i betejave dhe ndërtuesi i aleancave. Ai nuk e mbrojti vetëm tokën shqiptare, por dinjitetin, besimin dhe lirinë e kontinentit evropian. Nga Kruja në zemrën e Evropës, emri i tij u bë simbol i qëndresës, i nderit dhe i identitetit tonë të përjetshëm.

Lavdi Kryetrimit Gjergj Kastrioti- Skënderbeu!”, shkruan ajo. /Telegrafi/


Reduktimet e rrymës, Ymeri: Heshtja e kryeministrit dhe ministres tregon problem serioz

17 January 2026 at 10:05


Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se reduktimet e energjisë elektrike, të cilat së fundmi kanë prekur edhe Prishtinën, janë dëshmi e qartë e një krize serioze dhe e një kolapsi energjetik në vend, të shoqëruar me mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se Prishtina zakonisht konsiderohet zonë e privilegjuar për shkak të pranisë së institucioneve shtetërore, QKUK-së dhe funksioneve kyçe publike.

“Kur ka pasur reduktime edhe në Prishtinë, që është zonë e privilegjuar sepse i ka institucionet publike, QKUK-në dhe funksionet kyçe të vendit, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me qytetet tjera”, deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.



Ajo shtoi se nga reagimet që ka marrë nga qytetarët, situata në komunat tjera është edhe më e rëndë.

“Po flas edhe nga komentet që i marr prej njerëzve, prej Ferizajt e deri te zonat më rurale, ku gjendja është edhe më keq”, u shpreh ajo.

Sipas Ymerit, fakti që reduktimet kanë prekur edhe kryeqytetin tregon se problemi është thelbësor dhe jo i rastësishëm.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së theksoi se kjo gjendje është paralajmëruar prej kohësh dhe tani po manifestohet hapur.

“Kjo e tregon atë që po e themi prej një kohe të gjatë – është kolaps energjetik, vetëm se tash vetëdija është manifestu edhe në kushte dimri”, deklaroi Ymeri.

Ajo theksoi se përgjegjësia nuk duhet t’u bartet punëtorëve teknikë, të cilët sipas saj janë nën presion të madh.

“Nuk duhet me ua lënë fajin zyrtarëve teknikë. Me të ra dy blloqe prej pesë është shumë, por kjo vjen si pasojë e vendimeve dhe mosveprimeve të instancave qeveritare”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.

“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.

Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike.

“Kur importohet gjysma e konsumit dhe kjo pranohet si normale, atëherë problemi është shumë më i thellë”, përfundoi Ymeri. /Telegrafi/


Arratisja e Altin Ndocit, dalin para Gjykatës së Durrësit tetë të arrestuarit, mes tyre gjashtë policët e burgut

17 January 2026 at 10:01


Këtë të shtunë, 8 të arrestuarit, 6 efektivë të Policisë së Burgjeve, shefi i komanduar i policisë së burgut, si dhe kryeinfemieri i IEVP Durrës, të arrestuar një ditë pas arratisjes së të dënuarit Altin Ndocit, janë paraqitur para Gjykatës së Durrësit për vleftësimin e ligjshmërisë së arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë konkrete të secilit prej të dyshuarve dhe rrethanat që çuan në arratisjen e Ndocit, raporton euronews.al

Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në orët në vijim.

Ndërkaq një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.

Sulmoi babanë, nënën dhe motrën – arrestohet i dyshuari në Kaçanik

17 January 2026 at 09:52


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për dhunë në familje.

Rasti ka ndodhur të premten, në ora 13:00.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait, nënës dhe motrës së tij”, thuhet në raport.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Sulmohen dy policë në Stacionin policor në Kaçanik, marrin trajtim mjekësor

17 January 2026 at 09:28


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë në vendin e punës.

Rasti ka ndodhur në Stacionin policor në Kaçanik, të premten e 16 janarit në ora 20:30, ndërkaq pas tretmanit mjekësor në QKMF, njëri nga zyrtarët është dërguar në emergjencën e Ferizajt për tretman të mëtutjeshëm.

“Stacion policor Kaçanik 16.01.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në vendin e punës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Ia dha zyrtarit policor 5 euro ryshfet, arrestohet i dyshuari

17 January 2026 at 08:59


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ryshfetit.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Vërmicë, të premten në ora 16:15.

“SPK Vërmicë 16.01.2026 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari për shkak se zyrtarit policor në pikë kufitar i kishte ofruar 5 euro ryshfet”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Cakolli: Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit

17 January 2026 at 08:50


Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) theksoi sot se rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit.

Cakolli në një postim në Facebook thekson se sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota, ndërkaq sipas partive më shumti ndryshime ka lista e PDK-së, LVV-së, LDK dhe pastaj e AAK-së.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit. Sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota.

Sipas partive, më së shumti ndryshime ka lista e PDK-së me ~7,719 vota dallim; pasuar nga LVV me ~2,947 vota dallim; LDK – me ~1,676 vota dallim; si dhe AAK me ~639 vota dallim.

Në total, pas rinumërimit dhe korrigjimeve në QNR, rreth ~9,500 vota janë hequr dhe rreth ~3,500 janë shtuar për kandidatët. Vetëm te katër partitë kryesore, mbi 200 kandidatë kanë pësuar rritje dhe rreth 200 të tjerë rënie të votave. LVV ka 61 kandidatë me ulje dhe 46 me rritje. PDK ka 79 me rritje dhe 27 me ulje. LDK ka 59 me rritje dhe 46 me ulje. Ndërsa, AAK ka 60 me ulje dhe 37 me rritje.

Dhjetë kandidatët që pas rinumërimit në QNR, kanë rëniet më të mëdha në vota, janë:

1. Fetah Paçarizi (PDK) −1,336 vota

2. Nait Hasani (PDK) −669 vota

3. Arianit Çollaku (PDK) −506 vota

4. Xhavit Haliti (PDK) −477 vota

5. Luljeta Veselaj Gutaj (PDK) −451 vota

6. Kujtim Gashi (PDK) −440 vota

7. Enver Hoxhaj (PDK) −430 vota

8. Fadil Demaku (PDK) −306 vota

9. Ejup Maqedonci (LVV) −250 vota

10. Vendenis Lahu (LVV) −238 vota

Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë.

Nëse ky trend do të vazhdojë proporcionalisht, volumi i dallimeve në nivel vendi bëhet edhe më domethënës, duke ndikuar potencialisht edhe renditjet e shumë prej kandidatëve. Prandaj, rinumërimi i plotë është zgjidhja e duhur – sa më parë që të jetë e mundur, para se të ndikohen afatet tjera kushtetuese. /Telegrafi/

Një i mitur në Lipjan sulmon bashkëmoshatarin me thikë

17 January 2026 at 08:33


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të mitur pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë bashkëmoshatarin.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu” në Lipjan, të premten e 16 janarit, në ora 18:35.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull kosovar i mitur”, thuhet në raport.

I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

❌
❌