Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Reagon shkolla “Xhevdet Doda”: Nuk kishte ligjëratë nga zyrtarë të Speciales, por nga YIHR

22 January 2026 at 16:38


Drejtuesit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kanë reaguar publikisht ndaj, siç thuhet, disa informacioneve të pasakta që po qarkullojnë në opinion, duke sqaruar se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

Sipas reagimit, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur për aktivitetet e saj edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

Qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme, neutrale dhe edukative.

Gjatë ligjëratës, procedurat dhe funksionimi i gjykatave janë trajtuar në mënyrë informative, pa përmbajtje politike apo qëndrime të njëanshme.

Shkolla thekson se çdo interpretim apo pretendim tjetër që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar.

Po ashtu, bëhet e ditur se YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla të mesme dhe fakultete në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.

Në reagim sqarohet se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për mbajtjen e kësaj ligjërate, ndërsa autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH).

Në fund, drejtuesit e shkollës riafirmojnë përkushtimin ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik, duke bërë thirrje që për informacione shtesë palët e interesuara t’i drejtohen drejtpërdrejt organizatës përkatëse./Telegrafi.

SHBA i dhuron Kosovës një skaner për siguri kufitare në vlerë 3 milionë dollarë

22 January 2026 at 16:30


Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Kosovës një skaner mobil Rapiscan, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh për të forcuar sigurinë kufitare.

Ambasada Amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se luftimi i trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më konkurruese.

“Kjo teknologji rrit kapacitetet e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”- njofton Ambasada amerikane më 22.01.2026.

Në fotografitë e publikuara shihet e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati; ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu.

Ceremonia e inagugurimit të skanerit mobil, investim në forcimin e kontrolleve doganore dhe rritjen e sigurisë kufitareu mbajt në pikëkalimin kufitar në Merdarë.

Skanerët Rapiscan janë sisteme të avancuara të kontrollit të sigurisë, të prodhuara nga kompania amerikane Rapiscan Systems, e specializuar në teknologji zbulimi.

Ata përdoren gjerësisht në pikat kufitare dhe doganat, portet dhe aeroportet, objektet qeveritare dhe ushtarake e infrastrukturën kritike.

Në varësi të modelit, skanerët Rapiscan mund të zbulojnë armë dhe mjete shpërthyese; drogë dhe kontrabandë; mallra të falsifikuara ose të padeklaruara dhe objekte të fshehura në automjete, kontejnerë apo bagazhe.

Shumica e skanerëve Rapiscan përdorin teknologji me rreze X (përfshirë rreze X me energji të lartë për ngarkesa të mëdha) dhe softuer të avancuar analizues, i cili identifikon forma, dendësi dhe materiale.

Koci e pret në kufi Hazir Hazirin: Asnjë qytetar i pafajshëm nuk guxon të mbetet në burgjet e Serbisë

21 January 2026 at 23:57


Autoritetet serbe e kanë liruar nga paraburgimi shtetasin e Kosovës, Hazir Haziri – rreth katër muaj pasi e kishin arrestuar për gjoja krime lufte – njoftoi të mërkurën avokati Arianit Koci.

Haziri ishte arrestuar më 8 shtator në pikën kufitare në Merdare dhe prej atëherë ishte mbajtur në paraburgim në Serbi.

Lirimi i Hazirit “konfirmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte”, tha avokati Koci, i cili ka qenë i angazhuar në rastin e tij.

Avokati Koci ka dalë në pikën kufitare Kosovë-Serbi për ta pritur personalisht Hazir Hazirin pas lirimit.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për lirimin e qytetarëve shqiptarë që mbahen padrejtësisht në burgjet e Serbisë.

“Fjalën e dhënë e mbaj. Kam thënë se Hazir Hazirin do ta kthej nga burgu i Serbisë. Sonte, Hazir Haziri është në Kosovë. Asnjë qytetar i pafajshëm nuk guxon të mbetet në burgjet e Serbisë,” ka deklaruar Koci.

Haziri, 77 vjeç, ishte arrestuar për gjoja krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.

Autoritetet serbe pretendonin asokohe se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime të tilla, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla./Telegrafi.

Yesterday — 21 January 2026Main stream

Hamza i përgjigjet Kurtit për Presidentin

21 January 2026 at 22:37


Kryetari i partisë së dytë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bedri Hamza, ka thënë se nuk e ka problem të takohet me kreun e partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, për marrëveshje politike.

Megjithatë, ai ka thënë se përgjegjësia i takon Albin Kurtit për ta konstituuar Kuvendin dhe ta formojë qeverinë.

“I ka 57 ulëse në Kuvend, sigurisht se e bën koalicionin edhe me deputetët e komuniteteve joshumicë, që nuk janë serbë, por të komuniteteve tjera, dhe e ka numrin e mjaftueshëm për të formuar qeverinë. Ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, për konstituim të Kuvendit. Ka përgjegjësi që pa vonesa ta konstituojë Kuvendin, të gjitha pozicionet e Kuvendit, edhe të kryetarit e edhe të nënkryetarëve. Ne i votojmë nënkryetarët, për shkak se e kemi edhe nënkryetarin nga radha e PDK-së. Për të gjitha pozicionet tjera, përgjegjësia është e tyre”, u shpreh Hamza mes tjerash në intervistën e parë ekskluzive pas zgjedhjeve të dhjetorit.

I pyetur se a do ta votojë PDK-ja kryetarin e Kuvendit, Hamza tha: “Pse me pasë ne votë? I kanë ata, i mjaftojnë. Dhe normalisht, pa marrëveshje politike, nuk votojmë”.

Tutje, kreu i PDK-së tha se nuk janë në pritje të asnjë partie për marrëveshje, teksa potencoi se partia e tij ka qenë gjithmonë bashkëpunuese për tema në interes të vendit, për çka tha se do të jetë edhe në të ardhmen.

“Asnjëherë nuk u ikim bisedave. Nuk do të thotë se pajtohemi, por bisedave dhe takimeve asnjëherë nuk u ikim. Varet tema dhe mënyra e ftesës. Sepse edhe me të ftu, duhet me të ftu mirë dhe mbarë. Kjo i bie që mos me ta çu ftesën mirë dhe qartë, me pas çfarëdo prapavie apo tendence, nuk funksionon”, deklaroi Hamza në Rubikon të Klan Kosova.

Duke folur për postin e Presidentit, i cili duhet të zgjidhet për rreth 1 muaj e gjysmë, ai shprehu vullnet për të biseduar me Kurtin për këtë çështje, por tha se sërish përgjegjësia i bie partisë së parë.

Ndër të tjera, ai kujtoi edhe rastet e së kaluarës se si janë zgjedhur presidentët.

“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”.

“Në hapin e radhës, zoti Pacolli është zgjedhur po ashtu president, dhe PDK ka qenë partia e parë. Postin e kryerministrit e ka pasur zoti Thaçi, e Pacolli është zgjedhur president. Zonja Jahjaga është zgjedhur në kohën kur shumicën e ka pasur PDK-ja”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se gjithmonë partia e cila e formon qeverinë, i takon përgjegjësia më e madhe që ta gjejë formulën se si ta zgjedh presidentin.

Obiliq, katër të arrestuar për vjedhje, tre prej tyre të mitur

21 January 2026 at 22:31


Katër persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës si të dyshuar për vjedhje të rënda në zonën e Obiliqit.

Policia ka njoftuar se tre nga të arrestuarit janë të mitur.

Katër të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në së paku tri raste të vjedhjeve të rënda që kanë ndodhë gjatë muajit janar 2025, në shtëpi private dhe lokale në zonën e Obiliqit.

Me vendim të prokurorit të shtetit ata janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

Aktualisht hetuesit policorë të stacionit të Obiliqit janë në koordinim me stacionet e të gjitha regjioneve, pasi që është ngritur dyshimi se të njëjtit persona janë të përfshirë edhe në raste të tjera.

Arrestohet një 19-vjeçar në Prishtinë për grabitje

21 January 2026 at 21:28


Një 19-vjeçar është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “grabitja”.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet A.Sh., dyshohet se më 10 nëntor të vitit të kaluar ka kryer grabitjen në rrugën “Halil Alidemaj” në Prishtinë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetuesit policorë janë duke punuar për arrestimin e dy personave të tjerë të dyshuar, të cilët lidhen me të njëjtin rast.

Deklarim i rremë në Pejë, arrestohen dy persona

21 January 2026 at 21:25


Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, në koordinim me Prokurorin kompetent dhe me autorizim të Gjykatës, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të dyshuar për veprën penale “Deklarim i rremë”.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi të mjaftueshme se personat e dyshuar F.SH. (2000) dhe A.K. (2005), më datë 13 janar 2026, në ambientet e Qendrës për Pajisje me Dokumente të Identifikimit (QPD) në Pejë, kanë deklaruar rrejshëm, duke garantuar për identitetin e saktë të një personi tjetër të dyshuar, A.R. (2003).

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa pas përfundimit të intervistimit, prokurori kompetent ka nxjerrë vendim për ndalim policor ndaj dy personave të dyshuar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo vepre tjetër penale, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Haziri: Ibrahim Rugova e Ramiz Alia kishin marrëveshje për përgatitjen e celulave të para ushtarake të Kosovës

21 January 2026 at 21:22


Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në një marrëveshje me presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, për krijimin e celulave të para të strukturave të armatosura të Kosovës.

Në një lidhje direkte në Debat Plus në TV Dukagjini, Haziri tha se më 2 shtator 1990 është ngarkuar personalisht me organizimin e celulave të para për përzgjedhje, përgatitje dhe dërgim të të rinjve në trajnim ushtarak në Shqipëri, në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

“Është e vërtetë që më 2 shtator 1990 jam ngarkuar me organizimin e celulave të para që kanë pasur për qëllim përzgjedhjen, përgatitjen dhe dërgimin e njerëzve në përgatitje ushtarake në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje mes presidentit Rugova dhe presidentit Ramiz Alia”, deklaroi Haziri.

Sipas tij, zbatimi i këtij plani është menaxhuar më vonë nga autoritete të tjera, ndërsa në terren kanë qenë të përfshirë figura të njohura si Afrim Gagica dhe Sali Çeku, i shpallur Hero i Kombit.

Haziri theksoi se përzgjedhja e të rinjve është bërë në mënyrë shumë të kujdesshme në secilën zonë dhe komunë, nga autoritete të caktuara, ndërsa trajnimet janë zhvilluar në Shqipëri mbi bazën e përvojës së shtetit shqiptar në rekrutimin dhe përgatitjen ushtarake.

Duke folur për rolin e Shqipërisë, Haziri bëri të ditur se ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Irakli Koqollari, ka qenë autoriteti i parë që ka implementuar këtë plan.

“Ai ka qenë autoriteti i parë që e ka implementuar këtë plan”, u shpreh Haziri.

Deklarimet e Hazirit vijnë pas publikimit të audio-incizimeve në emisionin Debat Plus, të cilat, sipas tij, hedhin dritë mbi përfshirjen e Rugovës në fazat e hershme të organizimit të rezistencës për çlirimin e Kosovës.

Ndërkohë, moderatori Ermal Panduri ka bërë të ditur se Koqollari do të flasë për këtë temë më 3 shkurt në Debat Plus, ku pritet të publikohen detaje shtesë nga dosja në fjalë.

Shtohet toka djerrë, Shqipëria blen më shumë drithë nga jashtë - kryeson Serbia

21 January 2026 at 20:37


Kryesisht grurë e misër, për të bërë bukë apo makarona... gjatë vitit të shkuar u importuan më shumë se 374 mijë ton drithë. Sasia e drithit të hyrë gjatë 2025-ës u zgjerua me gati 40 mijë tonë në raport me 2024-n.

Zef Gjeta, pedagog për bujqësinë, u shpreh për A2CNN se rritja e importeve vjen për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Kemi reforma, por jo akte konkrete. Nuk ka financime për bujqësinë.

Ndryshimet në gjeografinë e tregtisë së jashtme, reduktimi i kostove të transportit dhe forcimi i lekut bënë që çmimi i drithit të importuar të ishte më i ulët.

Ndonëse u importuan gati 40 mijë tonë më shumë grurë e misër, vlera e paguar për blerjen e tyre ishte gati e njëjtë me 2024-n, vit në të cilin u shpenzuan rreth 10 miliardë lekë.

Andi Haxhiymeri, administrator i një kompanie bloje, thotë: “Tani, drithi po vjen kryesisht nga Serbia. Më herët vinte nga Rusia e Rumania. Kostot rrjedhimisht janë më të ulëta”.

Pavarësisht se në nivele të papërfillshme, Shqipëria arriti vitin e shkuar të eksportonte 248 tonë drithë me vlerë 28 milionë lekë. Në raport me 2024-n, vit në të cili prodhimi vendas rezultoi i dobët, eksportet gati u dyfishuan.

“Kudo në botë prodhimi i grurit subvencionohet. Në Serbi, Kanada, Francë etj, prodhimi i grurit subvencionohet. Nuk mundet fermeri të marrë përsipër të gjithë procesin, tha Haxhiymeri.

Zef Gjeta tha: “Shteti ynë ka dështuar në drejtim të subvencioneve, ndaj jemi në këtë gjendje ku nuk prodhojmë, por importojmë”.

Përfshirë arat, kopshtet, livadhet, lëndinat, kullotat apo moçalet, në Shqipëri ka rreth 875 mijë hektarë tokë. Nga kjo, hapësira që përmban humus e lëndë minerale, thënë ndryshe toka bujqësore, vlerësohet në gati 700 mijë hektarë.

Por, nga viti në vit, sipërfaqja e mbjellë me grurë, misër, tërshërë, elb apo kultura të tjera bujqësore po rrudhet, ndërsa po zgjerohet hapësira e tokave të djerra.

Deri të premten dorëzohen propozimet fillestare për tarifat e energjisë elektrike

21 January 2026 at 20:31


Në fund të kësaj jave – që nisi me reduktime në furnizimin me energji elektrike – do të dorëzohen aplikimet fillestare në procesin e shqyrtimit vjetor të tarifave.

Kësisoj, më së largu në fillim të javës së ardhshme pritet publikohen aplikimet e secilit akter për të hyrat maksimale të lejuara, përfshirë atë të KESCO-s, që do të tregojë nëse do të propozohet ngritje e serishme e çmimit të rrymës ose jo.

Situata e rënduar veçmas në kohë kur nis procesi i shqyrtimit të tarifave, në vlerësimin e Kushtrim Ahmetit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, nuk është e rastësishme.

Referuar arsyetimeve të kompanive dhe hedhjes së fajit tek njëra tjetra, Ahmeti dyshon se kriza po përdoret “për ta bërë të mundshme një rritje të re”

“Kur e sheh këtë situatë çfarë po ndodhë, sidomos prej Dhjetorit e këndej, këto periudhat që s’jemi duke ditë kurrë kur po kemi reduktime, sa po kemi dhe sa s’po kemi, ti e sheh që këtu është duke u luajtur një lojë jashtëzakonisht e fëlliqur dhe e fshehtë për ta shfrytëzuar këtë periudhën e amullisë institucionale dhe vdekjes totale të ZRRE-së, në këtë rast, dhe shfrytëzoje momentumin e tillë ti dhe bëje tash të mundshme”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Ai s’ka dyshime për kërkesat që do kenë kompanitë e licencuara.

“Unë jam plotësisht i bindur që të gjitha kompanitë do të kërkojnë rritje të çmimit, të të hyrave të tyre që do t’na bien barë neve si konsumatorë. Dhe kjo nuk është që të bie (barrë) vetëm prej sektorit energjetik, ju po e shihni u rritën çmimet e shërbimeve të gjitha. Rritja në një element e ndikon atë rritjen zingjirore që kemi thënë edhe kur u rritë çmimi për 16.1%”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

KESCO-ja, kompani të cilës ZRRE-ja i ka vendosur obligimin e shërbimit publik si Furnizues i Shërbimit Universal, ende nuk ka dorëzuar dokumentin me kostot dhe propozimet e saja.

Për paraqitjen e aplikimeve të tyre, ditët e fundit të afatit po i presin edhe akterët tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK.

Në kuadër të procesit vjetor të shqyrtimeve tarifore, përkatësisht përshtatjeve vjetore të të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2026, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka përcaktuar afatin deri më 23 janar 2026 për dorëzimin e aplikimeve/propozimeve fillestare nga operatorët e licencuar. Deri në këtë fazë të procesit, asnjë nga operatorët e licencuar nuk ka dorëzuar aplikimin apo propozimin e tij në ZRRE. Kjo është në përputhje me dinamikën e zakonshme të procesit, duke qenë se afati ligjor për dorëzim ende nuk ka përfunduar”, thuhet nga ZRRE.

Para fundit të Marsit, ZRRE-ja do të bëjë shqyrtimin e propozimeve dhe do të vendosë për vazhdimin me tarifa të njëjta ose të reja të energjisë elektrike, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 Prilli.

Në katër vitet e fundit, tri herë janë ngritur tarifat e energjisë elektrike gjatë shqyrtimeve në ZRRE, për herë të fundit në mes të prillit të kaluar, duke nxitur reagime të shumta nga qytetarët e bizneset e vendit.

- YouTube www.youtube.com

"Ofertë vetëm për ju", Shoqata e Bankave paralajmëron për rritjen e mashtrimeve online

21 January 2026 at 19:43


Shoqata e Bankave ka ngritur shqetësimin për një rritje të mashtrimeve në internet, ku përdoruesit mashtrohen përmes përdorimit të të dhënave personale dhe bankare.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës, shpjegon për A2CNN se mashtruesit shpesh krijojnë faqe të rreme që duken si të vërteta dhe kërkojnë të dhëna personale, PIN-e ose kode sigurie, duke e bërë transaksionin të shkojë në llogaritë e tyre.

Ai tregon se qytetarët mashtrohen edhe me mesazhe që informojnë për pakot e supozuara, ku për të marrë dërgesën kërkohet të dhënat personale.

Brumbulli bën thirrje për kujdes: “Fshini çdo mesazh ose email nga burime të panjohura që kërkojnë veprime urgjente, dhe mos jepni kurrë të dhënat e llogarisë bankare. Bankat nuk do t’ju kërkojnë kurrë numrin e kartës, PIN, kode sekrete ose fjalëkalime.”

Tre format kryesore të mashtrimeve online janë: oferta joshëse duke përdorur emra dhe marka të njohura, oferta të rreme nga dyqane të supozuara, dhe njoftime për pako që kërkojnë pagesë online me kartë.

Shoqata e Bankave apelon qytetarët të jenë vigjilentë dhe të shmangin çdo veprim të nxituar në internet, për të mbrojtur të dhënat dhe fondet e tyre.

Rama në Vlorë, takim me Ivanka Trump

21 January 2026 at 19:36


Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë, ku do të zhvillojë një takim me Ivanka Trump.

Vizita po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa nuk janë bërë ende publike detaje mbi axhendën gjatë takimit.

Mësohet se kryeministri Edi Rama dhe Ivanka Trump po zhvillojnë një darkë pune, së bashku me grupin e punës të cilët janë mbi 50 arkitektë nga e gjithë bota në këtë takim pasi ka qenë një grup i zgjeruar që ka marrë pjesë në këto takime dhe investime që pritet të zhvillohen.

Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, mbërriti së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, paraditen e kësaj të mërkure, ku sipas informacioneve do të diskutojnë më tepër rreth investimit në ishullin e Sazanit.

Kamberi: SHBA-ja kërkon përgjegjësi nga Beogradi për diskriminimin e shqiptarëve në Luginë

21 January 2026 at 19:18


Shapi Kamberi, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, ka reaguar pas miratimit të rezolutës H.R. 6411 nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA, e cila ka të bëjë me të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kamberi ka theksuar se miratimi i kësaj rezolute përfaqëson një qëndrim zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj diskriminimit sistematik të shqiptarëve në Luginë dhe një hap të rëndësishëm drejt kërkimit të përgjegjësisë ligjore dhe politike nga Serbia.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për kongresistin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij, si dhe për përkrahjen dypartiake të kryetarit të Komitetit, Brian Mast, dhe nënkryetarit Gregory Meeks. Sipas Kamberit, rezoluta tashmë pritet të miratohet edhe nga vetë Kongresi amerikan.

Në postimin e tij, Kamberi ka rikujtuar se kjo arritje është rezultat i një përpjekjeje të gjatë që nga viti 2001, e ndërtuar mbi durim, këmbëngulje dhe besim, nën përkrahjen e vazhdueshme të Joe DioGuardi dhe Shirley DioGuardi, si dhe të Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ai ka vlerësuar po ashtu rolin e komunitetit shqiptar në Teksas, veçanërisht organizatën Albanians For America, si dhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës.

“Një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kamberi, duke shtuar se “zëri ynë u dëgjua dhe puna jonë po shihet”.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, “nuk u ndalën kurrë”, duke e cilësuar këtë zhvillim si një fitore të rëndësishme politike dhe morale për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Shkëmbimet tregtare Kosovë-Gjermani regjistrojnë rritje të qëndrueshme në 2024-2025

21 January 2026 at 19:11


Të dhënat e fundit tregojnë se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë po forcohen vazhdimisht.

Sipas Odës Ekonomike Gjermano - Kosovare, eksportet nga Kosova drejt Gjermanisë janë rritur si në sasi, ashtu edhe në vlerë, duke shënuar një rritje prej rreth 13.2% në sasi neto dhe 15.5% në vlerë monetare.

Kjo tregon performancë pozitive të sektorit eksportues dhe një kërkesë të shtuar në tregun gjerman.

Njëkohësisht, edhe importet kanë shënuar rritje të konsiderueshme.

Sasia neto e importeve u rrit me 13.4%, ndërsa vlera monetare me 11.9%, duke kaluar 1 miliard euro në vitin 2025. Kjo nënvizon rëndësinë e importeve për ekonominë e vendit dhe rolin e tyre në tregtinë e jashtme.

Ekspertët vlerësojnë se këto zhvillime dëshmojnë për një intensifikim të bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve dhe krijojnë perspektiva të qëndrueshme për zhvillimin e sektorit eksportues dhe rritjen ekonomike të Kosovës.

Kongresi amerikan avancon ligjin për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

21 January 2026 at 19:03


Akti për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës ka avancuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë.

Ligji i propozuar kërkon që Sekretari i Shtetit të SHBA-së të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë tek shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Dokumenti do të shqyrtojë çështje të tilla si kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucione publike, mungesa e përfaqësimit proporcional në organet shtetërore, diskriminimi në arsim dhe ekonomi, pasivizimi i adresave shqiptare që pengon qasjen në dokumente identiteti dhe të drejtën e votës, si dhe intimidimet përmes praktikave të zbatimit të ligjit.

Albanians For America (AFA) thekson se ka punuar ngushtë me përfaqësuesin e Kongresit Keith Self për të avancuar këtë legjislacion, ndërsa mbështetja e Kryetarit të Komitetit për Çështjet e Jashtme, Brian Mast, dhe e anëtarit të renditur Gregory Meeks, është vlerësuar si kyçe për suksesin e këtij hapi.

Procesi ligjor vazhdon: pasi të kalojë miratimin në komitet, projekti i ligjit do të votohet nga Dhomë e Përfaqësuesve dhe më pas nga Senati.

Nëse miratohet, ligji i kërkon Departamentit të Shtetit të raportojë për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës brenda 180 ditëve, duke e vendosur këtë çështje në fokusin më të lartë të politikës së jashtme amerikane.

Ky ligj konsiderohet një hap i rëndësishëm për të ngritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe për të kërkuar llogaridhënie për trajtimin e tyre në Serbi./Telegrafi.

Bislimi: Rezoluta amerikane për Luginën e Preshevës një fitore për shqiptarët

21 January 2026 at 18:34


Nga Capitol Hill në Washington, zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës u dëgjua si kurrë më parë, këtë herë si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo u bë e ditur nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në SHBA, Faton Bislimi.

Në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA u miratua rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Rezoluta, e mbështetur në mënyrë bipartizane nga Kryetari Brian Mast dhe Nënkryetari Gregory Meeks, tashmë ka marrë bekimin e Komitetit dhe pritet shumë shpejt të aprovohet nga vetë Kongresi.

Ajo kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në këtë rajon.

Bislimi e cilësoi këtë ngjarje si “ditë të bardhë për shqiptarët dhe një sinjal të qartë për çdo regjim që mendon se padrejtësia mund të zgjasë pafund.”

Ai shtoi se ky moment është për të realizuar vizionin e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili promovoi aleancën me Amerikën dhe besimin në forcën morale të kauzës shqiptare.

“Shumë flasin për rugovizëm. Por rugovizmi nuk shpallet – jetohet. Nuk promovohet me fjalë – dëshmohet me vepra,” tha Bislimi.

Ai theksoi se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është e pazëvendësueshme dhe se liria dhe pavarësia e Kosovës duhet të shtrihet edhe te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Qëndrimet ndër vite të Kurtit për Ibrahim Rugovën

21 January 2026 at 17:43


Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës në 18-vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës. Po ashtu, ai vizitoi edhe familjen Rugova, prej ku dha lajmin se Qeveria të cilën drejton do të nisë një projekt për restaurimin e rezidencës së presidentit Rugova.

Kurti e vlerësoi figurën e ish-presidentit, duke thënë se Rugova kishte ndikim “në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezidencës së vjetër”.

Për herë të parë për homazhe te varri i Rugovës Kurti kishte shkuar në vitin 2020, kur për herë të parë mori drejtimin e Qeverisë së vendit, më 17 shkurt, në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot teksa shënojmë dhe festojmë 12 vjetorin e Pavarësisë, kujtojmë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore me 24 maj 1992. Një dekadë më vonë me 4 mars të vitit 2002, në Kuvendin e Kosovës, doktor Ibrahim Rugova rizgjidhet sërish President i Kosovës, kësaj radhe President i parë në Kosovën e çliruar” – kishte deklaruar Kurti.

Përgjatë viteve, Albin Kurti nuk kishte shkuar për homazhe te varri i Rugovës. Për këtë, ai kishte dhënë edhe një shpjegim.

“Jam takuar dy herë me Ibrahim Rugovën. Jemi pajtuar por nuk kemi pasur qëndrime të njëjta për mënyrën se si do të kundërshtonim. Atëherë isha student” – kishte thënë Kurti para pesë viteve.

“Nuk mendoj se besimi nuk duhet të jetë për atë gjest [shkuarjen te varr]. Nëse e shihni se kush sot po shkon te varri i Ibrahim Rugovës, atëherë shihet se sa vlerë ka ajo. Kur është njeriu aktual ne kemi kritika të mëdha. Sot kur nuk është mes nesh, nuk mund ta kem qëndrimin e njëjtë si në vitin ’97, por s’mund të kaloj nga një ekstrem deri në një tjetër” – deklaronte Kurti.

Mospajtimet me Rugovën, Kurti kishte thënë që i kishte në fund të viteve të 90-ta. Por, ai deklaronte se kishte edhe disa pajtime në qëndrime me ish-presidentin.

“Unë me presidentin Rugova jemi takuar dy herë, edhe takimet i kemi pasur konstruktive edhe kur s’jemi pajtuar, jemi pajtuar për qëllimet nuk jemi pajtuar në fund të viteve 90-ta për mjetet. Unë nuk e fsheh as pajtimin që kam pasur me presidentin, as mospajtimin, por e vlerësoj në veçanti për vitet 1989-1992 për një deklaratë që shumë veta mundohen ta heshtin, si vijon: “Pavarësia është kompromis” – ka thënë Ibrahim Rugova” – kishte thënë në tetor 2019 gjatë një interviste në “Syri Tv

Në shkurt të vitit 2002, disa muaj pasi ishte liruar nga burgu serb, Kurti ishte pyetur se çfarë mendon për Ibrahim Rugovën dhe partinë e tij, LDK-në, raporton Kallxo.

“Çfarë mendoj për Lidhjen Demokratike të Kosovës? Mendoj atë çfarë kam menduar gjithmonë duke qenë se LDK-ja ndërkohë nuk ka ndryshuar. Unë mendoj që LDK-ja është demokratike vetëm në atë epitetin e saj, sa i përket strukturës së brendshme, sa i përket veprimtarisë, nuk mendoj që është demokratike, ajo është një parti autoritare e cila e ka në krye një njeri që 12 vite, z. Rugova, i cili nuk është dëshmuar me suksese në politikë” – kishte thënë Kurti.

Atë kohë, ai ishte pyetur edhe për atë se pse Rugova nuk e ka pranuar UÇK-në.

“Mendoj se pse nuk e ka pranuar është e qartë nga vetë sjellja e Rugovës në vitet e 90-ta. Ideja e Rugovës ka qenë që të bllokoj çfarëdo dinamizimi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare aktive” – kishte thënë Kurti.

Kurti: Ibrahim Rugova zë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë

21 January 2026 at 17:33


Sot është shënuar 20-vjetori i vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Parë të Kosovës, liderit të shquar politik, intelektualit të angazhuar dhe studiuesit të spikatur të letërsisë.

Në këtë ditë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe përkujtime për figurën që shënoi historinë e shtetndërtimit të vendit.

Dr. Rugova ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nga themelimi i saj më 23 dhjetor 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006.

Ai u zgjodh President i Kosovës më 24 maj 1992, duke udhëhequr një Republikë të shpallur më 7 shtator 1990, në një kohë kur Serbia ia kishte suprimuar autonominë vendit.

Gjatë kësaj periudhe, Rugova arriti të imponojë praninë e Kosovës edhe në skenën ndërkombëtare, duke u takuar me liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin e SHBA-së, Bill Clinton.

Konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore dhe urtësia në veprim e mendim i hapën rrugë Kosovës në shumë forume ndërkombëtare.

Ai ka merita të veçanta për orientimin e vendit drejt Perëndimit dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke mbetur një figurë kyçe në historinë politike dhe kulturore të vendit.

I lindur më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut, Rugova ndoqi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku doktoroi në vitin 1984.

Para angazhimit të tij politik, ai punoi si studiues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime dhe libra.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e trashëgimisë së Rugovës dhe ndikimin e tij të pashlyeshëm në jetën politike dhe institucionale të Kosovës, duke e konsideruar atë një udhëheqës model dhe një simbol të rezistencës dhe shtetndërtimit.

Lirohet Hazir Haziri, i arrestuar në Serbi në shtator të vitit të kaluar, flet Koci

21 January 2026 at 17:22


Hazir Haziri, qytetari shqiptar i arrestuar në Serbi më 8 shtator 2025 në pikën kufitare të Merdarës, është liruar nga autoritetet serbe.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook.

Sipas avokatit, lirimi i Hazirit tregon se arrestimi ishte i pabazuar dhe mbështetej mbi pretendime pa fakte.

Koci nënvizon rëndësinë që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje juridike të menjëhershme çdo herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit.

“Si avokat, do të vazhdoj të angazhohem që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet i pambrojtur në burgjet e Serbisë, pavarësisht rrethanave apo akuzave të pabazuara. Kjo është përgjegjësi profesionale dhe njerëzore”, tha ai.

Gjendja shëndetësore e Hazirit raportohet të jetë e mirë.

​"Rasti tragjik në Restelicë, flasin fqinjët për dorasin

21 January 2026 at 16:58


Banorët e Restelicës u zgjuan mëngjesin e sotëm të tronditur nga lajmi se fqinji i tyre, një 30-vjeçar, dyshohet se ka vrarë nënën e tij.

Sipas banorëve të zonës, nënë e bir jetonin të vetëm në shtëpi.

KosovaPress ka mësuar se në natën kritike bashkëshorti i viktimës ndodhej në Mal të Zi për arsye pune, ndërsa djali tjetër i familjes, mbi të 20-tat, jeton në Gjermani. Gjatë kohës sa KosovaPress po qëndronte në vendin e ngjarjes, në shtëpi ka arritur edhe kryefamiljari, i cili ka refuzuar të japë deklaratë për media.

Fqinjët e familjes kanë deklaruar se 30-vjeçari, i dyshuar për vrasjen e nënës së tij, kishte probleme të shëndetit mendor. Sipas tyre, ai nuk kishte shkaktuar telashe në lagje dhe problemet i shfaqte vetëm brenda familjes, kryesisht ndaj nënës së tij.

Nesim Hoxha, një nga fqinjët, ka deklaruar se mes nënës dhe djalit kishte telashe të shpeshta. Sipas tij, nëna shpesh dilte nga shtëpia dhe shkonte në punëtorinë e tij, si mënyra e vetme për t’u larguar nga situata e vështirë me djalin, i cili vuante nga probleme shëndetësore.

“Këta fqinj kanë pasur telashe çdo ditë, nëna dilte nga shtëpia, vinte te ne në punëtori, në një formë ishte e vetme përballë njeriut të sëmurë…Kanë qenë vetëm këta nënë e birë, të gjithë fqinjtë janë jashtë vendit”, tha ai.

Ndërsa, Avzir Hoxha pronar i një marketi që ndodhet shumë pranë shtëpisë ku ndodhi vrasja për KosovaPress thotë se në përgjithësi si familje kanë qenë e urtë, por djali 30 vjeçar ka pas probleme të shëndetit mendor.

Megjithatë, sipas tij ai nuk u ka sjell telashe asnjëherë atyre si fqinj, përkundër që dyqanin e tij e frekuentonte çdo ditë.

“Familja e urtë djali ka pas probleme mendore.. jo askujt nuk i ka bërë asgjë, vetëm kjo tragjedi na ka çuditur të gjithëve…. ka qenë e vështirë kur e kemi marr vesh…për dite kanë ardhur çdo mëngjes, çdo mbrëmje kanë ardhur… Ai u kanë me probleme mendore ne e kemi kuptuar të gjithë”, tha ai.

F.B i cili dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm vrau nënën e tij është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë. Ndërsa, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

F.B ishte i njohur edhe më parë për organet e rendit dhe drejtësisë pasi për dhunë në familje ishte akuzuar për dy raste në vitin 2021 dhe për një rast në vitin 2023, dhe kishte edhe aktgjykime dënuese.

❌
❌