Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi.
Me këtë rast, Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Maandi dhe e përgëzoi për emërimin e saj, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Estonisë.
Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar se Kosova mbetet e linjëzuar me politikat e Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, Osmani dhe ambasadorja Maandi diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit, shërbimeve publike elektronike, sigurisë kibernetike, integrimit euroatlantik dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane.
Po ashtu, ajo falënderoi Estoninë për avokimin e vazhdueshëm të aspiratave evropiane të Kosovës, në veçanti për mbështetjen ndaj statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. /Telegrafi/
Gjykata e Apelit ka marrë vendim për t’i ulur dënimin Tom Dodajt, i cili shiti armën me të cilën dyshohet se është vrarë Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023.
Sipas vendimit të Apelit që është marrë më 30 dhjetor 2025, Dodaj është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh dhe me një gjobë prej 3,000 euro, të cilat do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ky ndryshim vjen pas ankesës së bërë nga mbrojtësi i tij, avokati Agron Kuqi.
Në aktgjykimin e mëparshëm, Dodaj ishte dënuar me 5 vjet burgim dhe gjobë prej 5,000 euro për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, por ky dënim është reduktuar në vendimin e fundit.
Nëse gjoba nuk paguhet në mënyrë vullnetare, ajo do të konvertohet në dënim me burg, ku për çdo 20 euro gjobë, shtohet një ditë burgim.
Gjykata do ta marrë parasysh edhe kohën që Dodaj ka kaluar në paraburgim, nga data 9 dhjetor 2023 deri më 17 prill 2024, e cila do të llogaritet në dënimin e tij.
Dodaj ia shiti armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro, dhe e cila armë dyshohet se u përdor më pas për vrasjen e Ademajt.
Ai e kishte pranuar fajësinë dhe pati kërkuar falje për rastin, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni se arma do të përdorej për vrasje.
Për vrasjen e Liridona Ademajt akuzohen bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava si ekzekutor e Kushtrim Kokalla. /Telegrafi/
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar rreth situatës së krijuar me energjinë elektrike, ku sot ka nisur të ketë reduktime.
“Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv. Pas viteve të humbura pa investime, pa planifikim dhe pa përgjegjësi, KOSTT del me njoftime për reduktime të energjisë”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës për shkak të dështimeve të atyre që kanë pasur pushtetin dhe buxhetin në dorë.
“Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte. Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore”, u shpreh Hoti.
Hoti ka theksuar se çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik.
“Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, tha ai. /Telegrafi/
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike, duke paralajmëruar humbje serioze për qindra biznese në vend.
Sipas DHTIK, përkundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% dhe daljes së detyruar në tregun e hapur të energjisë të rreth 1,300 bizneseve, gjendja e furnizimit është përkeqësuar ndjeshëm.
“Bizneset po paguajnë shumëfish për energji elektrike, ndërkohë, furnizimi nuk është as i sigurt dhe as i qëndrueshëm”, thuhet në reagimin e DHTIK-së.
Ndërprerjet e shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë kanë sjellë pasoja të rënda për sektorin privat.
DHTIK njofton se këto ndërprerje kanë shkaktuar pamundësi të funksionimit normal të bizneseve, rritje të kostove të prodhimit, humbje të orëve të punës dhe dëme në pajisjet teknologjike dhe linjat e prodhimit.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të DHTIK-së, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji për bizneset”, thuhet në reagim.
DHTIK bën thirrje urgjente që të ndërmerren masa për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë, duke theksuar.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje urgjente të gjithë akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin masa emergjente për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për bizneset, si dhe të fillojnë procedurat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ndërprerjet”, theksohet më tej në reagim.
Gjithashtu, DHTIK kërkon që institucionet qendrore të reagojnë menjëherë pa vonesë për të dalë nga kjo situatë, e cila rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e bizneseve. /Telegrafi/
Shoqata e Bankave të Kosovës ka konfirmuar një rritje të rasteve të mashtrimeve përmes SMS-ve, duke theksuar se ky fenomen është shënuar veçanërisht gjatë muajit dhjetor 2025 dhe janarit 2026.
“Gjatë muajit dhjetor 2025 dhe muajit janar 2026, është vërejtur një ngritje e numrit të mashtrimeve me SMS globalisht, dhe ky fenomen ka përfshirë edhe Kosovën. Për këtë arsye bankat në vazhdimësi bëjnë thirrje publike për më shumë kujdes ndaj këtyre mashtrimeve”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Bankave të Kosovës për Telegrafin.
Sipas Shoqatës, parandalimi i mashtrimeve mbështetet kryesisht në ndërgjegjësimin e klientëve dhe reagimin e shpejtë institucional.
“Duhet theksuar se masa preventive më e rëndësishme për të parandaluar mashtrimin është ndërgjegjësimi i klientëve mbi identifikimin e mesazheve mashtruese dhe praktikat e sigurta të komunikimit duke mos shpalosur të dhënat personale të cilat në asnjë rast nuk kërkohen nga bankat”, theksohet më tej.
Bankat, sipas Shoqatës kanë krijuar mekanizma të posaçëm për raportim dhe reagim të menjëhershëm.
“Bankat kanë vendosur kanale të dedikuara raportimi 24/7 dhe procedura të brendshme që mundësojnë reagim të shpejtë sapo një rast dyshohet ose raportohet, për të parandaluar dëm të mëtutjeshëm”, thuhet më tej në përgjigjen e SHBK-së për Telegrafin.
Në këtë kontekst, Shoqata e Bankave të Kosovës dhe bankat individuale zhvillojnë vazhdimisht fushata për sigurinë kibernetike, me fokus të veçantë mbrojtjen nga mashtrimet me SMS.
“Shoqata e Bankave të Kosovës dhe bankat individualisht zhvillojnë në mënyrë të vazhdueshme fushata ndërgjegjësuese për sigurinë kibernetike, me fokus të veçantë mbrojtjen e klientëve nga mashtrimet digjitale duke përfshirë edhe mashtrimet me SMS”, është bërë e ditur nga Shoqata.
Njëkohësisht, qytetarët paralajmërohen se bankat nuk kërkojnë kurrë të dhëna konfidenciale si fjalëkalime, PIN, kode verifikimi apo të dhëna të kartelave përmes kanaleve digjitale përfshirë: mesazhe, email-e apo rrjete sociale.
Shoqata u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndajnë të dhënat e kartelës, të mos klikojnë në linçe të dyshimta, të përdorin vetëm platformat zyrtare të bankave dhe të raportojnë menjëherë çdo komunikim të dyshimtë te banka e tyre.
Sa i përket reagimit ndaj rasteve konkrete, Shoqata e Bankave konfirmon se të gjitha bankat ofrojnë mekanizma emergjentë dhe se rikuperimi i mjeteve të humbura mbetet i kufizuar dhe varet nga rrethanat e autorizimit të transaksionit.
“Të gjitha bankat anëtare ofrojnë kanale të dedikuara kontakti 24/7 që ofrojnë edhe mekanizma për bllokim të menjëhershëm të llogarive me qëllim të parandalimit të dëmit të mëtutjeshëm. Në rastet kur një klient bie viktimë e një sulmi phishing, rimburismi varet drejtpërdrejt nga fakti nëse transaksioni është autorizuar ose jo nga vetë klienti”, sqaron Shoqata.
Sipas SHBK-së, nëse klienti ka shpalosur të dhënat e tij personale, ka dhënë autorizimet e kërkuara për realizimin e pagesës apo transferit, transaksioni konsiderohet si i autorizuar, dhe në këtë rast rikuperimi mbetet i vështirë ose i pamundur.
Shoqata e Bankave të Kosovës thekson se bashkëpunimi me institucionet relevante për bllokimin e fushatave keqdashëse, së bashku me vigjilencën dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve, mbeten kyçe për rritjen e sigurisë në botën digjitale.
Ndryshe, ditë më parë edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët lidhur me një fushatë mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS, e cila synon vjedhjen e të dhënave financiare.
Sipas BQK-së, mesazhet mashtruese paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga banka komerciale dhe përmbajnë kërkesa urgjente për veprim, si dhe lidhje të dyshimta që mund të çojnë në keqpërdorim të të dhënave bankare.
BQK u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Institucioni këshillon që të dhënat e kartelave bankare të ruhen me kujdes dhe të mos ndahen asnjëherë përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit për media, bëhet e ditur se në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situata e sigurisë, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.
Gjatë takimit, Osmani theksoi rëndësinë e një procesi dialogu të fokusuar në njohjen reciproke.
“Procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve”, u shpreh Osmani.
Ajo gjithashtu kritikoi qëndrimet e Serbisë, duke thënë se është ajo e cila vazhdimisht shkel marrëveshjet.
“Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja nënvizoi nevojën për objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian:
“Interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”, tha ajo.
Ajo gjithashtu informoi Sorensen për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë.
“Zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane”, u shpreh Osmani.
Në lidhje me marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, presidentja Osmani përshëndeti heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, u shpreh Osmani.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Osmani shtoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së.
Ajo gjithashtu u zotua të vazhdojë punën me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës.
“Do të vazhdojmë të punojmë pa vonesa të mëtejshme për avancimin e statusit kandidat të Kosovës”, tha Osmani. /Telegrafi/
Pas arrestimit në Zveçan, i dyshuari me inicialet S.R. është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Ndaj S.R. rëndojnë dyshime për disa vepra penale, përfshirë bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Gjatë veprimeve hetimore, në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar edhe urdhër kontrolli, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale që do të shfrytëzohen në procedurën penale.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj S.R. në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Hetuesit policorë, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, po vazhdojnë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi./Telegrafi/
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se pret që 2026 të sjellë përparim në procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas mungesës së rezultateve gjatë vitit 2025.
Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Sorensen tha se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë për këtë vit dhe se e ka nisur qëllimisht vitin me vizita në Prishtinë dhe Beograd.
“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë”, tha Sorensen.
Ai theksoi se synimi kryesor i Bashkimit Evropian mbetet rikthimi i palëve në tryezën e dialogut, duke nënvizuar se është e domosdoshme gjetja e një mënyre që kjo të ndodhë.
“Ajo që synojmë është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, u shpreh ai.
Sorensen kujtoi gjithashtu se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së i ka vizituar Kosovën dhe Serbinë vitin e kaluar dhe ka theksuar se një takim në nivel të lartë do të thirret kur kushtet të jenë të përshtatshme.
“Ajo do ta thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë dhe më pas do të shohim se si do të ecet përpara”, deklaroi Sorensen.
Pas vizitës në Kosovë, emisari evropian pritet të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqësit serbë, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. /Telegrafi/
Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në Shqipëri, ka njoftuar se ka identifikuar dhe trajtuar në kohë një rast të izoluar mashtrimi përmes klonimit të kartave bankare në një bankomat (ATM).
Sipas njoftimit të bankës, rasti ka prekur një numër shumë të vogël kartash, të cilat janë bllokuar menjëherë sapo është konstatuar problemi.
BKT bën të ditur se të gjithë klientët e prekur janë kontaktuar dhe do të rimbursohen plotësisht për çdo humbje financiare.
Banka thekson se siguria e fondeve dhe e të dhënave të klientëve mbetet prioritet absolut dhe se po vazhdon investimet në sisteme të avancuara të monitorimit dhe parandalimit, me qëllim garantimin e standardeve më të larta të sigurisë.
BKT nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me vendndodhjen e rastit apo kohën kur ka ndodhur mashtrimi, duke theksuar se situata është nën kontroll. /Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Ky proces ka filluar një ditë më herët, të martën në orën 18:00.
Nga nisja e këtij procesi dhe deri më tani (e mërkurë, 14 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 23 vendvotime nga 914 për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Një burrë është gjetur pa shenja jete të martën rreth orës 11:45, në një shtëpi të pabanuar në rrugën “Abdyl Frashëri” në Lipjan.
Sipas informacioneve fillestare, trupi i pajetë është gjetur i shtrirë në objektin e braktisur, rreth 200 metra larg shtëpisë së viktimës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, të cilat kanë nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Me vendim të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në 10 komuna rinumërimi do të bëhet në tërësi, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10 për qind e vendvotimeve.
Sipas KQZ-së, vendimi u mor pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ), i cili gjatë kontrollit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit kishte evidentuar mospërputhje mes votave të numëruara dhe atyre të shënuara në fletëvotime.
Më pas, SKQZ-ja ka kryer verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve në 2 për qind të vendvotimeve, ose 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.
“Kuptohet se deri më 12 janar janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me ato të evidentuara në fletëvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.
Në bazë të këtyre gjetjeve, KQZ-ja ka vendosur që rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të bëhet në 10 komuna: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Ndërsa në 28 komunat e tjera do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve. Këto janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë anëtarët e ekipeve të numërimit.
Rinumërimi do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nis sot, më 13 janar, në orën 18:00. /Telegrafi/
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se, për shkak të rritjes së vlerave të turbullirës në ujin e prodhuar nga fabrika për trajtimin e ujit “Badoc”, qytetarët nuk duhet ta konsumojnë atë deri në njoftimin e ardhshëm nga autoritetet shëndetësore.
Sipas IKShPK-së, rritja e turbullirës mund të ndikojë në cilësinë e ujit dhe për këtë arsye instituti paralajmëron që uji të mos përdoret për pije derisa situata të normalizohet.
“IKShPK, në bashkëpunim të ngushtë me KRU ‘Prishtina’, po e monitoron situatën me ujë të pijshëm dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar që qytetarët të kenë akses në ujë të sigurt për konsum,” thuhet në njoftimin për media.
Instituti thekson se qytetarët duhet të tregojnë kujdes dhe të ndjekin rekomandimet zyrtare deri në përmirësimin e cilësisë së ujit.
Autoritetet po vazhdojnë analizat laboratorike dhe do të njoftojnë publikun menjëherë pas normalizimit të situatës. /Telegrafi/
Pas 20 vitesh betejë ligjore me familjen e bashkëshortit, Shyhrete Berisha ka fituar të drejtën e shtëpisë në të cilën jetoi me bashkëshortin dhe fëmijët, të cilët u vranë gjatë luftës.
Rasti është aprovuar nga shkalla përfundimtare e Gjykatës së Apelit.
Gjatë luftës, Shyhrete Berisha, ishte detyruar që të kërcej nga një kamion i ushtrisë serbe që po barte aro 50 viktimat e familjes Berisha nga Suhareka, si formë e vetme për të shpëtuar.
Nga krejt viktimat në kamion, Shyhrete Berisha kishte shpëtuar së bashku me djalin, Gramosin dhe kushëriren Vjosa. Ajo kishte arritur që të mbes gjallë, të kalojë edhe sfida të tjera me rrezik vdekjeprurës deri në përfundim të luftës.
Por lufta, për Shyhrete Berishës nuk kishte përfunduar.
Ajo kishte humbur bashkëshortin dhe katër fëmijët të cilët ishin vrarë barbarisht nga forcat e ushtrisë serbe, e bashkë me të kishte kuptuar se ka humbur edhe shtëpinë
Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë. Kështu kishte vendosur në 2017-tën Gjykata Themelore e Prizrenit – Dega në Suharekë, në aktgjykimin e saj për këtë çështje.
Dy të paditurve, Arben e Xhelal Berishës, u ishte lënë mundësia alternative që Shyhrete Berishës t’ia paguajnë shumën prej 130 mijë eurosh, aq sa është vlerësuar pjesa e shtëpisë.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, përveç gjysmës së shtëpisë ku kishte jetuar, ka vërtetuar se Berisha gëzon të drejtën e pronësisë edhe në dy prona të tjera./GAZETA10/
Një përleshje fizike mes disa personave të mitur ka ndodhur sot rreth orës 12:30, në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë, ku si pasojë një person ka mbetur i plagosur.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi e cila bëri të ditur se viktima ka pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë.
Sipas saj, i mituri i lënduar ka marrë trajtim mjekësor fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë.
Krasniqi shtoi se viktima është intervistuar në prani të prindit, ndërsa njëri nga të dyshuarit është duke u intervistuar nga policia.
“Njësitë relevante policore kanë reaguar menjëherë ndaj rastit dhe po vazhdojnë me veprime hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar ajo.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim. /Telegrafi/
Rasti i fundit i “Fantazmës së Prishtinës”, e cila ishte një fotografi e fabrikuar u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale dhe u publikua edhe nga disa media pa verifikim të fakteve, ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqesin imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale (AI) dhe ndikimin e tyre në perceptimin e publikut për realitetin.
Ky rast, tregoi se sa lehtë një përmbajtje e rreme vizuale mund të merret si e vërtetë dhe të prodhojë dezinformim masiv.
Lidhur me këtë rast, për Telegrafin kanë folur Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID, dhe Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike dhe zhvillues i softuerit për kompaninë amerikane The Daily Wire, të cilët shpjegojnë pse imazhet e gjeneruara nga AI janë gjithnjë e më bindëse dhe pse publiku shpesh u beson atyre.
Sipas Rizanajt, besueshmëria e fotografive të krijuara nga AI varet shumë nga tema që ato paraqesin.
“Kjo varet nga përmbajtja që publikohet. Nëse përmbajtja lidhet me tema për të cilat ka shumë informacion vizual në internet, atëherë mundësia që këto foto të duken origjinale, reale dhe më të besueshme është shumë më e madhe. Megjithatë, ekzistojnë edhe raste kur gjenerohen përmbajtje me cilësi të ulët, të njohura si ‘slop AI’,” thotë ai.
Edhe Fetahaj thekson se zhvillimi teknologjik e ka bërë dallimin mes reales dhe të rremes gjithnjë e më të vështirë.
“Fotot dhe videot e gjeneruara nga AI mund të duken shumë të besueshme, sidomos për një sy të patrajnuar. Teknologjia ka avancuar ndjeshëm dhe në shumë raste e bën të vështirë dallimin mes përmbajtjes së gjeneruar dhe asaj reale, veçanërisht kur imazhet shihen shpejt dhe pa verifikim,” shprehet ai për Telegrafin.
Një nga arsyet pse raste si “Fantazma e Prishtinës” arrijnë të bindin një pjesë të publikut lidhet me mënyrën se si njerëzit e përpunojnë informacionin.
Rizanaj shpjegon se “forma e komunikimit përmes imazheve është më e lehtë sepse nuk kërkon shumë angazhim të trurit për t’u kuptuar, ndërsa teksti i shkruar kërkon përqendrim dhe analizë për të kuptuar faktet që përmban”.
Në të njëjtën linjë, Fetahaj vëren ndikimin e rrjeteve sociale në këtë sjellje.
“Sot është bërë trend që informacioni të merret më shumë nga imazhet dhe videot sesa nga artikujt e shkruar. Rrjetet sociale kanë ndikuar shumë në këtë sjellje, sidomos platformat me përmbajtje të shpejtë si TikTok, ku njerëzit konsumojnë informacion në pak sekonda dhe rrallë ndalen të lexojnë burime të plota”, ka theksuar Fetahaj për Telegrafin.
Sa i përket ndikimit në perceptimin e ngjarjeve reale, hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj thekson se besimi i publikut shpesh lidhet me bindjet personale.
“Varet nga rastet. Për shembull, në aspektin politik, nëse përmbajtja i përshtatet bindjeve ose qëndrimeve të personit që e sheh, atëherë mundësia për t’i besuar është më e madhe. Po ashtu, edhe në raste të krizave të caktuara, kur publikohen imazhe që lidhen me ngjarjen, besueshmëria e tyre mund të rritet,” thotë ai.
Ndërkaq inxhinieri i kibernetikës, Kastriot Fetahaj paralajmëron se pasojat mund të jenë serioze.
“Këto imazhe mund të shkaktojnë konfuzion dhe të deformojnë perceptimin e publikut, sepse shumë njerëz nuk e marrin mundin të lexojnë kontekstin, burimin apo sqarimet. Shpesh, ajo që shohin e marrin si ‘informacionin e parë’ dhe kanë prirje t’i besojnë, edhe kur është e rreme ose e manipuluar”, ka shtuar Fetahaj.
Të dy ekspertët pajtohen se nevojiten mekanizma rregullues, por qasjet dallojnë. Rizanaj thekson domosdoshmërinë e rregullimit dhe transparencës.
“Po, duhet të ketë rregullim të qartë për përmbajtjet e krijuara nga AI, sidomos në platformat e mediave sociale, duke kërkuar që ato të identifikohen dhe etiketohen si përmbajtje të gjeneruara nga AI. Përveç kësaj, është e nevojshme të ketë edhe edukim për publikun, për ta njohur dhe kuptuar natyrën e këtyre përmbajtjeve”, ka deklaruar Rizanaj.
Ndërsa Fetahaj vlerëson se kufizimet ligjore janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë.
“Vendosja e kufizimeve ligjore është e vështirë, sepse edhe identifikimi i imazheve të gjeneruara nga AI nuk është gjithmonë i lehtë dhe shpesh kërkon analiza të detajuara ose mjete të specializuara,” thotë ai.
Fetahaj ka shtuar se një qasje më efektive mund të jetë ndalimi dhe penalizimi i shpërndarjes mashtruese (kur paraqitet si e vërtetë), si dhe përmirësimi i raportimit dhe heqjes së shpejtë të përmbajtjes nga platformat sociale sapo identifikohet.
Në fund, çështja e përgjegjësisë mbetet kyçe. Rizanaj thekson se përgjegjësinë duhet ta mbajë faqja ose llogaria në mediat sociale që e publikon imazhin duke nënvizuar vështirësinë e identifikimit të autorëve të vërtetë.
“Për këtë arsye, rregullime ligjore dhe mekanizma mbikëqyrës janë të nevojshme për të siguruar që përmbajtjet mashtruese të jenë të ndëshkueshme dhe për të mbrojtur publikun nga dëmet që mund të shkaktojnë”, shprehet ai.
Kurse Fetahaj shton se përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë personi që e shpërndan imazhin duke e paraqitur si të vërtetë, sidomos kur kjo shkakton dëm, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të madh mes institucioneve të sigurisë dhe platformave sociale.
“Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me platformat e rrjeteve sociale për të ndalur përhapjen, për të kërkuar të dhëna kur ka raste dëmi, dhe për të mundësuar identifikimin e personave përgjegjës. Në praktikë, kjo nuk po funksionon gjithmonë si duhet, dhe në shumë raste institucionet kanë qenë të kufizuara ose joefektive për të ndërmarrë veprime konkrete”, u shpreh inxhineri i kibernetikës.
Rasti i “Fantazmës së Prishtinës” mbetet një shembull konkret se si mungesa e verifikimit dhe fuqia e imazheve të rreme mund të çojnë në dezinformim, duke nxitur debat për përgjegjësinë e mediave, platformave dhe vetë publikut në epokën e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj E.Th., para pranimit të kërkesës për ekstradim, në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit, kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbi dyshimin e bazuar se E.Th. është i dënuar nga gjykata kompetente në Republikën e Shqipërisë për disa vepra të rënda penale.
Prokuroria Speciale bën të ditur se E.Th. është dënuar për veprat penale sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përfshirë: Trafikimin e narkotikëve, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Sipas Prokurorisë, masa e paraburgimit është kërkuar me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit deri në përfundimin e procedurave për ekstradim drejt Republikës së Shqipërisë. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut nga Vushtrria, A.V., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës 20 korrik 2025 – 28 tetor 2025, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në cilësinë e specialistit të mjekësisë familjare, ka vepruar me dashje me qëllim të përfitimit material.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se mjeku ka lëshuar raporte mjekësore pa bazë shëndetësore, duke u mundësuar pacientëve përfitime të kundërligjshme.
“I pandehuri ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve, duke e ditur se personat në fjalë nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, madje i ka pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojë, me qëllim që këto raporte të përdoren për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin e Punës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, A.V. dyshohet se ka përshkruar barna sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutikë dhe më pas ka pranuar përfitime financiare.
“Pas lëshimit të raporteve mjekësore, i pandehuri ka pranuar dobi pasurore – para në shuma që variojnë nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro”, thekson Prokuroria.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar gjykatës që mjeku A.V. të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet sanksioni penal i paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
Tre persona mbetën të plagosur mbrëmë në një lokal në qendër të Deçanit.
Të plagosurit (një shqiptar dhe dy serb) u dërguan fillimisht për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ku dy prej tyre për shkak të lëndimeve të pësuara nga arma e zjarrit janë transferuar në QKUK.
Në mesin e personave të plagosur është avokati Daut Cacaj.
Reagimi i njësiteve policore ishte i shpejtë ku menjëherë arrestuan të dyshuarin lidhur me incidentin.
I dyshuari, Ismet Zukaj është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit kujdestar.
Telegrafi nga burime mëson se Zukaj është recidivist i veprave penale, dhe se i njëjti ishte dënuar edhe më parë me burgim për një vepër tjetër të plagosjes.
Lidhur me këtë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes kërkesës për paraburgim të gjithë të kaluarën kriminale të të dyshuarit.
“Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes të gjithë të kaluarën kriminale personit të dyshuar, si rrethanë që do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake kur do të marrë vendimin lidhur me kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi.
Rasti ndodhi mbrëmë pas mesnate në një kafiteri në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan.
Nga hetuesit në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë pistoletë Zoraki 9mm, një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë të kalibrit 9mm dhe tri gëzhoja. /Telegrafi/
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë sot një takim duke filluar nga ora 14:00.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një mbledhje të Kryesisë së ngushtë, ku do të marrin pjesë nënkryetarët dhe sekretarët e partisë.
Sipas këtyre burimeve, takimi vjen në vazhdën e paralajmërimeve të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për mbajtjen e mbledhjeve të strukturave drejtuese të partisë.
Për momentin nuk dihet agjenda zyrtare e takimit, ndërsa pritet që temat e diskutimit të lidhen me zhvillimet e fundit brenda LDK-së.
Ndonëse është pritur dorëheqje morale nga Abdixhiku si shkak i rezultatit të dobët, kjo nuk është konfirmuar as mohuar nëse pritet të jetë në rend dite në këtë takim dorëheqja e të parit të LDK-së.
Duhet theksuar se kjo është hera e parë që LDK-ja si subjekt politik po organizon mbledhje pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. /Telegrafi/