Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Main stream

Rama takim me fermerët: Çdo projekt do financohet. Do kemi më shumë fonde nga BE

By: Fax Web
30 January 2026 at 10:46

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerët në kuadër të përgatitjes së Skemës Kombëtare 2026, ku theksoi nevojën për të ndërtuar politikat mbështetëse mbi një pasqyrë sa më reale të kërkesave dhe nevojave në terren.

Gjatë ciklit të dëgjesave në qarqe të ndryshme të vendit, Rama vuri theksin te mundësitë e pashfrytëzuara të financimit në bujqësi, duke nënvizuar se sfida kryesore nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e informacionit, përgatitjes dhe aftësisë për t’i përthithur ato.

Ai bëri me dije se janë në dispozicion 250 milionë euro kredi me garanci shtetërore dhe interesa të ulëta, si dhe fonde në rritje nga Bashkimi Europian, por kërkoi angazhim më të madh nga bashkitë dhe bashkëpunim më të ngushtë me fermerët për hartimin e projekteve të qëndrueshme dhe të financueshme.

Më vjen shumë mirë që shikojmë njëri-tjetrin këtu në këtë zonë pas një periudhe që nga zgjedhjet. Më vjen shumë mirë që jam këtu përsëri si pjesë e këtij cikli dëgjesash për të kolauduar të gjithë planin e mbështetjes për këtë vit. Dua të fokusohem në një aspekt që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara, pasi ne jemi mësuar që i referohemi buxhetit të shtetit, por ai është vetëm një nga komponentët e zinxhirit të financimit të bujqësisë. Komponentët e tjerë janë pak më të vështirë, por janë komponentët që do të bëhen gjithnjë dhe më të pranishme. Duhen të gjithë të përpiqen të mësohen dhe të aftësohen për t’i shfrytëzuar.

Mund të them me plot gojë, që puna e financimit të ideve që secili ka nuk është më problem. Ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe përthithjes për t’i thithur ato para. Ne do të kemi më shumë fonde nga BE, por që lidhen drejtpërdrejt me atë se sa të aftë jemi ne që t’i thithim këto fonde. Për këtë duhen disa gjëra që lidhen me një dosje, e cila duhet të ketë brenda një projekt dhe argumentet pse ky projekt duhet financuar. Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro. Ku të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe norma e interesit është shumë e ulët.

Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak. Sepse për ta shfrytëzuar këtë garanci duhet një përgatitje, duhet një dosje dhe një projekt. Në këtë aspekt ka një mangësi që ne nuk po e adresojmë dot siç duhet, dhe ka të bëjë me pushtetin vendor. Bashkitë duhet të jenë më shumë aktivë me fermerët dhe bujqit. Nuk duhet të ketë asnjë problem për financimin. Bashkitë dhe ju mund të krijoni nukle dhe struktura të përbashkëta për t’i marrë këto financime. Janë aty financimet presin”, tha kryeministri Rama.

Këshillimi i Punës/ Ibrahimaj: Rritje të mëtejshme të pagës minimale. Masa për fuqinë punëtore

By: Fax Web
30 January 2026 at 10:37

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar në Këshillin Kombëtar të Punës një sërë çështjesh kyçe që lidhen me politikat e arsimit, punësimit dhe mbrojtjes sociale.

Ajo theksoi rëndësinë e ngritjes së një komiteti që do t’i shërbejë jo vetëm Këshillit të Punës, por edhe hartimit të politikave afatgjata në fushën e arsimit dhe tregut të punës.

Gjatë mbledhjes u diskutuan ndryshimet ligjore për nxitjen e punësimit, rritja e pagës minimale dhe pensionet, si dhe masat për adresimin e mungesës së fuqisë punëtore dhe migracionit, përfshirë marrëveshjet me vendet e treta për shtimin e fuqisë punëtore.

Besoj që është një komitet që do i shërbejë dhe Këshillit Kombëtar të Punës, pasi do të shërbejë në politikat e arsimit dhe të punës. Pika e tretë do të lidhet me prezantimin e ndryshimeve të ligjit me qëllim nxitjen e punësimit. Për hartimin e politikave në këtë fushë, që do të përdoret nga të gjithë politikë bërësit. Në pjesën e tretë ka pika të ndryshme, ku ka pasur propozime të ndryshme, janë përzgjedhur tre tema për pagën minimale dhe pensionet. Rritja e pagës minimale ka hyrë në fuqi, dhe nga qeveria parashikohet që të ketë një rritje page të mëtejshme gjatë këtij 4-vjeçari, në përputhjet me nevojat dhe standardeve të BE.

Në këtë pikë do të diskutohet edhe për pensionet. Kremi një diskutim edhe për statusin e minatorit, e cila trajtohet në kuadër të ligjit përkatës. Në pikën e tretë do të diskutohet për mungesën e fuqisë punëtore dhe migracionin. Ku janë të parashikuara një sërë masash. Adresimi i problemit të mungesës së fuqisë punëtore. Janë marrë një sërë masash për shtimin e fuqisë punëtore edhe në bazë të marrëveshjeve me vendet e treta”, tha Ibrahimaj.

Skema kombëtare për fermerët/ Balluku: Buxheti 2026 më i madh historik për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin

By: Fax Web
30 January 2026 at 10:32

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte e pranishëm në takimin me fermerët për Skemën Kombëtare 2026. Balluku tha se buxheti 2026 është buxheti më i madh në histori për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin

“Fryma në Divjakë dhe në Lushnje edhe kur kemi problematika apo dëme nga përmbytjet është komplet ndryshe.

Më është dashur të hy në serat tuaja, të marr mësime nga më të mirët këtu dhe të kuptoj që edhe tokat tuaja ranore e përballojnë më mirë përmbytjen.

Me rëndësi është të mirëkuptohemi, të mbështesim njëri tjetrin.

Qeveria e angazhuar maksimalisht në mbështetjen e fermerëve. Tek shihja 2025, mbi 600 mln lekë janë vënë në dispozicion të skema dhe janë ezauruar në 95% të tyre. Buxheti 2026 më i madh historik për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin.” u shpreh Balluku

“Ligjet të mos miratohen sa për të kënaqur BE-në”, Schieder: PE nuk komenton çështje juridike

By: Fax Web
30 January 2026 at 10:15

Andreas Schieder, Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, ka dalë sot, 30 janar, në një konferencë për mediat.

Ai tha se “takimet në vendin tonë, në përgjithësi kanë qenë të suksesshme”, duke shtuar se lufta ndaj korrupsionit duhet fuqizuar.

“Në këtë vizitë unë u përqendrova edhe te politikat sociale kur fola me përfaqësuesit e komisionit treplaësh, sepse cilësia e një dialogu të mirë është shumë i rëndësishëm dhe roli i shoqërisë civile duhet të përmirësohet”, deklaroi ai.
“Sigurisht që kur vjen në Shqipëri, lexon shtypin, por dëgjon edhe aktorët e ndryshëm. Së pari, Parlamenti Europian nuk komenton çështje juridike apo ligjore, megjithatë institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, me gjetjet e tyre, në bazë të legjislacionit, kemi thënë që institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK-ut. Natyrisht nuk është për ne që të ndërhyjmë apo të komentojmë ndonjë rast specifik”, theksoi ai, kur u pyet për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ai u ndal edhe te protestat e fundit të opozitës, duke sugjeruar se “duhet shmangur dhuna” dhe se “Shqipëria duhet të ketë një qasje të bashkuar”.

“Mësova kohët e fundit se në Kuvend ka unaninimtet për didsa cështje të jashtme, uroj të ndryshojë kultura edhe në çështje të tjera”, u shpreh ai.

Tha se Shqipëria ka pasur një ecuri madhore në negociatat me Bashkimin Europian.

I dënuar në Itali me 9 vite burg, kapet në Shijak 53-vjeçari i akuzuar për trafik droge dhe prostitucion

By: Fax Web
30 January 2026 at 09:59

Një 53-vjeçar i kërkuar nga autoritetet italiane dhe i dënuar me 9 vite burg është arrestuar në Shijak. Policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar “Decision”, i vu në pranga shtetasi Festim Keci.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 9 vite burg, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Njoftimi

Finalizohet operacioni policor i koduar “Decision”

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 53-vjeçar i kërkuar nga autoritetet italiane.

53-vjeçari i dënuar me 9 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të shfrytëzimit të prostitucionit.

Në kuadër të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Decision”.

Gjatë operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Festim Keci, 53 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 9 vite burg, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Raportuesi i PE, Schieder: Shqipëria të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, mbështesim punën e SPAK

By: Fax Web
30 January 2026 at 09:48

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri.

Schieder tha se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se mbështesin punën e SPAK.

“Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, tha ai.

Projektet fituese të Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore

By: Fax Web
30 January 2026 at 09:30

Dy studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën fituese të Konkursit Ndërkombëtar për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projektet fituese të dy studiove prestigjioze nga Meksika, Taller Hector Barroso dhe Rojkind Arquitectos, të cilat morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

Juria ndërkombëtare vlerësoi se edhe pse secili prej projekteve kishte tipare shumë të mira arkitekturore, asnjë prej tyre nuk ishin plotësisht i suksesshme në trajtimin e të dyja komponentëve, Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore.

Ndaj juria vendosi të shpallë fitues studion “Taller Hector Barroso” për projektin e kampusit të fëmijëve dhe studion “Rojkind Arquitevtos S.C” për kullat shumëfunksionëshe.

Juria vendosi që dy projektet të zhvillohen nën bashkërendimin e një zhvilluesi të vetëm, ndërsa hartoi edhe një grup rekomandimesh drejt fazës zbatuese.

Projektet fituese u përzgjodhën mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.

Ato janë pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës publike nëpërmjet partneritetit publik-privat. Këto projekte synojnë të krijojnë kushte moderne dhe dinjitoze, veçanërisht për fëmijët në nevojë, si dhe hapësira funksionale për administratën shtetërore.

Starmer firmos marrëveshje me Kinën pas vizitës në Pekin, Trump ‘ndez alarmin’

By: Fax Web
30 January 2026 at 09:29

Pas vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Shangai, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është “shumë e rrezikshme” që Mbretëria e Bashkuar të bëjë biznes apo të lidhë marrëveshje me Kinën. Komentet e Trump vijnë në një moment të ndjeshëm të marrëdhënieve gjeopolitike, ku Uashingtoni vijon të shprehë shqetësime për ndikimin ekonomik dhe strategjik të Pekinit në arenën ndërkombëtare.

Trump iu referua presidentit kinez Xi Jinping si një “mik”, duke theksuar se e njihte atë “shumë mirë”, por shtoi se bashkëpunimi ekonomik me Kinën mbart rreziqe serioze për vendet perëndimore. Në reagim ndaj këtyre deklaratave, Downing Street bëri të ditur se administrata amerikane kishte qenë e informuar paraprakisht për vizitën e Starmer në Kinë, si dhe për objektivat e saj.

Gjithashtu u theksua se vetë presidenti amerikan pritet të zhvillojë një vizitë në Kinë gjatë muajit prill, çka tregon se komunikimi mes dy fuqive mbetet i hapur, pavarësisht toneve kritike. I pyetur nga gazetarët se çfarë mendonte për afrimin e Mbretërisë së Bashkuar me Kinën në aspektin ekonomik, Trump u shpreh shkurt, pa hyrë në detaje të mëtejshme.

Në vend të kësaj, ai e zhvendosi vëmendjen tek Kanadaja, duke dhënë një paralajmërim edhe më të fortë për Otavën. Sipas Trump, bashkëpunimi i Kanadasë me Kinën është “edhe më i rrezikshëm”, duke shtuar se vendi fqinj “nuk po ecën mirë” dhe se Kina nuk duhet parë si zgjidhje për problemet ekonomike.

Më herët gjatë javës, presidenti amerikan kërcënoi me vendosjen e tarifave ndaj Kanadasë nëse ajo do të vijonte me marrëveshjet ekonomike të arritura me Kinën, pas vizitës së kryeministrit kanadez Mark Carney në Pekin. Ky qëndrim ka shtuar tensionet tregtare në Amerikën e Veriut dhe ka rritur pasigurinë për marrëdhëniet ekonomike rajonale.

Deklaratat e Trump vijnë në kontrast me qëndrimin e kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili pas takimeve me presidentin Xi Jinping deklaroi se marrëdhëniet mes Londrës dhe Pekinit janë “të mira dhe të forta”. Nga vizita e Starmer në Kinë kanë dalë disa rezultate konkrete, përfshirë një marrëveshje për udhëtime pa viza, uljen e tarifave për uiskin britanik, si dhe një investim prej 10.9 miliardë paundësh nga kompania AstraZeneca për ndërtimin e objekteve prodhuese në Kinë.

Po ashtu, janë njoftuar marrëveshje për bashkëpunim në fusha të tjera si lufta kundër krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm. Sipas të dhënave të Departamentit britanik për Biznes dhe Tregti, Shtetet e Bashkuara mbetën partneri më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2025, ndërsa Kina renditej si partneri i katërt më i madh tregtar.

Me një sërë akuzash të rënda, dëshmon në gjykatën belge e dashura e Franc Çopjajt

By: Fax Web
30 January 2026 at 09:13

Mbahet në Belgjikë gjyqi për Franc Çopjan, ose i njohur ndryshe si Franc Gergely.

Një nga personat që kanë dëshmuar në gjyqin e tij, sipas ‘La Libre’, ka qenë edhe e dashura e tij, e cila e përshkruan atë si një njeri besnik, asnjëherë agresiv, i cili sipas saj “kurrë nuk e ngriti zërin para askujt”.

Partnerja e shqiptarit deklaroi se nuk ishte në dijeni të ndonjë aktiviteti kriminal prej anës së tij, duke thënë se ai është i pafajshëm.

Më parë, një dëshmitar shqiptar me origjinë nga Elbasani, deklaroi se i njihte dy familjet Alibej dhe Çopja, të cilat janë përfshirë në një ‘luftë klanesh’ që të paktën nga dhjetori 2018.

Ai u pyet në lidhje me një sherr, që daton që nga viti 2017, i cili dyshohet se shpërtheu në një lokal në Elbasan, ku përfshihej Franc Çopja.

Përplasja në fjalë ishte pjesë e një konflikti të gjatë kriminal midis bandave të Elbasanit për trafikun e drogës dhe dominimin në territor, duke përfshirë vrasjen e Endrit Alibejt më 29 dhjetor 2018 dhe vrasje të tjera që pasuan.

Dëshmitari përshkroi një “mosmarrëveshje të vogël” dhe një “zënkë të thjeshtë djemsh” që u përshkallëzua. Gjykatësi vuri në dukje se përleshja ishte raportuar në median shqiptare dhe se ishin përdorur armë zjarri.

Dëshmitari më pas pranoi përdorimin e armëve të zjarrit. Ai deklaroi gjithashtu se një pjesë e dëshmisë së dhënë të hënën nga vëllai i gruas së vëllait të viktimës, një anëtar i familjes Alibej, ishte e pavërtetë.

Më herët gjatë mëngjesit, një ekspert i ADN-së dëshmoi në gjykatë, duke specifikuar se në vendin e krimit nuk ishte gjetur asnjë ADN, përveç asaj të Ardit Spahiut dhe asaj të burrit që po drejtonte makinën me të cilën ndodhej ai pak para vrasjes së tij.

Franc Çopja akuzohet si porositësi dhe organizatori kryesor i vrasjes me paramendim të Ardit Spahiut, një anëtar i një bande rivale shqiptare, i vrarë me armë zjarri në Molenbeek të Brukselit në nëntor 2020.

Po ashtu ndaj tij rëndojnë akuzat për udhëheqjen e një organizate kriminale të strukturuar.

Prokuroria belge e ka përshkruar atë si “bossin” e një mafieje shqiptare të trafikut të drogës, e cila ka importuar tonelata kokainë nga Amerika Latine në Europë dhe ka kontrolluar aktivitete kriminale të lidhura me drogën, pastrim parash dhe dhunë.

Hetimet e kanë lidhur klanin Çopja me trafikimin masiv të kokainës, investime të mëdha të parave të pista në pasuri, biznes dhe kriptovaluta si pjesë e pastrimit të parave.

Ai u arrestua në Dubai nën identitet tjetër dhe më pas u ekstradua në Belgjikë, ku po përballet me gjyq për këto akuza të rënda.

Trump i gatshëm për bisedime me Iranin, por paralajmëron: Shumë anije luftarake po shkojnë në Lindjen e Mesme

By: Fax Web
30 January 2026 at 09:11

Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime me Iranin, por duhet të bëjë dy gjëra për të shmangur veprimet ushtarake të SHBA, të heqë dorë nga armët bërthamore dhe të ndalojë së vrari protestuesit.

Ai tha se shumë anije luftarake amerikane po shkojnë drejt Iranit në Lindjen e Mesme dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të ishte e nevojshme t’i përdornin.

Komentet e tij të fundit vijnë pas javësh presioni mbi Iranin për të negociuar një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se forcat e armatosura ishin në gatishmëri për t’iu përgjigjur menjëherë dhe fuqishëm” çdo agresioni.

Më herët gjatë kësaj jave, Trump paralajmëroi se nëse nuk arrin marrëveshje për programin bërthamor, do të pësojë sulm më të keq se ai i qershorit 2025, ku u goditën objektet bërthamore.

Presidenti konfirmoi se aeroplanmbajtësja Abraham Lincoln  ka mbërritur në Lindjen e Mesme dhe është e gatshme tashmë për sulme.

Përgjigja e Iranit erdhi nëpërmjet misionit të tij në OKB, i cili shprehet pro dialogut por duke kërkuar atë që e quan respekt të ndërsjelltë, përndryshe do të përgjigjet si asnjëherë tjetër.

Ndërsa BE deklaroi se palët duhet ti japi shans diplomacisë në një reagim ndaj mundësisë që SHBA të sulmojë iranin në orët e ardhshme.

Situata në Iran ndërkohë është tragjike prej javësh. Bilanci I përplasjeve mes civilëve dhe agjentëve iranin të sigurisë sipas Human Rights Activists Njuz Agency u përkeqësua duke shkuar në 6.221 të vdekur në protesta.

Por numri mund të jetë frikshëm më I lartë se kaq. Revista Time, e cila citoi dy zyrtarë të lartë të Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, raportoi të hënën se rreth 30 mijë persona mund të jenë vrarë.

Yesterday — 29 January 2026Main stream

DOKUMENTI/ Gerond Meçe rikthehet sërish të fitojë tendera nga AKSHI

By: Fax Web
29 January 2026 at 20:02

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka përzgjodhur kompaninë “Advanced Business Solutions”, në pronësi të biznesmenit Gerond Meçe, si fituese për tenderin e mirëmbajtjes së sistemit elektronik të vizitave dhe hyrje-daljeve në burgjet e vendit.

Kontrata me fond limit prej rreth 590 mijë eurosh është fituar nga kompania e Meçes me një çmim prej rreth 480 mijë euro.

Sipas njoftimit të fituesit, në garën për mirëmbajtjen e sistemit të vizitave në burgje u paraqitën 5 oferta nga kompani të ndryshme.

“Advanced Business Solutions” ishte eliminuar nga tenderat e AKSHI-t prej gati dy vitesh. Ndonëse kompania konkurronte thuajse në të gjithë tenderat e teknologjisë së informacionit ajo skualifikohej nga AKSHI.

DOSJA E SPAK

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e arrestit ndaj drejtuesve të AKSHI-t dhe dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri përfshin edhe dëshminë e Gerond Meçes, i cili u mor peng derisa pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tendera shtetërorë.

Në dëshminë e dhënë Meçe tregon se poshtë pallatit të tij sapo kishte dalë nga makina, i ishin afruar dy persona të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pasi e kishin marrë brenda në makinë ata i kishin komunikuar se ishte arrestuar dhe i kishin vendosur kapuçin në kokë për të mos parë itinerarin e lëvizjes.

Megjithatë Meçe thotë se e kishte kuptuar që ishte marrë peng pasi personat në makinë që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së nuk dinin të vendosnin pranga.

SPAK ka akuzuar dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri se kanë urdhëruar pengmarrjen e Meçes.

Shifra rekord për Mbappe në Champions League, francezi në gjurmët e më të mëdhenjve

By: Fax Web
29 January 2026 at 19:52

Edhe në mbrëmjen e hidhur të Lisbonës, Kylian Mbappe la gjurmë.

Pavarësisht humbjes së Real Madridit ndaj Benfica (4-2), sulmuesi francez shënoi një dopietë, duke e çuar totalin e tij në 13 gola në fazën e ligës së Champions League.

Një rekord absolut, i ndihmuar edhe nga formati i ri me 8 ndeshje për skuadër.

Rruga e tij finalizuese ka qenë mbresëlënëse: dopietë ndaj Marseille, tripletë kundër Kairat Almaty, 4 gola ndaj Olympiacos, 2 kundër Monaco dhe dopieta e Lisbonës.

Një vazhdimësi që e bëri kryegolashënues të fazës së ligës, me 5 gola më shumë se Harry Kane.

Mbappe ka kaluar edhe Cristiano Ronaldon më të mirë në fazën e grupeve (11 gola në 2015/16), ndërsa Messi, Lewandowski dhe Haller kishin arritur 10 gola.

Në raport me minutat, rekordi ndryshon: Lewandowski kryeson me 10 gola në 437 minuta (2019/20).

Në total, Mbappe ka 68 gola në 94 ndeshje në Champions League me Monaco, PSG dhe Real Madrid, më mirë se CR7 në të njëjtin numër paraqitjesh.

Kujdes edhe nga Erling Haaland; 56 gola në 56 ndeshje europiane.

Tensionet në rritje/ 10 luftanije amerikane i afrohen Iranit

By: Fax Web
29 January 2026 at 19:44

Destrojeri “Delbert D Black” është luftanija e fuqishme amerikane e radhës që i bashkohet flotës që është vënë në gatishmëri në Lindjen e Mesme, për një sulm të mundshëm ndaj Iranit nga momenti në moment.

Lajmi konfirmohet nga media britanike BBC, që shkruan se gjatë orëve të fundit, anija raketahedhëse është parë të kalojë përmes kanalit të Suezit drejt Gjirit Persik, duke e çuar në 10 numrin e mjeteve të mëdha lundruese luftarake në zonë përfshirë edhe aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”.

Shifra tregon se tensionet janë tepër të larta, duke shtuar së tepërmi mundësinë e një sulmi ushtarak amerikan ndaj republikës islamike.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Trump ka biseduar me zyrtarë nga Izraeli dhe Arabia Saudite me të cilët ka diskutuar për variantet e sulmeve ushtarake ndaj Iranit.

Qëllimi është të krijohen kushte për mbajtjen gjallë të protestave dhe rrëzimin e regjimit të Ajatollahëve.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë dhe sauditë, sipas Reuters ishin të mendimit se sulmet ajrore nuk mjaftojnë për këtë objektiv.

LEXO EDHEZyrtarë të Arabisë Saudite dhe Izraelit në Uashington/ Diskutime për sulm të mundshëm të SHBA ndaj Iranit

Nga ana tjetër, Teherani njoftoi vendosjen në gatishmëri të 1 mijë dronëve për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve amerikane. Zyrtarët iranianë paralajmëruan për kundërpërgjigje “dërrmuese”.

Kremlini i bëri thirrje Uashingtonit të gjejë zgjidhje diplomatike. Megjithatë, zyrtarët rusë u bënë thirrje punonjësve nga ky vend në centralet bërthamore iraniane, të largohen në vende të sigurta.

Rafa Leao, ëndrra e madhe e Manchester United/ Zbulohet oferta e “Djajve të Kuq”

By: Fax Web
29 January 2026 at 19:39

Edhe pse prej kohësh se Milan dhe Rafael Leao janë në bisedime për të rinovuar kontratën, e cila skadon në vitin 2028, deri tani nuk ka pasur gjë zyrtare.

Në këtë situatë, portugezi vazhdon të jetë në radarin e shumë klubeve të mëdha.

Mediat zbulojnë se Leao është objektivi kryesor i merkatos verore te Manchester United.

Duke qenë se Benjamin Sesko i transferuar verën e kaluar mbi 76 milionë euro po rezulton një dështim, “Djajtë e Kuq” janë të bindur se Rafa Leao do të ishte profili i duhur për të udhëhequr sulmin e tyre.

Sipas raportimit në fjalë, Manchester United po përgatit një ofertë që është e vështirë të refuzohet nga Milan, në shifrën 85-90 milionë euro dhe sigurisht një rrogë shumë herë më e madhe për sulmuesin portugez, nga ajo që përfiton aktualisht.

Përveç Manchester United, Leao vazhdon të jetë edhe në radarin e klubeve të tjera të mëdha si Chelsea, Manchester City, PSG etj.

Tjetër rekord në çmimin e arit

By: Fax Web
29 January 2026 at 18:58

Çmimi i arit ka shënuar një tjetër rekord.

Vlera e metalit të çmuar ka arritur nivelin e 5 mijë e 600 dollarëve për onz të enjten. Ndërkohë vetëm tre ditë më parë kishte arritur në 5 mijë dollarë për onz për herë të parë.

Ari u fuqizua edhe më tej pasi për shkak të tronditjes së tregjeve globale investitorët vazhdojnë të drejtohen tek asetet e sigurta, duke kërkuar mbrojtje kundër pasigurisë gjeopolitike dhe ekonomike.

Metalet e çmuara po përfitojnë gjithashtu nga dollari më i dobët, i cili ka shënuar rënie.

Ari, zakonisht performon mirë kur normat e interesit janë të ulëta. Rezerva Federale mbajti normat e interesit të qëndrueshme në takimin e saj të politikës monetare në janar.

Analistët thonë se ari mund të rritet në 6 mijë dollarë për onz këtë vit, duke e lidhur këtë me kërkesën e vazhdueshme për investime.

Mes vendeve janë Shangai dhe Hong Kong të cilët nuk kanë ndryshuar në kërkesë pavarësisht çmimeve rekord.

Konfliktet në Ukrainë dhe Gaza, si dhe zhvillimet politike ndërkombëtare, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e çmimit të metalit të çmuar.

Zyrtarë të Arabisë Saudite dhe Izraelit në Uashington/ Diskutime për sulm të mundshëm të SHBA ndaj Iranit

By: Fax Web
29 January 2026 at 18:55

Zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe inteligjencës nga Izraeli dhe Arabia Saudite janë në Uashington këtë javë si të ftuar të qeverisë amerikane për bisedime mbi Iranin.

LEXO EDHEÇfarë mund të ndodhë nëse SHBA sulmion Iranin. Ja 7 skenarët

Sipas Axios, i cili citon dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera me njohuri për zhvillimet, Donald Trump po shqyrton mundësinë e sulmeve ushtarake. Trump ka urdhëruar një përforcim të pranisë ushtarake amerikane në Gjirin Persik, në mënyrë që të jetë gati për veprime të mundshme ushtarake.

Izraeli, Arabia Saudite dhe vende të tjera në rajon kanë qenë në gatishmëri të lartë për ditë të tëra, duke parashikuar një sulm të mundshëm amerikan.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Donald Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Të mërkurën, ai e kërcënoi përsëri Iranin me sulme që “do të jenë shumë më të këqija” se ato të mëparshmet. Por bashkëpunëtorët e tij thonë se ai është ende i gatshëm të eksplorojë rrugën diplomatike.

Izraelitët udhëtuan për në Uashington për të ndarë informacion në lidhje me objektivat e mundshëm brenda Iranit.

Kreu i inteligjencës ushtarake të Izraelit, gjenerali Shlomi Binder, u takua të martën dhe të mërkurën me zyrtarë të lartë në Pentagon, CIA dhe Shtëpinë e Bardhë, sipas dy zyrtarëve amerikanë.

Një burim i njohur me diskutimet tha se Binder udhëtoi për në Uashington për të informuar administratën Trump mbi informacionin specifik në lidhje me Iranin që SHBA-të kishin kërkuar.

LEXO EDHEBE shpall “organizatë terroriste” Gardën Revolucionare të Iranit

Salianji në Himarë: E papranueshme që lidershipi i PD të shkatërrojë garat dhe të pilotojë kryetarë

By: Fax Web
29 January 2026 at 18:50

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji vijon takimet me demokratët.

Ditën e sotme ai ishte në Himarë, ku ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të PD në Himarë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai kritikon lidershipin aktual të PD për shkatërrimin e garave dhe përjashtimin e anëtarësisë nga vendimmarrja.

Sipas Salianjit, pa demokraci të brendshme dhe respekt për anëtarët, PD nuk mund të ketë besueshmëri përballë qytetarëve.

Ja çfarë shkruan Salianji:

Partia Demokratike duhet të jetë modeli i epërsisë morale përballë qeverisë.
Nëse Edi Rama dhe qeveria e tij kanë shkretuar Shqipërinë përmes keqqeverisjes, është e papranueshme që lidershipi që sot drejton demokratët të shkatërrojë garat, të pilotojë kryetarë pa pyetur anëtarësinë dhe, aq më keq, ta përjashtojë anëtarët dhe drejtuesit e strukturave nga vendimmarrja.
Sot isha në Himarë, së bashku me sekretarin e degës, dy ish-kryetarët e degës, ish-kandidaten për Bashkinë dhe drejtuesin e ish-të përndjekurve politikë, për të dëgjuar shqetësimet reale të demokratëve lidhur me farsën që është zhvilluar në këtë degë. Ajo që po ndodh në Himarë është e papranueshme për çdo demokrat që beson te parimet dhe te vota e lirë.
Demokratët vendosin. Demokratët duhet të dëgjohen.
Ata janë pronarët e Partisë Demokratike dhe sakrifikuesit më të mëdhenj përballë regjimit. Pa respekt për anëtarësinë, nuk ka opozitë morale; pa demokraci të brendshme, nuk ka besueshmëri përballë qytetarëve.

Rikthehet në punë sistemi ‘Self-Care’/ Bizneset: Platforma ka ende probleme, mund të jenë fshirë edhe të dhëna

By: Fax Web
29 January 2026 at 18:43

Blackout-i në sistemin e Self-Care apo Platforma Qendrore e Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara, krijoi jo pak probleme për mijëra biznese, duke u pamundësuar aksesin në faturat e fiskalizuara.

Edhe pse një biznes mund të lëshojë një faturë të fiskalizuar, ai nuk e kontrollon dot në sistem për gabime. Të vetepunësuarit që nuk kanë aplikacionin e fiskalizimit, përdorin platformën e Self-Care. Për paspojë nuk kanë patur asnjë mundësi të lëshojnë fatura. Kategoria e tretë e madhe e prekur bzineset e import-eksportit. Faturat e zhdoganimit të mallrave, po ashtu nuk u fiskalizuan në këtë periudhë.

Por tatimet thonë se prej ditës së djeshme 28 janar sistemi është kthyer në punë.

Administrata Tatimore informon se problematika e konstatuar ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur, dhe se platforma prej pasdites së sotme, 28 janar, është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht”, thuhet në njoftimin e tatimeve.

Por bizneset po përballen përsëri me vështirësi. Sistemi është tepër i ngadaltë. Edhe pse mund të futen në platformë, nuk bëjnë dot veprime.

Një tjetër shqetësim është edhe fakti që shumë të dhëna nuk janë të disponueshme, duke ngritur edhe dyshime që mund të jenë fshirë.

Një nga problemet kryesore lidhet me pamundësinë për të mbyllur bilancet financiare të vitit 2025, pasi faturat nuk shfaqen në sistemin “Self Care”.

Përtej këtyre shqetësimeve Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nuk jep informacion nëse të dhënat e bizneseve janë fshirë apo nëse do të ketë rikuperim të tyre, por vijon me ofrimin e disa zgjidhjeve alternative kur hasen vështirësi në fiskalizimin e faturave.

Për 139 mijë tatimpagues që lëshojnë fatura përmes software-ve thonë tatimet duhet të vazhdojnë të lëshohen fatura edhe pse Self-Care nuk punon pasi kur ajo kthehet në punë mund të fiskalizohen fatura.

Për të vetëpunësuarit, që janë 3 mijë në total, kur kanë probleme me platformën duhet të blejnë software ose t’i drejtohen me kërkesë Drejtorisë Rajonale Tatimore për t’u pajisur me bllokun e veçantë të faturave.

Kurse në rastin e zhdoganimit të mallrave në njoftim theksohet edhe një herë afati 7-ditor për kryerjen e fiskalizimit, por kur ky afat nuk respektohet për shkak të vështirësive që mund të krijohen gjatë aksesimit të Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara, do të merret në konsideratë rast pas rasti.

FOTO/ Formacioni më i mirë i javës në Champions League

By: Fax Web
29 January 2026 at 18:32

Mbrëmë u luajtën ndeshjet e fundit për raundin e fundit në këtë fazë të Champions League, duke ëprcaktuar njëherë e mirë 8 ekipet që kualifikohen direkt për fazën e 1/16-ve, 16 ekipet në play-off, ku prej tyre do të luakifikohen vetëm 8, si dhe 12 ekipet e renditura të fundit, që e mbyllin këtu për këtë sezon.

Pak më parë është publikuar formacioni më i mirë i javës së fundit në Champions League dhe nuk është se ka vend për debate.

Në portë, është heroi i Benfica, portieri Anatoliy Trubin, i cili shënoi golin vendimtar në fitoren 4-2 në shtesë ndaj Real Madrid.

Qendra e mbrojtjes është Cristian Romero i Tottenham dhe Dan Burn i Newcastle, në krah janë zgjedhue Federico Dimarco i Interit dhe Bruno i Pafos.

Në mesfushë, Anreas Schjeldrup i Benfica, i cili luajti një ndeshje të madhe mbrëmë, i cili gjithashtu zgjidhet edhe si “Lojtari më i mirë i javës”. Alexis Mac Allister dhe Malik Tillman në qendër të mesfushës. Po ashtu ka vend edhe për Lamine Yamal në krah, i cili shkëlëqeu në përmbysjen e Barcelonës ndaj Copenhagen.

Dyshja e sulmit, Kasper Hogh, i jashtëzakonshëm në fitoren e Bodo/Glimt 1-2 ndaj Atletico Madridit, si dhe Joao Pedro, fantastik në fitoren 2-3 të Chelsea në transfertën ndaj Napolit.

Drejt mandatit të 7-të/ Armand Duka, kandidat i vetëm për postin e presidentit të FSHF

By: Fax Web
29 January 2026 at 18:16

Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për garantimin e integritetit dhe ligjshmërisë së procesit zgjedhor, në zbatim të Rregullores së Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, zhvilloi sot mbledhjen e radhës me fokus verifikimin e propozimeve dhe kritereve ligjore për kandidatët për postin e Presidentit, për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe verifikimin e delegatëve të propozuar nga anëtarët e federatës.

Mbledhja u mbajt pas përfundimit të afatit zyrtar të depozitimit të kandidaturave. Gjatë shqyrtimit, Komisioni analizoi me kujdes çdo propozim të paraqitur nga anëtarët e Asamblesë, duke vlerësuar përmbushjen e kritereve statutore, integritetin personal dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore të procesit zgjedhor.

Në përfundim të procesit të verifikimit, Komisioni konstatoi se 13 kandidatë për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së kanë marrë dy propozimet e nevojshme nga anëtarët e Asamblesë dhe plotësojnë kriteret për të qenë zyrtarisht pjesë e garës.

Kandidatët sipas renditjes alfabetike janë:

  1. Abdyl Kuriu
  2. Anila Basha
  3. Arben Dervishaj
  4. Armando Cungu
  5. Blendi Fevziu
  6. Edmond Hasanbelli
  7. Envi Hicka
  8. Erind Resuli
  9. Ervin Canollari
  10. Geri Çipi
  11. Gjergji Petro
  12. Lutfi Nuriu
  13. Pano Xhixho

Për postin e Presidentit të FSHF, është regjistruar kandidatura e z. Armand Duka, i propozuar nga 33 anëtarë të federatës.

Gjithashtu, Komisioni zyrtarizoi listën e delegatëve të anëtarëve të FSHF-së për Asamblenë e datës 16.02.2026, në përputhje me numrin e delegatëve të përcaktuar në Vendimin Nr. 1, datë 03.12.2025.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF do të zhvillohet më 16 shkurt 2026, në orën 10:00, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Gjatë Asamblesë do të zgjidhen Presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF për mandatin e ri katërvjeçar.

Ky pritet të jetë mandati i shtatë për Dukën në krye të FSHF-së.

Eksperienca në FSHF:

2002     Zgjidhet President i Federatës Shqiptare të Futbollit

2006     Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit

2010     Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit

2014     Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit

2018     Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit

2022     Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit

Eksperienca në UEFA:

2004 – 2006                Anëtar i Komitetit të Federatave

2006 – 2008                Zv/kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare

2008 – 2013                 Zv/kryetar i Komitetit të Kompeticioneve të Ekipeve Kombëtare

2013 – 2016                  Zv/kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare

2016 – në vazhdim      Zv/Kryetar i Komitetit HatTrick (I vetmi komitet në UEFA që merr vendime pa Komitetin Ekzekutiv dhe me portofolin më të lartë në UEFA)

2019 – në vazhdim       Zv/Kryetar i Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë

2019 – në vazhdim     Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s

2023 – në vazhdim     Zv.President i UEFA-s

2023 – në vazhdim     Kryetari i Komitetit të Medias në UEFA

Eksperienca në FIFA

2008 – 2012                  Anëtar i Komitetit të Federatave

2012 – 2017                   Anëtar i Komitetit Organizator të Kupës se Konfederatave

2025 –  në vazhdim     Anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare në FIFA (Member Associations Committee)

❌
❌