Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 16 January 2026Main stream

Nga grabitjet te romani brenda burgut- Fatmir Pjetri i ‘Bandës së Babagjyshëve’ kryen ‘krimin’ e radhës

16 January 2026 at 14:19

Nga Gazeta “SI”- Fatmir Pjetri, i dënuar si pjesë e bandës së “Babagjyshëve”, ka tërhequr vëmendjen e publikut pasi publikoi në profilin e tij në Instagram një audioregjistrim, në të cilin akuzon Drejtorinë e Burgjeve se i ka mohuar lejen për të promovuar një roman të shkruar prej tij, me pretendimin se përmbajtja e tij përfshin skena dhune dhe del kundër institucioneve shtetërore.

I indinjuar për diskriminimin që i është bërë, ai shpreh në këtë audioregjistrim pakënaqësinë e tij për ndalimin e promovimit të librit përpara bashkëvuajtësve të tij.

Në një rrëfim ekskluziv për GazetaSi.al, Fatmir Pjetri ka sqaruar në detaje jo vetëm arsyen e ndalimit të romanit, por edhe procesin e gjatë të krijimit të tij, që nga koha kur është shkruar e deri te botimi. Sipas tij, romani “Jetë e guximshme” është kryevepra e tij.

“Romani im me titull ‘Jetë e guximshme’ është krijuar në kushte izolimi ekstrem, pasi isha i mbyllur në regjimin 41 bis në Burgun e Burrelit për dy vite. Aty është burg brenda burgut. Nuk ke asnjë kontakt me botën e jashtme, nuk ka gazeta as televizor, je i vetëm brenda katër mureve. E vetmja mënyrë argëtimi për mua ishte leximi. Dostojevski thoshte: ‘Më jepni një dramë dhe do t’ju jap një kryevepër’. Në këtë dramë dyvjeçare krijova veprën time, një roman me shumë personazhe, pa censurë, me skena aksioni dhe erotike, duke thyer tabutë. Kam folur për një realitet që ekziston, por që shumë pak persona e njohin.”

Pjetri thotë se arsyeja e ndalimit nga Drejtoria e Burgjeve të promovimit të romanit është absurde dhe diskriminuese.

“Të gjithë të tjerët që kanë vuajtur dënimin e tyre në këtë institucion i kanë promovuar librat e tyre pa asnjë problem. Edhe romani im ishte programuar të promovohej te bashkëvuajtësit e mi në datë 14 janar, por Drejtoria e Burgjeve e anuloi prezantimin më 12 janar, me arsyetimin se romani promovon dhunën, përmban skena erotike dhe flet kundër institucioneve qeveritare. Ata e paragjykuan librin vetëm nga kopertina, pa e lexuar fare.”shprehet Pjetri

Sipas tij romani “Jetë e guximshme”, sipas tij, është një roman i shkruar pa komplekse, duke tentuar të thyejë tabu, ndërsa ai shpjegon edhe procesin e krijimit të tij nga faza fillestare deri në botim fizik.

“Për t’u arratisur nga dhuna psikologjike që përjetojnë të burgosurit në regjimin 41 bis, fillova të shkruaj nga 8 deri në 10 orë në ditë. Kur përfundova bis-in, kisha shkruar 1200 faqe A4 vetëm vitin e fundit. Në këto faqe është shkruar edhe një ditar për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën e izolimit.  Në romanin “Jetë e guximshme” bëhet fjalë për një ngjarje që zhvillohet në zemër të Europës, në një hark të shkurtër kohor, dhe që përfshin kapërcime të herëpashershme në kohë. Personazhi kryesor, Viktor Delano, zgjohet në një spital me shtatë plumba në trup. Aty fillon dhe tregon historinë e jetës së tij deri në momentin e atentatit. Ka dashuri, grabitje, vjedhje diamantesh e florinjsh. Historia është e thjeshtë, e kuptueshme nga të gjitha shtresat, me skena surprizuese dhe zhvillime të papritura që lexuesin e mbajnë të mbërthyer deri në fund. Romanin tim e ka redaktuar profesor Çelik Petriti dhe është shtypur nga shtëpia botuese Arte Grafik. Ai qarkullon në treg dhe është i aksesueshëm për të gjithë.”

Botuesja: Janë rritur kërkesat për librin pas autoinçizimit

Botuesja e romanit, Artemida Nako nga ArteGraphic  shpjegon për GazetaSi.al detajet e botimit fizik të romanit “Jetë e guximshme”

“Libri ka dalë nga botimi në datën 9 janar dhe pak ditë më pas i vëllai i Fatmirit ka tërhequr disa kopje me idenë e promovimit në burg. Kopertina është dizajnuar sipas kërkesave të Fatmirit për të shprehur sa më qartë atë çka ai ishte përfshirë në roman. Me kërkesë të tij, si një vjegë për të tërhequr lexuesin, kemi bërë edhe disa shënime si “Ky libër mban skena erotike dhe akte dhune”, por edhe për të paralajmëruar se libri në fakt është për lexues mbi 18 vjeç.

Nako përfundon duke theksuar se libri është paragjykuar duke e moslejuar promovimin nisur vetëm nga kopertina.

“Unë mendoj se arsyeja e ndalimit të promovimit është vetëm për shkak të shënimit në kopertinë, sepse po të lexohet, ajo është letërsi dhe imoraliteti nuk ekziston kur bëhet fjalë për letërsi. Kemi plot shkrimtarë që kanë shkruar tema të tilla si Bukowski e shumë të tjerë, por gjithçka gjykohet në kuadrin e letërsisë.”

Por çfarë është letërsia dhe krijimi sipas Fatmirit dhe pse ishte kaq i fortë përjetimi që u desh ta hidhte në letër.  Ai e shpjegon duke u shprehur se:  “Shkrimi është gjëja më e bukur që ka shpikur njerëzimi. Me anë të shkrimit ne shprehim dashurinë, dhimbjen dhe mërzinë.” përmbyll Fatmir Pjetri rrëfimin për GazetaSi.al

33-vjeçari Fatmir Pjetri nga Puka, pas ardhjes në Shqipëri në vitin 2013, u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Sipas akuzës, ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bandës, që shtriheshin në të gjithë vendin , Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç e Shkodër. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u plaçkit një argjendari. Pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua më 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe brenda vetëm tre minutash.

Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, ai deklaroi: “Nuk e di cili shpik për emrin tim, jam i pafajshëm. Policia të më akuzojë me fakte reale, jo me sajesa”.

Fatmir Pjetri u ekstradua nga Hollanda në Shqipëri në vitin 2019, ku po kryen dënimin për krimet e kryera, në burgun e Burrelit, aty ku para pak ditësh iu refuzua edhe “krimi i radhës” ; prezantimi i romanit.

The post Nga grabitjet te romani brenda burgut- Fatmir Pjetri i ‘Bandës së Babagjyshëve’ kryen ‘krimin’ e radhës appeared first on Gazeta Si.

Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe/ Zhupa: Mungesë profesionalizmi. Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë!

16 January 2026 at 13:00

Gazeta “SI”- Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se fjalori i ri i gjuhës shqipe, i përgatitur nga Akademia e Shkencave, paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi.

Sipas saj, “atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj”.

“Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, nënvizoi Zhupa.

Ajo theksoi se fjalori i ri, i hedhur në konsultim publik, përmban gafa dhe qëndrime që nuk mund të anashkalohen dhe që janë tejet problematike.

Zhupa bëri të ditur se do të kërkojë një seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave, e cila duhet të japë shpjegime profesionale lidhur me mënyrën e hartimit të këtij fjalori.

“Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për një fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe që përbën një element thelbësor të identitetit kombëtar. Kjo seancë dëgjimore nuk do të trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale, si dhe një diskutim serioz”, theksoi ajo.

Gjithashtu, Zhupa solli edhe disa shembuj që, sipas saj, janë qartësisht shfaqje e një pune jo cilësore dhe problematike në shumë nivele, duke përmendur futjen e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip apo përdorimin e fjalës “onlajn”.

Ajo ndaloi veçanërisht te, sipas saj, “përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve ‘djalë’ dhe ‘vajzë’”.

“Në fjalorin e ri, ‘djalë’ përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë. Ndërsa ‘vajzë’ shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese”, theksoi Zhupa ndër të tjera.

Sipas saj, “fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet ‘shqip e saktë’”.

The post Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe/ Zhupa: Mungesë profesionalizmi. Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë! appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

QKK do të mbështesë financiarisht edhe filmat studentorë

15 January 2026 at 12:22

Gazeta “SI”- Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) dhe Universiteti i Arteve kanë nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit, me qëllim ofrimin e mbështetjes financiare dhe profesionale për prodhimet filmike të studentëve.

Marrëveshja u firmos nga kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, dhe rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e talenteve të reja në kinematografi.

Sipas marrëveshjes, studentët do të përfshihen praktikisht në fusha të ndryshme të filmit, si aktrimi, regjia, skenografia dhe disiplina të tjera të industrisë, gjatë xhirimeve dhe procesit të prodhimit të projekteve të financuara nga QKK.

“Ky është një hap konkret drejt fuqizimit të talenteve të reja, duke u dhënë atyre mundësinë që, pas përfundimit të studimeve, të kenë një portofol profesional dhe projekte të cilat shërbejnë si nisje e karrierës,” njoftoi QKK, duke shtuar se bashkëpunimi me UA do të zgjerohet me programe të tjera të rëndësishme për industrinë filmike.

Kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, theksoi nevojën për zhvillimin e kinematografisë në vend, duke mos e lënë atë të funksionojë si një “ishull”. Ai gjithashtu propozoi që kinematografia të shihet jo vetëm si art, por edhe si ekonomi.

QKK dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve synojnë, përveç financimit të filmave, krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të industrisë filmike, duke lidhur kinematografinë me ekonominë kreative, turizmin dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.

The post QKK do të mbështesë financiarisht edhe filmat studentorë appeared first on Gazeta Si.

51 vjet pa Ernest Koliqin, themeluesin e tregimit modern shqiptar

15 January 2026 at 10:12

Gazeta “SI”- 51 vjet më parë, më 15 janar 1975, në Romë u shua Ernest Koliqi, një nga figurat më komplekse dhe më të diskutueshme të kulturës shqiptare. Shkrimtar, poet, romancier, eseist, përkthyes, studiues, pedagog universitar, publicist dhe politikan, Koliqi mbetet një nga themeluesit e tregimit modern shqiptar dhe një prej mendjeve më të ndritura të elitës sonë kulturore, për dekada të tëra , i mohuar nga atdheu.

I lindur më 20 maj 1903 në Shkodër Ernest Koliqi u rrit në një mjedis ku tradita, arsimi dhe fryma kombëtare përbënin shtyllat e formimit shpirtëror. Ai vinte nga një familje e njohur shkodrane, me rrënjë në Dukagjin, dhe që në moshë të re u formua në Kolegjin Saverian të jezuitëve, ku u njoh me disiplinën mendore dhe kulturën klasike perëndimore.

Studimet e mëtejshme në Itali, në Brescia, Bergamo dhe më pas në Padova, i hapën horizontin drejt letërsisë evropiane. Në këto vite ai botoi poezitë e para në italisht dhe u përfshi aktivisht në jetën intelektuale të rinisë. Kthimi në Shqipëri pas vitit 1920 shënoi një kthesë të rëndësishme. Nën ndikimin e Luigj Gurakuqit, Koliqi u përvetësua thellësisht me gjuhën shqipe dhe u lidh me rrethin më të përparuar të mendimit kombëtar.

Në letërsi, Ernest Koliqi, bashkë me Mitrush Kutelin, konsiderohet bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar. Me përmbledhjet e novelave “Hija e Maleve” (1929), “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit”, ai solli një prozë të re, të përqendruar te analiza psikologjike, ndjeshmëria shpirtërore dhe gjuha e përpunuar artistikisht. Shkodra, qyteti i tij, por edhe bota e brendshme shqiptare, gjetën te Koliqi një zë modern, evropian, por thellësisht kombëtar.

Si poet, me vëllimin “Gjurmat e stinve” (1933), ai solli një frymë të re estetike, duke shkrirë traditën me modernitetin. Si përkthyes dhe studiues, i dha kulturës shqiptare antologjitë monumentale “Poetët e mëdhenj të Italisë”, duke afruar Danten, Petrarkën, Arioston, Manzonin e të tjerë në shqip, dhe duke e ngritur përkthimin letrar në nivel të lartë artistik.

Figura e tij nuk mund të shkëputet nga arsimi. Si Ministër Arsimi në vitet 1939–1941, në rrethana historike të vështira, Koliqi shfrytëzoi çdo mundësi për të forcuar shkollën shqipe. Nën drejtimin e tij u botuan tekste mësimore, u ringjallën studimet albanologjike dhe, më e rëndësishmja, u dërguan mbi 200 arsimtarë shqiptarë në Kosovë, duke hedhur themelet e arsimit shqip në trojet e liruara. Ky akt mbetet një nga kontributet më të mëdha kombëtare të tij.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Koliqi mbeti në mërgim. Në Romë, si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Shtetëror, ai u bë një nga ambasadorët më të rëndësishëm të kulturës shqiptare në Evropë. Themelimi dhe drejtimi për 18 vjet i revistës “Shejzat” ishte kulmi i veprimtarisë së tij në mërgim , një tribunë e lirë e mendimit dhe kulturës shqiptare, e papërlyer nga ideologjia, ku u ruajt dhe u kultivua identiteti kombëtar.

Megjithëse i vlerësuar ndërkombëtarisht, i nderuar nga akademi dhe institucione kulturore evropiane, në Shqipërinë komuniste Ernest Koliqi u shpall “tradhtar”. Emri i tij u përjashtua nga historia zyrtare e letërsisë, ndërsa vepra e tij u hesht. Vetëm pas rënies së diktaturës, figura e Koliqit nisi të rikthehej në vendin që i takon.

Ernest Koliqi u nda nga jeta më 15 janar 1975, i pikëlluar nga humbja e bashkëshortes së tij Vangjelija dhe i lodhur nga mërgimi i gjatë. U varros në Romë, i nderuar nga komuniteti shqiptar në diasporë, por ende i mohuar nga atdheu që aq shumë e deshi dhe i shërbeu.

Sot, në 51-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, Ernest Koliqi mbetet një simbol i elitës së mohuar shqiptare, një mendje e ndritur që besonte se:

“Vetëm një popull i kulturuar ka të drejtë t’i kërkojë të drejtat e veta dhe t’u imponohet të tjerëve.”

Trashëgimia e tij letrare, kulturore dhe arsimore është një thesar kombëtar, që vazhdon të flasë edhe sot, përtej kohës, ideologjive dhe heshtjeve të imponuara.

The post 51 vjet pa Ernest Koliqin, themeluesin e tregimit modern shqiptar appeared first on Gazeta Si.

Kuvendi i Arbërit i vitit 1703/ Një mburojë e identitetit fetar dhe kombëtar të shqiptarëve

15 January 2026 at 09:55

Gazeta “SI”- Më 14 e 15 janar të vitit 1703, në Mërqi, afër Lezhës, u zhvillua një ngjarje historike e jashtëzakonshme për Kishën Katolike dhe për popullin shqiptar.

Kuvendi i Arbërit, i njohur edhe si Koncili i Kishës Katolike në trojet shqiptare, u mbajt nën drejtimin e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviç, me mbështetjen e Papës Klement XI dhe të ipeshkvit me origjinë shqiptare, Xhanfrançesk Albanit. Ky Kuvend, i cili përbën një nga aktet më të rëndësishme kishtare dhe kombëtare në historinë e shqiptarëve, u organizua në një kohë kur popullsia katolike dhe e krishterë përjetonte presionin e sundimit osman. Kisha dhe manastiret e shqiptarëve ishin të kufizuara, ndërtesat fetare rrënoheshin ose nuk lejohej ndërtimi i të reja, ndërsa qytetarët shpesh detyroheshin të praktikojnë fenë e tyre në fshehtësi. Për më tepër, një pjesë e popullsisë u konvertua në fenë islame për të përfituar privilegje, ndërsa të tjerët mbeteshin kriptokatolikë, duke ruajtur besimin në shtëpi dhe duke përdorur dy emra – një mysliman dhe një të krishterë – në jetën publike. Ky fenomen i fshehjes së besimit u dënua nga Kuvendi, i cili synonte të forconte klerin dhe të mbrojë identitetin fetar dhe kombëtar shqiptar.

Kuvendi i Arbërit ishte një akt i fortë i rezistencës ndaj sundimit osman dhe ruajtjes së kulturës shqiptare. Kryeipeshkvi Zmajeviç e hapi Kuvendin me një fjalë që pasqyronte gëzimin dhe shpresën e përçuar nga një shekull tiranie: ai kërkoi nga pjesëmarrësit që të angazhoheshin për rigjallërimin e jetës kishtare, administrimin korrekt të sakramenteve, përforcimin e riteve liturgjike dhe rritjen e klerit. Përveç aspektit shpirtëror, Kuvendi shqyrtoi gjendjen e popullsisë nën sundimin osman, duke evidentuar pasojat e taksave të rënda, presionin fetar dhe rrezikun e humbjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar. Vendimet e Koncilit, të shkruara në shqip dhe latinisht nga vetë Zmajeviçi, u dërguan Papës për miratim dhe, më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide, duke u bërë një udhërrëfyes për jetën kishtare dhe kulturore të shqiptarëve.

Kuvendi mori në shqyrtim gjithashtu mënyrën se si mund të ruhet dhe të zhvillohet lidhja midis Kishës dhe popullit. Përmes vendimeve të tij, u kërkua që ipeshkvijtë dhe meshtarët të përkushtoheshin për përmirësimin e edukimit fetar, për rigjallërimin e fesë dhe për mbrojtjen e traditave dhe zakoneve. Dekretet e Kuvendit i ofronin popullit një orientim të qartë për të ruajtur identitetin e tij fetar dhe kombëtar, duke e parë Kishën si mburojë ndaj presionit dhe asimilimit osman. Në një letër dërguar Papës, Zmajeviç përshkroi gjendjen dramatike të popullit: kishat e shkatërruara, manastiret e braktisura, pleqtë dhe meshtarët të lodhur nga vuajtjet, qytetarët të shtypur dhe të detyruar të shpërndaheshin nëpër fusha dhe lagje. Ai rrëfeu dhimbjen e tij për vuajtjet e popullit, por gjithashtu theksoi se mbledhja e Kuvendit përfaqësonte shpresën dhe ringjalljen e shpirtit kombëtar dhe fetar.

Në Kuvend morën pjesë figura të shquara të klerit shqiptar dhe të rajoneve përreth, duke përfshirë: Imzot Vinçenc Zmajeviç, kryeipeshkëv i Tivarit; Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i Shkupit; Imzot Gjergji, ipeshkëv i Zadrimës; Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës; Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i Shkodrës; Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i Pultit; si dhe Prefektët Apostolikë të misioneve të Arbënisë dhe Maqedonisë, duke përfshirë Atë Fra Egjidi de Arsenta dhe Atë Fra Frano Maria a Lycio. Materialet e punimeve të Kuvendit u hartuan nga Zmajeviçi dhe u botuan për herë të parë në Romë më 1706, ndërsa botimi i dytë, me përkthime latinisht dhe shqip, u realizua nga dom Engjëll Radoja më 1868 dhe u ripërsërit më 1872. Ky botim konsiderohet i pari akt kishtar sinodal në gjuhën shqipe, duke ofruar jo vetëm rregulla dhe dekrete kishtare, por edhe një pasqyrë të gjendjes sociale, ekonomike dhe fetare të shqiptarëve në fillim të shekullit XVIII.

Kuvendi i Arbërit është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, jo vetëm për dimensionin fetar, por edhe për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Ai dëshmon për përpjekjen e klerit shqiptar për të ruajtur fenë, gjuhën dhe traditat e popullit të vet nën presionin e pushtimit osman, dhe mbetet një trashëgimi e çmuar historike, një simbol i rezistencës, kulturës dhe identitetit shqiptar, i cili frymëzon ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare edhe sot, më shumë se tre shekuj më vonë.

The post Kuvendi i Arbërit i vitit 1703/ Një mburojë e identitetit fetar dhe kombëtar të shqiptarëve appeared first on Gazeta Si.

14 Janari 1990/ Demonstrata e parë antikomuniste që hapi rrugën drejt demokracisë

14 January 2026 at 13:52

Gazeta “SI”- Data 14 janar 1990 shënon një moment historik për Shqipërinë: në Shkodër u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste që hapi rrugën për rrëzimin e regjimit komunist, i fundit diktatorial në Evropën Lindore. Qytetarët e Shkodrës dolën në mënyrë spontane në rrugët e qytetit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj regjimit, duke u bërë protagonistë të një ngjarjeje që do të mbetej në kujtesën e kombit.

Në atë ditë historike, mijëra shkodranë u grumbulluan në qendër të qytetit dhe tentuan të rrëzonin bustin e Stalinit, një simbol i regjimit komunist. Megjithatë, policia dhe ushtria e kohës ndërhynë dhe shpërndanë turmën me dhunë. Pas demonstratës, dhjetëra protestues u arrestuan dhe u dhunuan barbarisht në burgje, ndërsa regjimi tentonte të frikësonte qytetarët në përpjekje për të ruajtur kontrollin.

Ngjarja, për rëndësinë dhe kontekstin e saj historik, u konsiderua menjëherë si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Ajo pati jehonë jo vetëm brenda vendit, por edhe në mediat ndërkombëtare, duke u analizuar si një shenjë e hershme e valës së ndryshimeve demokratike që do të përfshinin Shqipërinë.

Lek Kurti, pjesëmarrës në demonstratë, kujton se lëvizja u nxit nga ndryshimet që po ndodhnin në Evropën Lindore. Në një intervistë për eetimestv, ai rrëfen se një natë para protestës, sigurimi i shtetit ushtronte terror nëpër lagjet e qytetit, duke arrestuar të paktën katër persona që dyshohej se po organizonin reagimin qytetar. Megjithatë, përpjekjet e regjimit për të ndaluar protestën dështuan.

Filip Guraziu, në një shkrim të mëparshëm do të theksonte rëndësinë e Shkodrës në këtë ngjarje:

“Nuk mund të konsiderohet rastësi që demonstrata e parë antikomuniste u zhvillua pikërisht në Shkodër. Populli i këtij qyteti dhe i malësive përreth kishte treguar më parë se komunizmi ishte i huaj për ta. Ky popull, i ndikuar historikisht nga tradita e lirisë dhe kontaktet me kulturën perëndimore përmes tregtisë dhe Kishës Katolike, nuk mund të pranonte kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Rezistenca e armatosur e Kelmendasve në Janar 1945 dhe kryengritja e përgjakshme e Postribës në vitin 1946 janë shembuj të veçantë në historinë e Shqipërisë.”

Terrori politik pas 14 janarit nuk mundi të thyente shpirtin demokratik të shkodranëve. Përkundrazi, ai u shndërrua në një katalizator për protesta më të ashpra dhe të gjera në mbarë vendin, duke frymëzuar qytetarët në qytete të tjera. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltën e shkodranëve në 16 Qershor 1990, 11 Nëntor 1990, 13 Dhjetor 1990 dhe 2 Prill 1991.

Guraziu thekson se demonstrata e 14 janarit 1990 duhet të përkujtohet jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë, si momenti kur u hodh “guri i parë” i themeleve të demokracisë post-komuniste.

Sipas tij, qindra qytetarë u arrestuan dhe shumë prej tyre u torturuan. Dhjetë prej aktivistëve kryesorë, Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka dhe Aldo Perizi u dënuan me vite të gjata burg. Gjashtë të tjerë – Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni dhe Viktor Martini – u dërguan në spitale psikiatrike, ndërsa shumë familje u internuan. Rin Monajka, një nga të burgosurit, doli nga burgu me gjendje invaliditeti ekstrem për shkak të torturave shtazarake.

Studiuesi Kastriot Dervishi ofron një pasqyrë të veprimeve të Sigurimit të Shtetit para dhe gjatë demonstratës. Sipas tij, regjimi kishte marrë masa të rrepta për të parandaluar protestën. Dega e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i PPSH-së dërguan njerëz të infiltruar për të monitoruar grumbullimin, i cili u filmua në mënyrë të fshehtë. Materiali i filmimit nuk dihet ku ka përfunduar. Hetuesia vlerësoi pjesëmarrësit në rreth 2000 veta dhe identifikoi Rini Monajkën si figurën kryesore të demonstratës.

Rin Monajka u arrestua për pjesëmarrje në organizimet me qëllim rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër, në datat 11-14 janar 1990. Rini ishte me origjinë austriake dhe punonte në ndërmarrjen e peshkimit. Bashkë me Dedë Kasnecin, u bënë figurat kryesore të këtyre lëvizjeve antikomuniste në qytet.

U gjykua më 25-30 prill 1990 nga Gjykata e Lartë në Tiranë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.2 të, datë 30.4.1990 i deklaroi fajtorë të pandehurit dhe i dënoi me heqje lirie. Rin Monajka u dënua me 7 vjet burg. Gjykata e konsideronte “demonstratë antisocialiste” dhe të pandehurit “me rrezikshmëri të madhe shoqërore”.

Intensiteti i veprimeve u shfaq kryesisht midis 13 dhe 16 janarit 1990. Përveç arrestimeve, u rrit shpërndarja e fletushkave dhe parullave antikomuniste. Më 15 janar u hodh një dinamit pranë Komitetit të Partisë, por ai nuk shpërtheu falë vigjilencës së policisë. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, raportoi se qëllimi i demonstratës ishte rrëzimi i bustit të Stalinit dhe më pas takimi me sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së, Xhemal Dymylja, për të kërkuar liri shtypi, fjalë dhe demokraci. Hetuesia përqendroi hetimet te pjesëmarrësit dhe ata që kishin shkruar parullat.

Burimi: Kujto.al

The post 14 Janari 1990/ Demonstrata e parë antikomuniste që hapi rrugën drejt demokracisë appeared first on Gazeta Si.

’24 orë nga jeta e një votuesi’/ Shfaqja që zgjon ndërgjegjen qytetare

14 January 2026 at 11:38

Gazeta “SI”- “24 orë nga jeta e një votuesi” vjen si një premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar – ArTurbina, duke ftuar publikun të përjetojë një komedi satirë-kabare që godet me humor të mprehtë realitetin e përditshëm shqiptar.

Shfaqja vendos ngjarjen në të sotmen dhe e shtrin kohën e veprimit mes së djeshmes, së tashmes dhe asaj që vazhdon të përsëritet, duke ndërtuar një pasqyrë të drejtpërdrejtë të përvojës qytetare.

Në qendër të saj është votuesi i zakonshëm, i përfaqësuar përmes interpretimit të katër aktorëve, të shoqëruar në skenë nga tre muzikantë, të cilët ndërtojnë një atmosferë dinamike ku humori dhe satira ndërthuren natyrshëm. Me një intensitet simbolik të përkthyer në qindra mijëra “doza humori” dhe “goditje satire”, shfaqja i fton spektatorët të qeshin, por edhe të reflektojnë mbi zgjedhjet dhe pasojat e tyre.

Në role interpretojnë Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj, ndërsa shfaqja vjen nga dhe nën regjinë e Driada Dervishit. Teksti mbështetet në poemën satirike “E të tjera, e të tjera” të Teodor Kekos dhe ndërtohet mbi disa motive të Naun Shundit, duke sjellë në skenë një gjuhë teatrale të mprehtë dhe aktuale.

Muzika, e kompozuar nga Aulon Naçi, luan një rol të rëndësishëm në ritmin dhe frymën e shfaqjes. Ajo interpretohet live nga Gent Rrushi në fizarmonikë, Ermal Rodi në klarinetë dhe Emiljan Dhimo në perkusion, ndërsa për përgatitjen vokale të aktorëve është kujdesur Artur Vera.

Shfaqja vjen si një ftesë e hapur për publikun që, përmes humorit dhe auto-ironisë, të përballet me realitetin dhe përgjegjësinë qytetare. “24 orë nga jeta e një votuesi”  do të shfaqet nga data 13 deri më 18 janar, çdo mbrëmje në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar – ArTurbina.

The post ’24 orë nga jeta e një votuesi’/ Shfaqja që zgjon ndërgjegjen qytetare appeared first on Gazeta Si.

Gazetaria në kohën e AI /Fundi i lajmit të thjeshtë

13 January 2026 at 14:51

Gazeta “SI”- Bota e mediave po ndryshon rrënjësisht. Sipas raportit më të fundit të Reuters Institute për trendet globale, modeli tradicional i gazetarisë, i ndërtuar mbi klikime, SEO dhe motorët e kërkimit, po mbyllet , jo sepse publiku nuk kërkon informacion, por sepse rrugët përmes të cilave ky informacion shpërndahej nuk funksionojnë më si dikur.

Google nuk është më dera e audiencës

Botuesit e lajmeve parashikojnë një rënie dramatike. Trafiku nga motorët e kërkimit, kryesisht Google, pritet të ulet rreth 43% në tre vitet e ardhshme. Dhe ky nuk është një parashikim abstrakt. Tashmë trafiku global nga Google Search ka rënë me 33%, ndërsa Google Discover ka humbur mbi 20% të audiencës.

Për dekada me radhë, mediat kanë ndërtuar përmbajtjen e tyre mbi pëlqimet dhe algoritmet: tituj klik-bait, lajme të shpejta, artikuj “SEO-friendly”. Sot, Google dhe AI po japin përgjigjen direkt tek përdoruesi, duke shmangur artikujt origjinalë. Me fjalë të tjera: lajmi është aty, por klikimi nuk është më i garantuar.

Çfarë nuk mund ta zëvendësojë AI

Raporti zbulon se drejtuesit e mediave në 51 vende po riorientojnë investimet. Më shumë në gazetari investigative, raportim në terren, analiza kontekstuale dhe histori njerëzore; më pak në lajme rutinë dhe përmbajtje të përgjithshme. Mesazhi është i qartë: AI mund të prodhojë informacion, por nuk mund të japë kuptim, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

YouTube po merr fronin

Një tjetër trend i rëndësishëm është ndryshimi i platformave. YouTube nuk shihet më si rrjet social, por si “televizioni i ri” i medias. Për vitin 2026, shumica e botuesve planifikojnë të investojnë më shumë në këtë platformë sesa në çdo tjetër. Pas saj vijnë TikTok dhe Instagram, ndërsa SEO, Facebook dhe X (ish-Twitter) po humbin rëndësi. Publiku sot kërkon jo thjesht informacion, por zë, fytyrë dhe lidhje personale.

AI nuk është shpëtimi financiar

Pavarësisht entuziazmit për inteligjencën artificiale, shumica e mediave nuk e shohin atë si burim të qëndrueshëm të ardhurash. Vetëm rreth 20% e drejtuesve presin të ardhura të konsiderueshme nga marrëveshjet me platformat e AI; pjesa tjetër pret fitime minimale ose aspak. Në fakt, AI shpesh kërkon investime të reja, role teknike dhe rritje kostosh operative.

Pra, AI nuk po i jep zgjidhje krizës ekonomike të medias; thjesht po e zhvendos atë.

Gazetaria që mbetet e pazëvendësueshme

Në një kohë ku informacioni gjenerohet automatikisht, ajo që mbetet e pazëvendësueshme është gazetaria e terrenit që pyet, lidh faktet dhe flet me emër dhe përgjegjësi. Në fakt po ndodh ajo që e ndan gazetarinë nga zhurma.

Në fund, raporti i Reuters Institute paralajmëron se e ardhmja e medias nuk është në AI, por zëri dhe fytyra njerëzore që sjell kuptim dhe përmbajtje.

The post Gazetaria në kohën e AI /Fundi i lajmit të thjeshtë appeared first on Gazeta Si.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe që lë jashtë Kosovën

13 January 2026 at 13:15

Gazeta “SI”- Fjalori i madh i gjuhës shqipe me 125 mijë njësi leksikografike i cilu u publikua të martën online  llogaritet si fjalori më voluminoz i shqipes. Por, krejt kjo punë është bërë njëanshëm nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë pa bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Duke paralizuar edhe funksionimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që përbëhej nga anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Nga ideja e standardizimit të leksikut për të vënë parimet bazë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë kishte kapërcyer te projekti për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe pa kurrfarë marrëveshjeje

“Në Këshillin Ndërakademik ishte parashikuar të diskutoheshin çështjet e leksikut. Së pari, pra, do të përcaktoheshin parimet e punës dhe do të zgjidheshin dilemat. Ne, në Akademinë e Kosovës, nuk e kemi parë të arsyeshme të punojmë pa ato parime dhe nuk kemi pranuar të përfshihemi në atë mënyrë”, ka thënë për Koha.Net gjuhëtari, profesori universitar e akademiku Bardh Rugova.

Ai ka shtuar se nuk kërkon ta gjykojë punën e askujt.

“Por mendoj se nuk mund të ketë projekte të gjuhës shqipe pa përfshirjen e ASHAK-ut. Shqipja nuk është e drejtë autoriale e askujt. Fjalorët, në radhë të parë, janë mjete standardizuese. Nuk do të duhej të hartoheshin në atë mënyrë, pa marrëveshje ndërinstitucionale”, ka thënë ai. Kurse përsa i përket funksionit të Këshillit Ndërakademik, Rugova ka qenë po ashtu i prerë.

“Tani nuk ka më kuptim të ketë Këshill Ndërakademik. Për çfarë do të shërbente?”, ka thënë ai.

Bardh Rugova

“Projekti bashkë me grupin fillestar të autorëve të veprës u miratuan dhe u pranuan nga ASHSH e nga ASA, si dhe u mbështetën me bashkëpunimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) e të Universitetit të Kalabrisë (Kozencë), me leksikografë nga Universiteti i Tiranës, nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe nga leksikografë të tjerë nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë së Veriut, nga Palermoja”. Krejt kjo është bërë pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e po ashtu pa miratim të leksikografëve të Universitetit të Prishtinës.

Ky projekt do të niste më 2021 duke angazhuar në grupet e punës disa studiues të Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Pavarësisht se në janar të vitit 2020 dy akademitë ishin marrë vesh për “rithemelimin” e Këshillit një vit më vonë, ASHASH-i nisi projektin për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe pa u marrë vesh për parimet e standardizimit të leksikut me ASHAK-un. Redaksia e Fjalorit përbëhet nga: akademik Jani Thomai si kryeredaktor, akademik Valter Memisha në cilësinë e zëvendëskryeredaktorit dhe sekretarit shkencor, Shezai Rrokajt, po ashtu si zëvendëskryeredaktor dhe anëtarët Dhimitër (Miço) Samara, Shefkije Islamaj, akademik Gjo­valin Shkurtaj, Ali Jashari, Anila Omari dhe Anila Kananaj. Te hartuesit pos këtyre emrave figurojnë edhe: Artur Lama, Abdurr­ahim Maxhuni, Idriz Metani, Juliana Kume, Mimoza Priku, Naim Berisha, Rozana Rushiti, Teuta Toska, Rezarta Draçini, Sejdi Gashi, Manjola Zaçellari, Behar Hoxhaj, Resul Telhaj, Olger Brame, Engjëllushe Karaj, Petrit Zeneli dhe Viktor Bakillari.

Fjalori i publikuar në parathënie sqaron se posedon rreth 105 mijë  fjalë në zëra të veçantë, pastaj rreth 3 mijë e 500 fjalë “të fshehura” në kuptime si emra, mbiemra e ndajfolje, rreth 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, rreth 5 mijë togfjalësha terminologjikë, rreth një mijë e 200 emërtime shkurtësore, rreth 250 terma të rinj të paasimiluar fonetikisht, rreth 1.650 shprehje të huaja të paasimiluara e rreth 250 mijë  kuptime leksikore.

Bazuar në parathënie, Fjalori  vjen si vepra leksikografike prej kohësh e munguar dhe mjaft e kërkuar nga shumë përdorues të gjuhës shqipe.

The post Fjalori i madh i gjuhës shqipe që lë jashtë Kosovën appeared first on Gazeta Si.

A do të mbijetonte fotografia humaniste e Willy Ronis në Francën e sotme?

13 January 2026 at 12:02

Nga Gazeta “SI”- Në mes të shekullit të 20‑të, rrugët e Parisit nuk evidentoheshin vetëm si hapësira  trotuaresh dhe fasadash me arkitekturë mbreslënëse.  Ato ishin hapësira të jetës së përditshme , skena ku njerëzit punonin, qeshnin, luanin  dhe dashuroheshin. Një burim dhe një mjedis i lakmueshëm për artistët por sidomos për fotografët, të cilët themeluan rrymën që u quajt fotografia humaniste.

Fotografia humaniste lind pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore. Në një Francë të shkatërruar, ku rrugët ishin mbushur me kujtime të dhimbshme dhe shoqëria kërkonte shpresë, fotografë si Willy Ronis, Robert Doisneau, Izis dhe Brassaï krijuan një lëvizje që synonte të dokumentonte gjendjen njerëzore, bukurinë e të zakonshmes dhe gëzimin e jetës, jo vuajtjet. Ronis, i lindur në një familje hebreje emigrantësh, u veçua nga të tjerët. Ai fillimisht e nisi karrierën si muzikant, por pas vdekjes së babait mori drejtimin e studios familjare dhe më pas u bë fotograf . Ai punoi për LIFE magazine dhe realizoi reportazhe që dwshmuan për punëtorët dhe klasat popullore me empati dhe respekt.

Përmes syrit të tij dhe këndvështrimit empatik, ai fiksonte momentet që shpesh shkonin pa u vënë re: një fëmijë që vrapon me bagetë nën sqetull, një çift që ndalet në një qoshe, një punëtor duke u kthyer në shtëpi.  Për Ronis, bukuria e së zakonshmes ishte gjithmonë burimi i emocioneve më të mëdha.

Këto imazhe, të cilat i përkasin rrymës së quajtur fotografi humaniste, kishin një përqendrim të qartë: njerëzit si protagonistë të jetës, jo si objekte të inskenuara, por si subjekte të plota të realitetit të tyre njerëzor.

Në atë epokë, fotografia e rrugës ishte një dëshmi e jetës, një çast i kapërthyer në objektiv me destinin për të mbëtur përgjithmonë. E brenda kësaj qasjeje fëmijët ishin shpesh figura qendrore. Duke fiksuar  spontanitetin e lojës dhe lirinë e tyre në hapësira publike, Ronis dhe bashkëkohësit e tij krijuan imazhe që sot quhen klasike të historisë vizuale. Këto foto shkrepeshin pa  pëlqimin formal të personave të fotografuar. Ato ishin rezultat i një bashkëjetesë të fotografit me subjektin në botën e përditshme, një marrëdhënie e ndjeshme dhe e sinqertë.

Por sot, terreni ligjor është ndryshuar thellësisht. Në Bashkimin Evropian, fotografia e një fëmije konsiderohet të dhënë personale sipas GDPR, dhe publikimi i saj kërkon pëlqimin e prindërve ose kujdestarit ligjor. Në Francë, Kodi Civil mbron të drejtën e imazhit të çdo personi, përfshirë fëmijët, dhe gjykatat kanë vendosur që publikimi i imazheve të fëmijëve pa miratim mund të shkelë dinjitetin e tyre.

Një ligj i ri i 19 shkurtit 2024 garanton respektin e së drejtës së imazhit të fëmijëve, duke vendosur obligime të qarta për prindërit dhe institucionet para publikimit të fotografive në internet. Ligji kërkon që prindërit të ruajnë privatësinë dhe të drejtën e fëmijës për kontrollin e përdorimit të imazhit të tij, ndërsa në rastet e mosmarrëveshjeve gjyqësori mund të ndalojë publikimin pa pëlqimin e të dy prindërve. Gjithashtu, në rast se përhapja e fotografive mund të cenojë dinjitetin ose integritetin moral të fëmijës, gjykatat mund të ndërhyjnë dhe të ndryshojnë vendimet e prindërve.

Në Francë ekziston gjithashtu koncepti i “droit à l’image”  e drejta e secilit mbi imazhin e tij  dhe, për fëmijët, kjo e drejtë është bërë pjesë e kodit civil me ligjin e vitit 2024. Kjo nënkupton se publikimi i fotografive të fëmijëve, sidomos në rrjetet sociale, kërkon miratim të qartë dhe bashkëpunim mes prindërve, duke marrë parasysh moshën dhe pjekurinë e fëmijës.

Çfarë do të thotë kjo për artin humanist? Në praktikë kjo do të thotë se një fotograf, sot, nuk mund të kapë një moment të bukur, spontan dhe të gëzueshëm të një fëmije në rrugë e pastaj ta publikojë atë pa marrë parasysh miratimin dhe kontekstin e rregullave ligjore moderne. Ndërkohë që në epokën e Ronis, fëmijët ishin protagonistë të jetës urbane, sot ligjet i japin fëmijëve një kontroll të drejtpërdrejtë mbi imazhet e tyre,  një zhvillim që ka kuptim të thellë në botën digjitale, por që ndryshon rrënjësisht praktikën e fotografisë së mëparshme.

Kjo nuk do të thotë se fotografia e rrugës është e ndaluar,  në disa raste, fotografia mund të merret si art ose dokument, sidomos për përdorim privat  por publikimi dhe shpërndarja e imazheve të fëmijëve në mënyrë që të jenë të identifikueshëm sot kërkon një kujdes dhe një sërë lejesh që dikur nuk ekzistonin.

Në një kohë kur një fëmijë shfaqet dhjetëra herë në internet para se të mbushë 13 vjeç, rreziqet e këtyre imazheve kanë bërë që ligjvënësit të vendosin rregulla të reja për mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit të tij.

Ky kontrast me epokën e Ronis nuk është vetëm ligjor por edhe filozofik. Fotografia humaniste synonte të përçonte një mesazh universal mbi njerëzimin, ku çaste të vogla të jetës merrnin një vlerë të përjetshme.  Sot, kërkesat ligjore për privatësinë e fëmijëve i japin një prioritet të merituar mbrojtjes së të miturve, por njëkohësisht ngushtojnë hapësirën ku arti dhe dokumentimi spontan mund të lulëzojnë.

Në këtë “përballje” mes mbrojtjes individuale dhe lirisë artistike, lind pyetja: a mund të ruhen vlerat humaniste të fotografisë pa cenuar privatësinë dhe dinjitetin e fëmijëve? Është një sfidë e kohës sonë, një dialog i vazhdueshëm mes artit, ligjit dhe moralit dhe një pjesë e rëndësishme e reflektimit tonë mbi atë se çfarë do të thotë të fiksosh jetën përmes një lenteje në shekullin 21.

The post A do të mbijetonte fotografia humaniste e Willy Ronis në Francën e sotme? appeared first on Gazeta Si.

Cilat janë të rejat e arkeologjisë në botë?

13 January 2026 at 10:12

Gazeta “SI”- Zbulimet më të fundit arkeologjike nga Afrika dhe Evropa po pasurojnë ndjeshëm kuptimin tonë për evolucionin e njeriut dhe zhvillimin e shoqërive të hershme. Nga përdorimi i sofistikuar i helmeve bimore në gjueti, te prodhimi industrial romak dhe kërkimi i rrënjëve më të hershme të Homo sapiens, këto studime tregojnë një histori shumë më të thellë dhe komplekse të njerëzimit.

Gjuetia me shigjeta helmuese: një teknologji parahistorike e avancuar

Një studim i publikuar nga Live Science ka shtyrë ndjeshëm në kohë përdorimin e armëve me helm, duke treguar se njerëzit përdornin shigjeta helmuese që para rreth 60,000 vjetësh. Studiuesit analizuan pesë maja shigjetash kuarci të gjetura në strehën shkëmbore Umhlatuzana në Afrikën e Jugut, një vend i gërmuar për herë të parë në vitin 1985.

Analizat kimike zbuluan gjurmë të toksinave buphandrine dhe epibuphanisine, substanca që ka shumë gjasa të jenë nxjerrë nga bima Boophone disticha, e njohur edhe sot në Afrikën jugore si burim helmi për shigjeta. Helmi nuk kishte për qëllim vrasjen e menjëhershme të prenë, por dobësimin e saj, duke ulur kohën, rrezikun dhe energjinë e nevojshme për gjueti. Ky zbulim tregon jo vetëm njohuri të thella mbi bimët, por edhe planifikim, eksperimentim dhe transmetim të dijes brenda komuniteteve parahistorike.

Gjurmë të një industrie romake të panjohur në Anglinë veriore

Një tjetër zbulim domethënës vjen nga Anglia veriore, ku më shumë se 800 gurë mprehjeje të thyer janë zbuluar në brigjet e lumit Wear, rreth 10 milje në jug të Murit të Hadrianit. Sipas një raporti të The Guardian, zona nuk ishte identifikuar më parë si vend aktiviteti romak, çka e bën këtë gjetje veçanërisht të rëndësishme.

Arkeologu nënujor Gary Bankhead nga Universiteti i Durhamit shpjegon se vendndodhja ka shumë gjasa të ketë shërbyer si një qendër prodhimi. Guri ranor mendohet të jetë nxjerrë nga bregu verior i lumit dhe transportuar në bregun jugor më të sheshtë, ku përpunohej në gurë mprehjeje. Pasi përfundoheshin, këto vegla transportoheshin me anije lumore dhe detare drejt pjesëve të tjera të Britanisë Romake, duke dëshmuar për një ekonomi të organizuar dhe rrjete tregtare të zhvilluara.

Një hallkë e re në zinxhirin e evolucionit njerëzor

Zbulimi i tretë vjen nga Maroku dhe ka potencialin të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë origjinën e njerëzimit modern. Një ekip studiuesish marokenë dhe francezë ka identifikuar fosile 773,000-vjeçare që mund t’i përkasin paraardhësit të fundit të përbashkët të Homo sapiens, Neandertalëve dhe Denisovanëve.

Fosilet, të gjetura në një shpellë në guroren Thomas, përfshijnë nofulla të pjesshme, dhëmbë dhe rruaza, dhe shfaqin tipare të përziera mes Homo erectus dhe Homo antecessor. Sipas paleoantropologut Jean-Jacques Hublin, këto karakteristika mbështesin teorinë e një origjine të thellë afrikane për njerëzit modernë dhe kundërshtojnë idenë se Homo sapiens ka origjinë euroaziatike.

Zbulimi lidhet gjithashtu me gjetjet e mëparshme në Jebel Irhoud, ku janë zbuluar njerëz të hershëm modernë të datuar rreth 300,000 vjet më parë.

The post Cilat janë të rejat e arkeologjisë në botë? appeared first on Gazeta Si.

Pse poezia dhe letërsia për fëmijë u përjashtuan nga Çmimet Kombëtare të Letërsisë?

12 January 2026 at 11:02

Nga Gazeta “SI”- Çmimet letrare në Shqipëri kanë qenë dhe mbeten burim debatesh të cilat zgjasin e zgjasin pafund, aq sa shpesh, debati zë debatin dhe ende nuk është mbyllur kapaku.

Këtë herë, debatet janë nxitur nga Çmimet kombëtare të letërsisë, më të rëndësishmit që jepen në vend në harkun e një viti. Shkak ishte mungesa e çmimit për poezinë dhe atij të letërsisë për fëmijë, të cilat tradicionalisht kanë qenë pjesë e vlerësimit të përvitshëm.

Kështu nisën edhe reagimet e para nga shkrimtarë, botues dhe poetë, dikush për mungesën e zhanreve e dikush për mënyrën diskrete të ndarjes së këtyre çmimeve, mjaftueshëm për të nxitur debatin.

I pari që reagoi ishte shkrimtari Alban Tufa, i cili kritikoi mënyrën e ndarjes së çmimeve gati-gati në diskrecion të plotë, duke nënkuptuar mosinformimin për ata që ishin nominuar. Pasuar nga shkrimtarja e letërsisë për fëmijë Rovena Rozhani, e cila ngrinte disa pyetje mbi arsyen e heqjes së çmimit për letërsinë për fëmijë.

Po ashtu, shkrimtari Agron Tufa reagoi ashpër ndaj heqjes së poezisë nga kriteret vlerësuese, duke e cilësuar këtë si thyerje të një rekordi historik në lëmin e poezisë.

E për të ardhur së fundmi te reagimi i botueses Elda Vela, e cila theksonte mungesën e vlerësimit ndaj letërsisë për fëmijë si alarm kombëtar.

Besnik Mustafaj: Rregullorja na u propozua nga QKLL

Shkrimtari Besnik Mustafaj, në cilësinë e kryetarit të jurisë së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2024, sqaron për Gazetasi.al procesin e përzgjedhjes, por edhe arsyen se pse këtë vit u dha vetëm një çmim që përfshinte të gjitha zhanret në një.

“Sipas rregullores që na është propozuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, na është përcaktuar se do të kishte vetëm një Çmim të Madh të Letërsisë Shqipe, i cili përfshinte poezinë, romanin, tregimet dhe letërsinë për fëmijë. Pra, vetëm një vepër fituese, e cila do të shpallej si Çmimi i Madh Kombëtar i Letërsisë, për t’i dhënë një karakter më përfaqësues.”

Besnik Mustafaj

Ai shton se në short-listë kanë qenë emra të konsoliduar të letërsisë shqipe dhe kjo listë është bërë publike. Gjithashtu sqaron edhe mënyrën se si poezia u vlerësua në këtë edicion.

“Siç shihet nga short-lista, aty janë përfshirë edhe shkrimtarë, por edhe poetë të cilët janë emra të konsoliduar të letërsisë shqipe, si Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj., por me libra në gjini të ndryshme. Formula kjo ka qenë. Çmimi i Mirënjohjes i është dhënë Hamit Aliajt pas vdekjes si nderim për poezinë, e cila në njëfarë mënyre është përfaqësuar në këto çmime.”

Alda Bardhyli: Tregimi, letërsia për fëmijë apo poezia nuk kishin prurje cilësore

Për ta sqaruar më tej këtë debat, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, thotë për Gazetasi.al se procedura e këtij viti ishte propozim i bordit të QKLL-së dhe jurive të mëparshme, të cilat vlerësuan në bazë të prurjeve.

“Ndryshimet erdhën pas propozimeve të bëra nga juritë e mëparshme që prurjet e një viti nuk justifikonin nga cilësia vlerësimet që jepnin. Kategori si tregimi, letërsia për fëmijë apo poezia nuk kishin prurje të mjaftueshme për gjykim dhe këto prurje nuk justifikonin nivelin e kërkuar. Pas shqyrtimit, Kolegji i Qendrës vendosi që çmimet të reduktoheshin në tre kategori, ku Çmimi i Madh i Letërsisë përmbledh tregimin, poezinë dhe romanin.”

Ajo shton se ky ndryshim u bë në funksion të promovimit të një krijimtarie më cilësore, duke mos e shpërqendruar vëmendjen e lexuesit nga çmimet e copëzuara.

Alda Bardhyli

“Në një treg të vogël letrar, shumë çmime shpërqendrojnë vëmendjen dhe zvogëlojnë ndikimin e secilit. Me këtë strukturë, çdo çmim shërben për të nxjerrë në pah autorët më meritorë, për të promovuar krijimtarinë cilësore dhe për të forcuar identitetin kulturor të letërsisë shqiptare. Numri i kufizuar i çmimeve nuk është një kufizim i krijimtarisë, por një garanci që vlerësimi të mbetet i drejtë, analitik dhe i rëndësishëm për të gjithë komunitetin letrar.”

Në fund, Bardhyli sqaron se edhe poezia këtë vit kishte përfaqësuesit e saj, të cilët u nderuan.

“Këtë vit ne vlerësuam poetin e nderuar Hamit Aliaj pas vdekjes, edhe për faktin që libri i tij me poezi, i cili mori vlerësimet më të larta nga juria, nuk mund të ishte pjesë e gjykimit, pasi rregullorja përjashton autorët që nuk jetojnë më. Vlerësimi i poetëve që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare është një akt jo vetëm mirënjohjeje, por edhe përgjegjësie kulturore.

Nuk është hera e parë që Çmimet Kombëtare të Letërsisë shoqërohen me vlerësime mirënjohjeje për autorë që nuk janë më, por që kanë sjellë një vlerë në kulturën shqiptare. Në vitin 2021 u nderua poeti Petrit Ruka pas vdekjes” përfundon Bardhyli.

Nuk është hera e parë që ndryshimi i procedurave të përzgjedhjes së fituesve për Çmimet Kombëtare të Letërsisë ndez debat. Vjet në këtë kohë, shkrimtarët Mira Meksi dhe Primo Shllaku i patën publike kritikat mbi përbërjen e jurisë, emrat e të cilëve u mbajtën të fshehtë deri në ditën e shpalljes së çmimeve.

Në njëfarë mënyre, ky debat është po aq i shëndetshëm dhe i domosdoshëm sa nevoja për të shkruar letërsi e për të synuar më vonë një çmim i cili, për nga vlera, zgjat aq sa zgjat viti kalendarik. 

Herë për procedura, herë për mungesë cilësie apo pak nepotizëm të fshehtë, çmimet letrare në vend nxisin reagime aq sa shpesh vetë rëndësia e tyre përmbyset nga grindjet dhe pakënaqësitë që i rrethojnë.

E përtej qëllimeve shpesh nepotike dhe egoiste ( jo gjithmonë), diçka të mirë prodhojnë; debate për letërsinë shqipe.

The post Pse poezia dhe letërsia për fëmijë u përjashtuan nga Çmimet Kombëtare të Letërsisë? appeared first on Gazeta Si.

Hero apo tiran? Debati mbi eksploruesin Ferdinand Magellan

10 January 2026 at 14:44

Gazeta “SI”- Filmi i ri i Lav Diaz dramatizon udhëtimin e famshëm të navigatorit portugez, duke nxjerrë në pah jo vetëm arritjet, por edhe dhunën dhe kontradiktat e tij.

Një nga ekspeditat më të famshme të shekullit të 16-të, udhëtimi i Ferdinand Magellanit rreth botës, merr një interpretim të ri në filmin dramatik Magellani nga regjizori filipinas Lav Diaz. Gael García Bernal portretizon navigatorin portugez, një figurë me ambicie të mëdha që synonte të hapte rrugë të reja detare drejt “ishujve të erëzave” në Indonezi.

Filmi fillon me largimin e Magellanit nga Portugalia drejt Spanjës, ku me mbështetjen e Mbretit Charles I nis ekspeditën e vështirë, gjatë së cilës shumë marinarë humbasin jetën nga sëmundjet, uria ose ekzekutimet për kryengritje. Magellani vetë vritet në Betejën e Mactanit në Filipine, një ngjarje që vazhdon të jetë subjekt i debatit historik.

Ndërsa disa historianë e konsiderojnë Magellanin një pionier të madh të zbulimeve gjeografike, të tjerë e kritikojnë për sjelljen tiranike, tradhti ndaj Portugalisë dhe dhunë kundër popullsisë indigjene.

Historiani Felipe Fernández-Armesto e ka cilësuar ekspeditën e tij si një “dështim të plotë”, duke theksuar humbjen masive të ekuipazhit: nga rreth 270 marinarë, vetëm 18 kthehen në Spanjë.

Fernández-Armesto e përshkruan Magellanin përgjegjës për “imperializëm, skllavëri dhe gjakderdhje të papërmbajtur”.

Filmi i Diazit sfidon këtë rrëfim heroik tradicional, duke shfaqur edhe perspektivën e banorëve lokalë dhe të skllavit të Magellanit, Enrikut të Malakës.

Para nisjes së udhëtimit drejt Filipineve, Magellani e kishte blerë Enrikun, një ish-mysliman, dhe e kishte çuar në Spanjë, ku ai shërbeu si ndihmës dhe udhëzues gjatë ekspeditës.

Ky detaj shton dimensionin moral dhe etnik të udhëtimit, duke treguar si kolonializmi dhe skllavëria ishin pjesë e ndërveprimeve ndërkulturore në shekullin e 16-të.

Në filmin e ri për Magellanin, Gael García Bernal luan rolin kryesor 

Filmi gjithashtu thekson tensionet në bordin e Armada de Maluco, ku Magellani përdori ekzekutime dhe ndëshkime të rrepta për të frenuar kryengritjet e ekuipazhit.

Historiani João Paulo Oliveira e Costa thekson se ndëshkimet ishin pjesërisht rezultat i pasigurisë së Magellanit si i huaj në flotën spanjolle, ku kapitenët kastilianë synonin të merrnin kontrollin.

“Ndëshkimi duhej të ishte brutal për të dekurajuar rebelimet e reja. Nëse Magellani nuk i kishte vrarë ata, ata do ta kishin vrarë atë,” shpjegon ai.

Një tjetër temë e diskutuese është vdekja e Magellanit në Betejën e Mactanit. Ndërsa kronikuesi i ekspeditës Antonio Pigafetta i atribuon vrasjen kryetarit vendas Lapulapu, Diaz e portretizon këtë si një ngjarje kolektive, duke sfiduar legjendën dhe duke treguar tensionet midis pushtuesve dhe komuniteteve lokale.

Filmi ka shkaktuar polemika në Filipine, ku Lapulapu konsiderohet simbol nacionalist dhe figura e tij nderohet me monumente dhe emra vendesh.

Megjithatë, filmi nuk shmang pasojat e dhunës koloniale: skuadra e Magellanit kryen hakmarrje të përgjakshme kundër komuniteteve indigjene në Guam dhe Malaka, duke ilustruar kompleksitetin moral të udhëheqjes dhe pasojat e ekspeditave koloniale.

Regjisori Diaz shpjegon se qëllimi i tij nuk ishte të dramatizonte dhunën në mënyrë sensacionale, por të tregonte pasojat e saj për njerëzit që përjetuan ekspeditën.

Pavarësisht të metave të Magellanit, Diaz nuk synon ta demonizojë navigatorin. “Doja të shihja një personazh të vërtetë,” thotë Diaz.

“Një qenie njerëzore e vërtetë ëndërron, ambicionon dhe beson. Ai nuk ishte vetëm një eksplorues ose pushtues – ai ishte një njeri me besim dhe vizion”.

Një litografi e shekullit të 19-të portretizon vdekjen e Magellanit në Betejën e Mactanit 

Filmi kujton edhe rolin e Magellanit në përhapjen e katolicizmit në Filipine: statuja e Santo Niño, e dhuruar nga Magellani, mbetet një simbol i rëndësishëm i fesë në vend, ku 93% e popullsisë sot është e krishterë.

Në fund, Magellani nuk është vetëm një film historik mbi udhëtimet e mëdha të navigatorëve, por edhe një pasqyrë e debatit moral dhe historik mbi trashëgiminë e eksploratorëve evropianë.

Pyetja mbetet: a duhet të kujtojmë Magellanin si një hero të zbulimeve apo si një tiran brutal të epokës së tij?

Burimi: BBC

The post Hero apo tiran? Debati mbi eksploruesin Ferdinand Magellan appeared first on Gazeta Si.

A rrezikon trashëgimia e David Bowie të zbehet?

10 January 2026 at 12:35

Gazeta “SI”-Nga ekspozitat në V&A deri te përdorimi i këngëve në seriale si Stranger Things, muzika e ikonës së popit tërheq ende fansa, por dëgjuesit e rinj mbeten të pakët.

Dhjetë vjet pas vdekjes së tij më 10 janar 2016, David Bowie mbetet një figurë legjendare e muzikës pop. Megjithatë, pyetja mbi mënyrën se si trashëgimia e tij po mbahet gjallë për brezat e rinj bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Ndërsa disa prej hiteve të tij, si Under Pressure, arrijnë mbi 2 miliardë dëgjime në Spotify, ai ka më pak dëgjues aktivë sesa kolegët e tij si Elvis Presley, Bob Marley, Whitney Houston apo John Lennon. Vetëm një këngë e Bowie-t ka arritur këtë nivel dëgjimi, dhe pjesa tjetër e repertorit të tij nuk ka pasur të njëjtin impakt tek audienca më e re.

Familja Bowie ka zgjedhur të fokusohet në publikime të limituara dhe koleksione të çmuara, të cilat i përshtaten kryesisht fansave të moshës së mesme. Albumet si Who Can I Be Now? (1974–1976) dhe I Can’t Give Everything Away (2002–2016), si dhe një mori albume live, janë të kushtueshme dhe jashtë diapazonit të interesit për adoleshentët. Vetëm një album me hitet më të mëdha, Legacy: The Very Best of David Bowie, ka qenë i disponueshëm që nga vdekja e tij.

Në botën e transmetimit digjital, kjo qasje ka kufizuar aftësinë e muzikës së Bowie-t për të tërhequr një audiencë të re. Përdorimi i këngës Heroes në finalen e serialit Stranger Things arriti vetëm vendin e 75 në listat e Spotify dhe pati 38 mijë përdorime në TikTok, një sukses modest krahasuar me viralet e momentit.

Megjithatë, projekti më i spikatur dhe premtues është hapja e Qendrës David Bowie në V&A East Storehouse në Londër, ku ruhen mbi 80,000 artikuj nga karriera e tij – nga tekste të shkruara me dorë deri te kostume dhe instrumente. Tristram Hunt, drejtori i V&A, e ka quajtur këtë një “burim të ri për Bowiet e së nesërmes”, duke e shndërruar në një mundësi të qëndrueshme për të njohur trashëgiminë e artistit.

 Një pjesë e vogël e artikujve nga arkivi i muzikantit që janë të disponueshme për t’u parë në Qendrën David Bowie të V&A East Storehouse

Përveç ekspozitave, trashëgimia e Bowie-t ruhet përmes dokumentarëve dhe projekteve të kujdesura. Për shembull, familja refuzoi të licenconte muzikën për filmin biografik Stardust në 2021, duke preferuar dokumentarin Moonage Daydream të vitit 2022 dhe Bowie: The Final Act, i cili u fokusua tek periudhat më të mëdha artistike të tij dhe kulmin e karrierës komerciale.

Në këtë mënyrë, trashëgimia e Bowie-t duket e orientuar drejt ruajtjes së artit dhe ndikimit të tij afatgjatë, më shumë se drejt viralitetit të përkohshëm. Megjithatë, sfida mbetet: si do ta zbulojnë brezat e rinj muzikën e një artisti kaq inovativ dhe të gjithanshëm? Për momentin, duket se ikonës së popit i duhet të gjejë ekuilibrin mes cilësisë dhe arritshmërisë digjitale, për të siguruar që Starman të mbetet i ndriçuar edhe për të nesërmen.

Burimi: The Guardian

The post A rrezikon trashëgimia e David Bowie të zbehet? appeared first on Gazeta Si.

Gustavo Petro: Trump po mendonte për një operacion ushtarak në Kolumbi…

9 January 2026 at 14:02

Gazeta “SI”- Gustavo Petro mendoi javën e kaluar se në çdo moment një forcë sulmuese mund të zbarkonte mbi çatinë e Casa de Nariño, rezidencës presidenciale kolumbiane, dhe të futej me forcë në zyrën e tij. Ai nuk ka një bunker ku të vrapojë, siç u përpoq të bënte Nicolás Maduro një javë më parë, përpara se të kapej dhe të transportohej në një helikopter drejt Shteteve të Bashkuara.

Presidenti 65-vjeçar kolumbian ndihej i kërcënuar nga aludimet e Donald Trump se diçka e ngjashme mund t’i ndodhte. Presidenti amerikan e ka quajtur Petron disa herë drogaxhi, bandit, trafikant droge dhe një njeri fasadë për Maduron. Ai e ka shtuar atë në Listën Clinton – një listë e kuqe individësh dhe kompanish të lidhura nga Uashingtoni me trafikun e drogës – dhe i ka revokuar vizën.

Ndërkohë, Petro thotë se iu përkushtua “popullit” si mburojë kundër ushtrisë me fuqinë më të madhe të zjarrit në histori, dhe shpatës së Simón Bolívar , të mbajtur si një relike pranë tij.

Një telefonatë ndryshoi gjithçka. Petro dhe Trump folën për një orë të mërkurën dhe në fund të saj, ata shprehën kënaqësi për bisedën dhe u ndanë miqësisht. Ishte në të njëjtën frymë që Petro u shfaq për intervistën me EL PAÍS të enjten vonë pasdite, në një nga dhomat në Pallatin Nariño.

Retorika e tij anti-imperialiste është zbutur. Ai madje shkon aq larg sa thotë se qëndrimet e tij në luftën kundër trafikut të drogës ose nevojën për një tranzicion në Venezuelë që kulmon me zgjedhje nuk janë shumë larg atyre të Trump. Petro madje gjen disa ngjashmëri midis tyre.

“Ai bën atë që mendon, njësoj si unë. Ai është gjithashtu pragmatist, megjithëse më shumë se unë. Më pëlqen të flas”, bën shaka ai. Petro nuk dëshiron më konflikt me Trumpin, për momentin.

A kishit vërtet frikë se mos do të vuanit të njëjtin fat si Maduro?

Pa dyshim. Nicolás Maduro ose çdo president në botë mund të shkarkohet nëse nuk përputhet me interesa të caktuara.

A e përforcuat sigurinë tuaj në ndonjë mënyrë?

Këtu nuk ka asnjë mbrojtje ajrore. Nuk është blerë kurrë sepse luftimet janë të brendshme. Guerilët nuk kanë avionë luftarakë F-16 dhe ushtria nuk e ka atë lloj mbrojtjeje.

A ju paralajmëruan shërbimet tuaja të inteligjencës për ndonjë rrezik real?

Nuk ka qenë e nevojshme. Trump e ka thënë këtë për muaj të tërë. Por ajo që ne përdorim këtu është mbrojtja popullore, dhe kjo është arsyeja pse bëra thirrje për rezistencë popullore të mërkurën [në tubime që mbushën sheshet në të gjithë Kolumbinë.

A është zvogëluar kërcënimi?

Mendoj se ishte pezulluar, por mund të gabohem. Nuk e dinim se çfarë veprimi ushtarak po planifikohej, vetëm se ai ishte duke u zhvilluar.

Si e dini?

Trump më tha gjatë telefonatës se po mendonte të bënte gjëra të këqija në Kolumbi. Mesazhi ishte se ata tashmë po përgatisnin diçka, po e planifikonin atë, një operacion ushtarak.

Si ishte ajo bisedë?

Biseda konsistoi në mundësinë time për të shprehur mendimin tim. Ai kishte marrë informacion nga opozita vetëm nëpërmjet shtetit të Floridës – ku ndodhet krahu më radikal republikan. Ajo opozitë gënjen në lidhje me luftën tonë kundër trafikut të drogës. Lexoni çfarë thotë (ish-presidenti kolumbian) Álvaro Uribe, dhe ai praktikisht duket sikur po mbron sulmet kundër nesh.

Presidenti i Kolumbisë ,Gustavo Petro.

Çfarë përshtypjeje ju la Trump si person?

Ai bën atë që mendon, njësoj si unë. Është gjithashtu pragmatist, megjithëse më shumë se unë. Më pëlqen të flas. Pikëpamjet e tij për shumë çështje janë shumë të ndryshme nga të miat. Por për shembull, për trafikun e drogës, nuk kemi dallime. Ai më tha diçka që më pëlqeu: ‘E di që janë shpikur shumë gënjeshtra për ty, ashtu siç janë shpikur për mua.’

Ju keni folur gjithashtu me Delcy Rodríguez , presidenten e re të Venezuelës në mungesë të Maduros. Çfarë hapësire manovrimi keni, me Trumpin që ju flet dhe thotë se është “në krye” të Venezuelës?

Unë jam një mik i saj. Ajo është nën presion si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Është akuzuar si tradhtare. Ajo sheh nevojën për të forcuar unitetin e Amerikës Latine, por detyra e saj qendrore duhet të jetë bashkimi i popullit të Venezuelës. Nëse populli është i ndarë, do të ketë kolonizim . Nëse ata bashkohen dhe kërkojnë një zgjidhje politike për problemin e dukshëm, ata mund të ecin përpara.

A ju ka kërkuar ndihmë? Ministri juaj i Brendshëm, Armando Benedetti, ka thënë se kur ju u ofruat të ndërmjetësoni, Trump e ndryshoi temën.

Benedetti ishte dëshmitar, por nuk e di nëse i dëgjoi fjalët e Trumpit. Mua nuk më dukej kështu. Biseda në thelb konsistoi në prezantimin e argumenteve të mia për 40 minuta, dhe ai, për 15 minuta, duke folur për mënyrën se si komunikojmë. E gjithë kjo po ndodh sepse ne nuk komunikojmë.

A keni frikë tani se Diosdado Cabello mund të jetë një element destabilizues brenda vetë qeverisë?

Të gjitha forcat politike që ekzistojnë sot në Venezuelë duhet të ekzistojnë. Eliminimi i disa prej tyre me mjete të dhunshme do të sjellë më shumë dhunë.

Midis këtyre forcave është María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës.

Ajo duhet të ndryshojë retorikën e saj. Çdo gjë që ka bërë kohët e fundit është e gabuar, përfshirë edhe fitimin e Çmimit Nobel ndaj Trump.

Le të themi se nuk jeni një mbështetës i madh i saj, por si e pranoni veten me idenë se nuk do të jetë ajo ose Edmundo González që do të qeverisin kur janë ata që fituan zgjedhjet?

Unë nuk i konsideroj ato si zgjedhje të lira.

Diçka e ngjashme me atë që tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio…

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara në lidhje me Venezuelën nuk është shumë larg nga i imi. Ideja e një tranzicioni drejt zgjedhjeve të lira dhe një qeverie të përbashkët është ngritur nga të tjerë, si Rubio, dhe përkon me propozimin tim. Por nuk mund të imponohet nga jashtë; duhet të lindë nga dialogu venezuelian. Roli i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë lehtësimi i këtij dialogu, së bashku me Amerikën Latine. Para zgjedhjeve në Venezuelë, unë propozova një qeveri të përbashkët, i frymëzuar nga përvoja e Frontit Kombëtar në Kolumbi. Në Venezuelë, kjo mund të zbatohej shkurtimisht për të krijuar kushte për zgjedhje vërtet të lira. Unë gjithashtu propozova një plebishit, por nuk u pranua nga Shtetet e Bashkuara dhe as nga Maduro. Tani mund të rishikohet.

Kjo është shumë larg asaj që ndodhi në të vërtetë.

Unë isha një ndërmjetës de facto, së bashku me Meksikën, Norvegjinë dhe vende të tjera. Para zgjedhjeve, ne kërkuam një marrëveshje për të mbajtur zgjedhje të lira. Fola me ish-presidentin amerikan Joe Biden dhe me Maduron rreth këtij opsioni. Takimi i fundit me qeveritë evropiane, Shtetet e Bashkuara, disa qeveri të Amerikës Latine dhe tonën u zhvillua në Bogota. Ideja ishte t’i jepej fund bllokadës dhe të ndalej shtypja, por Maduro tha: “Si mund të ketë zgjedhje të lira nëse ata kanë vënë një çmim për kokën time ?” Shtetet e Bashkuara ranë dakord, por shtypja nuk u çmontua, nuk pati amnisti, bllokada nuk u hoq dhe gjithçka dështoi.

A çoi refuzimi i Maduros për të dhënë dorëheqjen pas akuzave për mashtrim në gjithçka që ka ndodhur që atëherë?

Unë nuk i njoha ato zgjedhje. As Brazili dhe as Meksika nuk i njohën. Dhe pas kësaj, nuk munda të shkoja në Venezuelë. Dhe me Trumpin, aq më pak; çdo mundësi ndërmjetësimi ka mbaruar. Administrata Trump donte ta bënte vetë.

Cila është ajo rrugë?

Çështja qendrore është se ekziston një përplasje vizionesh: ligji amerikan i lejon ata të hyjnë në një vend tjetër nëse ka aktivitet kriminal si trafiku i drogës, por ligji ndërkombëtar jo. Nëse kjo përhapet gjerësisht, mund të çojë në një luftë botërore. Çështja nuk është Venezuela, çështja është Kina : Shtetet e Bashkuara kanë frikë nga konkurrenca me Kinën  dhe po kërkojnë energji për të konkurruar komercialisht, por kjo do të çojë në luftë.

Kur do të vijë Delcy Rodríguez në Bogota?

Ajo më ka kërkuar dy javë. Duhet të shohë se çfarë po ndodh në vendin e saj dhe të mos bëjë ndonjë gabim.

Dhe kur do të shkoni në Shtëpinë e Bardhë?

Së pari, ministrat e jashtëm do të shkojnë në Uashington për të përcaktuar datën.

Pavarësisht telefonatës me Trumpin, ka pasur lëshime dhe negociata për çështjet e sigurisë, të tilla si shpërthimet me bomba dhe ekstradimet. A ju ka kërkuar Trump të revokoni statusin politik të grupeve kriminale që tani po negociojnë paqen?

Në fakt, unë nuk ua njoh atë status sepse janë grupe të nxitura nga lakmia. Ka diçka me të cilën Trump mund të ndihmojë, dhe kjo është se prokuroria duhet të merret me negociatat, por ata nuk kanë dashur ta bëjnë këtë nga frika. Por Shtetet e Bashkuara negociojnë me grupet kriminale gjatë gjithë kohës. Shtetet e Bashkuara negociojnë me baronët e drogës që ne ekstradojmë.

A mendoni se Iván Cepeda , kandidati i krahut të majtë për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, ka forcën e mjaftueshme për t’ju pasuar?

Nuk mund të përfshihem në politikë. Është e ndaluar.

Çfarë lloj ish-presidenti do të jeni? A do të përfshiheni aktivisht në politikë si Álvaro Uribe?

Nuk jam një plak i lodhshëm. Nuk jam aq i vjetër sa ai. Preferoj t’i përkushtohem leximit dhe shkrimit të librave. Gjithçka ka shkuar keq për Uriben.

Keni thënë se jeni ndjerë i vetmuar dhe i keqkuptuar si president. Tani që po fillon muzgu i presidencës suaj…

Çfarë muzgu? Fakti që kaq shumë njerëz po dalin në sheshe në kaq pak kohë që ka mbetur tregon forcë. Ndihem shumë i kënaqur nga mbështetja e njerëzve.

Marrë nga El Pais

The post Gustavo Petro: Trump po mendonte për një operacion ushtarak në Kolumbi… appeared first on Gazeta Si.

Ermonela Jaho mahnit publikun në Royal Opera House/ ‘Një Violettë e paharrueshme’

9 January 2026 at 12:33

Nga Theo Bosanquet – Tashmë në dekadën e saj të katërt, vënia në skenë e La traviata nga Richard Eyre, e realizuar në vitin 1994, është ndër produksionet operistike më të qëndrueshme dhe më të dashura të kohëve moderne. Kjo ishte hfaqja e 585-të në Royal Opera House.

Më kishin siguruar se kjo është një pikënisje e shkëlqyer për ata që janë në hapat e parë të udhëtimit të tyre në botën e operës, dhe është e lehtë të kuptosh pse. Historia e kurtizanes së sëmurë nga tuberkulozi, Violettës, dhe dashurisë së saj të penguar me fisnikun e ri Alfredo, është ndër më të drejtpërdrejtat, gjë që është fat i madh, sepse produksioni i Eyre është kaq madhështor në dizajn (nga Bob Crowley), saqë është shumë e lehtë që vëmendja të të shpërqendrohet vazhdimisht nga radhët e skenografive luksoze.

Pavarësisht madhështisë së saj, gjithçka nis thjesht: telat e butë të uverturës shoqërohen nga fotografi të zbehta të kurtizaneve të së kaluarës, të cilat dalëngadalë i lënë vendin Violettës së Ermonela Jahos, që shfaqet në një vignete pas një perdeje garze. Ajo duket e përhumbur, e zymtë, dhe së shpejti do të zbulojmë arsyen.

Fillimisht e rrëmbyer nga romanca në sallonin e saj parizian nga Alfredo i hijshëm (Giovanni Sala), ajo shpejt rikthehet me këmbë në tokë nga babai i tij autoritar, Giorgio (Aleksei Isaev), i cili shfaqet në Aktin II në strehën e tyre në fshat për të kërkuar ndarjen e tyre në emër të dinjitetit familjar. Violetta pranon me stoicizëm, çka çon në një përballje dramatike në Paris dhe në një pajtim të fundit me Alfredon (dhe babain tashmë të penduar) në Aktin III, pak para vdekjes së saj të shkaktuar nga tuberkulozi.

Opera e Verdit e vitit 1853, e bazuar në La Dame aux camélias të Alexandre Dumas (biri) , është e mbushur me melodi të famshme, përfshirë këngën e fuqishme të pijes “Brindisi” dhe “Korinin e Ciganëve”, të interpretuara nga një ansambël i madh mbi skena që ngjajnë me piktura vaji të gjalla, si dhe aria përmbyllëse e Violettës, “Addio, del passato”.

Të gjitha interpretohen dhe luhen bukur nga orkestra e Royal Opera Huse nën dirigjimin dinamik, por të ndjeshëm, të Antonello Manacordës.

Jaho, e cila rikthehet në rolin kryesor pasi e ka interpretuar më parë në vitet 2008 dhe 2019, është veçanërisht mbresëlënëse, me një aftësi të jashtëzakonshme për t’i lënë notat e larta të buta të pluskojnë me një delikatesë që sfidon gravitetin. Dueti i saj me Salën gjatë romancës së tyre, “Un dì, felice, eterea”, është përkufizimi i përkryer i zogjve dashnorë që cicërojnë, dhe ajo krijon gjithashtu një kundërpeshë efektive me baritonin e plotë të Isaevit në “Dite alla giovine” të Aktit II.

Por Jaho nuk këndon vetëm mrekullisht, ajo edhe aktron me bindje. Skena finale, në të cilën ajo duhet të kollitet dhe të këndojë njëkohësisht ndërsa përjeton minutat e saj të fundit në një dhomë pariziane të mobiluar nga një kornizë e madhe bosh (një motiv i vazhduar nga Akti II), është një kulm tronditës që ajo e mishëron plotësisht; përqafimi i saj i fundit me Alfredon është një moment që të rrënqeth.

Sala dhe Isaev gjithashtu lënë përshtypje, dhe ka mbështetje shumë të mirë, përfshirë Veena Akama-Makia si shërbëtorja e dhembshur Annina, Ellen Pearson si kurtizania Flora dhe Sam Hird si rivali në dashuri, Baroni Douphol.

Produksioni i Eyre mund të mos jetë më revolucionari që do të shihni, por është i qartë dhe i drejtuar me një sy teatror drejt detajit.

Është e qartë pse është shndërruar në një shtyllë kaq të dashur të repertorit, dhe historia e La traviata tingëllon veçanërisht domethënëse në një epokë të hendeqeve gjithnjë e më të mëdha të pasurisë, politikave të paqëndrueshme dhe varfërisë së rëndë.

Vendimi i Violettës për t’iu nënshtruar vullnetit shoqëror dhe për t’i dhënë fund romancës së saj mund të duket, në njëfarë kuptimi, si një vetëflijim i panevojshëm, por ka gjithashtu një heroizëm të pazakontë në përpjekjen e saj të ndershme për të balancuar dashurinë dhe realitetin.

Burimi: London Theatre

The post Ermonela Jaho mahnit publikun në Royal Opera House/ ‘Një Violettë e paharrueshme’ appeared first on Gazeta Si.

Anton Pashku, zëri modern i vetëdijes estetike në letërsinë shqipe

8 January 2026 at 11:34

Gazeta “SI”- Anton Pashku zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm në letërsinë shqipe. Ai nuk ishte vetëm një shkrimtar i talentuar, por një dukuri letrare që e zhvendosi prozën dhe dramaturgjinë shqipe drejt modernitetit të vërtetë estetik dhe filozofik. Në një kohë kur letërsia shpesh mbetej brenda skemave ideologjike dhe formave të konsumuara, Pashku krijoi një gjuhë të re rrëfimore, të mbështetur në nëntekst, ironi, simbolikë dhe vetëdije të lartë për aktin e shkrimit. Kjo e bën veprën e tij të qëndrueshme në kohë dhe të hapur për lexime të reja.

I lindur më 8 janar 1937 në Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit, Anton Pashku vinte nga një mjedis që mbartte peshën e historisë, traditës dhe qëndresës shqiptare. Nëna e tij, Geta, ishte nga Zymi, ndërsa babai, Toma (Tonini), bukëpjekës, nga Karashëngjergji, rrëzë Pashtrikut. Këto hapësira dhe përvoja të hershme, të ngulitura në kujtesën kolektive, do të shndërroheshin më vonë në simbole letrare të fuqishme, veçanërisht në prozën e tij tregimtare dhe romanore. Shkollimin fillor dhe një pjesë të gjimnazit e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin real dhe maturën në Prishtinë, qytet ku edhe u formua si intelektual dhe krijues.

Që nga viti 1958, jeta e tij profesionale lidhet ngushtë me gazetën dhe Shtëpinë Botuese “Rilindja”, ku punoi fillimisht si gazetar, më pas si redaktor i rubrikës së kulturës dhe, për më shumë se dy dekada, si redaktor i prozës dhe dramës. Në të njëjtën kohë, Pashku ishte aktiv në jetën letrare si redaktor i revistave “Jeta e Re” dhe “Fjala”, duke ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e shijes letrare dhe orientimeve estetike të letërsisë shqipe në Kosovë. Ai ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe, nga viti 1993, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Shkrimet e para letrare Anton Pashku i botoi që në vitin 1955, shumë herët, ende pa i mbushur njëzet vjet. Që në këto tekste të hershme, si tregimet poetike “Në stuhi” dhe “Klithma”, të botuara më 1957, vërehet prirja e tij për reduktimin maksimal të ngjarjes dhe personazheve, për krijimin e një atmosfere të ngarkuar me tension të brendshëm dhe për zhvendosjen e kuptimit nga sipërfaqja e rrëfimit drejt nëntekstit. Kjo mënyrë shkrimi do të bëhej shenja dalluese e gjithë veprës së tij.

Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike: tema e dashurisë, e trajtuar shpesh si mungesë, si pritje ose si kujtim i thyer; tema e vetmisë, e kushtëzuar nga censura, shtypja dhe totalitarizmi; dhe tema e dhunës së ushtruar mbi individin dhe mbi qenien kolektive. Këto tema nuk mbeten të kufizuara në një realitet lokal, por universalizohen dhe marrin përmasa ekzistenciale, duke e bërë prozën e tij të komunikueshme edhe përtej kontekstit shqiptar.

Tregimi “Kulla” përbën një nga tekstet më përfaqësuese të krijimtarisë së Pashkut dhe një model tematik për pjesën më të madhe të veprës së tij. Në këtë tregim ndërthuren motivi i lashtësisë, drama historike shqiptare, qëndresa dhe ankthi ekzistencial. Kulla shfaqet si simbol i identitetit dhe i mbijetesës, ndërsa përmes figurave të Plakës dhe Birit shprehet lidhja e pashkëputshme mes së kaluarës dhe së ardhmes. Dhuna, e pranishme si kërcënim i vazhdueshëm, del përkohshme përballë forcës së traditës shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore.

Romani “Oh” përfaqëson kulmin e arritjeve letrare të Anton Pashkut dhe një nga veprat më të rëndësishme të prozës moderne shqipe. Me strukturën e tij të ndërlikuar narrative, me shtresëzimin e kohës dhe ndërtimin simbolik të personazheve, ky roman krijon një univers letrar ku rrëfimi zhvillohet në disa nivele njëkohësisht. Koha reale dhe ajo fiksionale ndërthuren, personazhet shndërrohen herë në rrëfimtarë e herë në simbole, ndërsa gjuha merr tipare poetike, duke krijuar një tekst të hapur që kërkon lexues aktiv dhe interpretues.

Në veprën e Pashkut, gjuha nuk është kurrë “normale” apo thjesht komunikuese. Ajo është gjithmonë gjuhë poetike, e ngjeshur me shenja që krijojnë marrëdhënie të reja kuptimore. Vetë autori kishte theksuar se shenjat e gjuhës artistike, kur vendosen pranë njëra-tjetrës me saktësi, janë të afta të shkaktojnë “eksplozione jetësore” me intensitet të lartë. Kjo vetëdije estetike e shndërroi shkrimin e tij në një sistem të plotë letrar, ku forma dhe ideja janë të pandashme.

Edhe në dramaturgji, sidomos në dramat “Sinkopa” dhe “Gof”, Pashku ndërtoi një sistem formal modern, duke përmbysur rendin tradicional të fabulës dhe duke e vënë theksin te struktura  dhe raporti me skenën. Dramat e tij u vunë në skenë në Prishtinë, Shkup, Zagreb, Mitrovicë, Ferizaj dhe deri në Paris, çka dëshmon për vlerën dhe universalitetin e tyre artistik.

I quajtur me të drejtë “Xhojsi i letërsisë shqipe” nga Ibrahim Rugova, Anton Pashku la pas një vepër që u fut natyrshëm në rrethin e vlerave estetike më të qëndrueshme të letërsisë shqipe. Sot, krijimtaria e tij është vlerë kulturore kombëtare dhe pjesë e pandashme e studimit të letërsisë bashkëkohore shqipe. Letërsia e Pashkut nuk kërkon shpjegime të gatshme apo lexime didaktike, por dialog të vazhdueshëm, rikthime dhe venerime të reja. Ai mbetet një autor që flet më shumë përmes heshtjes dhe nëntekstit, duke e bërë lexuesin pjesë aktive të kuptimit dhe duke e mbajtur veprën e tij gjithmonë të gjallë.

The post Anton Pashku, zëri modern i vetëdijes estetike në letërsinë shqipe appeared first on Gazeta Si.

Hapet për herë të parë kursi i gjuhës shqipe në Universitetin Katolik të Uruguait

7 January 2026 at 10:51

Gazeta “SI”-Uruguaianët kanë tashmë një mundësi të re për t’u njohur me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Universiteti Katolik i Uruguait ka hapur për herë të parë një kurs universitar të gjuhës shqipe, i cili do të zhvillohet online dhe do të jetë i nivelit fillestar (A1).

Nisma është ndërmarrë nga studiuesi Juan Manuel Montoro, i cili prej gjashtë vitesh është i angazhuar në projekte të ndryshme në Kosovë. Sipas tij, mësimi i shqipes ka qenë një hap i natyrshëm për të kuptuar më mirë rajonin e Ballkanit dhe për të ndërtuar bashkëpunim më të qëndrueshëm akademik e profesional.

“Kjo ide u mbështet menjëherë nga Qendra e Gjuhëve e Universitetit. Edhe pse Uruguai është një vend i vogël, ai është pjesë e një komuniteti hispanofolës me mbi 600 milionë njerëz. Audienca jonë potenciale është pikërisht ky komunitet më i gjerë, ku qasja në mësimin e gjuhëve të veçanta është e kufizuar”, ka deklaruar Montoro.

Kursi do të zgjasë 60 orë mësimore dhe do të zhvillohet të shtunave. Ai synon t’u ofrojë pjesëmarrësve aftësi bazë komunikimi në situata të përditshme, me theks në përdorimin praktik të gjuhës, si dhe njohje me kulturën shqiptare dhe atë ballkanike. Regjistrimet janë të hapura nga data 19 janar, ndërsa për hapjen e kursit kërkohen së paku 10 pjesëmarrës.

Mësimdhënia do të realizohet nga Jehona Kadriu, e cila thekson se ky kurs ka për qëllim jo vetëm mësimin e gjuhës, por edhe afrimin kulturor.

“Synimi është të promovojmë gjuhën dhe kulturën shqiptare te folësit e spanjishtes, duke i ndihmuar ata të zbulojnë potencialin dhe pasurinë e saj”, ka thënë ajo.

Kadriu vëren se shumica e burimeve ekzistuese për mësimin e shqipes si gjuhë e huaj janë në anglisht, ndaj ky kurs përbën një risi, pasi u drejtohet drejtpërdrejt folësve të spanjishtes. Sipas saj, interesimi për Shqipërinë dhe Kosovën është rritur vitet e fundit, i nxitur nga turizmi, sporti dhe dukshmëria kulturore në rritje.

Universiteti e sheh këtë kurs si një projekt pilot, i cili, nëse rezulton i suksesshëm, mund të zgjerohet edhe në nivele më të avancuara dhe të shërbejë si model për mësimin online të gjuhëve më pak të përhapura në hapësira të reja akademike.

The post Hapet për herë të parë kursi i gjuhës shqipe në Universitetin Katolik të Uruguait appeared first on Gazeta Si.

67 vjet pa Hafiz Ali Korçën, teologun dhe patriotin e shquar shqiptar

7 January 2026 at 10:51

Gazeta “SI”- Më 7 janar 1957 u nda nga jeta Hafiz Ali Korça, një nga figurat më të rëndësishme të mendimit fetar, arsimor dhe atdhetar shqiptar, i cili la gjurmë të thella në historinë kulturore dhe kombëtare të vendit.

Ali Korça lindi në vitin 1866 në qytetin e Korçës, në familjen e Iljas efendiut. Arsimin fillestar e mori në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll. Pas kthimit në Shqipëri, ai u angazhua në arsimin kombëtar, duke dhënë mësim në shkollën shqipe të Korçës, ku ligjëroi gjuhën osmane, matematikën dhe drejtshkrimin e gjuhës turke.

Njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja, si arabishtja, persishtja, osmanishtja dhe frëngjishtja, Hafiz Ali Korça u emërua në vitin 1890 mësues në shkollën rushdije të Korçës, ndërsa më pas vijoi punën në shkollën idadije, ku dha lëndët gjeografi dhe matematikë. Në vitin 1903 ai u transferua në Anadoll, ku shërbeu si mësues i gjeografisë dhe historisë në shkollën idadije të Spartës.

Ai ishte pjesëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe në Kongresin e Dibrës më 1909, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në çështjet kombëtare. Në vitin 1914 mbajti fjalim në gjuhën frënge me rastin e ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri. Ndërsa gjatë vitit 1916 shërbeu si drejtor i zyrës së arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme.

Në periudhën 1918–1924, Hafiz Ali Korça ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit, duke ushtruar ndikim të konsiderueshëm në jetën fetare dhe institucionale të vendit. Pas vendosjes së regjimit komunist, për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të tij, ai u përndoq, u burgos dhe u internua. Vitet e fundit të jetës i kaloi në vetmi në Kavajë, ku u shua më 7 janar 1957.

Trashëgimia e tij përfshin një veprimtari të pasur letrare dhe fetare, mes së cilës spikasin përkthimi i Kuranit, “Mevludi”, “303 fjalë të Imam Aliut”, “Jusufi me Zelihanë”, “Rubairat”, “Bolshevizma a shkatërrimi i njerëzimit”, “Historia e shenjtë dhe katër kalifët”, si dhe vepra të tjera me vlerë të veçantë për kulturën shqiptare.

The post 67 vjet pa Hafiz Ali Korçën, teologun dhe patriotin e shquar shqiptar appeared first on Gazeta Si.

Të krijosh art mbi xhamin e thyer

6 January 2026 at 15:26

Gazeta “SI”-Ai quhet Aron Noka dhe ka lindur në qytetin e Burrelit. I diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, Aroni aplikon një lloj arti krejt të veçantë dhe të pazakontë. Skalit portrete mbi xham, duke përdorur një teknikë unike, që realizohet përmes thyerjes dhe ciflosjes së xhamit. Përmes kësaj teknike ai ka krijuar portrete të figurave të rëndësishme të historisë sonë, si Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti, Adem Jashari, Gjergj Fishta, etj. Sipas informacionit që ai ka, Aroni është i vetmi artist që aplikon këtë lloj arti jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin dhe ndoshta edhe më gjerë.

Në këtë intervistë për GazetaSi.al, Aroni rrëfen se si lindi pasioni i tij për artin dhe pse vendosi të ndiqte një rrugë tjetër në aplikimin e tij artistik, atë të skalitjes në xham.

“Arti më ka shoqëruar që në fëmijëri, kur shikoja gjyshin tim duke gdhendur gurë dhe dru. Ky inspirim më shtyu të ndjek rrugën e artit përmes studimeve përkatëse, me qëllim zhvillimin e aftësive dhe formimit tim si artist”, nis rrëfimin Aroni.

Ai shpjegon se pas shumë eksperimentimeve me forma të ndryshme arti, vendosi të punonte mbi xham.

“Artisti është gjithmonë në kërkim të formave, ngjyrave dhe materialeve të ndryshme derisa të gjejë veten. Edhe unë kam qenë në këtë kërkim, duke eksperimentuar mënyra të ndryshme shprehjeje, derisa gjeta xhamin si mediumin tim artistik. Këtë stil nisa ta praktikoj në mënyrë autodidakte, pasi pashë një portret të realizuar me këtë teknikë në një faqe interneti, gjë që më bëri kureshtar të zbuloja se si mund të pikturohej përmes thyerjes së xhamit.”

Aroni rrëfen edhe për punën e tij të parë, një portret që e bindi se portreti ishte mënyra më e mirë e aplikimit të artit mbi xham, duke sqaruar njëkohësisht veçantinë e punës me këtë material, por edhe rrezikun që mbart kjo zeje.

“Puna ime e parë është realizuar në vitin 2020, ku kam krijuar portretin e një këngëtari nga Kosova. Më pas kam eksperimentuar edhe me portrete të tjera që më pëlqenin. Sa më shumë punoja me këtë teknikë, aq më tepër më shtohej kureshtja për të zbuluar mundësi të reja të këtij materiali. Është e bukur të jesh i veçantë në atë që bën, sidomos kur ky stil arti nuk është shumë i përhapur dhe është i vështirë për t’u realizuar. Të punosh me xhamin është një ndjesi e veçantë, pasi punon mbi diçka të tejdukshme që tregon atë çfarë ndodhet përtej tij dhe jo brenda vetes.

Thyerja e parë përcakton karakterin e ri që xhami do të marrë. Gjatë procesit ndodh që thyerjet të dalin jashtë kontrollit dhe puna të prishet, duke të detyruar të nisësh një tjetër. Ky është një proces i natyrshëm pune, ashtu si në pikturë apo skulpturë, ku shpesh duhet të ndryshosh kompozimin ose formën”, thotë Aron Noka.

Në fund, Aroni shprehet optimist se shumë shpejt do të ketë edhe ekspozitën e tij personale.

“Punët dhe veprat e mia ekspozohen në studion time, ku edhe punoj. Në muajt në vazhdim planifikoj hapjen e ekspozitës sime të parë. Njerëzit e pëlqejnë dhe e vlerësojnë artin që realizoj, ndërsa kërkesa për të pasur një vepër me këtë stil është mjaft inkurajuese.”

Kureshtjen mbi xhamin që përdor Aroni e shuan shpejt duke shpjeguar se bëhet fjalë për të njëjtin lloj xhami që përdoret edhe në makinat, çka e bën të lehtë gjetjen e materialit, por aspak të lehtë punën me të. Arti në Shqipëri njeh forma të shumta shprehjeje, veçanërisht ai pamor, i cili kërkon të eksperimentojë përtej portreteve tradicionale.

Një dëshmi e këtij eksplorimi të mundësive dhe forcës personale krijuese është edhe Aroni, i cili ka zgjedhur jo vetëm të krijojë art, por edhe të përzgjedhë një material të veçantë, që në këtë rast është qelqi, një teknikë që skalit në tejdukshmëri shpirtin dhe talentin e krijuesit.

The post Të krijosh art mbi xhamin e thyer appeared first on Gazeta Si.

❌
❌