Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Serbia arreston një ish-pjesëtar të UÇK-së nga Peja, Daçiq me pretendime të rreme për “krime lufte”

5 February 2026 at 21:56


Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.

Autoritetet serbe konfirmuan se Mit'hat Lozhani u arrestua nën dyshimet për krime kundër popullatës civile.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.

Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, pretendon se ai dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Sipas tij, Mit'hat Lozhani është dërguar në ndalim prej 48 orësh dhe më pas do të dërhohet para Zyrës së Prokurorisë për Krime Lufte ku do t'i ngrihet aktakuza.

Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 "pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave".

Në njoftim thuhet po ashtu se "si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve".

Në vazhdën e këtyre akuzave, ministri serb pretendoi se Mit'hat Lozhani ishte pjesë e një grupi të komanduar nga Ramush Haradinaj dhe se kishte marrë pjesë në rrëmbime dhe vrasje të pjesëtarëve të policisë serbe.

Këto deklarata përfaqësojnë vazhdimësinë e një narrative të njohur të autoriteteve serbe, të cilat prej vitesh përpiqen të barazojnë luftën çlirimtare të UÇK-së me veprime kriminale.

Në Kosovë, raste të tilla shihen si pjesë e një strategjie politike dhe juridike të Serbisë për të kriminalizuar ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe procedurave selektive, ndërkohë që krimet e dokumentuara të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë mbeten kryesisht të pandëshkuara.

Avokati kosovar Arianti Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.

Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.

Ai kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.

“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Arrestime të shtetasve të Kosovës në Serbi
(sipas burimeve në MPJD)

Arbnor Spahiu
– Arrestuar në qershor për “vrasje të rëndë” në Banjskë
– U lirua më 21 nëntor

Lulzim Halili
– Arrestuar në korrik për “krime lufte”
– Mbetet në paraburgim

Sasha Gjorgjeviq
– Arrestuar në korrik për “bashkëpunim me SHISH përmes AKI-së”
– Mbetet në paraburgim

Behar Preniqi
– Arrestuar në gusht si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”
– Mbetet në paraburgim

Hazir Haziri
– Arrestuar në shtator për “krime lufte”
– U lirua në janar 2026

Avni Qenaj
– Arrestuar në nëntor për “krime lufte”
– Gjykata në Beograd caktoi një muaj paraburgim

Millan Vukashinoviq
– Dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe
– Leposaviq, 1 nëntor

14 gusht
– U ndaluan edhe X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në Horgosh
– Dyshime për “krime lufte kundër popullsisë civile”
– U liruan pas 5 ditësh.

Si e kërcënuan Serbinë Clinton dhe Albright një ditë para Rambujesë

5 February 2026 at 21:30


Dhuna që Serbia po ushtronte ndaj shqiptarëve të Kosovës në fillim të vitit 1999 po shkaktonte shqetësim të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Situata ishte e papranueshme për presidentin amerikan të kohës, Bill Clinton, i cili e konsideronte dhunën një kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit.

Në këtë kontekst, Clinton nisi të diskutojë me aleatët e NATO-s mundësinë e ndërhyrjes në Kosovë. Fillimisht, ai ishte pro idesë që SHBA të dërgonte trupa në rajon, por vetëm në rast se dhuna do të ndalej dhe do të arrihej një marrëveshje e fuqishme paqësore, që pritej të diskutohej në Rambuje, dy ditë pas ngjarjeve të ashpra ku Clinton po merrte pjesë.

“Koha për ta ndalur këtë konflikt në Kosovë është tani, para se të përhapet dhe ndërkohë që mund të frenohet me një kosto të pranueshme. Ne kemi rënë dakord me aleatët tanë për një strategji që besojmë se mund të sjellë paqe dhe ta mbështesë atë strategji me forcën e NATO-s,” tha Clinton, duke theksuar se pavarësisht diskutimeve të shumta, një vendim final ende nuk ishte marrë.

Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se nëse arrihej një marrëveshje – dhe ky ishte një “nëse” i madh – një prani e NATO-s në terren në Kosovë mund të ishte thelbësore për të dhënë të dyja palëve besimin e nevojshëm për t’u tërhequr nga përleshjet. “Nëse kjo ndodh, ne po e shqyrtojmë seriozisht mundësinë e pjesëmarrjes sonë në një forcë të tillë. Po e diskutojmë këtë tani me Kongresin dhe me aleatët tanë. Ende nuk është marrë asnjë vendim,” theksoi ai.

Edhe Sekretarja e Shtetit të SHBA, Madeleine Albright, nënvizoi interesat e qarta kombëtare të Amerikës në arritjen e paqes në Kosovë. Sipas saj, çdo mision amerikan do të varej nga një marrëveshje e fortë dhe një tërheqje e forcave serbe.

“Amerika ka interesa të qarta kombëtare në një zgjidhje paqësore të këtij konflikti, të cilat krijojnë arsye bindëse që ne ta shqyrtojmë seriozisht pjesëmarrjen amerikane. Megjithatë, gatishmëria jonë për të marrë pjesë do të varet nga arritja e një marrëveshjeje të fortë dhe efektive, ndaj së cilës palët të tregojnë se janë vërtet të përkushtuara. Forca duhet të jetë në gjendje të veprojë në një mjedis të lejueshëm, përfshirë tërheqjen e një numri të mjaftueshëm të forcave serbe të sigurisë dhe një marrëveshje që kufizon armët dhe veprimtarinë e forcave paramilitare,” deklaroi Albright.

Sekretarja e Shtetit shprehu shqetësimin se nëse dhuna nuk ndalej, konflikti në Kosovë mund të përhapej dhe të destabilizonte pjesë të tjera të rajonit.

“Përhapja e konfliktit mund të ringjallë luftimet në Shqipërinë fqinje dhe të destabilizojë Maqedoninë e brishtë. Mund të ndikojë te aleatët tanë të NATO-s, Greqia dhe Turqia, dhe mund ta mbushë rajonin me refugjatë dhe të krijojë një strehë për terroristë ndërkombëtarë, trafikantë droge dhe kriminelë. Një konflikt rajonal do të minonte besueshmërinë e NATO-s si garantuese e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Kjo do të paraqiste një kërcënim që Amerika nuk mund ta injoronte,” paralajmëroi ajo.

Megjithatë, në anën tjetër, autoritetet jugosllave refuzuan idenë e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare dhe deklaruan se Kosova do të mbetej nën kontrollin e Serbisë, duke krijuar kështu një pengesë të madhe për çdo marrëveshje të mundshme paqësore.

Ekstradohet nga Britania në Kosovë i kërkuari me urdhër arrest ndërkombëtar

5 February 2026 at 21:04


Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datë 05.02.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit Kosovar R.K. nga Britania e Madhe për në Kosovë.

I dyshuarit ishte arrestuar nga autoritete e Britanisë, pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, për veprat penale “Grabitje” dhe se i njëjti iu ishte shmangur drejtësisë.

“Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të R. Kosovës dhe atyre Britanike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Prishtinës për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

Vuçiq akuzon direkt SHBA-në dhe vendet e rajonit për mbështetje të protestave në Serbi

5 February 2026 at 19:18


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se protestat e fundit kundër qeverisë së tij kanë përkrahje të jashtme nga shërbimet sekrete rajonale dhe disa organizata ndërkombëtare, duke përfshirë USAID dhe National Endowment for Democracy (NED).

Në një intervistë për DRM News, Vuçiq pretendon se protestat që kanë shpërthyer në Serbi nuk janë thjesht shprehje e pakënaqësisë qytetare, por janë përdorur nga faktorë të jashtëm për të destabilizuar vendin.

Ai deklaroi se aktorë nga vende të rajonit, duke përfshirë Kroacinë, Kosovën e Shqipërinë, si dhe media të kontrolluara nga këto shërbime sekrete, kanë luajtur rol të drejtpërdrejtë në nxitjen e trazirave.

“Sigurisht që kishte shumë njerëz që dolën në rrugë dhe ata u mbështetën shumë nga vendet rajonale, shërbimet sekrete rajonale, çka nuk është ndonjë sekret i madh. Po ashtu kishte shumë organizata dhe institucione nga jashtë që i mbështesnin ato,” tha Vuçiq, duke shtuar se ai nuk mohon ekzistencën e problemeve të brendshme në vend.

Presidenti serb kujtoi se protesta të mëdha kanë pasur edhe më parë, duke përmendur rastet e vitit 2014, 2017, 2019 dhe pas zgjedhjeve të vitit 2022, si dhe rastet Ribnikar dhe Dubonauraski në vitet 2023–2024.

Sipas tij, çdo pakënaqësi është shfrytëzuar nga aktorë të jashtëm për të nxitur protesta të mëdha dhe për të krijuar destabilitet.

Vuçiq përmendi gjithashtu se, sipas tij, USAID dhe NED kanë ofruar trajnime dhe mbështetje për persona që kanë dalë në rrugë dhe nuk janë pjesë e opozitës formale, me qëllim të përgatitjes për veprime kundër qeverisë serbe.

Kur u pyet nëse kishte ndaluar ose marrë në pyetje këta persona, Vuçiq tha se nuk kishte bërë asnjë arrestim apo hetim, duke argumentuar se veprime të tilla do të tregonin dobësi, jo forcë.

Ai theksoi gjithashtu se prania e investimeve të huaja, edhe përmes organizatave të tilla, nuk është domosdoshmërisht e dëmshme për vendin./Telegrafi.

Haradinaj i thekson kongresmenit Keith Self rëndësinë e Kosovës në NATO

5 February 2026 at 19:14


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, zhvilloi këtë javë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pati një takim me kongresmenin amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit, Haradinaj falënderoi kongresmenin Self për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës dhe shprehu mirënjohjen e tij për rolin e SHBA-ve në qëndrimin krah kombit shqiptar, nga liria deri te demokracia dhe pavarësia.

Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e cilësuar si rrugën e drejtë për të ardhmen dhe për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Kongresmeni Self, ish-oficer me 25 vjet shërbim në Ushtrinë Amerikane dhe i diplomuar në West Point, ka përvojë të gjerë në Forcat Speciale dhe misione ndërkombëtare, duke i dhënë takimit një karakter të veçantë dhe profesional.

Haradinaj u shpreh i nderuar për mundësinë e bashkëbisedimit dhe për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara./Telegrafi./

Ministri i Vuçiqit mohon shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, pavarësisht akuzave dhe nismës ligjore të SHBA-së

5 February 2026 at 17:57


Ministri serb për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berisha, deklaroi se të drejtat e shqiptarëve në Serbi "nuk janë shkelur", duke komentuar mbi kërkesën e ligjvënësve amerikanë ndaj Departamentit të Shtetit për të shqyrtuar akuzat për diskriminimin e tyre në Serbi.

Berisha pohon gjithashtu se përfaqësuesit e shqiptarëve që jetojnë në Serbinë jugore "nuk duan" të takohen me të.

"Nuk ka askush në këtë vend që mund të më bindë, meqenëse jam kreu i kësaj ministrie, se të drejtat e njeriut të bashkatdhetarëve të mi janë shkelur. Ata nuk duan të punojnë. Që kur kam qenë ministër, i kam ftuar pesë herë për një bisedë. Ata nuk erdhën", tha kryeministri i vendit për televizionin pro-qeveritar Pink më 5 shkurt.

Zgjedhja e Berishës në pozicionin e ministrit në Qeverinë serbe u prit me dënim nga përfaqësuesit e pakicës kombëtare shqiptare, të cilët, ndër të tjera, vlerësuan se ai "nuk përfaqëson shqiptarët, por një version të instrumentalizuar në shërbim të interesave politike serbe".

Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, një term i përdorur për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në Serbinë jugore, shpesh ankohen për praktikat diskriminuese nga autoritetet në Beograd, ndërsa zyrtarët e qeverisë së Kosovës i kanë mbështetur dhe përsëritur vazhdimisht këto akuza.

Anëtarët e Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së votuan më 21 janar në favor të një projektligji që do t'i kërkonte Sekretarit të Shtetit të SHBA-së të përgatiste një raport gjithëpërfshirës mbi situatën e pakicave në Serbi, me një fokus të veçantë tek shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Çfarë parashikon ligji i propozuar?

Projektligji parashikon shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme, duke përfshirë: pasivizimin e adresave , kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në fushën e arsimit, duke përfshirë mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, e të tjera.

Lidhur me problemin e adresave pasive, ministri tha se në Serbi ka 63,000 adresa pasive dhe se "nuk janë vetëm shqiptarët" ata që janë në problem.

Duke folur për problemin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, ai deklaroi se Ministria e Arsimit ka 68 tekste shkollore në gjuhën shqipe, por se "komuniteti shqiptar nuk ka dhënë pëlqimin e tij për to", ndërsa Berisha pretendon se tekstet shkollore që ata propozojnë janë në kundërshtim me proceset arsimore në Serbi.

Shqiptarët në Serbinë jugore ankohen për mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, prandaj qeveria në Prishtina shpesh u jep atyre ndihmë financiare.

Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2022, më shumë se 60,000 shqiptarë jetojnë në Serbi, duke përfaqësuar pakicën e katërt më të madhe kombëtare në vend.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shtetit të Serbisë arritën tre marrëveshje, në vitin 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashikonin mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por këto marrëveshje nuk janë zbatuar.

Integrimi i shqiptarëve në institucione është pjesë e detyrimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, mungesa e investimeve dhe pengesat e vazhdueshme besohet se kanë kontribuar në largimin e rreth 20,000 shqiptarëve nga rajoni, kryesisht në Kosovë./REL

Gjashtë ankesa në Supreme për zgjedhjet e dhjetorit

5 February 2026 at 17:39


Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar gjithsej gjashtë ankesa administrative që kanë të bëjnë me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor.

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, ka bërë të ditur se ankesat janë parashtruar nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas saj, një ankesë është dorëzuar nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një tjetër nga Koalicioni PAI–PDAK–LPB, si dhe një ankesë nga Emilia Rexhepi, përfaqësuese e NDS-së. Po ashtu, një ankesë është paraqitur nga Partia e Re Demokratike – Nova Demokratski Stranka (NDS) nga Prizreni.

Ndërkohë, dy ankesa të veçanta janë dorëzuar nga Bekim Haxhiu, gjithashtu kundër vendimeve të PZAP-së.

Gjykata Supreme ka afat ligjor prej pesë ditësh për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këto ankesa.

Osmani takon kryeministrin e Eswatinit, riafirmohet njohja e Kosovës pavarësisht pretendimeve të Vuçiqit për çnjohje

5 February 2026 at 17:14


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini, takim gjatë të cilit është riafirmuar njohja e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet afrikan.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar më herët se Eswatini është një nga shtetet që e ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, sipas presidentes Osmani, gjatë takimit është konfirmuar e kundërta.

Në një postim në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për njohjen e hershme të pavarësisë nga Eswatini, si dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

“Gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes, pata kënaqësinë ta takoj Kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini. Shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për njohjen e hershme të pavarësisë nga Eswatini, si dhe gatishmërinë për të avancuar drejt lidhjes së marrëveshjeve në fusha konkrete me interes të dyanshëm. Po ashtu diskutuam për koordinim më të ngushtë në forume multilaterale”, ka shkruar Osmani.

Pretendimet e Serbisë për çnjohje të pavarësisë së Kosovës janë përsëritur edhe në vitin 2023, kur presidenti Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se Beogradi kishte siguruar nëntë çnjohje të njohjes së Kosovës, duke përfshirë edhe Eswatinin.

Këto deklarata ishin mohuar atëkohë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, të cilën Serbia e ka pranuar por nuk e ka nënshkruar, Beogradi ishte zotuar që të ndalonte fushatën e lobimit kundër Kosovës.

Megjithatë, pavarësisht këtij zotimi, Serbia nuk e ka ndalur asnjëherë fushatën e saj për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

Takimi i Osmanit me kryeministrin e Eswatinit shihet si një sinjal i qartë politik dhe diplomatik se njohja e Kosovës nga ky shtet mbetet në fuqi, duke sfiduar drejtpërdrejt narrativën e promovuar nga autoritetet serbe.

Gjykata e Lartë lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Ardjan dhe Florenc Çapjan

5 February 2026 at 16:38


Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Ardjan dhe Florenc Çapjan, të dënuar për vrasjen e dyfishtë të Nezir dhe Gentjan Beqirit.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Enton Dhimitri, të cilët rrëzuan rekursin e paraqitur nga Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli dhe Ervis Bardhi, duke miratuar në tërësi vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.

Më herët, Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan dhe Florenc Çapjan, si dhe Jorgo Lekun, për vrasjen e dyfishtë të babë e bir, Nezir dhe Gentjan Beqiri, ngjarje e ndodhur në vitin 2012.

Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, dënimet ndaj të pandehurve marrin formë të prerë, duke mbyllur përfundimisht një nga proceset më të bujshme gjyqësore të viteve të fundit.

Nevojë apo zgjedhje? Gati gjysma e lindjeve në Kosovë bëhen me operacion

5 February 2026 at 16:30


Me foshnjën pranë vetes, Arlinda paloste rrobat e vogla të saj në valixhe - gati për të shkuar në shtëpi.

Në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ajo solli në jetë fëmijën e parë - me peshë gati tre kilogramë.

Ishte një moment që e kishte pritur dhe imagjinuar gjatë gjithë shtatzënisë.

“Normalisht, jam e lumtur”, thotë ajo, “por më duhet edhe pak kohë që ta marr veten, sepse kam lindur me operacion”.

Vendimi për prerje cezariane erdhi në fund të procesit nga mjekët e saj.

Në aspektin emocional, ajo nuk ishte e përgatitur.

“...por mjekët e vlerësuan si të nevojshme dhe unë u binda”, thotë Arlinda, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë.

Në shtratin pranë saj, mëngjesin e 26 janarit, ndodhej edhe Pranvera, një nënë tjetër, me një histori të ngjashme, por një përvojë ndryshe.

Ajo kishte lindur fëmijën e parë në mënyrë natyrale, ndërsa këtë herë, procesi i mori rrjedhë tjetër.

“Dhimbjet më nisën në shtëpi, në Lipjan. Kur erdha në spital, më dërguan në sallën e lindjes. Qëndrova gati dy orë dhe nuk munda të lind normalisht. Më thanë se duhet operacion”, rrëfen Pranvera, duke shtuar se, përveç humbjes së ujit të bebes, arsye tjetër nuk i është shpjeguar.

Dy gra, dy lindje, dy histori personale. Por, të dyja pasqyrojnë të njëjtin realitet shëndetësor në Kosovë: rritjen e ndjeshme të lindjeve me prerje cezariane.

Kulmi i tyre u arrit në vitin 2024, kur gati gjysma e lindjeve në vend u realizuan me operacion.

Por, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ky trend nuk është i njëjtë në të gjitha institucionet: në vitin 2024, spitalet private dominuan për nga numri i lindjeve me prerje cezariane.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon prerjen cezariane si një ndërhyrje kirurgjikale, që përdoret për të shpëtuar jetën e nënave dhe foshnjave kur komplikimet e bëjnë lindjen natyrale të rrezikshme.

Ndërsa është e dobishme kur ekzistojnë arsye të qarta mjekësore, OBSH-ja paralajmëron kundër përdorimit pa nevojë të prerjes cezariane, duke theksuar se ajo “duhet të kryhet vetëm kur është realisht e domosdoshme për të shmangur rreziqet për nënën ose foshnjën”.

Sipas studimeve, aplikimi i panevojshëm ose i tepruar i prerjes cezariane mund të rrisë rrezikun e komplikimeve post-operative, infeksioneve dhe problemeve të mëvonshme obstetrike për gratë.

Frika nga përgjegjësia

Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së, gjatë vitit 2025, u realizuan mbi 7 mijë lindje, prej të cilave 3.074 me prerje cezariane.

Drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, thotë se mjekët shpesh përballen me dilema të vështira.

“Ka raste kur mjekët druajnë se, nëse këmbëngulin në lindje natyrale dhe ajo komplikohet në momentin e fundit, mund të përballen me pasoja serioze”, thotë Ndrejaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, operacioni nuk duhet të jetë opsioni i parë, por shpesh bëhet i tillë për shkak të mungesës së protokolleve të qarta.

Ai shton se klinika trajton edhe raste të rënda dhe urgjente të referuara nga e gjithë Kosova - çka ndikon po ashtu në statistika.

“Po respektohet dëshira e pacientes”

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës konfirmon rritjen e lindjeve me prerje cezariane.

Kryetari i saj, Naser Rafuna, thotë se një faktor i rëndësishëm në këtë trend është kërkesa e vetë grave.

“Gjeneratat e reja janë shumë të interesuara për lindje me operacion. Po respektohet dëshira e pacientes, të them të drejtën”, shprehet ai, duke shtuar se presioni nga familjarët dhe frika nga komplikimet e lindjes normale, i shtyjnë gjinekologët të tërhiqen.

Por gjinekologu Arbër Lila, i cili punon në spitalin e Gjakovës, thekson se përgjegjësia për rritjen e lindjeve me prerje cezariane nuk bie vetëm mbi nënat.

“Edhe ne, si profesionistë, e kemi atë pjesën e ‘kontributit tonë’ në rritjen kaq të madhe të lindjeve cezariane”, thotë ai.

Sipas Lilës, mungesa e komunikimit dhe e shpjegimit të procesit të lindjes, si dhe frika nga paditë, ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e mjekëve.

“Lindja normale kërkon kohë, vigjilencë dhe përgjegjësi të madhe. Ndërsa prerja cezariane kryhet më shpejt dhe shpesh krijon një ndjenjë ‘lehtësimi’ për të gjithë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Lila shton se kjo dukuri nuk është specifike vetëm për Kosovën.

“Është trend në të gjitha vendet. Shifrat janë pothuajse alarmante - gjendja po i afrohet një barazimi mes lindjeve normale dhe atyre me prerje cezariane”, deklaron ai.

Një udhërrëfyes ekziston, por zbatimi mungonNë korrik të vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës miratoi udhërrëfyesin klinik për menaxhimin e lindjeve me prerje cezariane, me synimin që gratë të marrin vendime të informuara dhe të bazuara në fakte shkencore.

Dokumenti thekson se gratë duhet të informohen për pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj procedure dhe se kjo e drejtë u garantohet me ligj.

Por, edhe pse ka hyrë në fuqi, udhërrëfyesi vazhdon të mos zbatohet, për faktin se nuk është integruar plotësisht në punën e përditshme të institucioneve shëndetësore.

Arsyet lidhen edhe me mungesën e mekanizmave mbikëqyrës.

Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, i cili mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, ka kërkuar disa herë që numri i lindjeve me prerje cezariane të reduktohet në minimum, si dhe që në secilën dhomë të vendosen njoftime informuese për pacientet lidhur me këtë procedurë.

“Aty ku kemi kushte për lindje normale, nuk duhet të ketë mundësi për lindje të tjera”, përfundon drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

Përleshje fizike në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan, dy persona të lënduar

4 February 2026 at 23:55


Një përleshje fizike ka ndodhur të mërkurën rreth orës 17:40 në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan, ku si pasojë dy persona kanë mbetur të lënduar.

Sipas Policisë së Kosovës, në incident kanë qenë të përfshirë disa persona, ndërsa njëri nga të lënduarit dyshohet se ka pësuar lëndime nga një mjet i fortë, ndërsa tjetri nga një mjet i mprehtë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se policia ka intervenuar menjëherë pas marrjes së informatës.

“Sot rreth orës 17:40 kemi marrë informatën për një përleshje fizike në sheshin ‘Adem Jashari’ në Lipjan. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast kanë qenë të përfshirë disa persona, dy prej të cilëve janë lënduar, njëri dyshohet se është lënduar me mjet të fortë, ndërsa tjetri me mjet të mprehtë,” ka deklaruar Ahmeti.

Ajo ka shtuar se personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka shoqëruar në stacion gjashtë persona, prej të cilëve tre janë të dyshuar lidhur me këtë rast.

Sipas Ahmetit, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, janë duke punuar për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.

"Mos harroni të kaluarën nëse dëshironi një të ardhme të ndritur" - Nderohen viktimat e masakrës në Mitrovicë

4 February 2026 at 23:44


Familjarë të viktimave përkujtuan sot tmerrin që përjetuan në natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës.

Para 26 vitesh, nga një grup i armatosur i serbëve ishin vrarë dhjetë qytetarë shqiptarë si dhe ishin plagosur 25 të tjerë.

Pas natës së 4 shkurtit rreth 1,600 familje me rreth 11,500 banorë u shpërngulën nga pjesa veriore e Mitrovicës, pasi u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Të mërkurën e 4 shkurtit të vitit 2026 u vendos pllaka përkujtimore te ura për këmbësorë me emrat e të vrarëve nga bandat serbe.

“Mos harroni të kaluarën nëse dëshironi një të ardhme të ndritur” – ishte mbishkrimi me të kuqe, i bashkëngjitur te qindra fotografi të viktimave, dikush i shtrirë, tjetri me gjak e njëri me sytë e mbyllur, i vdekur.

Kësaj ekspozite të hapur në qendrën “Rexhep Mitrovica” i drejtoheshin qytetarë e familjarë të cilët plot mallëngjim vështronin të dashurit tyre.

Për ta përmbyllur ditën e sotme dhe duke i kujtuar përgjithmonë u ndezën pishtarët pranë pllakës përkujtimore.

I mbijeturi i masakrës së Mitrovicës, Luan Abrashi tregoi se e vrarë mbeti nëna e tij gjersa ai ishte në banesë bashkë me të dhe babanë gjatë bombardimeve.

“Ka qenë edhe nëna ime, Sebiha Abrashi. Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e serbëve për spastrim etnik të shqiptarëve. Ka qenë natë e tmerrshme, vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare”- tha ai.

Se tmerri i natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 ndodhi para syve të ndërkombëtarëve e tha Abrashi, duke potencuar se drejtësi nuk pati asnjëherë për ata që u vranë, plagosën e u dëbuan.

“Fatkeqësia është se ende nuk ka drejtësi sa u përket viktimave të asaj nate. Ka qenë natë e tmerrshme sepse është bërë në prezencë të KFOR-it dhe UNMIK-ut. Kur ata është dashur të na japin siguri, ne kemi gjetur vdekjen në banesat tona”- theksoi i mbijeturi i masakrës të vitit 2000.

“Këto kanë ndodhur brenda shtëpive të tyre e jo në rrugë”

Kritika për organet e drejtësisë kishte edhe ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Halit Barani, i cili tha se jeta e viktimave nuk u shua në rrugë por në shtëpitë e tyre.

“Përkujtohet si natë e kobshme për popullin shqiptar që kanë jetuar në pjesën e okupuar të Mitrovicës. Vrasjet, plagosjet dhe keqtrajtimet kanë ndodhur brenda shtëpive të veta, jo rrugëve por brenda në banesa e shtëpi”- theksoi Barani.

Edhe pse e kishte kujtimin e freskët dhe kishte mjaft për të folur, Barani me disa fjalë përmblodhi tmerrin e 3 dhe 4 shkurtit 2000.

“Bandat kriminale çetnike serbe pushkatuan dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre një fëmijë 13-vjeçar, plagosën me armë zjarri 25 të tjerë e keqtrajtuan shumë rëndë fizikisht në mënyrën më barbare 93 shqiptarë, ku dy prej tyre më 27, 28 shkurt të vitit 2000 vdesin në Spitalin e Prishtinës”- shpjegoi ai.

Se qytetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës janë vrarë e plagosur gjatë realizimit të planit famëkeq të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, e tha kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, raporton Kallxo.

“Institucionet e rendit dhe drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet që sa më parë akterët të cilët kanë qenë organizatorët e këtyre krimeve sa më parë të jenë para sistemit të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”- potencoi Peci.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë.

Për të vrarët e asaj nate: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasin, ku 13-vjeç ishte më i riu e 65-vjeç më i moshuari, Kurti tha se do të duhet ende kohë që drejtësia për këtë rast të vihet në vend plotësisht.

Kurti shtoi se mbi 150 shtëpi janë ndërtuar dhe rindërtuar në katër komunat veriore të Kosovës vetëm gjatë katër viteve të fundit.

Ndërsa siç tha ai, mes qytetarëve që kanë përfituar nga investimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës në këtë drejtim është edhe Mustafë Behrami, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre.

E para e shtetit, Vjosa Osmani ka shkruar se ky përvjetor kujtohet me dhimbje dhe respekt të thellë si një nga plagët më të rënda të pasluftës.

Ajo ka shtuar se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit si dhe përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ndërkaq kryekuvendari Dimal Basha ka shkruar se dhimbja e atyre ditëve mbetet ende e gjallë në kujtesën kolektive.

Belsh, 65-vjeçarja humb jetën pasi u sulmua nga qeni i fqinjit

4 February 2026 at 23:12


Një ngjarje e rëndë me pasoja fatale është shënuar në zonën e Belshit, ku një grua e moshuar ka humbur jetën pasi është sulmuar nga një qen.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është identifikuar si Emine Agolli, 65 vjeçe, nga fshati Çërragë.

Ajo është plagosur rëndë në gjymtyrët e poshtme si pasojë e kafshimit të një qeni që dyshohet se ishte në pronësi të fqinjëve.

Pas plagëve të marra, gjendja shëndetësore e 65-vjeçares është përkeqësuar, çka ka sjellë humbjen e jetës, pavarësisht ndihmës mjekësore.

Autoritetet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po merren masa ndaj personit përgjegjës për mbajtjen dhe kontrollin e kafshës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia pritet të dalë me informacione shtesë lidhur me këtë rast, ndërsa ngjarja ka tronditur banorët e zonës.

Tërmet me magnitudë 4.1 ballë në zonën e Korçës

4 February 2026 at 22:35


Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Korçës, duke u ndier fuqishëm në disa lokalitete të juglindjes së vendit.

Sipas të dhënave sizmologjike, epiqendra e tërmetit ka qenë në territorin e Greqisë, pranë zonës së Kosturit, ndërsa lëkundjet janë ndier më fort në aksin Hoçisht – Bilisht – Korçë.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.

Pas lëkundjeve ka reaguar edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila ka bërë të ditur se tërmeti është regjistruar mbrëmjen e sotme, më 4 shkurt 2026, rreth orës 19:50.

“Gjatë mbrëmjes së sotme, 04.02.2026, ora 19:50, janë regjistruar disa lëkundje sizmike në qarkun Korçë, me epiqendër në zonën Hoçisht – Bilisht – Korçë, sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave. Magnituda maksimale ishte 4.1 ballë, ndërsa thellësia varionte nga 5 deri në 15 kilometra. Deri në këto momente nuk raportohet për dëme. Situata po monitorohet dhe çdo informacion i ri do të përcillet në vijim”, thuhet në njoftimin zyrtar.


Keith Self ia dorëzon personalisht Kamberit projektligjin për diskriminimin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

4 February 2026 at 22:22


Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se sot, në Uashington, Kongresisti amerikan Keith Self i ka dorëzuar personalisht projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt që për herë të parë e vendos zyrtarisht çështjen e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përfaqëson një instrument zyrtar të shtetit amerikan, i cili synon vlerësimin, dokumentimin dhe ekspozimin e formave të ndryshme të diskriminimit me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ky akt synon të adresojë pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës shqipe, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,” ka theksuar Kamberi.

Ai ka vlerësuar se, për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë ndërkombëtare, por futet drejtpërdrejt në qendër të politikës së Shteteve të Bashkuara, jo si çështje protokollare, por si detyrim moral dhe institucional.

Kamberi ka falënderuar kongresistin Keith Self në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke theksuar rëndësinë e këtij angazhimi në një kohë kur, sipas tij, shumë aktorë ndërkombëtarë zgjedhin të heshtin për shkak të interesave politike.

“Në një botë ku shumë heshtin nga interesi, Kongresisti Keith Self zgjodhi të flasë nga parimi,” ka përfunduar Kamberi.

Projektligji H.R. 6411 pritet të shërbejë si bazë për raportime zyrtare dhe vlerësime institucionale mbi trajtimin e shqiptarëve në Serbi, duke rritur vëmendjen dhe përgjegjësinë ndërkombëtare ndaj kësaj çështjeje.

Hasanpapaj: Mandati i dytë i Vjosa Osmanit varet nga vullneti i Albin Kurtit

4 February 2026 at 22:08


Juristi Brdhyl Hasanpapaj ka komentuar mundësinë që presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, të jetë kandidate për një mandat të dytë, duke theksuar se procesi i zgjedhjes së presidentit është i lidhur ngushtë me vullnetin politik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në një deklaratë në emisionin Debat Plus, Hasanpapaj ka theksuar se ekzistojnë dy skenarë të mundshëm për vazhdimin e mandatit të Osmanit në krye të shtetit.

“Ka dy mënyra: ose Albin Kurti e propozon Vjosa Osmanin për presidente, ose, në të kundërtën, ajo automatikisht kalon në taborin e kundërshtimit politik, pasi presidentja Osmani e ka bërë të qartë dhe e ka shpallur vetë kandidaturën se dëshiron edhe një mandat të dytë,” ka deklaruar Hasanpapaj.

Sipas tij, nëse Osmani nuk arrin të sigurojë mbështetjen e kryeministrit dhe të partisë më të madhe në vend, kjo do të nënkuptonte se ajo nuk ka arritur ta bindë subjektin politik që, sipas Hasanpapajt, i ka “të gjitha kartat e nevojshme në dispozicion” për zgjedhjen e presidentit.

“Tash, nëse nuk arrin që t’i bindë, i bie që nuk ka arritur ta bindë partinë më të madhe. President zgjidhet vetëm ai që do Albin Kurti sot, askush tjetër. Nëse Kurti dëshiron me e zgjedh presidente Osmanin, e zgjedh; nëse nuk dëshiron, nuk bëhet,” ka shtuar ai.

Hasanpapaj ka theksuar se realiteti aktual politik në Kosovë e bën rolin e kryeministrit dhe shumicës parlamentare vendimtar në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke lënë pak hapësirë për alternativa jashtë vullnetit të tyre.

- YouTube www.youtube.com

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Incident me armë zjarri në rrugën Gjilan–Kamenicë, një person i plagosur

4 February 2026 at 21:32


Një incident me armë zjarri është raportuar të mërkurën, rreth orës 18:00, në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit.

Sipas Policisë së Kosovës, si pasojë e incidentit një person ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga autoritetet shëndetësore.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.

“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Si pasojë e rastit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe aktualisht po trajtohet nga autoritetet shëndetësore,” ka deklaruar Hashani.

Ai ka shtuar se Policia, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe se janë në kërkim të personave të dyshuar lidhur me këtë rast.

Hetimet janë në vazhdim, ndërsa Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë për motivin e incidentit.

Sekretet e financimit të mediave dhe dezinformimi në Kosovë

4 February 2026 at 20:54


Financimi i mediave në Ballkanin Perëndimor është kritikuar nga shoqëria civile dhe ekspertët, ndërkohë që ndikimi i Rusisë dhe Kinës në shpërndarjen e dezinformatave në rajon është në rritje.

Një pjesë e mediave në Kosovë nuk e bëjnë publik burimin e financimit, ndërsa mbi financimin e mediave kosovare as institucionet nuk ofrojnë qasje në informacione. Edhe në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk u ofrohen publikut të dhëna mbi financimin dhe origjinën e fondeve të mediave.

Murat Mehmeti, hetues në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë se ka media në Kosovë që pranojnë para në dorë. Sipas tij, muajt e fundit ka pasur një tendencë që të shpërndahet një dezinformatë rreth presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

“Realisht unë mendoj që këto fonde vijnë në cash dhe përfundojnë te mediat që financojnë një çështje të caktuar. E di që viteve të fundit, sidomos në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, nga Serbia kanë qenë shumë të interesuar që të fusin në media agjendën se gjoja ka një konflikt të papajtueshëm mes Vuçiqit dhe Milan Radoiçiqit,” – thotë Murat Mehmeti, hetues në ATK.

Sipas tij, synimi ka qenë që përmes njerëzve të mediave dhe influencerëve të shpërndahen lajme të tilla te lexuesit në Kosovë.

Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se artikuj me përmbajtje të rreme janë shpërndarë në Kosovë mbi zhvillimet politike. Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në performancën e disa partive politike nga komuniteti serb në Kosovë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Vetëm në zgjedhjet e fundit kemi pasur raste të panumërta të artikujve të sponsorizuar nga ‘Sputnik’ e të tjerë, qoftë nga Serbia, por edhe nga Rusia, të cilat kanë shkruar kundër kandidatëve që kanë ardhur nga, le të themi, opozita serbe lokale në Kosovë,” – thotë ai.

“Kjo ka bërë që partitë opozitare serbe të jenë pothuajse inekzistente, duke shënuar, unë besoj, një prapakthim” – shton Cakolli nga KDI.

Hulumtimet e tjera në Kosovë mbi dezinformatat që kanë burim Serbinë dhe Rusinë tregojnë qëllimin për përshkallëzim të sigurisë.

Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus” thotë se ndikimi i Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës është dashakeq.

“Serbia dhe Rusia kanë ndikim dashakeqës në Kosovë dhe përpiqen që përmes dezinformimit të ndikojnë te qytetarët, sidomos serbët, të cilët informohen pothuajse plotësisht nga mediat që vijnë nga Serbia. Këto media më pas ripublikojnë materiale nga mediat ruse dhe përpiqen të krijojnë konflikte ndëretnike dhe të mos lejojnë integrimin e serbëve të Kosovës në jetën institucionale këtu,” – thotë Krasniqi.

Dezinformatat ruse publikohen edhe në Shqipëri. Nevila Gjata nga organizata joqeveritare për verifikim faktesh në Shqipëri, “Faktoje.al”, thotë se dezinformatat nga Rusia vijnë përmes Serbisë.

“Në rastin e Shqipërisë, ne shumicën e lajmeve dezinformuese i marrim nga Serbia. Serbia i merr nga media shtetërore ruse, ato kalojnë në Serbi, ndërsa mediat online në Shqipëri, që janë ngritur për qëllime klikimi, i marrin copy-paste nga mediat serbe dhe i botojnë në portalet shqiptare,” – thotë ajo.Edhe në Serbi mediat janë të ndikuara nga dezinformatat ruse. Lajmet e publikuara nga mediat në Serbi arrijnë edhe te lexuesit në Kosovë.

Sipas Gordana Andriq nga “BIRN Serbia”, janë disa media që publikojnë dezinformata nga Rusia.

“Mendoj se po, në kuptimin që mediat kryesore serbe e marrin përmbajtjen dhe i shtyjnë narrativat e tyre. Ne kemi dy mediume të mëdha në Serbi, ‘Politika’ dhe ‘Večernje Novosti’, të cilat dikur kanë qenë shumë të respektuara, por tani shpesh publikojnë dezinformata dhe përmbajtje që mund të karakterizohen si propagandë pro-ruse,” – thotë ajo.

Ndikimi i Kinës

Përveç Rusisë, hulumtuesit dhe shoqëria civile në Kosovë dhe rajon kanë zbuluar edhe narrativa dezinformuese me burim nga Kina.

Nevila Gjata nga “Faktoje.al” thotë se lajmet nga Kina e paraqesin Bashkimin Evropian si një vend ku nuk respektohen të drejtat e njeriut, ndërsa Kinën si një vend me perspektivë më të mirë.

“Kemi vënë re që edhe Kina ka ndikim, por me një qasje tjetër, një ‘soft disinformation’, përmes perspektivës kulturore ose fuqizimit ekonomik, si alternativë ndaj BE-së,” – deklaron Gjata.

Ndërsa Besar Likmeta nga BIRN Shqipëria thotë se materiale nga mediat kineze transmetohen edhe në televizionin publik shqiptar.

“Kina ka një marrëveshje me televizionin publik shqiptar dhe për shkak të kësaj marrëveshjeje, gjatë viteve ka pasur transmetim të materialeve propagandistike që vinin nga televizioni kinez,” – thotë ai.

Nga ana tjetër, ndikimi kinez është vërejtur edhe në Serbi.

“Mediat shtetërore kineze në Serbi kanë nënshkruar disa kontrata me mediat vendore, mes tjerash me agjencinë ‘Tanjug’, e cila për një kohë të gjatë ka qenë në pronësi të shtetit,” – thotë Milena Popoviq nga Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie.

“Propaganda kineze kryesisht bazohet në tema ekonomike. Shohim raportime pozitive për Kinën në mediat në Serbi, me tone lavdëruese për projektet ekonomike mes kompanive kineze dhe shtetit të Serbisë,” – deklaron Popoviq.

Ndikimi i politikës te mediat

Një hulumtim nga KALLXO.com mbi fushatën e fundit të zgjedhjeve lokale në Kosovë tregoi se disa portale publikuan komunikata të partive politike pa i redaktuar fare ose pa i shënuar si artikuj të sponsorizuar.

Hulumtimi tregoi se partitë politike i shkruajnë vetë komunikatat në formë artikujsh, ndërsa portalet vetëm i ripublikojnë ato. Analiza tregoi se në të paktën nëntë portale komunikatat e partive politike ishin ripublikuar pa u redaktuar apo përpunuar.

Brikenda Rexhepi nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës thotë se një fenomen i tillë ka ekzistuar edhe më herët.

“Ka qenë një fenomen i pranishëm sidomos gjatë fushatave zgjedhore, jo vetëm në media online, por edhe në media tradicionale. Mënyra për të bërë gjëra të tilla janë gjetur gjithmonë,” – thotë Rexhepi.

Sipas saj, KMSHK ka bërë thirrje që mediat online në Kosovë të tregojnë qartë kur artikujt janë të sponsorizuar.

Nga ana tjetër, Eugen Cakolli thotë se partitë politike gjejnë donacione nga biznese të ndryshme dhe ndikimi i tyre bën që disa kandidatë për deputetë të kenë hapësirë më të madhe në media.

“Po krijohet një situatë ku kandidatët më të pasur janë ata që zgjidhen deputetë dhe fatkeqësisht kjo është vërtetuar sidomos në dy ciklet e fundit zgjedhore,” – thotë ai.

“Kandidatët me potencial më të lartë financiar, jo për shkak të pasurisë personale, por përkrahjeve nga biznese të caktuara, kanë arritur të kenë prani më të madhe mediale dhe aktivitete më të shumta të fushatës, gjë që është përkthyer në fitim mandatesh,” – përfundon Cakolli./Kallxo.

Kamberi në SHBA: Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë

4 February 2026 at 20:36


Deputeti dhe përfaqësuesi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, zhvilloi një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, ku u prit nga Daniel J. Lawton, Zëvendës-Ndihmës Sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe nga Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë.

Në këtë takim, Kamberi theksoi sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, duke përmendur diskriminimin sistemik, pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet, si dhe politikat e Beogradit që synojnë zhdukjen administrative të komunitetit shqiptar.

“Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë. Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington”, deklaroi Kamberi, duke nënvizuar rëndësinë e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve të Luginës.

Deputeti falënderoi gjithashtu përkrahësit e tij në SHBA, duke veçuar Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqi, të cilët kanë shërbyer si ura direkte drejt institucioneve amerikane.

Kamberi theksoi se çështja e Luginës së Preshevës nuk është vetëm temë lokale, por çështje e të drejtave të njeriut dhe e stabilitetit rajonal në Ballkan.

Gazetari gjerman i replikon Presidencës: 30 vite gazetari, nga oligarkët rusë tek kriminelë serbë – dhe tani...

4 February 2026 at 19:31


Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka shkruar në numrin e të mërkurës për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vënë në qendër të vëmendjes një analizë politike lidhur me ambicien e saj për të fituar një mandat të dytë si presidente.

Gazetari i FAZ, Michael Martens, ka raportuar se Osmani po shikon të demonstrojë afërsinë me familjen presidenciale të Shteteve të Bashkuara për të siguruar rizgjedhjen e saj në postin më të lartë të shtetit.

Sipas shkrimit, presidentja e Kosovës ka përdorur lidhjet me ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe familjen e tij për të fuqizuar profilin e saj ndërkombëtar.

“Por, kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosovën ta bëjë një nga shtetet që së fundmi në Davos iu bashkuan ‘Bordit të Paqes’ enigmatik të Donald Trumpit”, shkruan FAZ. “Osmani u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që, sipas saj, përfaqëson fakti se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni”.

Pas publikimit të artikullit, Presidenca e Kosovës ka reaguar zyrtarisht. Këshilltari i presidentes, Rinor Nuhiu, ka njoftuar se po shqyrtohen masa ligjore ndaj gazetarit Michael Martens për shkrimin e tij të publikuar të mërkurën.

Sipas Nuhiut, artikulli pretendon se Osmani po përdor “kartën amerikane” për të siguruar një mandat të dytë, një pretendim që Presidenca e konsideron të papërshtatshëm dhe të pasaktë.

Ndërkaq, vetë gazetari Michael Martens ka reaguar përmes rrjetit social X, duke treguar se qëndron pas raportimit të tij dhe se shkrimi pasqyron një analizë politike dhe jo një sulm personal ndaj presidentes Osmani.

Ai thekson se si gazetar me përvojë ka trajtuar çështje të ndjeshme ndërkombëtare dhe ka raportuar për figura të fuqishme pa u paditur ndonjëherë.

“Mësoj e mësoj. Jam në gazetari prej 30 vitesh, kam jetuar dhe punuar në vende të vështira si Rusia, Afganistani apo Turqia, duke shkruar për oligarkët rusë, kriminelët e luftës serbë, kontrabandistët malazezë të cigareve, rebelët kurdë, krerët e luftës në Afganistan, pa u paditur kurrë. Por tani…", u shpreh Martens./Telegrafi.

Live and learn. I am in journalism for 30 years, lived & worked in difficult countries as Russia, Afghanistan or Turkey, writing about Russian oligarchs, Serbian war criminals, Montenegrin cigarette smugglers, Kurdish rebels, Afghan warlords without ever getting sued. But now... pic.twitter.com/GBHeSeYGOz
— Michael Martens (@Andric1961) February 4, 2026

❌
❌