PARIS, 15 janar /ATSH-AFP/ – Ndërsa Rusia dhe Kina janë të gatshme të mbështesin Iranin e tronditur nga protestat përballë kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, kjo mbështetje do të zbehej ndjeshëm në rast të një veprimi ushtarak amerikan, thanë sot ekspertët.
Irani është një aleat i rëndësishëm për dy fuqitë bërthamore, duke e furnizuar Rusinë me dronë dhe Kinën me naftë.
Por, analistët thane se këto dy superfuqi do të kufizoheshin në ndihmë diplomatike dhe ekonomike për Teheranin, për të shmangur një përballje të drejtpërdrejtë me Uashingtonin.
”Kina dhe Rusia nuk duan të shkojnë kokë më kokë me SHBA-në për Iranin”, tha Ellie Geranmayeh, eksperte e lartë e politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR).
”Teherani, pavarësisht përpjekjeve të tij prej dekadash, nuk ka arritur të krijojë një aleancë formale me Moskën dhe Pekinin”, theksoi ajo.
”Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kryenin sulme ndaj Iranit, si kinezët ashtu edhe rusët do t’i japin përparësi marrëdhënieve të tyre dypalëshe me Uashingtonin”, shtoi Geranmayeh.
Sipas saj, Kina duhet të ruajë një afrimitet delikat me administratën Trump, ndërsa Rusia dëshiron të mbajë SHBA-në të përfshirë në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë.
”Të dyja kanë prioritete shumë më të larta sesa Irani”, tha ajo.
Ukraina para Iranit
”Pavarësisht lidhjeve të ngushta, marrëveshjet Rusi-Iran nuk përfshijnë mbështetje ushtarake, vetëm ndihmë politike, diplomatike dhe ekonomike”, tha analisti rus Sergei Markov.
Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, tha se Moska do të bënte gjithçka që mundet ”për ta mbajtur regjimin në këmbë”.
Por ”opsionet e Rusisë janë shumë të kufizuara”, shtoi ai.
E përballur me krizën e saj ekonomike, ”Rusia nuk mund të bëhet një treg gjigant për produktet iraniane” dhe as të ofrojë ”një kredi bujare”, tha Gabuev.
Nikita Smagin, specialist i marrëdhënieve Rusi-Iran, tha se në rast sulmesh amerikane, Rusia mund të bëjë ”pothuajse asgjë”.
”Ata nuk duan të rrezikojnë një përballje ushtarake me fuqi të mëdha si SHBA-ja – por, në të njëjtën kohë, janë të gatshëm t’i dërgojnë armë Iranit”, tha ai.
”Përdorimi i Iranit si aset është diçka normale për Rusinë”, shtoi Smagin, në një kohë kur Moska po negocion gjithashtu me Uashingtonin për Ukrainën.
Vetëpërmbajtje kineze
Kina është gjithashtu e gatshme ta ndihmojë Teheranin ”ekonomikisht, teknologjikisht, ushtarakisht dhe politikisht” përballë veprimeve joushtarake të SHBA-së, si presioni tregtar dhe sulmet kibernetike, tha Hua Po, vëzhgues i pavarur politik me qendër në Pekin.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin sulme, Kina ”do të forconte lidhjet e saj ekonomike me Iranin dhe do ta ndihmonte atë të militarizohej për të kontribuar në zhytjen e SHBA-së në një luftë në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.
Deri tani, Kina ka qenë e kujdesshme dhe është shprehur ”me vetëpërmbajtje”, duke peshuar interesat e naftës dhe stabilitetin rajonal, tha studiuesi i marrëdhënieve Iran-Kinë, Theo Nencini nga ”Sciences Po Grenoble”.
”Kina po përfiton nga një Iran i dobësuar, gjë që i lejon të sigurojë naftë me kosto të ulët… dhe të fitojë një partner të rëndësishëm gjeopolitik”, tha ai.
Sipas tij, Pekini ka të ngjarë të lëshojë dënime verbale, por jo të ndërmarrë kundërpërgjigje.
”Kriza iraniane nuk ka gjasa të ndikojë ndjeshëm në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, tha Hua.
”Çështja iraniane nuk është në zemër të marrëdhënieve mes dy vendeve”, argumentoi ai.
”Asnjëra palë nuk do t’i prishë lidhjet me tjetrën për shkak të Iranit”, theksoi Hua./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post ANALIZË – Rusia dhe Kina nuk duan një përballje të drejtpërdrejtë me SHBA për shkak të Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.