Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 January 2026Main stream

Arti pamor dhe zhvillimi i artistëve - lansohet programi ndërkombëtar për ekonominë kreative

26 January 2026 at 15:46


Është lansuar programi i ri për zhvillimin e ekonomisë kreative i cili synon të mbështesë brezin e ri të galeristëve, kuratorëve dhe sipërmarrësve kulturorë në Kosovë, Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke ndërtuar ura reale bashkëpunimi mes talentit lokal dhe tregut ndërkombëtar të artit.

Gjatë konferencës së lansimit u prezantua struktura e programit si dhe modulet e trajnimit që përfshijnë menaxhimin e galerive komerciale, praktikën kuratoriale, sipërmarrjen kulturore dhe zhvillimin e shkathtësive profesionale (soft skills).

- YouTube www.youtube.com

Punëtoritë për galeritë komerciale dhe tregun e artit udhëhiqen nga Olivier Durey (Mbretëria e Bashkuar), në bashkëpunim me Gazmend Ejupi (Prishtina Biennale), ndërsa moduli i shkathtësive të buta realizohet nga Besa Zogaj-Gashi dhe Gent Sejdiu (IETL).

Udhëheqësja e projektit, Besa Zogaj-Gashi theksoi rëndësinë e këtij programi për sektorin e arteve pamore në rajon: “Sot po hapim një mundësi konkrete për profesionistët e rinj të arteve pamore dhe kulturës, duke krijuar një urë reale mes talentit lokal dhe tregut ndërkombëtar. Ky projekt adreson drejtpërdrejt një boshllëk të madh në sektor – mungesën e njohurive praktike për funksionimin e galerive komerciale dhe qasjen reale në treg”.

Besa Zogaj-Gashi, udh\u00ebheq\u00ebsja e projektit dhe trajnere Foto: Ridvan Slivova

Ajo bëri të ditur se brenda vetëm tre javësh janë pranuar 130 aplikime nga Kosova dhe Shqipëria, çka dëshmon interesimin e lartë dhe nevojën reale për zhvillim profesional në këtë fushë.

Sipas saj, programi trajton artin pamor jo vetëm si shprehje kulturore, por si aktivitet ekonomik të strukturuar, duke u fokusuar në njohjen e modeleve të tregut të artit, çmimeve, kontratave, menaxhimit të ekspozitave dhe ndërtimit të marrëdhënieve profesionale.

Një theks i veçantë i kushtohet zhvillimit të aftësive të buta, si komunikimi profesional, negocimi, lidershipi dhe menaxhimi i projekteve artistike – aftësi thelbësore për sukses afatgjatë në tregun ndërkombëtar.

Ndërsa, trajneri Olivier Durey ka thënë se ky trajnim synon të ofrojë një qasje themelore dhe gjithëpërfshirëse duke nisur nga ndërtimi i një brendi, krijimi i një galerie, zhvillimi i një programi artistësh, si dhe ndërtimi i një programi për galerinë.


Oliver  Durey, trajner Foto: Ridvan Slivova

"Më pas do të trajtohen aspektet praktike të menaxhimit dhe funksionimit të një galerie”, ka thënë ai.

Edhe Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e British Council për Kosovë dhe Shqipëri theksoi se Fondi i Zhvillimit të Ekonomisë Kreative për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar përfaqëson më shumë sesa një instrument financiar.

Majlinda Mazelliu, drejtoresh\u00eb e British Council p\u00ebr Kosov\u00eb dhe Shqip\u00ebri Foto: Ridvan Slivova

“Ky fond është një vizion i përbashkët për fuqizimin e talenteve kreative, ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe shndërrimin e kreativitetit në një motor të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe social”.

Ajo vuri në pah rolin strategjik të industrive kreative, potencialin e jashtëzakonshëm të rajonit dhe rëndësinë e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar, një nga ekosistemet më të zhvilluara të ekonomisë kreative në botë.

Ky program është i mbështetur nga British Council, përmes Western Balkans–UK Creative Economy Sector Skills Development Fund. Programi zbatohet nga Instituti i Ekonomisë së Tregut të Lirë (IETL), në partneritet me Prishtina Biennale, Tulla Culture Centre (Tiranë) dhe galerinë britanike Larkin Durey. /Telegrafi/

Osmani u takua me shefin e OSBE-së në Kosovë, biseduan për rëndësinë e konstituimit të institucioneve

26 January 2026 at 15:29


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për procesin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ndaj në këtë kontekst, Osmani theksoi rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve.

“Tutje, Presidentja Osmani dhe ambasadori McGurk diskutuan edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis institucioneve të Kosovës dhe OSBE-së në funksion të forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Anulohet vendimi për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës

26 January 2026 at 15:22


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë të ditur se për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të zgjedhjes ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Këshilli Drejtues obligohet që, pa vonesë, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për caktimin e ushtruesit të detyrës dhe shpalljen e konkursit.

"Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar ndaj respektimit të legjislacionit dhe parimit të meritokracisë. Të gjitha shkeljet e adresuara në këtë vendim janë serioze dhe, për këtë arsye, do të procedohen më tej në organet kompetente", thuhet në njoftim. /Telegrafi/



Suplementet, çfarë duhet të dimë për përdorimin dhe rëndësinë e tyre? Flet trajneri i fitnesit Arbër Peci

26 January 2026 at 13:23


Përdorimi i suplementeve ushqimore është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë persona që merren me fitnes, sport apo thjesht synojnë një formë më të mirë trupore.

Por sa të nevojshme janë realisht ato dhe kur mund të bëhen të rrezikshme?

Këto dhe shumë dilema të tjera u trajtuan në episodin e 60-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ku i ftuar ishte trajneri i fitnesit Arbër Peci.

- YouTube www.youtube.com

Gjatë bisedës, Peci theksoi se suplementet nuk janë zëvendësim i ushqimit, por vetëm një shtesë për të plotësuar mangësitë e një diete që nuk realizohet siç duhet.

“Ushqimi është baza, suplementi është vetëm plotësues”, ishte mesazhi kryesor i tij, duke sqaruar se në shumë raste njerëzit nuk kanë fare nevojë për suplemente nëse ushqehen mirë.

Një pjesë e madhe e diskutimit iu kushtua proteinës, veçanërisht dallimit mes Whey dhe Casein-ës.

Sipas Pecit, Whey përdoret kryesisht pas stërvitjes për shkak të përthithjes së shpejtë, ndërsa Casein preferohet para gjumit, pasi tretet ngadalë dhe ushqen muskujt gjatë natës.

Ai sqaroi gjithashtu se nevoja për proteinë ndryshon nga personi në person, varësisht peshës trupore dhe qëllimit – mirëmbajtje, dobësim apo rritje të masës muskulare.

Në episod u sqarua edhe roli i aminoacideve dhe BCAA-ve, duke theksuar se ato nuk janë të domosdoshme për këdo.

Ai tha se nëse një person ushqehet rregullisht dhe mjaftueshëm, këto suplemente shpesh janë të panevojshme.

Ndërkohë, kreatina u cilësua si një nga suplementet më të studiuara dhe më të sigurta, kur përdoret në mënyrë korrekte dhe pa teprime.

Një nga momentet më të rëndësishme të podcastit ishte paralajmërimi për rreziqet e keqpërdorimit të pre-workout.

Peci theksoi se ky suplement mund të rrisë ndjeshëm energjinë dhe performancën, por në rastet e mbidozimit ose te personat me probleme shëndetësore të fshehura, mund të shkaktojë pasoja serioze, përfshirë probleme me zemrën dhe ankth të theksuar.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital. /Telegrafi/

I biri i dëshmorit të UÇK-së nga Kosova hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut

26 January 2026 at 12:05


Le të votojmë për birin e dëshmorit të UÇK-së nga Kosova, Mustafë Qorraj

Në restorantin “Cielo” me një dekor elegant dhe i njohur për ngjarje të veçanta, shqiptari nga Kosova Shpetim Tim Qorraj hapi fushaten per t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut.

Shpëtim Tim Qorraj, biri i dëshmorit të UÇK-së nga Kosova, Mustafë Qorraj është kandidat për në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut. Në këto mjedise ishin personalitete të njohura shqiptare, shqiptarë të thjeshtë dhe lider në komunitet për ta mbështetur kandidaturën e tij.

Në hapjen e fushatës ndodheshin Imam dhe Kapelan i NYPD-së Tahir Kukaj, Fitim Shabani, Anëtar i Komitetit Shtetëror për 63 AD, Dritan Gashi, Albert Salaj, Kastriot Blakaj, Fatmir Frank Sela, Hakim Budzaku, Aktivisti Belul Qoku, anëtarë të shoqatës “Kosova” dhe shumë pronarë biznesesh. të cilët me dashamirësinë më të madhe iu ndodhën pranë këtij biri të denjë të Diasporës dhe të Kosovës. Në këtë fushatë kishte dhe shumë amerikanë që janë zgjedhësit e tij.

Në ceremoni nderonte me pjesëmarrjen e tij Ansambleisti Charles Fall, i cili e prezantoi Tim Qorraj me plot kulturë dhe nderim. Ai është Kryetar i Partisë Demokratike të Qarkut Richmond, ndihmës udhëheqës i shumices dhe përfaqëson Distriktin e 61-të të Asamblesë së Nju Jorkut dhe që mbulon Bregun Verior të Staten Island, ku ai ka banuar gjithë jetën e tij.

Cliff Hagen, Sekretar Ekzekutiv për Partinë Demokratike të Qarkut Richmond, Bianca Rajpersaud, Udheheqëse e Distriktit Femëror për 63 AD për Partinë Demokratike të Qarkut Richmond dhe Menaxhere e Fushatës për Tim for Assembly

John Bonavita, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv për Partinë Demokratike të Qarkut Richmond dhe anëtar i ATU 726, Halle Vitaliano, Kryetare e Komitetit të Fushatës për Partinë Demokratike të Qarkut Richmond dhe Menaxhere e Mediave Sociale për Tim for Assembly, Mark Murphy, Udhëheqës Komuniteti dhe ish-kandidat për President të Qarkut SI

Prania, energjia dhe inkurajimi i tyre natyrisht që e frymëzojnë për të ecur më tej për të fituar zgjedhjet.

Motoja e kandidatit të ardhshëm është vendosja e komunitetit tonë në vend të parë dhe ndërtimin e një Distrikti të Asamblesë së 64-të më të sigurt, më të fortë dhe më të qëndrueshëm.

Ne i urojme shumë suksese Shpetim Tim Qorraj për të fituar zgjedhjet si Asambleist i shtetit të Nju Jorkut dhe ju ftojmë të jemi së bashku për ta mbështetur kandidaturën e tij.

Nga fjala e kandidatit Shpetim Tim Qorraj në hapjen e fushatës për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut

Mirëdita të gjithëve,

Faleminderit nga zemra për të qenit këtu sot. Faleminderit familjes time, miqve, ekipit tim të fushatës, udhëheqësve të komunitetit tonë, fqinjëve dhe çdo personi që erdhi për të mbështetur këtë moment. Prania juaj ka më shumë kuptim për mua sesa fjalët mund ta shpjegojnë.

Sot nuk është dita vetëm për një fushatë. Sot është për shpresë, mundësi, dhe besimin që njerëzit e zakonshëm mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme kur punojmë së bashku.

Emri im është Tim Qorraj, dhe unë jam kandidat për anëtarin tuaj të ardhshëm të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut për distriktin e 64-të.

Për ata prej jush që nuk më njohin, kam lindur në Kosovë, në një fshat të vogël të rrethuar nga njerëz të mrekullueshëm.

Jam rritur në kohë të vështira, në një vend të copëtuar nga lufta. Por edhe në ato ditë të vështira, jam rritur me vlera të forta si respekti, mirësia, puna e palodhur dhe dashuria për familjen dhe komunitetin.

Vetëm në moshën 13-vjeçare, e humba babanë tim gjatë luftës. Ai ishte luftëtar për liri dhe komandant, duke luftuar për njerëzit dhe tokën e tij për liri dhe demokraci.

Të humbësh babain në moshë të re ishte e vështirë, por në vend që të më thyente, më bëri më të fortë. Më mësoi se jeta është e çmuar dhe se duhet të përdorim kohën tonë për të bërë diçka të rëndësishme. Në vitin 2011, erdha në Shtetet e Bashkuara me një ëndërr, si shumë emigrantë para meje. Erdha me shpresë, pa para, por me vlera të forta dhe një vullnet të fortë për të punuar. Kur erdha për herë të parë në Amerikë, fillova në Bar Harbor, Maine, një shtet i madh me njerëz të mrekullueshëm dhe aty gjeta dashurinë. Takova gruan time, Kathleen, një bijë e US Marines dhe veteran i Vietnamit. Së bashku me gruan time ndërtuam një familje të bukur këtu në Staten Island. Jemi të bekuar me dy djem të mrekullueshëm, Ronan dhe Bren. Çdo ditë, kur i shikoj ata, më kujtohet pse punoj fort dhe pse vrapoj, për t’u dhënë atyre dhe të gjithë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë. Zemra ime ka qenë gjithmonë me komunitetin. Në Staten Island, veçanërisht brenda komunitetit shqiptar dhe më tej, kam punuar në shumë ngjarje, kam bashkuar njerëzit, kam mbështetur familjet, dhe ndërtoj ura midis kulturave, udhëheqësve dhe fqinjëve. Besoj thellësisht në unitet. Besoj se kur qëndrojmë së bashku, jemi më të fortë. Pra, pse po garoj? Po garoj sepse familjet punëtore meritojnë një zë të fortë. Po garoj sepse fqinjët tanë meritojnë të ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre. • Forcat tona të zbatimit të ligjit kanë nevojë për mbështetjen tonë. Ata kanë nevojë për më shumë personel dhe mjete më të mira për të mbajtur komunitetet tona të sigurta, dhe unë do të luftoj dhe të avokoj për ta. Po garoj sepse fëmijët tanë meritojnë shkolla të shkëlqyera. Shkollat tona kanë nevojë për më shumë staf, më shumë hapësirë, dhe masa më të forta sigurie, duke përfshirë më shumë agjentë sigurie në shkolla. Unë do të luftoj për këtë. Po garoj sepse bizneset e vogla meritojnë mbështetje. Dhe po garoj sepse sistemet tona të transportit, arsimit dhe kujdesit shëndetësor duhet të funksionojnë për njerëzit.

Staten Island ka transportin publik më të ngadaltë dhe disa nga tarifat më të shtrenjta. Unë do të luftoj për transport publik më të mirë që të jetë më i shpejtë, më i besueshëm dhe më i përballueshëm.

Projekti i murit detar

Ne duhet të ecim përpara me projektin e murit detar për të mbrojtur lagjet tona. Familjet tona meritojnë të ndihen të sigurta, dhe nuk mund të lejojmë një tjetër katastrofë si Uragani Sandy të shkatërrojë shtëpitë, familjet dhe prona tona përsëri. Unë do të luftoj që kjo të bëhet realitet.

Dua të jem një lloj udhëheqësi që dëgjon, i cili ecën në rrugët e distriktit dhe njeh njerëzit me emër.

Një udhëheqës që punon me të gjithë, pa marrë parasysh partinë, për të arritur rezultate reale.

Distrikti i Asamblesë i 64 është plot me njerëz punëtorë, emigrantë, familje punëtore, të moshuar, veteranë dhe profesionistë të rinj, të gjithë me ëndrrat e tyre.

Ju meritoni një anëtar të asamblesë që kupton kuptimin e punës së vështirë, sepse asgjë nuk më është dhënë, që e di çfarë do të thotë të fillosh nga asgjëja, dhe që nuk e ka harruar asnjëherë prejardhjen e tij.

Kjo fushatë nuk bëhet fjalë për mua, bëhet fjalë për ne. Bëhet fjalë për familjet tona. Fëmijët tanë. Të ardhmen tonë. Ju kërkoj sot: mbështetni fushatën që do të sjellë ndryshim të vërtetë në komunitetin tonë. Bëhuni vullnetar. Dhuroni. Tregoni familjes dhe miqve tuaj që jetojnë në lagje të votojnë për dikë që i intereson mirëqenia e komunitetit tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një komunitet më të sigurt dhe më të fortë. Së bashku, mund të krijojmë mundësi. Së bashku, mund të bëjmë ndryshim të vërtetë. Faleminderit që besuat tek unë. Faleminderit që besuat tek ne. Dhe le të fillojmë punën.

Zoti e bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zoti e bekoftë qytetin tonë të madh. /Telegrafi/

Aksident mes tri veturash në Prizren, lëndohen gjashtë persona

26 January 2026 at 09:01


Gjashtë persona kanë marrë lëndime trupore të dielën rreth orës 23:35 në fshatin Mamushë të Prizrenit.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se aksidenti ka ndodhur mes tri veturash.

Tutje bëhet e ditur se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor.

“Fsh. Mamush, Prizren / 25.01.2026 – 23:35. Është raportuar për aksident trafiku me të lënduar në mes të tri automjeteve, përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar një femër kosovare dhe pesë meshkuj kosovarë. Të lënduarit pas tretmanit mjekësor janë liruar në shtëpi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Dyshohet se është dhunuar një grua në Deçan, rasti nën hetim

26 January 2026 at 08:51


Raportohet se është dhunuar një grua në Deçan.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 00:01, në Deçan.

Tutje bëhet e ditur se rasti është në procedurë të rregullt.

“Deçan / 25.01.2026 – 00:01. Është raportuar se ndaj viktimës femër kosovare është kryer vepra e lartcekur nga i dyshuari mashkull kosovar. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Zhduket një person në Fushë Kosovë, rasti po hetohet

26 January 2026 at 08:43


Një person është larguar nga banesa dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 23.01.2026 rreth orës 11:10, në Fushë Kosovë.

Tutje bëhet e ditur se rasti është në procedurë hetimore.

“ Fushë Kosovë / 23.01.2026 – 11:10. Me 25.01.2026 është raportuar se viktima mashkull kosovar është larguar nga banesa dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij , rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Ngacmohet seksualisht një grua në Fushë Kosovë, rasti po hetohet

26 January 2026 at 08:39


Një grua ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 18:00, në Fushë Kosovë.

Tutje bëhet e ditur se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Makasqi: Ndërgjegjësimi për shëndetin mendor është rritur, por mbetet ende sipërfaqësor

24 January 2026 at 14:57


Psikologia e kriminologjisë, Dita Makasqi, gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital ka trajtuar një nga temat më të ndjeshme të shoqërisë sonë: shëndetin mendor dhe mënyrën se si ai perceptohet, veçanërisht tek të rinjtë.

Sipas Makasqit, edhe pse vitet e fundit ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit mendor, ky ndërgjegjësim ende nuk është në nivelin e duhur.



“Ndërgjegjësimi është rritur, por unë ende e shoh atë si sipërfaqësor”, thekson ajo, duke shtuar se shoqëria jonë ende nuk ka arritur ta trajtojë shëndetin mendor me seriozitetin dhe normalitetin që meriton.

Një nga problemet kryesore që ajo veçon është frika e vazhdueshme tek të rinjtë për t’u etiketuar.

Siç tha Makasqi, shumë prej tyre hezitojnë të flasin apo të kërkojnë ndihmë, nga frika se do të konsiderohen “problematikë” apo do të trajtohen ndryshe.

Kjo frikë, sipas saj, ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale dhe zhvillimin e tyre personal.

Makasqi kritikon edhe mungesën e mbështetjes së duhur në institucionet arsimore.

Ajo thekson se shkollat, si hapësira ku të rinjtë kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre, shpesh nuk ofrojnë një ambient gjithëpërfshirës dhe mbështetës.

Sipas saj, nxënësit që janë më hiperaktivë apo me temperament të fortë, shpesh nuk trajtohen si të barabartë me të tjerët, por shihen si problem.

Për këtë arsye, ajo nënvizon rëndësinë jetike të pranisë së psikologëve në shkolla, si dhe të programeve rehabilituese brenda tyre.

“Është shumë e rëndësishme që shkollat tona të kenë psikologë dhe programe mbështetëse për studentët”, shprehet Makasqi, duke shtuar se shumë prej këtyre të rinjve që sot perceptohen si të rrezikuar, në të ardhmen mund të bëhen profesionistë të shkëlqyer – arkitektë të mirë, doktorë të mirë, apo kontribuues të rëndësishëm të shoqërisë.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Dhënie e marrje ryshfeti në zgjedhjet e parakohshme? Flet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Kryeziu

23 January 2026 at 15:31


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është zbuluar pjesa që lidhet me dhënien dhe marrjen e ryshfetit, në kuadër të një hetimi të gjerë që po zhvillohet nga organet e drejtësisë.

Gjatë një konference për media, Kryeziu theksoi se të akuzuarit në këtë rast mund të marrin edhe cilësinë e dëshmitarëve, por sipas tij, në këtë fazë nuk mund të jepen më shumë detaje, pasi hetimet janë ende në zhvillim.

“Jemi ende në fazën e hetimeve, personat po intervistohen dhe është e mundur që të dalin edhe persona të tjerë të përfshirë”, deklaroi Kryeziu.

Sipas tij, gjithsej 121 persona janë ftuar për intervistim, prej të cilëve disa nuk janë paraqitur, ndërsa një pjesë janë konstatuar si të pafajshëm.

Ai shtoi se veprimet janë ndërmarrë ndaj personave të identifikuar, ku shumica prej tyre janë komisionerë.

Kryeprokurori bëri të ditur se rreth 5 persona janë liruar, ndërsa 109 persona janë ndaluar.

Po ashtu, disa nga të dyshuarit nuk i janë përgjigjur ftesës së organeve të drejtësisë, pasi ndodhen jashtë vendit, dhe për ta është nisur kërkimi.

“Do të aplikojmë edhe masa të veçanta hetimore dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm ligjor për trajtimin e këtij rasti”, përfundoi Kryeziu.

Ndryshe, Kryeziu ka deklaruar qe edhe kandidatët për deputet mund të ballafaqohen në gjykatë me të dyshuarit me manipulime. /Telegrafi/

Dyshime për manipulime të votave, ndalohen 109 të dyshuar

23 January 2026 at 14:59


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu ka thënë se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Kryeziu gjatë konferencës për media ka thënë se të gjithë ata që kanë manipuluar me votat do të dalin para drejtësisë.

Siç tha Kryeziu bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara dhe të falsifikuara.

“Ditë më parë kemi paralajmëruar që manipulim i votës është krim dhe do të ndëshkohet. Sot të dyshuarit janë ballafaquar me forcën e ligjit. Bëhet fjalë për manipulime brenda llojit. Bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara dhe të falsifikuara. Vetëm në një klasë janë manipuluar 2.444 vota. Vetëm një klasë ka dal e pa keqpërdorur. 68 mijë e 17 vota kjo është diferenca totale e keqpërdorimit të votave. Ky hetim ka qenë i mirë koordinuar edhe me koordinatoren e Prokurorisë së Shtetit, Laura Pula...”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prizrenit, Faton Alija ka thënë se ky është një nga operacionet më të mëdha të të ndaluarve në këtë rajon. /Telegrafi/




Kurti takoi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, diskutuan për progresin demokratik në Kosovë

23 January 2026 at 14:36


Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, të mbajtur në Davos, Zvicër, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Jonathan Powell, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë takimit, u diskutua për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, planet dhe projektet për mandatin e ardhshëm qeverisës, progresin demokratik në Kosovë dhe rritjen ekonomike, dhe çështje të sigurisë rajonale.

"Kryeministri u shpreh se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë një nga aleatët më të ngushtë të Republikës së Kosovës dhe mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve", thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Ligjërata e Speciales para nxënësve të gjimnazit "Xhevdet Doda", YIHR: Është realizuar me lejen e institucionit arsimor

23 January 2026 at 13:59


Një ligjëratë mbi Gjykatën Speciale e cila është mbajtur të enjten në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë ka shkaktuar reagime të ndryshme nga institucione dhe organizata.

Nga organizata YIHR KS kanë dhënë sqarime se sesioni informues (ligjëratë) i cili është mbajtur para nxënësve të shkollës “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor.

Sipas tyre, sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjatë sesionit është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre, si institucion i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim YIHR KS, prej më shumë se 20 vitesh nga themelimi i saj, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me fokus në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë.

“Sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ne do të vazhdojmë me punën dhe aktivizmin tonë në këtë fushë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe, drejtuesit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kanë reaguar publikisht ndaj, siç thuhet, disa informacioneve të pasakta që po qarkullojnë në opinion, duke sqaruar se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

Sipas reagimit, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur për aktivitetet e saj edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

Qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme, neutrale dhe edukative.

Në reagim sqarohet se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për mbajtjen e kësaj ligjërate, ndërsa autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH). /Telegrafi/

Dyshime për manipulime të votave në Prizren, Prokuroria pritet të dal në konferencë për media

23 January 2026 at 13:45


Prokuroria Themelore e Prizrenit ka paralajmëruar një konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në regjionin e Komunës së Prizrenit.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Sipas njoftimit konferenca pritet të mbahet në orën 15:00 në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Kryeprokurori Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot (23 Janar 2026) konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në regjionin e Komunës së Prizrenit. Konferenca do të mbahet në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren, kati tretë, Salla e Takimeve”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, mediat kanë raportuar se janë arrestuar mbi 100 persona, ndërkaq po ashtu raportohen se në mesin e të intervistuarve dyshohet të jetë edhe djali i ish-deputetit Nait Hasanit, Art Hasani.

Ky i fundit besohet se ka ushtruar funksionin e komisionerit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Po ashtu në mesin e të arrestuarve është edhe komisioneri i Emilja Rexhepit, kjo e konfirmuar nga avokati i tij, Blend Gjini. /Telegrafi/

​Bastisjet në Prizren, këto janë detajet e fundit

23 January 2026 at 13:30


Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

Mediat kanë raportuar se janë arrestuar mbi 100 persona, ndërkaq po ashtu raportohen se në mesin e të intervistuarve dyshohet të jetë edhe djali i ish-deputetit Nait Hasanit, Art Hasani.

Ky i fundit besohet se ka ushtruar funksionin e komisionerit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Telegrafi ka telefonuar ish-deputetin Nait Hasani, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Ndryshe, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kreu bastisje në disa lokacione në Prizren lidhur me keqpërdorimet në zgjedhje e parakohshme të 28 dhjetorit. /Telegrafi/

Takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, BE jep detaje

23 January 2026 at 12:43


Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (EUSR), janë takuar të enjten për herë të parë në një format trepalësh, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të BE-së.

Sipas këtij njoftimi, krijimi i Komisionit të Përbashkët ishte dakorduar nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë në Deklaratën për Personat e Zhdukur, më 2 maj 2023, gjatë një takimi të nivelit të lartë të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja e BE-së.

“Objektivi i Komisionit të përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të sigurojë mbyllje të çështjes për familjet e tyre dhe të nxisë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në përputhje me Termat e Referencës të dakorduara, Komisioni do të mbështesë përpjekjet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), duke lehtësuar aktivitetet zbatuese të palëve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shqyrtimin e progresit.

Tutje bëhet e ditur se lehtësuesi i BE-së, Kosova, Serbia ose KNKK-ja mund t'i referojnë Komisionit të Përbashkët çdo çështje që lidhet me zbatimin, zbatimin dhe interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, si dhe çdo çështje të diskutueshme që lind brenda Grupit Punues të kryesuar nga KNKK-ja, duke përfshirë çështjen e rishikimit dhe përditësimit të Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të Grupit Punues të kryesuar nga KNKK-ja për Personat e Zhdukur, nëse ky i fundit nuk arrin të arrijë konsensus për këtë çështje.

“Komisioni i Përbashkët do të diskutojë çështjet brenda mandatit të tij sipas Termave të Referencës të dakorduara. Çdo vendim mbi çështjet e diskutueshme të referuara Komisionit të Përbashkët nga Grupi Punues i kryesuar nga KNKK-ja do t'i referohet Grupit Punues të kryesuar nga KNKK-ja për miratim dhe zbatim. BE-ja pret shumë që Komisioni i Përbashkët të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur shumë gjatë për përgjigje".

Ndryshe, më 17 dhjetor 2024, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord në Bruksel mbi Termat e Referencës për Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur që do të krijohet sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakordësuar nga Presidenti Aleksandar Vuçiç i Serbisë dhe Kryeministri Albin Kurti i Kosovës më 2 maj 2023. /Telegrafi/

Arrestohet një komisioner zgjedhor në Prizren për dyshime për manipulim votash, flet avokati

23 January 2026 at 12:19


Një komisioner është arrestuar sot në aksionin e Policisë dhe Prokurorisë Themelore në Prizren nën dyshimin për manipulim me vota të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Komisioneri i arrestuar është i partisë së udhëhequr nga Emilja Rexhepi, Nova Demokratska Stranka (NDS).

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati mbrojtës i të arrestuarit, Blend Gjini, i cili ka deklaruar se arrestimi i klientit të tij është bërë pa bazë ligjore dhe pa prova konkrete.

“Sot është arrestuar komisioneri i partisë NDS të Emilja Rexhepit, me pretendimin për veprën penale të manipulimit të provave. Si avokat mbrojtës, kam shfrytëzuar të drejtën që klienti im të mbrohet në heshtje. Ajo që është e çuditshme është fakti se nuk ekziston asnjë provë që partia e Emilja Rexhepit të ketë pasur rritje apo ulje të votave”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka kërkuar gjithashtu reagimin e kryetares së NDS-së, Emilja Rexhepi, duke apeluar që ajo të dalë në mbrojtje të komisionerëve të partisë së saj.

“Pres që vetë ministrja Rexhepi të reagojë dhe t’i mbrojë njerëzit e saj që kanë punuar për partinë. Vepra penale me të cilën ngarkohet komisioneri nuk ka të bëjë me manipulimin që pretendon prokuroria", shtoi ai.

Avokati Gjini e ka cilësuar si të pazakontë edhe kërkesën e Policisë për Krime Ekonomike në Prishtinë për dorëzimin e menjëhershëm të telefonit të komisionerit.

“Kërkesa për dorëzimin e telefonit ka qenë e çuditshme. Megjithatë, në shenjë bashkëpunimi, telefoni u dorëzua menjëherë... Konsideroj se klientit tim i është bërë një padrejtësi”, ka përfunduar Gjini.

Ndërkohë, autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me rastin, ndërsa hetimet janë në vazhdim. /Telegrafi/

​Edhe dy muaj paraburgim për ish-pjesëtarin e MPB-së serbe që dyshohet për rrëmbimin e Vukashinoviqit

23 January 2026 at 11:12


Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ish-pjesëtarit të MPB-së së Serbisë, V.M., i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe plagosjen e Millan Vukashinoviqit.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj, ka konfirmuar për Kosovapress se me kërkesë të Prokurorisë Themelore, paraburgimi ndaj të pandehurit është vazhduar nga 19 janari deri më 19 mars 2026.

V.M. ishte arrestuar më 20 dhjetor 2025 në Leshak, në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte bërë të ditur se i dyshuari ishte ish-pjesëtar i MPB-së serbe, i integruar më herët në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, nga ku më pas kishte dhënë dorëheqje.

Sipas Sveçlës, ekzistojnë dyshime se V.M. ka bashkëpunuar vazhdimisht me strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e rrëmbimit të Millan Vukashinoviqit, i cili gjatë incidentit ishte plagosur rëndë dhe po trajtohet në një spital në Serbi.

Pas urdhëresës së Gjykatës, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.

Millan Vukashinoviq, shtetas i Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer më 1 nëntor 2025, në afërsi të Leposaviqit, nga xhandarmëria serbe.

Për rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka intervistuar nënën dhe persona të afërt të viktimës. /Kp/

Gërvalla takohet me homologun e saj në Stamboll: Riafirmojmë orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik

23 January 2026 at 10:53


Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, kështu ka thënë ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Gërvalla bëri të ditur se me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, në Stamboll kanë zhvillua një takim bilateral në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin.

"Gjatë takimit me Ministrin Fidan theksova se Republika e Kosovës, përmes angazhimit të saj në këtë platformë, riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin ndaj paqes së qëndrueshme, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Po ashtu, vura në dukje rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt", ka shkruar ajo.

Tutje ministrja në detyrë u shpreh se: "Falënderova Ministrin Fidan për ftesën dhe mikpritjen, duke ritheksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe rolin e saj në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë". /Telegrafi/


❌
❌