FOKUS – SHBA dhe Danimarka rinegociojnë marrëveshjen e mbrojtjes së 1951 për Groenlandën
DAVOS, 22 janar /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka do të rinegociojnë marrëveshjen e tyre të mbrojtjes që daton nga viti 1951 për Groenlandën, bëri të ditur të sot një burim pranë diskutimeve që u zhvilluan një ditë më parë në Davos midis presidentit Donald Trump dhe kreut të NATO-s, Mark Rutte.
Sipas këtij burimi, siguria në Arktik do të forcohet dhe vendet evropiane të NATO-s do të kontribuojnë, duke shtuar se gjatë këtyre bisedimeve nuk ishte diskutuar ideja e vendosjes së bazave amerikane në Groenlandë nën sovranitetin e SHBA-së.
Që nga viti 1951, një marrëveshje mbrojtjeje, e përditësuar në 2004, i ka dhënë pothuajse dorë të lirë forcave të armatosura amerikane në territorin e Groenlandës, edhe pse ato duhet të njoftojnë autoritetet para veprimeve.
Disa vende të NATO-s po diskutojnë mënyrat për të forcuar praninë e tyre në Groenlandë dhe kanë dërguar atje një kontingjent të parë për të verifikuar kushtet për këtë forcim.
Gjermania, Franca, Norvegjia dhe Britania e Madhe kanë dërguar këta ushtarë për të përgatitur një mision të mundshëm të NATO-s, të ngjashëm me ato të zhvilluara në detin Baltik ose në frontin lindor të Aleancës, për të përballuar më mirë kërcënimin rus.
Pas javësh deklaratash agresive, Donald Trump njoftoi papritur dje në Davos “kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme” për Groenlandën, e cila mbetet ende shumë e paqartë në detaje.
Presidenti amerikan refuzoi të sqarojë nëse kompromisi në diskutim do t’u jepte SHBA-ve posedimin e territorit autonom danez, siç kishte kërkuar disa herë më parë, me qëllim, sipas tij, të sigurojë mbrojtjen ndaj Rusisë dhe Kinës./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – SHBA dhe Danimarka rinegociojnë marrëveshjen e mbrojtjes së 1951 për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.