BBC-ja raporton se Parlamenti Evropian pritet ta pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare me ShBA-në
Miratimi i marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, për të cilën ishte arritur pajtim në korrikun e vitit të kaluar, pritet të pezullohet nga Parlamenti Evropian, sipas burimeve të afërta me Komisionin për Tregti Ndërkombëtare të këtij institucioni, raporton televizioni britanik, BBC.
Pezullimi i miratimit të marrëveshjes pritet të njoftohet të mërkurën pasdite në Strasburg, sipas transmetuesit publik britanik.
Në korrikun e vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishin arritur një marrëveshje në fushën e golfit në Skoci, pronë e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas marrëveshjes, taksat amerikane ndaj të gjitha importeve nga vendet e BE-së do të uleshin në 15 për qind, gjë që shihej si pakt pozitiv në kohën kur Trumpi ishte duke kërcënuar me tarifë prej 30 për qind ndaj importeve.
Megjithatë, marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian, por Komisioni për Tregti Ndërkombëtare nuk e ka përfunduar ende shqyrtimin e saj.
Të shtunën, disa orë pas kërcënimit të Trumpit me taksa amerikane për shkak të kundërshtimit të disa vendeve evropiane që ShBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën, anëtari gjerman me ndikim i Parlamentit Evropian, Manfred Weber, tha se “miratimi [i marrëveshjes tregtare ShBA – BE] nuk është i mundshëm në këtë fazë”.
Përderisa marrëveshja po finalizohej, Bashkimi Evropian i kishte pezulluar taksat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë të 93 miliardë eurove, transmeton gazeta “Nacionale”.
Afati i këtij pezullimi përfundon më 9 shkurt dhe, nëse nuk bëhet një zgjatje tjetër ose nëse nuk ndodh miratimi i marrëveshjes nga Parlamenti Evropian, taksat e BE-së ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 7 shkurt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post BBC-ja raporton se Parlamenti Evropian pritet ta pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare me ShBA-në appeared first on Sinjali.
