Nga inovacion në dilemë - çfarë po ndodh me dronin kosovar “Skifteri K1”? Gjithçka që duhet të dini
Ditë më parë u publikuan pamje nga testimi i dronit kosovar “Skifteri K1”, të cilat sipas prodhuesit demonstronin aftësi goditëse me rreze veprimi deri në 1 mijë kilometra.
E këto pamje ngjallën interes të madh dhe u cilësuan si një hap i rëndësishëm në teknologjinë e mbrojtjes dhe inovacionin vendor.
Pas reagimeve të shumta, Ridvan Aliu, prodhues i dronëve dhe drejtues i Future Minds Academy, sqaroi se testimi nuk ishte zhvilluar në territorin e Kosovës, por jashtë vendit, në lokacionin e klientit.
“Testimi është bërë jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit. Goditja është e vërtetë, mirëpo për shkaqe të sigurisë edhe me kërkesë të klientit tonë, pamjet janë bërë invert dhe me night vision on. Më shumë informata nuk mundem të jap”, kishte thënë Aliu për Telegrafin.
Sipas tij, kufizimi i informatave lidhej drejtpërdrejt me aspektet e sigurisë dhe marrëveshjen me klientin, ndërsa projekti konsiderohej i ndjeshëm për shkak të kapaciteteve teknologjike që posedon droni.
Sipas të dhënave të publikuara, “Skifteri K1” ka kohë fluturimi prej 7 orë e 12 minutash, rreze veprimi mbi 1 mijë kilometra dhe kapacitet bartës deri në 42 kilogramë.
Mirëpo më pas u ngrit çështja, a ishin të informuara institucionet e vendit, përkatësisht Ministria e Mbrojtjes për këtë rast?
Në një përgjigje të Ministrisë së Mbrojtjes të cilën e kishin dërguar për Telegrafin nga ministria thanë se me drejtuesin e kompanisë Future Minds Academy kanë pasur një kontakt, mirëpo se pas kësaj nuk kanë zhvilluar ndonjë diskutim për dronin “Skifteri K1”.
Po ashtu, nga ministria kishin thënë se “nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse”.
“Drejtuesin e kompanisë Future Minds Academy e kemi takuar në kuadër të aktivitetit Sharkathon, të mbajtur më 8 tetor 2025, i cili kishte për qëllim demonstrimin e inovacionit vendor në fushën e teknologjisë së dronëve.
Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe në kuadër të këtij eventi janë testuar vetëm dronë komercialë, dhe jo ndonjë kategori tjetër e dronëve.
Lidhur me dronin e quajtur ‘Skifter K1’, nuk kemi zhvilluar asnjë diskutim dhe nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse”, kishin thënë nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas tyre çdo testim që bëhet brenda territorit të Kosovës duhet të ketë një leje, mirëpo siç thanë nuk ka informacione për rastin në fjalë.
Nga Ministria e Mbrojtjes po ashtu theksonin se institucionet përkatëse janë duke e përcjellë situatën për të gjitha aspektet e nevojshme, në përputhje me kompetencat ligjore.
“Sa i përket pyetjes suaj, po sigurisht kërkohet një leje për testim, dhe përderisa nuk kemi informacion që janë ndjekur këto procedura nuk mund të themi që testimi ka qenë real apo i gjeneruar nga AI. Megjithatë, inkurajojmë dhe mirëpresim çdo inovacion teknologjik në fushën e dronëve që synon zhvillimin dhe prodhimin vendor në Republikën e Kosovës, përderisa janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Ditë më vonë drejtori i Future Minds Academy, Ridvan Aliu pas testimit të dronit “Skifteri K1”, tha se ky lloj inovacioni po vazhdon të zhvillohet me ritme të shpejta.
Aliu pati thënë se flotës ajrore së shpejti do t’i bashkohet droni i ri SKIFTER MIGA VTOL, një prototip i cili synon të avancojë misionet ajrore të tipit SWARM.
“Prototipi i parë pritet të testohet gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, në një nga shtetet e Bashkimit Evropian, dhe do të pajiset me lidhje SATCOM C2 për komandë dhe kontroll. Specifikat e dronit SKIFTER MIGA VTOL përfshijnë: Koha e fluturimit: 6 orë, Shpejtësia maksimale: 150 km/h, Kapaciteti i ngarkesës: 15 kg. Rrezja e veprimit: deri në 500 km (SATCOM C2 – kërkon aprovim qeveritar), Lartësia maksimale: 6000 m, Roli: SWARM MISSION UAV”.
“Inovacioni i rinisë sonë nuk duhet të mbetet i fshehur”, kishte shkruar Aliu, duke theksuar rëndësinë e zhvillimeve teknologjike të lidershipit të ri në fushën e aeronautikës.
Por dyshimet në lidhje me autenticitetin e dronit “Skifteri K1”, nuk kanë të ndalur, kjo pasi në emisionin Debat Plus, Rdivan Aliu u kyç përmes një video lidhje ku sqaroi disa spekulime të rrjeteve sociale.
Ai i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke theksuar se droni është ndërtuar në Kosovë nga studentët vendorë.
“Sa hyra në Kosovë e ende mantilin nuk e hoqa, i pashë mesazhet dhe u ndala në një vend. Po thonë që është ‘fake news’, por Skifteri K1 është ndërtuar në Kosovë, nga studentët tanë. Nuk është vetëm një prototip, por një numër i madh i tyre. Testimet do të vazhdojnë çdo muaj”, tha Aliu.
Sipas tij, videoja e publikuar është autentike dhe është realizuar nga ekipi i kompanisë jashtë Kosovës, por jo në Kinë, siç është aluduar në rrjete sociale.
“Është video autentike e ekipit tonë jashtë Kosovës, nuk është video kineze”, theksoi ai.
Aliu shtoi se kompania që ai drejton ka mbi 100 punëtorë dhe funksionon përmes disa entiteteve dhe më shumë se nëntë kompanive të ndryshme.
“Me cilën kompani punojmë në projekte të caktuara është çështje tjetër”, deklaroi ai.
Ndërkohë, i pyetur nëse testimi i dronit është kryer në stadiumin e Kamenicës, Aliu e mohoi një gjë të tillë.
Ai sqaroi se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk është njoftuar për testimin, pasi ai është realizuar për një klient jashtë vendit.
“Testimi është kryer me një klient tonin jashtë Kosovës. Për shembull, droni ‘Vital’, të cilin e kemi postuar para dy ditësh, do të testohet në Bashkimin Evropian. Ai është ndërtuar këtu dhe nesër do të publikojmë një video që tregon se si ndërtohet një fluturake më e sofistikuar se Skifteri K1, e cila do të testohet në një nga shtetet e BE-së”, tha Aliu, duke shtuar se nuk e di se nga po merren informacionet e pasakta që po qarkullojnë.
Ai theksoi gjithashtu se kompania nuk e bën publik vendndodhjen e klientëve, me kërkesë të tyre.
“Klienti nuk dëshiron të bëhet publik. Kjo video është bërë për të demonstruar aftësitë e dronit dhe për t’ua prezantuar kandidatëve të tjerë potencialë, prandaj edhe vendosa ta publikoj”, shtoi ai.
Po ashtu i pyetur nëse droni “Skifteri K1” i është shitur ndonjë shteti aleat apo armik, Aliu u shpreh se kompania bashkëpunon vetëm me shtete mike të Kosovës.
“Ne gjithmonë merremi me shtetet aleate të Kosovës, nuk merremi me shtete armike”, përfundoi ai.
Gjithashtu në lidhje me këtë rast ka shkruar dhe hibrid.info duke sqaruar se çka do të thotë “invert” dhe “night mode”.
Sipas shpjegimeve teknike, “invert” nënkupton përmbysjen e ngjyrave të imazhit, ndërsa “night mode” apo “night vision” përdoret për xhirime në kushte ndriçimi të ulët.
Kështu, videoja u analizua përmes vëzhgimit vizual kornizë pas kornize dhe u verifikua edhe përmes platformave online që detektojnë përmbajtje të krijuar ose të manipuluar me inteligjencë artificiale (IA).
Bazuar në gjetjet, ka indikacione se pamjet në vende të caktuara mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale.
Çka thonë platformat online për verifikim të përmbajtjeve të gjeneruara me IA?
Platforma “Hive Moderation” jep të dhëna të ndryshme kur kontrollohet pjesa e shpërthimit të autobusit.
Në pjesë të caktuara të saj, platforma thotë se pamjet janë krijuar me IA me probabilitet mbi 90%, kurse në pjesë tjera thotë se probabiliteti që të jetë përdorur IA në të, është zero.
Duke qenë se rezultatet e platformës nuk janë konsistente në të gjithë videon, e bën të pamundur nxjerrjen e një përfundimi të prerë. Duhet theksuar se platformat e tilla ofrojnë vetëm indikacione teknike dhe nuk përbëjnë prova përfundimtare.
Por në rezultatin e përgjithshëm, platforma “Hive Moderation” ka përmendur platformat “Veo3” dhe “Gemini3”.
“Veo3” është model i Google që prodhon video me kualitet të bazuara në tekstin e kërkuar nga përdoruesit.
“Gemini” është asistent dhe model i avancuar i IA nga Google. Të dyja funksionojnë nën laboratorin “Google DeepMind”.
Në hapësirën e modeleve në “Google DeepMind” shpjegohet se si këto platforma përdorin një “vulë” që nuk shihet me sy, por që vendoset qëllimisht në përmbajtje, në mënyrë që nga softuerë të ndryshëm të arrihet të shpjegohet nëse përmbajtja është gjeneruar nga platformat e IA nga Google apo jo. Kjo teknologji quhet “SynthID”.
“SynthID vendos vula digjitale direkt në imazhet, audiot, tekstet ose videot e gjeneruara nga IA. Këto ‘vula’ janë të vendosura në të gjitha produktet e gjeneruara me AI nga Google dhe janë të padukshme për njerëzit – por mund të detektohen nga teknologjia e SynthID”, thuhet në përshkrimin e Google se si funksionon kjo teknologji.
Për ta detektuar këtë, Google sugjeron që të pyetet “Gemini”. Hibrid.info e ka bërë pikërisht këtë. Fillimisht për shkak të kritereve të “Gemini” videoja është shkurtuar në 1:10, duke marrë pjesën e fundit, për shkak se “Hive Moderation” theksoi se përmbajtja e gjeneruar nga IA mund të jetë aty.
Hibrid.info e ka ngarkuar videon e shkurtuar në “Gemini” dhe ka pyetur se a është gjeneruar apo ndryshuar kjo përmbajtje nga “Google AI”. Në përgjigje, chatboti “Gemini” ka thënë se ka elemente si audio ashtu edhe video që janë krijuar ose edituar duke përdorur “Google AI”.
Përgjigjja e përkthyer:
“Bazuar në analizën time, të dyja elementet audio dhe vizuale të kësaj videoje ishin krijuar ose edituar duke përdorur Google AI. Një vulë digjitale e quajtur SynthID u detektua në video në mes të 0:30 dhe 1:00, dhe në audio në mes të 0:30 dhe 1:09. Vula është e vendosur direkt në përmbajtje për të ndihmuar që të detektohet si e gjeneruar me IA, edhe nëse është edituar apo shkurtuar”.
Në videon e ngarkuar nga hibrid.info, sekonda e 30-të është pikërisht momenti kur në video niset droni dhe vazhdon me goditjen e autobusit.
