TIRANË, 9 janar /ATSH/ Rritja e çmimeve të qirave dhe ushqimeve ka ndikuar në inflacionin e muajit dhjetor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Ky zhvillim pasqyron ndikimin e kostove të jetesës dhe ndryshimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të konsumit ushqimor gjatë periudhës festive.
Sipas INSTAT, çmimet e konsumit në muajin dhjetor 2025 u rritën 2,3 % nga 2,1% që ishte një vit më parë, bëri të ditur INSTAT.
Ndërsa ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2025, krahasuar me nëntor 2025 është 0,7%. Rritja mesatare vjetore e çmimeve të konsumit në vitin 2025 është 2,2%, njësoj si një vit më parë.
INSTAT bën të ditur se, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rritën me 0,96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,56 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kontribuuan me 0,16 pikë përqindje në rritjen e përgjithshme të çmimeve, pasuar nga grupi “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,15 pikë përqindje dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,11 pikë përqindje.
Rritje u shënuan gjithashtu edhe nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,10 pikë përqindje, “Argëtim dhe kulturë” me 0,08 pikë përqindje, “Shërbimi arsimor” me 0,06 pikë përqindje dhe “Komunikimi” me 0,03 pikë përqindje. Ndërkohë, grupet “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti” ndikuan secili me 0,02 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin dhjetor 2024, rritja më e madhe e çmimeve u vërejt në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me 4,8%, pasuar nga “Argëtim dhe kulturë” me 3,6% dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%. Më tej, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 2,2%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,1%, ndërsa “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” shënuan rritje prej 1,9% secili. Rritje u shënuan edhe në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,6%, “Komunikimi” me 0,9%, “Shëndeti” me 0,5%, “Veshje dhe këpucë” me 0,4% dhe “Transporti” me 0,3%.
Brenda grupit të ushqimeve, rritja më e lartë e çmimeve u regjistrua në nëngrupin “Qumësht, djathë dhe vezë”, me 4,4%, pasuar nga “Peshk” dhe “Vajra dhe yndyrna” me nga 3,8% secili, “Mish” me 2,3% dhe “Fruta” me 0,4%, ndër të tjera.
/e.xh/a.f/
The post Çmimet e konsumit në rritje të lehtë, inflacioni në dhjetor 2,3% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.