Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Nikolloski: Të gjitha rrugët në nivel shtetëror janë të kalueshme

8 January 2026 at 18:51


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, informoi se në nivel të gjithë vendit të gjitha drejtimet rrugore janë të kalueshme dhe nuk ka asnjë bllokim, pavarësisht reshjeve të borës.

Nikolloski theksoi se aktualisht po mbulohen dy seksione kryesore, ai i Kosovrastit dhe Mavrovës, ndërsa në terren janë angazhuar të gjitha kapacitetet e ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”, si dhe kompani private që ndihmojnë në pastrimin e borës.

“Dua t’i përgëzoj ekipet e ‘Makedonija Pat’, këta njerëz punëtorë që me përkushtim i mbajnë rrugët të pastra dhe të kalueshme. Të gjithë kamionët janë vënë në funksion dhe puna po zhvillohet pa ndërprerje,” deklaroi Nikolloski.

Ai u bëri apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve në rrugë dhe të përdorin goma dimërore, si dhe zinxhirë aty ku është e nevojshme, në përputhje me rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, me qëllim të garantimit të një trafiku të sigurt.

Sipas tij, kushtet e tilla atmosferike pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa institucionet do të jenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm për të siguruar zhvillimin normal të trafikut në të gjithë vendin, veçanërisht pas përfundimit të festave, në mënyrë që aktivitetet ekonomike të mos pengohen.

Andonovska: Janë rritur rastet me grip, por është situatë e pritshme pas tubimeve festive

8 January 2026 at 18:09


Në periudhën nga 29 dhjetori deri më 4 janar janë regjistruar 1.725 raste të gripit ose sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 2,2 herë më shumë në krahasim me javën e kaluar kur numri i rasteve të raportuara ishte 771.

Numri i rasteve të raportuara këtë javë në krahasim me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, kur numri ishte 331, është rritur për 5,2 herë, ndërsa në krahasim me të njëjtën javë në 15 sezonet e fundit, rritja është 38,7 për qind, tregojnë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik.

Drejtoresha e Institutit, Marija Andonovska, deklaroi sot se në përputhje me të dhënat në Maqedoni ka intensitet të lartë të virusit të gripit me pritje për rritje të mëtutjeshme në periudhën e ardhshme. Sipas saj, kjo nuk është asgjë e re duke pasur parasysh periudhën e festave dhe tubimeve dhe është diçka që është pritur.

“Kulmi i gripit pritet në gjysmën e dytë të muajit dhe gjysmën e parë të shkurtit. Me kthimin e fëmijëve në shkollë, presim që numri i personave të sëmurë me grip mund të rritet. Incidenca e raportuar është mbi kufirin javor të aktivitetit mesatar të virusit të gripit në nivel kombëtar. Sa i përket shpërndarjes së moshës, 749 persona janë midis moshës 15 dhe 64 vjeç, 618 janë fëmijë të moshës pesë deri në 14 vjeç, 229 janë fëmijë deri në katër vjeç dhe 129 janë persona mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët e moshës pesë deri në 14 vjeç”, tha Dr. Andonovska.

Theksoi se raportimet për të sëmurë i kanë marrë nga 18 vende dhe sipas të dhënave, më shumë të sëmurë janë regjistruar në Shkup – 716, në Tetovë – 339, në Kumanovë – 150, në Veles – 109, në Shtip – 60, në Dibër -54, në Gostivar – 49, në Prilep – 45, në Ohër -44, në Manastir -40, në Strumicë -38, ndërsa në qytetet e tjera, si Kavadar, Negotinë, Strugë, Demir Hisar, Vinicë, Makedonski Brod, Radovish, numri i të sëmurëve është më i vogël se 30.

“Në Dibër është regjistruar aktivitet shumë i lartë i gripit, në Veles dhe Tetovë është regjistruar aktivitet i lartë, aktivitet mesatar është regjistruar në Shkup, Kumanovë dhe Shtip, në dhjetë njësi është regjistruar aktivitet i rregullt sezonal, ndërsa në dy njësi, si Radovishi dhe Demir Hisari, është regjistruar aktivitet shumë i ulët i virusit të gripit. Deri më tani, që nga fillimi i sezonit, nuk janë regjistruar vdekje të lidhura me gripin. Është vërejtur rritje e konsiderueshme e numrit dhe incidencës së sëmundjeve të ngjashme me gripin në bazë javore. Gjatë javës së parë të këtij viti, për herë të parë në sezon, është regjistruar aktivitet mesatar i gripit në nivel kombëtar”, tha Andonovska.

Sa i përket masave të përgjithshme, ajo sqaroi se ata që nuk janë të sëmurë të shmangin tubimet, qëndrimin në hapësira, qendra tregtare ku ka numër të madh të njerëzve, të shmanget kontakti me të sëmurë ose njerëz me simptoma të teshtitjes dhe kollitjes, të pastrohen duart shpesh me sapun dhe ujë, të ajrosen hapësirat, të respektohen stilet e shëndosha të jetesës, pirja e rregullt e ujit, të konsumohet ushqim i lehtë, vitamina dhe minerale.

“Për ata që janë diagnostikuar me grip, rekomandimet janë të kontaktojnë mjekun e tyre amë, të qëndrojnë në shtëpi, të mos shkojnë në punë, të mos i çojnë fëmijët në shkollë, jo vetëm për shkak të transmetimit të virusit, kjo është e rëndësishme edhe për të sëmurët, të mos i ekspozojnë fëmijët ose të rriturit. Nëse vërtetohet se kanë grip, ata duhet të qëndrojnë në shtëpi, të pushojnë dhe të marrin terapi simptomatike të përshkruar nga mjeku i tyre amë. Është shumë e rëndësishme të qëndrojnë në shtëpi nëse shfaqen simptoma. Për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, mbi 65 vjeç, fëmijët, gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë, nëse gjendja e tyre përkeqësohet, ata duhet të kontaktojnë mjekun e tyre amë”, thekson Andonovska.



QMK: Përmbytje janë raportuar në Ohër, Kërçovë, Manastir, Gostivar dhe Tetovë

8 January 2026 at 17:30


Në Ohër dhe rrethinën e tij, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ka bodrume, oborre dhe disa ndërtesa të përmbytura në qytet.

Disa përrenj janë dalë nga shtrati, ndërsa autoritetet lokale dhe stafi i krizës janë në terren, ndërsa ekipet e ndërmarrjeve publike „Vodoshted“ (Ujësjellësi), „Ndërtim të Ulët“ dhe „Komunalec“ ndërhyjnë dhe largojnë ujin, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).

Në Kërçovë dhe fshatrat përreth, ujë ka hyrë në bodrume dhe në disa pjesë të tokave. Disa banorë janë evakuuar dhe janë vendosur në objekte të përkohshme me ushqim dhe mbrojtje shëndetësore të siguruar. Ka përmbytje në disa përrenj dhe tokë bujqësore. Komuna dhe Kryqi i Kuq i Kërçovës sigurojnë strehim, ushqim dhe ilaçe, ndërsa „Komunalec“ ndërhyn në vendet e përmbytura dhe ekipet e ndihmës së shpejtë ofrojnë kujdes shëndetësor për personat e evakuuar.

Në rajonin e Manastirit, niveli i ujit në përrenjtë lokalë është rritur, duke shkaktuar përmbytje të shtëpive, oborreve dhe disa tokave bujqësore. Mekanizmi i komunave është në terren për të riparuar dëmet, ndërsa stafi i krizës organizon prioritetet për veprimet e ekipeve në terren.

“Në Tetovë dhe rrethinë ka raportime për shembje muri mbajtës dhe përmbytje lokale në përrenj. Shërbimet policore bëjnë inspektim në vendet e shembjeve, ndërsa mekanizmi i komunës ndërhyn për pastrimin e rrëshqitjeve dhe riparimin e dëmeve”, thonë nga QMK.

Në Gostivar dhe rrethinë janë regjistruar përmbytje në rrugë lokale dhe në disa fshatra. Ekipet e „Komunalec“ ndërhyjnë në vendet me infrastrukturë të përmbytur, ndërsa mekanizmi i Shërbimit për Menaxhimin e Ujërave (Vodoshted) del në terren për pastrimin e rrëshqitjeve dhe riparimin e dëmeve.

Vendkalimi kufitar "Evzoni" do të bllokohet sërish

8 January 2026 at 16:50


Kufiri Maqedoni e Veriut-Greqi do të bllokohet sërish.

Protestat nga fermerët grekë u paralajmëruan pas orës 17 dhe do të zgjasin katër orë.

Nga MPB e Maqedonisë deklaruan se situata në vendkalimet kufitare të Bogorodica -Evzoni është e qëndrueshme dhe fluksi i pasagjerëve dhe automjeteve është normal për të hyrë dhe dalë nga vendi.

“Sipas informacionit që kemi në dispozicion, fermerët planifikojnë të bllokojnë vendkalimin kufitar Evzoni në orën 17:00 me orën e Maqedonisë dhe informacioni fillestar është se bllokada do të zgjasë katër orë si çdo ditë më pare”, deklaruan nga MPB.

Fermerët grekë po protestojnë kundër vonesave të gjata në pagesën e subvencioneve të shkaktuara nga skandali i përvetësimit të ndihmës bujqësore të BE-së, dhe janë ngritur gjithashtu kundër çmimeve të ulëta të blerjes, rritjes së kostove të energjisë dhe përkeqësimit të kushteve klimatike. Ata kishin 27 kërkesa , 16 janë plotësuar ose po trajtohen pozitivisht, katër janë duke u shqyrtuar, ndërsa autoritetet greke kanë deklaruar se shtatë nuk mund të plotësohen.

Yesterday — 7 January 2026Main stream

Rrëshqitje e dheut në rrugën drejt Banjës, Komuna e Tetovës apelon qytetarët të mos qarkullojnë në këtë zonë

7 January 2026 at 20:46


Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugën drejtë Banjës në Tetovë ka pasur rreshqitje të dheut.

Nga Komuna e Tetovës informojnë se ekipet janë në terren, teksa bëjnë thirrje që deri në stabilizimin e situatës të mos qarkullohet në rrugën drejt Banjës.

Njoftimi i plotë:

Pas një thirrje në numrin emergjent 112, njoftohet se për shkak të reshjeve të shiut ka përsëri rrëshqitje të dheut në rrugën drejt Banjës.

Qytetarët lutën të mos qarkullojnë në këtë zonë deri sa situata të stabilizohet.

Ekipet komunale janë në terren dhe po e ndjekin situatën nga afër.

Mickoski: Nesër do t’u dërgojë ftesa të gjitha partive politike për mbajtjen e një takimi liderësh

7 January 2026 at 20:18


Me qëllim hapjen e një dialogu për çështjet kyçe politike, kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se nesër do t’u dërgojë ftesa të gjitha partive politike për mbajtjen e një takimi liderësh.

Sipas paralajmërimeve, takimi do mbahej brenda shtatë deri dhjetë ditë, para nisjes tij drejt Forumit Ekonomik Botëror Davos, ndërsa fokusi do vihej sigurimin e konsensusit për ligjet reformuese dhe mundësinë e shfuqizimit qeverisë teknike.

Në intervistën e Krishtlindjes për TV Alfa, Mickoski shprehu pritjen që të gjithë liderët e koalicioneve parlamentare ta pranojnë ftesën, duke theksuar se rendi i ditës mund të plotësohet dhe zgjerohet edhe me propozime nga pjesëmarrësit.

Kryeministri theksoi se për çështjet me rëndësi thelbësore për shtetin është i domosdoshëm një marrëveshje më e gjerë politike, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian.

"Të bisedojmë për Avokatin e Shtetit dhe për të gjitha temat e tjera. Të tregojmë pjekuri politike kur para nesh qëndron qëllimi – anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për ligjet tashmë ka mendime pozitive edhe nga Komisioni i Venecias edhe nga Zyra e Komisionit Evropian, prandaj nuk ka arsye të mos ulemi dhe të bisedojmë hapur", theksoi Mickoski.

Sa i përket qeverisë teknike, ai rikujtoi se edhe përfaqësues të LSDM-së para zgjedhjeve të fundit kishin shprehur qëndrimin se ajo nuk është më e nevojshme. Sipas tij, qeveria aktuale tregon një përfshirje më të madhe, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur po zbatohen reforma thelbësore të sistemit politik dhe reforma që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE, për një pjesë të të cilave është i domosdoshëm konsensusi.

"Para zgjedhjeve, udhëheqja e LSDM-së thoshte se ishte për shfuqizimin e qeverisë teknike, ndaj mbetet të shihet nëse do të qëndrojnë në atë qëndrim. Nuk do të doja të hynim në këto ndryshime pa një marrëveshje të gjerë, sepse mendoj se ndryshimet në sistemin politik duhet të miratohen me konsensus. Nëse ekziston pajtimi se qeveria teknike e pengon sistemin dhe hap dilema kushtetuese, atëherë duhet t’i bëjmë këto ndryshime së bashku", tha kryeministri Mickoski.

Në Ohër dhe Kërçovë janë përmbytur disa lokacione

7 January 2026 at 19:29


Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, situata në pjesën më të madhe të territorit të Maqedonisë së Veriut është e qëndrueshme dhe pa ndërprerje.

Në Kumanovë, Likovë, Nagoriçan të vjetër, Kriva Pallankë, Rankovcë dhe Kratovë nuk ka dalje të lumenjve, dhe shërbimet komunale po e monitorojnë situatën.

Shkup, Strumicë, Veles, Kavadar, Negotinë, Sveti Nikollë dhe Shtip, nuk janë raportuar përmbytje ose rrëshqitje të dheut.

Megjithatë, në Ohër, janë raportuar bodrume, garazhe dhe oborre të përmbytura në disa lokacione, dhe Komuna e Ohrit dhe Shtabi i Krizave po veprojnë sipas raporteve.

Në Kërçovë, ndërtesat banesore në rrugën "Prilepska" janë përmbytur, dhe ekipet nga Komuna e Kërçovës, Instituti Shtetëror i Sigurimeve Shoqërore, Kryqi i Kuq dhe Ndërmarrja Publike e Shërbimeve "Komunalec" janë në terren për të evakuuar banorët e rrezikuar.

Në Strugë, është raportuar rrëshqitje dheu në rrugën nga fshati Tatesh në fshatin Mislodezhda, dhe Ndërmarrja Publike e Shërbimeve "Rrugët e Maqedonisë" po merr masa për sanim.

Në Manastir dhe Resnjë, është regjistruar një rrëshqitje dheu pranë fshatit Sirhan, ndërsa në fshatin Drmeni janë përmbytur dy oborre.

Reshjet e shiut vazhdojnë, dhe institucionet kompetente po monitorojnë vazhdimisht nivelet e ujit të lumenjve dhe gjendjen e terrenit.

LAMM: Mbyllet vendkalimi kufitar Evzoni

7 January 2026 at 18:51


Qarkullimi në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, nëpër rrugë të lagështa.

Reshje bore janë regjistruar në Kodrën e Diellit, por për momentin nuk paraqesin pengesë për komunikacionin.

Nga ora 17:00, komunikacioni në vendkalimin kufitar Evzoni (Bogorodicë) është në ndërprerje për të gjitha llojet e automjeteve, informon LAMM.

LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut.

Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Reshjet e shiut, QMK: Situata është stabile, nuk janë raportuar përmbytje

7 January 2026 at 18:11


Sipas informacionit të jashtëzakonshëm të Qendrës për Menaxhim me Kriza, që nga ora 17:00, situata në pjesën më të madhe të territorit të Republikës së Maqedonisë është stabile dhe pa ndërprerje të funksionimit të rregullt, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut që e kanë përfshirë vendinn

Në Kumanovë, Likovë, Nagoriçan i vjetër, Kriva Pallankë, Rankovcë dhe Kratovë, nuk janë regjistruar dalje nga lumenjtë, as pasoja nga reshjet, dhe shërbimet kompetente komunale po e monitorojnë vazhdimisht situatën.

Në Shkup, Strumicë, Veles, Kavadar, Negotinë, Shën Nikollë dhe Shtip, nuk janë raportuar përmbytje ose rrëshqitje të dheut, dhe situata vlerësohet si stabile dhe nën kontroll.

Bilalli: Përplasjet Shkup-Sofje të panevojshme, i dimë detyrimet tona

7 January 2026 at 17:34


Fërkimet e fundit diplomatike mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me Planin Aksionar për mbrojtjen e pakicave në RMV, si udhërrëfyes që i hap rrugën përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, sipas profesorit universitar, Mersel Bilalli, janë manipulime të kota ngase detyrimet tona rrjedhin nga vendimet Këshillit Evropian dhe kuvendit tonë dhe nuk janë më çështje bilaterale.

“Ajo është një marrëveshje pra e cila ka kaluar në Këshillin Evropian, organi më i lartë i BE-së dhe ai tani është obligimi yni, së dyti, ne pra pas miratimit të kësaj marrëveshje, ajo marrëveshje ka kaluar edhe në Parlamentin e RMV-së, dhe, ne jemi të obliguar në bazë të vendimit të parlamentit tonë… Këtu Bullgaria paraqitet si faktor i tretë, nuk kemi më tutje çka të ushtrojmë bisedime me Bullgarinë por duhet ta implementojmë atë marrëveshje, përndryshe e shkelim të drejtën ndërkombëtare.”, u shpreh për TVM2 profesorit universitar, Mersel Bilalli.

Bilalli shton se edhe krizat e njëpasnjëshme politike në Bullgari nuk janë pengesë për vendin tonë për të hapëruar drejt BE-së, sepse ne kemi kornizë të cilës i mungon vullneti politik për ta zbatuar. Ai fton politikanët sidomos ata shqiptarë që të gjejnë metodologji dhe ta kthejnë shtetin në kursin evropian në kohën kur krizat globale shtohen dita-ditës.

“Mendoj se manipulimi i politikës ditore është ajo që nga strukturat tona herë pas here potencohet se, ja, kemi fatkeqësi që në Bullgari nuk ka qeveri stabile, herë pas here ka qeveri politike, teknike pra kjo është vetëm një arsyetim që ta defokuson problemin se problemi është mes Maqedonisë dhe Bullgarisë… Politikisht kjo strukturë nuk e ka fokus Unionin Evropian… Gjithsesi duhet shqiptarët pa dallim nëse janë në qeveri apo jo të fokusohen që sa më shpejt të miratojnë ndryshimet kushtetuese dhe t’i zhvillojmë bisedimet me BE-në.”, u shpreh Bilalli.

Shkupi dhe Sofja riaktualizuan verbalitetin diplomatik pas përgatitjes së Planit Aksionar për mbrojtjen e pakicave ku fqiu lindor shprehu shqetësim për siç thanë, shmangien e Shkupit nga konkluzat e vitit 2022. Ndërkohë, vendi ynë kërkoi nga Sofja që të sillet në mënyrë evropiane dhe t’ia respektojë gjuhën maqedonase. Zyrtarë shtetëror mbrojnë tezën se Plani për pakicat është përgatitur në konsultim me ekspertë të jashtëm e të brendshëm, duke respektuar edhe parimet ndërkombëtare.

ISHP: Të rinjtë po përdorin ilaçe pa nevojë mjekësore, problematikë po aq sa përdorimi i alkoolit apo cigareve elektronike

7 January 2026 at 16:53


Rezultatet më të fundit të një hulumtimi të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se 10 për qind e nxënësve shkollave mesme moshës 15 dhe 16 vjeç Maqedoninë e Veriut kanë përdorur ilaçe kundër dhimbjes, kanë marrë analgjetikë pa nevojë mjekësore.

Hulumtimi, i realizuar me mbi 2.800 nxënës, ngre çështje serioze për rritjen e zakoneve rrezikshme tek rinjtë.

Prej tyre, 6,6% kanë përdorur sedativë ose qetësues pa recetë.

Ekspertët paralajmërojnë se ky lloj keqpërdorimi është veçanërisht i rrezikshëm, pasi ilaçet shpesh perceptohen si më “të sigurta” se drogat dhe janë lehtësisht të disponueshme në shtëpi.

Sa i përket kanabisit, 5% e nxënësve kanë deklaruar se e kanë përdorur të paktën një herë në jetë, 4,3% gjatë vitit të fundit dhe 2,6% gjatë muajit të fundit.

Edhe pse këto shifra kanë mbetur relativisht të qëndrueshme gjatë 15 viteve të fundit, ISHP vlerëson se kanabisi mbetet pjesë e “normalizuar” e sjelljes së rrezikshme tek adoleshentët.

Përdorimi i drogave më të rënda si kokaina, amfetaminat dhe ekstazia është nën 2%, por shqetësues mbetet fakti se një pjesë e nxënësve fillojnë përdorimin e kanabisit në moshën 13 vjeç ose edhe më herët, më shpesh djem sesa vajza.

Në hulumtim është përmendur edhe problemi me abuzimin me alkoolin si dhe përdorimi i cigareve elektronike.

Mickoski: Bullgaria kërkon ridefinim të plotë të indentitetit maqedonas

7 January 2026 at 16:20


Kryeministri i vendit, Hristijan Mickski tha sot se po konfirmohen tezat se kërkesa që bullgarët të jenë në Kushtetutë nuk është kërkesa e vetme që e kanë ata, por ridefinim të plotë të identitetit maqedonas.

“Mua kjo nuk më habitë, nuk e di nëse dikë e habitë kjo në shtet. Vetëm i konfirmojnë ato teza të cilat i patëm nga çasti i parë se nuk është vetëm bullgarët në Kushtetutë kërkesa e vetme por ridefinim i plotë i identitetit maqedonas. Por këto janë ditë kur duhet të falim, të bashkohemi edhe si popull edhe si komb dhe mendoj se përfundimisht si popull do të kuptojmë, pa dallim nëse jemi në pushtet apo në opozitë se për disa çështje vetëm duhet të jemi së bashku”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Bullgaria para disa ditësh nuk e pranoi Propozim – Planin e aksionit për pakicat sepse, siç u kumtua, ishte shkruar në gjuhën maqedonase.

Plani i aksionit për avancim të të drejtave të pakicave, që është në verzionin punues, është përgatitur në pajtim me paragrafin 35 të kornizës negociuese për vendin, e miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 18 korrik 2022.

Before yesterdayMain stream

Tetova me çmimore të re për kyçje në ujësjellës dhe kanalizim

6 January 2026 at 20:45


Hyrja ne vitin 2026 u solli tetovarëve edhe çmimore të re për kyçjen e banesave në ujësjellës dhe kanalizim. Vendimi u soll në seancën e fundit të Këshillit Komunal. Drejtori i NPK “Sharri” e arsyeton duke thënë për kyçje në ujësjellës-kanalizim banesat kanë pasur të njëjtin çmim me atë të shtëpive, ndërsa me çmimoren e re pronarët e banesave do të duhet të paguajnë për çdo banesë dhe të njëjtit do të kenë edhe matës.

“Në qoftë se një qytetar për ujë dhe kanalizim ka paguar diku tek 800 apo 900 euro, një ndërtesë vetëm për kyçjen e ujësjellësit ka paguar 1500 euro dhe 1500 euro për kanalizim – që i ka ardhur diku tek tre mijë euro. Do të duhet të paguajnë për çdo banesë veçmas, si paguan për shtëpi individuale dhe do të duhet ta paguajnë edhe një taksë dhe një për një ujëmatës, pasi që Tetova ka qenë qyteti i vetëm që nuk e ka pasur këtë çmimore dhe të gjithë qytetet tjera e lanë pasur këtë çmimore vetëm Tetova ka qenë e anashkaluar në këtë pjesë”, tha Valon Zeqri – drejtor i NPK “Sharri”.

Opozita në Këshillin komunal e sheh vendimin si të padrejtë, pasi sipas tyre qyteti as nuk ka ujë të mjaftueshëm për pija, e madje as nuk është cilësor.

“Ata ë vitin 2026 kanë planifikuar e mbi 9 mijë orëmatësve në Tetovë dhe vendosja e orëmatësve në Tetovë është e papranueshme, derisa Tetova nuk ka ujë të pijshëm në Tetovë dhe jemi në një situatë absurde se po maten dhe faturohen qytetarët për një shërbim që realisht mungon dhe para çdo aparati komuna do të duhet të sigurojë furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor me ujë dhe orëmatësit janë një barë shtesë për qytetarët dhe një dështim i pushteti lokal”, u shpreh Berat Murati – këshilltar i AKI-së në Tetovë.

Komuna e Tetovës ka paralajmëruar se do të ndërtohet edhe një rrjet i ri i ujësjellësit, ndërsa kryetari i Bilall Kasami deri më tani as e ka mohuar e as nuk e ka pohuar se planifikon që shpërndarjen e ujësjellësit ta jep me koncesion. /tv21

Shumë prej të lënduarve nga zjarri në Koçan trajtohen falë donacioneve, rikuperimi i tyre mund të zgjasë me vite

6 January 2026 at 20:01


Me djegie të rënda që ende nuk janë shëruar plotësisht dhe me pasoja të rënda psikologjike nga të cilat ende nuk janë rikuperuar, të lënduarit nga zjarri vdekjeprurës në diskotekën “Pulse” në Koçan, të cilët janë në marrëdhënie pune, detyrohen që çdo muaj të paraqiten para një komisioni për vazhdimin e pushimit mjekësor.

Në vend që fokusi të jetë në shërim dhe rehabilitim, ata përballen vazhdimisht me procedura administrative, të cilat – sipas familjarëve – e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen fizike dhe psikologjike të të lënduarve.

Prindërit kërkojnë nga shteti që procedurat të thjeshtohen dhe të mundësohet një periudhë më e gjatë pushimi mjekësor.

Pas tragjedisë që mori jetën e 63 personave, prindërit e të lënduarve – disa prej të cilëve ishin në gjendje kërcënuese për jetën – kërkojnë edhe mbështetje më të madhe financiare nga shteti. Problem i veçantë, siç theksojnë ata, janë shpenzimet e udhëtimit për ata që ende disa herë në muaj duhet të udhëtojnë për trajtime mjekësore jashtë vendit. Barrë shtesë përbëjnë edhe kremrat e shtrenjtë, fashot speciale dhe barnat që do t’u nevojiten për vite me radhë për kujdes dhe rikuperim të duhur.

Prindërit shprehen se në përgjithësi janë të kënaqur me trajtimin që të lënduarit marrin në spitalet lokale, por reagojnë ndaj qasjes së stafit në disa klinika në Shkup.

Paralelisht me kërkesat institucionale, vazhdon edhe apeli humanitar për ndihmë. Nisma qytetare “Support Kocani” ka intensifikuar fushatën për donacione, duke theksuar se fashot silikoni dhe kremrat specialë janë thelbësorë për kujdesin afatgjatë të të lënduarve më rëndë.

Nga iniciativa paralajmërojnë se rikuperimi nga këto lloj lëndimesh është një proces i gjatë dhe i vështirë që mund të zgjasë me vite dhe se mbështetja nuk duhet të ndalet, pasi të prekurit kanë përpara një betejë të gjatë dhe kanë nevojë për solidaritet nga e gjithë shoqëria.

Memorial për viktimat nga zjarri në "Pulse", reagojnë prindërit: Nuk është dëshirë private, por akt i kujtesës kolektive

6 January 2026 at 19:21


Shoqata e qytetarëve “16 Mars 2025” – Koçan, e themeluar nga prindërit dhe familjarët e fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në zjarrin në diskotekën “Pulse”, ka reaguar publikisht ndaj peticionit që ditët e fundit po promovohet në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave, i cili ka të bëjë me lokacionin e propozuar për vendosjen e memorialit në kryqëzimin e rrugëve “Vëllezërit Stavrev” dhe “Bregu i Revolucionit”.

Nga Shoqata theksojnë se kanë obligim të sqarojnë disa fakte kyçe që, sipas tyre, janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me mesazhet që përcillen në peticionin e nënshkruar nga 17 qytetarë.

Së pari, ata nënvizojnë se bëhet fjalë për hapësirë publike të gjelbër – park në pronësi shtetërore, i dedikuar për të gjithë qytetarët e Koçanit, dhe jo për pronë private apo “oborr të dikujt”, siç përpiqet të paraqitet në disa reagime publike.

Sipas tyre, një paraqitje e tillë krijon perceptim të gabuar dhe manipulues.

Së dyti, prindërit theksojnë se vendosja e memorialit nuk e ndryshon destinimin e hapësirës. Shenja përkujtimore, siç thonë ata, nuk do të jetë ndërtim masiv apo objekt me funksion të ri, por një simbol diskret dhe dinjitoz kujtese, i ngjashëm me memorialet që ekzistojnë në shumë qytete të botës.

Së treti, ata hedhin poshtë pretendimet se memoriali do të jetë vend për vajtim të përditshëm.

“Dhimbja jonë është në shtëpitë tona dhe në vendet e përjetshme të pushimit të fëmijëve tanë”, thuhet në reagimin e shoqatës, duke shtuar se memoriali është paraparë si vend për nderim të qetë dhe kujtim kolektiv, e jo si kërcënim për qetësinë apo rendin publik.

Sa i përket vetë peticionit, nga Shoqata rikujtojnë se ai nuk ka peshë juridike në procesin vendimmarrës. Debati publik është legjitim dhe i mirëpritur, por vendimin përfundimtar për lokacionin, në përputhje me procedurat ligjore, e merr Këshilli i Komunës së Koçanit. Sipas tyre, presioni mediatik dhe fushatat e njëanshme nuk mund të zëvendësojnë vendimmarrjen institucionale.

Prindërit theksojnë gjithashtu se të drejtat e banorëve nuk janë ekskluzive.

“Të gjithë jemi banorë të Koçanit – ata që reagojnë, ne dhe fëmijët tanë që i humbëm tragjikisht”, thuhet në reagim, duke vlerësuar se kushtëzimet dhe akuzat për arbitraritet janë të papërshtatshme.

Ata shtojnë se, nëse shumica e qytetarëve të Koçanit vlerëson se lokacioni i propozuar nuk është i përshtatshëm, do ta respektojnë atë vullnet, por njëkohësisht shtrojnë pyetjen nëse fëmijët e humbur meritojnë një memorial të përhershëm në një vend të dukshëm dhe të qasshëm, apo duhet të shtyhen në periferi – si në hapësirë, ashtu edhe në kujtesë.

Sipas Shoqatës, iniciativa për memorialin nuk është dëshirë private, por çështje me interes publik dhe akt i kujtesës kolektive për një tragjedi që shënoi të gjithë qytetin dhe shtetin. Ata e vlerësojnë si shqetësuese faktin që peticioni paraqitet si “zëri i qytetarëve”, ndonëse pas tij qëndron një numër i kufizuar individësh, gjë që, sipas tyre, e thellon edhe më shumë dhimbjen e familjeve.

“Kjo nuk është çështje komoditeti apo zakoni, por çështje dinjiteti, kujtese dhe ndërgjegjeje”, porosit Shoqata, duke u bërë thirrje mediave të informojnë me përgjegjësi dhe publikut të mos lejojë që dhimbja e familjeve të shfrytëzohet për sensacionalizëm apo presione.

Qytetarët e Koçanit mund të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me iniciativën për vendosjen e memorialit përmes mjetit digjital të komunikimit “mZaednica”, ku është aktive një anketë për këtë çështje.

Nikolloski: 40 kilometra të autostradës Ohër–Kërçovë tashmë janë në funksion

6 January 2026 at 18:39


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka publikuar në profilin e tij në Facebook një video nga autostrada Ohër–Kërçovë, me të cilën thekson se pjesa më e madhe e kësaj autostrade është praktikisht e përfunduar.

Ai njoftoi se 40 kilometra të kësaj trase tashmë janë vënë në funksion.

Postimi i plotë:

“Shikoni këtë video të bukur nate nga një pjesë e autostradës Ohër–Kërçovë.

40 kilometra tashmë janë në funksion.

Shpresoj që një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë do të udhëtojnë nëpër këtë autostradë drejt Jerusalemit Ballkanik – Ohrit, për këtë Krishtlindje.

Urime për të gjithë punëtorët e palodhur që u përkushtuan ndërtimit të saj!

Gëzuar Krishtlindjet dhe Buzmin, për shumë vite!”

ISHP: Mbrojtja më e mirë nga gripi mbetet vaksinimi

6 January 2026 at 18:01


Kulmi i gripit sezonal pritet të arrijë në dy, tre javët në vijim. Spitalet dhe ordinancat të mbushura me pacientë kërkojnë trajtim dhe këshilla mjekësore kundër gripit. Megjithatë, mantelbardhët apelojnë që mos të merren antibiotikë pa udhëzim të mjekut, sepse pacienti nuk e di nëse ka virus sezonal apo baktere. Rekomandojnë higjienë personale, konsum të pemëve dhe perimeve, ujë dhe lëngje pa gaz.

“Menjëherë mos të fillohet me antibiotik, sepse kur ka virus në organizëm, organizmi lufton me atë virus dhe më së paku i duhet antibiotik, sepse antibiotiku e ndal mbrojtjen e parë të organizmit. Pastaj mund të ndodhin komplikime. Për këtë arsye është me rëndësi që të reagohet me kohë dhe të respektohen këshillat dhe rekomandimet dhe kokë më vete mos të merren antibiotikë. Kategoritë më të rrezikuara janë fëmijët e vegjël, foshnjat, sepse tek ata virusi ngjitet shpejt dhe kalon më vështirë. Po ashtu edhe tek personat me sëmundje kronike, të cilëve mund t’ju rëndohet situata shëndetësore", deklaroi pediatrja dhe pulmologja, Tatjana Baevska.

Ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik vazhdojnë të theksojnë se mbrojtja më e mirë nga gripi mbetet vaksinimi, sidomos për popullatën mbi 65 vjet, fëmijët 5 – 6 vjeç, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëne dhe nëpunësit shëndetësorë.

Për sezonin 2025-2026, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar vaksina katërvalente në sasi prej 80 mijë dozash. Në javën e fundit të vitit të kaluar 770 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe trajtim për gripin sezonal.

DPHM paralajmëron: Shi dhe borë në ditët në vijim, rënie graduale e temperaturave

6 January 2026 at 17:20


Fillim viti i ri do të sjellë edhe temperatura më të ulëta. Kësisoj të hënën më 12 janar, sipas njoftimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, tempertura do të shënojë, minus 9 Gradë Celsius.

Edhe pse i ftohti i ditëve të para të janarit ishte më i butë, me mot më të ngrohtë, duket se nuk do të vazhdoj kështu edhe shumë gjatë. Meteorologët parashikojnë ulje të temperaturave, mot më të ftohtë dhe reshje bore në vendet malore.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike moti në ditët në vijim do të jetë i paqëndrueshëm dhe me vranësira, me reshje të kohëpaskohshme shiu, ndërsa në male reshje bore.

Gjithashtu DPHM theksoi se veçanërisht të shtunën, sërish do të ketë reshje lokale, shiu dhe bore. Sipas parashikimeve, të DPHM-së , temperaturat do të vijojnë të bien dhe deri të hënën.

‘’Si pasojë e depërtimit të ajrit të ftohtë dhe erës së fuqishme veriore, të enjten reshjet do të shëndrrohen në borë në zonat më të larta. Në malet e pjesës perendimore do të formohet një shtresë e re bore, ndërsa një shtresë më e vogël bore pritet edhe në zonat e ulëta’’.

Në Shkup, të mërkurën sidomos nga fundi i ditës, dhe gjatë natës paralajmërohet se do të ketë reshje shiu të shumta mbi 25 litra për metër katrorë dhe do të fryjë erë e fortë nga drejtimi jugor.

MPB: Më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i sistemit "Safe City"

6 January 2026 at 16:41


Autoritetet e MPB-së aktualisht janë duke punuar në miratimin e disa akteve ligjore dhe në përditësimin e sistemit "Safe City" me të dhëna të sakta, ndërkohë që po vendosen edhe kamera të tjera të sigurisë përgjatë korridoreve 8 dhe 10.

Këto kamera, sipas autoriteteve të MPB-së, së shpejti do të vihen në funksion për fazën e testimit, ndërsa pas përfundimit të testimit dhe miratimit të akteve ligjore, më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt” në të gjithë territorin e vendit, bëjnë të ditur nga MPB.

“Aktualisht, sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon në territorin e qytetit të Shkupit, ndërsa së shpejti planifikohet aktivizimi i tij edhe në Kumanovë dhe Tetovë. Pajisjet tashmë janë të vendosura edhe në korridoret 8 dhe 10 dhe në çdo moment pritet të fillojë detektimi i shkeljeve në trafik edhe atje. Gjatë vitit 2026 është paraparë që sistemi të fillojë të funksionojë në të gjithë territorin e shtetit. Tanindodhemi në një periudhë testuese, gjatë së cilës qytetarët marrin vetëm paralajmërim për shkeljen e trafikut të kryer. Është paraparë që nga data 01.02.2026 sistemi të funksionojë plotësisht dhe të fillojë sanksionimi i qytetarëve që kryejnë shkelje të evidentuara nga kamerat", deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.

Nga MPB deklaruan se periudha e deritanishme e testimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” ka treguar rezultate të shkëlqyera. Sipas autoriteteve, qytetarët nga dita në ditë kanë përmirësuar sjelljen dhe mënyrën e vozitjes në rrugët e vendit, duke u treguar më të përgjegjshëm dhe duke respektuar rregullat e komunikacionit.

Gjatë zbatimit të këtij sistemi parashihet të ketë një tolerancë të vogël të shpejtësisë, por kjo tolerancë do të vlejë vetëm për tejkalime minimale dhe nuk do të përjashtojë përgjegjësinë penale apo administrative për shkeljet që mund të shkaktojnë rrezik në komunikacion. Përfaqësuesit e MPB-së vlerësojnë se përmes këtij sistemi do të rritet siguria e qytetarëve në komunikacion dhe do të ulet ndjeshëm numri i aksidenteve të rënda në trafik me pasoja fatale.

MPB: Nuk shkoi në punë, por mori rrogë duke e dëmtuar buxhetin e shtetit

5 January 2026 at 20:47


Policia e Maqedonisë së Veriut ka paraqitur kallëzim penal ndaj një zyrtari policor për shkak se ka evidentuar se e punësuara ka ardhur në punë, edhe pse ka munguar

“I denoncuari, drejtues i një pushimoreje të MPB-së në Ohër, në periudhën nga 02.02.2025 deri më 05.02.2025 dhe nga 21.05.2025 deri më 26.05.2025 evidentoi se e punësuara J.I. – kuzhiniere në pushimore vinte në punë dhe kryente aktivitete pune, edhe pse ajo ka qenë jashtë kufijve të shtetit”, raportoi Policia.

S.M. akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, vepër e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal. Policia filloi masën e detyrueshme për largim nga vendi i punës. Ai dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 253 834 denarë.

“I denoncuari, gjithashtu, në periudhën nga 28.05.2025 deri më 30.11.2025 evidentoi se e punësuara J.I. e shfrytëzon pushimin mjekësor, edhe pse mjeku amë nuk i kishte dhënë formularë për pamundësi të përkohshme për punë”, raportoi Policia.

❌
❌