Artan Xhori është mjeshtër i tenderave fiktivë. Biznesmeni është i raportuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nën hetim nga Prokuroria, i denoncuar nga media, por vazhdon i pashqetësuar biznesin e mashtrimeve në tendera. Së fundmi, Xhori është shfaqur në një prokurim të organizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Ky institucion drejtohet nga Arlinda Pogaj, krahu i djathtë i ministrit Blendi Gonxhe.
Më konkretisht, kompania e Artan Xhorit “T B S 96” shpk ka përfituar tenderin e OPB me objekt “Blerje pjesë këmbimi për infrastrukturën e sistemit të transmetimit DataCom”. Fondi limit i caktuar për këtë furnizim është 9,995,500 lekë pa tvsh.

Sic mësojmë, kontrata është bërë publike më 2 Dhjetor 2025 pasi është shpallur fituese kompania “T B S 96” shpk.
Sipas dokumenteve të tenderit duhet të fitonte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim. Në tender kanë marrë pjesë dy operatorë konkurrues. Njëra është kompania “T B S 96”shpk me ofertë pa tvsh 9,635,850 lek pa TVSH.

Operatori ekonomik “NAOL” shpk ka marrë pjesë vetëm fiktivisht, pasi ka ofertën 0 (zero) lekë pa TVSH.
Është një stil që përdoret për të mos u regjistruar tenderi me vetëm një pjesëmarrës. Në fakt, ky operator në aktivitetin e regjistruar nuk ka lidhje me objektin e tenderit. Madje nuk ka ngarkuar në SPE asnjë dokument për plotësimin e kritereve për kualifikim në këtë procedurë prokurimi.
Pra, mund të themi se Artan Xhori konkurronte në këtë tender me një pjesëmarrës fiktiv. Nëse fituesi nuk do të ishte i paracaktuar, komisioni i vlerësimit të ofertave do ta kishte anuluar tenderin. Megjithatë nuk ka komision që e rrëzon “ofertën” e Xhorit, prandaj është proceduar me shpalljen e fituesit.

Kush është Artan Xhori?
Prokuroria e Posaçme SPAK, ka regjistrur një dosje penale me Nr.81, për të hetuar veprimtarinë e ish-ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, për blerjet emergjente përmes procedurës sekrete në periudhën e pandemisë “Covid-19”, një çështje tjetër mjaft sensitive dhe me shumë interes për publikun, qe u shmang nga hetimi i SPAK, duke ia kaluar për kopetencë Prokurorisë së Tiranës.
Bëhet fjalë për një dosje penale të regjistruar me shumë urgjencë në SPAK, në dhjetor 2020, ku në qëndër të verifikimeve ishin anëtarët e dy komisioneve të Vlerësimit të Ofertave, të ngritura nga Ogerta Manastirliu dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë kohës së pandemisë “Covid 19”.
Qëllimi ishte blerja dhe vendosja e 54 respiratorëve me dy modalitete dhe e dyta ishte blerja e mijëra kiteve, ku këtë tender e ka fituar me negocim të drejtpërdrejtë kompania “O.E.S Distrimed” sh.p.k, e cila ka lidhur kontratën në 30 mars 2020.
Kjo kontratë është miratuar me V.K.M nr.272, datë 3 prill 2020.
Një nga këto kompani që u hetua fillimisht në SPAK dhe më pas hetimi ju dërgua prokurorisë së Tiranës, ka shpallur fitues dhe kompaninë private “T.B.S 96 SH.P.K”.
Kompania e themeluar në 21 prill 2006, administrohet nga biznesmeni Artan Xhori, i cili ka fituar tenderin me vlerë prej 760 milion lekë të vjetra për furniz dhe vendosje të 54 respiratorëve me dy modalitete.
Artan Xhori, rezulton të jetë shpallur fitues dhe ka lidhur kontratën në datën 27 mars 2020. Por siç rezultoi në vitin 2020 e në vijim, ai nuk u hetua thuajse asnjë moment nga SPAK por dhe nga prokuroria e Tiranës.
Në hetimin e këtij rasti, SPAK ishte përpara një konflikti interesi, pasi Artan Xhori përmes kompanisë së tij “T.B.S 96 SH.P.K”, rezulton të ketë krijuar monopolin e një tenderi shumë të rëndësishëm brenda prokurorisë së posaçme.
Bëhet fjalë për një tender konfidencial që lidhet me shërbimin dhe mirëmbajtjen e aparaturave të qëndrës së përgjimeve brenda SPAK.
“T.B.S 96 SH.P.K”, rezulton të ketë fituar 550 milion lekë të vjetra nga kontrata konfidenciale e lidhur me prokurorinë e Posaçme SPAK, për mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit të kësaj prokurorie.
Shuma prej 550 milion lekë nga kompania e Artan Xhorit është tërhequr përmes 8 transaksioneve bankare.
Ndërkohë prezenca ekonomike e kompanisë “T.B.S 96 SH.P.K”, nga 18 janari 2023 e në vijim ka hyrë dhe tek Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, duke fituar 152 milion lekë të vjetra për shërbimin support dhe teknik të paisjeve dhe aparaturave përgjuese të punës së kësaj drejtorie të rëndësishme në Policinë e Shtetit.
Me kontrata sekrete, Artan Xhori ka përfituar edhe nga AKSHI, me firmën e drejtoreshës Mirlinda Karçanaj.
TBS 96 shpk ka marrë kontrata me vlerë 11.8 milionë euro nga AKSHI me pa asnjë njoftim publik, pa transparencë, pa publikuar të dhëna apo drafte kontratash dhe përmes kontraktimeve të mbyllura pa garë.
Më herë, Artan Xhori ka qenë i përfshirë në skandalet e tenderave të Televizionit Publik.
Institucioni që paguhet nga gjithë familjet shqiptare, ka zhvilluar vazhdimisht tendera pa garë, duke ngritur dyshimet për paracaktimin e fituesit. Në 2018, televizioni publik ka hapur një tender me vlerë mbi 700 milionë lekë dhe fituese ka qënë firma “TBS 96”, e denoncuar në atë kohë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit se merr shumicën e tenderëve pa garë nga RTSH.
Në tender ka marrë pjesë edhe një firmë tjetër, por çuditërisht nuk ka dorëzuar vlerë financiare, apo dokumentet shoqëruese. Pra, ka qenë garuese vetëm formalisht.
Në datën 1 gusht 2018, në Agjencinë e Prokurimit Publik u shpall fituesi i tenderit nga RTSH. Në këtë document, thuhet se njoftohet operatori ekonomik “TBS 96” se është fitues i tenderit me objekt “blerje paisje për Studiot e prodhimit për ndryshimin e teknologjisë së Transmetimit nga SD në HD”.
“Njoftojmë se kanë qenë pjesëmarrës në procedurë, 2 ofertues me vlerat përkatëse të ofruara si më poshtë: 1- Operatori Ekonomik “TBS 96” me ofertë: 70,583,000 lekë pa tvsh. 2- Operatori Ekonomik “MUCA”, nuk ka paraqitur ofertë ekonomike” thuhet në këtë dokument.
Ndërkohë, Xhori përmendet në një raport të KLSH-së, për periudhën nga viti 2010 deri në gjysmën e parë të vitit 2013, kur RTSH zhvilloi 12 tenderë për pajisje dhe kontrata shërbimi me vlerë të përgjithshme prej 168.2 milionë lekësh (1.2 milionë euro).
Sipas raportit, të gjithë tenderët u karakterizuan nga mosmbajtja e procedurave standard të prokurimit pasi mungonin dokumentet kyçe.
“Dy kompani, TBS96 dhe Eurokontakt, fituan shumicën e tenderëve për pajisjet televizive. Shpesh ato qenë kompanitë e vetme konkurruese” – thotë KLSH.
Sipas KLSH-së, në së paku njërin prej tenderëve, “TBS 96” dukej se kishte njohuri paraprake se ajo do të zgjidhej si fituese. “Në një tender më 2012, audituesit vërejtën se një nga konkurrentët, TBS96 sh.p.k, qe aq i sigurtë se do ta fitonte tenderin sa vendosi të sigurojë kontratën në të njëjtën ditë kur u hapën ofertat – pra para se ato të vlerësoheshin, duke shkelur gjithashtu ligjin” – vijon më tej raporti.
Ndërkohë, për tenderët në RTSH ka folur dhe ish-kryeministri Berisha. Në një status në Facebook, ai shprehet se:“Në prag të Vitit të ri Edi Rama i bëri dhuratë vetes duke ndarë paratë me Bolinon. Bëjnë tender fiktiv për blerje dekoderash dhe i jepet kompanisë që e kap tenderin me 99.99% të vlerës (169,666,596 lekë nga 170 milionë lekë që ishte vlera limit). Nga ana tjetër, KLSH ka gjetur se në RTSH Xhori ka shitur pajisje të vjetra për të reja dhe kineze për evropiane.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.