12:47 Irani paralajmëron SHBA-në: Çdo sulm do të trajtohet si luftë e përgjithshme
Last Updated on 24/01/2026 by Monika
Një zyrtar i lartë iranian ka paralajmëruar se Teherani do ta konsiderojë çdo sulm ndaj vendit si “një luftë të përgjithshme kundër nesh”, në prag të mbërritjes në rajon të një grupi sulmues të transportuesve të avionëve amerikanë dhe aseteve të tjera ushtarake.
Paralajmërimi vjen mes rritjes së pranisë ushtarake amerikane dhe rreth dy javë pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje protestuesve iranianë të vazhdojnë demonstratat, duke premtuar se “ndihma është duke ardhur”. Protestat në Iran janë shoqëruar me mijëra viktima, sipas burimeve të ndryshme.
“Ky grumbullim ushtarak – shpresojmë se nuk ka për qëllim një konfrontim të vërtetë – por ushtria jonë është e gatshme për skenarin më të keq. Kjo është arsyeja pse gjithçka është në gatishmëri të lartë në Iran”, tha zyrtari iranian për Reuters, duke folur në kushte anonimiteti.
Ai shtoi se Teherani do të përgjigjet ashpër ndaj çdo lloj sulmi. “Këtë herë do ta trajtojmë çdo sulm – të kufizuar, të pakufizuar, ‘kirurgjikal’, kinetik, sido që ta quajnë – si një luftë të përgjithshme kundër nesh dhe do të përgjigjemi në mënyrën më të vështirë të mundshme”, tha zyrtari.
Presidenti Trump deklaroi të enjten se SHBA-të kanë një “armadë” që po i drejtohet Iranit, por shprehu shpresën se ajo nuk do të duhet të përdoret. Ai gjithashtu ripërsëriti paralajmërimet ndaj Teheranit lidhur me vrasjen e protestuesve dhe një rikthim të mundshëm të programit bërthamor iranian.
“Nëse amerikanët shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Iranit, ne do të kundërpërgjigjemi”, theksoi zyrtari iranian, duke mos dhënë detaje mbi formën që mund të marrë një përgjigje e tillë./mxh
