Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 January 2026Main stream

“Shqipëria sovrane në energji”, Rama: Kjo do arrihet brenda këtij mandati

18 January 2026 at 09:57

Kryeministri Rama: Java ka patur një tjetër moment tejet të rëndësishëm që është shënuar gjatë vizitës sonë në Emiratet e Bashkuara, ku isha i ftuar të merrja pjesë në Samitin tradicional tanimë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku ishin organizuar edhe një sërë panelesh, një ndër të cilët ishte paneli ku, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, ne iu përgjigjëm një sërë pyetjesh që shprehnin interesimin, pikërisht, për përpjekjet që po bëjmë në sensin e zhvillimit të qëndrueshëm, të rritjes së kapaciteteve energjetike dhe, patjetër, edhe në sensin e shfrytëzimit maksimal të teknologjisë, si një instrument shumë i rëndësishëm në funksion edhe të procesit të anëtarësimit.

Kam qenë shumë krenar kur kam folur për bashkëpunimin trilateral mes Emirateve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Italisë, ku Shqipëria ka një rol kyç, si vendi ku do të krijohet një kapacitet gjenerimi i energjisë së gjelbër, që përmes kabllit nënujor që do të lidhë Shqipërinë me Italinë, do të transmetohet në Itali dhe në vende të tjera, duke i dhënë Shqipërisë një avantazh të rëndësishëm strategjik. Por më e rëndësishmja, kam përcjellë edhe një mesazh për të cilin unë personalisht, po edhe e gjithë shumica jonë qeverisëse, ka krenarinë të jetë bartëse – Shqipëria sovrane në energji. Pasi, sipas programit dhe sipas të gjitha hapave që po i hedhim mbi planin e detajuar për këtë program, Shqipëria do të ketë sovranitet energjetik brenda këtij mandati të qeverisë sonë, mandatit të 83 mandateve.

Kryeministri Rama: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë

18 January 2026 at 09:51

Kryeministri Edi Rama ka mohuar pretendimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar vizat turistike për Shqipërinë, duke i cilësuar këto lajme si dezinformim dhe çoroditje të opinionit publik.

Duke folur në podkastin “Flasim”, Rama sqaroi se administrata amerikane, në kuadër të politikës së re të emigracionit të Presidentit Donald Trump, ka vendosur një pezullim të përkohshëm të lejeve të punës për rreth 75 vende të botës, mes tyre edhe disa vende të Ballkanit, përfshirë Kosovën.

Sipas tij, masa nuk ka të bëjë me ndalimin e vizave turistike apo të biznesit, por me lejet e qëndrimit për punë në SHBA.

Kryeministri theksoi se ky vendim lidhet me abuzimet e konstatuara nga autoritetet amerikane, ku shtetas nga këto vende kanë hyrë me viza turistike ose biznesi dhe kanë qëndruar për të punuar në kundërshtim me rregullat.

Ai akuzoi kritikët për përhapje të qëllimshme të lajmeve të rreme, duke shtuar se këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dhe në fund, për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë.

Kjo është e pavërtetë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm.

Pra, do të humbin thellë e më thellë dhe do të hidhen përpjetë lart e më lart.”, tha Rama.

 

Rama: Qeveria dhe grupi parlamentar të fokusuar te sfidat e vitit politik 2026

18 January 2026 at 09:42

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim”, deklaroi se mbledhja maratonë e qeverisë dhe ajo e grupit parlamentar kishin si qëllim përcaktimin e prioriteteve të vitit politik 2026.

Ai theksoi se fokusi i qeverisë ishte vijimësia e programit dhe kalendari i zbatimit sipas sektorëve, ndërsa grupi parlamentar u përqendrua në rritjen e kapaciteteve për negociatat me Bashkimin Evropian.

Rama nënvizoi nevojën për më shumë koordinim, organizim dhe përqendrim, duke e cilësuar procesin e integrimit në BE si historik dhe gjithnjë e më të vështirë për shkak të volumit të madh legjislativ.

Megjithatë, ai shprehu besim se shumica qeverisëse dhe grupi parlamentar do ta përballojnë me sukses këtë sfidë.

“Në shënimet e këtyre ditëve, në krye qëndrojnë mbledhja maratonë e qeverisë, një traditë e fillimit të vitit, dhe një mbledhje maratonë e grupit parlamentar. Të dyja këto takime kanë synuar vendosjen e piketave të vitit politik 2026 dhe, ndërkohë që për sa i takon mbledhjes së qeverisë puna ka qenë një punë e fokusuar te vazhdimësia, te programi dhe kalendari i zbatimit të tij sipas sektorëve, në takimin e grupit parlamentar jemi fokusuar te domosdoshmëria për të rritur kapacitetin në funksion të negociatave. Që do të thotë më shumë koordinim, më shumë ndërveprim, më shumë organizim dhe, mbi të gjitha, më shumë përqendrim te ky objektiv historik dhe strategjik për Shqipërinë.

Është e qartë dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë shumicën qeverisëse, për cilindo dhe cilëndo që është në pararojën e Partisë Socialiste, duke qenë në nivelin më të lartë të përfaqësimit, se ky proces është një proces që do të vijë duke u vështirësuar, jo më vit pas viti, por muaj pas muaji, pasi kemi të bëjmë me një volum legjislativ që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës të Republikës së Shqipërisë, nga konsultimi publik te qeveria dhe pastaj te parlamenti.

Por unë jam besimplotë dhe jam i bindur që grupi ynë parlamentar do të jetë në lartësinë e kësaj sfide, ndërkohë që kemi folur edhe për aspekte të tjera, duke dëgjuar raportimet e të gjithë komisioneve dhe njëkohësisht duke u përqendruar te disa pika kyçe.

Këto pika kyçe kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për të rritur kapacitetin edhe në funksion të informimit të publikut, për të rritur komunikimin me, në radhë të parë, anëtarësinë dhe mbështetësit e Partisë Socialiste dhe për të rritur intensitetin e betejës me frontin e gjerë të dezinformimit që shtrihet në të gjitha 700 tenxheret politike e mediatike, të cilat bubullojnë e gërgërojnë përditë, ditë e natë, por do ta kenë të pamundur të na ndalin në këtë rrugë pa kthim drejt Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”, tha  Rama/abcnews.al

Shiste kanabis/ Fier, hetimi disa mujor “fundos” 31-vjeçarin

18 January 2026 at 09:26

FIER- Policia e Fierit pas një hetimi 6-mujor me metoda speciale ka arrestuar një 31-vjeçar, i cili shiste lëndë narkotike kanabis në doza në qytet.

Gjatë kontrollit të banesës, të riut iu gjet dhe iu sekuestruan doza kanabisi gati për shitje.

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al

Kërcënimi i Trump me tarifa për Groenlandën, konsiderohet “i papranueshëm” për Evropën

18 January 2026 at 09:08

Kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë vendeve aleate që kundërshtojnë planin e tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës ka nxitur reagime të ashpra nga liderët evropianë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, e ka cilësuar këtë veprim si “plotësisht të gabuar”, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka quajtur atë “të papranueshëm”.

Këto reagime kanë ardhur pasi Trump njoftoi se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi një tarifë prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda. Ai ka paralajmëruar se tarifat mund të rriten më vonë deri në 25 për qind dhe do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje.

Trump ka insistuar se territori autonom danez i Groenlandës është kyç për sigurinë e SHBA-së dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së tij edhe me forcë.

Pas këtyre kërcënimeve, Bashkimi Evropian ka thirrur një takim urgjent për të dielën në orën 17:00 në Bruksel. Sipas mediave të huaja, në takim do të marrin pjesë ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së.

Ndërkohë, të shtunën, mijëra qytetarë kanë protestuar në rrugët e Groenlandës dhe Danimarkës kundër planit të propozuar amerikan për marrjen nën kontroll të territorit.

Groenlanda ka një popullsi të vogël, por është e pasur me burime natyrore. Pozita e saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë strategjikisht të rëndësishme për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast sulmesh raketore dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.

Trump ka deklaruar edhe më herët se Uashingtoni do ta marrë Groenlandën “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.

Letra e plotë e Trump për Ramën/ Kryeministri: Do bëj gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë

18 January 2026 at 08:16

TIRANË- Shqipëria do të jetë anëtare e Bordit të Paqes për administrimin e Gazës.

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka ftuar kryeministrin Edi Rama për t’iu bashkuar kësaj strukture si anëtar themelues, një akt që jo vetëm rikonfirmon partneritetit mes dy shteteve, por i jep fund zhurmnajës së opozitës për raportet e prishura mes Tiranës dhe Washingtonit.

Kryeministri Rama ndau me ndjekësit në rrjetet sociale, ftesën e Presidentit Donald Trump. Në letrën shoqëruese, Rama thekson se do të bëjë gjithçka për të lartësuar ermin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Dhe me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falenderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve, ju uroj të diel të qetë”, shkruan Rama.
Ftesa e Presidentit të SHBA:
16 Janar, 2026
Shkëlqësia e Tij
Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
Tiranë
I nderuar Kryeministër,
Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!
Më 29 shtator 2025, shpalla Planin Gjithëpërfshirës për fundin e konfliktit në Gaza, një plan veprimi me 20 pika, i mbështetur menjëherë nga të gjithë Udhëheqësit Botërorë, përfshirë edhe Krerët kryesorë në Botën Arabe, Izrael, dhe Europë. Në vijim të këtij Plani, më 17 Nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë mbizotëruese Rezolutën 2803, duke mirëpritur dhe mbështetur këtë plan.
Tani është koha që t’i kthejmë gjithë Ëndrrat në realitet. Bordi i Paqes është në zemër të këtij Plani dhe ky është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore.
Arritja jonë sjell së bashku një grup kombesh të dalluara që janë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të PAQES së PËRHERSHME, një Nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembullin e tyre, dhe të përkushtohen me mjeshtëri për një të ardhme të sigurtë e të begatë për brezat që do të vijnë. Në një te ardhme të afërt, ne do t’i mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm e të përkushtuar, shumica e të cilëve janë Udhëheqës Botërorë shumë të respektuar.
Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ezistuar diçka e ngjashme me të! Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Bashkëngjitur gjeni Planin Gjithëpërfshirës, dhe Statutin e Bordit, i cili tani është i disponueshëm për nënshkrimin tuaj dhe ratifikimin.
Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të PAQES BOTËRORE, MIRËQËNIES, DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!
Me urimet më të mira, Unë jam,
Sinqerisht,
𝗗𝗢𝗡𝗔𝗟𝗗
DONALD J. TRUMP
PRESIDENT I REPUBLIKËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

“Gjak kudo”, iraniani që iku nga vendi tregon për shtypjen brutale të protestuesve

18 January 2026 at 08:07

Farzat nuk kishte ndërmend kurrë të bëhej shofer taksie. Ndërsa studionte drejtësi në Teheran, ai u përfshi në politikë. Atëherë filluan problemet e tij, tregoi ai për CNN. Ai tha se u arrestua dhe u burgos katër herë gjatë nëntë viteve të fundit, dhe së fundmi po përballej me një akuzë për “kontakt me një shtet armiqësor”. Ai e mohoi akuzën, e cila mbart një dënim me shtatë vjet burg.

“Pashë forcat e regjimit duke qëlluar mbi njerëzit me plumba të vërtetë”, kujton Farzat. “Plumbat qëlloheshin kryesisht në bark dhe poshtë në organet gjenitale. … Pashë gjak në rrugë dhe tre trupa të vdekur brenda një udhëtimi prej 15 minutash me makinë. Të shtënat më intensive ishin më 8 dhe 9 janar”, shtoi ai.

Farzat nuk është emri i tij i vërtetë. Ai foli me kusht që CNN mos e tregonte fytyrën e tij dhe të përdorte vetëm pseudonimin që ai kishte dhënë nga frika e hakmarrjes.

Ai është në të 30-at dhe nga pakica kurde e Iranit, e cila përbën rreth 10% të popullsisë. Ai vjen nga Irani lindor, por ka jetuar për vite me radhë në zonën e Teheranit. Me Iranin që ka pothuajse 10 ditë që ka rënë në një ndërprerje pothuajse të plotë të internetit dhe telekomunikacionit dhe gazetarëve ndërkombëtarë nuk u është dhënë qasje në vend — rrëfimet e njerëzve si Farzat janë thelbësore në përpjekjen për të kuptuar ngjarjet në Iran.

Ai tha se mori pjesë në valën e protestave që tronditën Iranin në vitin 2022 pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini. Ai kujtoi se goditja qeveritare atëherë ishte brutale, por është e zbehtë në krahasim me trazirat e fundit .

“Forcat e sigurisë fillimisht përdorën plumba gome në vitin 2022. Këtë herë ata filluan të qëllonin drejtpërdrejt mbi protestuesit me plumba të vërtetë”, tha ai.

“Në një rrugë të vogël në Karaj, forcat e sigurisë vranë të paktën gjashtë protestues, si dhe një grua të re që u qëllua dhe u vra ndërsa këndonte nga ballkoni i saj”, shtoi ai.

Sipas një rrëfimi të një dëshmitari okular të raportuar nga Amnesty International , një spital në Karaj mori më shumë se 80 trupa natën e 8 janarit. Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA, gati 3,000 njerëz janë vrarë në të gjithë vendin që nga fillimi i shtypjes nga Irani.

Greqi, zbulohen thesare 2 000-vjeçare në një tempull antik

18 January 2026 at 08:02

Në ishullin grek Evia, arkeologët kanë zbuluar një tempull 2 000-vjeçar pranë Tempullit të Amarysisë Artemis, që përmbante ar, bizhuteri dhe thesare të tjera të çmuara, sipas “The Independent”.

Tempulli, i ndërtuar mbi themele guri në tokë të lagur, daton nga shekulli VII para Krishtit  dhe është zbuluar nga një ekip prej 50 studiuesish.

Brenda tij, janë gjetur struktura të shumta që mund të kenë shërbyer si altare, përfshirë një altar të veçantë në formë patkoi, dhe shtresa të dendura hiri me kocka të djegura.

Artefaktet përfshijnë vazo korinthiane dhe atike, bizhuteri prej ari, argjendi dhe korali, si dhe figurina bronzi nga periudha gjeometrike që paraqesin dem dhe dhi.

Ministria greke e Kulturës njoftoi gjithashtu se janë gjetur mure të mëdha të Epokës së Bakrit, të cilat i përkasin sistemit të fortifikimit të një vendbanimi parahistorik.

Zbulimi tregon se ky kult kishte rrënjë që shtriheshin menjëherë pas përfundimit të periudhës mikenase.

“Forbes”: Shqipëria, destinacioni i ardhshëm i jahteve luksoze në Mesdhe?

18 January 2026 at 07:42

Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë? Vendi ballkanik ofron të gjitha pasuritë natyrore të fqinjëve të tij të bukur – madje duke rivalizuar Greqinë dhe Malin e Zi – me ujerat e kristalta dhe bregdetin me diell, sipas një artikulli të botuar në “Forbes”.

Shqipëria, ndodhet në një pozicion të përkryer, për të përfituar nga sezoni i jahteve mesdhetare, megjithatë mbetet ende jashtë radarit të industrisë.

“Shqipëria, vazhdon të jetë ende një destinacion shumë i veçantë”, tha Irini Sarantis, drejtoresha digjitale e IYC, IYC – Kompania Ndërkombëtare e Jahteve (që rezervon rreth 30 javë udhëtime me qira në Shqipëri çdo vit).

“Kjo përbën 0,27% të biznesit të saj mesdhetar, një statistikë që i atribuohet kryesisht, mungesës së zhvillimeve luksoze. Por, kjo do të ndryshojë së shpejti”, tha Filip Jerolimov, nga kompania “Partner Global” në IYC.

Vitin e kaluar, zyrtarët shqiptarë zbuluan planet për ta transformuar Shqipërinë në destinacionin e ardhshëm të superjahteve.

Strategjia e tyre detare, e mbështetur nga investitorë privatë, do të sjellë një rrjet marinash të ndërlidhura të varura përgjatë bregdetit, duke krijuar një pikë tërheqëse për jahtet gjatë sezonit, në Mesdhe.

Dizajneri italian i jahteve, Luca Dini është ngarkuar me projektin monumental, të cilin ai e tha se ishte shumë emocionues, por me shumë përgjegjësi në një intervistë për “Zoom”.

“Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku ende mund të zhvillohet në një shkallë të gjerë. Është një fletë e bardhë. Sa njerëz mund të thonë se ndihmuan në ndërtimin e një vendi?”, tha projektuesi.

Dini nuk gabohet. “Zhvillimi i infrastrukturës publike të Shqipërisë është gati 70% më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian”, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndërsa financuesi privat, “Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” i listoi përmirësimet e infrastrukturës si një fokus jetësor në strategjinë e saj 2025-2030 për vendin.

Projekti ambicioz do të shndërrojë disa kilometra vijë bregdetare – në një marinë dhe kompleks turistik, duke përfshirë fusha sportive, për meditim, yoga dhe mundësi për lutje dhe adhurim, ndërsa u ofron vizitorëve mundësinë të njihen me kulturën tradicionale dhe ushqimin vendas.

Është një nga pesë zhvillimet në të cilat Dini po punon në Shqipëri, duke përfshirë një vendbanim në kryeqytetin e Tiranës, të frymëzuar nga Kopshtet e Varura të Babilonisë, dhe një ndërtesë shumëfunksionale, në Durrës, të kompletuar me hotel luksoz.

Sipas Dini, çelësi për të zhbllokuar bregdetin e Shqipërisë është logjistika e tij.

“Ky vend është një vrimë e zezë pranë Greqisë. Pronarët e jahteve nuk kanë një vend për të vënë një spirancë, kështu që ata refuzojnë të shkojnë. Është një keqardhje e madhe, sepse është vërtet bukur atje. Pra, kjo është një gjë e madhe që po përpiqemi ta ndryshojmë”, tha ai.

Rrjeti i marinës do të ndajë burimet për të përmirësuar efikasitetin logjistik, me përfitimin shtesë të shpërndarjes së ndikimit mjedisor dhe rritjes ekonomike përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Gjithashtu, ka pasur bisedime për të zhvilluar objekte të reja shërbimi, që synojnë industrinë e jahteve, siç janë kantierët e riparimit, furnizuesit e jahteve, stacionet e riparimit dhe zonat e furnizimit me karburant, me cilësi të lartë.

Megjithë këtë investim, Dini këmbëngul se zhvillimi do të jetë në dobi të vendasve dhe njëkohësisht të vizitorëve të pasur.

“Ne nuk po krijojmë Porto Cervo ose Cote d’Azur. Ky projekt është ndërtuar duke pasur parasysh popullsinë shqiptare, kështu që do të ketë hostele me dy yje pranë hoteleve me pesë yje”, shtoi ai.

Dini synon që resorti të jetë “i padukshëm” nga deti, i nxitur nga një respekt për topografinë e vendit, si dhe nga dëshira e tij estetike, si projektues.

Sipërfaqja e ndërtesave ishte një tjetër pikë bisede dhe fërkimi – midis Dinit dhe investitorëve.

“Ne kemi luftuar për të ruajtur një dendësi shumë të ulët. Plani është që gjithçka të jetë diskrete dhe me shumë hapësirë”, tha Dini.

Rezultati është një koleksion ndërtesash, shumë larg qendrave të grumbulluara në Port Hercule ose Bahia Mar.

Kompania ka zgjedhur çati të mbuluara me bimë që ndjekin kthesat e maleve të Shqipërisë, mbi 75% e vendit është malore – dhe shkrihen në kodrat pas, të cilat janë të mbushura me ullinj dhe bimësi të ndryshme.

Terrakota (e cila do të printohet në 3D) është përfshirë gjithashtu për të nderuar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, por në një mënyrë që shmang konsumimin ose transportimin e materialit vendas për hir të qëndrueshmërisë.

Shumica e projekteve të Dini janë planifikuar të nisin në pak më shumë se pesë vjet.

Pasi kjo të ndodhë, projektuesi është i bindur se Shqipëria do të fitojë njohje të konsiderueshme në hartën e Mesdheut.

“Pronarët vazhdojnë të më pyesin se kur do të jenë gati marinat. Ka shumë kuriozitet për vendin”, tha ai.

“Projekti hap itinerare dhe rrugë të reja, ku Shqipëria mund të kombinohet me Malin e Zi, Kroacinë dhe madje edhe Venedikun. Mundësitë janë emocionuese”, shtoi ai.

Edicioni i parë i Panairit Detar të Ballkanit u mbajt në Vlorë vitin e kaluar, i vetmi panair i dedikuar anijeve në Shqipëri, ndërsa “Durrës Yachts and Marina”, një projekt prej 2,5 miliardë dollarësh – i udhëhequr nga projektuesi i pronave “Eagle Hills” në Abu Dhabi – ka qenë pjesërisht funksional që nga marsi i vitit 2025.

Shqipëria e re, siç e quan Dini, thuhet se do të jetë gati në vitet e ardhshme. Nëse ka sukses, vendi mund të zëvendësojë Detin e Kuq Saudit, si qendrën e ardhshme të madhe të jahteve.

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

18 January 2026 at 07:15

Edhe për ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në zonën veriore e lindore të vendit

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 14 m/s.

Valëzimi në det pritet të jetë i forcës 1-2 ballë./abcnews.al

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

18 January 2026 at 07:10

Dashi

Shqisa e gjashte do te jete ajo qe do t’iu udhëheqë sot. Sot është momenti qe mund t’i besoni verbërisht zërit te brendshëm, qe sot do te përfaqësohet nga Hëna, e cila sot është prezent ne aspektin harmonik me shenjen e Ujorit, dhe din saktësisht se ku t’iu çojë

Demi

Hyrja e Venusit ne shenjen e Virgjëreshës do t’iu beje qe te vlerësoni edhe me shume cilësitë e njeriut me te dashur. Ka ende disa elemente qe do te shihni ne te dhe qe do t’iu mbushin zemrën me kënaqësi duke ju dhënë njëkohësisht mundësinë te kuptoni qe edhe gjerat e vogla janë ne gjendje te bëjnë diferencën

Binjaket

Suksesi sot do te jete veçse një hap larg jush dhe nuk do te jete e nevojshme te bëni as edhe një gjë tjetër për tu ndiere plotësisht te qete dhe te realizuar. Prezenca e Hënës ne shenjen e Ujorit do t’iu inkurajoje qe te kaloni një dite ku buzëqeshja do te jete e pranishme ne fytyrën tuaj

Gaforrja

Venusi qe sot është prezent ne shenjen tuaj mike te Virgjëreshës, sot do te dëshironte qe tu shihte te relaksuar dhe te qete. Përkushtojani këtë dite aktiviteteve qe i bëjnë mire shpirtit dhe trupit, dhe qe do t’iu ndihmojnë te tregoni te gjitha aftësitë tuaja krijuese, qe zakonisht i mbani te ndrydhura

Luani

Emocionet do t’iu bëjnë qe gjate ditës se sotme te ndjeheni pak te turbullt. Sot do te ndjeheni sikur e keni humbur kontrollin e situatës, kjo për shkak te kundërshtimit te Hënës ne shenjen e Ujorit. Kjo me se shumti do te jete e lidhur me anën tuaj emocionale dhe qe është e shkaktuar nga forca ne dukje misterioze

Virgjeresha

Sot është dita kur nuk do te dëshironit te kënaqnit personat qe duan t’iu imponojnë këndvështrimin e tyre për gjera te ndryshme. Me Marsin dhe Saturnin ne harmoni me shenjen e Akrepit, do te dini te shprehni mendimet tuaja ne një mënyrë te vendosur dhe pa lëkundur, duke qene njëkohësisht shume te sigurt ne ato qe thoni

Peshorja

Merkuri qe gjendjet ne shenjen tuaj ju fton qe te gjeni kohen për tu kënaqur sa me shume sot. Sot do te njihni shume persona interesante qe do te ndihmojnë me pikëpamjet e tyre, ndonëse te ndryshme nga tuajat, te zgjeroni horizontin tuaj kulturor.

Akrepi

Sot do te jeni te tërhequr nga situata te vështira, dhe kjo fale ndikimit jo harmonik te Hënës ne shenjen e Ujorit. Nuk do te jeni ne gjendje te përmbaheni dhe do te përfundoni ne situata te komplikuara sikur te ishit kamikaz te vërtetë. Sot nuk do te keni dëshirën qe te dëgjoni asnjeri, as një këshillë

Shigjetari

Sot ndikimi pozitiv i Hënës ne shenjen e Ujorit do te beje te mundur te çojë qe ta kaloni sot ditën me kënaqësi te cilën nuk e keni përjetuar prej kohesh. Sot do te lëvizni me shume gjallëri dhe do te jeni te shpenguar ne marrëdhëniet me te tjerët, madje duke marre edhe rolin e ndërmjetësit ndërmjet miqve tuaj

Bricjapi

Sot do te ndjeheni pa busull, te çorientuar, por nuk është vendi për tu shqetësuar. Prania e Merkurit ne shenjen e Peshores do te mund te sjelle diskutime, por qe me kalimin e kohës do te gjeni mirëkuptimin dhe sqarimin e disa heshtjeve te mbetura pezull prej kohesh

Ujori

A jeni sot gati te provoni disa emocione? Sot zemra do t’iu rrahe fort, fale kjo edhe ndikimit pozitiv te Hënës ne shenjen tuaj. Ndaj përqendrojuni ne dashurinë tuaj pa menduar për pasojat e mundshme qe mund te krijohen ne te ardhmen. Shijoni te sotmen

Peshqit

Dielli dhe Venusi ne shenjen e Virgjëreshës, nuk janë ne harmoni dhe nuk mund te keni garancinë e një te hëne te qete. Disa plane qe keni bere qe me pare, me shume gjasa do te jeni te detyruar t’i kaloni, por jo për fajin tuaj, por për faj te dikujt tjetër dhe qe do te pasohet me nervozizmi nga ana juaj.

 

Yesterday — 17 January 2026Main stream

Kontrata 6 milionëshe e lobimit në SHBA/ Beqiri: Sali Berisha ka përdorur paratë e shqiptarëve, SPAK për “21 janarin” po…

16 January 2026 at 23:51

TIRANË- Dokumente te publikuara ne shtetet e bashkuara tregojnë se kontrata lobuese 6 milionë dollarëshe për heqjen e “non gratës” së Sali Berishës, është paguar direkt nga Partia Demokratike dhe jo nga një fondacion shqiptaro-amerikan në New Jersey.

Dokumenti i bërë publik nga aktivistja Evi Kokalari, nxjerr zbuluar selinë blu, e cila ka bërë një tjetër deklarim publik dhe ne KQZ.

I ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, avokati Idajet Beqiri bëri akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e fondeve të përdorura për pagesën e kontratës lobuese.

Gjatë diskutimit në studio, avokati i bëri thirrje SPAK që të ndërpresë, sipas tij, fijet e korrupsionit që lidhen me Berishën. Avokati pretendoi gjithashtu se Berisha u ka dhënë koncesione hidrocentralesh në favor të fëmijëve të tij dhe e akuzoi atë për lobime kundër integrimit europian të Shqipërisë.

“Berisha, që kur e sollën serbët në pushtet, i ka konsideruar shqiptarët si skllevër. Këto janë të shqiptarëve, janë paratë e grabitura, janë paratë që Berisha ka vjedhur vazhdimisht. Fijet e korrupsionit në PD nuk janë prerë. Nga u gjetën paratë që iu paguan La Civita? SHBA nuk pajtohet me krimet e jashtëzakonshme që ka bërë Sali Berisha në këtë vend, si korrupsioni dhe vrasjet. Po hetohet Berisha dhe familja e tij.

SPAK duhet t’ia shkëpusë fijet e korrupsionit Sali Berishës. Berisha i ka dhënë koncesione të hidrocentraleve fëmijëve të tij. Berisha lobon për të mos u futur në Bashkimin Evropian. Kemi të bëjmë jo vetëm me krim kombëtar, por edhe me krim ndërkombëtar. Opozitën shqiptare e kemi në duar të serbëve. Po vuajmë nga krimet e Sali Berishës, sepse nuk janë prerë fijet e korrupsionit të Sali Berishës. SPAK nuk po heton”, tha ai.

Ai tha se populli shqiptar po vuan  pasojat e korrupsionit dhe krimit të kryer nga Sali Berissha.  Ai u ndal edhe tek krimi shtetëror i 21 janari, ndërsa tha se SPAK nuk po tregon interesin e duhur për ta zbardhur.

“Po vuajmë nga krimet e Sali Berishës, sepse nuk janë prerë fijet e korrupsionit të Sali Berishës. SPAK nuk ka asnjë interes për të hetuar 21 Janarin. SPAK po shkel vendimin e Gjykatës së Strasburgut. SPAK, deri tani, është kthyer në vegël. 21 Janari është plaga më e rëndë shtetërore.”, theksoi ai./abcnews.al

SHBA ftohet të marrë pjesë në manovrat ushtarake në Groenlandë

16 January 2026 at 23:24

Shtetet e Bashkuara janë ftuar të marrin pjesë në manovrat ushtarake në Groenlandë, tha kreu i Komandës Daneze të Arktikut duke specifikuar se këto manovra lidheshin me Rusinë.

“Sigurisht, Shtetet e Bashkuara, si anëtare e NATO-s, janë të ftuara këtu”, tha gjenerali Soren Andersen gjatë një interviste me gazetarët në një anije të marinës daneze, e ankoruar në portin e Nuuk, kryeqytet i Groenlandës.

Oficeri danez tha se kishte folur po atë ditë me aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe i kishte ftuar ata të “vijnë këtu”.

Ai i bëri këto komente ndërsa disa vende evropiane të NATO-s, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, por jo Shtetet e Bashkuara, dërguan disa dhjetëra ushtarë në Grenlandë për të përgatitur forcat e tyre të armatosura për manovrat e ardhshme në Arktik.
Shumë ekspertë e shohin këtë si një sinjal strategjik për Uashingtonin.

Shtëpia e Bardhë ka pohuar se ky vendosje trupash nuk do të ketë “asnjë ndikim” në objektivin e Donald Trump për “blerjen” e Groenlandës.
“Për mua, kjo lidhet me Rusinë. Ka të bëjë me atë që po ndodh në Ukrainë”, tha gjenerali danez në lidhje me manovrat.

“Ne shohim se si Rusia po e zhvillon luftën në Ukrainë dhe kur lufta në Ukrainë të mbarojë – shpresojmë me një rezultat të favorshëm për Ukrainën – ne besojmë se Rusia do t’i rishpërndajë burimet që po përdor aktualisht në Ukrainë në zona të tjera operacionesh, përfshirë Arktikun”, shtoi ai.

Donald Trump këmbëngul se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për sigurinë e tyre kombëtare dhe për të frenuar përparimet e Rusisë dhe Kinës në Arktik.

Merz: Evropa të jetë më e pavarur strategjikisht nga SHBA

16 January 2026 at 22:51

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Evropa duhet të bëhet më strategjikisht e pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke paralajmëruar kundër rrezikut që kontinenti të lihet mënjanë në një rend botëror që po ndryshon.

Duke folur gjatë një takimi për fushatën zgjedhore lokale në landin e Baden-Württembergut, Merz tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po largohen nga një rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla dhe po lëvizin drejt një qasjeje më të bazuar në forcë.

“Ne nuk duhet të fusim kokën në rërë ose të përpiqemi të mbijetojmë në ndonjë qoshe”, tha Merz.

“Kjo lloj llogaritjeje nuk funksionon”, theksoi ai.

“Për t’u respektuar, Gjermania duhet të mësojë të mbrojë interesat e saj”, shtoi Merz.

Before yesterdayMain stream

Zelensky: Rusia po përgatit sulme të reja masive ndaj Ukrainës

16 January 2026 at 22:11

Duke gjykuar nga të dhënat e fundit të inteligjencës ukrainase, Rusia po përgatit sulme të reja masive ndaj Ukrainës, tha sot Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Po flasim sinqerisht me partnerët tanë për raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore që na nevojiten kaq shumë.” Furnizimi nuk është i mjaftueshëm. Po përpiqemi të përshpejtojmë dhe është e rëndësishme që partnerët tanë të na dëgjojnë. Shumë gjëra po bëhen tani në nivelin e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës”, tha Zelensky gjatë fjalimit të tij të rregullt në mbrëmje, raporton Ukrinform.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Ukrainës që të jenë të vëmendshëm dhe të dëgjojnë paralajmërimet për sulme ajrore. Sipas tij, qeveria po punon me kompanitë e energjisë dhe partnerët për të pasur më shumë pajisje dhe më shumë rezerva.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha sot se delegacioni ukrainas është duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të diskutuar garancitë e sigurisë dhe një paketë masash për të forcuar përparimin e vendit.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu shpresën se dokumentet mbi këto çështje mund të nënshkruhen në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme.

Në një konferencë për shtyp në Kiev, Zelensky tha gjithashtu se delegacioni ukrainas shpreson të marrë sqarime nga SHBA-të mbi qëndrimin e Rusisë ndaj përpjekjeve diplomatike të mbështetura nga Amerika për t’i dhënë fund luftës.

Të hënën, duke njoftuar takimin, Zelensky tha se dëgjoi raportin e detajuar të ekipit negociator mbi kontaktet me palën amerikane dhe urdhëroi finalizimin e dokumentit mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Ndryshimet fiskale në 2026/ Eksperti kontabël: Paqja fiskale është nismë pozitive

16 January 2026 at 20:54

TIRANË- Eksperti kontabël Edvin Stefani e vlerëson si pozitive nismën e “paqes fiskale”, të parashikuar në kuadër të ndryshimeve fiskale për vitin 2026, duke theksuar se ajo i përgjigjet sfidave aktuale ekonomike dhe procesit të integrimit europian.

I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Stefani u shpreh se ndryshimet janë të nevojshme kur kushtet e kohës e kërkojnë një gjë të tillë. Sipas tij, në pamje të parë dhe nëse zbatohet siç duhet, paqja fiskale përbën një hap pozitiv.

Eksperti theksoi se kjo nismë duhet të shoqërohet me rregulla të detajuara dhe të qarta, ndërsa paralajmëroi se nuk duhet të kthehet në praktikë të shpeshtë.

Sipas tij, paqja fiskale është ndërmarrë në një moment kur të ardhurat buxhetore janë rritur dhe ka suficit në buxhet.

“Unë jam pro ndryshimeve që shkojnë për sfidat e kohës. Nëse ne kemi sfida të kohës, ndryshimi është i nevojshëm. Në pamje të parë, ashtu siç mund të zbatohet, paqja fiskale është pozitive. Unë jam për një sistem.

Unë jam për rregulla të formalizuara, të barabarta për të gjithë. Paqja fiskale është një dorë e qeverisë, e cila u thotë bizneseve “formalizohuni”. Jemi duke hyrë në BE, por hyrja në BE, në aspekti fiskal do kemi një formalizim shumë të madh.Duhet të ketë një rregull të detajuar.  Jam pro, por jo të përsëritet shpesh. Nisma u mor pas rritjes së të ardhurave në buxhet. Pra ka suficit buxhetor”, tha ai.

Stefani pranoi gjithashtu se informaliteti është një fenomen i pranishëm kudo dhe lidhet me natyrën njerëzore, por theksoi se lufta ndaj evazionit fiskal duhet të fokusohet në krijimin e pritshmërive afatgjata për biznesin.

“Ne duhet të pranojmë që informaliteti është pjesë e natyrës njerëzore. Nuk i kemi shpikur ne. Lufta ndaj evazionit është që ti bëjmë biznesmenët me pritshmëritë afatgjata. Këto ndikojnë tek biznesmenët me pritshmëritë afatgjata për të luftuar informalitetin”, tha ai.

VIDEO/ BKH dhe Policia kontrolle në një pallat në Tiranë, hetime të përbashkëta Shqipëri-Itali

16 January 2026 at 18:56

TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Policia e Shtetit kanë ushtruar kontroll në një godinë për shkak se se dyshohet se ushtrohej “call center” i paligjshëm.

ABC News mëson se hetimi po kryhet në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Aktualisht nuk ka ende të dhëna se çfarë mund të jetë gjetur nga kontrollet e kryera./abcnews.al

 

“Në pranverë, anëtarësime të reja në PS”, Rama për kundërshtarët: Në 2027 do habiten kur të mbeten dhe pa ato 6 bashki që kanë sot

16 January 2026 at 18:36

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi anëtarësime të reja në Partinë Socialiste.

“Në asamblenë e radhë do të lançojmë dhe fushatën e re të anëtarësimeve në PS, që do jetë, sepse ene e kemi bërë gjithmonë, që do jetë fushat e pranverës, sepse kur të tjerët merren me humbjen e shkuar, ne merremi me fitoren e radhës.

Kemi zgjedhjet në 2027 dhe nëse gjërat do vazhdojnë kështu dhe nëse ata do vazhdojnë të besojnë se ne do biem nga shiu, nga dëbora apo nga proceset e drejtësisë, rruga e të cilave është hapur dhe garantohen prej nesh, ata le të jetojnë me këtë shpresë, se në 2027 do habiten kur të mbeten dhe pa to 5 apo 6 bashki që i kanë sot”, tha ai.

❌
❌