TIRANË, 10 janar /ATSH/ KF Shkëndija ka njoftuar largimin e mesfushorit Klisman Cake, një nga figurat kyçe të skuadrës në periudhën e fundit, duke e vlerësuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë katër viteve dhe pesë sezonesh jo të plota me kuqezinjtë.
Cake iu bashkua Shkëndijës në janar 2022 dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi 133 paraqitje zyrtare (106 në kampionat, 3 në Kupë dhe 24 në arenën evropiane), duke shënuar 12 gola dhe duke kontribuar në fitimin e titullit kampion dhe suksesin historik evropian të klubit.
Lojtari u shqua edhe për besimin dhe korrektësinë, pasi pas titullit kampion të verës së kaluar kishte mundësinë të largohej si lojtar i lirë, por zgjodhi të rinovonte për një sezon tjetër, duke ndihmuar Shkëndijën të arrinte kualifikimin historik në fazën kryesore të UEFA Conference League.
KF Shkëndija falënderon Klisman Caken për kontributin e tij dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës te Akhmat Grozny dhe më tej, duke e konsideruar pjesë të pandashme të gjeneratës historike të klubit.
Klisman Cake ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi zyrtarisht është transferuar te klubi rus Akhmat Grozny. KF Shkëndija dhe mbrojtësi kuqezi kanë mbyllur bashkëpunimin katërvjeçar, pas aktivizimit të klauzolës së largimit nga ana e klubit rus, njofton Telegrafi.
Në respekt të dëshirës së futbollistit për të bërë hapin e radhës në karrierë dhe për të provuar një sfidë të re ndërkombëtare, Shkëndija bashkëpunoi në realizimin e këtij transferimi, duke përfituar edhe një dëmshpërblim financiar.
Largimi i Cakes vjen si një histori korrektësie dhe besimi të ndërsjellë mes lojtarit dhe klubit. Pas fitimit të titullit kampion, verën e kaluar ai ishte lojtar i lirë dhe kishte mundësinë të largohej pa asnjë përfitim për Shkëndijën, por zgjodhi të rinovojë edhe për një sezon tjetër. Kontributi i tij ishte i rëndësishëm në suksesin historik evropian të kuqezinjve, ndërsa sot largohet duke i sjellë përfitim klubit që i dha besimin dhe hapësirën.
Klisman Cake iu bashkua Shkëndijës në janar të vitit 2022 dhe për katër vite e pesë sezone jo të plota ishte pjesë e pandashme e skuadrës. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi titullin kampion dhe regjistroi gjithsej 133 paraqitje zyrtare, prej tyre 106 në kampionat, tri në Kupë dhe 24 në garat evropiane, duke shënuar 12 gola.
Cake do të mbetet pjesë e gjeneratës historike të Shkëndijës që realizoi ëndrrën e kualifikimit në fazën kryesore të një kompeticioni evropian, konkretisht në UEFA Ligën e Konferencës.
KF Shkëndija e falënderon Klisman Caken për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë ndër vite, duke i uruar shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij te Akhmat Grozny dhe më tej. /Telegrafi/
Pas afrimeve të Fahd Dzengue dhe Drilon Islamit, KF Shkëndija ka zyrtarizuar edhe dy largime brenda së njëjtës ditë, duke mbyllur bashkëpunimin me mesfushorin kosovar Kamer Qaka dhe mbrojtësin strugan Egzon Belica, njofton Telegrafi.
Ndarja me Kamer Qakën është bërë me marrëveshje të përbashkët mes palëve. Mesfushori kosovar ishte pjesë e rëndësishme e kuqezinjve në dy periudha të ndryshme, fillimisht nga janari 2021 deri në janar 2022 dhe më pas nga janari 2023, duke kontribuar në sukseset e klubit dhe duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi dy tituj kampion, në vitet 2021 dhe 2025. Vendimi për ndarje vjen në mirëkuptim të plotë, për t’i dhënë lojtarit më shumë hapësirë për aktivizim të rregullt në vazhdim të karrierës.
Rrugët janë ndarë gjithashtu edhe me mbrojtësin Egzon Belica. Pas diskutimeve mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit, u vlerësua se interesi i përbashkët i të dy palëve është që futbollisti të gjejë një ambient ku do të ketë më shumë mundësi për lojë të vazhdueshme. Belica iu bashkua Shkëndijës në afatin kalimtar të verës së kaluar, në një periudhë kur klubi ishte i angazhuar në tri fronte: kampionat, Kupë dhe UEFA Ligën e Konferencës.
KF Shkëndija ka shprehur mirënjohje për kontributin, profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar nga të dy futbollistët gjatë kohës sa ishin pjesë e klubit, duke u uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tyre, ndërsa dyert e klubit mbeten gjithmonë të hapura për ta. /Telegrafi/
Shkëndija e Tetovës ka përforcuar repartin ofensiv me një nga golashënuesit më të mirë të gjysmës së parë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë po zhvillojnë një afat kalimtar dimëror të fokusuar te futbollistët me përvojë dhe kontribut të menjëhershëm, njofton Telegrafi. Anëtari më i ri i Shkëndijës së Tetovës është Fahd Nzengue, i cili i bashkohet Shkëndijës si lojtar i lirë, pas shkëputjes së kontratës me Brera Strumicën. Sulmuesi nga Gaboni, në gjysmën e parë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, zhvilloi 16 ndeshje dhe realizoi tetë gola, duke u renditur mes realizatorëve më efikasë të kampionatit. Nzengue ishte transferuar te Brera dimrin e kaluar, ndërsa edhe në edicionin paraprak në elitë kishte shënuar gjashtë gola, duke dëshmuar vazhdimësi në paraqitje dhe efikasitet. Në karrierën e tij, Nzengue ka nisur nga Munana në Gabon, ndërsa sfida e parë evropiane për të ishte Tabor Sezhana në Slloveni. Më pas ka qenë pjesë edhe e Primorjes. Pas një periudhe pa klub, në shkurt të vitit të kaluar iu bashkua Brerës, ku riktheu formën e tij më të mirë dhe tani ka siguruar një transferim te kampioni i Maqedonisë.
Nzengue është përforcimi i dytë i Shkëndijës në këtë afat kalimtar dimëror, pas promovimit më herët të Drilon Islamit, i cili erdhi nga radhët e CFR Cluj. /Telegrafi/
Shkëndija gjendet në bilancin e fundit të UEFA-s, paguan gjobë për përdorim të piroteknikës, njofton Telegrafi.
Ekipi i Shkëndijës është përfshirë në bilancin më të fundit të UEFA-s, ku janë shënuar klubet që kanë marrë sanksione në kupat evropiane dhe në ndeshjet kualifikuese në të gjitha garat nën ombrellën e “shtëpisë evropiane të futbollit”.
Për shkak të tifozëve të saj, ekipi nga Tetova do të paguajë një gjobë prej 1.500 eurosh në arkën e UEFA-s. Arsyetimi është përdorimi i piroteknikës në sektorin e mysafirëve. Po ashtu, një gjobë për piroteknikë kanë marrë edhe tifozët e Dritës, dhe klubi do të duhet të paguajë 3.750 euro.
Ndeshja mes Dritës dhe Shkëndijës përfundoi me rezultat 1-0 për ekipin vendas. Më parë, UEFA kishte gjobitur Shkëndijën me 20.000 euro, po ashtu për shkak të përdorimit të piroteknikës dhe mesazheve politike gjatë ndeshjes në Shkup. /Telegrafi/
Drita dhe Shkëndija mbyllën me humbje fazën e ligës në Konference League, por asnjë dramë. Madje, dy skuadrat e shqiptarëve mund të festojnë, pasi me pikët e grumbulluara më parë, siguruan kualifikimin në fazën e play off të turneut, një arritje kjo historike.
Në sfidën e gjashtë, Drita u dorëzua pa kushte në transfertën spanjolle kundër Rayo Vallecano. Spanjollët dominuan, ndërsa pjesën e parë e mbyllën me epërsinë minimale pas golit të Lejun në minutën e 33-të.
Pas pushimit të zotët e shtëpisë vulosën fitoren me dy gola të tjerë. Gumbau dhe Pacha shuan shpresat e skuadrës nga Gjilani, që me 8 pikë e mbylli fazën e ligës në vendin e 20 në zonën e play off.
Në raundin tjetër do të luajë edhe Shkëndija që mori vendin e 22-të me shtatë pikë gjithsej. Në ndeshjen e fundit, skuadra nga Tetova u mund 1-0 në fushën e AEK Larnaka.
Kartoni i kuq i Latifit në pjesën e dytë prishi planet e tetovarëve, që shtatë minuta nga fundi i kohës së rregullt u ndëshkuan nga vendasit. Por kjo ishte një humbje e ëmbël, ndërsa si Shkëndija ashtu edhe Drita duhet të përgatiten tani për raundin tjetër të turneut./abcnews.al
Shkëndija ka shkruar histori duke u renditur në vendin e 22-të në fazën e ligës së UEFA LigëneKonferencës, një pozicion që i siguron kampionit të Maqedonisë së Veriut një kualifikim historik në fazën nokaut të kësaj gare evropiane, njofton Telegrafi.
Tashmë vëmendja është kthyer nga shorti i fazës së radhës dhe, sipas rregullave të UEFA-s, tetovarët kanë dy kundërshtarë të mundshëm për këtë raund.
Goli i shënuar në kohën shtesë nga AEK-u në fitoren ndaj Krajovës rezultoi vendimtar për renditjen finale, duke e ngjitur Shkëndijën në vendin e 22-të. Kjo pozitë i lejoi kuqezinjtë të shmangin një përballje shumë të vështirë me ekipin e Premier League, Crystal Palace.
Skuadrat e renditura në vendet 22 dhe 23, Shkëndija dhe KuPS-i finlandez, në fazën e ardhshme do të përballen me Samsunspor-in nga Turqia ose Lech Poznan-in nga Polonia. Shorti do të përcaktojë nëse kampioni ynë do të udhëtojë drejt Turqisë apo Polonisë në vazhdimin e kësaj aventure evropiane.
Në rast se Shkëndija arrin ta kalojë këtë pengesë të parë, atëherë sipas “skemës” së UEFA-s, në raundin pasues e pret një tjetër sfidë e madhe, përballë njërës nga këto dy skuadra: Rayo Vallecano ose Shakhtar Donetsk.
Një rrugëtim evropian që tashmë ka hyrë në histori, por që për Shkëndijën duket se ende nuk ka përfunduar. /Telegrafi/
Edhe pse u mposht minimalisht në transfertë nga AEK Larnaca me rezultat 1-0, kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, ka arritur një sukses historik duke siguruar kualifikimin në “play-off”-in e UEFA Ligën e Konferencës, njofton Telegrafi.
Falë rezultateve të favorshme në ndeshjet e tjera, tetovarët “kapën trenin e fundit” dhe u renditën mes skuadrave që do të vazhdojnë garat evropiane, duke siguruar një pranverë europiane të artë.
Takimi nisi me një Shkëndijë më konkrete dhe më të guximshme. Qysh në minutën e 4-të, Ronaldo Webster depërtoi në zonë, dribloi dy kundërshtarë dhe gjuajti diagonalisht, por portieri Alomeroviç reagoi mirë duke e devijuar topin në këndore. AEK Larnaca ishte thuajse i pafuqishëm në fazën ofensive, ndërsa mbrojtja e Shkëndijës funksionoi në mënyrë perfekte. Në 30 minutat e para, vendasit regjistruan vetëm një rast serioz, një goditje me kokë që përfundoi mbi traversë.
Në vazhdimin e pjesës së parë, të shtyrë nga publiku vendas, qipriotët rritën presionin dhe provuan disa herë portën, por pa sukses, pasi çdo gjuajtje u bllokua nga mbrojtësit kuqezi. Para pushimit, pas një aksioni të rrëmujshëm pas një ndërprerjeje, topi përfundoi te koka e serbit Ivanoviç, i cili shënoi, por goli u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.
Pjesa e dytë nisi keq për Shkëndijën, që mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Liridon Latifit për ndërhyrje të ashpër. Trajneri Jeton Beqiri reagoi menjëherë me ndryshime, duke hedhur në fushë Alhassan dhe Tamba për të ruajtur freskinë dhe shpejtësinë, ndërsa më pas aktivizoi edhe Mazarin. AEK vazhdoi presionin dhe arriti golin në minutën e 83-të, kur pas një këndoreje të Ledes Gustavo, Angielski shënoi me kokë për 1-0.
Deri në fund të ndeshjes, vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm para portës së kampionit maqedonas, por rezultati nuk ndryshoi. Humbja minimale nuk e zbehu suksesin e madh të Shkëndijës, e cila mbylli fazën në pozitat që çojnë drejt sfidave të reja europiane, duke konfirmuar se ky ekip ka shkruar tashmë një faqe të rëndësishme historie në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/
Shkëndija sonte del përballë një sfide të madhe evropiane, por me besim të plotë në forcat e veta. Kuqezinjtë nga Tetova janë mysafirë të AEK Larnaca-s në Qipro, në një duel që nis në ora 21:00 dhe që mbart peshë të veçantë për ambiciet e ekipit shqiptar në arenën ndërkombëtare, njofton Telegrafi.
Pas paraqitjeve pozitive dhe rritjes së dukshme në lojë, Shkëndija ndaj qipriotëve luan me synimin e qartë për të nxjerrë rezultat pozitiv dhe për ta dëshmuar edhe një herë karakterin e saj konkurrues. Ekipi tetovar është i motivuar maksimalisht, i përgatitur taktikisht dhe i vetëdijshëm se një paraqitje e fortë sonte mund të jetë vendimtare për vazhdimësinë e rrugëtimit evropian.
Trajneri Jeton Beqiri për këtë ndeshje ka vendosur të luajë në portë me Gaye, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Trumçi, Fetai, Cake dhe Webster.
Në mesfushë luajnë, Zejnullai, Ramadani dhe Qaka.
Sulmi nuk ka pësuar ndryshime dhe përbëhet nga kapiteni Besart Ibraimi, i cili do të ndihmohet nga shokët e krahut, Liridon Latifi dhe Sebastjan Spahiu.
Në anën tjetër, te AEK Larnaca trajneri Imanol Idiakez në sulm ka zgjedhur të luajë në sulm me boshnjakun Bajiç.
Futbollistët e Shkëndijës i pret ndeshja e fundit në fazën e grupeve të UEFA Ligës së Konferencës, ku në kuadër të xhiros së gjashtë do të jenë mysafirë të AEK Larnaca në Qipro. Kuqezinjtë vazhdojnë të jenë në garë për një vend në play-off, ndaj synimi kryesor në stadiumin “AEK Arena” do të jetë marrja e të paktën një pikë, por pse jo edhe e tre pikëve të plota, njofton Telegrafi.
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) tashmë ka deleguar zyrtarët e ndeshjeve për këtë xhiro të garave evropiane. Për duelin në Larnaca janë përzgjedhur gjyqtarë nga Lituania.
Arbitër kryesor i takimit do të jetë Manfredas Lukjançukas, ndërsa ndihmës të tij në vijat anësore do të jenë Mirauskas dhe Steponavas. Gjyqtar i katërt është Paulauskas, ndërsa në dhomën VAR përgjegjësi kryesor do të jetë Simenas. Delegat i ndeshjes nga UEFA është Allojzije Shupraha nga Kroacia. /Telegrafi/
Shkëndija e Tetovës ndodhet përballë një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit evropian. Të enjten, kuqezinjtë janë mysafirë të AEK Larnaca në Qipro, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të UEFA Ligës së Konferencës, duel që mund të përcaktojë vazhdimësinë e ekipit tetovar në arenën ndërkombëtare edhe gjatë pranverës, njofton Telegrafi.
Në prag të kësaj përballjeje vendimtare, optimizëm shpreh edhe Sebastjan Spahiu, i cili po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë. “Ndjehem shumë mirë, jo vetëm për golin ndaj Slovan Bratislavës, por kam filluar të ndjehem mirë e më mirë, pasi e dinë të gjithë se nuk kam qenë në fazë përgatitore dhe tani e kam marrë veten mirë”, u shpreh mesfushori kuqezi.
Spahiu, i cili gjatë verës kishte disa alternativa për të vazhduar karrierën në kampionate të tjera, zgjodhi Shkëndijën për shkak të projektit dhe ambicieve të klubit, si në garat vendore ashtu edhe në debutimin historik në fazën kryesore të UEFA Ligës së Konferencës. “Këto janë ndeshje që duhen shijuar. Për këtë kam ardhur në fazën kryesore të Ligës së Konferencës, por edhe për grupin. I falënderoj të gjithë çunat për mënyrën si më kanë pritur. Po ndjehem shumë mirë këtu”, tha 26-vjeçari nga Shkodra.
Ai mbetet optimist edhe për vazhdimin e sezonit, duke theksuar se Shkëndija synon rikthimin në garën për titull në pranverë, por pa e lënë pas dore objektivin evropian. “Sigurisht që besojmë se do ta përmbysim situatën në kampionat. Në Shkup është shumë e vështirë të na mundin në Ligën e Konferencës dhe si ekip ndjehemi shumë mirë”, përfundoi Spahiu.
Skuadra qipriote hyn në këtë përballje si favorite absolute, duke qenë se ende nuk ka pësuar asnjë humbje, ndërsa Shkëndija kërkon rezultat pozitiv ose, në rastin më të keq, të mbajë gjallë shpresat përmes skenarëve të tjerë. Edhe një humbje në Qipro nuk do ta përjashtonte automatikisht ekipin e Jeton Beqirit nga gara, pasi ekzistojnë disa kombinime që mund ta çojnë Shkëndijën në play-off.
Në rast disfate ndaj AEK-ut, kuqezinjtë do të kenë nevojë që Crystal Palace të mposhtë KuPS-in, Zrinjski të mos fitojë ndaj Rapidit, ndërsa Breidablik të mos triumfojë në fushën e liderit Strasbourg. Nëse këto rezultate përputhen, Shkëndija do ta siguronte vazhdimin e rrugëtimit evropian edhe pas fazës së grupeve. Në të kundërtën, shpresat do të zhvendosen te dështimet eventuale të Sigma Olomouc, Universitatea Craiova dhe Lincoln, skuadra që aktualisht ndodhen në pozitat 22, 23 dhe 24, po ashtu me nga 7 pikë.
Xhiroja e fundit e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës do të zhvillohet më 18 dhjetor, datë që mund të përcaktojë fatin evropian të Shkëndijës për këtë sezon. /Telegrafi/
Një fitore nga ato që sjell pikë, lavdi dhe shumë para. Shkëndija i merr të gjitha këto në një natë të madhe të futbollit europian. Skuadra nga Tetova mundi 2-0 Slovan Bratislavën në Conference League, duke hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit për në raundin tjetër të turneut.
Një autogol i Bajriç në minutën e 34 i hapi rrugën suksesit të Shkëndijës, që vulosi fatin e sfidës në shtesën e pjesës së parë.
Sabastian Spahiu shënoi golin e dytë për të zotët e shtëpisë, që pas pushimit arritën të ruajnë fitoren e dytë në 5 ndeshjet e fazës së ligës.
Me këtë sukses, tetovarët ngjiten në kuotën e 7 pikëve dhe ngjiten në vendin e 21-të në zonën e play off. Krejt i ndryshëm është diskutimi për shqiptarët e tjerë që luajnë në Conference League.
Drita e Gjilanit u dorëzua pa kushte në humbjen 3-0 kundër AZ Alkmaar.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, skuadra e Kosovës e pa veten në dizavantazh që në minutën e 17-të. Holandezët mbyllën pjesën e parë me epërsinë minimale falë golit të Mijnans.
Pas pushimit, miqtë gjetën edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës me Jensen në të 58-ën dhe Sadik në limitet e kohës së rregullt.
Kjo humbje e mban Dritën e Gjilanit në vendin e 19 në klasifikimin e fazës së ligës dhe gjithashtu në zonën e play off me shpresa për të vazhduar aventurën europiane./abcnews.al
Edhe pse para duelit me Slovan Bratislavën Shkëndija konsiderohej autsajdere, gjithçka u përmbys në fushën e lojës. Kuqezinjtë nga Tetova zhvilluan një paraqitje mbresëlënëse dhe dominuese, duke treguar karakter, disiplinë dhe lojë cilësore, që në fund u shpërblye me një fitore të merituar 2-0 dhe ringritje të madhe në garën për pranverën evropiane, njofton Telegrafi.
Futbollistët e Shkëndijës nuk lejuan një tjetër zhgënjim si ai i dy javëve më parë. Me këtë fitore kuqezinjtë u ngjitën në zonën që siguron pranverën evropiane në UEFA Ligën e Konferencës.
Tetovarët, para xhiros së fundit të fazës së grupeve, renditen në pozitën e 21-të me 7 pikë dhe janë shumë pranë plasmanit në play-off (pozitat 9–24). Për të shmangur çdo lloj dështimi, Shkëndijës i nevojitet patjetër fitore në ndeshjen e fundit në udhëtim ndaj AEK Larnakës, ekip që deri tani nuk ka pësuar humbje. Megjithatë, ekziston mundësia e kualifikimit edhe në rast disfate.
Nëse kampioni i Maqedonisë së Veriut humb në Qipro, për të kaluar në play-off do të duhen disa “kalkulime”: Crystal Palace duhet të mposhtë KuPS-in, Zrinjski të mos fitojë ndaj Rapidit, ndërsa Breidablik të mos triumfojë në fushën e liderit Strasbourg.
Nëse këto skenarë realizohen, Shkëndijën do ta shohim edhe në pranverë në arenën ndërkombëtare. Por nëse “plani” nuk shkon si duhet, kuqezinjtë do të shpresojnë në gabimet e Sigma Olomouc, Universitatea Craiova dhe Lincolnit, që ndodhen në pozitat 22, 23 dhe 24 – gjithashtu me nga 7 pikë.
Xhiroja e fundit e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës do të zhvillohet me 18 dhjetor. /Telegrafi/
Superkompjuteri i Football Meets Data ka publikuar përditësimet e reja sa i përket ekipeve që pritet të kalojnë në fazën tjetër të Ligës së Konferencës, ku ekipet shqiptare si Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës kanë siguruar thuajse kualifikimin.
Drita e Gjilanit u mposht me rezultat 0-3 nga AZ Alkmaar në ‘Fadil Vokrri’ të enjten mbrëma, ndërsa Shkëndija fitoi në shtëpi ndaj Slovan Bratislava me rezultat 2-0.
Megjithatë, Drita mbeti fazës ‘play-off’ në vendin e 19-të me tetë pikë, teksa Shkëndija e 21-ta me 7 pikë.
Kështu, sipas superkompjuterit të Football Meets Data, 27 ekipe janë ende në garë për 24 vende në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës, ku 23 ekipe kanë mbi 95% për t'ia dalë mbanë.
Sipas superkompjuterit, Drita ka gjasa prej 99.96% për të siguruar një vend në 24-she që e dërgon në fazën play-off, teksa Shkëndija ka shanse prej 95%.
Në thelb, gjithçka varet nga Zrinjski kundër Lincolnit për vendin e fundit, ndërsa KuPS dhe Breidablik kanë ndeshje jashtë fushe, përkatësisht në Crystal Palace dhe Strasburg, duke bërë një kualifikim të tyre shumë të vështirë.
Në ndeshjen e fundit, Drita luan në udhëtim te Rayo Vallecano, teksa Shkëndija udhëton te AEK Larcnaca. /Telegrafi/
Pas një fitoreje historike që ndezi shpresat e tifozëve, Shkëndija vazhdon rrugëtimin e saj në UEFA Ligën e Konferencës me një paraqitje të jashtëzakonshme në Shkup, njofton Telegrafi.
Pas triumfit të madh ndaj Slovan Bratislavës me rezultat 2:0, në konferencën për shtyp ka folur trajneri Jeton Beqiri, i cili ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe ka dhënë pritshmëritë për kualifikimin në raundin tjetër të garës.
“Ishte një paraqitje shumë e mirë e skuadrës sonë. Futbollistët punuan me shumë seriozitet dhe ndoqën çdo detyrë që kishim planifikuar para ndeshjes, pasi kishim bërë analizë të stilit të lojës së Slovanit. Jam i kënaqur me lojën dhe fitoren, por do të kisha dashur të shënonim edhe më shumë gola, pasi krijuam raste të pastra,” tha Beqiri.
Trajneri gjithashtu theksoi se ëndrra evropiane nuk është siguruar ende: “Ne ende nuk kemi siguruar pranverën evropiane, pasi na pret edhe një ndeshje dhe gjithçka varet nga rezultatet e tjera. Por kam shpresë dhe besoj se skuadra do të japë maksimumin edhe në ndeshjen e fundit.”
Ndeshja e fundit e fazës së grupeve do të luhet të enjten e ardhshme, më 19 dhjetor, kur Shkëndija udhëton në Qipro për t’u përballur me AEK Larnakën, e cila mban pozicionin e tretë në grup.
Fitorja ndaj Slovan Bratislavës jo vetëm që ngjiti Shkëndijën në zonën e play-off-it, por gjithashtu forcoi pozitat e klubit në UEFA dhe i sjell 400 mijë euro bonus. /Terlegrafi/
Shkëndija ka shënuar një fitore të jashtëzakonshme në UEFA Ligën e Konferencës, duke mposhtur në Shkup gjigantin sllovak Slovan Bratislava me rezultat 2:0. Një skuadër me shumë renome në arenën evropiane dhe me vlerë merkatoje disa fish më të madhe se kuqezinjtë, por që u detyrua të përkulet para kampionit të Maqedonisë. Me këtë triumf, Shkëndija ngjitet në zonën e play-off-it dhe mban gjallë shanset reale për kalimin në fazën tjetër të garës, njofton Telegrafi.
Kuqezinjtë e Tetovës zhvilluan një ndeshje të fuqishme ndaj një rivali që erdhi në Shkup me shumë mungesa, ndërsa vetë Shkëndija e mbyll grupin pa asnjë humbje në shtëpi: dy fitore dhe një barazim para publikut të vet. Në xhiron e fundit, kampionët udhëtojnë në Qipro për t’u përballur me AEK Larnakën.
Sa i përket lojës, Shkëndija e nisi në mënyrë dominuese duke ushtruar presion të vazhdueshëm, dhe shpërblimi erdhi në pjesën e parë me dy gola. Fillimisht, në minutën e 33-të, pas një goditje nga këndi, Bajriç devijoi topin në rrjetën e vet duke ndezur tribunat. Vetëm pak para pushimit, Ronaldo Webster shpërtheu në kundërsulm, asistoi mrekullisht dhe Sebastian Spahiun, i cili e dërgoi topin në rrjetë për 2:0.
Pjesa e dytë ishte shembullore faktikisht, Shkëndija e menaxhoi ndeshjen në mënyrë perfekte, pa i dhënë asnjë mundësi Slovanit. Skuadra sllovake nuk regjistroi asnjë goditje në portën e Gajës, të gjitha shtatë tentimet shkuan jashtë kornizës.
Raste të njëpasnjëshme kishin Latifi, Krasniqi e Ademi, ku ky i fundit goditi transversalen, që ishte aleat për Slovanin që të mos turpërohet më shumë në Shkup.
Fitorja jo vetëm që forcon pozitat e Shkëndijës në Evropë, por i sjell klubit edhe 400 mijë euro bonus nga UEFA, duke ndikuar njëkohësisht pozitivisht në koeficientin e Maqedonisë në listën evropiane. Një mbrëmje e madhe për kuqezinjtë. /Telegrafi/
Shkëndija e Tetovës sonte do të përballet me sllovakët e Slovan Bratislava në kuadër të javës së pestë të Ligës së Konferencës. Ndeshja luhet në stadiumin Arena “Todor Proeksi me fillim në ora 18:45, njofton Telegrafi.
Shkëndija mbetet me një fitore, atë ndaj Shelbournit, ndërsa në javën e katërt u mund nga Drita e Gjilanit. Barazim ka marrë vetëm ndaj Polakëve të Jaglielonia që i ka lënë kuqezinjtë me vetëm katër pikë në pozitën e 25.
Takimin do ta drejtojë ekipi i gjyqtarëve nga Islanda. Kryesor do të jetë Ivar Ori Kristjansson, ndërsa asistentë Birker Sigurdarson dhe Gylfi Mar Sigurdsson. Gjyqtari i katërt është Vilhjalmur Torarinsson. Në dhomën e VAR-it do të jenë skocezët Kevin Clancy dhe Grant Irvin.Trajneri Jeton Beqiri për këtë ndeshje ka vendosur të luajë në portë me Gaye, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Trumci, Fetai, Cake dhe Webster.
Në mesfushë luajnë, Zejnullai, Rmadani dhe Qaka.
Sulmi nuk ka pësuar ndryshime dhe përbëhet nga kapiteni Besart Ibraimi, i cili do të ndihmohet nga shokët e krahut, Liridon Latifi dhe Sebastjan Spahiu.
Në anën tjetër, te Slovan Bratislava trajneri Vladimir Weiss në sulm ka zgjedhur të luajë me lojtarin më në formë i cili është Nino Marcelli.
Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në fillimin e ndeshjes, Shkëndija po hyn në një duel vendimtar për vazhdimin e aventurës në UEFA Ligës së Konferencës. Edhe pse shanset u zvogëluan pas humbjes ndaj Dritës, ato ende ekzistojnë dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën evropiane, kuqezinjtë duhet të kalojnë sfidën e madhe të mbrëmjes, kampionin e Sllovakisë, Slovan Bratislava që nis sonte në ora 18:45, njofton Telegrafi.
Ndonëse në Gjilan Shkëndija dominoi statistikat, një moment pakujdesie i kushtoi ekipit të Jeton Beqirit. Tani në Shkup vjen Slovan Bratislava, një skuadër që së fundmi mposhti edhe Rayo Vallecano dhe ka lojtarë me shumë përvojë. Mes tyre edhe kapiteni 36-vjeçar Vladimir Weiss. Sllovakët megjithatë kanë mungesë të rëndësishme, Tigran Barseghyan që është i dëmtuar, kështu që barra bie mbi krahun e majtë, talentin Nino Marçeli, lojtari më i vlerësuar i ekipit.
Slovani këtë edicion ka pësuar humbje nga Strasburgu, AZ Alkmari dhe KUPS-i, por ka shënuar në shumicën e ndeshjeve evropiane. Shkëndija ndërkohë mbështetet te forca tifozëve, ku fitoi ndaj Shelbourne dhe barazoi me Jagiellonian. Me një fitore, kuqezinjtë do t’i afroheshin realisht fazës me eliminim direkt, por edhe barazimi i mban në garë, por me më shumë llogari para sfidës së fundit në Qipro.
Sipas parashikimeve statistikore, Shkëndija ka rreth 33% gjasa për të kaluar grupin. Pritet një qasje ofensive që nga fillimi, ndërsa golashënuesi më i mirë evropian i klubit, Besart Ibraimi, me shumë gjasë do të nisë sërish nga banka për shkak të ritmit të lartë të ndeshjeve. /Telegrafi/
Shkëndija po i mbyll në ritëm përgatitjet për sfidën e nesërme ndaj Slovan Bratislavas, ndeshje që zhvillohet në kuadër të xhiros së pestë të UEFA Ligës së Konferencës. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e fundit stërvitore, ndërsa dueli do të luhet të enjten në arenën “Todor Proeski” me fillim nga ora 18:45, njofton Telegrafi.
Trajneri Jeton Beqiri u shpreh optimist para përballjes, duke theksuar se Shkëndija ka ende gjasa reale për të synuar kualifikimin. “Mendoj se kjo është mundësia e parafundit për të qëndruar në garë për mesin e 24 skuadrave që vazhdojnë më tej. Kundërshtari është shumë cilësor, vitin e kaluar luajti edhe në grupet e Ligës së Kampionëve, por në Shkup gjithmonë kemi paraqitje pozitive. Shpresoj që të shprehemi në mënyrën më të mirë dhe besoj se kemi të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat që na mban në lojë deri në ndeshjen e fundit.”
Beqiri shtoi se pavarësisht mungesës së fatit në dy ndeshjet e fundit, ekipi mbetet plotësisht brenda objektivave. “Skuadra ka dhënë shumë më tepër sesa ka marrë. Por rëndësi ka që jemi ende në garë dhe që Shkëndija, në mes të dhjetorit, vazhdon të luajë në Evropë. Do të bëjmë maksimumin që të sigurojmë rezultate pozitive në këto dy ndeshje të mbetura.”
Edhe kapiteni Besart Ibraimi ndau të njëjtin entuziazëm para sfidës.“Kemi shkruar histori këtë vit dhe të gjithë jemi të kënaqur, por nuk duhet të ndalemi këtu. Nesër duhet të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen dhe pse jo, për t’u kualifikuar më tej. Fakti që të gjitha ekipet janë në pushim, ndërsa ne luajmë në Europë, ndikon, por na jep edhe më shumë motiv. Në dy ndeshjet e fundit fati nuk ishte me ne, por besoj se me pak më shumë fat nesër mund ta marrim rezultatin që duam.”
Shkëndija synon triumfin e madh për të mbajtur gjallë ëndrrën evropiane në një sezon historik për klubin. /Telegrafi/
Skuadra e Shkëndija mbylli pjesën e parë të sezonit me fitore dhe hyn e qetë në pauzën dimërore. Në kuadër të javës së 16-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, kampionët në fuqi triumfuan bindshëm si mysafr ndaj Bashkimi në Kumanovë me rezultatin 1:3, duke regjistruar fitoren e 11-të të këtij edicioni. Me këtë sukses, tetovarët e mbyllën sezonin vjeshtor në vendin e tretë me 36 pikë, gjashtë më pak se lideri Vardari. Ndërkohë Bashkimi shënoi humbjen e gjashtë dhe pritet ta përfundojë gjysmën e sezonit në vendin e pestë, njofton Telegrafi.
Ndeshja në Kumanovë nisi furishëm, me dy gola brenda shtatë minutave të para. Mysafirët kaluan të parët në epërsi pas autogolit të Armend Alimit. Por reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm, vetëm tri minuta më vonë, Panovski depërtoi bukur në krahun e djathtë dhe asistoi për Aleksovskin, që nga afër e dërgoi topin në rrjetë për 1:1.
Shkëndija kërkoi të rikthente epërsinë dhe dominoi pas golit të pësuar. Rastet u shtuan para portës së Bashkimit, ndërsa Tamba pati mundësinë më të mirë, por goditi jashtë kuadratit. Senegalezi nuk gaboi herën e dytë:,në minutën e 34-t, pas një rasti të shpëtuar në vijën e portës nga Fisnik Zuka ndaj gjuajtjes së Ibraimit, Tamba përfitoi dhe shënoi në portën e boshatisur, duke i çuar miqtë në epërsi 1:2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë, ndonëse pritej reagim më i fortë nga Bashkimi, ishte Shkëndija ajo që mbante kontrollin dhe kërkonte golin e tretë. Momenti kyç erdhi pas zëvendësimeve të trajnerit Beqiri, kur në lojë hyri Fiton Ademi, i cili menjëherë goditi traversën. Por pak minuta më vonë, pas një krosimi të saktë të Liridon Latifit, ishte pikërisht Ademi që u gjend i pari te topi i ardhur në zonë dhe vulosi fitoren e tetovarëve 1:3.
Shkëndija e nis pjesën pranverore më 15 shkurt me duelin kundër Tikveshit, ndërsa Bashkimi në shtëpi do të presë Pelisterin. /Telegrafi/