Klubi i Futbollit Bashkimi nga Kumanova po përgatit një skuadër të re me një objektiv të vetëm, mbijetesën në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Klubi nga Kumanova u është falënderuar nëntë futbollistëve që ishin pjesë e ekipit gjatë gjysmësezonës vjeshtore. Ndryshimet më të mëdha pritet të ndodhin në repartin ofensiv, pasi Bashkimi është ndarë nga plot pesë sulmues: Marko Simonovski, Oguzan Ajdogan, Flamur Xhelili, Abdulhadi Jahja dhe Nedim Haxhiq.
Nga mesfusha janë larguar Isa Adenkule dhe Habubulla Askar, ndërsa nga reparti defensiv skuadrën e kanë lënë Faruk Bihorac dhe Samet Rexhepi.
Në klub tashmë po planifikohen hapat e radhës sa i përket afrimit të emrave të rinj, me synimin për ta përforcuar ekipin për pjesën pranverore të kampionatit. Gjysmësezonën vjeshtore Bashkimi e mbylli në pozitën e gjashtë me 22 pikë, katër më shumë se Tikveshi i vendit të tetë. /Telegrafi/
Skuadra e Shkëndija mbylli pjesën e parë të sezonit me fitore dhe hyn e qetë në pauzën dimërore. Në kuadër të javës së 16-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, kampionët në fuqi triumfuan bindshëm si mysafr ndaj Bashkimi në Kumanovë me rezultatin 1:3, duke regjistruar fitoren e 11-të të këtij edicioni. Me këtë sukses, tetovarët e mbyllën sezonin vjeshtor në vendin e tretë me 36 pikë, gjashtë më pak se lideri Vardari. Ndërkohë Bashkimi shënoi humbjen e gjashtë dhe pritet ta përfundojë gjysmën e sezonit në vendin e pestë, njofton Telegrafi.
Ndeshja në Kumanovë nisi furishëm, me dy gola brenda shtatë minutave të para. Mysafirët kaluan të parët në epërsi pas autogolit të Armend Alimit. Por reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm, vetëm tri minuta më vonë, Panovski depërtoi bukur në krahun e djathtë dhe asistoi për Aleksovskin, që nga afër e dërgoi topin në rrjetë për 1:1.
Shkëndija kërkoi të rikthente epërsinë dhe dominoi pas golit të pësuar. Rastet u shtuan para portës së Bashkimit, ndërsa Tamba pati mundësinë më të mirë, por goditi jashtë kuadratit. Senegalezi nuk gaboi herën e dytë:,në minutën e 34-t, pas një rasti të shpëtuar në vijën e portës nga Fisnik Zuka ndaj gjuajtjes së Ibraimit, Tamba përfitoi dhe shënoi në portën e boshatisur, duke i çuar miqtë në epërsi 1:2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë, ndonëse pritej reagim më i fortë nga Bashkimi, ishte Shkëndija ajo që mbante kontrollin dhe kërkonte golin e tretë. Momenti kyç erdhi pas zëvendësimeve të trajnerit Beqiri, kur në lojë hyri Fiton Ademi, i cili menjëherë goditi traversën. Por pak minuta më vonë, pas një krosimi të saktë të Liridon Latifit, ishte pikërisht Ademi që u gjend i pari te topi i ardhur në zonë dhe vulosi fitoren e tetovarëve 1:3.
Shkëndija e nis pjesën pranverore më 15 shkurt me duelin kundër Tikveshit, ndërsa Bashkimi në shtëpi do të presë Pelisterin. /Telegrafi/
Java e 16-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut pritet të mbyllë gjysmësezonin vjeshtor me duele vendimtare, ku do të mësohet edhe kampioni vjeshtor i këtij edicioni. Ndeshjet zhvillohen nga e premtja deri të hënën, ndërsa gara në krye është hapur, megjithëse me epërsi të lehtë ështe Vardari para Strugës, njofton Telegrafi.
Sipas renditjes aktuale, Vardari hyn në këtë javë si lider dhe është më afër ta mbyllë pjesën e parë të sezonit në vend të parë. Megjithatë, ekipi kuqezi nuk e ka të garantuar epitetin e kampionit vjeshtor. Struga, që ndodhet vetëm një hap prapa, ka shanse reale të kapë kreun, sidomos nëse Vardari ndalet me barazim në duelin ndaj Makedonija Gj.P, ndërsa ata arrijnë fitore në transfertë kundër Tikveshit. Në këtë skenar, Struga do të shkonte në pushimin dimëror si kampione e vjeshtës.
Ndërkohë, kampioni aktual, Shkëndija, ka pësuar ngecje gjatë javëve të fundit dhe praktikisht është jashtë garës për titullin vjeshtor. Megjithatë, tetovarët mbeten ende brenda objektivit madhor, mbrojtjes së titullit në fund të sezonit, pasi distanca me kreun është e rikuperueshme në pjesën pranverore.
Në mesin e tabelës qëndrojnë dy ekipet tjera shqiptare, Bashkimi dhe Arsimi. Të dy skuadrat po zhvillojnë një sezon të qetë, larg zonës së rrezikut, por edhe pa presion për garë në kreun e klasifikimit. Të dyja ekipet synojnë ta mbyllin vjeshtën me rezultate pozitive për të hyrë më të forta në fazën pranverore.
Në anën tjetër, situata më e rëndë i takon Shkupit, i cili po zhvillon sezonin më të dobët në historinë e klubit. Me vetëm një pikë nga 15 ndeshje, Shkupi është ekipi i vetëm që nuk ka provuar ende shijen e fitores. Për të kaltrit e Çairit, java e 16-të është më shumë një përpjekje për të shpëtuar krenarinë sesa luftë për pikë. /Telegrafi/
Derbi shqiptar në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut u mbyll me një “rezultat tenisi” – Struga T&L - Bashkimi 6:0, njofton Telegrafi.
Në stadiumin e qytetit në Strugë, vendasit dhuruan spektakël të plotë, dominim, ritëm, kreativitet dhe gjashtë gola në rrjetën e skuadrës nga Kumanova, që u la pa asnjë përgjigje ndaj lojës së djemve të Bledi Shkëmbit.
Ndeshja nisi me sinjale të qarta që Struga dëshironte fitore të madhe. Fali e pati rastin e parë serioz në minutën e 11-të, pak më vonë Maleskit iu anulua një gol për pozitë jasht loje dhe vetëm atëherë nisi rrëfimi i golave.
Bunjamin Shabani hapi serinë e golave për Strugën telegrafi.com
Në minutën e 24-t, Bunjamin Shabani gjeti hapësirën perfekte në zonë dhe hapi rezultatin për 1-0. Pasoi 2-0 në minutën e 37-të, me një aksion shembullor, krosimi i Falit dhe finalizimi i Maleskit. Jevtoski nga distanca shënoi për 3-0, rezultat që mbylli pjesën e parë.
E njëjta histori vazhdoi edhe pas pushimit. Në minutën e 53-të, Hamza i vendosi vulën një goditjeje dënimi rreth 18 metra për 4-0, duke e ngritur në këmbë gjithë stadiumin. Në të 62-ën, Maleski shënoi edhe një herë, kësaj here me një goditje të bukur në këndin e kundërt 5-0. Struga nuk u ndal. Në minutën e 84-t, Vosha realizoi golin e gjashtë, duke e mbyllur këtë derbi shqiptar në mënyrën më bindëse të mundshme.
Kjo ishte ndeshja e fundit e Strugës në shtëpi për këtë pjesë të sezonit. Në javën e fundit, ata udhëtojnë drejt Kavadarit për t’u përballur me Tikveshin, ndërsa gara për titullin e kampionit vjeshtor mbetet e hapur, gjithçka do të vendoset mes dueleve Tikveshi – Struga T&L dhe Makedonija Gj.P – Vardari. /Telegrafi/
Java e 14-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut sjell një program të pasur futbollistik, me ndeshje të forta, ku në qendër të vëmendjes është derbi shqiptar ndërmjet Arsimit dhe Shkëndijës, ndërsa sfida Shkupi – Pelisteri është shtyrë për të martën për shkak të gjendjes së keqe të fushës në Strugë, njofton Telegrafi.
Ndeshja ndërmjet Shkupit dhe Pelisterit, e vlefshme për javën e 14-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, ka marrë një termin të ri. Fillimisht ishte planifikuar të luhej sot, por kjo nuk do të ndodhë.
Problemi qëndron tek gjendja e fushës në “Stadionin e Qytetit” në Strugë, ku Shkupi i zhvillon ndeshjet si vendas. Pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, terreni është i përmbytur dhe nuk ofron kushte minimale për zhvillimin e lojës.
Për këtë arsye, me marrëveshje mes dy klubeve dhe FFM-së, ndeshja është shtyrë për të martën, në të njëjtin orar – 13:00.
Ndërkohë, këtë fundjavë do të kemi disa përballje interesante në kampionat. Të dielën në Gostivar luhet derbi shqiptar mes Arsimit dhe Shkëndijës, gjithashtu me fillim nga ora 13:00. Po në të njëjtin termin, Bashkimi nga Kumanova do të jetë mysafir i Tikveshit në Kavadar.
Të hënën Struga udhëton drejt Shkupit në sfidën kundër Rabotniçkit, ndërsa një ditë më parë u luajt ndeshja mes Maqedonija GJ.P dhe Sileksit, ku ekipi mysafir nga Kratova fitoi me rezultat 1-2. Sot, duke filluar nga ora 13:00, zhvillohet edhe takimi AP Brera – Vardari. Java pra mbyllet me duelin Shkupi Pelisteri që luhet të martën. /Telegrafi/
Javën e 13-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, e kanë hapur duelet Struga – Arsimi dhe Bashkimi – Rabotniçki, ku në të dyja përballjet kanë triumfuar ekipet nikoqire. Struganët fituan bindshëm ndaj Arsimit dhe u rikthyen në krye të tabelës, ndërsa Bashkimi siguroi tri pikë të vlefshme kundër Rabotniçkit për t’u ngjitur në mesin e renditjes, njofton Telegrafi.
Struga Trim Lum shënoi fitore të sigurt ndaj Arsimit (4-0) në ndeshjen e javës së 13-të të Ligës së Parë të Maqedonisë. Skuadra e Bledi Shkëmbit nuk hasi vështirësi përballë mysafirëve, duke e kontrolluar plotësisht lojën në “Stadiumin e Qytetit” në Strugë. Pas disa rasteve të humbura në fillim, rezultatin e zhbllokoi Marjan Radeski në minutën e 20-të, pas një topi të gjatë nga Bojku dhe përfundimi të saktë në këndin e portierit Islami.
Në pjesën e dytë, kapiteni Bunjamin Shabani mori skenën, duke realizuar dy gola brenda dy minutash – fillimisht pas kombinimit me Compaorén dhe më pas pas një topi të vjedhur nga Jevtovski. Në fund, rezultatin përfundimtar 4-0 e vulosi Hristijan Maleski, duke konfirmuar epërsinë e plotë të struganëve. Me këtë fitore, Struga Trim Lum ngjitet sërish në krye të tabelës me 32 pikë, dy më shumë se Vardari, ndërsa Arsimi mbetet me 15 pikë dhe rrezikon rënien në zonën e ftohtë.
Në ndeshjen tjetër, Bashkimi fitoi 2-1 ndaj Rabotniçkit në një duel të fortë në Kumanovë. Pas disa rasteve në pjesën e parë, vendasit kaluan në epërsi në minutën e 41-të me golin e Abdulhadi Jahjas. Në pjesën e dytë, Emanuell Avornio shënoi me kokë për 2-0, duke sjellë entuziazëm në tribuna.
Mysafirët ngushtuan diferencën në fund me golin e Hoxhës, por Bashkimi ruajti avantazhin dhe mori një fitore të rëndësishme. Kjo ishte fitorja e gjashtë për kumanovarët, që në javën e ardhshme do të përballen me Strugën, ndërsa Rabotniçki do të ketë sfidë të vështirë ndaj Shkëndijës. /Telegrafi/
Java e 13-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut pritet të sjellë duele interesante dhe me shumë rëndësi për ecurinë e sezonit. Ndeshjet do të zhvillohen në tri ditë, nga e shtuna deri të hënën, njofton Telegrafi.
Të shtunën, më 8 nëntor, në orën 13:00, në program janë dy përballje: Bashkimi pret Rabotniçkin në Kumanovë, ndërsa në Strugë zhvillohet derbi shqiptar mes Strugës dhe Arsimit, një ndeshje që gjithmonë zgjon interesim të madh.
Të dielën, më 9 nëntor, gjithashtu në orën 13:00, Pelisteri do të përballet me AP Brerën, ndërsa në Shkup do të luhet dueli mes Vardarit dhe Tikveshit.
Java do të përmbyllet të hënën, më 10 nëntor, me dy ndeshje po aq tërheqëse: Shkëndija do të jetë nikoqire e Makedonija Gj.P., ndërsa Sileksi do të përballet me Shkupin.
Pas kësaj jave, kampionati do të ndërpritet për shkak të angazhimeve ndërkombëtare të Përfaqësueses së Maqedonisë, e cila do të luajë ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026.
Vlen të kujtohet se më 15 nëntor do të zhvillohet edhe ndeshja e prapambetur e javës së 12-të mes Shkupit dhe Shkëndijës, e shtyrë për shkak të angazhimit të kuqezinjve në Ligën e Konferencës kundër Jagiellonias. /Telegrafi/
Ekipi i Bashkimit tashmë zyrtarisht ka trajner të ri. Edhe pse Gjorgji Mojsov ishte afër të marrë drejtimin e skuadrës, zgjedhja përfundimtare ra mbi Bllazhe Janakievskin, njofton Telegrafi.
Pas ndarjes me trajnerin e mëparshëm Muarem Muarem, drejtuesit e klubit vendosën t’ia besojnë stolin një emri të njohur për tifozët e Bashkimit, Bllazhe Janakievski, strategu që shkroi histori duke rikthyer Bashkimin në Ligën e Parë pas plot 17 vitesh mungesë.
Ky vendim i klubit erdhi si rezultat i besimit në projektin tashmë të nisur, të cilin Janakievski e kishte ndërtuar më herët dhe e kishte udhëhequr me vizion dhe profesionalizëm. Projekti, që për arsye personale u ndërpre para fillimit të sezonit, tani vazhdon me të njëjtën përkushtim, energji dhe ambicie.
Sot Bashkimi u mund nga Arsimi i Çegranit me rezultat 4–2 dhe aktualisht ndodhet në vendin e pestë në Ligën e Parë me 19 pikë të grumbulluara. Rikthimi i Janakievskit në stolin e skuadrës së kumanovarëve do të ndodhë më 8 nëntor, në ndeshjen kundër Rabotnickit. /Telegrafi/
Ndeshja e parë e javës së 12-të solli përballjen mes dy skuadrave shqiptare, Arsimit nga Çegrani dhe Bashkimit nga Kumanova, njofton Telegrafi.
Skuadra vendase e Arsimit arriti një fitore të merituar me rezultat 4-2, duke vazhduar formën e mirë në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Arsimi dominoi që nga fillimi me lojë ofensive dhe shumë raste të krijuara. Alban Taipi hapi serinë e golave në minutën e 36-të, por Bashkimi barazoi shpejt me Resul Memetin. Megjithatë, para përfundimit të pjesës së parë, Muhjedin Dardhishta riktheu epërsinë 2-1.
Në pjesën e dytë vendasit vazhduan me ritëm të lartë. Shefit Shefiti realizoi dy herë, duke çuar rezultatin në 4-1 dhe duke e vulosur fitoren, ndërsa Avornio shënoi golin e dytë për Bashkimin në fundin e ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje, Arsimi ka tani 15 pikë dhe në javën e ardhshme do të përballet me Struga Trim Lum, ndërsa Bashkimi është në pozitën e pestë me 19 çikë, dhe javën e tjetër do të luajë kundër Rabotniçkit në Shkup. /Telegrafi/
Pas barazimit në kryeqytet, klubi zigjelbër nga Kumanova ka shkarkuar trajnerin dhe ndihmësin e tij, njofton Telegrafi.
Klubi i Bashkimit të Kumanovës ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Muarem Muaremi dhe ndihmësin e tij Enes Qaili.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit, ku drejtuesit kanë falënderuar dyshen për kontributin dhe punën e tyre në krye të ekipit.
Vendimi erdhi vetëm pak orë pas barazimit që Bashkimi e regjistroi në Shkup ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, në kuadër të javës së njëmbëdhjetë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Në fundjavë, skuadra e Bashkimit do të jetë mysafire e Arsimit në Gostivar, në ndeshjen e radhës të kampionatit.
Java e 11-të vazhdon sot me dy ndeshje të tjera interesante: Shkupi përballet me Strugën në Strugë, ndërsa Pelisteri pret Tikveshin. Të premten mbyllet xhiroja me duelet Brera – Shkëndija dhe Vardari – Sileksi. /Telegrafi/
Ka nisur java e 11-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut me dy ndeshje të luajtura sot, në Shkup dhe Gostivar, njofton Telegrafi.
Në kryeqytet, Makedonija Gj.P dhe Bashkimi ndanë pikët pas një dueli të luftuar që përfundoi 1:1. Të dy skuadrat patën raste të mira shënimi, ndërsa portierët ishin në qendër të vëmendjes gjatë pjesës së parë. Avantazhin e takimit e mori Bashkimi në fillim të pjesës së dytë me golin e Avornijos, pas një pasigurie të portierit vendas. Megjithatë, vendasit arritën të barazonin në minutat e fundit përmes Peçovit, duke shmangur humbjen në shtëpi. Kumanovarët, megjithëse pa fitore, treguan karakter dhe qartazi po rriten nga ndeshja në ndeshje.
KF Bashkimi - Kumanovë
Në Gostivar, Arsimi zhvilloi një ndeshje spektakolare përballë Rabotniçkit, duke arritur një barazim 2:2 pas një përmbysjeje të bukur në pjesën e dytë. Miqtë nga Shkupi përfituan në fundin e pjesës së parë, kur fillimisht Demir Imeri shënoi një gol të bukur nga distanca, ndërsa menjëherë pas tij një autogol i fatkeq e dyfishoi epërsinë e Rabotniçkit.
Në pjesën e dytë, skuadra nga Çegrani reagoi me vendosmëri, veterani Bashkim Velija realizoi një “perlë” nga 30 metra, ndërsa në minutat e fundit Albian Taipi, pasi goli iu konfirmua nga VAR-i, barazoi rezultatin për 2:2, duke shpërthyer entuziazmin në tribuna. Arsimi arriti të ruajë barazimin deri në fund dhe të marrë një pikë me shumë vlerë në shtëpi.
Pas këtyre dueleve, Arsimi ngjitet në kuotën e 12 pikëve, ndërsa Bashkimi mbetet me një bilanc të qëndrueshëm në mesin e tabelës. Java e 11-të do të vazhdojë me tri përballje të tjera interesante: nesër Shkupi luan ndaj Strugës, Pelisteri pret Tikveshin në orën 17:00, ndërsa të enjten zhvillohen dy duele të forta – AP Brera përballet me Shkëndijën në orën 13:30 dhe në mbrëmje Vardari pret Sileksin në orën 17:00. /Telegrafi/
Sot u luajtën dy duele të javës së 10-t, të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi. Shefit Shefiti me hat-trick spektakolar përmbysi Tikveshin, ndërsa Bashkimi e theu Shkupin për 4–1 në javën e 10-të të Ligës së Parë.
Në njërën prej ndeshjeve më dramatike të këtij sezoni, Tikveshi e humbi një fitore të sigurt ndaj Arsimit, ndonëse udhëhiqte me 2–0 dhe 3–1. Dueli në Kavadar përfundoi me fitoren e çegranasve 3–4, me Shefit Shefitin protagonist absolut falë një hat-tricku të jashtëzakonshëm, ndërsa Taipi në shtesë vulosi përmbysjen historike.
Skuadra eeTikveshit dominoi ndeshjen dhe me dy gola të Sadikut shkoi në pushim me avantazh 2–0. Në pjesën e dytë, Shefiti ngushtoi rezultatin, Ivanovski riktheu diferencën në 3–1, por në minutat e fundit Shefiti shënoi dy herë për 3–3, përpara se Taipi të realizonte golin e fitores në sekondat e fundit (3–4).
Pas kësaj fitoreje, Arsimi ngjitet në vendin e tetë me 11 pikë, ndërsa Tikveshi mbetet një pozitë më poshtë me 8 pikë.
Në ndeshjen tjetër të javës së 10-të, Bashkimi nga Kumanova vazhdoi formën e mirë duke mposhtur Shkupin me rezultat bindës 4–1. Skuadra e Muarem Muaremit dominoi nga fillimi deri në fund, me Aleksovskin dhe Simonovskin që shënuan herët për epërsi 2–0. Shkupi ngushtoi nga penalltia me Shukun, por Avronio riktheu qetësinë me golin e tretë para pushimit. Në fillim të pjesës së dytë, Bashkimi shënoi edhe golin e katërt, duke vulosur një fitore të merituar.
Me këtë triumf, Bashkimi ngjitet në kuotën e 18 pikëve dhe afrohet me vendet e kreut, ndërsa Shkupi mbetet në fund të tabelës me vetëm një pikë pas dhjetë javësh kampionat.
Pas një pauze të gjatë, shkaku i angazhimeve të përfaqësueses së Maqedonisë në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror dhe më pas nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, futbolli vendor rikthehet, nga sot me duelet e javës së dhjetë në Ligën e Parë, njofton Telegrafi.
Java do të nisë me dy ndeshje të premten, ku më interesant pritet të jetë derbi shqiptar në Kumanovë. Ekipi i Bashkimit, që këtë sezon po tregon formë solide, do të jetë nikoqir i Shkupit. Dy skuadra me objektiva të ndryshme – Bashkimi ndodhet në pozitën e pestë me 15 pikë, ndërsa Shkupi, ndonëse një emër i madh në futbollin vendor, këtë edicion po kalon periudhë të vështirë dhe gjendet në fund të tabelës me vetëm një pikë të fituar.
Dueli tjetër i ditës do të luhet në Kavadar, ku Tikveshi pret Arsimin. Të dy ekipet kanë pikë të barabarta në renditje dhe synojnë të marrin maksimumin për të larguar presionin e zonës së ftohtë. Të dy ndeshjet do të fillojnë në orën 14:30.
Të shtunën do të zhvillohen dy takime të tjera: Rabotniçki do të përballet me Makedonija Gj.P, ndërsa Struga Trim Lum, që aktualisht kryeson tabelën, do të jetë nikoqire e Brerës nga Strumica.
Të dielën pritet një duel interesant mes Sileksit dhe Pelisterit, ndërsa java e dhjetë do të mbyllet të hënën me superderbin e madh mes Shkëndijës dhe Vardarit, përballje që gjithmonë sjell emocione dhe rivalitet të lartë.
Shkaku i ndryshimit të orës nga ajo verore në dimërore, ndeshjet Sileksi – Pelisteri dhe Shkëndija – Vardari do të fillojnë në orën 13:30. /Telegrafi/
Shkëndija nga Haraçina ka realizuar një befasi të madhe në Kupën e Maqedonisë, duke eliminuar një ekip të Ligës së Parë, Pelisterin nga Manastiri, me rezultat 1-0 dhe duke siguruar vend mes tetë skuadrave më të mira të garës, njofton Telegrafi.
Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin e lagjes Hasanbeg në Shkup, u kontrollua nga skuadra vendase. Goli vendimtar erdhi në minutën e 51-të, kur Arsim Lamallari, ishte më i lart në kërcim në një goditje këndi, shënoi me kokë. Pelisteri krijoi disa mundësi deri në fund, por nuk arriti të gjejë rrugën drejt portës, duke e bërë këtë fitore të rëndësishme për Shkëndijën nga Haraçina. Rivalin e radhës Shkëndija do ta mësojë në shortin që do të organizojë Federata e Futbollit të Maqedonisë.
Ndërkohë, Struga Trim & Lum u kualifikua për çerekfinale me një fitore të qartë 5-0 ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në Shkup. Ivkoviç hapi rezultatin pas një pasimi të saktë nga Fal, pas aksionit të nisur nga kapiteni Shabani. Në fillim të pjesës së dytë, Arbi Vosha shënoi golin e dytë me një goditje të saktë. Basiru Kompaore realizoi golin e tretë në minutën e 76-të, ndërsa Hristijan Maleski dhe Stefan Jevtovski vulosën rezultatin përfundimtar 5-0. Struga vazhdon rrugëtimin në Kupë, pasi vitin e kaluar arriti në finale ku humbi ndaj Vardarit.
Në një tjetër ndeshje, Bashkimi u përball me Sileksin në “Stadiumin e Qytetit” në Kumanovë. Takimi nisi me një gol spektakolar të Darko Dodev në minutën e 4-t,nga një ditancë mbi 15 metra. Para pushimit të pjesës së parë, Kumanova barazoi me një gol të Marko Simonovskit. Nikoliq shënoi golin e fitores pë mysafirët.
Rabotniçki ka siguruar kualifikim vetëm pas goditjeve nga penalltia, pasi ndeshja në kohën e rregullt kishte përfunduar 1-1 ndaj Bregallnicës.
Ndeshjet e radhës:
Vardari – Novaci luhet nesër, e mërkurë, 22 tetor 2025, ora 14:00.
Për shkak të angazhimeve në Ligen e Konferencës, ndeshja Shkëndija (Tetovë) – Tikveshi do të zhvillohet më 19 nëntor 2025, e mërkurë, ora 13:00.
Dy skuadra, Detoniti dhe Ohri, janë kualifikuar automatikisht në çerekfinale./Telegrafi/
Kupa e Maqedonisë së Veriut hyn në fazën e saj të dytë, ose ndryshe 1/8 e finales me pesë ndeshje që do të zhvillohen këtë javë më 21 dhe 22 tetori. Tashmë dy skuadra, Detoniti dhe Ohri, janë kualifikuar automatikisht në çerekfinale, por vëmendja më e madhe këtë javë është te ekipet shqiptare që do të kërkojnë të bëjnë hapin e radhës drejt trofeut, njofton Telegrafi.
Skuadra e Bashkimit nga Kumanova përballet me Sileksin në një duel që pritet të jetë i balancuar. Bashkimi, që ka treguar formë solide këtë sezon, do të kërkojë të shfrytëzojë përparësinë e fushës për të eliminuar një kundërshtar me më shumë përvojë nga elita.
Një ndeshje shumë e fortë dhe ndër më interesantet e kësaj faze. Struga Trim&Lum, ndeshet në udhëtim me një skuadër që ka treguar shpesh se mund të befasojë, Makedonija Gjorçe Petrov në Shkup. Struga është favorite, por në një ndeshje të vetme gjithçka është e mundur.
Ky është një duel historik për skuadrën e Shkëndijës nga Haraçina, e cila ka mbërritur në këtë fazë pas një paraqitjeje të mirë. Përballë do të ketë Pelisterin, një ekip me emër të madh në futbollin e vendit tonë, por që nuk po kalon formën më të mirë. Një shans i artë për Shkëndijën e Haraçinës që të shkruajë histori. Një ditë më vonë pra të mërkurën në ora 14:00, luhet dueli Vardari me Novacin e ligës së dytë.
Shkëndija e Tetovës, një nga klubet më të mëdha shqiptare në vend, do të luajë më vonë për shkak të angazhimeve të saj në garat e Ligës së konferencës. Tikveshi është një kundërshtar serioz, por objektivi i Shkëndijës është i qartë, triumfi në Kupë dhe kthimin e këtij trofeu. /Telegrafi/
Duelet e Kupës së Maqedonisë së Veriut:
21 tetor 2025 (e martë, ora 14:00)
Bashkimi – Sileksi
Makedonija Gj.P. – Struga T.L.
Rabotniçki – Bregallnica
Shkëndija (Haraçinë) – Pelisteri
22 tetor 2025 (e mërkurë, ora 14:00)
Vardari – Novaci
19 nëntor 2025 (e mërkurë, ora 13:00)
Shkëndija (Tetovë) – Tikveshi
Dy skuadra, Detoniti dhe Ohri janë kualifikuar automatikisht në çerekfinale.
Këtë fundjavë nuk do të zhvillohen ndeshje futbolli në Maqedoni, pasi Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) ka pranuar rekomandimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për të shtyrë të gjitha takimet për shkak të mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale, njofton Telegrafi.
Janë publikuar terminet e reja për ndeshjet e shtyra të javës së dhjetë, ndërsa vëmendjen më të madhe, sigurisht, e tërheq derbi i madh mes Shkëndijës dhe Vardarit, i cili do të luhet në “Stadiumin e Qytetit” në Tetovë.
Përballja mes Shkëndijës dhe Vardarit është caktuar për të hënën, më 27 tetor, me fillim nga ora 13:30.
Xhiroja e dhjetë në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë do të nisë të premten (më 24 tetor) me ndeshjet Bashkimi – Shkupi dhe Tikveshi – Arsimi (në orën 14:30).
Të nesërmen, pra të shtunën, do të luhen takimet Rabotniçki – Makedonija GP dhe Struga – Brera (në orën 14:30), ndërsa të dielën (më 26 tetor) është parashikuar vetëm një ndeshje – Sileksi kundër Pelisterit (në orën 13:30). /Telegrafi/
Pas nëntë javëve të para në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, Struga Trim & Lum e pandalshme në krye, Shkëndija në ndjekje për mbrojtjen e titullit, ndërsa Shkupi përjeton sezonin më të errët në historinë e saj, njofton Telegrafi.
Liga e Parë ka hyrë në një pauzë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueses, por pas nëntë javëve, tabela e kampionatit është e qartë: Struga Trim & Lum kryeson pa humbje dhe me një golaverazh mbresëlënës, Shkëndija po qëndron fort në garë për fronin, ndërsa Bashkimi dhe Arsimi po kërkojnë stabilitet në mesin e tabelës. Në anën tjetër, FC Shkupi, një klub me traditë, është zhytur në krizë të thellë me vetëm një pikë të fituar.
Struga Trim & Lum – lidere e padiskutueshme
Struga Trim & Lum po zhvillon një sezon fantastik. Pas nëntë javëve, skuadra strugane kryeson renditjen me 23 pikë, me një bilanc mbresëlënës prej 7 fitoreve dhe 2 barazimeve, pa asnjë humbje.
Me 22 gola të shënuar dhe vetëm 5 të pësuar, Struga ka golaverazhin më të mirë në kampionat (+17), duke dëshmuar forcën e saj në të dyja fazat e lojës. Ekipi i trajnerit Blendi Shkëmbi ka ndërtuar një stil dominues dhe të disiplinuar, ku përveç efikasitetit në sulm, mbrojtja ka qenë një nga më të qëndrueshmet në ligë.
Shkëndija – kampionia që nuk heq dorë nga froni
Në vendin e tretë, me 21 pikë, qëndron Shkëndija e Tetovës, kampione në fuqi dhe rivale e përjetshme për kreun. Kuqezinjtë kanë regjistruar 6 fitore dhe 3 barazime, duke qenë një nga tre skuadrat që ende nuk kanë pësuar humbje. Me 15 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar, Shkëndija është ekipi me mbrojtjen më të fortë në kampionat. Forma e qëndrueshme, përvoja dhe grupi i konsoliduar e mbajnë skuadrën tetovare në garë të plotë për titull, në një duel që duket se do të vazhdojë gjatë gjithë sezonit me Strugën dhe Vardarin. Sigurisht se garën e bënë pak më të vështirë, pasi kuqezinjtë nga Tetova këtë seszonë janë pjesëmarrës për herë të parë në historinë e klubit edhe në garat e Ligës së Konferencës.
Bashkimi befasia pozitive e sezonit
Ekipi i Bashkimit të Kumanovës është një nga historitë e bukura të këtij fillim sezoni. Pas nëntë javëve, Bashkimi renditet në vendin e pestë me 15 pikë, falë 4 fitoreve, 3 barazimeve dhe vetëm 2 humbjeve.
Skuadra ka shënuar 12 gola dhe ka pësuar po aq (12:12), çka tregon një ekuilibër të mirë mes fazave të lojës. Në javët e fundit, Bashkimi ka treguar karakter, duke marrë rezultate të rëndësishme si mysafir, dhe po hyn me ambicie në mesin e skuadrave që luftojnë për pozicionet e para. Nëse jo më shumë, kumanovarët do të sulmojnë një pozitë që u mundëson dalje në garat evropiane.
Arsimi luan “ftohtë-nxehtë”, me potencial për rikthim
Në vendin e tetë me 8 pikë gjendet Arsimi i Tetovës, që ka realizuar 2 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje, me golaverazh 13:16. Skuadra ka treguar momente të mira loje, sidomos në duelet në shtëpi, por mungesa e vazhdimësisë dhe disa gabime në fundin e ndeshjeve kanë kushtuar pikë të vlefshme. Nëse arrin të stabilizojë mbrojtjen dhe të ruajë ritmin e sulmit, Arsimi ka potencial për të ngjitur disa shkallë në tabelë pas rikthimit nga pauza.
Shkupi në krizë, nëntë javë një pikë
Në fund të tabelës, me vetëm 1 pikë nga 9 ndeshje, qëndron FC Shkupi, një klub me traditë të madhe dhe katër tituj kampion në historinë e saj. Bilanci është alarmant: 0 fitore, 1 barazim dhe 8 humbje, me golaverazh -17 (6:23).
Kjo është periudha më e vështirë që ka përjetuar Shkupi në vitet e fundit, ku problemet financiare, ndryshimet e brendshme dhe mungesa e stabilitetit kanë ndikuar drejtpërdrejt në fushë. Në Çair mbretëron pasiguria, ndërsa tifozët presin reagim dhe masa konkrete për ta shpëtuar sezonin, që aktualisht po shkon drejt katastrofës.
Pauza – moment reflektimi
Pas nëntë javëve, kampionati po tregon se do të jetë një nga më interesantët e viteve të fundit. Ekipet shqiptare janë protagoniste në çdo nivel të tabelës: Struga Trim & Lum si lidere e qartë, Shkëndija në ndjekje për mbrojtjen e titullit, Bashkimi me rritje të qëndrueshme, Arsimi që kërkon stabilitet dhe Shkupi që përballet me krizën më të thellë në historinë e tij të afërt.
Pauza për ndeshjet e përfaqësueses do t’u japë trajnerëve kohë për analizë dhe përgatitje, ndërsa rikthimi në fushë pritet të sjellë edhe më shumë emocione dhe duele të zjarrta mes skuadrave shqiptare që po e udhëheqin elitën e futbollit në Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka reaguar pas ndeshjes së zhvilluar dje në Strumicë, mes AP Brera dhe KF Bashkimi, e vlefshme për javën e 9-të të Ligës së Parë, njofton Telegrafi.
Kontestimet lindën në minutën e 85-të, kur gjyqtari kryesor Plarent Salihu nga Tetova, akordoi një penallti për skuadrën vendase, pas një dueli në zonë.
Sipas sqarimit zyrtar, nga pamjet e analizuara rezulton se mbrojtësi mysafir me numrin 2, në përpjekje për të larguar topin me kokë, gjatë rënies pa dashje shkel mbi lojtarin vendas me numrin 77, moment të cilin gjyqtari e interpretoi si ndërhyrje të palejuar.
VAR ndërhyri për ta ftuar arbitrin që të rishikonte pamjet, duke vlerësuar se intensiteti i kontaktit ishte minimal dhe se nuk pati ndikim real në lojë. Megjithatë, gjyqtari vendosi të mos ndryshojë vendimin fillestar, duke qëndruar në qëndrimin për penallti, vendim që më pas u konsiderua i gabuar nga kontrolluesit e arbitrimit.
Nga FFM theksojnë se gjyqtari do të vlerësohet negativisht për këtë rast, por njëkohësisht rikujtojnë se gabimet njerëzore janë pjesë e futbollit, edhe kur përdoret teknologjia VAR.
Federata dhe Organizata e Gjyqtarëve kanë theksuar se do të vazhdojnë me trajnimin dhe përgatitjen profesionale të arbitrave, për të ngritur standardet e drejtësisë në ndeshje dhe për të ruajtur integritetin e garës. /Telegrafi/
Pas barazimit 1-1 në Strumicë ndaj Brerës, në kuadër të javës së tetë të Ligës së Parë, KF Bashkimi nga Kumanova ka reaguar ashpër ndaj gjykimit të arbitrit kryesor Plarent Salihu nga Tetova, duke e cilësuar referimin e tij si tendencioz dhe skandaloz, njofton Telegrafi.
Nga klubi zigjelbër theksojnë se, pavarësisht mikpritjes korrekte të skuadrës vendase dhe pranisë së tifozëve të tyre “Ilirët” në stadium, ndeshja u prish nga vendimet e arbitrit.
“Plarent Salihu pa asnjë arsye u bë lojtari i 12-të i Brerës. Vendimet e tij ishin të njëanshme, skandaloze dhe jashtë çdo standardi të fair-play-it. Ai shkatërroi bukurinë e futbollit dhe e ktheu ndeshjen në një cirk.”
Në reagim, Bashkimi akuzon se arbitri i njëjtë ka dëmtuar rëndë edhe në ndeshje të tjera, përfshirë takimin e Osogovës, duke ngritur shqetësime për imazhin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
“Z. Josip Barton, komisar i referëve, a turpërohesh nga veprimet e referit tuaj, i cili në një kohë prej 4 javësh dëmton rëndë edhe KF Osogovën. A jeni të vetëdijshëm se investimet dhe tifozët po i largojnë pikërisht këta arbitra amatorë e tendenciozë?”
Nga klubi kumanovar kërkohet suspendimi i menjëhershëm i arbitrit Salihu, duke paralajmëruar se përndryshe do të mendojnë se “kundër Bashkimit është organizuar një puç për të ndalur hovin e ekipit”.
Shkupi merr pikën e parë, Bashkimi ndalet nga një penallti e diskutueshme
Shkupi merr pikën e parë, Bashkimi ndalet nga një penallti e diskutueshme telegrafi.com
Java e tetë e Ligës së Parë të Maqedonisë ka vazhduar sot me dy ndeshje shumë interesante, njofton Telegrafi.Vëmendjen kryesore sot e mori FC Shkupi, i cili më në fund arriti të marrë pikën e parë këtë sezon, pas tetë humbjeve radhazi. Çairasit barazuan 1-1 ndaj Rabotniçkit në Strugë, në një ndeshje...
Në fund, Bashkimi i dërgon mesazh të qartë FFM-së:
“Mos i prekni tifozët tanë, ata janë pasuria jonë dhe oksigjeni i klubit. Futbolli duhet të jetë garë e ndershme, jo skenë për skandale.” /Telegrafi/
Java e tetë e Ligës së Parë të Maqedonisë ka vazhduar sot me dy ndeshje shumë interesante, njofton Telegrafi.
Vëmendjen kryesore sot e mori FC Shkupi, i cili më në fund arriti të marrë pikën e parë këtë sezon, pas tetë humbjeve radhazi. Çairasit barazuan 1-1 ndaj Rabotniçkit në Strugë, në një ndeshje ku treguan shpirt gare dhe u shpërblyen me rezultat pozitiv.
Shkupi kaloi në epërsi në minutën e 25-të falë golit të Erion Shukut, i cili shfrytëzoi një gabim të portierit rival. Edhe pse Rabotniçki barazoi në pjesën e dytë me golin e Ademit, Shkupi rezistoi deri në fund dhe i gëzoi tifozët e vet me pikën e parë të sezonit.
Në takimin tjetër të ditës, Bashkimi ishte shumë afër fitores në transfertë ndaj AP Brerës në Strumicë, por një penallti e kontestuar e akorduar nga arbitri Salihu pas verifikimit në VAR, i mohoi kumanovarëve tri pikë të mëdha.
Ndeshja përfundoi 1-1, me golin e parë të shënuar nga Avornio për Bashkimin, ndërsa Brera barazoi në minutat e fundit me golin e Ndzenges nga pika e bardhë.
Pas këtyre rezultateve, Bashkimi mbetet në zonën e sipërme të tabelës me një ecuri solide, ndërsa Brera ndodhet në mes të renditjes. Shkupi vazhdon të jetë i fundit me vetëm një pikë, ndërsa Rabotniçki i parafundit me pesë sosh. /Telegrafi/
Dje Makedonija Gj.P e mundi Arsimin me rezultat 4-1, ndërsa java e teë vazhdon nesër dhe pasnesër me këto përballje: