Në një kohë kur në Iran po intensifikoheshin protestat kundër regjimit, me qindra nëse jo mijëra të vrarë, Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Donald Trumpit, zhvilloi një takim sekret me djalin e mërguar të shahut të fundit të Iranit.
Sipas Axios, Witkoff dhe Reza Pahlavi diskutuan gjatë fundjavës për trazirat që po trondisin vendin. Bëhet fjalë për takimin e parë të nivelit të lartë mes opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga shpërthimi i protestave, tashmë prej 15 ditësh.
Pahlavi po përpiqet të pozicionohet si një lider tranzitor në rast të rrëzimit të regjimit, megjithatë ai nuk gëzon popullaritet të gjerë mes iranianëve.
Më herët sot, të martën, presidenti Trump, në një postim të tij, u bëri thirrje qytetarëve iranianë “të vazhdojnë protestat” dhe “të pushtojnë institucionet qeveritare”, duke theksuar se “ndihma është në rrugë”.
Pahlavi është djali i shahut që u rrëzua gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979. Aktualisht ai udhëheq një grup opozitar me bazë në Shtetet e Bashkuara. Me shpërthimin e trazirave, ai ka shtuar dukshëm paraqitjet në media, duke i bërë thirrje administratës Trump të ndërhyjë për të mbështetur protestat.
Megjithatë, siç vëren Axios, në fillim të protestave administrata Trump nuk e konsideronte Pahlavin si një faktor të rëndësishëm politik. Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se administrata u befasua nga fakti se gjatë shumë protestave, demonstruesit thërrisnin emrin e Pahlavit të mërguar.
“Shumica e këtyre protestuesve kanë lindur pas Revolucionit të vitit 1979 dhe ndjejnë nostalgji për një periudhë që nuk e kanë jetuar kurrë, kur ekonomia e vendit ishte në rritje, ekzistonte liri shoqërore dhe Irani kishte një imazh pozitiv ndërkombëtar. Pahlavi është lideri që për shumë iranianë mishëron më së miri këtë patriotizëm dhe këtë nostalgji progresive për ta bërë Iranin sërish të madh”, deklaroi për Axios një analist.
“Ekselenca supreme konsiston në thyerjen e rezistencës së armikut pa luftuar”. Kjo thënie e lashtë e Sun Tzu duket se është udhërrëfyesi i planit të ri që këshilltarët e Donald Trump i kanë paraqitur presidentit për të mbështetur revoltën në Iran.
Strategjia nuk bazohet vetëm te forca ushtarake, por te “lufta konjitive”, një art ushtarak që synon të godasë direkt në zemrën dhe mendjen e kundërshtarit përmes mjeteve kibernetike dhe operacioneve speciale psikologjike (PsyOps).
Sfidat për zbatimin e këtij plani janë të mëdha, kryesisht për shkak të bllokimit total të internetit nga regjimi i Teheranit. Ndërsa inteligjenca amerikane po punon për të infiltruar serverët lokalë, një vëmendje e veçantë po u kushtohet mediave tradicionale.
Ekspertët parashikojnë ndërhyrje në kanalet televizive shtetërore për të transmetuar thirrje për rebelim, por mbi të gjitha, përdorimin e valëve të radios, të cilat kanë një shtrirje masive në popullsi.
Në të kaluarën, Pentagoni përdorte skuadriljen “193rd Special Operations Wing” me avionë Hercules të modifikuar si stacione radio-televizive fluturuese, dhe megjithëse këta avionë dolën nga shërbimi dy vite më parë, po diskutohet zëvendësimi i tyre me dronë që mund të lëshojnë deri edhe fletëpalosje mbi qytetet iraniane, si një simbol i humbjes së kontrollit nga ana e regjimit.
Qëllimi kryesor i kësaj “Simfonie Persiane” është demoralizimi i Gardës Revolucionare (Pasdaran). Plani synon të krijojë përshtypjen se rënia e qeverisë është e pashmangshme, duke infiltruar komunikimet e tyre të brendshme dhe duke izoluar njësitë që shtypin protestat.
Për të bashkuar shtresat e ndryshme të popullsisë, nga tregtarët e varfëruar deri te rinia që kërkon demokraci, Inteligjenca Artificiale do të luajë një rol kyç në gjenerimin e sloganeve dhe imazheve që do të forcojnë narrativën e revoltës.
Nga ana tjetër, Irani nuk po qëndron duarkryq. Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei ka krijuar një “shtab të luftës psikologjike” me 40 mijë studentë, nën programin “Balagh-e-Mobin”. Synimi i tyre është të mbrojnë vlerat e Islamit dhe të sulmojnë “Perëndimin”.
Ndërkohë që kjo betejë narrativash vazhdon, Shtëpia e Bardhë po përdor edhe strategjinë e mashtrimit, duke e mbajtur Teheranin në alarm të vazhdueshëm për një ndërhyrje ushtarake të mundshme, një manovër kjo e ngjashme me “Operacionin Fortitude” të Luftës së Dytë Botërore.
Rezultati i kësaj përplasjeje do të varet nga aftësia e SHBA-ve për të qenë e besueshme në mesazhet e saj dhe nga forca e popullit iranian për të vijuar rezistencën.
Të tjera pamje nga kamerat e sigurisë, kanë dalë në media, të cilat tregojnë momentin kur i paraburgosuri Altin Ndoci mbërrin në oborrin e Spitalit të Durrësit, i shoqëruar me ambulancë.
Në këto pamje, Ndoci shfaqet duke dalë nga ambulanca i lirë dhe pa pranga, dhe më pas të shoqërohet në drejtim të godinës së spitalit.
Shoqërimi i tij bëhet në kundërshtim me rregulloren, pasi duhej të ishte i prangosur për shkak të rrezikshmërisë.
Ndërkohë më herët, u publikuan edhe pamje të tjera të kapura nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë momentin e arratisjes, që zgjasin vetëm rreth 6 sekonda. Ndoci duket se ka vepruar tërësisht i qetë pasi nuk shihen roje sigurie apo punonjës policie që të jenë duke e ndjekur nga pas.
Altin Ndoci, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, u arratis nga paraburgimi këtë të martë, 13 janar. 39-vjeçari ishte dërguar në infektivin e spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.
Ndoci dyshohet të jetë arratisur në momentin kur është lënë vetëm brenda një dhome në spital. Mbetet e paqartë si ka arritur të largohet, duke qenë se për ruajtjen e tij ishin caktuar të paktën pesë efektivë policie.
Targat e “Audi A7”-ës ishin të vjedhura, mjeti me të njëjtin model
Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u arratis nëpërmjet një makinë “Audi A7“, me targë AA700RS, që e priste te parkingu i spitalit.
Mësohet se targat e automjetit që u përdor për arratisjen e Ndocit nga Spitali i Durrësit rezultojnë të denoncuara të vjedhura pak ditë më parë.
Autorët që ndihmuan në arratisjen e Ndocit duket se e kishin planifikuar në detaje planin, në mënyrë që askush të mos dyshonte pasi modeli i makinës që u vodhën targat dhe makina që u përdor për arratisje është i njëjtë, “Audi A7”.
Kush ishte polici që qëlloi në ajër për ta trembur
Mësohet se një nga policët që e shoqëronte Ndocin nga paraburgimi i Durrësit për në spital, ka qenë Fatjon Baci. Ai është personi që shfaqet në pamjet që kanë qarkulluar nga momenti i arratisjes së Ndocit dhe shihet me armë në dorë.
Në momentin kur Ndoci arriti t’u largohej punonjësve të Policisë, Baci ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit për ta trembur, por kjo nuk mjaftoi për ta ndaluar të arratisurin, i cili tashmë ishte larguar nga ambientet e spitalit.
Forca të shumta policie janë vënë në lëvizje me qëllim kapjen e tij. Ndërkohë, arratisja e Ndocit, ka sjellë pezullimin e gjithë zinxhirit komandues të burgut të Durrësit. Deri më tani raportohet për 10 zyrtarë të pezulluar.
Altin Ndoci nuk u arratis për shkak të një rrethane të favorshme të momentit, por ai qartazi, e kishte thurur më parë planin e tij. Pikëpyetjet e shumta lidhur me ngjarjen e rëndë lidhen me gjithë procedurën e çuditshme të ndjekur nga autoritetet e paraburgimit të Durrësit, dhe shkeljet flagrante nga ana e tyre.
Rregullorja e Përgjithshme e burgjeve parashikon në nenin 109 të saj, pika 2 se “numri i punonjësve të sigurisë që bëjnë shoqërimin e të burgosurit të sëmurë në shërbimet e kujdesit shëndetësor jashtë institucionit caktohet në varësi të situatës, rrezikshmërisë, ambienteve, por në asnjë rast jo më pak se 3 (tre) punonjës sigurie për një të burgosur”.
Që këtu, nis shkelja e parë. Në furgonin e policisë së burgjeve, për të shkuar në repartin infektiv të spitalit të Durrësit, nuk ishte vetëm Altin Ndoci, por dhe një tjetër i paraburgosur, i dyshuar për vepra jo të rënda. Sipas rregullores, do të duhej që minimalisht për shoqërimin e tij të ishin 6 punonjës sigurie. Në të vërtetë, ishin vetëm 5. I gjashti ishte thjesht shoferi i furgonit.
Altin Ndoci, nuk ishte një i paraburgosur i rëndomtë. Nuk ishte as e nevojshme të lexoje gjithë dosjen e tij për të vlerësuar se bëhej fjalë për një person fort të rrezikshëm. Në këtë rast edhe protokollet, nuk janë ato të një rasti normal. Përkundrazi. Në situata të tilla përfshihen forcat operacionale, me një numër më të lartë efektivësh, e madje kërkohet dhe mbështetje nga policia. Dhe minimalisht dy furgonë. Por as kjo nuk ndodhi. Për Report Tv policia e Shtetit tha se në këtë shoqërim, nuk u kërkua ndihma e bluve.
Reparti infektiv në spitalin e Durrësit, ka një dhomë qeli, për të vizituar të dënuar apo të paraburgosur. Në çdo rast, sipas burimeve nga spitali, personeli mjekësor njoftohet paraprakisht. Nuk rezulton të ketë ndodhur.
Për habi, gjatë paradites, në portën hyrës të godinës tre katëshe të Infektivit, sot nuk kishte as roje private.
Nuk mbaron me kaq. Sipas dinamikës së ngjarjes, Ndoci është shoqëruar lart, vetëm nga dy punonjës sigurie. Tre të tjerët shoqëronin të paraburgosurin tjetër, larg së qeni, i një rrezikshmërie të lartë. Madje pasi ky i fundit ka përfunduar vizitën, të tre i kanë hipur furgonit për ta rikthyer në qeli, duke e lënë Ndocin, tërësisht në duart e vetëm dy kolegëve të tyre.
Por njollat e errëta që mbulojnë këtë ngjarje, shtrihen përtej këtij episodi. Për cilat arsye, mund të lihej në një burg si ai i Durrësit, botërisht i njohur, si një mjedis konvaleshence për të dënuarit një person me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar me urdhër të SPAK, si pjesë e grupeve kriminale?
Pakujdesi apo komplicitet, këtë mbetet ta vërtetojnë hetimet. Por një gjë është e qartë, arratisja e Ndocit është një dështim spektakolar! /Shqiptarja.com/
Emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar automjetin tip Audi, me targë ‘AB 700 RS’, me të cilin është arratisur ditën e sotme nga spitali rajonal i Durrësit, Altin Ndoci.
Ndoci u largua sot pas një vizite mjekësore në spital, edhe pse i shoqëruar nga disa efektivë të burgjeve.
Besohet se arratisja e këtij personazhi të rrezikshëm të botës së krimit ishte e mirëplanifikuar, pasi automjeti në fjalë ka qenë duke e pritur atë në parkingun e spitalit.
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si opozita po organizon protestat kundër qeverisë, duke theksuar se ato nuk kanë më peshën dhe efektin e nevojshëm politik. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Shehi u shpreh se protestat aktuale nuk arrijnë të mobilizojnë qytetarët dhe nuk prodhojnë ndryshim real.
“S’po protestojmë si në Teheran. Këto nuk janë protesta qytetare masive, por tubime militantesh që po lodhen javë pas jave”, deklaroi Shehi. Ai theksoi se pjesëmarrja e kufizuar tregon mungesën e një mesazhi të fortë politik dhe të figurave frymëzuese. Sipas tij, Sali Berisha nuk arrin më të inspirojë shumicën e shqiptarëve për të dalë në rrugë.
Shehi u shpreh se opozita duhet të ndalë retorikën e përsëritur dhe të ndërtojë një projekt politik të qartë, 360 gradë, me objektiva konkrete. “Nuk mjafton të kërkosh largimin e Edi Ramës apo qeveri teknike, kur këto nuk janë realisht të arritshme. Opozita duhet të fokusohet në gjëra që i ka në dorë: reformën zgjedhore, reformën administrative, rishikimin e Kushtetutës”, tha ai.
Kreu i LZHK-së nënvizoi se sot shpresa kryesore e qytetarëve është te drejtësia, duke shtuar se opozita duhet ta mbështesë SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë, në vend që t’i sulmojë kur vendimet nuk i pëlqejnë. “Vetëm drejtësia mund të rikthejë besimin dhe të inspirojë qytetarët”, u shpreh Shehi.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, duke komentuar rastin e Altin Ndocit, i cili u arratis nga spitali i Durrësit, u shpreh se ka patur edhe një rast tjetër potencial, që mund të kishte ndodhur në Shkodër.
Ai tha se ka pasur një situatë në burgun e Reçit, ku drejtuesi i grupit të shoqërimit ka refuzuar transportin e një të burgosuri me argumentin se nuk ka pasur masat e duhura të sigurisë.
Madje ai shtoi se ndaj tij është propozuar masë disiplinore.
“Përpara ca ditësh, e njëjta situata ka ndodhur në Burgun e Reçit në Shkodër, ku një personazh më i rrezikshëm se ky , ka dashur të shkojë në spital drejtuesi i grupit të shoqërimit ka thënë: me kaq veta sa kam, nuk e shoqëroj.
I është propozuar masë disiplinore pse nuk e çon, dhe tani i është anuluar masa në Drejtori të Përgjithshme, sepse i kishin thënë do ti vendosim masë, se ky nuk zbaton urdhrin.
Ai thotë se nuk ka garanci ta çoj, sepse ikën pastaj, ka probleme në analizën e riskut që bën. Këtë më duket e kanë bërë në kokën e vet, pa lajmëruar këta lart dhe tani shiko çfarë bëhet.”, tha ai në “Real Story”.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili organizohet nën kujdesin e veçantë të presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Kreu i qeverisë ndau pamjet në rrjetet sociale nga pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed”, të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.
Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ndërkaq, kryeministrit Edi Rama iu akordua medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan. Rama theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.
Kreu i Ekzekutivit ishte i pranishëm në këtë event me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.
I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, inxhinieri i njohur i hidroteknikës Dhimitër Vogli tha se problemi kryesor i përmbytjeve në Shqipëri nuk është mungesa e reagimit në emergjencë, por dështimi i sistemit të parandalimit.
Sipas tij, kur ndodh katastrofa, shteti arrin të funksionojë:
“Sot emergjencat civile janë relativisht mirë të organizuara për ndërhyrjen në momentin e fatkeqësisë: vijnë në kohë, kanë mjete, makina, ushqime, logjistikë. Kjo anë funksionon.”
Por thelbi i problemit, thekson Vogli, është parapërgatitja:
“Ajo që çalon fort është ana tjetër: parapërgatitja. Ne reagojmë pasi uji ka hyrë në shtëpi, por nuk punojmë që uji të mos hyjë fare. Ende nuk është e qartë kush mban përgjegjësi për mungesën e saj: bashkia, ministria, qeveria qendrore? Pa ndarë përgjegjësinë, nuk mund të gjesh zgjidhjen.”
Sipas Voglit, një nga arsyet kryesore të këtij dështimi është shkatërrimi i strukturës teknike shtetërore që dikur mbikëqyrte sistemin e ujërave:
“Dikur Shqipëria kishte institute shtetërore dhe specialistë që e njihnin të gjithë sistemin: argjinaturat, kanalet, hidrovoret dhe veprat mbrojtëse. Sot kjo nuk ekziston më.”
Ai thekson se projektet sot realizohen të copëzuara, pa një vizion të përbashkët:
“Projektet bëhen nga firma të veçuara. Ai që ndërton një urë të re nuk e di çfarë ka bërë ai që ka ndërtuar të vjetrën.”
Vogli shton se mungon një strukturë shtetërore që ta shohë të gjithë sistemin në tërësi:
“Nuk ka një bërthamë shtetërore që ta kontrollojë sistemin. Nuk ka kontroll teknik real.”
Sipas tij, as ministrat nuk mund të zëvendësojnë dijen teknike:
“Kjo nuk është punë politike. Kjo është punë inxhinierësh.”
Zgjidhja, sipas Voglit, është e thjeshtë dhe shumë më pak e kushtueshme se dëmet nga përmbytjet:
“Duhet një grup i vogël specialistësh shtetërorë, 10–15 vetë, që të njohin çdo digë, çdo argjinaturë, çdo kanal dhe çdo hidrovore. Kjo do të kushtonte shumë pak, krahasuar me qindra milionë euro që shteti paguan sot për dëme.”, thotë Vogli.
Autoritetet iraniane njoftuan se kanë arrestuar 279 persona që dyshohet se lidhen me “organizata trazirash” me lidhje me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Shefi i policisë së sigurisë publike, Faraja, tha se janë arrestuar 279 banditë dhe shkaktarë trazirash, sipas raportimit të transmetuesit shtetëror IRIB në Telegram.
Zyrtarët iranianë akuzojnë SHBA-në dhe Izraelin për nxitje të paqëndrueshmërisë në vend dhe i kanë quajtur protestuesit “vandalë”.
Protestat, që sipas autoriteteve kanë përfshirë rreth 180 qytete dhe qyteza në 31 provinca, u shkaktuan nga zemërimi për rënien e monedhës iraniane dhe rritjen e kostos së jetesës.
Avokati dhe eksperti i sigurisë, Gjergj Nikolli, duke komentuar rastin e arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, tha se efektivi i Policisë ka pasur të drejtën të qëllojë me armë zjarri, sepse kemi të bëjmë me një të burgosur që arratiset.
Ai theksoi në “Real Story” se në trajnimet e kryera, thuhet se arma e zjarrit, duhet të jetë mjeti i fundit që duhet të përdoret.
“Në të gjitha instruktimet, këshillohet të evitohet në maksimum arma e zjarrit, pra, të ngelet mjeti i fundit.
Kjo thuhet në të gjitha trajnimet që bëhen.
Në rastin konkret ka pasur të drejtën ta përdoret, sepse kemi të bëjmë me një të burgosur që largohet nga vendqëndrimi i detyruar”, tha ai.
Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Mekanizmin Europian të Emergjencave civile, ka aktivizuar vlerësimin e situatës pas reshjeve të fundit nga Sateliti Copernicus për zonat e përmbytura.
Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e Mekanizmit Europian të emergjencës, që ka vëzhguar reshjet pas njoftimit të mediave dhe ka aktivizuar monitorimin më datë 9 janar.
Prej datës 6 janar 2026, reshjet intensive kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Vjosa, duke përmbytur qindra banesa në Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Ekipet e emergjencës punuan pa pushim për të evakuuar dhjetëra banorë të bllokuar, konstaton vëzhgimi europian me raportime nga Shqipëria.
Sipas të dhënave të satelitit Copernicus, rreth 12 350 persona, 1 918 ndërtesa dhe 438 kilometra rrugë mund të jenë prekur nga përmbytjet në 13 zona të interesit.
“Një pjesë e madhe e tyre është në qytete dhe fshatra përgjatë Vjosës dhe lumit Seman, ndërsa situata vijon të monitorohet nga ajri dhe imazhet satelitore”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të Mekanizmit europian.
Raportimi i situatës në kohë reale synon të ofrojë një pasqyrë të shpejtë dhe të saktë të gjendjes dhe të ndihmojë në planifikimin e ndihmës dhe rimëkëmbjes, vlerëson i njëjti burim.
Shqipëria u bë anëtare e Mekanizmit, zyrtarisht në nëntor të vitit 2022, ndërkohë që ka përfituar edhe më parë nga ekipet e mbrojtjes civile të BE-së për situata si tërmeti i vitit 2019 dhe zjarret e verës në vitet në vijim përmes këtij sistemi.
Burime të besueshme i thanë Televizionit Publik se përfaqësues të Mekanizmit Europian të Emergjencave ndodhen aktualisht në Shqipëri.
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arratisjen e bujshme të Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit, një ngjarje që ka vënë në alarm institucionet e sigurisë. Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, duke raportuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, bëri të ditur se arratisja ishte e mirëorganizuar dhe e ndihmuar nga jashtë.
Sipas tij, Altin Ndoci është një emër i njohur për policinë që prej vitit 2015, fillimisht si grabitës automjetesh në zonën e Elbasanit, automjete që dyshohet se përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale. Në vitin 2020 ai u arrestua për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, por më pas u shpall i pafajshëm. Aktualisht mbahej në paraburgim për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, mbi bazën e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Arratisja ndodhi gjatë shoqërimit të tij për ndihmë mjekësore në spital. Çelmeta shpjegoi se Ndoci kishte probleme me veshkat dhe, pasi u ankua për gjendje të rënduar shëndetësore, kërkoi të shkonte në tualet. Në momentin që dera u hap, ai goditi dy punonjësit e sigurisë dhe u largua me vrap brenda ambienteve të spitalit. Një prej efektivëve qëlloi me armë zjarri, por pa rezultat.
Ndoci zbriti nga kati i tretë në këmbë, kaloi parkingun dhe u largua me një automjet tip “Audi A7”, që dyshohet se e priste jashtë. Sipas gazetarit, ka indicie për përfshirjen e më shumë se një mjeti dhe për përdorimin e telefonit celular brenda burgut për koordinimin e arratisjes.
Ngjarja ka nxjerrë në pah shkelje të rënda protokollare, pasi policia e Durrësit nuk ishte njoftuar për shoqërimin e një personi me rrezikshmëri të lartë. Pas arratisjes, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit, ndërsa hetimet janë në vijim për përgjegjësi penale.
Ukraina përjetoi valën më intensive të sulmeve raketore nga Rusia për këtë vit, teksa katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në orët e para të së martës në Kharkiv. Guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov, tha se ishte shënjestruar një zonë në periferi të qytetit dhe se një dron me rreze të gjatë kishte goditur një qendër mjekësore për fëmijë, duke shkaktuar zjarr.
Ndërkohë, ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan në Kiev pas dëmtimit të infrastrukturës, si pasojë e asaj që kreu i administratës ushtarake e përshkroi si një sulm të shkurtër, por intensiv, në kryeqytet.
DTEK, një kompani private energjetike ukrainase, tha se sulmi rus dëmtoi rëndë pajisjet në një nga termocentralet e saj. Sipas raportimeve, Moska lëshoi 293 dronë dhe rreth 20 raketa balistike gjatë natës, ndërsa forcat e mbrojtjes ajrore të Kievit deklaruan se kishin rrëzuar 240 dronë dhe shtatë raketa.
Kjo valë sulmesh vjen pak pasi Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë për një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të pajustifikueshëm të luftës. Në një deklaratë gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zëvendësambasadorja amerikane, Tammy Bruce, dënoi lëshimin e raketës hipersonike me kapacitet bërthamor “Oreshnik”, javën e kaluar, pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë.
Ukraina kërkoi mbajtjen e takimit të Këshillit të Sigurimit pas bombardimeve masive ruse të enjten e kaluar, me qindra dronë dhe dhjetëra raketa, përfshirë armën e re hipersonike “Oreshnik”, të cilën Moska e përdori për herë të dytë në atë që u duk si një paralajmërim i qartë ndaj Kievit dhe aleatëve të NATO-s.
Sulmi në shkallë të gjerë erdhi disa ditë pasi Ukraina dhe aleatët e saj raportuan përparim të madh mbi mënyrat se si ta mbrojnë vendin nga agresioni i mëtejshëm i Moskës, nëse arrihet një marrëveshje paqeje e udhëhequr nga SHBA-të. Sulmi përkoi gjithashtu me një ftohje të re të marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit, pasi Rusia dënoi sekuestrimin e një cisterne nafte nga SHBA-të në Atlantikun e Veriut.
Një i burgosur, i shtruar në Spitalin e Durrësit për probleme shëndetësore është arratisur.
I arratisuri është Altin Ndoci, i vënë në pranga me urdhër të SPAK, raporton A2cnn.
Ndoci është arrestuar si pjesë e operacionit “Plumbi i Artë” dhe konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë tre persona.
Sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuarve të tjerë, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.
Seanca është mbajtur e mbyllur për publikun.
E pas përfundimit të seancës është deklaruar ministrja në detyrë e Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila theksoi se ndihet e pafajshme dhe se është një proces tendencioz ndaj saj nga Prokuroria Speciale.
“...Unë isha në Gjykatën Themelore lidhur me aktakuzën kundër meje nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me çështjen e rezervave shtetërore, përkundër që unë ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është një proces tendencioz nga Prokuroria Speciale e Kosovës duke shkelur çdo procedurë ligjore dhe duke qenë në kundërshtim me Ligjin për rezervat shtetërore dhe Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuara”, tha ajo.
Sipas saj, ajo çfarë është më e rëndësishme është se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore.
“Por, me e rëndësishme është të theksoj se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore të cilën e kemi rritur në qeverinë Kurti 2 për shumëfish në kohën më të vështirë, kur ishte rezerva shtetërore e pakonsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve dhe në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe në kohën kur nuk kishte eksport të produktet bazike në vendin tonë”, tha ajo.
“....është e rëndësishme të përmendi se për këtë proces tejet të rëndësishëm për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit tonë megjithatë Prokuroria shkeli ligjin siç e kam theksuar edhe më herët përkundër që jemi në proces gjyqësor me operatorët ekonomikë që nuk kanë mbushur detyrimet e tyre dhe është proces i hapur gjyqësor me këtë operatorë”.
Ministrja Hajdari tha se ajo dhe mbrojtja ime jemi të bindur për këta veprime të paligjshme të Prokurorisë dhe do ta dëshmojnë.
Ndryshe, aktakuza është ngritur më 11 nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon ministren për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe dhe Hafiz Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit Ridvan Muharremi.
Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave. /Telegrafi/
Instituti i Avokatit të Popullit ka publikuar letrën, të cilën i ka drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.
Në letrën e Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj drejtuar Trendafilovas thuhet se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës.
Tutje në letrën e Qelajt paraqiten disa shqetësime që kanë të bëjnë siç thuhet ndaj disa mangësive themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave, mënyra se si janë pranuar disa prova dhe pranimi i dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe.
Letra e plotë:
E nderuara znj. Trendafilova,
Më lejoni fillimisht t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona. Këtë e bëj duke qenë i vetëdijshëm plotësisht se ky bashkëpunim zhvillohet në një kontekst sfidues dhe jo gjithmonë në kushte të mirëkuptimit të plotë reciprok. Megjithatë, e vlerësoj komunikimin tonë të vazhdueshëm si dëshmi të një përkushtimi të përbashkët ndaj angazhimit, transparencës dhe dialogut institucional.
Po ju drejtohem për t’ju paraqitur shqetësimet e mia fillestare dhe parimore lidhur me përputhshmërinë e procedurave para Dhomave të Specializuara me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe, kur është e aplikueshme, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përbën burim të brendshëm të së drejtës në përputhje me nenin 53 të Kushtetutës. Kjo letër është qëllimisht e kufizuar në fushëveprim dhe trajton çështje parimore, pa ofruar një vlerësim të detajuar apo shterues, e të cilin Zyra ime vazhdon ta bëjë ndaras.
Fillimisht, më duhet të ritheksoj konkluzionin tim paraprak se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, në veçanti të së drejtës për gjykim të drejtë. Këto mangësi janë të dukshme në disa dimensione. Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë.
Kjo situatë bëhet edhe më befasuese kur marrim parasysh se financimi i Dhomave të Specializuara buron nga një Veprim i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian, një institucion i cili, në bazë të traktateve themeluese dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, është i detyruar t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të tij të jashtëm.
Gjithashtu dëshiroj të tërheq vëmendjen ndaj disa mangësive themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave para Dhomave. Me mbi njëzet vite përvojë profesionale si avokat mbrojtës, them se është jashtëzakonisht e pazakontë, dhe thellësisht shqetësuese, të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja. Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve.
Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999.
Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese.
Së dyti, kam vërejtur mbështetje të gjerë në materiale të paraqitura si “libra të botuar” që trajtojnë situatën në Kosovë. Sipas vlerësimit tim, këto botime kanë një prag të ulët kredibiliteti dhe nuk do të duhej të pranoheshin si burime të besueshme prove në procedura gjyqësore. Trajtimi i tyre si materiale provuese është ne kundërshtim me standardet themelore të neutralitetit dhe integritetit provues.
Së fundi, dua të ritheksoj shqetësimet e mia të thella lidhur me mënyrën se si Dhomat trajtojnë paraburgimin. Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë). Për më tepër, monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore. E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare.
Ky vëzhgim paraqitet në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv. Nga këndvështrimi im, është plotësisht në përputhje me parimin e mbështetjes së ndërsjellë dhe synojnë të plotësojnë, e jo të dyfishojnë, përpjekjet e ndërmarra nga Ombudsman-i i institucionit tuaj. Prandaj, kërkoj që kjo letër të kuptohet si një nismë monitoruese që synon mbrojtjen e të drejtave themelore, të cilat përbëjnë garanci bazike dhe të pa-nënshtrueshme sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Zyra ime mbetet e përkushtuar për t’i shqyrtuar më tej këto çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse, parimore dhe objektive. Ne shprehim besimin tonë të vazhdueshëm se Gjykata do të sigurojë respektim të plotë të standardeve të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm në mënyrë të besueshme. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka nisur sot ditën me ambasadorin William Walker.
Hamza në një postim në Facebook shkruan se ambasadori Walker me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur.
Lexoni të plotë postimin:
Ditën e sotme e nisa me mikun e madh të Kosovës, Ambasadorin William Walker. Në ditët e nderimit për viktimat e Masakrës së Reçakut, si çdo vit tjetër, Ambasadori Walker është pranë nesh, ashtu siç ishte edhe në janarin e vitit 1999, kur me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur.
Miqësia dhe kontributi i Ambasadorit William Walker për Kosovën janë të jashtëzakonshme.
Faleminderit për gjithçka që ke bërë për Kosovën, Ambasador!./Telegrafi/
Çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente ka shkaktuar përmbytje të rënda në fshatin Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë, duke vënë nën ujë qindra hektarë tokë bujqësore dhe rreth 20 banesa.
Situata është përkeqësuar gjatë natës, kur niveli i ujit ka vijuar të rritet, duke detyruar banorët të qëndrojnë në gatishmëri të plotë mes frikës dhe pasigurisë, shkruan A2 CNN.
Përgjatë gjithë natës janë evakuuar 9 persona, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre, ndërsa disa familje shprehen të shqetësuara për fatin e njerëzve të tyre me të cilët kanë humbur kontaktet për shkak të izolimit të zonës nga uji.
Banorët tregojnë se përmbytja ka ardhur papritur, duke mos u lënë kohë të shpëtojnë orenditë shtëpiake apo bagëtitë.
Në zonë kanë mbërritur forcat e ushtrisë, të cilat po operojnë me varka, veçanërisht pranë zonës detare dhe stallave të bagëtive, për të evakuuar jo vetëm çobanët, por edhe krerët e bagëtive të mbetura të rrezikuara nga uji. Operacioni i evakuimit po zhvillohet në kushte të vështira, ndërsa prurjet e lumit vijojnë të mbeten të larta, raporton A2 CNN.
Banorët e Hasturkasit fajësojnë njëzëri institucionet përgjegjëse për mosmarrjen e masave në kohë, duke theksuar se argjinatura e Semanit ka qenë prej vitesh e amortizuar dhe problematike, pa ndërhyrje serioze për forcimin e saj. Sipas tyre, kjo situatë ishte e paralajmëruar dhe mund të ishte shmangur me investime parandaluese.
Ndërkohë, autoritetet lokale janë në terren për vlerësimin e dëmeve, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë një bilanc më të qartë të situatës dhe të pasojave që përmbytja ka lënë pas, si në bujqësi ashtu edhe në banesa.
Tre persona janë plagosur në orët e para të së martës në një lokal në Deçan.
Në njoftim bëhet e ditur se Stacioni Policor në Deçan, më datën 13.01.2026, rreth orës 00:15, është njoftuar se në një lokal në rrugën “Luan Haradinaj” nё Deçan, ka pasur të shtëna me armë.
“Policia menjëherë i është përgjigjur rastit ku në vendin e ngjarjes janë hasur personat e lënduar, të cilët janë dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë”, thuhet në njoftim.
Personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar: një armë pistoletë Zoraki 9mm; një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë kal:9mm dhe tri gëzhoja.
I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje pёr 48 orë. /Telegrafi/