Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

Protestuesit ndezin blicat e telefonave, ndriçohet Bulevardi

By: Fax Web
24 January 2026 at 18:40

Gjatë protestës së opozitës të zhvilluar para Kryeministrisë, protestuesit ndezën blicat e telefonave, duke krijuar një pamje simbolike në shesh.

Ky veprim u shoqërua me thirrje dhe slogane kundër qeverisë. Pamjet nga protesta tregojnë sheshin të ndriçuar nga qindra drita telefonash.

Opozita ka paralajmëruar vijimin e aksioneve të saj në ditët në vijim.

Protesta para kryeministrisë, Sali Berisha: Asgjë nuk do të na ndale drejt fitores, jemi para triumfit

By: Fax Web
24 January 2026 at 18:39

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim gjatë protestës së zhvilluar sot para Kryeministrisë, ku u shpreh se opozita ndodhet, sipas tij, në fazën përfundimtare të përballjes me qeverinë.

Berisha deklaroi se beteja politike e opozitës ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por e domosdoshme për mbrojtjen e pluralizmit. “Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot jemi para triumfit të madh,” u shpreh ai para protestuesve.

“Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e zotit asgjë nuk do të na ndale drejt fitores tonë. Sot jemi para triumfit të madh. Shumë kujt triumfi mund ti duket ende larg, kur sheh udhëkryqin ku ndodhet Shqipëria. Opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë maratonë, jo e lehtë, thuaj një karvan maratonë, presione dhe izolime ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Projekti i Shqipërisë pa opozitë ishte trupi i tyre, që ne të gatshëm për cdo çmim kurrë nuk do ta pranonim”, tha Sali Berisha.

Salianji i bashkohet protestës së opozitës para kryeministrisë

By: Fax Web
24 January 2026 at 18:01

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka qenë sot i pranishëm në protestën e opozitës para kryeministrisë.

Demokrati është i shoqëruar nga disa mbështetës të tij. Pranë Salianjit qëndrojnë Orest Berberi, Arbër Kola, Valbona Mëhilli dhe Ilir Vrenozi, por edhe persona të tjerë që mbështesin kauzën e tij.

Prej disa muajsh mes Ervin Salianjit dhe Sali Berishës ka një krisje të marrëdhënieve të tyre.

Salianji organizon herë pas here takime me demokratët, ku kritikon lidershipin e PD. Kreu i PD, Sali Berisha thotë se Salianji është vetëpërjashtuar nga partia

Boçi: Marrin rrugë, tunele, unaza e aeroporte! Nga Beqaj te Balluku! Nuk mbaron me AKSHI dhe Smart

By: Fax Web
24 January 2026 at 17:55

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi theksoi se Shqipëria nuk mund ta lejojë më që të qeveriset nga Edi Rama, që e ka kthyer shtetin në një pronë private.

“Në jemi këtu sepse ne vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria e familjes dhe adhurimi për zotin e kombin. Ne jemi këtu se na ka thirrur dinjiteti ynë, rezistenca, shpirti dhe zemra opozitare dhe ndërgjegja qytetare. Jemi këtu nga guximi dhe detyra jonë ër të luftuar deri në fund. Sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe të bandave të krimit, në klub të mbyllur qejfi e ahengu dhe që tallet cdo ditë me fatet e shqiptarëve.

Kjo ndërtesa që keni në krah nuk është kryeministria, por kuplaraja e pushtetit. Duhet ta shembim këtë pushtet, nuk është vendi i qeverisë, por i hajnisë, qenërisë që kafshon paratë dhe pasuritë e shqiptarëve. Këtu vjedhja ka emër e shifra, inceneratorët 430 mln, koncesionet 500 mln dhe marrin rrugën e rrugëve, tuneleve, unazave dhe aeroporteve vërtiten miliarda. Ka emër, fillon me Beqaj, Bllakon, vazhdon me Veliaj e Benetin dhe Ballukun, Agasin e Tërmetin. Nuk mbaron as me AKSHI as dhe Smart City.”, tha ai.

Protesta e opozitës para kryeministrisë, Berisha del nga selia, i bashkohet qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

By: Fax Web
24 January 2026 at 17:34

Opozita zhvillon sot një protestë para godinës së Kryeministrisë, ku qindra qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar politikat e qeverisë.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli nga selia e PD-së dhe iu bashkua protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Berisha shoqërohej nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj.

PD protestë kombëtare para Kryeministrisë, opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama

By: Fax Web
24 January 2026 at 17:15

Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë një protestë kombëtare para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit u pezullua nga ushtrimi i funksioneve me vendim të GJKKO, por Gjykata Kushtetuese e riktheu përkohësisht në detyrë, deri në gjykimin në themel të ankimit të bërë nga kryeministri Edi Rama.

Protesta u thirr nga opozita si reagim ndaj skandaleve të Ballukut, pasi u mor e pandehur nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me tenderat. Gjithashtu, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Ballukut, por socialistët e shtyn vendimmarrjen e Këshillit të Mandateve për në datën 28 Janar.

Opozita ka paralajmëruar se protestat para Kryeministrisë do të jenë të qëndrueshme dhe vazhdim i një serie aksionesh politike, deri në largimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Nga ana tjetër, policia ka marrë masa të rrepta duke zbritur në terren 1350 efektivë për mbarëvajtjen e tubimit.

Protesta e PD, vendoset kordoni policor para Kryeministrisë

By: Fax Web
24 January 2026 at 17:08

Mbeten vetëm pak minuta nga nisja e protestës kombëtare të PD.

Është vendosur tashmë kordoni policor para Kryeministrisë, të organizuar në vetëm një rresht me efektivë.

Për protestën e sotme janë të mobilizuar 1350 efektivë.

Opozita proteston duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendës kryeministres Belinda Balluku.

Përfshihet nga flakët banesa në Astir, shkak i zjarrit një pajisje elektrike

By: Fax Web
24 January 2026 at 16:54

Përfshihet nga flakët një banesë në zonën e Astirit.

Mësohet se apartamenti ndodhej në katin e gjashtë të një pallati, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Flakët janë vënë nën kontroll ndërsa shkak i zjarrit dyshohet se është një pajisje elektrike që është harruar ndezur.

 

Partia Demokratike në protestë, Ambasada Amerikane u drejtohet qytetarëve të vet: Shmangni demonstratën dhe tregoni kujdes

By: Fax Web
24 January 2026 at 14:18

Partia Demokratike do të zhvillojë ditën e sotme një protestë përpara kryeministrisë që do të nisë në orën 17:00.

Protesta është thirrur me motivin për të rrëzuar qeverinë aktuale nga pushteti dhe hapjes rrugë një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira, pasi demokratët pretendojnë për vjedhje të votave më parlamentaret e 11 majit.

Në terren janë angazhuar 1350 efektivë të Policisë së Shtetit me qëllim ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Ndërkohë godina e kryeministrisë është siguruar në pjesën e jashtme me veshje metalike në rast se do të krijohen trazira.

Ambasada Amerikane në Tiranë u është drejtuar qytetarëve amerikanë për të shmangur protestën, dhe të jenë të kujdesshëm. Për çdo rast, Ambasada ka vendosur në dispozicion dhe format e kontaktit në rast emergjence.

PD sot protestë para Kryeministrisë, “blindohet” Tirana, mbi 1300 policë në gatishmëri

By: Fax Web
24 January 2026 at 13:45

Partia Demokratike mban sot protestën kombëtare në orën 17:00 përballë Kryeministrisë.

Mesohet se 1350 efektivë policie do të jenë të angazhuar në protestën e sotme, ndërkohë që ditën e djeshme policia ka njoftuar dhe planin e masave për mbarëvajtjen e tubimit.

“Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali””, thuhet në njoftim.

Ndërkohë blutë u kanë bërë thirrje qytetarëve të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

Delegacioni i KFOR-it vizitë në Portin e Durrësit për bashkëpunim logjistik

By: Fax Web
24 January 2026 at 13:39
Një delegacion i Grupit të Bashkuar të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it (Joint Logistic Support Group – JLSG) zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, ku u prit në një takim nga drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu.
Vizita u zhvillia në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare dhe forcave aleate të NATO-s, si dhe në funksion të njohjes nga afër me kapacitetet dhe infrastrukturën portuale që Porti i Durrësit ofron për mbështetjen e operacioneve logjistike dhe ushtarake.
Delegacioni i KFOR-it, i përbërë nga përfaqësues të niveleve të ndryshme drejtuese dhe operative, u informua mbi potencialin operacional të portit, zonat e shërbimit, si dhe mundësitë që Shqipëria mund të ofrojë në kuadër të mbështetjes së vendit pritës për operacione të zhvilluara ose të mbështetura nga KFOR.
Autoriteti Portual i Durrësit bën të ditur se, takimi shërbeu gjithashtu për të forcuar më tej bashkëpunimin institucional dhe për të shkëmbyer informacion mbi nevojat logjistike, planëzimin operacional dhe rolin strategjik të Portit të Durrësit në rajon.

Mbi 8000 fluturime të anuluara për shkak të stuhisë dimërore

By: Fax Web
24 January 2026 at 13:38

Më shumë se 8000 fluturime në të gjithë SHBA-në, janë anuluar, pasi një stuhi “vdekjeprurëse” parashikohet të shkaktojë kaos në pjesën më të madhe të vendit, duke kërcënuar të ndërpresë energjinë elektrike për ditë të tëra dhe të bllokojë rrugët kryesore, sipas “abc News”.

Rreth 140 milionë njerëz u paralajmëruan për stuhi dimërore nga Nju Meksiko në Nju England.

Parashikimi i Shërbimit Kombëtar të Motit paralajmëron për dëborë të dendur dhe një brez akulli katastrofik që shtrihet nga Teksasi lindor në Karolinën e Veriut.

Meteorologët thonë se dëmet, veçanërisht në zonat e goditura nga akulli, mund të krahasohen me ato të një uragani.

Deri dje në mbrëmje, stuhia ka sjellë shi të ngrirë dhe breshër në disa pjesë të Teksasit, ndërsa Oklahoma u përfshi nga dëbora dhe breshëri.

Pasi përfshiu Jugun, stuhia pritej të lëvizte në verilindje, duke sjellë rreth 30 centimetra dëborë nga Uashingtoni në Nju Jork dhe Boston.

Guvernatorët e më shumë se dymbëdhjetë shteteve lëshuan alarmin për gjendjen e jashtëzakonshme duke i nxitur njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

Më shumë se 3400 fluturime u vonuan ose u anuluan sot, sipas faqes së internetit të  fluturimeve “FlightAware”. Më shumë se 5000 fluturime u anuluan vetëm sot.

Kompanitë e shërbimeve po përgatiten për ndërprerje të energjisë elektrike, pasi pemët e mbuluara me akull dhe linjat e energjisë mund të vazhdojnë të bien edhe pasi të ketë kaluar stuhia.

Midwest regjistroi erëra të ftohta deri në minus 40 gradë Celsius, që do të thotë se ngrirja mund të ndodhë brenda 10 minutash.

Në Bismarck, Dakota e Veriut, ku temperatura e erës shënoi minus 41 gradë Celsius.

Qeveria federale vuri në gatishmëri gati 30 ekipe kërkim-shpëtimi.

“Zyrtarët kanë vendosur më shumë se shtatë milionë vakte, 600,000 batanije dhe 300 gjeneratorë në të gjithë zonën ku pritej të kalonte stuhia”, sipas Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.

Pasi të kalojë stuhia, do të duhet pak kohë që akulli tër shkrijë. Akulli mund t’i bëjë linjat dhe degët e energjisë më të ndjeshme ndaj këputjes, veçanërisht nëse fryn erë.

Kurti i prerë: S’ka amnisti për komisionerë e individë të përfshirë në manipulime votash!

By: Fax Web
24 January 2026 at 11:57

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Thirrja e Kurtit, liderit të partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, vjen pasi autoritetet i ndaluan mbi 100 persona të premten nën dyshimin për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të muajit të kaluar. Kurti – i cili ishte kritikuar për mungesë reagimi ndaj dyshimeve për manipulime të votave kur ato dolën në sipërfaqe javë më parë – tha të shtunën në Facebook se “komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”.

Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta nisë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë. Kurti shtoi se partia e tij “ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”. Kur rinumërimi ka përfunduar në pothuajse gjysma e vendvotimeve, del se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

Në mesin e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit ka nga partitë kryesore, përfshirë vetë Vetëvendosjen. Kurti nguli këmbë se dyshimet duhet të hetohen dhe se “manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”. Autoritetet janë duke kryer hetime në tri komuna, Prizren, Ferizaj dhe Malishevë, me Prizrenin që dyshohet si vendi ku ka pasur më së shumti manipulime të votave.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se të ndaluarit në rajonin jugor të vendit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë. Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit. Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu. Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim. Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba. Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.

Shoferi në gjendje të dehur në timon/ Makina del nga rruga dhe përplaset me pemën. Ndërron jetë pasagjeri

By: Fax Web
24 January 2026 at 11:34

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Janaq Kilica” në Elbasan.

Mësohet se një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë anësore. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën pasagjeri që ndodhej në këtë automjet, një shtetas 21 vjeç.

Ndërkohë policia ka vënë në pranga shoferin e automjetit 26-vjeçarin i cili rezultuar se drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Akuzohen për trafik drogë/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi masat për 8 anëtarët e grupit Rraja

By: Fax Web
24 January 2026 at 11:29

Apeli i Posaçëm ka lëne në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për grupin Rraja.

Janë lënë ne fuqi masat për:

Islam Sefën
Rexhep Rrajën
Përparim Rrajën
Gazmir Rrajën
Aldo Gjini
Zamir Aliaj
Jani Cavo
Marvin Bushati

Grupi i Rrajave u zbulua pas zbërthimeve ne Sky Ecc, dhe akuzohen për trafikim lëndësh narkotike.

Rexhep Rraja djali i ish-deputetit, Rrahman Rraja, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme SPAK, rezulton se është përfshirë drejtpërdrejt në trafikimin e lëndëve narkotike, madje drejtonte një grup nëpërmjet bisedave në Sky Ecc, për të trafikuar rmbi 2 ton Kanabis dhe kokainë.

Në dosjen hetimore, Rexhep Rraja, i cili u arrestua më 10 dhjetor bashkë me dy kushërinjtë, Përparim dhe Gazmir Rraja dhe 4 anëtarë të tjerë të grupit kriminal, rezulton se kishte dy pseudonime në aplikacioni SKY Ecc, “XR 1” dhe “New Sky”.

Ndërkohë kushëriri i tij, Përparim Rraja njihe si “Caca”, Gazmir Rraja- “Miri” apo “ÇOKU,  Sokol Qaja si “Hermano”, ndërsa Bujar Sefaj njihej me nofktën “Venecia”.Në një episod sipas SPAK, në Turqi është arritur të kapet më 26 janar të vitit 2021, një sasi 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria.

Protestuesit nga Gramshi nisen “si klandestinë” drejt protestës së opozitës,refuzojë drejuesit e autobuzëve

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:52

Në protestën e thirrur nga opozita ditën e sotme protestuesit nisen me autovetura ne orare të ndryshme.

Në një komunikim telefonik me gazetarin Shkelzen Henkoja, kryetari i Partisë Demokratike në Gramsh, z. Kodhel Çala, deklaroi se transporti me autobus nuk është realizuar, pasi drejtuesit e mjeteve kanë refuzuar të ofrojnë shërbimin për shkak të frikës nga policia. Sipas tij, për këtë arsye, protestuesit janë nisur drejt protestës me automjete private, në orare të ndryshme.

Z. Çala shtoi se në një rast të mëparshëm është gjobitur nga policia, teksa po udhëtonte për të marrë pjesë në një protestë, me pretendimin se ushtronte aktivitet taksie në mënyrë të paligjshme.
Sipas tij, qyteti i Gramshit ndodhet nën një klimë presioni, ku qytetarët hezitojnë të marrin pjesë apo të bashkëpunojnë me drejtues të Partisë Demokratike, për shkak të frikës nga ndëshkimet.faxweb

NATO planifikon të forcojë mbrojtjen në krahun lindor me teknologji robotike dhe të automatizuar

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:40

NATO planifikon të zgjerojë ndjeshëm rezervat e armëve dhe municioneve përgjatë krahut të saj lindor dhe të krijojë një zonë të re mbrojtëse – duke përdorur teknologji robotike dhe të automatizuar, sipas një oficeri të lartë të NATO-s.

“Masat synojnë forcimin e parandalimit kundër sulmeve të Rusisë”, tha Gjenerali i Brigadës Thomas Lowin për” Welt”.

Sipas një koncepti të ri mbrojtës shumështresor, NATO do të kërkojë të ngadalësojë ose ndalojë një sulmues në një fazë të hershme duke përdorur sisteme të teknologjisë së lartë.

Përgjatë kufijve të aleancës me Rusinë dhe Bjellorusinë, do të krijohet një zonë që do të mbështetet në mbikëqyrje, si dhe në sisteme të operuara nga distanca ose gjysmë të automatizuara, të cilat një kundërshtar do të duhet t’i kapërcejë përpara se të përparojë më tej.

Lowin, zëvendësshefi i shtabit për operacionet në komandën tokësore të NATO-s në Izmir, tha se mbikëqyrja përgjatë krahut lindor do të mbështetej në sisteme që mbledhin të dhëna në tokë, në ajër, në hapësirë ​​dhe në domenin digjital.

“Informacioni do t’u vihet në dispozicion aleatëve të NATO-s në kohë reale”, tha ai.

Sisteme fikse dhe celular si radari, sensorë akustikë dhe optikë mund të përdoren, së bashku me të dhënat nga satelitët, dronët dhe avionët zbulues.

Përgjatë kufijve, NATO planifikon të krijojë atë që Lowin e përshkroi si një “zonë e nxehtë”, të projektuar për të ndaluar ose ngadalësuar sulmuesit në fazat e hershme. Zona mund të përfshijë dronë të armatosur, automjete luftarake gjysmë-autonome, sisteme robotike dhe aftësi të automatizuara të mbrojtjes ajrore.

Lowin tha gjithashtu se NATO tashmë ka parapozicionuar pajisje ushtarake, dhe se rezerva shumë më të mëdha ushtarake do të ngrihen në shtetet në vijën e parë, duke përfshirë armë dhe municione si për sistemet e automatizuara ashtu edhe për forcat e aleancës.

“Pavarësisht përdorimit në rritje të automatizimit, numri i trupave nuk do të zvogëlohet”, tha ai duke vënë në dukje se sistemet pa pilot nuk ishin të mjaftueshme për të penguar ose ndaluar një kundërshtar në planin afatgjatë.

Rreth 100 klerikë arrestohen gjatë protestës kundër politikave të imigracionit në SHBA

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:15

Rreth 100 anëtarë të klerit u arrestuan në aeroportin ndërkombëtar Minneapolis–St. Paul, në shtetin e Minnesotës, gjatë një proteste kundër politikave të ashpra të imigracionit të administratës Trump.

Protesta u zhvillua nga udhëheqës dhe besimtarë fetarë, kryesisht të krishterë, të cilët u mblodhën në aeroport pasi dyshonin se nga aty po niseshin avionë që deportonin emigrantë të ndaluar. Ata u gjunjëzuan, kënduan himne fetare dhe recituan lutje, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta.

Policia ndërhyri dhe i arrestoi protestuesit pasi, sipas autoriteteve, ata kishin kaluar kufijtë e lejes së dhënë për protestë dhe kishin penguar funksionimin normal të aeroportit.

Këto arrestime ndodhën gjatë një dite protestash të quajtur “Dita e së Vërtetës dhe e Lirisë”, e organizuar kundër veprimeve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE). Organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të Minnesotës të bojkotonin shkollën, punën dhe blerjet si shenjë proteste.

Edhe pse moti ishte shumë i ftohtë, mijëra njerëz morën pjesë në protesta dhe marshime në disa zona të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj rritjes së kontrolleve dhe deportimeve të emigrantëve.

Një nga pjesëmarrëset, Elizabeth Barish Browne, e cila kishte udhëtuar nga Wyoming, tha se ajo që po ndodh me emigrantët është “moralisht e gabuar” dhe se rreziku më i madh për shoqërinë nuk është i ftohti, por padrejtësia.

Lojëra fati dhe shpërndante kokainë, arrestohet pronari i lokalit në Korçë

By: Fax Web
24 January 2026 at 10:00

Në kuadër të kontrollet intensive në Korçë për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Organizatori”.

Policia njofton se, si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, pronar i një lokali në fshatin Bulgarec, i cili organizonte lojëra fati të paligjshme dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në ambientet e lokalit.

57-vjeçari akuzohet për veprat penale:

-Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin
-Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara
-Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e Policisë konstatuan se ambienti ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge. Në banak u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, ndërsa nga këqyrja e celularit të tij u konstatuan faqe aktive për baste sportive.

Gjatë ndërhyrjes policore, disa persona tentuan të fshihnin provat. Për këtë arsye, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” ndaj shtetasve:

-R. K., banues në Korçë
-F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë
-H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq

Gjithashtu, janë proceduar penalisht 14 shtetas të tjerë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për veprimtarinë e paligjshme dhe nuk e kallëzuan atë pranë organeve kompetente.

Në lidhje me këtë rast, ka nisur procedimi penal edhe ndaj shtetasit D. L., punonjës policie pranë PKK Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

Në përfundim të operacionit, Policia e Korçës njofton se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

-14 doza kokainë
-shuma monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke
-1 automjet
-8 telefona celularë
-letra bixhozi dhe çipsa për lojëra fati

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

Të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre nga SPAK, arrestohen 3 efektivë policie

By: Fax Web
24 January 2026 at 09:51

Tre punonjës të Policisë Orikum janë arrestuar pas akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, mes tyre edhe shefi i stacionit të policisë.

Sipas njoftimit të AMP-së, Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë – Gjirokastër kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për efektivët me iniciale:

D. L., Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum

A. J., Shef i Stacionit të Policisë Orikum

A. F., Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum

Sipas AMP-së, hetimet e SPAK kanë zbuluar se në shtator të vitit të kaluar, efektivët kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270,000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Hetimi u zhvillua disa muaj me metoda speciale në drejtim të SPAK, duke u mundësuar dokumentimi i veprimeve korruptive me prova ligjore.

Njoftimi i policisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësve të policisë;

▶ D. L., me detyrë Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum;
▶ A. J., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Orikum;
▶ A. F., me detyrë Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum;
të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Drejtoria e Hetimit është vënë në dijeni se këta punonjës policie, në shtator të vitit të kaluar, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që iu jep funksioni, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Pas hetimit disa mujor me metoda speciale në drejtimin e SPAK, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i implikimit të punonjësve të policisë në veprime korruptive dhe shpërdorim të detyrës.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.

❌
❌