PRISHTINË, 4 shkurt/ATSH/ Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë lidhur me ankesën e Listës Serbe për nënkryetarin e Kuvendit. LVV kritikon Gjykatën Kushtetuese për zgjerim të kompetencës përtej mandatit kushtetues.
Vetëvendosje në një reagim në Facebook, shkruan se Kushtetuesja brenda katër muajsh, për të njëjtën çështje, sipas tyre ka ndërruar jurisprudencën pa asnjë ndryshim normativ apo faktik.
“Parimi i sigurisë juridike është element strukturor i shtetit demokratik dhe kusht sine qua non për legjitimitetin e vet autoritetit gjyqësor. Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë të së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues”, shkruan LVV.
Sipas Vetëvendosjes, një ndryshim i tillë nuk mund të justifikohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon elementi thelbësor i tij evolucioni i rrethanave normative ose shoqërore.
“Në këto kushte, ndryshimi i qëndrimit merr karakterin e një përdorimi formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ, çka përbën formë klasike të abus de droit”, thuhet në reagimin e saj.
Më tej thuhet sipas VV-së, Gjykata Kushtetuese nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik. “Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh”, thuhet në komunikatë.
Sipas VV-së, Gjykata aktuale Kushtetuese është duke bërë hermeneutikë të teksteve të veta. “Kur Gjykata Kushtetuese bëhet autoreferenciale, ajo kalon jashtë kufijve kushtetues. Kushtetuta nuk interpretohet përmes vetëvendimeve të Gjykatës, por përmes tekstit, strukturës dhe qëllimit të saj”.
VV vlerëson se zgjerimi i rolit të Gjykatës Kushtetuese me këtë përbërje nuk është rastësi e as rast i izoluar.
“Në vijimësi, edhe në shumicën e kolegjeve të kaluara, me disa përjashtime, është ndjekur e njëjta prirje: zgjerim gradual i kompetencës përtej mandatit kushtetues. Në këtë mënyrë, qëllimisht po formësohet një pol pushteti paralel dhe i padukshëm nga sovrani, i cili shfaqet sa herë demokracia fillon të marrë hov dhe jeta realpolitike prodhon kontradikta”, thuhet në reagim.
Po ashtu sipas VV-së, dhjetra ligje reformuese e me interes për vendin Gjykata Kushtetuese i ka bllokuar, e pastaj shfuqizuar pjesërisht ose në tërësi shumicën prej tyre.
“Kjo luftë e tyre ndaj Qeverisë po bën aq shumë dëme: nga rrëzimi i Ligjit për çmime tavan për produktet bazë e deri te bllokimi tash e 770 ditë i Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës”.
Sipas VV-së: “Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë: nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit. Ajo nuk flet për shumicën e deputetëve serbë, as për legjitimitet të brendshëm komunitar dhe as për ekskluzivitet partiak. Çdo kriter shtesë është krijim norme, jo interpretim”, thuhet në reagim.
VV thekson se dispozitat e Propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit njohin përfaqësimin e komuniteteve, jo dominimin e një subjekti politik mbi institucionet.
“Aty flitet për komunitete, jo për parti. Gjykata Kushtetuese sot po bën të kundërtën, po e ngushton Propozimin e Ahtisarit përtej tekstit dhe qëllimit, duke krijuar në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret politik Listën Serbe. Gjykata Kushtetuese po dëshiron të kapërcejë ekipin negociator të vitit 2006 dhe Ahtisaarin në 2007. Teksa Kushtetutën për këtë çështje tashmë e ka shndërruar në materie diskutimi dhe tkurrjeje, jo zbatimi”, thuhet më tej në reagimin e gjatë të VV-së.
Sipas Vetëvendosjes, çdo interpretim që e sakrifikon këtë funksionalitet për hir të një subjekti politik, i cili për më keq s’e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë.
“Sipas Kushtetutës ne jemi shoqëri multietnike, jo shtet multietnik, sepse jemi Republikë demokratike e parlamentare dhe jo federatë a konfederatë. Këtë nuk mundet ta ndërrojë asnjë gjykata, as kjo kushtetuesja”, thuhet në kështu në fund të reagimit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke theksuar se nënkryetari propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.
Aktgjykimi i plotë publikohet disa ditë pasi Kushtetuesja publikoi një njoftim lidhur me këtë vendim sa i përket zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit gjatë legjislaturës së kaluar, duke gjetur se ai ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Më 16 tetor të vitit të kaluar, Lista Serbe, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Por, as Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk arritën t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja, më 28 dhjetor 2025. Nga këto zgjedhje, VV doli e para sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, me 51.10 për qind të votave, por ende nuk ka rezultat përfundimtar nga KQZ. /KosovaPress/
The post LVV, kritika Kushtetueses për aktgjykimin mbi nënkryetarin serb appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.