Nga Tetova në Zvicër garon për asambleist në Zurich, Dafi Muharemi: Gjithmonë jam angazhuar për tema sociale
Dafi Muharemi nga Pallçishti i Tetovës, i cili garon për mandat të dytë në Asamblenë e Zurichut në zgjedhjet e 8 marsit, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për angazhimin e tij në jetën publike në Zvicër, shqiptarët atje, si dhe tema tjera.
Muharemi tregoi fillimet e tij se si është bërë pjesë e politikës në Zvicër dhe arsyet pse ka vendosur të garojë për anëtarë të Asamblesë së Qytetit të Zurichut.
"Gjithmonë kam qenë aktiv dhe para se të anëtarësohem në parti politike, kam punuar me organizata joqeveritare. Puna me OJQ-të në mënyrë jo të drejtpërdrejt më vendosi në kontakt me persona që janë pjesë e politikës. Pas kontaktit me ta vendosa të bëhem anëtar i Partisë Social-Demokrate dhe fillova aktivitetin tim brenda partisë dhe u avancova. Dhe para pesë viteve kryetari i nëndegës më tha për të garuar për asamblenë e qytetit. U mendova për 10 ditë dhe pranova të bëhem pjesë e listës dhe çuditërisht mora votat e nevojshme dhe u bëra pjesë e asamblesë", tha Muharemi.
I pyetur se me çfarë është marrë në mandatin e parë në Asamblenë e Zurichut, ai theksoi se çdo herë është angazhuar për tema sociale.
"Ata që e kanë ndjekur aktivitetin tim, i kanë parë temat me të cilat unë jam marrë brenda asamblesë. Jam munduar që të mos prek tema bombastike në publik, por në brendësi nuk kanë asgjë. Fatkeqësisht në politik mundohet secili të jetë në qendër të vëmendjes dhe përdorin tema bombastike. Ndërsa unë angazhohem për tema sociale, të cilat prekin njerëz që nuk janë në fokus të politikës", tha Muharemi i cili tregoi edhe propozim-ligjet e tij që janë miratuar në Asamble.
"Edhe në Zvicër nuk janë gjërat perfektë dhe ka zero fokus për fëmijët me autizëm. Autizmi nuk njihet si sëmundje dhe sigurimi shëndetësor nuk i mbulon terapitë për atë. Si rrjedhojë e kësaj prindërit që preken nga kjo situatë, gjithë kostot duhet t'i mbulojnë vetë. Janë kosto të mëdha. Këtu filloi gjithçka dhe u interesova në institucione të shoh se çfarë mbulojnë e çfarë jo, dhe dhashë propozim-ligje. Njëri ka qenë që familjet që kanë fëmijë me autizëm, mbulesat për trajtimin e fëmijëve t'i merr qyteti përsipër", tha Muharemi.
I pyetur për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, ai tha se ata janë integruar shumë mirë dhe se kanë pozita të rëndësishme nëpër institucionet në shtetin zviceran.
"Shqiptarët janë të integruar në Zvicër, janë të profesioneve të ndryshme, bëjnë jetë brenda rregullave dhe kulturave zvicerane. Ne jemi italianët e dytë në Zvicër. Italianët janë grupi i parë që i kanë ecur para nesh, ndërsa ne jemi komuniteti i dytë që shkojmë në këtë drejtim", tha ai.
Përveç politikës, Muharemi punon edhe si instruktor i transportit publik, gjegjësisht instruktor tramvaji. Kur e pyetëm se pse vendosi ta bëjë këtë punë, ai tha: "Desha të jem pjesë e sistemit që funksionon, që ta shoh për brenda se si është. Dhe gjatë kësaj kohe mu dha mundësia më shumë".
