Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

Abdixhiku: Faleminderit për demokracinë maksimale dhe për besimin e ri

2 February 2026 at 10:48


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka falenderuar të gjithë delegatët për vazhdimin e udhëheqësisë së kësaj partie nga procesi i votëbesimit që iu dha të shtunën në Kuvendin e Punës.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në jetë duhet pasur vullnet e durim për të mirat që do vijnë.

“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj.” Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit të kërkuar nga vetë ai të shtunën, në Kuvendin e partisë, duke u konfirmuar me shumicë votash për të vazhduar udhëheqjen e LDK-së. /Telegrafi/


Haxhiu dorëzon dy ankesa në PZAP: Nuk kërkoj privilegj, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit

2 February 2026 at 10:35


Ish deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu dhe njëherit kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dorëzuar dy ankesa në PZAP.

Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ankesat kanë të bëjnë me fletëvotimet me postë nga votimi jashtë Kosovës dhe llogaritja e gabuar e rezultatit përfundimar.

“Sot kam dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Ankesat lidhen me: 1. Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; 2. Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025. Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën.

“Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/


​Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily

2 February 2026 at 10:19


Mozaiku i Tiranës është nominuar për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”, nga revista prestigjioze e arkitekturës, ArchDaily. Kështu ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja.

Sipas tij, ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes.

“Ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore”, ka shkruar ai në Facebook.

Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh.

Mozaiku i Tiranës është një hapësirë e re moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, ndërsa po kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën.

Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë vjen si një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike, shkruan Atsh.

Kjo godinë, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare. /Telegrafi/

“Gjyqtarët kërkojnë rritje page mbi 2 mijë euro”, Rama: Uroj që Kushtetuesja të mos të na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera

2 February 2026 at 09:43


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të regjistrimit të seancës ku gjyqtarët flasin hapur për kërkesën e tyre për rritje page.

Sipas kreut të qeverisë, kërkesa e gjyqtarëve është absurde dhe me këtë qasje po tentojnë t’i imponohen dy institucioneve të tjera, qeverisë dhe Parlamentit.

Rama pohoi se pret nga Gjykata Kushtetuese, ta frenojë këtë lëvizje të gjyqtarëve, pasi në të kundërt, do të ishte një njollë turpi për vendin.

“Gjykata Kushtetuese publikoi përpara pak ditësh, regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata gjykatësish, edhe ata me probleme ligjore të paregjistruara, gjithsesi, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që t'ju rrisë pagat. Tani, po ta dëgjosh atë regjistrim të publikuar nga Gjykata Kushtetuese të seancës, realisht ndihesh në vështirësi. Ndihesh në vështirësi të madhe, duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi, ndërkohë që filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me gjykatën kushtetuese, lë tejet, tejet, tejet për të dëshiruar. Dhe këtu nuk është çështje personash dhe unë nuk kam asnjë qëllim dhe asnjë dëshirë të bëj asnjë polemikë me askënd, por ja si flet njëri syresh për shembull: Unë jam gjyqtar karriere –thotë përveçse qytetar aktiv në shoqëri dhe kuptoj nga jeta politike, kuptoj nga jeta shoqërore dhe kuptoj nga të gjitha".

Dhe vazhdon “nga ana e kryeministrit dhe e gjithë pjesës tjetër, u anatemua”. Domethënë u anatemua ideja që këta njerëz mund të përdorin pushtetin e tyre për të shkelur mbi qeverinë, mbi parlamentin, mbi dy pushtetet e tjera dhe për t’i rritur pagat vetes.

“Mendova këtë gjë – thotë, që edhe ne të zgjuar jemi. Të presim një moment të përshtatshëm kur përgatiteshin zgjedhjet e tjera që ishin dhe të paktën qeveria nuk do kishte kohë të merrej me ne apo me ju, dhe ndërkohë nuk i dihet si dilte rezultati i zgjedhjeve dhe kjo është “mot a mot”

“E kam paraqitur në fillim të marsit, e kam bërë kërkesën vetë personalisht”- thotë ky zotëria, e kam sjellë dhe kam shpresuar se do të dilte shumë shpejt kërkesa qe të mos kishte kohë që të merrej të paktën me presionin ...”

Domethënë ky i thotë gjykatës që “thashë ta bëjmë kështu tinëz këtë punë, pa e pasur mendjen të tjerët dhe qeveria kishte zgjedhjet, dhe s’e kishte mendjen tek ne dhe me këtë rast t’i merrnim buxhetit të shtetit, t’i merrnim shqiptarëve nga taksat 37 milionë euro. Aq është shuma. 37 milionë euro të tjera.

“Sepse gjyqi është gjyq në fund të fundit dhe ne nuk duam interesin tonë- thotë. Gjyqtari sot është, nesër nuk është –thotë, kur vjen puna jonë”.

Në fakt gjyqtari është dhe është dhe është. Se nëse të tjerët janë dhe s’janë, ne që votohemi për shembull apo të tjerët që janë në shumë punë të tjera, ku duhet të performojnë përditë, ku japin llogari, ku kanë të tjerë mbi kokë etj, gjykatësit në një farë mënyrë janë vetë Zot e vetë shkop, kështu siç po tregojnë këto kohë.

“Jemi koshient- thotë, në lidhje me pushtetin ekzekutiv në nivelin e demokracisë dhe të gjitha arsyet që janë në këtë vend”.

-Po për çfarë koshience? Për nivelin e demokracisë e ka fjalën për shembull, gjykatësi që bën dhe ironi me nivelin e demokracisë në ndërkohë që për të pasur një ide të qartë, lidhur me si është situata e pagave në Shqipëri, dua që ta dinë të gjithë se e vërteta është që në Shqipëri, pagat e gjykatësve sot siç janë, janë të njëjta me pagat e gjykatësve në Greqi, në një vend të BE dhe ndërkohë janë dyfish më të larta sot siç janë, sesa pagat e gjykatësve në Maqedoni dhe në Malin e Zi.

Ndërkohë një tjetër thotë: “Ja, -thotë, na vijnë një vlerë fikse- thotë, se si mund t’i lihet ekzekutivit apo legjislativit, sa herë t’u teket për t’i rritur. Pra duhet një sistem reference.”

Pra, si mund t’i lihet parlamentit? Si mund t’i lihet qeverisë kur i ne kemi në dorë çekiçin dhe i biem si të na teket ne, kur ne kemi dhe gurin dhe arrën në dorë – thotë ky gjykatësi dhe thotë – “sistemi i referencës më i mirë- thotë, është ai që pasqyron ndryshimet reale – thotë, dhe rritja e çmimeve siç u zgjodh në 2016”.

Domethënë në 2016 kur ne zgjodhëm një sistem reference, i cili ishte i bazuar në qëllimin e mirë dhe të madh që gjykatësve t’u jepnim paga më të larta se të tjerët për të mbështetur pavarësinë e shpallur me reformën të tyre dhe në këtë mënyrë, i ngritëm mbi Presidentin e Republikës, mbi deputetët, mbi të gjithë të tjerët për t’ju dhënë një sinjal shumë të fortë të vullnetit, për të pasur, jo vetëm një drejtësi të pavarur, por edhe gjykatës që të ndihen shumë të respektuar dhe shumë të mbështetur, duke marrë paga super, ky thotë “ta bëjmë tani përgjithmonë’’, domethënë Shqipëria të mbetet i vetmi vend përjetësisht, ku gjykatësit marrin pagat më të larta se gjithë të tjerët, pra mbi Presidentin e Republikës.

Dhe çfarë kërkojnë konkretisht gjykatësit, është faktikisht rreth 1800 euro rritje, rritje, jo pagë rritje për gjykatësin e Shkallës së Parë; rreth 2000 euro rritje për gjykatësin e Apelit dhe rreth 3000 euro rritje për gjykatësit e SPAK-ut, plus BKH , SPAK etj.

Dhe duhet thënë në fakt këtu, që SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt natyrisht. Këtu jemi.

Domethënë jemi në një situatë kur gjykatësit duan të imponohen mbi Parlamentin, mbi qeverinë, mbi dy pushtetet e tjera dhe duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre.

Ndërkohë që, dhe e fundit, do ta mbyll këtu, thotë një tjetër : “Po pse nuk kihet parasysh që faktikisht ne bëjmë dhe lekë? Domethënë ne –thotë, – fitojmë, se i sjellim buxhetit të shtetit para dhe meqë i sjellim buxhetit të shtetit para dhe nga ato para, të na rritet paga”.

Kjo është një tjetër çudi shumë e madhe, ja si thotë – se ne kërkojmë disa të ardhura, por ne prodhojmë të ardhura- thotë. Dhe për të treguar – thotë, – që kjo diferenca 37 milionë, pra e thotë dhe vetë që do 37 milionë plus nga pagat, nga taksat, – thotë, kjo mbulohet vetëm nga ajo çfarë ajo i kthejmë ne buxhetit të shtetit.

Pra nuk është ndonjë dëm –thotë – se kjo – thotë- është një parashikim deri në 10% të të ardhurave, por po të përdoreshin të gjitha që vijnë nga paditë , pastaj – thotë, janë vlera të konsiderueshme..

Domethënë sipas këtij zotërisë gjykatës që ka këtë mënyrë arsyetimi, edhe tatimorët që i sjellin shumë të ardhura buxhetit, pse të mos i kenë pagat shumë më të larta se t tjerët? Po edhe policia, pse të mos i marrë të gjitha gjobat për vete?

Po mirë, mor zotëri? Po mësuesit që nuk i sjellin të ardhura të tjera kështu të drejtpërdrejta, siç i llogarit zotrote, buxhetit, si i bëhet?!

Po pensionistët, si i bëhet?!

37 milionë euro i doni ju për t’i çuar pagat në stratosferë dhe për t’i bërë pagat shumë herë më të larta se në Greqi e në shumë vende të tjera të BE, ndërkohë që, këtu ka plot njerëz të tjerë që kontribuojnë, që nuk prodhojnë kështu të ardhura të drejtpërdrejta nga gjoba dhe nga konfiskime por që prodhojnë të tjera gjëra në të mirë të shoqërisë.

Sa do u rriten pagat atyre?

Unë shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese të mos ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera.

Këto kisha unë sot dhe kush është i interesuar, le të marrë regjistrimin e asaj seance dhe të shohë se çfarë bëhet dhe do kuptojë shumë mirë se sa absurde është e gjithë kjo histori; me gjykatësit që duan t’i rrisin vetes pagat, vetë Zot e vetë shkop”, tha ai. /Tch/

Situatë e paqëndrueshme e motit në Shqipëri, 642 familje pa energji elektrike në Devollin e Sipërm

2 February 2026 at 09:37


Këtë të hënë, Prefektura e Korçës ka bërë me dije se aktualisht 642 familje në zonën e Devollit të Sipërm janë pa energji elektrike. Kjo situatë vjen si pasojë e motit të paqëndrueshëm në vend.

Sipas njoftimit të OSHEE-së, Fideri 5 i Nënstacionit Bilisht është pjesërisht në punë, çka ka sjellë ndërprerjen e furnizimit me energji për abonentët ruralë në zonat: Vidohovë, Miras, Qytezë, Cëte, Sinicë dhe Arzë.

Sipas raportimeve, ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe janë në gatishmëri për të ndjekur nga afër situatën, me qëllim riparimin e defekteve të evidentuara dhe rikthimin sa më shpejt të energjisë elektrike.

Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi me energji për konsumatorët e rëndësisë së veçantë vijon normalisht. /Euronews.al/

Haradinaj nis vizitën zyrtare në SHBA, pritet të zhvillojë takime në Kongres

2 February 2026 at 09:33


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbërritur në Washington, ku ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur që ai është i ftuar të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit “National Prayer Breakfast”, si dhe në aktivitete të tjera zyrtare dhe takime me përfaqësues politikë nga vende të ndryshme.

"Gjatë qëndrimit në Washington, Haradinaj do të zhvillojë takime në Kongresin Amerikan dhe institucione të tjera federale, do të mbajë një fjalim në Capitol Hill dhe do të diskutojë për partneritetin strategjik Kosovë–SHBA, marrëdhëniet bilaterale, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin transatlantik, me theks në anëtarësimin e Kosovës në NATO", thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Zhduket një grua në Gjilan, rasti po hetohet

2 February 2026 at 08:50


Një grua ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën në rrugën “Avdulla Tahiri”, në Gjilan.

Tutje bëhet e ditur në konsultim me prokurorin është iniciuar lënda e rastit e cila vazhdon të hetohet.

“Rr. Avdulla Tahiri, Gjilan /01.02.2026 – NN. Është raportuar se viktima femër kosovare prej datës 29.01.2026 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Në konsultim me prokurorin është iniciuar lënda e rastit e cila vazhdon të hetohet”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Ngacmohet një grua në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

2 February 2026 at 08:45


Një person është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Ngacmim” nga një gruaje.

Sipas raportit bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 26.01.2026 rreth orës 12:30 në rrugën “Bajram Kelmendi”, në Prishtinë.

Tutje bëhet e ditur se pas intervstimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Rr. Bajram Kelmendi, Prishtinë / 26.01.2026 – 12:30. Më 01.02.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit për kryerje të veprës së lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Zhduket një person në Fushë Kosovë, rasti po hetohet

2 February 2026 at 08:36


Një person është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 31.01.2026 në fshatin Bresje të Fushë Kosovës.

Tutje bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar.

“Fsh. Bresje, Fushë Kosovë / 31.01.2026 – 09:30. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Therja me thikë në Fushë Kosovë, arrestohen katër persona

2 February 2026 at 08:34


Katër persona janë arrestuar pas rastit që ndodhi mbrëmjen e së dielës rreth orës 20:15 ku një person u ther më thikë në rrugën “Pajazit Islami”, në Fushë Kosovë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se viktima është dërguar në QKUK ndërsa rasti është duke u hetuar.

“Rr. Pajazit Islami, Fushë Kosovë / 01.02.2026 – 20:15. Raportohet se katër persona të panjohur kanë sulmuar fizikisht dy meshkuj kosovarë, ku njëri nga viktimat ishte i therur me thikë. Viktima është dërguar në QKUK, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Shtohet mbrojtja ndaj Altin Dumanit pas kërkesës së Kreut të SPAK

31 January 2026 at 15:51


Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për shtimin e masave të mbrojtjes ndaj prokurorit Altin Dumani.

Kërkesa vjen në një kohë kur presioni ndaj Dumanit është rritur, për shkak të një sërë hetimesh të rëndësishme që mbajnë firmën e tij gjatë periudhës kur ai ishte kryeprokuror i SPAK.

Sipas vendimit të komisionit, përveç Altin Dumanit, janë miratuar masa mbrojtëse edhe për disa prokurorë të tjerë të Strukturës së Posaçme, mes të cilëve edhe prokurori Dritan Prençi. /Euronews/

Kelmendi, perla turistike e Veriut - Emigrimi zbraz fshatrat, disa të rinj mbajnë gjallë turizmin

31 January 2026 at 15:47


Kelmendi në Malësi të Madhe është një nga perlat e Veriut të Shqipërisë, me resurse të jashtëzakonshme dhe potencial për turizëm gjatë gjithë vitit.

Por emigrimi masiv po e zbeh këtë zonë, duke lënë pas fshatra të zbrazur dhe një boshllëk të dukshëm në komunitet. Përkunden qindra te rinjve qe kane emigruar ne Amerike, disa te rinj kane vendosur te qëndrojnë duke ndërtuar bujtina e duke mbajtur turizmin gjalle por serish plaga e emigracionit nuk ndalet.

Gazmend Pepaj i ka thënë “jo” emigrimit. Ai, së bashku me familjen, pret dhe përcjell turistë edhe pse dimri është më i vakët dhe numri i vizitorëve pak më i ulët.

Kelmendi është gjithashtu i pasur me bime medicinale, të cilat kanë vlera të mëdha shëndetësore dhe përbëjnë një tjetër atraksion për turistët e interesuar pas natyrës dhe shëndetit.

Rruga drejt fshatrave turistikë qëndron e hapur gjatë gjithë dimrit, dhe me rikthimin e dëborës, kthehen edhe vizitorët e pasionuar pas natyrës së paprekur, për të përjetuar madhështine e alpeve. /Tch/

Damka: Parimi kryesor i KDTP-së është përfaqësimi i fortë dhe i drejtë në Kuvend

31 January 2026 at 14:45


Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka ka reaguar pas rezultateve zyrtare të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor (MSK).

Damka përmes një postimi në rrjetin social në Facebook i uroi suksese për mandatin e deputetit Fatma Taçit dhe Ergul Mazrekut.

Ai beson se Taçi dhe Mazreku do të paraqesin një përfaqësim të fortë në Kuvend në përputhje me të drejtat dhe përfitimet e shoqërisë turke.

"Përgëzoj përzemërsisht Ergul Mazrekun dhe Fatma Taçin që u zgjodhën deputet nga partia jonë sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (MSK). I uroj suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe të lartë që po ndërmarrin; sinqerisht besoj se do të vendosin përfaqësim të fortë në përputhje me të drejtat dhe përfitimet e popullit tonë. Parimi themelor që gjithmonë e kemi mbrojtur si Parti Demokratike Turke e Kosovës është përfaqësimi i fuqishëm i vullnetit të popullit tonë nën një kulm partiak në Kuvend. Në këtë drejtim, ne e kemi konsideruar si parim të domosdoshëm që dy deputete nga partia jonë të marrin pjesë në Kuvend dhe të sigurojnë se përfaqësimi i femrës është i garantuar", ka thënë Damka.

Sipas tij, lufta e tyre zhvillohet mbi parime dhe jo mbi individë.

"Përfaqësim i fortë, përfaqësim i drejtë dhe strukturë politike në të cilën pjesëmarrja aktive e grave në politikë ka qenë gjithmonë prioritet për ne; dhe do të vazhdojë të jetë prioritet në vazhdim. Shpresoj që mandati i ri legjislativ të jetë i dobishëm për popullin, shoqërinë dhe vendin tonë.Damka duke theksuar se parimi thelbësor i KDTP-së është që vullneti i shoqërisë turke të përfaqësohet fuqishëm nën kulmin e një partie në Kuvendin e Kosovës, tha se në këtë kuadër dy deputete nga partia duhet të marrin pjesë në Kuvend dhe të sigurojnë përfaqësimin e femrës parim i domosdoshëm", ka shkruar Damka. /Telegrafi/



Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tregu ilegal në Mitrovicë

31 January 2026 at 14:31


Edhe sot ka vazhduar aksioni i Drejtorisë së Inspekcionit për largimin e shitësve ilegal që ushtronin veprimtari tregtare në rrugë dhe trotuare në zonën e tregut.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të Komunës së Mitrovicës, ku ndër të tjera shkruhet se aksioni po zhvillohet nën udhëheqjen e Drejtorit të Inspekcionit, Mujë Igrishta, së bashku me inspektorët komunalë, në bashkëpunim me Policinë dhe KRM “Uniteti”.

“Drejtoria e Inspekcionit është e vendosur që të lirojë të gjitha hapësirat publike në gjithë qytetin dhe nuk do të tolerohet asnjë formë e uzurpimit të tyre nga shitësit ilegalë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, drejtori Igrishta ka thënë se: “Aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim vendosjen e rendit, garantimin e sigurisë dhe respektimin e ligjit”. /Telegrafi/


KFOR-i me stërvitje forcon gatishmërinë taktike

31 January 2026 at 14:15


Ushtarë shumëkombësh nga Grupi i Përbashkët i Mbështetjes Logjistike (JLSG) dhe Batalioni Rezervë Taktik zhvilluan një trajnim për mbështetje të lëvizshmërisë në kampin Novosellë.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se aktiviteti u përqendrua në koordinimin me Detashmentin e Mbështetjes Mobile (MSD) dhe përdorimin e Njësisë K9 për detyra sigurie dhe zbulimin e mjeteve shpërthyese në kushte reale stërvitore.

"Trajnimi forcoi gatishmërinë taktike, ndërveprueshmërinë dhe kohezionin, duke mbështetur aftësinë e KFOR-it për të operuar në mënyrë efektive në përputhje me mandatin e tij", thuhet në njoftim. /Telegrafi/





Lumir Abdixhiku kërkon t'i nënshtrohet votëbesimit të Kuvendit të LDK-së

31 January 2026 at 13:13


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim gjatë Kuvendit të punës së partisë, duke iu drejtuar delegatëve dhe duke folur për përgjegjësinë, sfidat dhe rolin e LDK-së në politikën e Kosovës.

Abdixhiku tha se partia ka përgjegjësi historike dhe se është koha që të japë përgjigje edhe për vetveten.

“Heshtja në jetën politike është një barrë e rëndë. Njeriu e kupton që ka momente që duhet të ndalet, jo pse është i dobët, por sepse ka përgjigje për të dhënë nga ata që e besuan. Nata e zgjedhjeve ishte një prej atyre momenteve që nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përgjegjësisë”, tha ai.

Kryetari i LDK-së theksoi se përgjegjësia merret vetëm brenda Kuvendit të partisë dhe vendimmarrja i takon delegatëve.

“Kam zgjedhur të dal para jush jo sepse është e lehtë, por sepse është e domosdoshme. Njeriu nuk matet vetëm kur gjithçka shkon mirë, por edhe kur gjuha i dridhet pak”, shtoi ai.

Abdixhiku vuri në dukje se rezultatet e fundit nuk erdhën nga një gabim i vetëm, por si pasojë e një grumbullimi të sfidave gjatë kohës, duke theksuar nevojën për të reflektuar dhe për t’u përballur me realitetin.

“Sot jemi këtu për t’i thënë gjërat në sy”, tha ai.

Ai theksoi pozicionin unik të LDK-së në Kosovë: “LDK mbetet e vetmja parti politike në vend, themeluesi i së cilës nuk jeton. Në këtë rrugëtim jemi ndryshe nga çdo parti tjetër në Kosovë. LDK ka provuar dhe krijuar lidership demokratik. Në demokraci, lidershipi nuk është dhuratë, por provë dhe barrë e madhe, mbi të gjitha garë mes të njëjtëve”.

Abdixhiku nënvizoi gjithashtu transparencën dhe përkushtimin e partisë: “Në cilën parti tjetër mbledhja konsultative transmetohet drejtpërdrejt në 32 kanale? LDK është parti e popullit, në lindje, në konstrukt dhe në të ardhme. Prijësi i LDK-së është i ndryshueshëm, por principi mbetet i njëjtë. Problemi nuk ka qenë njeriu, por roli i kryetarit dhe përgjegjësitë që ky detyrë mbart”.

Ai shtoi se partia duhet të funksionojë çdo ditë dhe jo vetëm gjatë zgjedhjeve: “Rregullimi i brendshëm i partisë ka nevojë për një organizatë që funksionon çdo ditë. Po aq e rëndësishme është disiplina politike. Kritikët që e shndërrojnë helmin e vazhdueshëm në shkatërrim nuk kanë vend këtu. Kush nuk respekton shumicën e kësaj partie nuk është i mirëpritur”.

Abdixhiku foli edhe për sfidat zgjedhore të fundit: “vitin 2025, partia fitoi sërish 7 komuna, përfshirë kryeqytetin, një arritje me peshë simbolike. Humbja e një komune të vogël u ndje shumë. Nëse nuk dimë ta kthejmë suksesin në moral, nuk mund të arrijmë shumicën. Nevojiten ndryshim dhe rezistencë për ta arritur atë”.

Ai po ashtu tha se LDK nuk është themeluar si shoqëri aksionare dhe nuk është pronë e askujt.

Abdixhiku, ka kërkuar nga delegatët e Kuvendit të Punës së LDK-së, votëbesimin e tyre për të parin e partisë.

“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit”, tha ai.

Ai shprehu gatishmërinë për t’u nënshtruar vendimeve të Kuvendit dhe duke reflektuar mbi përgjegjësinë e tij ndaj partisë dhe qytetarëve.

“Çfarëdo vendimi që do të merrni, do ta respektoj me qetësi, dinjitet dhe besim. Besoj te vendimi dhe pjekuria politike e LDK-së”, tha Abdixhiku.

Ai rikujtoi natën e zgjedhjeve dhe debatet brenda partisë: “Në natën e zgjedhjeve, kur paralajmërova Kuvendin e partisë, pati zëra brenda LDK-së që kërkuan dorëheqjen time. ‘Lëshoj vendin tim’, më thanë, dhe më pas u kthye në ultimatum. Në fund, pas këtij ultimati, u shpall ideja se akti i dorëheqjes ishte i kryer dhe Kuvendi nuk do të vendoste më për ne”.

Duke ndier peshën e madhe të përgjegjësisë, Abdixhiku shtoi: “Jo në pak raste e kam ndjerë të parevokueshme. Me 42 vite që kam, kam një jetë përpara për të nisur me familjen time dhe me ju. Kam dëgjuar zëra që kërkonin përballje përmes debatit të hapur. Këtë çështje nuk e kam mbajtur për vete, por ia kam kthyer Kuvendit. Kuvendi ka legjitimitetin për të vendosur – dhe për mua. I nënshtrohem vullnetit të përgjithshëm të Kuvendit. Le të flas Kuvendi, jo si akt formal, por si akt përgjegjësie”.

Abdixhiku gjithashtu theksoi se ka momente kur në jetën e një partie fjala duhet të jetë më e matur se emocionet.

“Më lejoni të flas jo për atë që kam qenë, por për mënyrën se si kam shërbyer në këtë detyrë. Ndihem keq që nuk kam arritur ta çoj partinë në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha ai.

Në fund tha se me vullnetin e këtij Kuvendi do të përcaktohet përcaktohet fati i secilit prej tyre.

“Shumë sy kanë qenë të kthyer nga kjo karrige këtu. Me vullnetin tuaj këtu përcaktohet fati i secilit prej nesh. Nga ky moment i kaloj punimet te Kuvendi... do të ulem sërish si një nga 355 delegatët e këtij kuvendi”. /Telegrafi/

Selmanaj: Mungesa e një agjende të qartë nuk është shenjë e mirë - Avdullahu Hoti vlerë e madhe për LDK-në

31 January 2026 at 12:06


Anëtari i Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka theksuar se brenda partisë duhet të refuzohet qasja e qëndrimeve "bllanko" të degëve, duke nënvizuar se vendimmarrja u takon delegatëve individualisht.

Sipas Selmanajt, dega e LDK-së në Prizren ka rreth 16 delegatë dhe secili prej tyre ka bindjen e vet personale për të vlerësuar se cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekë LDK-ja.

“Ne i kemi vlerësuar bashkë, por vendimi mbetet individual dhe unë e respektoj maksimalisht qëndrimin e secilit delegat”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai u shpreh i bindur se LDK-ja edhe në momentet e saj më delikate, ka ditur të gjejë mekanizma të brendshëm për rregullim dhe reflektim të drejtë, veçanërisht në situatat kur është përballur me sfida në zgjedhjen e kryetarit të partisë.

“Gjithmonë LDK-ja e ka zgjedhur situatën më të mirë”, tha ai, duke shtuar se aktualisht mungesa e një agjende të qartë nuk është shenjë e mirë.

Sipas Selmanajt, deri mbrëmë duhej të ishte e qartë nëse do të votohej për votëbesim apo do të shqyrtohej dorëheqja.

Ai theksoi se shqyrtimi i dorëheqjes do të ishte antistatutor nëse hyn në një cikël të tillë, pasi statuti i LDK-së nuk e parasheh këtë procedurë, duke ritheksuar besimin e tij në demokracinë e brendshme të partisë.

Selmanaj kujtoi se LDK-ja ka vendosur standard në Kosovë që pas rezultateve të dobëta zgjedhore të ketë proces vlerësimi të brendshëm.

“Nuk jemi të kënaqur me këto rezultate. Nëse nuk kemi arritur ta transmetojmë idenë e mirë të LDK-së te qytetarët, atëherë faji nuk është i tyre, por i vetë LDK-së”, u shpreh ai.

Duke folur për udhëheqjen e partisë, Selmanaj vlerësoi lart të kaluarën dhe trashëgiminë politike të Avdullah Hotit, duke e cilësuar atë si një vlerë të madhe për LDK-në, por theksoi se kjo nuk përjashton kandidaturat e tjera.

“Kjo është e mira e LDK-së, të ketë debate dhe kundërshti”, tha Selmanaj, duke përfunduar se partisë i nevojitet një dinamikë pak më ndryshe në të ardhmen. /Telegrafi/

Shpallja e rezultateve të zgjedhjeve, Cakolli: KQZ formalizoi praktikë të kundërligjshme, shpalli rezultate ‘të pjesshme’

31 January 2026 at 11:38


Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se shpallja e këtyre rezultateve është shkelje, pasi siç tha “nuk është konsumuar afati ligjor për ankesa”.

“Përtej shkeljes fillestare – shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa – sot KQZ shkoi edhe një hap më tej dhe formalizoi një praktikë tërësisht të kundërligjshme, duke shpallur rezultate ‘të pjesshme’, pra, jo për të gjitha subjektet politike. Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve. Po aq e rëndësishme, kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet opinion politik i papërcaktuar, pa asnjë pretendim konkret për shkelje ligjore”, ka shkruar Cakolli.

Ai tha se ajo që ndodhi sot është absurde.

“Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”.

Sipas tij, KQZ po sillet sikur ka kompetencë të vendosë kush hyn në fazën pas shpalljes dhe kush jo.

“E për këtë, përgjegjësi mban edhe Kryesuesi i KQZ-së që lejoi ndarjen artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore. E mbi të gjitha, problemi kryesor nuk është vetëm dita e sotme, por precedenti që po krijohet. Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen në mënyrë selektive. Kështu procesi zgjedhor pushon së qeni proces ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve. Dhe kjo është arbitraritet institucional, pa asnjë dilemë”, ka shkruar Cakolli. /Telegrafi/


PDK ngre shqetësime për afatet e ankesave, Radoniqi: Nëse e prolongojmë ende, shumë procese shtyhen

31 January 2026 at 11:27


Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, ka ngritur sot në mbledhjen e KQZ-së çështjen e afateve për paraqitjen e ankesave lidhur me procesin e rinumërimit të votave.

Elshani ka pyetur nëse publikimi dhe miratimi i rezultateve përfundimtare është në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet dhe rregullat e KQZ-së, duke theksuar se në këtë mënyrë mund t’u mohohet e drejta e ankesës subjekteve politike, kandidatëve dhe qytetarëve.

“Publikimi i rezultateve përfundimtare dhe miratimi i tyre a është në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së, duke e ditur se në njëfarë forme po ua mohojmë të drejtën e ankesës subjekteve politike, kandidatëve dhe qytetarëve në raport me administrimin e procesit të ditës së djeshme, për të cilin afati i ankesave zgjat deri nesër”, ka thënë Elshani.

Në përgjigje të kësaj, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sqaroi se dispozitat ligjore për të cilat u referua Elshani kanë të bëjnë me administrimin e procesit në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Ai shpjegoi se në QKN bëhet numërimi i votave për kandidatë dhe verifikimi i votave për subjektet politike, ndërsa në QNR administrohet procesi i numërimit të votave me postë, të personave me nevoja të veçanta, të përfaqësive diplomatike dhe votave me kusht.

Radoniqi theksoi se e drejta për ankesa në këto faza tashmë ka kaluar, pasi procesi përkatës ka përfunduar, duke shtuar se KQZ për herë të parë ka marrë vendim që para shpalljes së rezultateve të rinumërohet i gjithë procesi i zhvilluar në QNR.

“E drejta për tu ankuar në QKN dhe QNR është kaluar tashmë se kjo çështje ka përfunduar, ndërsa ne që asnjëherë më parë në proceset zgjedhore kemi marrë vendim para shpalljes së rezultatit të rinumërohen i tërë procesi që është zhvilluar në QNR. Pra e kemi përmirësuar tërë procesin e administrimit në QKN. Tanimë ligji nuk jep ndonjë dispozitë të veçantë për proces ankimor në procesin e rinumërimit, por të drejtën nuk ia humbim askujt për parashtrimin e ankesave lidhur me rinumërimin dhe në shpalljen e rezultatit. Natyrisht gjatë rinumërimit nuk ka pas asnjë vërejtje nga asnjë vëzhgues lidhur me procesin e rinumërimit”, ka thënë ai.

Ai bëri të ditur se procesi i rinumërimit ka zgjatur 18 ditë dhe se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë vërejtje nga vëzhguesit lidhur me mënyrën e zhvillimit të tij.

“Nëse e shikojmë a do të ketë të drejtë ankese...ankesat parashtrohen 48 orë nga shkelja e supozuar. I gjithë procesi i rinumërimit ka zgjatur 18 ditë dhe kanë mbetur edhe dy ditë të kaluara që mund të parashtrojë dikush ankesë, por asnjë vërejtje gjatë këtij procesi të rinumërimit nuk është dhënë. Nëse e prolongojmë ende, shumë procese shtyhen më vonë, pra s’mund t’i arrijmë disa afate. Ne s’e mohojmë të drejtën e ankesës sepse pas shpalljes së rezultateve palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në PZAP”, ka thënë Radoniqi. /Telegrafi/

Ndahet votimi për shpalljen e rezultateve në KQZ, VV nuk e votoi Listën Serbe, Radoniqi: S’ka kuptim kjo punë

31 January 2026 at 11:01


Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është ndarë procesi i votimit për shpalljen e rezultateve zgjedhore, pasi anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të votojnë për Listën serbe, ndërsa anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës njoftoi se do të abstenojë.

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, para hedhjes në votim të shpalljes së rezultateve, deklaroi se do të votojë kundër Listës serbe dhe kandidatëve të saj individualisht.

Pas këtyre deklarimeve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se duhet të ndahet votimi për Listën Serbe dhe për Partinë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), për të cilën ishte paraqitur ankesë se nuk ka respektuar kuotën gjinore.

Anëtarët e KQZ-së votuan për shpalljen e rezultateve për të gjitha subjektet e tjera politike, me përjashtim të Listës serbe dhe KDTP-së.

Megjithatë, Radoniqi e hodhi në votim edhe Listën serbe e cila mori vetëm tri vota pro, dy kundër dhe tjerat abstenime.

Pas përfundimit të votimit, Radoniqi u shpreh: “M’falni, po s’ka kuptim kjo punë”.

Ndërkohë, për shpalljen e rezultateve për KDTP-në votuan pro nëntë anëtarë të KQZ-së.

Radoniqi bëri të ditur se subjektet politike dhe kandidatët e pakënaqur me shpalljen e rezultateve kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve, nga ora 11:00 e ditës së sotme deri në orën 11:00 të ditës së hënë. /Telegrafi/

❌
❌